ATV

Tag: Ballina

  • Detaje nga përleshja mes policëve dhe udhëtarëve në Merdarë

    Detaje nga përleshja mes policëve dhe udhëtarëve në Merdarë

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth ngjarjes së djeshme ku përmes video-xhirimeve u panë duke u përleshur disa udhëtarë dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    Sipas raportit policor, sulmi kishte filluar kur disa persona e kishin tejkaluar kolonën, duke mos iz batuar urdhrat e zyrtar të policisë.

    Në raportin 24-orësh thuhet se pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa rasti është cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar.

    “Podujevë / 04.01.2024 – 10:20. Njësitet policore kanë ndaluar dy vetura të cilat kishin tejkaluar kolonën derisa prisnin për të kaluar kufirin. Pas intervenimit të policisë, për parandalim të tejkalimit dhe kërkesës për kthim në kolonë, tre persona të dyshuar nuk kanë zbatuar udhëzimet zyrtare dhe kanë sulmuar zyrtarët policorë. Lidhur me rastin situata është vënë nën kontroll, dhe personat e dyshuar dy kosovarë dhe një shtetas i Shqipërisë janë shoqëruar në stacionin policor. Në konsultim me prokurorin, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatë.

  • Qeveria merr vendim të largohen stikerat nga veturat me targa të Serbisë

    Qeveria merr vendim të largohen stikerat nga veturat me targa të Serbisë

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin për largimin e regjimit të letër ngjitësve/stikerave për veturat me targa të Serbisë.

    Siç thuhet në njoftim e Qeverisë “heqja e regjimit të letër stikerave është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.

    “Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë se Qeveria në Beograd mori vendimin që zyrtarisht të njohë targat e automjeteve RKS, në territorin e Serbisë, nga 1 janari i këtij viti.

    Kështu pas vendimit të Qeverisë serbe, edhe Bashkimi Evropian priste nga Kosova që të ketë një vendim të ngjashëm për veturat me targa serbe, vendim të cilin e mori të enjten në mbrëmje (sonte).

  • Britania i siguron mbështetje Kosovës në siguri dhe njohje të reja

    Britania i siguron mbështetje Kosovës në siguri dhe njohje të reja

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj, posaçërisht në procesin e njohjeve të reja tha të enjten në Prishtinë Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron.

    Në një konferencë për media së bashku me homologen nga Kosova Donika Gërvalla, Cameron ka theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor duke thënë se Britania e Madhe po investon në këtë.

    “Ne folëm këtë mëngjes për sigurinë tuaj dhe kontributin e rëndësishëm që mund të japim për këtë. Mendoj që njëra prej gjërave që e dëgjova e që është shumë e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën po investon Britania e Madhe. Jetojmë në një botë me pasiguri të mëdha, me konflikte të mëdha, dhe është një periudhë ku shtetet si ne Britania duhet t’i përkrahim miqtë tanë, të punojmë për së afërmi në aleancat tona”, tha Cameron.

    Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.

    “Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, ka deklaruar ai.

    Duke shprehur falënderimin për përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar, Ministrja e jashtme Donika Gërvalla tha se e njoftoi diplomatin britanik për sfidat me të cilat është përballur Kosova gjatë vitit të kaluar, përfshirë këtu edhe sulmin në Banjskë të Zveçanit.

    “E falënderova për dërgimin e trupave shtesë pas sulmit të Kosovës nga Serbia më 24 shtator. Perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur qëndrim të qartë dhe të vendosur. Ka qenë i suksesshëm kur ka vepruar me vendosmëri përballë një Moske agresive. Ekziston një konsensus gjithë shoqëror që Kosova është pjesë e Perëndimit. Mbi 90 për qind e mbështesin Kosovën në integrimet brenda BE-së”, tha Gërvalla.

    Cameron, me të mbërritur mbrëmë në Kosovë, zhvilloi një takim pune me kryeministrin Albin Kurti. Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti theksoi se marrëdhëniet bilaterale mes të dyja shteteve janë të palëkundura, teksa falënderoi sekretarin Britanik për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

    Në fund të vizitës në Kosovë, Cameron takoi edhe presidenten e vendit Vjosa Osmanin, me të cilën u tha se biseduan për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, paqen e sigurinë.

