ATV

Tag: Ballina

  • ORCA: Qeveria e kontrabandoi emrin e Driton Velës për Bord të Agjencisë për Akreditim, do t’i njoftojmë ENQA-n dhe EQAR-in

    ORCA: Qeveria e kontrabandoi emrin e Driton Velës për Bord të Agjencisë për Akreditim, do t’i njoftojmë ENQA-n dhe EQAR-in

    Organizata “ORCA” përmes një komunikate për media ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. “ORCA” në reagim thotë se është veprim shqetësues rikthimi i emrit të Driton Velës si ish-kandidat i VV-së për deputet në vitin 2019.

    “Në mënyrë të paprecedentë dhe jashtë çdo vëmendjeje publike, ky emër është kontrabanduar në listën e kandidatëve, duke anashkaluar transparencën dhe ekspertizën e organizatave që monitorojnë arsimin e lartë. Ky zhvillim është veçanërisht alarmues duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një institucion të pavarur, kredibiliteti i të cilit është thelbësor për cilësinë e arsimit të lartë në vend”, thuhet në reagim.

    ORCA rikujton në komunikatë se në vitin 2023, gjatë një procesi të mëhershëm për përzgjedhje në këtë bord, Driton Vela ishte diskualifikuar “pasi ishte kapur në flagrancë duke mashtruar komisionin përmes deklarimeve të rreme në aplikim”.

    “Ky fakt, i dokumentuar dhe i bërë publik në atë kohë, e bën të pakuptimtë dhe të papranueshme rikthimin e tij në një proces të ri për të njëjtën pozitë. Për më tepër, ORCA është e informuar për parregullsi të shumta në procesin aktual, duke përfshirë paqartësi serioze në lidhje me raportin e komisionit vlerësues dhe mënyrën e procedimit të tij drejt qeverisë dhe institucioneve tjera”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

    Sipas organizatës, ky rast përbën një precedent të rrezikshëm të ndërhyrjes politike në institucione që duhet të jenë të pavarura dhe të bazuara në meritë.

    “Përfshirja e personave me histori të dokumentuar të mashtrimit në procese të tilla jo vetëm që dëmton besimin e publikut, por rrezikon të minojë përpjekjet e viteve të fundit për ngritjen e standardeve në arsimin e lartë dhe për rikthimin e kredibilitetit të Agjencisë së Akreditimit në nivel ndërkombëtar”, potencon reagimi.

    “Në këtë kontekst, ORCA rikujton ndërhyrjet e vitit 2017–2019 nga Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, të cilat çuan në cenimin e pavarësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe përfundimisht në përjashtimin e saj nga mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimit të cilësisë. Fatkeqësisht, zhvillimet aktuale tregojnë se qasja e Kryeministrit aktual Albin Kurti nuk dallon në thelb nga ajo e paraardhësit të tij: ndërhyrja është e njëjtë, metoda është e njëjtë, dhe rreziku për pasojat mbetet real. ORCA shpreson që kësaj radhe rezultati të mos jetë i njëjtë dhe që Kosova të mos përballet sërish me izolim ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë” thuhet në reagim.

    ORCA ka pralajmëruar se do të përdorë të gjithë mekanizmat në dispozicion për të ndalur këtë përpjekje për kapje të një institucioni të pavarur, përfshirë edhe njoftimin zyrtar të përfaqësuesve ndërkombëtarë të ENQA dhe EQAR për situatën e krijuar. Çdo ndërhyrje e tillë rrezikon drejtpërdrejt jo vetëm integritetin e Agjencisë së Akreditimit, por edhe kredibilitetin ndërkombëtar të arsimit të lartë në Kosovë.

  • Burim Ramadani: Lutem për çdo ditë që verdikti në Hagë të jetë lirues

    Burim Ramadani: Lutem për çdo ditë që verdikti në Hagë të jetë lirues

    Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka thënë se lutet që verdikti i Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së të jetë lirues.

    Ai ka bërë me dije se beson në pafajësinë e ish-krerëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Në profilin e tij në Facebook, ai ka postuar një fotografi me Hashim Thaçin, duke thënë se gjykata nuk ka argumente për dënimin e tyre.

