ATV

Tag: Ballina

  • Apeli ul dënimin në 22 vjet burgim për Salih Mustafën

    Apeli ul dënimin në 22 vjet burgim për Salih Mustafën

    Përgatiti: Nora Luta

    Plot dhjetë muaj e kishte në shqyrtim Gjykata e Apelit ankesën e Salih Mustafës ndaj vendimit të shkallës së parë, e cila e dënoi për krime lufte me 26 vjet burgim.

    Të enjten, Apeli gjatë një seance publike në Hagë, ku ishte i pranishëm Mustafa, i njohur me nofkën Cali, publikoi vendimin, duke i ulur dënimin për katër vjet.

    Ankesa e ish-pjesëtarit të UÇK-së, përmbante nëntë pika të ndara në 51 nënpika, prej të cilave paneli i Apelit i rrëzoi tetë, e miratoi pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit.

    “8 vjet burg për pikën 1 për ndalim arbitrar. 20 vjet për burgim për pikën 3, për torturë, dhe së treti 22 për pikën 4 të aktakuzës për vrasjen e paligjshme. Në përputhje me këtë, Paneli duhet të përcaktojë në bazë të rregullës 163 duhet të pasqyrojë një dënim të njësuar. Në lidhje me këtë, paneli gjykon se një dënim i njësuar me 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të Mustafës”, tha gjyqtarja, Mishele Pikar.

    Gjykata tha se mori për bazë politikën ndëshkimore për krimet e luftës në Tribunalin e Hagës dhe të gjykatave të Kosovës.

    “Paneli i Apelit thekson se ka lënë në fuqi verdiktet e fajësisë së z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme, (për të cilat u konstatua se mbante përgjegjësi penale individuale), as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk ishin objekt i këtij procesi gjyqësor dhe nuk mbahen përgjegjës apo fajtorë për këto krime”, tha Pikar.

    Ndërkohë, Mustafa kishte kundërshtuar cilësimin e trupit gjykues se konflikti në Kosovë gjatë periudhës së aktakuzës ishte konflikt i armatosur jondërkombëtar.

    Ish-komandanti i UÇK-së, gjithashtu, kishte pretenduar se trupi gjykues nuk i vlerësoi në mënyrë të drejtë dhe të paanshme dëshmitë e dëshmitarëve, por për këto dhe kundërshtimet e tjera Apeli konstatoi se gjykata e shkallës së parë veproi drejt.

    Ky është aktgjykimi i parë i Apelit i Dhomave të Specializuara.

    Mustafa ishte dënuar me 26 vjet burgim nga shkalla e parë për vrasje, torturë dhe ndalim arbitrar, ndërsa i pafajshëm ishte shpallur për akuzën për trajtim mizor.

    Sipas aktakuzës, në prilli të 1999-s Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së keqtrajtuan të ndaluarit në kompleksin e ndalimit në Zllash.

    Mustafa ishte arrestuar dhe transferuar në Hagë në 24 shtator të vitit 2020, ndërsa një vit pas nisi procesi gjyqësor, gjatë të cilit dëshmuan 29 dëshmitarë dhe pjesëmarrës ishin tetë viktima.

    Apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë rreth kompensimit të viktimave në vlerë prej 207 mijë eurosh, pasi as Mustafa nuk e kishte apeluar.

  • Sonte seancë e jashtëzakonshme, ky është rendi i ditës me 11 pika

    Sonte seancë e jashtëzakonshme, ky është rendi i ditës me 11 pika

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë sonte seancë të jashtëzakonshme, duke filluar nga ora 18:00.

    Sipas njoftimit, në rend dite janë 11 projektligje që do të shqyrtohen nga deputetët.

    Në mesin e pikave, është edhe shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2024, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për kadastër të pronës së paluajtshme dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Agjencinë e Regjistrimit Civil.

    • Rendi i ditës
    1. Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2024,
    2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore,
    3. Shqyrtimi i dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,
    4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-255 për shërbime sociale dhe familjare,
    5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative,
    6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-227 për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh,
    7. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme,
    8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,
    9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-250 për ndryshime klimatike,
    10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-244 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-043 për lirinë e asociimit në organizata joqeveritare,
    11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.
  • Nesër seancë plenare, Presidentja Osmani flet para deputetëve

    Nesër seancë plenare, Presidentja Osmani flet para deputetëve

    Nesër Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare me fillim prej orës 11:00.

    Në rend të ditës do të jetë adresimi i presidentes Osmani para deputetëve të kuvendit ku do të diskutohen disa pika të ditës.

    “Adresimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu, deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Seanca tjetër do të jetë vazhdim i një seance tjetër, që do të nisë në orën 14:30.

    Rendi i ditës

    I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 3 dhe 9 nëntor 2023:

    1. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme,
    2. Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje,
    3. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
    4. II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 dhe 30 nëntor 2023:
    1. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
    2. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,
    3. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,
    4. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,
    5. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    6. Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
    7. Votimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës,
    8. Shqyrtimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
    9. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
    10. Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës,
    11. Emërimi i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës,
    12. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,
    13. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 30 nëntor 2023:
    14. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    15. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    16. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
    17. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
    18. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
    19. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-238 për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës,
    20. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-245 për Artin dhe Kulturën,
    21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-261 për mbrojtje nga zjarri,
    22. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Bankës Qendror të Republikës së Kosovës, për vitin 2022.
  • Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës i bëjnë thirrje Qeverisë: Angazhohuni në normalizim, ky është çelësi

    Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës i bëjnë thirrje Qeverisë: Angazhohuni në normalizim, ky është çelësi

    Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, sot në Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës të mbajtuar në Kolegjin AAB, tha se Kosova duhet të dëgjojë këshillat e partnerëve. Sipas tij, Kosova duhet të kryejë detyrat e shtëpisë dhe të ecet përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    Këto komenete ai i bëri në tyezën e organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës për 15 vjetët e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtete të ndryshme.

    “Partneriteti ynë është unik, i ngushtë dhe ne jemi një nga partnerët më besnikë do të thosha, por jemi edhe një partner që ndonjëherë dëshiron të dëgjohet. Dhe mendoj se kjo është edhe në këndvështrimin tim kur shoh marrëdhëniet mes Kosovës edhe Gjermanisë, përdore partnerin tënd më të afërt, ke besim tek ai, duhet të kesh vetëbesim, dhe kur shoh, nga pikëpamja gjermane, jo vetëm Kosova por edhe vendet e tjera e përdorin shumë shpesh këtë rolin viktimë që mendoj se viktima nuk është kurrë një rol largpamës”.

    “Ju duhet të jeni të sigurt në vetvete, gjithashtu të sigurt në vetvete në kuptimin që duhet të shpenzoni kapitalin tuaj politik me mençuri, dhe me mençuri do të thotë, e dini, Kosova është gjithashtu në një pozitë unike dhe Gjermania dhe Franca u përpoqën ta mbështesin këtë proces për të hyrë në strukturat euroatlantike konkretisht që do të thotë të bëhesh anëtar i Këshillit të Evropës në këtë moment dhe për t’u bërë anëtar duhet të bësh disa gjëra. Dhe publikisht dhe privatisht po i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të bëjë disa gjëra, ndonjëherë dëgjojnë ndonjëherë jo, qoftë kjo qeveri apo qeveritë e mëparshme. E kam fjalën si partnerë dypalësh, ne lëshojmë deklarata për vendime të caktuara të Gjykatës Kushtetuese, të cilat mendoj se duhen dëgjuar nëse dëshiron të bëhesh anëtar, duhet të bësh detyrat e shtëpisë”.

    Kritik u shpreh edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot, i cili tha se çelësi është normalizimi.

    Ai kërkoi që Kosova të angazhohet në normalizim, pasi ky është çelësi.

    “Ju duhet të ngriheni në këmbë, të lini vendin tuaj të shkoni në pistën e vallëzimit dhe të sinjalizoni se dëshironi të kërceni. Dhe kjo është ajo që po na mungon nga Kosova tani. Pra, bëni gjërat dhe të gjithë e dini se çfarë është, ose kolegët e dinë saktësisht se çfarë pritet. Bëhet fjalë për asociacionin, depërshkallëzimin, ka gjëra që priten por në një çështje më të përgjithshme tregohet se ju intereson normalizimi, sepse ky është çelësi. Dhe ky është çelësi, një nga çelësat ose shume çelësat për të bindur jo vetëm ne, por edhe pesë shtetet mos njohëse të BE-së. Shkoni dhe kërceni”.

    Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, tha se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian.

    “…e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe në organizatat euroatlantike, NATO, Këshillin e Evropës, e kështu me radhë. Ne kurrë nuk biem dakord për mënyrën e duhur për ta bërë atë, por jemi dakord që qëllimi përfundimtar është padyshim aty. Pra, mbështetja bilaterale e Belgjikës, por edhe e vendeve të tjera në realizimin e këtij vullneti ka qenë e domosdoshme që nga ekzistenca e Kosovës si shtet”.

    Ish-ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, tha se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet ruajtur mirë.

    “Kosova gjithmonë mund të dërgojë mesazhe të qarta, duke përfshirë një marrëdhënie më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara që do të prodhonte një partneritet edhe më të dobishëm për shtetin e Kosovës. Si ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Uashington, unë personalisht i jam mirënjohës shtetit dhe popullit amerikan dhe ndihem krenar që munda të bëj një ndryshim në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit të plotë midis dy vendeve gjatë”.

  • “Mobilizim” i serbëve nga Kosova në mbështetje të Vuçiqit

    “Mobilizim” i serbëve nga Kosova në mbështetje të Vuçiqit

    “A mund të llogaris në mbështetjen tuaj për presidentin [Aleksandar] Vuçiq?”… “Mbështetje duhet t’i jepet presidentit [Aleksandar Vuçiq]”…

    Fjali të tilla, punonjësit e institucioneve serbe në Kosovë dëgjojnë, ditëve të fundit, nga eprorët e tyre.

    Këtë e konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë disa burime në institucione të ndryshme, që funksionojnë në sistemin serb në komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, por ato nuk duan të flasin publikisht.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po bën fushatë aktive për Partinë Përparimtare Serbe nën sloganin “Serbia nuk duhet të ndalet”.

    Në Serbi, më 17 dhjetor, mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale, por serbët nga Kosova do të mund të votojnë vetëm në zgjedhjet për Kuvendin e Serbisë.

    Zgjedhjet lokale në Kosovë, të organizuara nga Serbia, nuk janë mbajtur që nga viti 2012, kur Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ka refuzuar t’i zhvillojë ato.

    Megjithatë, komunat sipas sistemit serb nuk janë shfuqizuar dhe Qeveria e Serbisë, rregullisht, i emëron kryetarët e të ashtuquajturave autoritete të përkohshme komunale.

    Këto organe “janë angazhuar” sidomos tash para zgjedhjeve serbe, për t’i ofruar “mbështetje” Vuçiqit, përkatësisht Partisë Përparimtare Serbe, thonë burime të REL-it nga komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Thuhet se dhjetëra punëtorë janë punësuar pa konkurs në institucionet e Serbisë.

    Disa burime, po ashtu, thonë se persona me banim në Serbi, që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, janë udhëzuar që t’u lajmërohen autoriteteve të përkohshme, në mënyrë që t’u “mundësohet” që të votojnë së bashku me të tjerët që kanë vendbanim në Kosovë.

    Nga “thirrni më vonë” deri te mbyllja e telefonit

    Radio Evropa e Lirë u përpoq t’i verifikonte këto pretendime me kryetarët e disa autoriteteve të përkohshme, por pa sukses.

    Kryetari i autoritetit të përkohshëm në Mitrovicën e Veriut, Ivan Zaporozhac, nuk ishte i qasshëm në numrin e telefonit dhe nuk iu përgjigj mesazhit që iu dërgua përmes aplikacionit Viber.

    Kryetari i autoritetit të përkohshëm në Leposaviq, Zoran Todiq, tha se është i zënë dhe “thirrni më vonë”, por më vonë nuk ishte i qasshëm.

    Novak Zhiviq, kryetar i autoritetit të përkohshëm në Prishtinë, pasi e dëgjoi pyetjen, e mbylli telefonin dhe nuk u përgjigj më.

    Në krye të autoriteteve të përkohshme janë zyrtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – e cila u themelua me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe të Vuçiqit.

    Për këtë temë, Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, por ajo nuk u përgjigj.

    Disa banorë të Leposaviqit, në anën tjetër, shpërndanë një fotografi në rrjetet sociale, ku shihet një grup njerëzish që presin në radhë para objekteve të Partisë Përparimtare Serbe në atë komunë.

    Arsyeja dyshohet se ishte “ndarja e vendeve të punës”. REL-i, megjithatë, nuk arriti të përcaktojë nëse fotografia është autentike.

    Për “ndarjen e vendeve të punës” thotë se ka njohuri edhe politikani Nenad Radosavleviq, i cili aktualisht merr pjesë edhe në punët e Komunës së Leposaviqit në sistemin e Kosovës.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Radosavleviq thotë se serbët nga Kosova, viteve të fundit, “kanë ngecur si komb” dhe vetëm përpiqen “të kapen për buxhetin shtetëror [të Serbisë]”.

    “Njerëzit, thjesht, zgjedhin të mos bëjnë më asgjë, të marrin disa para që nuk janë asgjë, por ata e zgjedhin atë mënyrë jetese”, thotë ai.

    Radosavleviq shton se politikanët nga Lista Serbe, “duke i joshur qytetarët” para zgjedhjeve të 17 dhjetorit, përpiqen ta ruajnë pushtetin në Kosovë përmes fitores së Partisë Përparimtare Serbe në Serbi.

    Në këtë kontekst, ai thotë se njerëzit në veri, ditëve të fundit, kanë fituar vende pune pa kurrfarë konkursi.

    “E kanë shkatërruar sistemin e një vendi”, thotë Radosavleviq.

    Pagat për punëtorët në institucionet serbe në Kosovë paguhen nga buxheti i Qeverisë së Serbisë.

    Në fund të tetorit, REL-i raportoi se Qeveria e Serbisë planifikon t’i ndajë rreth 11 milionë euro më shumë për Kosovën në buxhetin e vitit 2024, krahasuar me këtë vit.

    “Mos harroni se kush ju dha të gjitha këto”

    Më 7 dhjetor, shefi i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Ellek, ndau publikisht mbi 200 kontrata me afat të pacaktuar, përkatësisht mbi 200 punëtorë u futën në marrëdhënie të përhershme pune.

    Ellek u zgjodh kryetar i Listës Serbe në fund të tetorit. Atëkohë, ai tha se kjo parti do të jetë “qendër rreth së cilës do të mblidhet populli serb në Kosovë dhe Metohi”.

    Gjatë dhënies së kontratave për punonjësit e Qendrës Klinike Spitalore, ai e shfrytëzoi rastin për të “shfaqur shpresën” se serbët nga Kosova “nuk do të lejojnë që Serbia të ndalet” më 17 dhjetor.

    “Ju jeni e ardhmja që mbetet këtu falë presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Zyrës për Kosovë e Metohi. Unë, sinqerisht, shpresoj dhe besoj se më 17 dhjetor do të jemi të bashkuar, siç ishim në kohën e pandemisë COVID-19, dhe se nuk do ta lejojmë Serbinë të ndalet”, tha Ellek.

    Me ton të ngjashëm, punëtorëve që morën kontrata, iu drejtua edhe zëvendësshefi i spitalit, Dragisha Milloviq, i cili është edhe zyrtar i Listës Serbe.

    “Gjithmonë duhet ta keni parasysh se kush ju dha të gjitha këto… Unë do të them se këto, në radhë të parë, janë falë Qeverisë sonë [të Serbisë], Ministrisë së Shëndetësisë, Zyrës për Kosovë dhe Metohi. Do ta përmend Aleksandar Vuçiqin – figurën më të rëndësishme sot në skenën politike të Serbisë”, tha Milloviq.

    Takimi i serbëve dhe Petkoviqit

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, zhvilloi në fund të muajit nëntor në Rashkë një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

    Në atë takim, siç u raportua, u bisedua se si t’iu mundësohet votimi në zgjedhjet parlamentare në Serbi, më 17 dhjetor. Përfaqësuesit e serbëve thanë se “është e rëndësishme që t’i mundësohet popullit serb ta shfrytëzojë të drejtën e votës”.

    Hapja e vendvotimeve në territorin e Kosovës nuk u lejua nga Qeveria e Kosovës, e cila për një gjë të tillë tha se duhet kërkesë e drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar, e jo të ndërmjetësohet nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë.

    Më pas, Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë vendosi që, më 17 dhjetor, serbët nga Kosova mund ta ushtrojnë të drejtën e votës në qytetet kufitare të Serbisë: Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

    Ata votuan në të njëjtën mënyrë edhe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, më 3 prill, 2022.

    Presidenti serb, Vuçiq, tha më 1 dhjetor se zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit “nuk do të mbahen në zonat serbe në Kosovë, sepse [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti këmbëngul ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës, si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve”.

    Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i organizoi për komunitetin serb në Kosovë, ishin më 21 qershor, 2020. Ato u mbajtën sipas praktikës së mëparshme, në bazë të së cilës misioni i OSBE-së në Kosovë i mblidhte votat. Më pas, votat numëroheshin në Rashkë dhe Vranjë. /REL

  • Serbia shpreh rezerva në Bruksel për obligimet nga Marrëveshja e Ohrit

    Serbia shpreh rezerva në Bruksel për obligimet nga Marrëveshja e Ohrit

    Ndonëse pas takimit të së mërkurës mbrëma të liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor është thënë se të gjitha vendet e rajonit janë pajtuar për deklaratën e miratuar në samit, mësohet se Serbia ka shprehur rezerva në pjesën e cila ka të bëjë me obligimet për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë (Marrëveshja e Ohrit).

    Burimet e BE-së kanë konfirmuar se kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në samit “ka shprehur qëndrimin nacional”, por ka përsëritur se “Serbia e ka mbështetur deklaratën”.

    Në dokumentin me qëndrimin e Serbisë, që e ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se ajo “në përgjithësi, me rezerva, përshtatet me deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor si një deklaratë politike dhe dokument joobligues ligjor”.

    Më tej bëhet e qartë se kjo ka të bëjë me pjesën e obligimeve për zbatimin e Marrëveshjes me Kosovën.

    “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç i referohet në këtë deklaratë, konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin de facto apo de jure njohjen e Kosovës”, thuhet në dokumentin ku Serbia ka shprehur qëndrimin e saj.

    “Republika e Serbisë nënvizon se kjo përshtatje nuk përfshin pranimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, në sistemin e organizatave të OKB-së dhe agjencive, e as të ashtuquajturin integritetin territorial të Kosovës”, thuhet më tej ku shtohet se kjo deklaratë konsiderohet si ligjërisht jo obliguese dhe nuk e ka as peshën e marrëveshjes ndërkombëtare sipas së drejtës ndërkombëtare.

    Tutje, Serbia shprehet se “Kosova është pjesë integrale e Republikës së Serbisë nën administrim ndërkombëtar në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të sigurimit të OKB-së”.

    Ky qëndrim i Serbisë e vë në dyshim edhe pranimin nga ana e saj të obligimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit për zbatimin e saj, pasi në to përfshihet edhe moskundërshtimi për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe respektimi i integritetit territorial.

    Në Deklaratën e miratuar të mërkurën mbrëma në Bruksel nga liderët e BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta zbatojnë pa parakushte dhe në tërësi këtë marrëveshje.

    “U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin e zbatimit të tij, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet më tej në pjesën që u kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh.

    Pajtueshmëria për aneksin e zbatimit është rritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars. /rel

  • Apeli e ulë dënimin në 22 vjet burgim ndaj Salih Mustafës

    Apeli e ulë dënimin në 22 vjet burgim ndaj Salih Mustafës

    Gjykata e Apelit e Gjykatës Speciale ia ulë Salih Mustafës dënimin në 22 vjet burgim, raporton ATV.

    Apeli ka shqiptuar aktgjykimin ndaj Mustafës, i dënuar për krime lufte nga shkalla e parë me 26 vjet burgim. Mustafës do ti llogariet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Por Apeli ka refuzuar ankesën rreth pretendimit për gabim juridik lidhur me cilësimin e konflitikit të armatosur në Kosovë.

    Paneli ka trajtuar edhe alibinë e Mustafës dhe pretendimin se trupi gjykues nuk e mori parasysh, porse sipas Apelit trupi gjykues nuk gaboi në konstatimet faktike lidhur me albinë se Mustafa
    nuk ishte prezent në Zllash gjatë kohës kur u kryen krimet sipas aktakuzës së ZPS.

    Ky është aktgjykimi i parë i Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. /atvlive.tv

  • Këto janë dokumentet që ju nevojiten për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen

    Këto janë dokumentet që ju nevojiten për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen

    Faqja zyrtare “Integrimi Evropian”, që ka për qëllim ofrimin e informatave për rrugën e Kosovës drejt Integrimit Evropian, ka njoftuar për dokumentet që nevojiten për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen. Kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza nga 1 janari i vitit 2024.

    Sipas këtij njoftimi, dokumentet që nevojiten janë: Pasaportë biometrike, e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së largimit nga zona Shengen.

    -Informata të sakta mbi vendin dhe qëllimin e udhëtimit

    -Dëshmi mbi qëndrimin si rezervim i hotelit/apartmenit apo kontaktet e të afërmve ku do të qëndroni,

    -Detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese.

    -Nëse udhëtoni me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës, përfshirë kartonin e gjelbërt, si dhe

    -Dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare.

    Në një postim më herët, kjo faqe ka njoftuar edhe për mjetet financiare që nevojitet.

    “Nëse deklaroni se do të qëndroni tek të afërmit tuaj duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve është rreth 30 – 50 EUR në ditë për person. Nëse deklaroni se do të qëndroni në një hotel apo apartment apo çfardo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve që duhet të ofroni si dëshmi financiare është rreth 50 – 100 EUR në ditë për person.”.

  • O’Brien: Presim që qeveria e re serbe t’i përmbahet marrëveshjes me Kosovën

    O’Brien: Presim që qeveria e re serbe t’i përmbahet marrëveshjes me Kosovën

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga qeveria e ardhshme e Serbisë, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe rrugën drejt integrimit evropian, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

    “Populli serb do të votojë si të dojë. Ne presim që qeveria t’i përmbahet marrëveshjes që ka bërë në lidhje me Kosovën”, tha O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës, shkruan REL.

    Ai tha se në muajt e fundit është shënuar progres për çështjen e Kosovës, duke shtuar se “disa nga çështjet kryesore kontestuese kanë filluar të zgjidhen, si ajo e targave, doganave…”.

    Zyrtari amerikan tha se duhet bërë progres i mëtejshëm dhe vuri në dukje se e ardhmja e Ballkanit qëndron në tregun e përbashkët evropian dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

    “Për t’u bashkuar me të vërtetë në tregun e përbashkët evropian, të dyja palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, të njohin kufijtë dhe të pajtohen për bashkëpunim. Ne presim që ata të punojnë përsëri – duke filluar me angazhimet që ata tashmë i kanë bërë”, tha O’Brien.

    Derisa ka folur për vazhdimin e negociatave për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, O’Brien tha se ShBA-ja pret ulje të tensioneve në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

    “Është një zonë ku forcat e KFOR-it, NATO-s janë forcuar. Dhe, misioni evropian, EULEX, gjithashtu ka qenë shumë aktiv kohën e fundit. Prandaj, asnjëra palë nuk ka arsye të shkaktojë tensione atje dhe ajo zonë duhet të qëndrojë e qetë”, tha ai.

    Gjendja në veriun e Kosovës, vendi i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar prej fillimit të këtij viti, kur serbët lokalë i kundërshtuan kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill.

    Më 24 shtator, gjendja u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.

    Kthimi i serbëve në institucionet publike është një nga hapat që O’Brein përmendi për uljen e tensioneve.

    “Qytetarët serbë të Kosovës që jetojnë në atë rajon duhet të mirëpriten përsëri në institucionet publike dhe kjo do të zvogëlojë tensionet. Dhe, pastaj, sinqerisht, të dyja palët kanë një punë të madhe për të bërë, për t’u siguruar që të vazhdojnë rrugën e normalizimit për të cilën u pajtuan në mars, në Ohër. Kështu që ka punë për t’u bërë”, tha ai.

    O’Brien tha gjithashtu se ShBA do të vazhdojë të theksojë se sa e rëndësishme është “përfundimi i kësaj pune në muajt e ardhshëm”.

    “Ekonomitë e tyre tashmë janë të lidhura me Bashkimin Evropian dhe tani ata duhet të zbatojnë reforma dhe të angazhohen për të qenë pjesë e atij komuniteti. Dhe derisa e bëjnë këtë, unë mendoj se tensionet do të ulen dhe ata do të kenë një marrëdhënie më të madhe”, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

  • Osmani takohet me kryeministren e Italisë, tregon çka biseduan

    Osmani takohet me kryeministren e Italisë, tregon çka biseduan

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka takuar kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.

    Osmani ka thënë se në këtë takim ka potencuar rolin e rëndësishëm të Italisë në përkrahjen e Kosovës në të gjitha etapat.

    “Llogarisim në lidershipin e Kryeministres Meloni në avancimin e rrugës së shtetit tonë drejt integrimit evropian”, ka shkruar ndër të tjera Osmani.