ATV

Tag: Ballina

  • IKD: 26 deputetë nuk kanë mbajtur asnjë deklaratë në Kuvend

    IKD: 26 deputetë nuk kanë mbajtur asnjë deklaratë në Kuvend

    Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka deklaruar se analiza e aktivitetit parlamentar në Legjislaturën e X-të tregon nivel shqetësues të mosangazhimit të deputetëve.

    Sipas tij, debati parlamentar është përqendruar kryesisht në ekonomi dhe procedurë, ndërsa tema të rëndësishme kanë mbetur pothuajse jashtë vëmendjes.

    “…tema të rëndësishme si integrimet evropiane, të drejtat e komuniteteve, mjedisi apo dialogu Kosovë-Serbi janë lënë pothuajse jashtë vëmendjes, për më tepër, 26 deputetë nuk kanë mbajtur asnjë deklaratë, duke reflektuar një nivel shqetësues të mosangazhimit të tyre”, ka deklaruar Jakaj.

    Ai tha se mungesa e angazhimit parlamentar dëmton funksionin përfaqësues të Kuvendit.

    Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e Rockefeller Brothers Fund, të martën publikoi raportin monitorues për Legjislaturën e X-të të Kuvendit të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

  • Serwer godet Gjykatën Speciale: Miliona euro të shpenzuara, por pa drejtësi për Kosovën

    Serwer godet Gjykatën Speciale: Miliona euro të shpenzuara, por pa drejtësi për Kosovën

    Profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, ka ngritur kritika të forta ndaj Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke vlerësuar se kjo gjykatë nuk ka arritur të përmbushë standardet e drejtësisë që presin qytetarët e Kosovës.

    Reagimi i Serwer vjen pas publikimit të raportit të përgatitur nga Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit, i cili evidenton një sërë shkeljesh dhe problemesh serioze në proceset gjyqësore të Gjykatës Speciale.

    Sipas Serwer, raporti nxjerr në pah shqetësime të mëdha lidhur me moslirimin nga paraburgimi, pranueshmërinë e provave dhe mungesën e barazisë së armëve mes palëve në proces gjyqësor. Ai paralajmëroi se vendimet e kësaj gjykate mund të kenë ndikim edhe në paqen dhe stabilitetin në rajon.

    “Ajo që nuk thotë raporti është se një gjykatë që i kushton bashkësisë ndërkombëtare disa qindra milionë euro nuk ka arritur të ofrojë drejtësi që përmbush standardet që kërkon populli i Kosovës. Dënimi dhe burgosja e mëtejshme nuk do ta përmirësojnë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare askund tjetër përveç në Serbi”, ka deklaruar Serwer.

    Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mohuar gjetjet e raportit të ekspertëve britanikë.

    Raporti rreth 100-faqësh është hartuar me kërkesë të Avokati i Popullit i Kosovës dhe trajton mënyrën e funksionimit të proceseve gjyqësore në Hagë, duke evidentuar një numër të madh dilemash juridike dhe shkeljesh procedurale.

    Në dokument theksohet se mandati i Gjykatës Speciale ka pësuar ndryshime të mëdha ndër vite. Sipas raportit, fillimisht fokusi ishte te pretendimet për trafikim organesh dhe krim të organizuar, ndërsa më pas proceset janë përqendruar te akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

    Ekspertët britanikë vlerësojnë se, megjithëse juridikisht gjykata ka mandat të ndjekë edhe persona të tjerë, fokusi pothuajse ekskluziv ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka krijuar polemika të vazhdueshme politike dhe juridike.

  • Ish-deputeti i PD-së aderon në LDK, prezantohet nga Vjosa e Lumiri

    Ish-deputeti i PD-së aderon në LDK, prezantohet nga Vjosa e Lumiri

    Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka prezantuar prurjen e radhës. Bëhet fjalë për Kreshnik Çollakun, i cili në zgjedhjet e 7 qershorit do të jetë kandidat për deputet në listën e LDK-së.

    Sipas Osmanit, Çollaku ai ka shërbyer në Ambasadën e Shqipërisë në Washington, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe promovimin e çështjes së saj në qarqet diplomatike amerikane.

    Postimi i plotë:

    Një jetë e ndërtuar mes universitetit, diplomacisë dhe kauzës së Kosovës.

    Sot, bashkë me Lumirin, kemi kënaqësinë të prezantojmë Kreshnik Çollakun si pjesë të rrugëtimit tonë politik.

    Niku e ka lidhur angazhimin e tij me mbështetjen e Kosovës, demokracisë dhe orientimit euroatlantik të shqiptarëve.

    Për më shumë se 20 vjet si pedagog universitar, ai ka formuar breza studentësh me frymën e mendimit demokratik, përgjegjësisë publike dhe vizionit perëndimor.