    “Lutem për çdo ditë që verdikti në Hagë të jetë lirues. Besoj plotësisht se kjo do të ndodh për udhëheqësit e luftës çlirimtare, sepse lufta çlirimtare ka qenë edhe e drejtë, edhe e pastër. Nuk është vetëm çështje e imazhit të Kosovës nëpër botë, por është çështje direkte përmbajtjesore e të vërtetës së Kosovës. Nuk kam parë që Prokuroria e Specializuar ka pasur rast të vërtetë në gjykatë. Kështu, as nuk është dashur të akuzohen. Jam i bindur se lirimi i të akuzuarve në Hagë do të paraqesë një moment kthese pozitive për Kosovën, historinë dhe të vërtetën tonë, sikurse edhe të kthejë besimin publik për proceset”, ka shkruar ai.

  • Çmimet tavan për sot: Nafta 1.65, benzina 1.39, gasi 0.88 euro për një litër

    Çmimet tavan për sot: Nafta 1.65, benzina 1.39, gasi 0.88 euro për një litër

    Bazuar në vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit në Kosova, janë publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës për ditën e sotme.

    Sipas njoftimit zyrtar, çmimet janë përcaktuar si më poshtë:

    Nafta (dizel): 1.65 euro për litër

    Benzina: 1.39 euro për litër

    Gasi: 0.88 euro për litër

    Këto çmime kanë hyrë në fuqi nga ora 10:00 dhe janë të detyrueshme për zbatim nga të gjithë operatorët ekonomikë që tregtojnë derivate në vend.

  • SHBA pezullon armatimin për Evropën, nuk preket Kosova

    SHBA pezullon armatimin për Evropën, nuk preket Kosova

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar furnizimet me armatim për shtetet evropiane, si shkak i luftës me Iranin. Megjithatë, nga ministria e mbrojtjes kanë konfirmuar se Kosova nuk është prekur nga ky vendim.

    Janë sisteme të sofistikuara të armatimit që ka në posedim Forca e Sigurisë së Kosovës.

    Një pjesë e tyre janë të blera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e disa porosi të tjera janë ende në proces.

    Megjithatë, për shkak të luftës me Iranin, ShBA-të kanë vendosur që t’i pezullojnë armatimet e dedikuara për shtetet e Evropës.

    Mirëpo, ministria e mbrojtjes ka konfirmuar për TËVË1 se ky vendim nuk e ka prekur Kosovën.

    “Ju njoftojmë që nuk është afektuar Kosova”, ka thënë Ministria e Mbrojtjes nga situata të tilla.

    Sipas njohësit të gjeopolitikës, Korab Blakaj, Kosova duhet marrë mësim nga situata të tilla.

    ”Sepse ne e kemi konceptuar mbrojtjen tonë më tepër në mbrojtje të aleancave dhe furnizimeve në rast nevoje nga shtetet tjera, por ja ku paraqitet rasti konkret ku SHBA ka nevojë vetë për armë dhe atëherë furnizimet ndalen për të tjerat. Njëjtë mund nëse Turqia futet në luftë, apo Gjermania apo shtetet tjera, të njëjtat gjëra do të ndodhin. Për këtë arsye pushtetet normale në kohë paqeje investojnë dhe përgatisin ushtrinë dhe nuk e lënë atë të përgatitet në ditën e fundit”, theksoj Blakaj.

  • Edhe Granit Plava dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa Kokalla me 30 vjet

    Edhe Granit Plava dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa Kokalla me 30 vjet

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar të martën me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

    Naim Murseli dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

     

  • Naim Murseli dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

    Naim Murseli dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

    Me burgim të përjetshëm është dënuar Naim Murseli, për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademajt, më 29 nëntor 2023.

    Vendimi vjen pas një procesi gjyqësor të zhvilluar mbi akuzat se vrasja e Ademajt, bashkëshortes së Murselit, ishte kryer në mënyrë të planifikuar dhe me paramendim. Prokuroria, në fjalët përfundimtare, kishte kërkuar dënimin maksimal për të akuzuarit, duke argumentuar se bëhej fjalë për një krim të organizuar.

    Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve kishte kundërshtuar akuzat, duke deklaruar se nuk ekzistojnë prova të drejtpërdrejta që lidhin Naim Murselin, si dhe të akuzuarit e tjerë, me kryerjen e veprës penale.

    Pavarësisht këtyre pretendimeve, trupi gjykues vendosi ta shpallë fajtor Murselin dhe ta dënojë me burgim të përjetshëm, duke e cilësuar rastin si një nga krimet më të rënda të viteve të fundit në vend.

