ATV

Tag: Ballina

  • BE-ja i përgjigjet Serbisë: Marrëveshja dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht obliguese

    BE-ja i përgjigjet Serbisë: Marrëveshja dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht obliguese

    Një dokument i hartuar nga Serbia, përmes së cilit ajo është shprehur se nuk e ka ndërmend të zbatojë pjesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, dhe aneksin e zbatimit të saj, ka shkaktuar shqetësim në qarqet diplomatike të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

    Por, BE-ja, në reagim ndaj pyetjeve të mediave, është shprehur se Marrëveshja në tërësi mbetet ligjërisht obliguese, dhe se palët ishin pajtuar për këtë në Ohër.

    Këtë e ka thënë të premten zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano.

    “Bashkimi Evropian përsërit se marrëveshja është ligjërisht obliguese, në tërësi, për të dyja palët: Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugëtimit përkatës evropian”, ka thënë Stano.

    Sipas tij, Marrëveshja dhe aneksi për zbatim “janë bërë ligjërisht obliguese përmes komunikatës me shkrim të përfaqësuesit të lartë të BE-së [Josep Borrell], më 18 mars 2023”.

    “Ky ka qenë qëndrim i vazhdueshëm i BE-së, i cili ka qenë i komunikuar publikisht në disa raste”, ka thënë Stano.

    Burimet e BE-së kanë sqaruar se vlerësimet për natyrën obliguese të marrëveshjes janë në përputhje me nenin 11 të Konventës së Vjenës për ligjin rreth traktateve, i cili thotë se “pajtimi i një shteti që të obligohet me një marrëveshje mund të shprehet me nënshkrim, shkëmbim të instrumenteve që përbëjnë marrëveshje, ratifikim, pranim, miratim apo me çfarëdo mjeti tjetër, nëse ashtu pajtohen”.

    Të njëjtat burime kanë thënë se palëve në Ohër u ishte sqaruar hollësisht kjo mënyrë e dhënies së pëlqimit, dhe të dyja palët janë pajtuan dhe nuk kanë kundërshtuar, në praninë e përfaqësuesit të lartë, Borrell, dhe të dërguarit për dialog, Mirosllav Lajçak.

    Përfaqësuesit e BE-së kanë thënë se kishin propozuar disa rrugë tjera për të shprehur pëlqimin e palëve për marrëveshje, por ato ishin refuzuar dhe vazhdojnë të refuzohen nga të dyja palët.

    Në qëndrimin e Serbisë, përmes së cilës Beogradi ka shprehur rezerva për Deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor, që e ka parë Radio Evropa e lirë, thuhet se ajo, “në përgjithësi, me rezerva, përshtatet me Deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor” si një deklarate politike dhe dokument jo obligues ligjor.

    Më tej, bëhet e qartë se kjo ka të bëjë me pjesën e obligimeve për zbatimin e Marrëveshjes me Kosovën.

    “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç u referohen në këtë deklaratë, konsiderohen të pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin de facto apo de jure njohjen e Kosovës”, thuhet në pozicionin e Serbisë.

    “Republika e Serbisë nënvizon se kjo përshtatje nuk përfshin pranimin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së, e as të ashtuquajturin integritet territorial të Kosovës”, thuhet më tej në letrën e Serbisë, ku deklarata konsiderohet si ligjërisht joobliguese, dhe se nuk e ka peshën e marrëveshjes ndërkombëtare, sipas së drejtës ndërkombëtare.

    Serbia është shprehur, po ashtu, se “Kosova është pjesë integrale e Republikës së Serbisë, nën administrim ndërkombëtar, në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

    Ky qëndrim i Serbisë e vë në dyshim edhe pranimin nga ana e saj të obligimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksit të saj, pasi në to përfshihet edhe moskundërshtimi për anëtarësimin e Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare, dhe respektimi i integritetit territorial të saj.

    Në Deklaratën e miratuar të mërkurën mbrëma në Bruksel nga liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë pa parakushte dhe në tërësi këtë marrëveshje.

    “U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet në pjesën që i kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. /REL

  • Osmani: Kosova s’zmbrapset, nuk thyhet dhe do t’i mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht

    Osmani: Kosova s’zmbrapset, nuk thyhet dhe do t’i mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht

    Presidentja Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka folur për sulmin terrorist dhe agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, duke e cilësuar një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, raporton Ekonomia Online.

    “Ky sulm, i cili është në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të ‘Botës serbe’. Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizim të Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar”, ka theksuar Persidentja Osmani.

    Sipas saj, në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjakun, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Republikës sonë.

    “Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, ka thënë në ekspozenë e saj presidentja Osmani.

    Presidentja Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se në raport me agresionin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës së mbrojtjes së shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica.

    “Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake e ideologjike, por duhet të ketë unitet, pa dallim. Rreshtimi i vetëm që na duhet është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran”, ka potencuar Osmani.

    Ajo ka falënderuar përfaqësuesit e opozitës që në këtë çështje treguan përkrahjen për institucionet e Kosovës e në veçanti për institucionet e sigurisë, të cilat vazhdojnë të jenë mbrojtësit e Republikës, raporton EO.

    “Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë”, është shprehur Osmani.

  • Haxhi Shala deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë në Hagë

    Haxhi Shala deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë në Hagë

    Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala është deklaruar i pafajshëm për pikat me të cilat e akuzon prokuroria në Hagë.

    Shala e ka bërë deklarimin e tij të premten në konferencën e parë mbi ecurinë e çështjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.

    Prokuroria në Hagë e ngarkon Shalën me aktakuzë me tri pika: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.

    “Plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Shala kur është pyetur se si deklarohet lidhur me tri akuzat.

    Aktakuza kundër Haxhi Shalës u konfirmua më 4 dhjetor 2023 nga gjykatësi i procedurës paraprake. Ai u arrestua më 11 dhjetor, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

    Për çfarë dhe cilën periudhë akuzohet Haxhi Shala?

    Shala akuzohet për tentim pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim pengimi të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale, tha të mërkurën në seancë gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

    Sipas aktakuzës, në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin (të dy të akuzuar nga Specialja), kontaktuan një dëshmitar.

    Aktakuza thotë se ata, veçmas, takuan dëshmitarin, në dy raste, “për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.

    Kjo sjellje tregon se Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare, thuhet në aktakuzë.

    Si do të zhvillohet procesi?

    Në muajin tetor, janë arrestuar dhe transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, të cilët, sipas Speciales akuzohen për “frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”.

    Prokuroria ka propozuar, më 13 dhjetor, që çështja Januzi dhe Bahtijari të bashkohet me çështjen Shala në një gjykim të vetëm.

    Lidhur me këtë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) pritet të dorëzojë parashtrimin për një aktakuzë të përbashkët deri më 12 janar të vitit 2024, datë kjo që u bë e ditur nga urdhri i gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, të premten.

    Kësaj kërkese, mbrojtja do të mund t’i përgjigjet jo më vonë se 19 janari, ndërkaq kundërpërgjigja e prokurorisë mund të bëhet deri më 26 janar.

    Në konferencën mbi ecurinë e çështjes në rastin kundër Haxhi Shalës, u tha se afati i prokurorisë për nxjerrjen e materialeve është 26 janari, muaj ky që pritet të shënojë përfundimin e hetimeve të prokurorisë në këtë çështje.

    Sipas prokurorisë, materialet do të dorëzohen për të dy lëndët “me shpresën që nga 26 janari të mund të bashkohen çështjet në një të vetme”.

    Para gjykatësit të procedurës paraprake, prokuroria bëri të ditur se lloji i provave që synojnë të përdorin përfshinë materiale të dokumentuara, të dhëna nga lidhjet telefonike, transkripto nga deklarata të ndryshme dhe dëshmitarë.

    Ndërkaq mbrojtja tha se gjatë arrestimit, Shalës i janë dhënë pak informacione lidhur me krimet për të cilat akuzohet.

    Si rrjedhojë, mbrojtja deklaroi se ka nevojë të shqyrtojë materialet dhe theksoi nevojën që prokuroria t’i dorëzojë të gjitha materialet e nevojshme në një kohë të përshpejtuar.

    Rastet tjera në këtë gjykatë

    Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

    Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

    Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi ish-pjesëtarëve të UÇK-së, njëherësh ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.

    Ndaras, në një proces tjetër gjyqësor gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala.

    Ai akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa njerëz dhe njëri prej tyre është vrarë.

    Vetë Shala ka thënë se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

    Më 14 dhjetor Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka ulur për katër vjet dënimin ndaj ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Një vit më parë, Mustafa ishte është dënuar në shkallë të parë më 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

    Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

    Së fundi ata janë liruar, nën disa kushte.

    Këtë vit, Specialja e ka arrestuar edhe ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengim të drejtësisë. /REL

  • Largohet nga Specialja njëri nga gjykatësit kryesor

    Largohet nga Specialja njëri nga gjykatësit kryesor

    Nikola Giju, gjykatesi i njohur i procedurave paraprake, eshte larguar nga Gjykata Speciale.

    Kete njoftim e ka dhene vet Specialja me ane te nje komunikate per media.

    Arsye e largimit te Giju, eshte fakti se ai eshte zgjedhur gjykates ne Gjykaten Penale Nderkombetare.

    Komunikata e plote:

    Më 5 dhjetor 2023, gjykatësi Nikola Giju i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) u zgjodh gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Gjykatësi Giju u emërua gjykatës në DHSK më 7 shkurt 2017 dhe ka kryer funksionin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake çështjet gjyqësore të z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj, të z. Salih Mustafa, të z. Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarve, të z. Pjetër Shala, si edhe të z. Sabit Januzi dhe z. Ismet Bahtijari. Gjykatësi Giju është caktuar gjithashtu në funksionin e Gjykatësit të Vetëm në çështjen kundër z. Isni Kilaj.

    Kryetarja e DHSK-së, Gjykatëse Ekaterina Trendafilova – e cila gjithashtu ka qenë gjykatëse në GJPN përpara se të emërohej në DHSK – e përgëzoi gjykatësin Giju dhe theksoi se zgjedhja e tij është “pasqyrim i përkushtimit të palëkundur të gjykatësit Giju në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare, që e ka demonstruar tashmë me dedikimin e tij të jashtëzakonshëm në DHSK, si Gjykatës i Procedurës Paraprake ose Gjykatës i Vetëm në të gjitha çështjet gjyqësore që janë aktualisht para kësaj gjykate”.

    Kryetare Trendafilova shtoi se, ndonëse DHSK-ja do të humbasë një gjykatës dhe koleg të çmuar kur gjykatësi Giju të fillojë punën si gjykatës në GJPN, kjo nuk do të ketë ndikim në çështjet gjyqësore para DHSK-së, të cilat do të vazhdojnë të zhvillohen pa ndërprerje.

  • Mbi 4.000 regjistrime: Sot përfundon afati për targat

    Mbi 4.000 regjistrime: Sot përfundon afati për targat

    Nga 16 dhjetori, qytetarët të cilët nuk i kanë regjistruar veturat në RKS-Republika e Kosovës, nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës me veturat që mbajnë targat me akronime serbe e që shteti i konsideron ilegale.

    Dita e sotme shënon ditën e fundit që të gjithë pronarët me targa si KM, PR, PZ, DE, UR e të tjera t’i kthejnë ato në targa të Republikës së Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Nora Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

    “Pas përfundimit të këtij afati, pra pas datës 15 dhjetor, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas vendimit të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare ashtu siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi. Automjetet do të ndalohen nga Policia e trafikut rrugor dhe do të gjobiten për kundërvajtje në trafik dhe tabelat do t’i largohen automjetit, ndërsa nëse e njëjta vetura do të haset përsëri në qarkullim ajo veturë do të konfiskohet”, tha Fetoshi.

    Afati për konvertimin e targave do të duhej të përfundonte më 1 dhjetor por Qeveria e Kosovës e kishte zgjatur atë edhe për 15 ditë pasi ishin vërejtur radhë të gjata para qendrave për riregjistrim.

    Targat KM, dhe me akronime të tjera serbe për qytetet e Kosovës janë lëshuar nga autoritetet serbe dhe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë.

    Sipas Qeverisë së Kosovës, nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3.405 qytetarë kanë konvertuar targat e tyre në RKS dhe komunat me numrin më të madh janë Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi.

    “Ndërsa, nga tërë procesi prej vitit të kaluar janë gjithsej 4.210 konvertime të tabelave”, bëri të ditur Fetoshi duke theksuar se “përveç lehtësirave financiare, në afatin e kaluar, ne ndryshuam edhe udhëzimin administrativ në mënyrë që qytetarët tanë të komunitetit serbë në veri të mund të regjistrojnë veturat e tyre me targat e regjionit në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit të tyre”.

    Sipas Qeverisë së Kosovës i tërë ky proces ka për qëllim ligjshmërinë dhe sigurinë në trafik.

    Qarkullimi i veturave me targa të tilla është toleruar deri më tani në veri, ndërsa në zonat e banuara nga serbët në jug të Ibrit, ato ishin larguar nga përdorimi më shumë se dhjetë vjet më parë.

    Sipas përllogaritjeve të sektorit civil serb, në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, ka pasur rreth 10.000 vetura me targa KM.

    Çështja e targave KM është ka shkaktuar kriza në veri që çuan në protesta, daljen e serbëve nga institucionet dhe vendosjen e barrikadave.

    Tensionet në veri kulmuan më 24 shtator të këtij viti me një sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve lokalë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues serbë. /REL

  • Opozita për akuzat e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi: Qeveria Kurti është në një linjë me Serbinë

    Opozita për akuzat e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi: Qeveria Kurti është në një linjë me Serbinë

    Partitë opozitare i janë përgjigjur akuzave të zëvëndëskryeministrit Besnik Bislimi se opozita ka qenë pengesë e qeverisë në procesin e dialogut dhe se në shumë raste partitë opozitare kanë qenë në një linjë me Serbinë. Sipas opozitës, vetë qeveria e drejtuar nga kryeministri Kurti është ajo që gjatë gati tri viteve qeverisjeje ka qenë në një linjë me Serbisë dhe dorë e zgjatur e saj.

    “Një pengesë e jona e madhe në dialog në Bruksel ka qenë zëri opozitar e kemi lehtë ndoshta me u ballafaquar me Vuçiqin kur kanë thënë se edhe opozita juaj mendon kështu e ju mendoni ndryshe.. ka shumë raste ku qëndrimi opozitar është përputhur me qëndrimin e Serbisë”, tha Bislimi.

    Kjo deklaratë e zëvëndëskryeministrit Bislimi dhënë Televizionit Publik, ngjalli reagimin e partive opozitare.

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ish – ministër i Jashtëm, vlerëson se pushteti po e sulmon opozitën për ta larguar vëmendjen nga pranimi i draft-statutit të Asociacionit të komumanev me shumicë serbe, i cili, siç tha, është i dëmshëm për Kosovën.

    “Bislmi është dikush që më së paku merr vesh në negociata e dialog dhe kjo është situata kur për herë të parë Kosova ka pranuar një draft të asociaiconit që është autonomi e plotë edhe politike edhe territoriale edhe fetare duke përmbysë pakon e Ahatisarit duke përmbysë rendin kushetues dhe duke heq dorë që këta ta propozojnë një draft-statut dhe ti’a lënë Lajçakut..dhe për këtë Bislimi duhet ta japë llogari dhe mënyra më e mirë për ta ndërruar temën është ta sulmojë opozitën lështu që se marr seriozisht deklaratën e tij”, tha Hoxhaj.

    Edhe deputeti i LDK-së Armend Zemaj, shprehet kritik ndaj akuzave të zëvendëskryeministrit Bislimi. Sipas tij, ata që thonë se opozita është në një linjë me Serbinë janë vetë dorë e zgjatur e Serbisë.

    “Ky është arsyetimi më banal i një kryeministri ose zëvëndëskryeministri të papërgjegjshëm. Njerëz të cilët deklaruan se ne pranuam marrëveshjen por nuk u nënshkrua nga Vuçiq kjo është dyftyrësi papërgjegjësi dhe tregon fytyrën e vërtetë mbi të gjitha paaftësinë, demagogjinë , mashtrimin që ia kanë bërë qytetarëve dhe mos të flasim për dëmin që Republikën e Kosovës që do të jetë tepër e vështirë për t’u riparuar. Ata që thonë që opozita ose deputetët të opozitës mund të jenë në linjë me Serbinë ose janë vetë dorë e zgjatur e Serbisë ose kanë probleme me vetëveten dhe me mashtrimet që ia kanë servuar qyetarëve dhe dëmin Kosovës”, tha Zemaj.

    Për deputetin e AAK-së, Shemsedin Dreshaj deklaratat e pushtetit se zëri opozitar ka qenë pengesë për qeverinë në dialogun me Serbinë dhe se qëndrimi opozitar ka qenë në përputhje me Serbinë, janë të gabuara.

    “Këto akuza nuk qëndrojnë fare sepse vija jonë politike është vijë e bazuar në kushtetutë ne mbeshtesim sovranitetin territorial dhe integritetin legjislativ të vendit. A janë këto në vijë të interpetuara nga ana zv.kryeministrit ai konstatim është i gabuar nuk është mendim i drejtë është vlerësim i një anshëm dhe i gabuar”, tha Dreshaj.

    Pushteti dhe opozita shpeshherë janë përplasur në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi duke bërë akuza e kundërakuza për marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë si dhe draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • Presidentja Osmani sot i adresohet Kuvendit të Kosovës

    Presidentja Osmani sot i adresohet Kuvendit të Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do t’i adresohet Kuvendit të Kosovës.

    Ajo do ta mbajë fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës, duke filluar nga ora 11:00. Kështu ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.

    “Adresimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu, deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

    Osmani do t’i drejtohet Kuvendit sipas obligimit kushtetues, që e detyron presidentin të dalë para deputetëve së paku një herë në vit.

  • Pushteti s’e përkrah rritjen e koeficientit të pagave për sektorin publik

    Pushteti s’e përkrah rritjen e koeficientit të pagave për sektorin publik

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Me disa minuta vonesë ka filluar seanca e Kuvendit në të cilën diskutohej në shqyrtim të dytë të Projektligjit për buxhetin e vitit të ardhshëm.

    Asnjë nga 64 amendamentet e opozitës në Komisionin për buxhet, nuk ka marrë përkrahje nga pushteti me përjashtim të dy deputetëve për t’u futur në buxhetin e vitit 2024. Në mes tyre, as edhe rritja e vlerës së koeficientit për paga në sektorin publik në 115 euro.

    Përkrahje nuk morën as amendamentet për sigurimin shëndetësor dhe pensionimin e parakohshëm për Policinë.

    Mes tjerash, në këtë seancë pati edhe akuza për vjedhje të amendamenteve të propozuara.

    Ndërkaq, Hykmete Bajrami nga LDK-ja, kërkoi që Ligji për Buxhetin të shkojë në lexim të tretë.

    Në seancën e parafundit për këtë vit, para pauzës u diskutua për më shumë se 30 amendamente.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Në vend të policëve kufitarë, në pikëkalimet me Shqipërinë dërgohen ata të rendit

    Në vend të policëve kufitarë, në pikëkalimet me Shqipërinë dërgohen ata të rendit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Policia e Kosovës detyrohet të angazhojë pjesëtarë nga njësitë e rendit, në pikëkalimet kufitare me Shqipërinë, në mungesë të policëve kufitarë.

    Kjo është njëra nga gjetjet e raportit të përbashkët të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të Shqipërisë dhe Inspektorit Policor të Kosovës, për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

    “Bie në sy edhe angazhimi në radhët e policisë kufitare, të palës kosovare, të punonjësve nga stacionet e rendit, që nuk e kanë ndonjë përgatitje adekuate për kontrollin kufitar. Këto lëvizje janë si rezultat i transferimeve të përkohshme, për t’i mbuluar mungesat e personelit pas operacioneve Pika 1 dhe 2, ku nga radhët e stacioneve kufitare ishin suspenduar numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë”, thuhet në raportin e AMP & IPK.

    Situata vlerësohet se paraqet problem serioz.

    “Është shumë problematike, sepse policët e rendit mund të mos i lexojnë drejt dhe saktë dokumentet, sidomos ato që kalojnë përmes data-bazës dhe mund të kalojnë në kufi njerëz me të kaluar kriminale”, tha ish drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

    Ndërkaq, marrëveshja e vitit 2018 për pikëkalimet kufitare të përbashkëta, sipas raportit nuk zbatohet me korrektësi. Mes tjerash u vërejt edhe mungesa e bashkëpunimit mes dy policive për luftimin e krimit.

    “Veprimtaria në lidhje me bashkëpunimin operacional lë për të dëshiruar, pasi përveç strukturave në pikëkalimin Morinë – Vermicë nga dy pikëkalimet e tjera kufitare Qafë Prush dhe Qafë Morinë, për periudhën janar – gusht 2023, nuk ka pasur asnjë operacion të përbashkët për goditjen e veprimtarisë kriminale”, thuhet më tej në raportin e AMP & IPK.

    Në raportin e publikuar, të mërkurën, theksohet edhe gjendja jo e mirë e kabinave ku punojnë zyrtarët policorë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Rohde e Guerot flasin për anëtarësimin e Kosovës në BE

    Rohde e Guerot flasin për anëtarësimin e Kosovës në BE

    Përgatiti: Benita Zeneli

    15 vjetët e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtete të ndryshme u shënuan nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës me ambasadorë të akredituar në Kosovë.

    Kjo tryezë diskutimi ishte e para e këtij lloji që nga themelimi i Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës, në prill të këtij viti.

    Derisa marrëdhëniet e Kosovës me Gjermaninë i quajti unike, ambasadori Jorn Rhode tha se vendin megjithatë e pret rrugë e gjatë drejt anëtarësimit në BE.

    “Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian. Si do të arrijnë aty? Përmes detyrave të përbashkëta të shtëpisë. Ne dhe gjashtë vendet duhet t’i bëjmë detyrat tona”, tha Rhode.

    Pengesë në këtë rrugë është edhe mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, por për të ndryshuar qëndrimin e tyre kusht është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

    “Duhet të tregoni se jeni të interesuar për normalizim sepse ky është çelësi për të bindur jo vetëm ne, por edhe pesë shtetet anëtare jonjohëse, të Bashkimit Evropian. Mos jeni të fiksuar te pala tjetër, sepse nëse ata nuk bëjnë asgjë, ju nuk duhet të bëni asgjë”, tha ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot.

    Megjithatë, që nga hapja e ambasadës në Uashington, Kosova, megjithatë, ruajti raportet e mira me SHBA-në, tha i pari ambasador i Kosovës në kryeqytetin amerikan.

    “Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ruajtur si të mira dhe të veçanta për Kosovën, në pjesën më të madhe secila qeveri e Kosovës ka qenë e mirë në marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara…”, tha ish-ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu.

    Në mesin e shumë arritjeve të Kosovës, gjatë kësaj tryeze u përmend edhe liberalizimi i vizave që për kosovarët fillon nga 1 janari 2024.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: