ATV

Tag: Ballina

  • VV-ja garon në zgjedhje në koalicion me GUXO, Alternativën dhe PSHDK-në

    VV-ja garon në zgjedhje në koalicion me GUXO, Alternativën dhe PSHDK-në

    Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 7 qershorit do të garojë së bashku me Guxo, Alternativën e PSHDK-në.

    Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga vetë Guxo para pak minutave.

    Sipas Guxo-së, ky nuk është një bashkim i përkohshëm, por një qëndrim politik i vendosur për të qeverisur me përgjegjësi.

    Njoftimi i plotë:

    Sot u vulos vazhdimi i një rruge të përbashkët politike: Partia GUXO, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Partia ALTERNATIVA dhe Partia Shqiptare Demokristiane nënshkruan Marrëveshjen e Koalicionit, si angazhim i qartë përpara qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    Ky nuk është një bashkim i përkohshëm, por një qëndrim politik i vendosur për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për ta vendosur qytetarin e Republikës në qendër të çdo vendimi.

    Ne hyjmë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet vetëm përmes drejtësisë që vepron, institucioneve që funksionojnë dhe një qeverisjeje që nuk i shmanget llogaridhënies. Lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare nuk janë premtime, por detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.

    Ky koalicion përfaqëson stabilitet, drejtim dhe qartësi politike: një Republikë më të fortë brenda dhe më të sigurt jashtë, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe me partneritete strategjike të konsoliduara.

    Partia GUXO qëndron në këtë bashkim me përgjegjësi të plotë, për të garantuar se politika nuk mbetet fjalë, por kthehet në veprim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

  • Përfundon afati për deklarim në KQZ: 22 parti konfirmuan pjesëmarrjen

    Përfundon afati për deklarim në KQZ: 22 parti konfirmuan pjesëmarrjen

    Në mesnatë ka përfunduar afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, si dhe për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore.

    Sipas të dhënave të fundit të përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbrëmë deri në orën 21:30, u pranuan njoftime për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, njoftime për mospjesëmarrje nga 8 parti politike, si dhe dy njoftime për formim të koalicioneve, të përbëra nga pesë parti politike.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, partitë politike që deri mbrëmë kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë:

    Partia Socialdemokrate

    Kosovaki Nevi Romani Partia

    Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve

    Za Slobodu Pravdu i Opstanak

    Srpska Lista

    Yenilikçi Türk Hareket Partisi

    Lidhja Demokratike e Kosovës

    Fjala

    Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës

    Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK

    Socialdemokratska Unija

    Jedinstvena Goranska Partija

    Kosova Demokratik Türk Partisi

    Nova Demokratska Stranka

    Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës

    Kosovski Savez

    Partia Balliste

    Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale

    Partia Liberale Egjiptiane

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

    Stranka Demokratske Akcije

    Partia Demokratike e Kosovës.

    Ndërkohë, partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë:

    Partia Demokratike e Unitetit

    Balli Kombëtar i Kosovës

    Lëvizja Qytetare Vatra

    Bashkimi për Ndryshim Anamorava

    Partia e Drejtësisë

    Srpski Narodni Pokret

    Partia Reforma Demokratike

    Aleanca Kosova e Re.

    Sa i përket koalicioneve, deri tani KQZ ka pranuar njoftimin për formimin e dy koalicioneve:

    Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT);

    Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar).

    Në mesin e partive të mëdha politike që ende nuk kanë njoftuar zyrtarisht pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 21:30 të mbrëmshme është edhe Lëvizja Vetëvendosje.

    KQZ ka sqaruar se njoftimi për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe deklarimi i koalicioneve është proces i ndarë nga aplikimi për certifikim të subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë.

    Afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike – përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – ka nisur më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj. Ndërkaq, dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë ka filluar më 2 maj dhe do të zgjasë deri më 12 maj 2026.

  • Fatmir Limaj shprehet i gatshëm t’i bashkohet PDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit

    Fatmir Limaj shprehet i gatshëm t’i bashkohet PDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit

    Kreu i NISMËS Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se ekziston ende vullneti politik për bashkëpunim dhe ndërtim të një liste të përbashkët për zgjedhjet e 7 qershorit, duke aluduar në mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike të Kosovës.

    Në Debat Plus, Limaj tha se ky vullnet ka ekzistuar edhe në zgjedhjet e dhjetorit dhe vazhdon të jetë prezent edhe tani.

    Ai theksoi se qëllimi i një bashkëpunimi të tillë do të ishte ndryshimi i qeverisjes dhe krijimi i një alternative politike që, sipas tij, do ta nxirrte vendin nga situata aktuale.

    “Ka qenë vullnet edhe në zgjedhjet e dhjetorit, është një vullnet edhe sot. Edhe vendim i dhjetorit i strukturave, është edhe sot. Që vullnet nuk ka mungon. Jemi të interesuar që të ndërtojmë një listë të përbashkët, për atë që folëm më herët për ndryshimin e qeverisjes. Sot është luks me u marrë me njeri tjetrin, kur po themi që Kosova është në rrugën e keqe. Nëse është Kosova në rrugën e keqe, të gjithë që po besoj që është në rrugën e keqe, është koha të bashkohemi. Të maksimalizojmë vullnet a tyre që besojmë si ne. Dhe të mos lejomë m u bë më keq Kosova”, ka thënë Limaj.

    Krahas kësaj, Limaj deklaroi gjithashtu se Bedri Hamza është kandidati më i mirë për kryeministër.

  • Aktivistja Arjeta Musliu i hyn politikës, i bashkohet ekipit të Vjosa Osmanit

    Aktivistja Arjeta Musliu i hyn politikës, i bashkohet ekipit të Vjosa Osmanit

    Vjosa Osmani ka prezantuar Arjeta Musliun, si pjesë të ekipit të saj, duke thnë se do të jetë kandidate për deputete.

    Arjeta Musliu kishte përjetuar vdekjen e djalit të saj poër shkak të substancave narkotike, Osmani për të tha se historia e saj nuk u formësua nga politika, por nga dhimbja.

    Postimi i plotë:

    Historia e saj nuk u formësua nga politika, por nga dhimbja.

    Me një plagë që shumëkush nuk e sheh, por që ajo e ka kthyer në forcë. Në vend që ta thyejë, ajo e ka shndërruar në mision për të shpëtuar jetë, për t’u dhënë zë familjeve që luftojnë në heshtje, për t’u rikthyer shpresën atyre që e kanë humbur.

    Kjo është Arjeta Musliu.

    Një grua që nuk vjen në këtë rrugëtim për veten e saj, por për çdo nënë që zgjohet çdo ditë me frikën për fëmijën, për çdo motër e vëlla që nuk pranon të dorëzohet, për çdo familje që ka përjetuar dhimbjen e varësisë nga substancat narkotike, për çdo të ri që ka nevojë për një dorë që e nxjerr nga errësira.

    Për këtë rrugëtim, pata nderin që në vitin 2021 ta dekoroj me Urdhrin Presidencial “Shote Galica”.

    Arjetën e kemi mbështetur dje.

    E mbështesim sot.

    Dhe do ta mbështesim gjithmonë.

    Ajo do të jetë zëri i kësaj kauze në Kuvendin e Kosovës

    E dashur Arjeta, mirë se vjen

  • Bajrami reagon për shpalljen e konkursit për tri pozita në Ministrinë e Drejtësisë

    Bajrami reagon për shpalljen e konkursit për tri pozita në Ministrinë e Drejtësisë

    Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar lidhur me shpalljen e konkursit për tri pozita në Ministrinë e Drejtësisë.

    Bajrami përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se shpallja e rreth 20 pozitave të larta udhëheqëse në prag të shpërndarjes së Kuvendit, nuk paska qenë fundi.

    Sipas saj edhe drejtësia shpallë konkurse në kundërshtim me ligjin.

    Postimi i saj i plotë:

    Nuk paska qenë fundi

    Pas shpalljes së rreth 20 pozitave të larta udhëheqëse në prag të shpërndarjes së Kuvendit, qenkan shpallë edhe 3 pozita të tjera nga Ministria e Drejtësisë:

    1. Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas,

    2. Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar,

    3. Drejtor i Përgjithshëm në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë,

    Pra, edhe drejtësia, shpallë konkurse në kundërshtim me Ligjin,

    Institucionet që lidhen me ndihmën juridike, me pasurinë e sekuestruar dhe me inspektimin brenda Ministrisë së Drejtësisë, u bënë pjesë e valës se konkurseve joligjore, dmth. zgjedhin udhëheqës në mënyrë joligjore detyrë e të cilëve është zbatimi i ligjit.

    Ligji për Qeverinë është i qartë.

    Neni 31 – Kufizimet e Qeverisë në dorëheqje përcakton se Qeveria në dorëheqje:

    “Nuk inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve përkatëse.”

    Qeveria në dorëheqje nuk është qeveri me mandat të plotë. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet sepse me vetëdëshirë e ka dërgu vendin në zgjedhje dhe tani duhet të sillet konform kufizimeve ligjore.

    Ajo duhet të kryejë vetëm punët e domosdoshme, jo të hapë konkurse për pozita kyçe në administratë, agjenci, drejtësi e institucione publike. Institucionet nuk janë pronë partie, drejtësia nuk është strehë për militantë dhe shteti nuk është zyrë punësimi për pushtetin në ikje.

    Qeveria e re duhet t’i ndalë menjëherë këto procese, t’i shqyrtojë të gjitha konkurset e shpallura në këtë periudhë dhe të sigurojë që pozitat publike të plotësohen vetëm me njerëz profesionistë, të pavarur dhe me integritet.

  • Shtyerja e vendimit ndaj çlirimtarëve në Hagë, OVL-UÇK dërgon letër apeli në ambasadat mike

    Shtyerja e vendimit ndaj çlirimtarëve në Hagë, OVL-UÇK dërgon letër apeli në ambasadat mike

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar opinionin publik se sot, zyrtarisht, u është drejtuar ambasadave mike në Kosovë me një letër apeli pas vendimit për shtyerjen e aktgjykimit të vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    OVL-UÇK thekson se kjo letër apeli është dërguar me qëllim për ruajtjen e besimit në drejtësinë ndërkombëtare, raporton KlanKosova.tv.

    ‘Argumentet juridike janë shteruar. Ajo që mbetet është pesha morale dhe institucionale e një vendimi, pasojat e të cilit shtrihen përtej individëve, duke prekur besueshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare në vendin tonë.Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë. Ajo lindi nga domosdoshmëria, nga e drejta e një populli për të jetuar i lirë në tokën e tij. Kjo përpjekje nuk mund të thjeshtohet në një interpretim të ftohtë procedural. Ishte një përkushtim ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor përballë shtypjes sistematike, një qëndrim për vlerat demokratike kur nuk kishte mbetur asnjë rrugë tjetër. Çdo përfundim që nuk e pasqyron me drejtësi këtë realitet historik rrezikon shtrembërimin e tij. Kjo thellon perceptimet e padrejta. Kjo lëndon ndërgjegjen qytetare të atyre që e përballuan atë epokë dhe e ngritën këtë shtet mbi atë që dhanë’, thuhet në letrën e OVL-UÇK-së drejtuar ambasadeve mike.

    Letra e plotë:

    I/E nderuar Ambasador,

    Ndërsa Kosova pret vendimin përfundimtar që do ta merret nga Gjykata Speciale, u drejtohemi miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë në emër të mijëra veteranëve dhe qytetarëve, besimin e të cilëve e mbartim me përgjegjësi të plotë.

    Argumentet juridike janë shteruar. Ajo që mbetet është pesha morale dhe institucionale e një vendimi, pasojat e të cilit shtrihen përtej individëve, duke prekur besueshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare në vendin tonë.

    Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë. Ajo lindi nga domosdoshmëria, nga e drejta e një populli për të jetuar i lirë në tokën e tij. Kjo përpjekje nuk mund të thjeshtohet në një interpretim të ftohtë procedural. Ishte një përkushtim ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor përballë shtypjes sistematike, një qëndrim për vlerat demokratike kur nuk kishte mbetur asnjë rrugë tjetër. Çdo përfundim që nuk e pasqyron me drejtësi këtë realitet historik rrezikon shtrembërimin e tij. Kjo thellon perceptimet e padrejta. Kjo lëndon ndërgjegjen qytetare të atyre që e përballuan atë epokë dhe e ngritën këtë shtet mbi atë që dhanë.

    Mbetemi të bindur se akti përfundimtar do ta pasqyrojë me seriozitet të vërtetën historike. Paqja dhe stabiliteti në Kosovë nuk mund të ndahen nga besimi i qytetarëve se drejtësia është e paanshme dhe e besueshme. Kosova ka dëshmuar, vazhdimisht dhe pa rezerva, përkushtimin e saj ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmbushjes së detyrimeve të veta.

    Prandaj, vendimi përfundimtar duhet ta forcojë besimin e jo ta dobësojë, ta ruajë stabilitetin e jo ta cenojë. Ai duhet ta çojë përpara partneritetin mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare mbi bazën e respektit të ndërsjellë. Një vendim i tillë duhet të qëndrojë në harmoni me themelet e lirisë dhe shtetësisë sonë: të siguruara përmes sakrificës, të mbrojtura përmes besnikërisë ndaj interesit kombëtar, të mbajtura gjallë nga vendosmëria e një populli liridashës.

    Me respekt, OVL UÇK.

  • Jeta Statovci i bashkohet Vjosa Osmanit për zgjedhjet e 7 qershorit

    Jeta Statovci i bashkohet Vjosa Osmanit për zgjedhjet e 7 qershorit

    Ish-presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se ish-deputetja Jeta Statovci i është bashkuar për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Statovci ishte deputete e VV-së, në mesin e deputetëve të GUXO-s.

    Lajmin e ka bërë të ditur Osmani, përmes një postimi në Facebook.

    Postimi i plotë:

    E nisëm bashkë rrugëtimin në Kuvend. Dhe bashkë po vazhdojmë drejt Kuvendit.

    Jeta Statovci ishte vetëm 26 vjeçe kur mori mandatin e saj të parë, për t’u rikonfirmuar tri herë radhazi me besimin e qytetarëve, duke qenë vazhdimisht ndër deputetet më të votuara.

    Na kanë bashkuar ndër vite virtyti, vizioni, vullneti dhe e vërteta. Mbi të gjitha, na bashkojnë vlerat mbi të cilat e nisëm këtë rrugëtim. E kur ato devijojnë, ne ringrihemi në këmbë, për dashurinë ndaj vendit dhe për rrugëtimin e sigurt të Kosovës.

    Na priftë e mbara, gjithmonë përkrah.

  • Shtyrja e vendimit për ish-krerët e UÇK-së, Kurti: Qeveria s’ka qasje në dinamikat e Gjykatës Speciale

    Shtyrja e vendimit për ish-krerët e UÇK-së, Kurti: Qeveria s’ka qasje në dinamikat e Gjykatës Speciale

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vendimin e Gjykatës Speciale për shtyrjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet e Gjykatës Speciale.

    “Sa i përket vendimit të Speciales që të shtyhet për dy muaj nëse s’gaboj vendimi i tyre ne e morëm vesh sikurse gjithë ju për shkak se Qeveria nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Speciale, e cila nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë. Kosova ka nevojë për gjykata normale e jo për gjykata speciale”, ka thënë Kurti.

    Ai ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë.

    “Lufta e UÇK-së ishte dhe gjithmonë do të kujtohet dhe mësohet në histori si luftë e drejtë, e cila ishte kundër një okupatori, armiku që kishte projekt gjenocidal kundër popullit tonë… Në vend se të kemi gjykata normale kemi një gjykatë speciale, e cila i vonon vendimet. Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe pafajësinë e krerëve të UÇK-së”, ka shtuar Kurti.

  • Ari në portofolin e rezervave për herë të parë në Kosovë

    Ari në portofolin e rezervave për herë të parë në Kosovë

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) konsideron se ka shënuar një moment historik në zhvillimin e aseteve zyrtare rezervë të Kosovës, me përfshirjen e arit për herë të parë në portofolin e rezervave të saj, transmeton KosovaPress.

    Sipas BQK-së, përfshirja e arit në portofolin e rezervave të Kosovës për herë të parë përfaqëson hapin fillestar të një procesi afatgjatë të alokimit strategjik, duke reflektuar progresin më të gjerë institucional të këtij institucioni.

    “Ajo ndërtohet mbi qëndrueshmërinë tashmë të konsoliduar financiare të BQK-së, qeverisjen e shëndoshë dhe kornizën e kujdesshme të politikave. Përmes menaxhimit të kujdesshëm financiar, alokimit efektiv të aseteve dhe qeverisjes së brendshme të fuqizuar, BQK-ja ka ruajtur një model institucional të qëndrueshëm, duke i mundësuar edhe realizimin e kontributeve të rregullta vjetore në buxhetin e shtetit, në përputhje me kornizën e saj ligjore.

    BQK vlerëson se ari tradicionalisht ka luajtur rol të rëndësishëm në menaxhimin e rezervave të bankave qendrore, si instrument afatgjatë i ruajtjes së vlerës dhe i diversifikimit. Për BQK-në, përfshirja e tij përfaqëson një hap strategjik drejt forcimit të mëtejshëm të qëndrueshmërisë së portofolit rezervë, zbutjes së rreziqeve dhe mbështetjes së stabilitetit financiar afatgjatë.

    BQK-ja mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe për sigurimin që praktikat e menaxhimit të rezervave të vazhdojnë të mbështesin stabilitetin financiar, besueshmërinë institucionale dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Republikën e Kosovës.

    Sipas njoftimit, ky zhvillim përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe reflekton modernizimin e vazhdueshëm të kornizës së menaxhimit të rezervave të BQK-së. Përfshirja e arit forcon më tej diversifikimin, qëndrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të portofolit rezervë, duke përafruar praktikat investuese të BQK-së me standardet dhe praktikat bashkëkohore ndërkombëtare, si dhe me praktikat e shëndosha të bankave qendrore.

    “Gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka ndërmarrë një transformim gjithëpërfshirës të praktikave të menaxhimit të aseteve, administrimit dhe menaxhimit të rrezikut. Këto reforma janë mbështetur në politika të mirëpërcaktuara të brendshme, mekanizma të forcuar të qeverisjes dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Thesarin e SHBA-së, Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se një shtyllë kyçe e këtij progresi ka qenë pjesëmarrja e BQK-së në Programin e Partneritetit për Këshillim dhe Menaxhim të Rezervave të Bankës Botërore (RAMP), fillimisht e fokusuar në asistencë teknike dhe së fundmi e avancuar përmes një Mandati për Menaxhimin e Investimeve.

    “Ky bashkëpunim ka mbështetur forcimin e kornizës së politikave investuese të BQK-së, rregulloreve mbështetëse, kapaciteteve institucionale, si dhe funksioneve të menaxhimit të rrezikut, monitorimit dhe analizës”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit, paralelisht, BQK-ja ka zbatuar një strategji të rishikuar për marrëdhëniet bankare korrespondente dhe kujdestarinë e aseteve, përfshirë vendosjen e marrëdhënieve me banka qendrore brenda Eurosistemit dhe me banka ndërkombëtare komerciale me reputacion. BQK-ja ka avancuar gjithashtu angazhimin me ofrues kyç të infrastrukturës globale, përfshirë Clearstream, për shërbime të menaxhimit të kolateralit dhe kujdestarisë së aseteve. Këta hapa kanë zgjeruar mundësitë e BQK-së për të menaxhuar likuiditetin në mënyrë efektive, duke rritur njëkohësisht kapacitetin e saj operacional dhe strategjik për menaxhimin e rezervave në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur çmimet tavan për derivatet e naftës që do të jenë në fuqi gjatë ditës së sotme.

    Sipas këtij vendimi, çmimi maksimal për naftën (dizel) është caktuar në 1.69 euro për litë, ndërsa benzina do të tregtohet deri në 1.51 euro për litër, një cent më shtrenjtë se dje.

    Ndërkaq, çmimi i gazit është përcaktuar në 0.81 euro për litër.