     

     

  • Skandali me njehsorë elektrikë, ZRRE del me njoftim: Çdo konsumator i prekur do të kompensohet plotësisht

    Skandali me njehsorë elektrikë, ZRRE del me njoftim: Çdo konsumator i prekur do të kompensohet plotësisht

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se është duke monitoruar situatën lidhur me shqetësimet e paraqitura nga konsumatorët për devijimin e mundshëm të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike.

    ZRRE në një reagim për media thotë se siguron të gjithë konsumatorët se, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë akterët relevantë, do të ndërmerren veprime konkrete me qëllim që të parandalohet çdo dëm i mundshëm ndaj konsumatorëve dhe të garantohet një proces i drejtë dhe transparent i matjes së energjisë elektrike.

    “ZRRE informon publikun se në rastet e paraqitura nga konsumatorët lidhur me devijimin e mundshëm të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike, ka ndërmarr të gjitha veprimet e saja konform legjislacionit në fuqi, duke kërkuar zëvendësimin e atyre njehsorëve elektrik, si dhe marrjen e masave konkrete për korrigjimin financiar në përputhje me vlerësimet e teknike.

    Është e rëndësishme të theksohet se në shumicën e rasteve të dërguara për verifikim është konstatuar se matja e energjisë ka qenë e saktë, ndërsa pasaktësitë kanë qenë kryesisht të natyrës së devijimit të kohës tarifore. Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve, korrigjimet financiare nuk kanë rezultuar në favor të konsumatorëve, por pavarësisht kësaj çdo rast do të trajtohet me seriozitet”, thuhet në njoftim.

    ZRRE rithekson tutje se KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe operojnë në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi dhe se të hyrat e tyre përcaktohen nga ZRRE, gjë që e kufizon mundësinë për të përfituar nga gabimet eventuale në matjen e energjisë elektrike.

    “Gabimet eventuale nëse ndodhin mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre dhe çdo konsumator i prekur do të kompensohet plotësisht, në përputhje me dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi. Moszbatimi i këtyre detyrimeve nga operatorët do të trajtohet sipas kornizës përkatëse ligjore”, thuhet në njoftim.

  • Zyra e kryeministrit nënshkruan tenderin për shërbime të përkthimit, kaq është vlera

    Zyra e kryeministrit nënshkruan tenderin për shërbime të përkthimit, kaq është vlera

    Zyra e kryeministrit të vendit ditë më parë ka arritur të finalizojë tenderin e radhës me kontratë.

    Këtë herë, është arritur të nënshkruhet kontratë për shërbime të përkthimit.

    Për tenderin në fjalë, fillimisht janë ndarë 124 mijë euro, ndërkaq ai i finalizuari kap shifren jo më shumë se 84 mijë euro.

    Në faqen e E-prokurimit, bëhet me dije se në procesin e tenderimit kanë marrë pjesë 5 kompani, derisa 4 prej tyre janë vlerësuar si të përgjegjshme.

    Kësisoji, tenderin për shërbime të përkthimit në divizionin gjuhësor të kryeministrit e ka fituar kompania “Finart Sh.P.K”.

    Tutje, bëhet me dije se kohëzgjatja e kontratës është për 24 muaj./IndeksOnline/

  • “Keni synuar të ndërhyni në punën tonë, s’ju lejuam”, Kryetari i Supremes kundërshton vendimin e qeverisë për Komisionin e Jurisprudencës

    “Keni synuar të ndërhyni në punën tonë, s’ju lejuam”, Kryetari i Supremes kundërshton vendimin e qeverisë për Komisionin e Jurisprudencës

    Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për formimin e një Komisioni të ri për Provimin e Jurisprudencës, duke e cilësuar të pabazuar në fakte dhe procedura ligjore, shkruan Reporteri.net.

    Rexhepi theksoi se përgjegjësia për organizimin e provimit i takon Ministrisë së Drejtësisë, e cila sipas tij ka dështuar në përmbushjen e obligimeve.

    Ai e quajti vendimin joligjor dhe kundërkushtetues, duke kundërshtuar pretendimet për mungesë transparence dhe duke mohuar ndërhyrje në vlerësimin e kandidatëve.

    Sipas tij, emërimi i një komisioni të ri pa përfunduar mandati i atij aktual përbën ndërhyrje në institucionet e pavarura dhe në sistemin e drejtësisë.

    Reagimi:

    Reagim lidhur me vendimin e Qeverisë për Komisionin për dhënien e Provimit të Jurisprudencës

    Prishtinë, 21 prill 2026 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e tij, lidhur me vendimin 24/11, të datës 20.04.2026, të marrë në mbledhjen e fundit të Qeverisë, për formimin e një Komisioni të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, të arsyetuar me pretendime për mungesë transparence dhe ankesa ndaj Komisionit të deritanishëm.

    Së pari, si kryetar i Komisionit të deritanishëm, vlerësoj se është e domosdoshme që çdo vendimmarrje institucionale të bazohet në fakte të verifikuara, procedura të rregullta dhe në respekt të plotë të kompetencave ligjore të secilit institucion. Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e papranueshme që përgjegjësia për një proces tërësisht administrativ dhe organizativ të zhvendoset në mënyrë të tërthortë tek Komisioni, në një kohë kur vetë Ministria e Drejtësisë ka dështuar të përmbushë obligimet e saj të qarta ligjore për organizimin e provimit.

    Tendencat ndaj komisionit kanë filluar para një viti, arsyet e dhëna nga Ministrja e Drejtësisë, për të emëruar komisionin në përbërje të re, janë absurde dhe jo të vërteta, dhe vendimi si i tillë është jo ligjor dhe kundërkushtetues.

    E vërteta e vetme në këtë mes është se unë si kryetar i Komisionit dhe anëtarët e Komisionit, nuk kemi lejuar ndërhyrje në punën e Komisionit sa i përket vlerësimit të kandidatëve, pasi kjo është në kompetencë të Komisionit. Puna e Komisionit është bazuar në dispozitat e ligjit, dhe për këtë ka pasur transparencë të plotë, ankesa e vetme nga Ministria e Drejtësisë në raport me Komisionin që na është thënë, ka qenë kalueshmëria e ulët. Për ne ka qenë e papranueshme që të ulen kriteret e vlerësimit dhe Komisioni të luajë rolin e një instrumenti në dorën e Ministrisë së Drejtësisë.

    Andaj, emërimi i një Komisioni në përbërje të re, pa i kaluar mandati Komisionit të deritanishëm, nuk shpjegohet ndryshe përveç ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura, dhe kjo në vazhdën e ndërhyrjeve të vazhdueshme që Qeveria i bënë edhe në raport me Sistemin e Drejtësisë.

    Për mua personalisht dhe për anëtarët e Komisionit integriteti dhe pavarësia në ushtrimin e profesionit edhe si anëtar i Komisionit, nuk janë parime që shkruhen vetëm në letër, por janë parime që duhet t’i ushtrojmë në çdo veprim tonin.

    Ne mbetemi të përkushtuar për sundimin e ligjit, funksionimin e pavarur të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik.

  • “Me i pas 16 euro deri më 31 dhjetor, më 2 janar duhesh me kërku borxh”, Bedri Hamza komenton deklarimin e pasurisë nga Kurti

    “Me i pas 16 euro deri më 31 dhjetor, më 2 janar duhesh me kërku borxh”, Bedri Hamza komenton deklarimin e pasurisë nga Kurti

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka komentuar kursimet e kryeministrit Albin Kurti, të cilat ishin diku rreth 16 euro.

    Hamza ka shprehur dyshimet e tij për një gjë të tillë.

    Në emisionin “Rubikon”, Hamza ka thënë se nëse ajo do të ishte e vërtetë Kurti do të duhej të huazonte para më 1 janar.

    “S’kam koment se për vete po flas, pa dashur të hyj në çështje të tjera, me i pas 16 euro me 31 dhjetor, me 1 janar ndoshta do ta kaloja ditën disi, por me 2 janar, ose është dashur të shkojë në bankë, ose të huazojë diku, ose diçka, se ne jemi njerëz, harxhojmë, hamë buk, pijmë ujë, kemi nevoja”, ka thënë ai, duke shtuar se për një kryeministër nuk do të ishte e lehtë të kalohej dita me 16 euro.

    “Besoj që ajo ka qenë një situatë momentale, në një ditë të caktuar, përndryshe, duhet me huazu mjete, ose me marrë kredi”, është shprehur ai.