    Në periudhat më të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, ai ka shërbyer në Ambasadën e Shqipërisë në Washington, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes amerikane për Kosovën dhe promovimin e çështjes së saj në qarqet diplomatike amerikane.

    Si deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe pjesë aktive e diplomacisë parlamentare, ai ka qenë një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës në forume rajonale dhe ndërkombëtare, duke mbrojtur të drejtën e saj për pavarësi, sovranitet, integritet territorial dhe integrim euro-atlantik.

    Kreshnik Çollaku është gjithashtu një nga themeluesit e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, brezi që rrëzoi diktaturën komuniste dhe e lidhi fatin e shqiptarëve me demokracinë dhe Perëndimin.

    Mbi të gjitha, ai ka ruajtur gjithmonë një lidhje të veçantë me Kosovën, me njerëzit dhe të ardhmen e saj. Sot, ai është edhe shtetas krenar i Republikës së Kosovës dhe si këshilltar i imi për politikë të jashtme në Presidencë ka dhënë një kontribut të vyer në hapjen e dyerve të Kosovës me botën e në veçanti në thellimin e raporteve me SHBA.

    Ne besojmë se Kuvendi i Kosovës ka nevojë për njerëz me përvojë, integritet dhe vizion dhe te Kreshnik Çollaku do ta gjejnë një të tillë.

    Mirë se vjen Kreshnik e na priftë e mbara në këtë rrugëtim vendimtar!

  • “Trepça nuk zhvillohet pa investime dhe me borxhe milionëshe”, Sindikata kërkon kushte për minatorët

    “Trepça nuk zhvillohet pa investime dhe me borxhe milionëshe”, Sindikata kërkon kushte për minatorët

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar pas takimit me Bordin Mbikëqyrës të ndërmarrjes, duke ngritur shqetësime serioze për gjendjen e rëndë të minatorëve, kushtet e punës dhe mungesën e investimeve në Trepçë.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se kërkesa për takim kishte për qëllim informimin e bordit lidhur me situatën aktuale të minatorëve, largimet e shumta nga puna pa procedura ligjore, mungesën e pagesës së trustit pensional si dhe draft-rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës.

    “Si fillim, si sindikatë pas gatishmërisë për të zhvilluar takimin e vlerësuam këtë takim, por është e dhimbshme dhe zhgënjyese se si nuk ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje për minatorët dhe po u ngarkohet barra e keqmenaxhimit të ndërmarrjes tash e 26 vite. Kjo sipas logjikës së tashme, përgjegjësinë dhe pasojat po i bartin minatorët, por pa u ngarkuar përgjegjësia dhe llogaridhënja atyre që keqmenaxhuan, ndërsa nga minatorët po kërkohet ringritja e Trepçës. Tashmë të gjithë e dimë se si po përballemi në mungesë të mjeteve të punës, në një mikroklimë ku çdo ditë po na grryen shëndetin nga brenda. Kurse këta të gjithë po vijnë e po shkojnë me premtime për ringritje, e minatorët po mbesin pa ju ndryshuar gjendja, vetëm duke ju rënduar situata”, thuhet në njoftim.

    Për më shumë lexoni postimin e plotë të Sindikatës:

    Pas kërkesave tona si sindikatë për t’u takuar me bordin mbikëqyrës për të informuar mbi situatën aktuale të minatorëve dhe gjendjen shumë të rëndë të kushteve të punës, largimet e shumta që po ndodhin nga puna pa procedura ligjore, për shkak të dështimit të administratës së ndërmarrjes, për të cilë nuk po merr askush përgjegjësi.

    Mungesën e pagesës së trustit pensional si dhe draft rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës.

    Si fillim, si sindikatë pas gatishmërisë për të zhvilluar takimin e vlerësuam këtë takim, por është e dhimbshme dhe zhgënjyese se si nuk ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje për minatorët dhe po u ngarkohet barra e keqmenaxhimit të ndërmarrjes tash e 26 vite. Kjo sipas logjikës së tashme, përgjegjësinë dhe pasojat po i bartin minatorët, por pa u ngarkuar përgjegjësia dhe llogaridhënja atyre që keqmenaxhuan, ndërsa nga minatorët po kërkohet ringritja e Trepçës.

    Tashmë të gjithë e dimë se si po përballemi në mungesë të mjeteve të punës, në një mikroklimë ku çdo ditë po na grryen shëndetin nga brenda. Kurse këta të gjithë po vijnë e po shkojnë me premtime për ringritje, e minatorët po mbesin pa ju ndryshuar gjendja, vetëm duke ju rënduar situata.

    Në mungesë të përmirësimit të kushteve të punës, largime pa proceduar në mënyrë burokratike, në show në faqe të facebook dhe mos pagesën e trustit pensional që nga viti 2019, duke paguar vetëm disa periudha të shkurta.

    Trepça pa investime nga dora e shtetit nuk ringritet në gjendjen që është, e dimë dhe e dinë të gjithë, por të gjithë po heshtin. Si arsyetim gjithmonë po thonë se ju duke punuar pa mjete, pa kushte, duhet ta ngritni, duke paguar kosto jetësore, duke na shkatërruar shëndetin.

    Kërkohet nga minatorët të zhvillohet Trepça. Jo, Trepça nuk zhvillohet pa investime dhe me borxhe milionëshe. Duke mos krijuar kushte pune të sigurta dhe mbrojtje të shëndetit, si dhe pa furnizim me mjete pune.

    Bordi, kur ne kërkonim për temat, të gjitha përgjigjet ishin: “s’kemi mjete financiare”. Kur kërkonim trajtim të drejtë për minatorët, thirreshin në ligj. Kur ne kërkonim respektim të ligjit ku na mbrohen të drejtat, arsyetimi ishte sërish “s’kemi mjete”.

    Kjo është pra drejtësia.

    Për trustin pensional, kryesuesi i bordit mori zotim se do ta diskutojë në mbledhjen e bordit.

    Ndërsa në draft rregulloren e pagave, e cila është duke u finalizuar, por duke lënë anash sindikatën, dhe në shumicën 90% të punës së kësaj rregullore sindikata nuk është përfshirë dhe na kanë pamundësuar për të dhënë kontributin tonë.

    Ku ne njoftuam kryesuesin e bordit se në këtë rregullore të pagave pritja e minatorëve është që të ketë ngritje të pagave, si dhe në diskutime të brendshme gjithmonë është përfolur se me këtë rregullore do të rregullohen edhe koeficientët e pagës.

    Por kjo ka qenë edhe kërkesa e minatorëve për ngritje të pagave, sepse paga e minatorit ka mbetur shumë e ulët për një punë shumë të rëndë dhe të vështirë, pagesë qesharake.

    Përgjigjja e bordit ishte se nuk janë të informuar se në rregullore do të përfshihen edhe pikat e pagave.

    Dhe arsyetimi është se kemi mungesë financiare.

    E duhet ta ngrisim njëherë të hyrat financiare.

    Por të hyrat financiare nuk ngriten me minatorë të cilët që nga paslufta me ngulm kërkojnë ligjin për minatorë, e jo të ngritet Trepça me minatorë deri në moshën 65 vjeçare.

    Miniera të hargjuara, s’ka energji njeriu ta përballojë punën në minierë deri në 65 vjet.

    Trepça nuk ngritet në gjysmë kacie, me gjysmë bager, me gjysmë kamioni, me flotacion të hargjuar, me depo të zbrazura, në mungesë të fuqisë punëtore.

    Me liftin në përdorim, që shumë herë mbesim të mbyllur, i cili është mbi 100 vite i vjetër.

    Për me zhvillu Trepçën.

    Për fund, të nderuar minatorë,

    Sapo ta kemi draftin final në dorë, sindikata do të mbajë një tubim bashkë me ju për t’ju informuar dhe sqaruar se çka përmban ajo rregullore dhe a është e pranueshme për ne.

    Andaj si kryetar i sindikatës dhe si kryesi, do të qëndrojmë të bashkuar për të realizuar atë që e meritoni.

  • Hoti: Më 7 qershor, qytetarët do të votojnë për partneritetin strategjik të Kosovës me BE-në dhe SHBA-të

    Hoti: Më 7 qershor, qytetarët do të votojnë për partneritetin strategjik të Kosovës me BE-në dhe SHBA-të

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë me dije se më 7 qershor qytetarët e Kosovës do të votojnë për partneritetin strategjik të Kosovës me BE-në dhe SHBA-në.

    Ai ka vlerësuar se ky partneritet nuk është vetëm përcaktim ekonomik dhe politik i Kosovës.

    Në profilin e tij në Facbook, Hoti ka shkruar se është ekzistencial për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve.

    “Më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do të votojnë PËR partneritetin strategjik të Kosovës me BE dhe SHBA. Ky partneritet nuk është vetëm përcaktim ekonomik dhe politik i Kosovës, është ekzistencial për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Hoti.

    Në statusin e tij të gjatë, ai ka treguar për marrëveshjet e rëndësishme që qeveritë e mëhershme kanë nënshkruar me BE-në dhe SHBA-të.

    “Pas shpalljes së pavarësisë më 2008, qeveritë e njëpasnjëshme kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim dhe partneritet strategjik të Kosovës me aleatët perëndimorë. Në këto marrëveshje hyjnë partneritetet bilaterale, anëtarësimet në organizata ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN, dhe marrëveshjet e borxhit shtetëror për projekte strategjike etj. Në mesin e këtyre marrëveshjeve, dy janë kryesoret, që mund të konsiderohen marrëveshje historike pasi e kanë përcaktuar partneritetin afatgjatë të Kosovës me aleatët euro-atlantikë, e para me BE-në dhe e dyta me SHBA-në”, ka shkruar ai.

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot, nafta edhe pak më lirë

    Publikohen çmimet e derivateve për sot, nafta edhe pak më lirë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur përcaktimin e ri të çmimeve të derivateve në vend.

    Sipas njoftimit, një litër naftë sot do të shitet me çmimin 1.60 euro, një cent më lirë se dje.

    Ndërkaq, benzina do të tregtohet me çmim prej 1.50 euro për litër, ndërsa gasi do të kushtojë 0.78 euro për litër.

    Këto çmime vlejnë për ditën e sotme dhe janë përcaktuar nga autoritetet kompetente në kuadër të monitorimit të tregut të derivateve.

  • Vazhdon seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

    Vazhdon seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

    Me fillim nga ora 09:30, në Gjykatën Speciale në Hagë do të vazhdojë seanca në çështjen Thaçi dhe të tjerët që lidhen me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë.

    Kjo u bë e ditur në kalendarin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ndërkohë, në seancën e së hënës dëshmoi ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser, e cila deklaroi se mungesa e vulave të kohës e bën të vështirë procesin e vlerësimit të transkripteve dhe krahasimin me përkthimet tjera.

    Ndryshe, në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu ngarkohen.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit – Sot afati i fundit për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë

    Zgjedhjet e 7 qershorit – Sot afati i fundit për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë

    Subjektet politike kanë veç edhe sot afat për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se afati 11-ditor për subjektet politike do të përfundojë të martën në mesnatë.

    “Sot, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.

    Sipas Elezit, numri i përgjithshëm i subjekteve të mundshme politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

    Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025, morën pjesë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidatë i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë që përfaqësonin këto subjekte politike ishte 1,279.

    Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 28 dhjetorit, KQZ certifikoi 1,180 kandidatë për deputetë, që përfaqësonin 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

  • Ramiz Lladrovci kritikon PDK-në për vendimin kundër kthimit të Fatmir Limajt

    Ramiz Lladrovci kritikon PDK-në për vendimin kundër kthimit të Fatmir Limajt

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kritikuar vendimin e PDK’së për të mos e kthyer në parti Fatmir Limajn.

    Kryesia e kësaj partie vendosi sot kundër përfshirjes së Limajt dhe partisë së tij në listën e PDK’së për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Lladrovci ka thënë se kështu “u ripërsërit modeli i ndikimit në Kryesinë e PDK-së”.

    “Kreatorët e kësaj fryme, nuk po i bëjnë shërbim Kosovës e as PDK-së. Për ta paraqitur Bedriun humbës dhe Fatmirin jomeritor në Listë, janë ata që nuk patën guxim të ballafaqohen me pozitën dhe qytetarin ndër vite. Anëtarësia e gjerë, simpatizantët dhe qytetarët, do të jenë në përkrahje të PDK-së, të heronjve tanë të luftës e paqes dhe të Bedri Hamzës!”, ka shkruar Lladrovci.

  • Hamza: E mirëpresim kontributin, por kësaj radhe Limaj s’do të jetë pjesë e listës së PDK-së

    Hamza: E mirëpresim kontributin, por kësaj radhe Limaj s’do të jetë pjesë e listës së PDK-së

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, foli me optimizëm për përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

    Ai tha se e mirëpresin kontributin e ofruar nga Fatmir Limajt dhe tha se është i bindur se kjo përkrahje do tarrisë PDK-në, por tha se ai “fillimisht duhet të ndodhë një përkrahje pë Partinë Demokratike të Kosovës”.

    “Në listë do të ketë vajza, gra, djem, burra me shumë vlera. Një pjesë e madhe e tyre do të jenë që garojnë për herë të parë oër deputet dhe jam i lumtur që po ka njerëz të përgatitur që po bashkëngjiten në radhët e PDK-së”, tha Hamza.

    Hamza tha se Limajn e ka “mik” dhe ka punuar gjatë me të, por tha se këtë herë ai “nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së”.

    “Është diskutuar në Partinë Demokratike të Kosovës. Është qëndrim i përgjithshëm që e presim dhe e mirëpresim kontributin e zotit Limaj, të Nismës Socialdemokrate që në këto zgjedhje do t’ia japin PDK-së”, tha ai.