  • Roth: BE dhe ShBA të ndalojnë së banalizuari atë që po ndodh në Serbi

    Roth: BE dhe ShBA të ndalojnë së banalizuari atë që po ndodh në Serbi

    Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, i bëri thirrje BE-së dhe ShBA-së që të insistojnë në hetimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e bëjnë veten krejtësisht jo bindëse nëse vazhdojnë të banalizojnë ngjarjet në Serbi. Zgjedhjet duhet të kontrollohen dhe të përsëriten. Regjimi serb duhet të ndalojë politikën e sharrave mes Rusisë dhe Perëndimit. Vuçiqi kërcënon paqen në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Roth në rrjetin social X (ish-Twitter).

    Së bashku me komentin e tij, Roth ndau një tekst autorial të Dragan Gjilas për “Politico”, në të cilin kreu i Partisë Liri dhe Drejtësi vlerëson se edhe në botën e sotme komplekse, mbështetja perëndimore për Vuçiqin, i cili akuzon Perëndimin për nxitjen e trazirave në vendin e tij, është befasuese.

    Kjo nuk është hera e parë që Roth i ka bërë thirrje BE-së dhe ShBA-së që të ndryshojnë politikën e tyre ndaj Serbisë, prandaj kryeministrja Ana Bërnabiq e akuzoi dikur në rrjetet sociale për “përhapjen e gjuhës së urrejtjes kundër Serbisë”.

  • Rrahja mes mërgimtarëve dhe Policisë në Merdarë, arrestohen tre persona

    Rrahja mes mërgimtarëve dhe Policisë në Merdarë, arrestohen tre persona

    Përleshje masive mes Policisë së Kosovës dhe disa mërgimtarëve ka ndodhur para pak çastesh në Merdarë.

    Në videon e siguruar nga ATV shihen disa mërgimtarë duke u përleshur me Policinë, në mesin e tyre edhe gra.

    ATV mëson se arsyeja e këtij konflikti është tejkalimi i kolonës.

    Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka njoftuar se lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, ndërsa kanë pësuar lëndime trupore dy zyrtarë policorë.

    “Sot rreth orës 10:00, në Merdarë ka ndodhë një incident, ku patrulla e policisë është sulmuar nga persona të dyshuar. Në këtë rast lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarë policor. Pas vënies nën kontrollë të situatës dhe shoqërimit në stacion të tre personave të dyshuar, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për veprën Sulm ndaj personit zyrtar”, ka thënë Ahmeti.

  • Sveçla thotë se autoritetet e Serbisë ia mohuan vizitën e tij në Luginë, pa asnjë arsye dhe shpjegim

    Sveçla thotë se autoritetet e Serbisë ia mohuan vizitën e tij në Luginë, pa asnjë arsye dhe shpjegim

    Ministri i brendshëm Xhelal Sveçla, ka thënë se autoritetet e Serbisë, ia mohuan vizitën e tij në Luginën e Preshvës, pa asnjë arsye dhe shpjegim.

    Ai pohon se vizita e tij atje ishte planifikuar pas ftesës më 29 dhjetor, të kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiut, për takime në selitë e Këshillit në tri komuna.

    ”Me datë 29 dhjetor kam pranuar ftesë nga z. Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet. Në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellur agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës”, njoftoi Sveçla.

    Tutje, ai tha se ishte njoftuar mbrëmë nga zyrtari ndërlidhës në Beograd se kërkesa për vizitën e sotme në Luginë u refuzua nga autoritetet e Serbisë, pa asnjë arsye e shpjegim.

    “Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës. Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta. Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”, ka shkruar ai ne FB.

  • Cameron: Do vazhdojmë t’i ndihmojmë Kosovës në të gjitha mënyrat që mundemi

    Cameron: Do vazhdojmë t’i ndihmojmë Kosovës në të gjitha mënyrat që mundemi

    Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka thënë se shteti i tij është përkrah Kosovës dhe se është i interesuar që paqja të mbizotërojë në tërë Ballkanin Perëndimor.

    Ish-kryeministri britanez premtoi ndihmë edhe për njohje të reja, raporton Ekonomia Online.

