ATV

Tag: Ballina

  • Masat mbesin, marrëveshja obliguese, s’ka datë për takim të ri për dialog

    Masat mbesin, marrëveshja obliguese, s’ka datë për takim të ri për dialog

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kosova duhet të bëjë hapa të mëtejmë shtensionues në veri, për ta bindur Bashkimin Evropian për heqjen e masave ndëshkuese.

    Bashkimi Evropian njoftoi se po përcjell nga afër zhvillimet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, për të parë nëse kërkesat e saj nga viti i kaluar, në raport me deeskalimin e plotë po përmbushen.

    “Po ashtu, po punojmë me partnerët që t’u ndihmojmë atyre të ndërmarrin hapat e nevojshëm për deeskalim, për të zgjidhur problemet që kontribuuan në krizat e fundit. Dhe, kur të jenë ndërmarrë mjaftueshëm hapa pozitivë, BE-ja do të rishqyrtojë masat ndaj Kosovës dhe eventualisht t’i heqë ato”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    BE-ja nuk ka dyshim që marrëveshja bazë dhe shtojca mbesin detyrime ligjore për Kosovën dhe Serbinë, dhe kusht në procesin e anëtarësimit.

    “Nuk e komentojmë përmbajtjen e letrave të ndryshme që pranojmë. Nuk jam në dijeni që Serbia zyrtarisht të ketë ri-shpallur zotimet e saj që dalin nga Marrëveshja e Brukselit ose Shtojca e Ohrit. Kështu që kjo është marrëveshje ligjërisht obliguese dhe zbatimin e saj e kanë marrë përsipër të dyja palët”, tha Stano.

    Derisa në Serbi vazhdon pritja për formimin e Qeverisë së re, BE-ja ende nuk ka datë për një takim eventual të nivelit të lartë në dialog.

    “Puna në dialog vazhdon dhe fokusi i kësaj pune është në zbatimin e asaj që ishte dakorduar, vitin e kaluar, në Bruksel dhe në Ohër. Kjo është shumë e rëndësishme. E kemi parë që përparimi është i mundur, kur disa ditë më parë, Kosova dhe Serbia u pajtuan t’i njohin targat e automjeteve, pa regjimin e stikerëve. Kjo është dëshmi konkrete që përparimi është i mundur nëse ka mjaftueshëm vullnet të mirë. Shpresojmë që kjo të vazhdojë edhe pasi të formohet Qeveria e re e Serbisë”, tha Stano.

    Në nëntor të vitit të kaluar, BE-ja u prezantoi kryenegociatorëve një draft të ri të planit të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.

    Bashkimi Evropian ka përsëritur se shtetet anëtare dhe partnerët, duke veçuar SHBA-në, presin që Kosova dhe Serbia të mos humbasin kohë për zbatimin.

  • Rreth 58% e fëmijëve të komuniteteve nuk e vazhdojnë shkollimin e mesëm të lartë

    Rreth 58% e fëmijëve të komuniteteve nuk e vazhdojnë shkollimin e mesëm të lartë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ka më shumë se 8 vjet, që ndjesinë e bankave shkollore nuk e përjetojnë.

    E pikërisht këtë rrugë përmes së cilës dikur shkonin në shkollë, sot e përshkojnë për të shkuar në punë.

    Njëri 15 e tjetri 13 vjeç, shkollimin e përmbyllën qysh në klasë të 6-të.

    Ndonëse, dëshira për të vazhduar shkollimin është e madhe, kushtet ekonomike po ua pamundësojnë një gjë të tillë.

    Fatin e njëjtë e patën edhe bashkëmoshatarë të tjerë.

    Në strategjinë shtetërore për rininë për vitin 2024 – 2032, thuhet se rreth 58 për qind e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian nuk vijojnë fare shkollimin e mesëm të lartë. Ndërkaq, atë të mesëm të ulët e ndjekin vetëm 20 për qind prej tyre.

    Këto shifra për njohësit e arsimit janë shqetësuese. Salie Gajtani Osmankaq thotë se përveç kushteve ekonomike, edhe diskriminimi ka ndikuar që fëmijët e komunitetit ta braktisin shkollimin.

    “Braktisja e shkollimit te komunitetet, por edhe mosvijimi i arsimit të lartë bëhen për dy arsye: standardi ekonomik se detyrohen për me e mbajtë familjen. E element tjetër shumë shqetësuese është nga frika për diskriminim racor e bullizëm”, tha Salie Gajtani Osmankaq, njohëse e arsimit.

    Megjithatë, rreth 120 fëmijë që nuk vijuan mësimin fillor, shkrimin dhe leximin mund t’i mësojnë edhe në qendrën ditore për fëmijët me situatë rruge, në Prishtinë.

  • Të enjten nis intervistimi i kandidatëve për kryeshef të Trepçës

    Të enjten nis intervistimi i kandidatëve për kryeshef të Trepçës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Enis Abdurrahmani vazhdon të jetë ushtrues detyre i kryeshefit të “Trepçës”, përkundër faktit se shkarkimi i tij, qe kusht i minatorëve për ta ndërprerë grevën dhjetëditore, të filluar në tetor të vitit që lamë pas.

    Afati për aplikim për pozitën e kryeshefit në konkursin e rihapur, përfundoi më 26 dhjetor. ATV-ja kupton se të enjten do intervistohen kandidatët që synojnë për këtë pozitë.

    Destan Kërleshi, nënkryetar i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, shpreson se konkursi do të rezultojë me emërimin e një kryeshefi të ri që do të ndikojë pozitivisht në performancën e ndërmarrjes.

    “Meqenëse, konkursi i parë u mbyll pa rezultate, shpresojmë që në këtë konkurs të zgjidhet një kandidat potencial që mund ta çojë ndërmarrjen përpara.

    Ndërmarrja “Trepça”, aktualisht është në një situatë shumë të rëndë edhe në aspektin e prodhimit si dhe të financave”, tha Kërleshi.

    Ndërprerjes së grevës i parapriu një marrëveshje mes Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës dhe minatorëve grevistë.

    Kërkesat e minatorëve ishin të qarta: realizimi i pagës mujore nga data 06 deri më datë 10, shkarkimi i kryeshefit, si dhe sigurimi shëndetësor dhe kushte më të mira të punës. Përmes një komunikate të lëshuar më 5 nëntor, Bordi i “Trepçës”, theksoi se kërkesat e minatorëve po trajtohen me prioritet.

    Kryesindikalisti Kërleshi tregon për hapat që deri më tani janë ndërmarrë në realizimin e kërkesave të minatorëve.

    “Sa i përket realizimit të pagave, në muajin nëntor kemi pasur vonesa, pagën e dhjetorin e kemi marrë para Vitit të Ri, falë subvencioneve të Qeverisë… Sigurim shëndetësor nuk ka, lëvizje ka, sipas një takimi që kemi pasur në fillim të dhjetorit ME-ja ka ndarë subvencione ku është përfshirë edhe sigurimi shëndetësor i punëtorëve, të paguhet borxhi ndaj kompanive që më herët kanë bërë sigurimin e punëtorëve”, tha Kërleshi.

    Enis Abdurrahmani është ushtrues detyre i kryeshefit të “Trepçës”, për më shumë se dy vjet. Në fund të shtatorit të vitit 2023, Bordi paraprak i ndërmarrjes mori vendim për shkarkimin e Enis Abdurrahmanin për shkak të performancës së dobët. Më pas Qeveria e shkarkoi atë bord, duke emëruar një bord tjetër të përkohshëm, i cili ktheu Abdurrahmanin në detyrë. Deri në tetor të vitit 2023, ndërmarrja “Trepça” me kryeshef Enis Abdurrahmanin, nuk kishte realizuar as gjysmën e shitjeve të planifikuara për tërë vitin.

  • Tromp: Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të zgjasë edhe 3-4 vjet

    Tromp: Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të zgjasë edhe 3-4 vjet

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë do të zgjasë së paku tri deri në katër vjet, thotë Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

    Për shtatë vjet e gjysmë, ajo shton se janë paditur vetëm gjashtë persona dhe se vetëm një rast është finalizuar. Ajo thotë se gjatë vitit të kaluar u bë e qartë se Dhomat e Specializuara nuk po punojnë në aktakuza të reja dhe se këtë vit pritet përfundimi i gjykimit të Pjetër Shalës.

    Në një intervistë për KosovaPress, Nevenka Tromp komenton edhe vendimin e Apelit për rastin e Salih Mustafës, për çka konsideron se gjykata ka prezantuar një praktikë të rëndë të dënimit.

    Dhomat e Specializuara në Hagë kanë filluar zyrtarisht punën në maj 2015. Për shtatë vjet e gjysmë, Tromp thotë se është shqiptuar vetëm një aktgjykim.

    “Në shtatë vjet e gjysmë, nga gjashtë të paditur që u gjykuan në tri gjykime të ndryshme, vetëm një është finalizuar plotësisht. Gjykimi i dytë, që përfshin individin Pjetër Shala, me siguri do të finalizohet. Pra, në tetë vjetët e punës së Tribunalit, të Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kemi dy aktgjykime. Sa i përket katër individëve, në të ashtuquajturin gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, këta katër individë po gjykohen. Hapja e këtyre gjykimeve ishte në prill të vitit 2023 dhe nëse mund të gjykoni se sa i shpejtë ka qenë rasti i Salih Mustafës, dhe sa i shpejtë ishte (rasti i) Pjetër Shalës, atëherë mund të presim që gjykimi i Hashim Thaçit dhe të tjerëve të zgjasë së paku edhe tri deri në katër vjet”, deklaron Tromp.

    Nevenka Tromp, e cila shkroi librin “Gjykimi i papërfunduar i Millosheviqit”, shton se Dhomat e Specializuara nuk po punojnë me aktakuza të reja.

    Gruaja, e cila punoi për shumë vjet në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi, teksa flet për drejtësinë e këtij institucioni, thotë se po bën histori juridike interesante.

    Tromp konsideron se dënimi për Salih Mustafën është praktikë e rëndë që gjykata e ka prezantuar.

    Krahas kësaj, Tromp thotë se në rasti i Mustafës konsiderohet si “drejtësi e ashpër” dhe se dënimi maksimal për krime lufte është 15 vjet.

    Ligjëruesja pranë Universitetit të Amsterdamit flet edhe për kohëzgjatjen e gjykimit, për çka konsideron se bazuar në kohën për të cilën po bëhen hetimet, gjykimet duhet të përfundojnë në kohë më të shpejtë.

    Tromp pret që gjatë këtij viti të përfundojë rasti i Pjetër Shalës.

    Me 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, me seli në Hagë. Në këtë institucion, që funksionon me ligje të Kosovës, shërbejnë prokurorë e gjykatës të huaj.

    Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, për një periudhë kohore nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

    Në Gjykatën Speciale deri tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara të luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala e Salih Mustafa. Për këtë të fundit, Apeli ka vendosur dënimin prej 22 vjetësh.

  • Stano pas vendimit për targat: Përparimi është i mundshëm, s’ka kohë për të humbur

    Stano pas vendimit për targat: Përparimi është i mundshëm, s’ka kohë për të humbur

    Bashkimi Evropian (BE) thotë se ka shpresë që këtë vit Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritur deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku, duke ngulur këmbë se ato janë të detyrueshme dhe se duhet të zbatohen në tërësi nga të dyja palët.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të hënën në Bruksel se fillimi i zbatimit të marrëveshjes për targat këtë javë mes dy vendeve tregon se “kur ka vullnet nga palët, atëherë edhe përparimi është i mundur”.

    Kosova dhe Serbia njohën edhe zyrtarisht targat e njëra-tjetrës, duke mos e zbatuar nga 1 janari regjimin e letrave ngjitëse që mbulonin simbolet shtetërore në targa kur automjetet lëviznin në territoret e tyre përkatëse.

    “Puna në dialog vazhdon dhe fokusi është në implementim të asaj që është arritur pajtim në Bruksel dhe më pas në Ohër vitin e kaluar. E pamë në rastin e njohjes së targave të veturave se progresi është i mundur. Palët u pajtuan për zbatimin e vendimit për targat”, tha Stano.

    Ai theksoi se BE-ja do të punojë për t’u ndihmuar palëve t’i zbatojnë ato për çfarë janë zotuar dhe e përsëriti se ato janë të detyrueshme për palët.

    Blloku prej 27 vendesh e ndërmjetëson prej vitit 2011 dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që palët ta zbatojnë marrëveshjen, blloku evropian ka thënë se ajo nuk po zbatohet.

    Në pyetjen se çfarë mjetesh ka BE-ja për ta bindur Serbisë që të zbatojë marrëveshjen, pasi ajo është shprehur se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të saj, Stano tha të hënën se Serbia ka zgjedhur si orientim integrimin në BE dhe në rast të dështimit në zbatimin e detyrimeve, do t’i rrezikohej ky proces.

    “E dimë se ka edhe çështje tjera që Serbia duhet t’i përmbushë në procesin e integrimeve e jo vetëm Kosovën. Por, një më shumë do ta bëjë rrugëtimin edhe më të vështirë”, tha ai.

    Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

    Shtetet e Bashkuara kanë thënë vazhdimisht që dialogu për normalizimin e raporteve duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

    Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht i ka kërkuar Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të duhej t’i jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.

    Një draft-statut për Asociacionin iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Megjithatë, së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe disa ministra të tij do të shkruajnë draft-statutin për Asociacionin.

    Në lidhje me masave ndëshkuese që BE-ja i ndërmori ndaj Kosovës viti e kaluar, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit kur kryetarët shqiptarë u vendosën në zyrtarët e tyre në katër komunat me shumicë serbe pas zgjedhjeve të kundërshtuara dhe bojkotuara nga serbët lokalë, Stano tha se ato do të hiqen “kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”.

    Ai theksoi se blloku është duke e vëzhguar situatën në terren dhe duke punuar bashkë me partnerët për të parë nëse janë ndërmarrë masat e duhura.(REL)

  • Nisin përplasjet e para serioze në Spanjë pas njohjes së pasaportës së Kosovës

    Nisin përplasjet e para serioze në Spanjë pas njohjes së pasaportës së Kosovës

    Arsyet s’ia shpjeguan askujt pse, por pasaportën kosovare shteti spanjoll përfundimisht e njohu dhe pranoi.

    Kjo në dritën e heqjes së regjimit të vizave për lëvizje të lirë në zonën Schengen për shtetasit kosovarë.

    “El Pais” dje e konfirmoi përmes ministrisë spanjolle të punëve të jashtme se Pasaporta e Kosovës – për herë të parë – është pranuar zyrtarisht.

    Kësisoji duke e mbyllur një kapitull kokëfortë refuzimi ndaj shtetit kosovar – shtet me të cilin jo shumë kohë më parë s’pranonte të ulej as në mjedise shumështetëshe e as forume të zakonshme.

    “Pyetur nga EL Pais, Ministria e Punëve të Jashtme spanjolle ka konfirmuar pranimin e pasaportës së Kosovës në doganat spanjolle, edhe pse nuk shpjeguan arsyet që kanë çuar në këtë ndryshim”.

    U brohorit anekënd Kosovës për arritje të këndshme, dhe jo për pak kënd pikturoi një horizont optimist të vitnisjes 2024.

    Megjithatë kjo brohorimë gëzimi përbrenda arriti deri në titujt e mediave spanjolle; ku edhe veçse kanë nisur reagimet politike; dhe atë jo pak “të serta” për nga tonet.

    Partia më e madhe për nga numrat në zgjedhjet e fundit – Partia Popull0re (PP) – e ka denoncuar “ashpër” vendimin e shtetit spanjoll për njohjen e pasaportës kosovare, veprim të cilin e kanë interepretuar me “gogolin” e kahershëm ndërlidhës mes Kosovës dhe Spanjës: rastin e Katalonisë.

    Gazeta spanjolle ABC shkroi se PP ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Pedro Sanchez se ky vendim hap portën “që cilido vend tjetër të pranojë ndofarë pasaporte hipotetike katalonase në të ardhmen”.

    “PP-ja fajëson kthesën e re që ka marrë qeveria e Pedro Sánchez në politikën e jashtme, këtë herë duke pranuar pasaportat kosovare – diçka që e kundërshtoi vetëm nëntë muaj më parë – për varësinë që PSOE ka nga Lëvizja për Pavarësi Katalane për të kryer dekretet e saj në Kongresin e Deputetëve”, raportoi gazeta spanjolle.

    Burime të cituara nga ABC shkruajnë se vendimi për pranimin e pasaportave kosovare “është tundje e kokës në mirati ndaj lëvizjes indipendente”.

    “Kështu, PP e sheh si të mundshme që ndryshimi në lidhje me Kosovën të lidhet me një afrim me këtë shtet – i cili shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe nuk njihet zyrtarisht nga Spanja, për sa i përket votimeve të javës së ardhshme e bëjnë më të lehtë për Junts të ndryshojë pozicionin e tij”, raportoi më tej gazeta.

    Kësisoj popullorët thonë se me njohjen e pasaportës kosovare – dokument ky shtetëror – Qeveria e Spanjës “dëmtoi edhe njëherë mbrojtjen ndërkombëtare të Spanjës kundër lëvizjes së pavarësisë (së Katalonisë)”.

    Pranimi i pasaportave kosovare hap dyert “në të ardhmen çdo shteti të pranojë një pasaportë hipotetike katalane”, besojnë ata.

    Çfarë ndodhi?

    Tashmë edhe zyrtarisht Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës ka konfirmuar se pasaporta kosovare do të njihet dhe pranohet nga shteti spanjoll, në një përgjigje për gazetën prestigjioze “El Pais”; ndonëse në pyetjen se “pse?” kanë ndryshuar këtë qëndrim, autoritetet spanjolle nuk kanë dhënë shpjegim.

    “El Pais” e citoi së pari Zëvendës Kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, teksa thotë se njohja e pasaportës së Kosovës është konfirmuar në një përgjigje me shkrim për ta.

    Mes tjerash, gazeta spanjolle rikujton deklarimin – jo shumë kohë më parë – të Ministrit të Jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Albares i cili shprehej se duke qenë se “Spanja ka një politikë mosnjohëse ndaj Kosovës” kjo edhe nënkupton rrjedhimnisht “mosnjohje të pasaportave të Kosovës…mosnjohje që e kemi mbajtur vazhdimisht”.

    “Pyetur nga EL PAÍS, Ministria e Punëve të Jashtme spanjolle ka konfirmuar pranimin e pasaportës së Kosovës në doganat spanjolle, edhe pse nuk shpjeguan arsyet që kanë çuar në këtë ndryshim, i cili përfshin modifikimin e rregulloreve për dokumentacionin”, shkruan gazeta spanjolle.

    “Qeveria spanjolle vitet e fundit e ka kushtëzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës me një marrëveshje me Serbinë, por ka siguruar se kjo nuk do të pengojë afrimin e Qeverisë së Prishtinës me Bashkimin Evropian”.

    “Kështu, Qeveria spanjolle ka pranuar pjesëmarrjen e autoriteteve të Kosovës në samitet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, por duke përjashtuar flamujt dhe shenjat dalluese të shtetit të Kosovës. I fundit nga këto samite u mbajt më 13 dhjetor në Bruksel, nën Presidencën spanjolle të Unionit Evropian”, vijon artikulli.

    Kujtojmë se deklarimet shtetërore spanjolle ishin që edhe pas liberalizimit të vizave Spanja do të vazhdonte me mosnjohjen e pasaportave kosovare, për shkak se, siç thonin ata, Kosova për ta “është vetëm një territor me të cilidn BE ka marrëdhënie” dhe se do të qëndronin në linjën e tyre të kahershme mohuese dhe mosnjohëse.

  • Lutfiu: Diskriminimi i Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginë ka prekur kufijtë e racizmit

    Lutfiu: Diskriminimi i Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginë ka prekur kufijtë e racizmit

    Diskriminimi i Serbisë ndaj komunitet shqiptar në Luginë të Preshevës ka prekur kufijtë e racizmit, thotë kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu. Ai thotë se jeta e shqiptarëve në këto tri komuna nuk i ngjason një qytetari të rajonit. Në intervistën për KosovaPress, ai deklaron se vetëm në Bujanoc, Serbia po investon 5.3 milionë euro në shkollat serbe. Një gjë e tillë nuk po ndodh edhe në shkollat shqipe, për çka shprehet se janë në rrezik për mbyllje.

    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu thotë se çdo ditë e më tepër ka rënie të numrit të nxënësve në shkollat shqipe, për shkak të migrimit masiv.

    “Diskriminimi i shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar në Serbi i ka prekur kufijtë e racizmit. Për shkak që trendi i diskriminimit nuk është që po ndalon, por vazhdimisht po rritet…”, deklaron Lutfiu.
    Lutfiu thotë se nuk ka integrim të plotë të shqiptarëve në institucione, por tendencë për largimin e tyre nga puna.

    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar pohon se shqiptarët në të tri komunat e Luginës ndihen të rrezikuar të marrin edhe shërbime shëndetësore.
    “Ka hezitim të shqiptarëve të marrin shërbime shëndetësore në Luginë”, thotë ai mes tjerash.

    Në takimet me akterë ndërkombëtarë gjatë vitit të kaluar, Lutfiu tregon se me fakte ua ka paraqitur format e diskriminimit.

    “Jeta e qytetarëve shqiptarë nuk i ngjason një qytetari në vendet e rajonit”, thotë ai. Po ashtu, Nevzad Lutfiu përmend edhe mos-njohjen e diplomave të shqiptarëve të Luginës dhe pamundësinë për të punuar në vendin e lindjes. Ai konsideron se duhet të përpilohet një strategji kombëtare mes Kosovës dhe Shqipërisë se si t’i qasen interesave të shqiptarëve të Luginës.

  • Mbi 1orë pritje për të dalë nga Kosova në pikën kufitare në Merdar

    Mbi 1orë pritje për të dalë nga Kosova në pikën kufitare në Merdar

    Mbi një orë janë duke pritur qytetarët për të dalë nga Kosova në pikën kufitare në Merdar.

    Sipas të dhënave të Qendrës kombëtare për menaxhim kufitar, kolona e veturave që janë duke pritur për të dalë nga Kosova, në Merdar është 1 mijë e 200 metra.

    Ndërsa te Dheu i Bardhë pritjet shkojnë deri në 30 minuta derisa kolona e veturave është 150 metra.

    Në pikat e tjera nuk ka pritje as në hyrje e as në dalje, ose mesatarisht hyrja dhe dalja përllogariten rreth 3-5 minuta maksimum dhe pa kolona të pritjes.

  • PDK kritika ndaj kryeministrit për mos hartimin e një draft – statuti të Asociacionit

    PDK kritika ndaj kryeministrit për mos hartimin e një draft – statuti të Asociacionit

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, për mos hartimin e një draft statuti të Asociacionit, ka shprehur Partia Demokratike e Kosovës.

    Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, tha se kryeministri Kurti duhet që të merr vendim ta pranojë ose të refuzojë draftin e propozuar nga euro-amerikanët.

    “Ka qenë përgjegjësi e tij që të hartojë draftin që prej ditës që e ka marrë detyrën si kryeministër. Ne e kemi inkurajuar të bëjë një gjë të tillë, publikisht dhe privatisht në ato pak takime që jemi parë. Kosova do të duhej vetë të shkruajë draftin, në mënyrë që të bënte të qartë pozicionimin e vet institucional dhe shtetëror, dhe normalisht të kishte një pozicion shumë më të favorshëm në diskutimet e mëvonshme sa i përket arritjes së një pajtueshmërie me ndërmjetësit ndërkombëtarë”, tha Krasniqi.

    Sipas Krasniqit, drafti i Asociacionit krijon një nivel të ri të pushtetit në Kosovës, pasi sipas tij, ky draft ka kompetenca të qarta ekzekutive.

    “Drafti i statutit është absolutisht i dëmshëm për të ardhmen e Kosovës, krijon paqartësi të cilat vërtet mund të rrezikojnë karakterin e shtetit tonë në të ardhmen. Definitivisht krijon mundësi konkrete për krijimin e niveli të ri të pushtetit, pasi asociacionit i japin kompetenca të qarta ekzekutive. Në ditën e miratimit të tij dhe themelimit të asociacionit, drafti mund të duket që nuk ka kompetenca të shtuara ekzekutive, por hapat pasues të cilat i lejon të ndërmerre në nivel të komunave dhe asociacionit si trup i ri krijojnë një nivel të ri të pushtetit”, tha Krasniqi.

    Kritikave të opozitës iu është përgjigjur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila.

    “Kryeministri ka shprehur gatishmërinë të nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshje aneksit dhe zbatimit të Ohrit në tersi, nuk ka thënë që është draft i Asociacionit në veçanti i pranuar dhe me aq përmbyllet ky proces. E dyta që si draft është draft i propozuar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria vetëm ka dorëzuar komentet dhe e treta që nuk mund të këtë mekanizëm tjetër jashtë mekanizmit të institucioneve të Kosovës që bënë zbatim të tij”, tha Kusari- Lila.

    Më 21 tetor të vitit të kaluar, emisarët euro-amerikanë paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vete menaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Spanja njeh pasaportat, por jo pavarësinë e Kosovës

    Spanja njeh pasaportat, por jo pavarësinë e Kosovës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Pasaporta e Kosovës tashmë njihet zyrtarisht nga Mbretëria e Spanjës.

    Në shtetin mos-njohës të pavarësisë së Kosovës, kosovarët mundë të shkojnë pa viza, kurse Spanja është e fundit nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen, që hapi dyert për kosovarët.

    Por, një dokument i publikuar në uebfaqen e njërit nga departamentet e Komisionit Evropian, njofton se njohja e pasaportës së Kosovës nga ana e Spanjës, “nuk nënkupton në asnjë formë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”.

    Pavarësisht kësaj, profesori universitar Basri Muja e vlerëson si hap pozitiv njohjen e pasaportës së Kosovës nga Spanja.

    “Nëse marrim aspektin praktik, qytetarët e Kosovës, do kenë mundësi që të lëvizin lirshëm në gjithë hapësirën e Bashkimit Evropian…Nga ana simbolike e ka një rëndësi ndoshta edhe më të madhe, sepse një shtet i cili ka qenë më rixhidi sa i përket pavarësisë së Kosovës, e ka njoft pasaportën. Ne e dijmë se pasaporta e një shteti paraqet njërin prej simbole më të rëndsishme të shtetit dhe vetëm shtetet kanë pasaporta”, tha Muja.

    Sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, Kosova duhet që në vitin 2024 të synojë hapjen e një zyre ndërlidhëse me Spanjën, që do ndikonte pozitivisht në kontekst të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes shteteve.

    “Natyrisht ndoshta njohja e dokumentave zyrtare të Kosovës nga Republika e Spanjës është një thyerje akujsh mes raporteve të Kosovës me Spanjën. Ajo çfarë duhet të bëjë Republika e Kosovës duhet të bëjë përpjekje që të kemi një zyrë ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Madrid, kjo do ishte një hap i përfaërt në rast se ndërtohet kjo zyrë atje, drejt njohjes përfundimtare nga Republika e Spanjës”, tha Sadiku.

    Ndërkohë, profesori Muja, thotë se edhe koalicioni qeverisës aktual në Spanjë, paraqet një momentum të favorshëm për Kosovën.

    “Unë shpresoj që në muajt në vijim do marrim lajmë të mira nga Spanja, sepse Spanja udhëhiqet nga një koalicion qeveritar i majt…dhe anëtar të koalicionit janë edhe dy parti regjionale, njëra katalonase dhe tjetra baske që kanë qëndrime miqësore ndaj Kosovës prandaj unë mendoj se ky është një indikacion i mirë”, tha Muja.

    Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

    Ndërkaq, të pestat këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

    Njohja e pasaportave nga Spanja u paraqit si arritje politike dhe si lajm u postua e u përhap nga të dy zv kryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla si dhe shumë zyrtarë të tjerë të pushtetit.

    Vitin e kaluar, në cilësinë e Kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti ka qëndruar në Spanjë, ndërkombëtar të partive të majta. Kurti në Spanjë kishte shkuar nga Franca ku ishte pjesëmarrës në Forumin e Paqes në Paris.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: