ATV

Tag: Ballina

  • Kurti, Konjufca e Haxhiu dënojnë rrahjen brutale të politikanit serb

    Kurti, Konjufca e Haxhiu dënojnë rrahjen brutale të politikanit serb

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Homazhet te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz, politikanit serb Nikola Sanduloviqit i kushtuan me arrestim dhe maltretim.

    Avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, publikoi vendimin e autoriteteve serbe ku thuhet se ai akuzohet për kryerje të veprës penale të urrejtjes kombëtare, racore e fetare.

    “Ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari Nikola Sanduloviq ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, dhe impotencës, në atë mënyrë që përmes rrjetit social X publikoi një përmbajtje në formë të videos, ku bën homazhe te varret në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz”, thuhet në arsyetimin e autoriteteve serbe.

    Ish-kandidati për president të Serbisë, është i vetmi politikan serb që ishte në Prekaz për t’i nderuar anëtarët e familjes Jashari, të cilët u vranë pikërisht nga forcat serbe në vitin 1998.

    Nikolla Sanduloviq, sipas avokatit, është ndaluar nga BIA dhe është rrahur brutalisht, derisa ka pasur raportime se ai është paralizuar. Për rrahjen e politikanit serb reagoi edhe kryeministri Albin Kurti.
    “Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson tarifën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin. Ai, gjithashtu, përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sulm të ngjashëm me Putinin ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, ka shkruar Kurti.

    Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kërkuan nga komuniteti ndërkombëtar ta dënojnë aktin.

    “I bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike, që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”, ka shkruar Konjufca.

    “Serbia është ende në vitet e ‘90-ta dhe larg normalizimit të saj. Atje rrihet i vetmi opozitar dhe tentohet të eliminohet vetëm se e pranon të vërtetën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Haxhiut.

    Kjo nuk është hera e parë që Nikola Sanduloviq, politikan i cili përkrah shtetësinë e Kosovës, është në prag të vdekjes. Ai edhe ishte helmuar dy vjet më parë. Sanduloviq, mes tjerash, është ndër figurat e pakta në Serbi që e përkrahin hapur pavarësinë e Kosovës.

  • Kirby: Qëndrimi i administratës së Bidenit ndaj Ballkanit nuk ka ndryshuar

    Kirby: Qëndrimi i administratës së Bidenit ndaj Ballkanit nuk ka ndryshuar

    Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, ka thënë se qasja e Uashingtonit, konkretisht administratës së presidentit Joe Biden, ndaj Evropës e rajonit të Ballkanit nuk ka ndryshuar.

    Këto komente Kirby i bëri në përgjigje të një pyetje si reagim, mbi një artikull të gazetës “Washington Post”, ku thuhet se Bideni ndoqi politikën e “mbështetjes së presidentit autoritar serb Aleksandar Vuçiq në përpjekje për ta larguar atë nga Rusia”.

    “Ky qëndrim duket gjithnjë e më shumë si një dështim”, thuhet në artikullin e “Washington Post”.

    Kirby nuk bëri komente të mëtejshme kur u pyet nga “Zeri i Amerikës”.

    Kohët e fundit, pas zgjedhjeve të parakohshme, Serbia është përfshirë nga një valë protestash të opozitës, e cila akuzon qeverinë për parregullsi masive dhe manipulime në procesin e 17 dhjetorit.

  • Qarkullimi me targa RKS në Serbi, Cramon: Realitet i njohjes de-facto të Kosovës

    Qarkullimi me targa RKS në Serbi, Cramon: Realitet i njohjes de-facto të Kosovës

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për të larguar letrat ngjitëse në targa të automjeteve, dhe lejimin me targat në RKS në Serbi.

    Cramon theksoi se ky është një hap më shumë drejt realitetit në të cilin Serbia de facto e njeh Kosovën si shtet.

    “Nuk ka më ngjitëse në tabela të automjeteve kur udhëtoni nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Ajo që ishte dizajnuar si masë e përkohshme tani është përfundimisht e tepërt. Një hap më shumë drejt realitetit në të cilin Serbia de facto e njeh Kosovën si shtet dhe kontribuon për paqe dhe përparim në rajon”, është shprehur Cramon në rrjetin social X.

  • Dhuna ndaj Sanduloviqit, Kurti: Kjo është tarifa që Serbia ua imponon qytetarëve të vet për guximin për të pranuar të vërtetën

    Dhuna ndaj Sanduloviqit, Kurti: Kjo është tarifa që Serbia ua imponon qytetarëve të vet për guximin për të pranuar të vërtetën

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për dhunën brutale ndaj politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq.

    Përmes një postimi në platformën X [ish-Twitter], Kurti është shprehur thellësisht i shqetësuar për raportimet lidhur me gjendjen e Sanduloviqit, për shkak të rrahjeve të rënda nga shërbimi sekret serb.

    “Thellësisht i shqetësuar për raportet që thonë se lideri i opozitës serbe Nikola Sanduloviq është paralizuar për shkak të rrahjeve të rënda nga shërbimi sekret serb. Kjo vjen pas kërkimit të faljes së tij për krimet e kryera nga Serbia gjatë fushatës gjenocidale në Kosovë”, shkroi ai.

    Më tej, kreu i Qeverisë tha se ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson tarifën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin.

    “Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson tarifën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin. Ai gjithashtu përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sulm të ngjashëm me Putinin ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, tha më tej ai.

  • Mustafa i reagon Ramës ndaj vendimit për vendosje të kamerave, thotë se “qytetarët shndërrohen në njerëz të dyshuar

    Mustafa i reagon Ramës ndaj vendimit për vendosje të kamerave, thotë se “qytetarët shndërrohen në njerëz të dyshuar

    Para pak ditësh kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se do të vendosen kamera të sigurisë nëpër qytet. Për këtë pati reagime të ndryshme. Sot ka reaguar edhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, i cili ka thënë se me këtë veprim qytetarët realisht shndërrohen në njerëz të dyshimtë.

    “Do të ishte mirë që udhëheqësit e Prishtinës ta lexojnë një herë, dy herë e disa herë këtë shkrim, para se ti fusin të gjithë qytetarët në kamera ose para se qytetarët si njerëz të lirë ti shndërrojnë një njerëz të dyshuar të cilët duhet vëzhguar”, shkroi Mustafa.

    Mustafa ka treguar se si gjatë mandatit të tij e kishte menduar një gjë të tillë por se me daljen jashtë Kosovës, e ka cilësuar si veprim të panevojshëm.

    “Në vitin 2012 edhe unë dhe bashkëpunëtorët e mi punonim të instalonim kamera në vendet më të frekuentuara të Prishtinës dhe në udhëkryqe. Në ndërkohë me dy bashkëpunëtorë shkova në vizitë në një shtet jo-evropian, i cili ishte dhe është nën tensionin e rrezikut të jashtëm dhe të sigurisë. Na u demonstruan edhe vëzhgimet me kamera në një port të tyre. Për ta veprim i nevojshëm. Por ata nuk i konsideronin problem qytetarët e tyre por agresionin nga jashtë. Mua mu duk se Prishtina nuk ka arsye për këtë. Kur u ktheva ua kumtova bashkëpunëtorëve të mi se ne nuk duhet të bëjmë këtë, sepse nuk kemi të drejtë të mbikëqyrim çdo lëvizje të këmbëve e duarve, hundës e buzëve, e se kush me kënd gjendet në makinë… çdo përshëndetje të burrave e grave, të vajzave e të djemve, sepse mund tu krijojmë probleme, pa e bërë ata asnjë faj”, shkroi Mustafa në Facebook.

  • Armend Zemaj përlotet teksa kujton momentet e fundit para atentatit ndaj Tahir dhe Enis Zemajt

    Armend Zemaj përlotet teksa kujton momentet e fundit para atentatit ndaj Tahir dhe Enis Zemajt

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në emisionin DPT Te Fidan Jupolli në ATV, me lot në sy ka rrëfyer momentet e fundit para atentatit ndaj Kolonel Tahir Zemajt djalit të tij Enis Zemajt dhe Hasan Zemajt, 21 vite më parë.

    Ai tregon se Koloneli ka qenë në Gjermani me pjesën tjetër të familjes për festën e Vitit të ri, ndërsa në Kosovë kishte ardhur dy ditë më pas për të bërë vizita te familjarët.

    “Koloneli ka qenë në Gjermani me pjesën tjetër të familjes për Vitin e Ri. Ka ardhur në natën e dytë të Vitit të Ri, ka ardh në Prishtinë. Nga Prishtina kemi shku në Deçan, që i bjen me datën 2. E kemi vizitu hallën e vogël bashkërisht me krejt familjen, kemi ndejt disa orë, ka qenë edhe Enisi. Të nesërmen në mëngjes, unë shumë herët, sa kisha fillu edhe me vozitë, isha edhe student, një djalë i tezës me luti që me e sjellë në aeroport herët në Prishtinë. Unë kam qenë fjetë një dhomë me Enisin”, rrëfen Zemaj.

    Ai tregon se para atentatit, Koloneli ishte nisur me djalin e axhës së vet Hasanin për ta dërguar Enisin në Pejë, me planin që ky nga Peja të shkojë pastaj në Prishtinë.

    “Unë kam qenë në Prishtinë edhe pas dite, pas qëndrimit ditën ne Dukagjin, ishte edhe festa e Vitit të Ri, atëherë Enisi e thërret, thotë se don me shku në Prishtinë, ky shkon nga Peja me Hasanin, djalin e axhës së vet, e merr te shtëpia i thotë po të qes deri në Pejë për me hypë në autobus. Dhe, kështu ka ndodh. Kur është ndalë në dalje të Pejës që është te kombinati, momentin kur është parku, atëherë ka ndodh atentati. Enisi ka qenë ende pa i mbushë 20 vjet”, tregon Zemaj.

    Ai thotë se kanë shpresuar që të gjenden vrasësit, mirëpo një gjë e tillë asnjëherë nuk ka pasur sukses.

    “Lajmin e kemi marrë shpejt. Unë kam shku me familje. Kur kemi shku, ka qenë ende në vendin e ngjarjes, ishin ndalë dritat elektrike, duket se ishte një organizim kriminal, tani edhe pjesë e hetimeve sepse kemi qenë në vazhdimësi në kuptimin e asaj që të gjenden vrasësit, të gjinden dorasit, por asnjëherë nuk ka pasur sukses. Në atë kohë ishte UNMIK-u, pas një kohe me urdhër të përfaqësuesit special u mbyllen hetimet”, thotë Zemaj. /atvlive.tv

  • Konjufca dënon dhunën ndaj Sanduloviqit: Sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë

    Konjufca dënon dhunën ndaj Sanduloviqit: Sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar për dhunën brutale ndaj politikanit serb, Nikola Sanduloviq, raporton Gazeta Sinjali.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Konjufca ka dënuar ashpër aktin e shëmtuar të dhunës ndaj Sanduloviqit.

    “Nga raportimet e mediave dhe deklarimet e familjarëve dhe avokatit mësuam se z. Sanduloviq, i marrë nga policia e shërbimit sekret serb, është mbajtur dhe rrahur nga persona zyrtarë të këtij institucioni shtetëror, e më pas i është bastisur apartamenti. Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radojçiq, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë, akoma nuk është sqaruar”, shkroi ai.

    Sipas kryekuvendarit, përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si Sanduloviq, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi.

    “Përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si z. Sanduloviq, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi.

    Duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë z. Sanduloviq, e duke uruar që ai të dalë edhe më i vendosur nga ky sulm i rëndë, i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”, shkroi më tej Konjufca.

    Kryetari Konjufca tha po ashtu se demokracia matet me elementet brendashtetërore, por edhe me krahasimet me vendet ku ajo tashmë është etabluar rrënjësisht.

    Ndryshe, politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviq, është rrahur brutalisht nga shërbimi sekret serb.

    Sanduloviqi thuhet se ishte arrestuar të mërkurën nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë (BIA).

    Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke thënë se është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.

  • Kurti për targat: Në rast se Serbia ndërron qasje, të njëjtën do ta bëjë edhe Kosova

    Kurti për targat: Në rast se Serbia ndërron qasje, të njëjtën do ta bëjë edhe Kosova

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendimi për heqjen e letrave ngjitëse nga targat e Serbisë mund të ndryshojë po qe se ndryshon qasja apo sjellja e autoriteteve serbe për lëvizjen e lirë të automjeteve me targa RKS.

    Ai ka shtuar se veprimi i Serbisë për njohjen e targave RKS duhet të lexohet si “manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake”.

    Ai ka theksuar se vendimi ka ardhur pas përdorimit dyvjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit dhe si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje.

    “Në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë”, ka shkruar ai në Facebook.

    Kurti është shprehur se njohjen e targave RKS Serbia po përdorë për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe për ta ulur presionin nga Perëndimi për zgjedhjet e manipuluara në Serbi.

    “Çështja e targave në Kosovë në shtator të vitit 2021, përdorej për të kërcënuar Kosovën e rajonin edhe përmes aeroplanëve rusë Mig-29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit veçanërisht nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit 2022. Kurse në dhjetorin e vitit që porsa lamë pas 2023, ky vetëdiciplinim i Serbisë përdoret për të ulur presionin nga perëndimi demokratik (Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi Serbinë për zgjedhjet e manipuluara e jodemokratike, por edhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e Kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq drejtuar Këshillit të BE-së me 13 dhjetor, e për të maskuar përgjegjësinë e tyre lidhur me sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023”, ka shkruar ai tutje.

  • Deri në 4 orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova

    Deri në 4 orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova

    Qytetarët janë duke pritur deri në 4 orë për të dalë nga Kosova në pikën kufitare në Merdarë.

    Sipas të dhënave të Qendrës kombëtare për menaxhim kufitar, të përditësuar mëngjesin e sotëm, kolona e veturave të qytetarëve që janë duke pritur të dalin nga Kosova në Merdarë është 3500 metra.

    Mbi 2 orë janë duke pritur edhe qytetarët që po dalin nga Kosova nëpërmjet pikës kufitare te Dheu i Bardhë dhe po ashtu 2 orë në pikë kalimin kufitar në Mutivodë.

    Edhe në Jarinjë qytetarët janë duke pritur nga 1 orë.

    Në pikat e tjera ka pritje 3 deri në 5 minuta si në hyrje, ashtu edhe në dalje.

  • Sekuestrohen 689 fishekë, një flamur i Serbisë, 34 gëzhoja dhe një karikator i AK-47 në Banjskë

    Sekuestrohen 689 fishekë, një flamur i Serbisë, 34 gëzhoja dhe një karikator i AK-47 në Banjskë

    Në fshatin Banjskë të Mitrovicës, njësia policore ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të Serbisë, 34 gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689 fishekë kalibrash të ndryshëm.

    Siç njofton raporti i policisë, nuk ka të arrestuar, ndërsa rasti është nën hetime.

    “Fsh. Banjskë, Zveçan / 04.01.2024 – 13:45. Njësia policore gjatë patrullimi në afërsi të një kodre ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të shtetit të Serbisë, 34-gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689-fishekë kalibrash të ndryshëm. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin policor.