ATV

Tag: Ballina

  • Shpërthim në veri të Mitrovicës, policia jep detaje

    Shpërthim në veri të Mitrovicës, policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në mesnatë ka ndodhur një shpërthim në Mitrovicën e Veriut.

    Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.

    “Ankuesi kosovar, ka raportuar se pranë shtëpisë së tij është hedhur një mjet shpërthyes, dhe si pasojë i janë dëmtuar disa dritare të shtëpisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse policore. Nuk raportohet për ndonjë person të lënduar”, vijon njoftimi.

    Rasti po vazhdon të hetohet nga policia.

  • Sot organizohet “Dita e Hapur” me rastin e Ditës së Forcës së FSK-së

    Sot organizohet “Dita e Hapur” me rastin e Ditës së Forcës së FSK-së

    Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 10:00 deri në ora 13:00 organizojnë “Ditën e Hapur’’.

    Manifestimi qendror do të mbahet në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetëror, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në Kosovë, ka njoftuar kjo ministri.

    Në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët mirëpriten në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së.

    Gjithashtu, në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 19:00, do të mbahet koncerti i bendit frymor të FSK-së dhe Filarmonisë së Kosovës.

  • Puna e komisioneve hetimore, pa rezultate

    Puna e komisioneve hetimore, pa rezultate

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në seancën e së enjtes u kërkua themelimi i Komisionit hetimor parlamentar lidhur me zjarrin që ditë më parë përfshiu Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Opozita gjatë kësaj legjislature ka insistuar në themelimin e disa komisioneve hetimore parlamentare. Në disa raste pati sukses, e në disa jo. Madje, njëri prej tyre, komisioni për rezerva shtetërore ka dy muaj që është themeluar, por nuk mbajti asnjë mbledhje në mungesë të kuorumit.

    “Ma shumë është për poenë politikë, pasi nëse një komision hetimor themelohet në opinion publik kuptohet se aty paska ndodh diçka e parregullt…”, tha Arton Demhaj nga organizata “ÇOHU”.

    Për monitorues të punës së Kuvendit, themelimi i komisioneve hetimore për çështje të cilat tashmë trajtohen nga institucione e tjera të drejtësisë nuk është hap i duhur.

    Që puna e komisioneve hetimore të jetë efektive, duhet të ndryshojë ligji.

    Vitin e kaluar me kërkesë të opozitës u themeluan dy komisione hetimore për energjinë elektrike. Puna 6-mujore e komisioneve përfundoi pa rezultat.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Marrëveshja e Brukselit pa nënshkrim e pa zbatim

    Marrëveshja e Brukselit pa nënshkrim e pa zbatim

    Përgatiti: Armand Hoti

    Implementimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, sipas politikanëve vendor dhe njohësve të procesit të dialogut, nuk do të ndodhë brenda një afati të shkurtër kohor.

    Nga paria në pushtet vazhdojnë të pohojnë se mos nënshkrimi i marëveshjes nga Serbia është telashja kryesore.

    “Është standard ndërkombëtar, por sidomos evropian se kur kemi një marrëveshje kemi edhe nënshkrim të marrëveshjes. Duhet të adresojmë këtë tendencën për të normalizuar këtë botëkuptim se kemi marrëveshje edhe kur nuk kemi nënshkrim. Nëse kemi nënshkrim dhe kemi dakordim atëherë duhet të kemi edhe nënshkrim. Nënshkrimi edhe garanton pranimin dhe zbatimin. Në fund të fundit është praktikë normale e BE-së nënshkrimi, kurse e kundërta është praktik jo normale që të kemi marrëveshje ndërkohë që nuk kemi nënshkrim. Për Kosovën është tërësia dhe marrëveshja”, tha deputeti i LV-së, Avni Rrustemi.

    Ndërkaq, Xhavit Haliti nga PDK, është i bindur se negociatat Kosovë-Serbi do vazhdojnë edhe për një kohë të gjatë.

    “Negociatat me siguri do të vazhdojnë edhe gjatë, po besoj deri pas zgjedhjeve në Serbi dhe do të fillojnë ndoshta me themelimin e qeverisë së re, nëse nuk ka zgjedhje edhe në Kosovë që pastaj të prolongohet edhe një katër-pesë muaj”, tha deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

    Kurse deputeti i AAK-së, Pal Lekaj thotë se Serbia është pala destruktive në procesin e zbatimit të marrëveshjeve.

    “Ne kemi ngecje në këtë drejtim dhe kemi një pasiguri për marrëveshjet që janë bërë. Ju e dini që Serbia nuk është e interesuar që të implementojë asnjë marrëveshje dhe sidomos tani kohëve të fundit, kur kemi pa sulmin me 24 shtator. Serbia nuk ka ndryshuar fare sa i përket çështjes së Kosovës”, tha deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    Analisti Dritëro Arifi, kritikon lehtësuesit Evropian për zvarritjet në zbatimin e marrëveshjes.

    “Dialogu ka rrëshqitur në një pikë ku palët akuzojnë njëra-tjetrën. Fasilituesi nuk po i ka mekanizmat e duhur për të vendosur në një binarë të sigurt dialogun. Ky është krejt problemi që deri tash e kemi pa dhe një problem tjetër do të jetë zbatimi i kësaj marrëveshje, kjo është pikëpyetja e madhe, kur fillon, kush e fillon dhe çka zbaton. Fasilituesi nuk po e ka asnjë mekanizëm që me i detyruar palët me zbatu në një formë ligjore… Zbatimi i Asociacionit nuk besoj se do të ndodh nëse nuk kemi garancione dhe siguresa të fuqishme juridike nga BE-ja. Ne nuk e dina se si do të shkojë Kosova vitin e ardhshëm nëse nuk kemi minimumin njohjen nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së”, tha njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi.

    Së fundmi, diplomatë euro-amerikanë prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, ku flitet për themelimin e Asociacionit.

    Kryeministri Kurti shprehu gatishmëri të nënshkruajë në kuadër të marrëveshjes bazë të shkurtit të këtij viti dhe aneksit të muajit mars. Serbia ka refuzuar vazhdimisht nënshrkimin, por zyrtarët ndërkombëtare, përfshi krerët e shteteve ose qeverive të Gjermanisë, Francës e Italisë, marrëveshjen e konsiderojnë valide hde kanë kërkaur që të mos humbet kohë në teknikalitete.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Nesër Dita e FSK’së, Presidentja Osmani shkon në Kazermën “Adem Jashari”

    Nesër Dita e FSK’së, Presidentja Osmani shkon në Kazermën “Adem Jashari”

    Për Ditën e Forcës, të hënën e 27 nëntorit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të vizitojë në kazermën “Adem Jashari”.

    Për këtë ka njoftuar zyra për media e presidencës, duke treguar agjendën për nesër të Osmanit.

    ”Në orë 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani viziton kazermën “Adem Jashari”, me rastin e DITËS SË FORCËS. Vendi: Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

  • Kurti: Adem Demaçi prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend, kjo përmendore është një shenjë e guximit

    Kurti: Adem Demaçi prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend, kjo përmendore është një shenjë e guximit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në zbulimin e shtatores së Adem Demaçit në sheshin në Podujevë, ka thënë se kjo përmendore do të deklarojë para brezave një virtyt të dyfishtë të shoqërisë.

    “Adem Demaçi prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend. Ne sot po shpallim në mes nesh se kjo përmendore do të deklarojë para brezave një virtyt të dyfishtë të shoqërisë. Kjo përmendore është një shenjë e guximit dhe barra e drejtësisë., që ne ia interpretojmë vetvetes si garanci të një të ardhme që ia vlen”, ka deklaruar Kurti.

    “Baca Adem ishte figura shumë këndore e realiteti i dehur me dashurinë për letërsinë bartës i dashurisë, gazetar i fjalës i lirë në rininë e pjekur, dhe përfaqësues politik i luftës çlirimtare në pjekurinë e vonë”.

  • Zbulohet shtatorja e Adem Demaçit në Podujevë

    Zbulohet shtatorja e Adem Demaçit në Podujevë

    Podujeva është bërë qyteti i parë me shtatore të veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

    Kryeministri Albin tha se njeriu i popullit, baca Adem ishte personalitet unik në veprimin dhe me gjuhën e tij në vetëmohimin për të tjerët dhe në shqipen tonë të dashur.

    “Na nevojitet një homazh i thellë për një shpirt kaq gjithëpërfshirës, ngase u deshtë një guxim i madh për ta mbajtur një shpirt kaq të lirë, kërkohet një vetëdije e paskaje për ta mbajtur një vetëdije të paepur. Për ne si ndjekës të përpjekjeve të tij do të jetë gjithnjë e vështirë të përkufizojmë personalitetin e kësaj përmase por na duhet t’i përkufizojmë në gjuhë dhe në gurë sepse këta janë dy binarët ku mbështetet treni ynë i historisë. Mbi vargun dhe kullën, ne urojmë që monumenti ynë kushtuar heroit tonë të mendimit të lirisë të jetë edhe kullë edhe gjuhë”, tha ai.

    Sipas Kurtit, ata që jetojnë me të vërtet nuk janë të shpeshtë dhe kanë një virtyt të pashoq, shprehja e tyre është e barabartë me jetën e tyre, Adem Demaçi na mëson një direktivë të lartë për të gjithë “Kur diktatura nuk e kërcënon lirinë, atëherë duhet dyshuar te liria”.

    “Ky njeri i madh të cilit sot ia lartësojmë në mënyrë solemne peshën e gurit, e ktheu lirinë në kusht të ekzistencës dhe në përvojën intime apsolute. Një përvojë e tillë e lirisë e meriton një monument e më shumë. Ky monument dhe fjalët që do ta shoqërojmë me dekada e kanë një synim, në çdo kohë e çdo paqe duhet të na tregojnë se nuk i përkasim asnjë rendi merite po e huqem referencën te baca Adem, si përvojë gjigante e furtunave që i përballte dhe i përvujturi më i fortë i lirisë nën çdo kusht. Adem Demaçi prehet i qet sepse jetojë përnjëmend, ai e kishte devizën e vet, nuk ka pse vlen një jetë pa drejtësinë që duhet për ta mbajtur gjallë”, tha ai, duke shtuar se kjo përmendore është shenja e guximit dhe barra e drejtësisë, që ne i tregojmë vetvetes si garancë të një të ardhme që ia vlen. /kp/

  • Dialogu Kosovë-Serbi, skepticizëm për zbatim të marrëveshjes gjatë këtij viti

    Dialogu Kosovë-Serbi, skepticizëm për zbatim të marrëveshjes gjatë këtij viti

    Përkundër përpjekjeve të shtuara së fundmi nga euro-amerikanët, ka pak shpresë se gjatë këtij viti do të fillojë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pozitë dhe opozitë janë skeptike për një gjë të tillë, derisa e fajësojnë Serbinë për qasje destruktive. Në anën tjetër, njohësit e procesit të dialogut, akuzojnë Bashkimin Evropian si ndërmjetës të dialogut se nuk kanë mekanizma të duhur për të vendosur në binarë dialogun.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se pa pasur një nënshkrim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, po ashtu edhe të planit të sekuencimit nuk mund të ketë zbatim të tyre.

    Skeptik është edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili thotë se negociatat për planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjeve mund të vazhdojnë gjatë, deri pas themelimit të qeverisë së re në Serbi. Megjithatë, ai e vë në mëdyshje edhe pranimin real të kryeministrit Kurti të propozimit euro-amerikan për draftin e Asociacionit, duke thënë se edhe në Kosovë mund të ketë zgjedhje të reja.

    Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekajm, thotë se ngecja dhe pasiguria për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit është për shkak se Serbia nuk është e interesuar të zbatojë asgjë në atë ujdi, përveç Asociacionit.

    Nga ana tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi, thotë se dialogu ka rrëshqitur në një pikë ku palët vetëm e akuzojnë njëra-tjetrën, pasi BE-ja nuk po ka mekanizma për t’i detyruar të zbatojë ujdinë e dakorduar.

    Ai thotë se as themelimi i Asociacionit nuk beson se do të ndodh, përkundër që kryeministri Kurti ka thënë se e pranon draftin e emisarëve euro-amerikanë për të njëjtin.

    Pas dështimit të arritjes së rezultateve në takimin Kurti-Vuçiq më 14 shtator dhe pas sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, diplomatët euro-amerikanët më 21 tetor paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që u tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e refuzoi.

    Drafti nga institucionet kosovare nuk është publikuar ende, megjithatë, një të tillë e ka publikuar ish kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, i cili ka thënë se ai është origjinali që është propozuar nga euro-amerikanët

    Gjatë kësaj jave shqetësime për draftin e Asociacionit ngriti edhe presidentja e Kosovës, e cila tha se janë dy-tri elemente që kanë dykuptimësi dhe që duhen sqaruar. /KosovaPress/

  • Ramadani: Kosova s’është e rrezikuar nga një sulm klasik ushtarak nga Serbia, patrullimet të shtohen në kufi

    Ramadani: Kosova s’është e rrezikuar nga një sulm klasik ushtarak nga Serbia, patrullimet të shtohen në kufi

    Kosova nuk është e rrezikuar nga një sulm klasik ushtarak nga Serbia, po vlerëson ish-inspektori Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani. Ai një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Serbia është duke bërë çmos që në Kosovës të krijoj grupe të armatosura dhe të struktura paramilitare, që të krijojë kryengritje në vend.

    Pasi sipas tij, në këtë mënyrë ajo ndërton situatë de-stabilizuese të cilat kërkojnë një zgjidhje tjetër politike nga e cila përfiton vetë Serbia.

    Ish-inspektori i AKI-së duke komentuar deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jon Stoltenberg, i cili ka potencuar se janë duke shqyrtuar mundësin për shtim të përhershëm të trupave të KFOR-it në Kosovë, tha se ai qëndrim është një shenjë treguese për seriozitetin e situatës në Kosovë.

    “Deklarimi i Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s është një shenjë treguese për seriozitetin e situatës së sigurisë në Ballkan duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Dhe sa seriozisht e ka marr NATO mirëmbajtjen e situatës së sigurisë në rajon, sepse është rajon i cili drejtpërdrejt lidhet edhe me NATO-n duke ditë që shumica e shteteve të Ballkanit perëndimorë janë edhe shtete anëtare të NATO-së. Është tepër e qartë se orientimi mbete tek faktori destabilizues në Ballkan që është Serbia dhe synimet e saj për të destabilizuar Ballkanin sikurse tha sekretari i NATO-së vlerësimet e përgjithshme janë për tensionet e ngritura në Kosovë dhe Bosnje dhe në të dy rastet kemi të bëjmë me ndërhyrje direket të Serbisë dhe qëllime territoriale dhe politike që ka Serbia”.

    Ramadani shtoi se edhe pse shteti serb është fajtor për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ende nuk është dënuar, ai madje pret që NATO ta ndëshkojë Serbinë edhe me përjashtimin e saj nga partneritetit për paqe.

    Ai tha se mendon që Kosova nuk është në një rrezik lartë të një sulmi ushtarak nga Serbia, por që sipas tij, shteti serb nuk është duke hequr dorë nga tentimit për të destabilizuar Kosovën nga brenda, duke përdorur “mashat” e saja për të krijuar grupe të armatosura dhe të strukturuar paramilitare, për të shkaktuar situat de-stabilizuese të cilat kërkojnë zgjidhje tjera politike nga e cila përfiton vetë Serbia.

    “Është jashtëzakonisht e qartë se Serbia e ka kryer aktin e parë që ka qenë me 24 shtator normalisht se nuk i ka dalur ashtu siç ka planifikuar operacionin. Ajo që mund të pritet është se Serbia nuk ka marr ndëshkimin e merituar unë pres që NATO të vendos veprime të caktuara të cilat e ndëshkojnë Serbinë, duke përfshirë edhe përjashtimin e saj prej partneritetit për paqe. Situata e tashme është që Serbia nuk ka hequr dorë nga kjo formë e veprimit dhe e tentimit për të destabilizuar Kosovën nga brenda. Unë nuk jam prej atyre që mendoj që ka rrezik të lartë të sulmit klasik ushtarak të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

    Ajo tenton që përmes mashave të veta të ndërtoj situat de-stabilizuese në të cilën një zgjidhje tjetër politike do të ishte e domosdoshme për të cilën do të përfitonte Serbia. Serbia po bënë çmos që të ndërtoj grupe të armatosura dhe të strukturave paramilitare, kryesisht me serbët e Kosovës por jo vetëm, në mënyrë që të këtë njëlloj kryengritje e cila do të sponsorizohej drejtpërdrejt nga Serbia”.

    Ai duke komentuar deklaratën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili potencoj se kufiri ndërmjet Kosovës e Serbisë është jashtë kontrollit dhe që është në shërbim të trafikut të armëve e drogës.

    Ramadani tha se është e qartë se në kufi mund të futen lehtë grupe kriminale, duke marr parasysh hyrjen e grupit prej 90 paramilitareve serb me kolona automjetesh, duke përfshirë këtu edhe autoblinda në sulmin e 24 shtatorit.

    Për këtë ai bëri thirrje që Policia e KFOR të shtojnë më shumë patrullimet në atë pjesë si dhe të bashkëpunojnë më shumë ndërmjet veti.

    “Një gjë është e qartë grupi paramilitare prej rreth 90 paramilitarëve ka hyrë në Kosovë me kolon automjetesh duke përfshirë edhe autoblinda dhe kjo është një prej shenjave të qarta dhe shembujve të pastër se si mund të futen grupe të tilla të cilat kanë synime territorial dhe të nxitjes se konflikti brenda Kosovës. Për këtë normalisht institucionet e Kosovës domosdoshmërisht, edhe KFOR do të duhet që të jenë edhe më sy qelë edhe më bashkëpunues ndërmjet veti dhe të vendoset një kontroll i kufirit sepse po bëhet fjalë për një grup që kanë synime konflikte dhe jo vetëm kontrabandimi”, tha ai.

  • Arrestohen dy persona, dyshohet se ndihmuan grabitësit në Suharekë

    Arrestohen dy persona, dyshohet se ndihmuan grabitësit në Suharekë

    Dy persona janë arrestuar sot, pasi të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në rastin e grabitjes së armatosur në argjendarinë ‘Diakos’ në Suharekë, ku si pasojë e konfrontimit mes grabitësve dhe Policisë, ka mbetur i plagosur një zyrtar policor, raporton Gazeta Sinjali.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha për Sinjalin se të arrestuarit dyshohet se janë përfshirë në ndihmë të kryerjes së veprës penale të grabitjes në Suharekë.

    “Të dyshuarit, tanimë të arrestuar janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme”, tha Kelani, teksa shtoi se Policia po vazhdon të kryejë hetime intensive për arrestimin e të gjithë personave të përfshirë në rast.

    Ndërsa Prokurorja e Shtetit, Ervehe Gashi, konfirmoi për Sinjalin se ka udhëruar ndalimin e të dyshuarve.

    “Interesi i hetimit është sa më pak informata aq më mirë, nuk janë grabitësit por ndihmësit. Dy persona janë arrestu. Të dy janë në ndalim. Jemi në identifikim e sipër të të dyshuarve tjerë”, tha shkurtimisht prokurorja Gashi.

    Ndryshe, gjatë ditës së djeshme u gjet vetura e të dyshuarve, e cila ishte braktisur në një bjeshkë.

    Sinjali mëson se automjeti me të cilin ata kanë arritur të arratisen, me targa të vjedhura të rajonit të Prishtinës “01”, që sipas pamjeve duket të jetë e tipit “Chevrolet Cruze” u gjet në një bjeshkë.

    Nga Policia e kanë konfirmuar se të akoma nuk është zbuluar identiteti i të dyshuarve, por hetimet për identifikimin dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre po vazhdojnë.