    Pas takimit me homologen e tij kosovare, Cameron ka përmendur numrin e lartë të trupave britaneze në kuadër të KFOR-it.

    Ish-kryeministri britanik tha se ata vazhdojnë të mbeten mbështetës të mëdhenj të Kosovës, dhe që periudha aktuale në botë që po karakterizohet me konflikte të mëdha bën që Britania të jetë sa më përkrahëse ndaj miqve të saj.

    “Ne jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, të sovranitetit të Kosovës, dhe të së drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët. Mendoj që njëra prej gjërave që e dëgjova e që është shumë e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën po investon Britania e Madhe. Është diçka tepër e rëndësishme për interesin tonë kombëtar”, u shpreh ai.

    “Mendoj që diskutimet që i patëm e rrokin një strukturë më të përgjithshme pasi që siç shohim nëpër lajme sot, jetojmë në një botë me pasiguri të mëdha, me konflikte të mëdha, dhe është një periudhë ku shtetet si ne Britania duhet t’i përkrahim miqtë tanë, të punojmë dhe të punojmë për së afërmi në aleancat tona. Pra, ajo që po e bëjmë në Kosovë është pjesë e një strukture më të gjerë”.

  • Deri në 90 minuta pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova

    Deri në 90 minuta pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova

    Pritjet e mërgimtarëve tanë për të dalë nga Kosova, mëngjesin e sotëm, kanë filluar të jenë më të gjata.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata për të dalë nga Kosova janë në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë.

    Sipas kësaj qendre, më së shumti pritje ka në dalje, në pikën kufitare me Serbinë, në Merdarë, ku pritjet zgjasin deri në 90 minuta dhe kolona e makinave është rreth 700 meta e gjatë, kurse në pikë-kalimin te Dheu i Bardhë pritjet zgjasin deri në 15 minuta, në kolonë rreth 100 metra.

    Pritje ka edhe në pikën tjetër me Serbinë, Muqibabë, ajo zgjatë 10 minuta.

    Në pikat tjera s’ka kolona as në hyrje as në dalje dhe pritjet zgjasin vetëm 3 deri në 5 minuta.

  • Cameron në Kosovë, nis takimin me ministren Gërvalla

    Cameron në Kosovë, nis takimin me ministren Gërvalla

    Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron po qëndron për vizitë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Në ditën e dytë të vizitës, Cameron ka zhvilluar takim me ministren e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

    Pas takimit, Gërvalla dhe Cameron do të deklarohen për media.

    Ministrin britanik të Punëve të Jashtme do të takojë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

    Ndryshe, Cameron ka arritur mbrëmë në Prishtinë.

    Mbrëmë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një darkë pune ka pritur Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron, i cili po e viziton Kosovën për herë të parë.

    Kurti, duke i uruar mirëseardhje Sekretarit Cameron, u shpreh i lumtur që vitin 2024 po e fillon me një takim të rëndësishëm dypalësh me miken, partneren dhe aleaten e afërt të Republikës së Kosovës, Mbretërinë e Bashkuar, teksa e uroi Sekretarin Cameron për detyrën e tij të re dhe Vitin e Ri 2024.

    Ky i fundit në një postim në Twitter shkruan se ishte kënaqësi të takojë ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë.

    “Kënaqësi të pres ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron në Prishtinë në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar të këtij viti. Mbretëria e Bashkuar ka qenë një aleat i vendosur dhe besnik i Republikës së Kosovës, që para krijimit të shtetit tonë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që gëzojmë”, shkruan Kurti.

  • Azemi: Gjashtëmujori i parë i këtij viti, mundësi e fundit për ofrimin e kushteve më të mira të punës

    Azemi: Gjashtëmujori i parë i këtij viti, mundësi e fundit për ofrimin e kushteve më të mira të punës

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka thënë për Ekonomia Online se liberalizimi i vizave do ndikojë edhe në sektorin privat.

    Sipas tij, pronarët e kompanive të ndryshme, gjashtëmujorin e parë të këtij viti e kanë një lloj testi si mundësi e fundit për ofrimin e kushteve më të mira të punës para se të ketë mungesë të fuqisë punëtore.

    Pas qershorit, Azemi i druhet një migrimi masiv të qytetarëve.

    “Vetëm ata të cilët nuk e kanë pa gjendjen reale, e dinë që edhe këtë vit ka mungesë punëtorësh, unë pres që pjesën e dytë të këtij viti të kemi një shpejtim, një fluks më I madh i njerëzve që të ikin nga Kosova me kusht që të gjejnë një punë me kushte më të mira. Pronarët e kompanive e kanë si një lloj testi gjashtëmujorin e parë të këtij viti dhe së paku të ofrojnë kushte që i përmbush ligji i punës dhe marrëveshjen kolektive, por nëse vazhdojmë me këtë gjendje si është te punëtorët dhe sektori privat, është ngulit diçka që duhet me ik patjetër”, deklaroi Azemi.

    Tutje, ai tha se gjendja e sektorit privat të Kosovës duhet rifreskuar e të jetë në një gjendje më të mirë, pasi mungesa e punëtorëve e ka bërë të veten, duke shtuar se pjesa më e mirë puntore është humbur.

    “Fatkeqsisht duhet të themi se pjesën më të mirë punëtore e kemi humbur, çka do që do të ndodh do jetë për shkak të mungesës së fuqisë punëtore e jo se ata ia kanë bërë hyzmeti që ta kemi këtë gjendje më të mirë”, tha ai.

    Sipas tij, në Kosovë paga minimale duhet të jetë 500 euro.

    “Ne bëjmë shumë takime me punëtorët e sektorit privat që të jenë stabil në Kosovë në vendin e punës, të kryejë shërbim si duhet, Mendoj që paga minimale të jetë 500, me pagesën e udhëtimit e heqjen e ushqimit dhe me këtë opsion mendoj se ndoshta do parandalohet kjo ikje masive, në të kundërtën edhe 600 e 700 e si mbulon këto dyja kjo është e kotë, ju e dini që deri më tani nuk është respektuar ligji e as marrëveshja mes pronarit e punëtorit, e kjo ka bërë që të jemi në një gjendje të tillë”, u shpreh ai.

    Azemi përmendi gjithashtu një shifër për të cilën uroi të mos jetë e vërtetë, duke thënë se deri në 150 mijë punëtorë do jenë më pak se vitet e kaluara.

    “E dimë që ka mungesa kudo nëpër botë, mirëpo në Kosovë nga një numër i vogël popullsie të ikë një numër aq i madh është shumë e rëndë, me çka fatkeqësisht shpresoj që kjo e dhënë e imja të mos jetë e vërtetë por unë frikësohem që këtë vit diku 100-140 mijë punëtorë do t’i kemi më pak se vitet e kaluara”
    Nuk ka sektor të paprekshëm, ne shpeshherë ndodh në gastronomi që punëtori i kualifikuar po ik e po përmbushet me një tjetër po nuk është zgjidhje pasi së pari nuk është i kualfikuar dhe pjesa e ndërtimtarisë do jetë më i prekuri pasi sikur një punëtor mungon atëherë 5 deri n 10 punëtorë dalin nga sistemi”, u shpreh tutje Azemi për EO.

    Ndërkaq, në raport me qeverisjen qendrore, i pari i sindikatës tha se shuma e ofruar indirekt nga ta është qesharake, kur as shpenzimet vetjake nuk mund të mbulohen.

    “Nuk kisha pasë dëshirë ta them, sepse do doja të kisha vullnet,që të kishim dialog e kontakte, por me këtë qeverisje, këtë kryeminister e ministrin e Financave, të cilëti i kemi partnerë pasi paga minimale është indirekt e deleguar nga Qeveria e Kosovës, ne në fakt me këtë punë që e kanë bërë jo që nuk jemi të kënaqur, themi se ka munguar dialogu social për të cilin ne është dashtë me i qitë në tavolinë problemet tona dhe ata është dashtë me ofru atë çka mund të bëjnë, por realisht nuk e kanë bë. Dhe për caktimn e pagës minimale ne kemi thënë se 264 euro është diçka qesharake, është një vendim që as në aspekt elementar nuk i përmbush kriteret, merreni me mend t’i thuash dikujt sot se puno me pagë 250 euro, kur dihet se sot me atë shumë vetëm shpenzimet e një personi nuk mund të mbulohen”, deklaroi Azemi.