ATV

Tag: Ballina

  • ​Çfarë ndikimi mund të ketë raporti i ekspertëve britanikë për Specialen?

    ​Çfarë ndikimi mund të ketë raporti i ekspertëve britanikë për Specialen?

    Javën e kaluar është prezantuar nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, raporti i ekspertëve britanikë lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ky raport preliminar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, ka ngritur shqetësime lidhur me “kohëzgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimet e komunikimeve familjare por edhe ato profesionale me ekipet e mbrojtjes”.

    Institucioni i Avokatit të Popullit i ka thënë KosovaPress-it, se ky raport “ka kontribut të rëndësishëm për të siguruar respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare për proces të rregullt dhe të drejtë”.

    Në këtë përgjigje, po ashtu nënvizohen edhe pritjet e këtij institucioni pas gjetjeve në raport.

    “Pritjet tona janë që gjetjet dhe vlerësimet e paraqitura të shërbejnë si një bazë e dobishme për reflektim të mëtejmë dhe për një dialog konstruktiv ndërmjet të gjithë akterëve përkatës, me qëllim avancimin e mëtejshëm të praktikave dhe garancive procedurale në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sa i përket efektit të raportit, mbetet e rëndësishme që ai të trajtohet me vëmendjen e duhur dhe në frymën e bashkëpunimit institucional. Duke pasur parasysh natyrën e tij të pavarur dhe profesionale, konsiderojmë se raporti ka potencialin të kontribuojë pozitivisht në forcimin e standardeve të drejtësisë dhe në rritjen e besimit në proceset gjyqësore”, thuhet në këtë përgjigje të Institucionit të Avokatit të Popullit.

    Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep thotë se ky raport nuk do të ketë ndikim në vendimmarrje apo funksionim.

    Ajo në një përgjigje për KP thekson se “Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor i pavarur” dhe se “raporti nuk do të ketë asnjë ndikim në punën e Speciales”.

    “Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast për të sqaruar se, ndryshe nga raportimet e fundit në mediat e Kosovës, Raporti i BHRC-së nuk përmban asnjë konstatim se ndonjë vendim i gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara ka shkelur të drejtat e njeriut të ndonjë të akuzuari, dhe as nuk përfundon se jurisprudenca e Dhomave të Specializuara shkel apo bie ndesh me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut apo të ndonjë tribunali ndërkombëtar ad hoc, përfshirë ICTY-në. Raporti i BHRC-së po ashtu nuk konstaton se vendimet mbi paraburgimin kanë shkelur ndonjë konventë për të drejtat e njeriut. Përkundrazi, Raporti i BHRC-së reflekton mbi mundësinë efektive të mjeteve juridike para KSC-së dhe faktin se shumë çështje janë ende në proces gjyqësor dhe mund të apelohen në instanca më të larta”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Dhomave.

    Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp thotë se raporti ngre shumë çështje ligjore, por flet edhe për rëndësinë e transparencës gjatë procesit gjyqësor.

    “Vlera më e madhe është se ky raport tregon rëndësinë e transparencës ndaj institucioneve ligjore si kjo gjykatë, ose çdo gjykate tjetër. Ato mund të ndiqen, analizohen, kritikohen gjatë funksionimit të tyre. Ajo që thuhet për funksionimin e gjykatës, jo vetëm në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, por edhe në rastet e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, është se këto organizata thjesht bëjnë monitorim dhe raportim. Kjo është pjesë shumë e rëndësishme e sundimit të ligjit, që organizata të tilla ekzistojnë dhe ndihmojnë në përfshirjen e publikut më të gjerë, jo vetëm juristëve, në debat dhe diskutim. Megjithatë, ato nuk janë palë në proces dhe ajo që thonë nuk merret si pjesë e procedurës gjyqësore. Në fund të fundit, një proces penal ka të bëjë vetëm me palët që kanë të drejtë të paraqiten në gjykim: prokuroria, mbrojtja dhe ndonjëherë palë të treta, si shteti kur kërkon të mbrojë interesat e tij. OJQ-të zakonisht nuk janë palë në proces. Ato mund të thirren si dëshmitarë ekspertë ose të dorëzojnë raporte, por jo më shumë se kaq. Në këtë rast, kjo nuk ka ndodhur. Kjo OJQ ka vendosur, si në raste të tjera, të analizojë funksionimin e gjykatës dhe punën e saj në lidhje me krimet e pretenduara të anëtarëve të UÇK-së në periudhën 1998–1999”, deklaron ajo për KosovaPress.

    Sipas saj, ky raport, nuk mund të jetë pjesë e procedurës sepse rasti është i mbyllur dhe gjyqtarët do të vendosin vetëm mbi bazën e provave të paraqitura nga dy palët gjatë procesit.

    Shqetësim i madh gjatë këtij procesi është ngritur edhe për pranimin nga ana e Gjykatës Speciale të dokumenteve prej autoriteteve të Serbisë, në cilësinë e provave materiale.

    Për këtë çështje flet edhe Tromp, e cila punoi për shumë vite në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë.

    “Kur bëhet fjalë për drejtësinë e procesit dhe pretendimet për paragjykim ndaj të akuzuarve, një nga çështjet lidhet me provat. Aty thuhet se mënyra se si prokuroria ka paraqitur një sasi shumë të madhe provash, një numër i madh dokumentesh dhe prova dokumentare, si dhe mënyra se si gjyqtarët i kanë pranuar ato si prova për t’u marrë parasysh në vendim, nuk është domosdoshmërisht mënyra se si duhet të bëhet. Sepse çdo provë duhet të paraqitet nga prokuroria duke shpjeguar qartë rëndësinë dhe lidhjen e saj me akuzat penale dhe me aktakuzën. Ata ngritin pyetjen: si mund të kalojnë gjyqtarët nëpër një sasi kaq të madhe dokumentesh dhe të përcaktojnë rëndësinë e provave për elementet e veprës penale, qoftë për krimet e kryera apo për qëllimin kriminal? Sipas tyre, kjo nuk mund të jetë e saktë, sepse akuzat janë shumë serioze për t’u trajtuar thjesht duke dorëzuar ‘ngarkesa të mëdha dokumentesh’ gjyqtarëve, pa që prokuroria të shpjegojë dokument për dokument relevancën e tyre. Prandaj mendoj se është një çështje shumë e drejtë që kanë ngritur”, thotë më tej Tromp.

    Një raport të tillë si të ekspertëve britanikë, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) kishte kërkuar në shumë se në një takim me partitë opozitare.

    “Tek të gjitha partitë politike opozitare që janë parlamentare kemi kërkuar, njëra prej arsyeve kur jemi takuar me ta, kam kërkuar votën e deputetëve të tyre për kontraktimin e një instituti të pavarur ndërkombëtar që shkon dhe e monitoron procesin në Gjykatën Speciale atje. Prandaj ne e vlerësojmë lartë gatishmërinë e partive politike opozitare parlamentare që na kanë dhënë neve mbështetjen që kurdo që kjo ide vjen në kuvend, ne jemi të gatshëm të japim votën tonë. Mund të them lirisht që të gjithë deputetët opozitarë kanë qenë të gatshëm që të japin votën që kuvendi si institucioni më i lartë në vendin tonë të mund të kontraktojë një institut sepse tek e fundit edhe vet Gjykata Speciale buron nga kuvendi. Por, nuk ka pasur vullnet qeveritar që qeveria të iniciojë sepse Ministria e Drejtësisë do të ishte dashur të iniciojë diçka të tillë dhe të vij dhe të marrë aprovimin edhe në kuvend”, thekson nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla.

    Syla shton se raporte të tilla në shumë raste në botë kanë parandaluar gjykim të njëanshëm dhe politik.

    “Prandaj, kur ka shkuar ky institut [Trial Ëatch] dhe ka trajtuar çështje të procesit dhe i ka nxjerrë dështimet që i ka pasur procesi gjyqësor atje, këto dështime kur janë dalë në sipërfaqe besoni ose jo kemi raste edhe një gazetari edhe shumë raste të tjera që ata janë liruar se bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar që atje po ndodhë një gjykim politik, apo një gjykim i njëanashëm dhe prandaj besoni që ka ndikuar edhe deri në lirimin e atyre personaliteteve që janë arrestuar e janë provuar të gjykohen për arsye të atij pushteti që ka udhëhequr në atë pushtet, shteteve të cilët nuk janë demokratike që kanë provuar të arrestojnë gazetarë, qofshin edhe politikanë të ndryshëm që janë marrë me të drejtat e njeriut, i kanë arrestuar. Edhe ndikimi i atyre instituteve që janë të pavarura në gjykime ndërkombëtare, ka pasur ndikim aq të madh që ka përfunduar edhe me lirimin e atyre personave për të cilët u menduar që ai pushteti do i mbajë paligjshëm”, ka thënë ai.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt ku edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Edhe mbrojtja e tyre ka mohuar krimet për të cilat pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

  • Limaj i çon letër Hamzës, kërkon që Nisma të jetë në listën e PDK-së në zgjedhje

    Limaj i çon letër Hamzës, kërkon që Nisma të jetë në listën e PDK-së në zgjedhje

    Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i ka dërguar letër kreut të PDK-së, Bedri Hamza, që partia e tij të jetë pjesë e listës së kësaj partie, për të garuar në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Në letrën që ka siguruar Klan Kosova, Limaj ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik, në “funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

    “NISMA Socialdemokrate dhe unë, si kryetar i saj, kemi shprehur vazhdimisht, si para këtyre zgjedhjeve ashtu edhe në vazhdimësi, gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik në funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.

    Ne besojmë se një bashkim i tillë nuk përfaqëson vetëm një marrëveshje politike apo elektorale, por edhe një frymë të bashkëpunimit ndërmjet njerëzve dhe strukturave që për vite të tëra kanë ndarë ideale, sakrificë dhe vizion të përbashkët për Kosovën.

    Në këtë frymë, dëshirojmë të theksojmë se angazhimi ynë nuk udhëhiqet nga kërkesa të veçanta politike apo organizative, por nga bindja se bashkimi dhe koordinimi i potencialit opozitar është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

    Njëkohësisht, shprehim gatishmërinë tonë për të dhënë kontributin e plotë politik, organizativ dhe elektoral në kuadër të këtij procesi të përbashkët.

    Duke besuar në mirëkuptimin, respektin reciprok dhe vullnetin për bashkëpunim, mbetemi të gatshëm për koordinimet dhe hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces.” – përfundon kjo shkresë që ka shkuar sot te PDK-ja.

  • Dallaveret me njëhsorë, 35 mijë euro gjobë KEDS’it

    Dallaveret me njëhsorë, 35 mijë euro gjobë KEDS’it

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i ka shqiptuar KEDS’it gjobë prej 35 mijë euro lidhur me dallaveret me njëhsorë, shkruan Reporteri.net.

    Gjoba është shqiptuar pas verifikimit laboratorik të 16 njehsorëve elektrikë të konsumatorëve, që kanë paraqitur ankesa, janë konstatuar një sërë parregullsish.

    Sipas rezultateve të verifikimit, në 6 raste është konstatuar se njehsorët elektrikë kishin afat të skaduar të verifikimit, ndërsa në 6 raste të tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë.

    “Po ashtu, në një rast është konstatuar heqje e miratimit të tipit të njehsorit elektrik, ndërsa 3 njehsorë të tjerë vazhdojnë të jenë në procedurë të verifikimit laboratorik. Bazuar në këto gjetje, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh”, thuhet në njoftim.

  • ​IKSHPK qetëson qytetarët, rreziku nga Hantavirusi në Kosovë mbetet shumë i ulët

    ​IKSHPK qetëson qytetarët, rreziku nga Hantavirusi në Kosovë mbetet shumë i ulët

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se rreziku nga infeksioni me Hantavirus për qytetarët në Kosovë dhe në vendet e BE/EEA vlerësohet shumë i ulët, pavarësisht rasteve të fundit të raportuara në një anije kroçierë në Atlantikun Jugor.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), deri më 6 maj 2026 janë raportuar shtatë raste me Hantavirus në një anije kroçierë, përfshirë tre viktima, ndërsa në disa mostra është konfirmuar virusi Andes (ANDV), i cili është endemik në Argjentinë.

    IKSHPK thekson se transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh vetëm pas kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur dhe nuk përhapet lehtë. Autoritetet shëndetësore kanë zbatuar masa parandaluese në anije, ndërsa rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet shumë i ulët.

    Instituti bën të ditur se ethet hemorragjike me sindromë veshkore, të shkaktuara nga hantaviruset, nuk janë sëmundje e re në Kosovë dhe numri i rasteve të raportuara ndër vite mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm. Gjatë periudhës 2021–2025 në Kosovë janë raportuar gjithsej tetë raste.

    Hantaviruset transmetohen nga brejtësit te njerëzit, kryesisht përmes kontaktit me urinën, fekalet ose pështymën e brejtësve të infektuar. Simptomat përfshijnë temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh dhe në raste më të rënda dëmtim të veshkave ose probleme respiratore.

    Sipas IKSHPK-së, më të rrezikuar janë punonjësit e pyjeve, fermerët dhe personat që punojnë në ambiente ku ka prani të brejtësve. Aktualisht nuk ekziston vaksinë e licencuar kundër Hantavirusit në Evropë dhe nuk ka trajtim specifik antiviral.

    Instituti rekomandon shmangien e kontaktit me brejtësit, pastrimin dhe ventilimin e ambienteve të mbyllura, si dhe përdorimin e maskave dhe dorezave gjatë pastrimit të hapësirave ku mund të ketë brejtës.

  • Haxhiu dekreton ligjin për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

    Haxhiu dekreton ligjin për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka dekretuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, shkruan Reporteri.net.

    Përveç këtij ligji, Haxhiu ka bërë me dije se ka dekretuar edhe ligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe ligjet që lidhen me marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim.

    “Kam dekretuar shpalljen e një sërë ligjesh të rëndësishme për qytetarët dhe për Republikën. Disa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme, me banimin social dhe të përballueshëm, kujdesin shëndetësor, shtetësinë, shërbimet e pagesave, resurset ujore dhe maturën shtetërore. Po ashtu, kam dekretuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes, ligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe ligjet që lidhen me marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim. Ligjet marrin peshë kur shndërrohen në shërbim për qytetarin dhe në forcim të Republikës”, ka shkruar Haxhiu.

  • Përgjigjja e Thaçit: Ka ardhur koha që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët

    Përgjigjja e Thaçit: Ka ardhur koha që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët

    Ish-presidenti Hashim Thaçi në intervistën që kishte dhënë për moderatorin shqiptar, Blendi Fevziu, ishte pyetur edhe për çështjen e presidentit.

    Fevziu e ka publikuar këtë përgjigje, pasi fillimisht e ka larguar nga transmetimi në emision për shkak se pyetjet janë bërë në nëntor të vitit paraprak dhe ato nuk kishin relevancë kohore.

    Fillimisht, i pyetur nëse opozita duhej të bashkohej për të formuar qeverinë, Thaçi është përgjigjur shkurt: Nuk kam koment.

    Ndërsa në pyetjen tjetër, Fevziu kërkoi opinionin e Thaçit rreth bashkëpunimit eventual mes PDK-së dhe LVV-së për çështjen e presidentit.

    “Do duhej të ndodhë një konsensus sa më i gjerë politik. Shoqëria jonë ka plot gra dhe burra të çmuar me dinjitet dhe integritet. Mendoj që ka ardhur koha që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përndryshe vazhdimisht do të ketë kriza qeveritare. Kërkohen ndryshime kushtetuese, patjetër duhet të pajtohen edhe komunitetet. Kosova dhe Shqipëria janë vendet e fundit në rajon që presidentin e zgjedhin nga parlamenti”, u tha ai.

  • Edhe 4 ditë deri në përmbylljen e afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ

    Edhe 4 ditë deri në përmbylljen e afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Sipas KQZ-së, nga 2 deri më 12 maj 2026, të gjitha subjektet politike – partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – duhet të dorëzojnë online listat me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në procesin zgjedhor.

    Procesi i dorëzimit të listave po zhvillohet në mënyrë elektronike përmes platformës së KQZ-së dhe Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).

    Ndërkohë, KQZ ka bërë të ditur se partitë politike të regjistruara konsiderohen automatikisht të certifikuara, ndërsa ky proces i aplikimit përfshin vetëm subjektet e reja politike si koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilat mund të aplikojnë për certifikim nga 2 deri më 10 maj 2026.

    Sipas KQZ-së, dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë është një nga hapat kryesorë të procesit zgjedhor dhe kusht për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare.

    Komunikata e plotë:

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se më 7 maj 2026 është përmbyllur afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve.

    Këto obligime vlenin vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës.

    Gjatë periudhës 7-ditore (1 maj – 7 maj 2026), KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, mospjesëmarrje nga 9 parti politike dhe 3 koalicione.

    Partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës.

    Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate.

    Partitë politike që kanë njoftuar për formim të koalicionit janë: 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); (2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe 3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).

    Informacione shtesë:

    KQZ njofton se janë duke vazhduar afatet për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Proceset e aplikimit për certifikim dhe dorëzimit të listave të kandidatëve do të zhvillohen në mënyrë elektronike, përmes platformës së KQZ-së, respektivisht përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).

    I. Aplikimi për certifikim të subjekteve të reja politike, 2 maj – 10 maj 2026:

    Nga data 2 maj dhe deri më 10 maj 2026, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatet e pavarur) duhet të dorëzojnë aplikimin online për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara konsiderohen automatikisht të certifikuara, andaj ky proces vlen vetëm për subjektet e reja politike, të cilat janë: koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.

    II. Dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë, 2 maj – 12 maj 2026:

    Ndërkaq, nga 2 maj – 12 maj 2026, të gjitha subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online listën me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

  • Komisioni Europian: Kosova rrezikon të humbasë dhjetëra milionë euro nëse vonohen reformat deri më 30 qershor

    Komisioni Europian: Kosova rrezikon të humbasë dhjetëra milionë euro nëse vonohen reformat deri më 30 qershor

    Nëse deri më 30 qershor 2026 Kosova nuk e zbaton Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, rrezikon të humbasë fonde me vlerë dhjetëra milionëshe të parapara nga Bashkimi Europian.

    Aktualisht, vendi nuk ka Kuvend funksional, ndërsa ekziston mundësia që kjo gjendje të vazhdojë edhe gjatë muajit qershor, apo edhe më tej.

    Zgjedhjet janë caktuar për 7 qershor, dhe proceset pasuese – numërimi i votave, certifikimi i rezultateve dhe konstituimi i Kuvendit – pritet të zgjasin përtej këtij afati.

    Komisioni Europian në një përgjigje për KALLXO.com, tha se Kosova ka të drejtë të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, me kusht të përmbushjes së hapave të Agjendës së Reformave dhe nëse plotësohen kushtet e përgjithshme dhe parakushtet për pagesë.

    Institucioni, shtoi se pas ratifikimit të vonuar të Marrëveshjes për Instrumentin dhe Marrëveshjes së Huasë, Kosovës i duhet të përshpejtojë zbatimin e Agjendës së Reformave për të shmangur humbjen e fondeve që lidhen me hapat reformues, afatet e të cilëve po afrohen.

    Në përgjigje, rikujtuan se afati i ardhshëm i raportimit do të jetë më 30 qershor 2026 dhe pas vlerësimit të përmbushjes së hapave të Agjendës së Reformave – me kusht që të jenë plotësuar kushtet e përgjithshme dhe parakushtet – mund të bëhet lëshimi i rregullt i fondeve në kuadër të Planit të Rritjes.

    “Me përfundimin e periudhës së parë të tolerimit (grace period) më 30 qershor të këtij viti për 13 hapa reformues, Kosova rrezikon të humbasë fonde nëse nuk shënon progres në zbatimin e Agjendës së Reformave”- shkruan në përgjigje.

    Kur Komisioni Europian kishte nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën pas ratifikimit të marrëveshjevem, Qeveria kishte bërë me dije se në Agjendën e vet të Reformave që është bazë për ndarjen e mjeteve të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike – Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash, duke mbuluar fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.

  • Inspektorati Qendror i Punës me 126 ndalim pune pas aksionit në gjithë Kosovën

    Inspektorati Qendror i Punës me 126 ndalim pune pas aksionit në gjithë Kosovën

    Inspektorati Qendror i Punës ka zhvilluar një aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në zbatim të vendimit të Ministrit të MPFVLÇ-së dhe në përputhje me mandatin ligjor të institucionit.

    Sipas raportit përmbledhës të publikuar nga Inspektorati Qendror i Punës, deri më 30 prill 2026 janë realizuar gjithsej 300 inspektime dhe 143 riinspektime në terren.

    Nga këto kontrolle janë shqiptuar 126 masa për ndalim të punimeve, ndërsa për 38 raste është lejuar vazhdimi i punimeve pas përmbushjes së kushteve të kërkuara.

    Raporti tregon gjithashtu se janë dhënë 121 vërejtje, ndërsa 86 subjekte kanë rezultuar pa vërejtje gjatë inspektimeve. Po ashtu, 70 raste kanë eliminuar parregullsitë e evidentuara nga inspektorët.

    Inspektorati ka bërë të ditur se çdo vendim për “ndalim të punimeve” nënkupton automatikisht edhe inicimin e kërkesave për kundërvajtje ndaj subjekteve përkatëse. Në përfundim të aksionit, të gjitha subjektet ndaj të cilave është shqiptuar kjo masë do të procedohen në gjykatë për shkeljet e konstatuara.

    Në raport përfshihen edhe 4 raste të proceduara në polici, që lidhen me vazhdimin e punimeve në kundërshtim me vendimet e inspektorëve për ndalim të punimeve, si dhe me dëmtimin e shiritit ndalues në kantierë.

    Sipas Inspektoratit, procesi i riinspektimeve dhe monitorimit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për subjektet që kanë marrë masa ndaluese ose vërejtje për evitimin e parregullsive në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

  • AKR e Nisma nuk do të marrin pjesë në zgjedhje

    AKR e Nisma nuk do të marrin pjesë në zgjedhje

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Nisma Socialdemokrate nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

    Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në përfundim të afatit zyrtar më 7 maj në orën 24:00, këto dy subjekte politike kanë njoftuar zyrtarisht mospjesëmarrjen në procesin zgjedhor.

    “Në listën e partive që kanë konfirmuar se nuk do të garojnë në zgjedhje janë gjithsej nëntë subjekte politike, ndërsa AKR dhe Nisma Socialdemokrate janë ndër partitë më të njohura që kanë vendosur të mos jenë pjesë e garës elektorale”.

    Sipas KQZ, Partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; 8. Aleanca Kosova e Re; dhe 9. Nisma Socialdemokrate”.

    Afati për njoftimin e pjesëmarrjes, mospjesëmarrjes apo formimit të koalicioneve ka qenë i hapur nga 1 deri më 7 maj 2026 dhe ka vlejtur për 53 partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës.