Policia e Kosovës njofton se sot (e martë) në Kosovë, do të qëndrojë për vizitë kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova.
Sipas njoftimit, Policia e Kosovës gjatë vizitës së saj në Kosovë do të kujdeset për ofrimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit në vendin tonë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) bazuar në itinerarin dhe agjendën si dhe do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në komunikatë.
Ceremonia e ngritjes së flamurit në 111-vjetorin e pavarësisë në Vlorë, ka bërë bashkë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe homologun e tij Albin Kurti.
Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kreu i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte ngritja e flamurit dhe vendosja e kurorave tek busti i Ismail Qemailit.
Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemaili ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.
Komuna e Prishtinës bërë një organizim të veçantë me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, raporton ATV.
Pjesëmarrës në këtë organizim ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Seanca nisi me intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe atij të Kosovës.
Ambasadori Malaj, në një fjalim para asamblistëve, tha se është shumë i lumtur që festen e 28 Nëntorit po e feston së bashku me barshkumbësat e tij, shqiptarët e Kosovës.
Ndërsa kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, në fjalën e tij, tha se i 28 Nëntori është shumë më shumë se një datë, ku sipas tij, është një testament i shumë betejave, shpalljes së Pavarësisë, e festë e lirisë.
Sot gjate ditës, po ashtu do të shpaloset edhe flamuri në sheshin e kryeqytetit e më pas do të ketë edhe performime të grupeve të ndryshme si “Çamëria”, “Labëria”, “Permeti”, etj. /atvlive.tv
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kreu i Kuvendi Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, me rastin e 28 Nëntorit, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast e para e shtetit tha se në këtë ditë po festohen tri festa Dita e Flamurit, ditëlindja e komandantit Adem Jashari dhe dalja për herë në skenë e UÇK-së.
Kjo ditë tha ajo na e kujton çmimin e lartë të lirisë dhe sakrificat që janë bërë ndër shekuj, madje tha se kjo ditë duhet të jetë ditë reflektimi për atë që kanë bërë të gjithë heronjtë.
Osmani pohoi se nderimi për Familjen Jashari do të jetë i vazhdueshme duke shtuar se për këtë familje respekti duhet të jetë i jashtëzakonshëm.
“Sot e fillojmë këtë ditë historike duke e nderuar një familje si familja është familja Jashari duke e shënuar ditëlindjen e heroit dhe daljen e UÇK-së. Kjo ditë na kujton çmimin e lirisë, çmimin e lartë të lirisë dhe sakrificave që janë bërë për shekuj që ne të jemi të lirë”.
“Është moment reflektimi për atë që heronj tanë kanë bërë që nga Skënderbeu e deri te Ismail Qemajli e te komandanti Adem Jashari. Lavdi të gjithë atyre që kanë dhënë për lirinë dhe respekt i jashtëzakonshëm për familjen Jashari”.
Komandanti legjendar Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i bënte 68 vjet.
Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.
Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.
Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.
Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore. Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.
Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani.
Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.
Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.
Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme.
Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.
Me vendim të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.
Me rastin e 28 nëntorit, 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, bën homazhe tek Kompeksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ky aktivitet i të parës së shtetit të Kosovës mbahet nga ora 08:30.
Ajo do të bëjë homazhe edhe në fshatin Boletin, tek varri i heroit Isa Boletini.
Këshilli i sigurisë kombëtare së shpejti pritet të bëhet me drejtor.
Qeveria ka bërë gati projektligjin e ri që tashmë ndodhet në konsultime publike, i cili parasheh staf të shtuar.
Drejtori i këshillit do të mbikëqyrë funksionimin e njësive mbështetëse dhe të vlerësojë çështjet e sigurisë, që më pas ato i raporton te kryeministri apo presidentja.
Këto ndryshme janë bërë me qëllim të forcimit të këtij institucioni, sipas njërit nga themeluesit e tij.
“Ky institucion është shumë i rëndësishëm për të reaguar me kohë, në sfidat me të cilat përballet vendi për faktin se në strukturën e saj ka institucione që monitorojnë gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe jo vetëm, dhe në të njëjtën kohë jep raporte të përditësuara, të cilat mundësojnë marrjen e vendimeve me kohë në raport me rreziqet me të cilat përballet Kosova”, tha Bejtush Gashi, profesor/ish-ministër i Punëve të Brendshme.
Projektligji i ri parasheh edhe komisionet që monitorojnë punën e këshillit, e që përveç atyre të përhershme, mund të themelohen edhe të reja varësisht nga rasti.
Ani pse këshilli do të ketë drejtor, mbledhjet mund të thirren vetëm nga Kryeministri dhe Presidentja.
Me projektligjin e ri nga përbërja e këshillit është larguar një nga ministrat e komuniteteve që sipas ish-themeluesit, Bejtush Gashi, paraqiste telashe në vendimmarrje.
“Ne kemi pasur edhe pse nuk ka qenë e domosdoshme por me presion ndërkombëtar, anëtar i këshillit të jetë edhe një ministër nga komunitetet dhe me projektligjin e ri ky defekt është eliminuar për faktin se nuk ekziston kudo një ligj i tillë, për faktin se ai ka ardhur si rezultat i presionit pastaj ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin e vendimmarrjes dhe zhvillimeve të tjera brenda kompetencave të këtij këshilli”, tha Gashi.
Këshilli mund të mblidhet në takime të rregullta së paku 2 herë brenda vitit, me raste edhe takime të tjera varësisht nga vlerësimi i situatës së sigurisë.
Edhe pse Kosova është nën masa ndëshkuese tash e pesë muaj, Qeveria shpreson që në samitin e radhës të Këshillit Evropian, në Dhjetor, të marrë mbështetje për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke e vlerësuar se Kosova i përmbush të gjitha kriteret, në Qeveri thanë se mos-dhënia e statusit shtet kandidat, edhe gati një vit pas aplikimit, është padrejtësi.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me BE-në dhe shtetet anëtare, duke kërkuar që të trajtohet aplikimi për anëtarësim i Kosovës, i dhjetorit të vitit të kaluar. Ne mirëpresim hapa tutje nga Bashkimi Evropian në këtë drejtim… Statusi i kandidatit për Kosovën nuk do të thotë njohje dhe nuk kërkon njohje nga të gjitha vendet anëtare, prandaj edhe nuk ka arsye apo pengesë për dhënien e statusit të kandidatit”, thanë nga zyra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Liderë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare, kanë përsëritur se procesi i integrimit të Kosovës është i lidhur kryekëput me përparimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Krahas vlerësimit se mos-dhënia e statusit vend kandidat është e padrejtë, ish-ministri për Punë të Jashtme, deputeti Enver Hoxhaj, tha përveç BE-së me gjysmën e saj, gjysmën e përgjegjësisë e ka Qeveria, e cila, sipas tij, e ka reduktuar politikën e jashtme në dialogun me Serbinë.
“Të gjitha hapat e gabuar që i ka ndjekur në dy vjetët e fundit kanë prodhuar një situatë që Kosova është në sanksione dhe askujt në BE nuk i bie ndërmend ta trajtojë aplikimin tonë, para një viti, për ta marrë statusin e kandidatit. Dhe jam i sigurt, sa të jetë Albin Kurti në Qeveri, Kosova nuk lëvizë në agjendën e integrimit euro-atlantik”, tha Hoxhaj.
Ndryshe nga Këshilli i Evropës, ku Kosova tashmë ka kaluar fazën e parë, nuk ka përparim konkret lidhur me Partneritetin për Paqe, që është mekanizëm i para-anëtarësimit në NATO.
“Në vitin e ardhshëm do të përgatitemi, natyrisht, që sa më shumë të integrohemi në mekanizma ndërkombëtarë, e një synim të veçantë e kemi partneritetin për paqe”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti.
Pavarësisht përmbushjes së kritereve, Hoxhaj vlerëson se vullneti politik i partnerëve ndërkombëtarë është vendimtar për proceset anëtarësuese.
“Qasja e kryeministrit që t’i thotë po statutit të Asociacionit të komunave, pa e ditur opinioni publik, pa e ditë unë si deputet i Kuvendit të Kosovës, çka përmban ky draft-statut i Asociacionit, pa transparencë. Por, edhe në të njëjtën kohë të mos e zbatojë dhe të njëjtën kohë t’i qetë në lajthitje partnerët tanë, tregon që ata nuk e marrin seriozisht z. Kurti dhe kur partnerët nuk të marrin seriozisht, natyrisht se nuk ke mbështetje”, tha Hoxhaj.
Në Maj të vitit të kaluar, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në Dhjetor për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, ndërkaq ende nuk ka aplikuar për Partneritetin për Paqe.