ATV

Tag: Ballina

  • Gjykata Speciale: 7 të akuzuar kanë pranuar ndihmë financiare nga ne për të paguar avokatët e tyre

    Gjykata Speciale: 7 të akuzuar kanë pranuar ndihmë financiare nga ne për të paguar avokatët e tyre

    Gjykata Speciale përmes një postimi në faqen zyrtare në “X” kanë shkruar rreth ndihmës financiare që ofrojnë për pagesën e ekipeve mbrojtëse të të akuzuarave në rastet kur ata s’mund t’i mbulojnë shpenzimet, shkruan Express.

    Haga ka bërë të ditur se shtatë nga të akuzuarit kanë pranuar një ndihmë të tillë nga Gjykata, por s’kanë treguar emrat.

    “Neni 21 i Ligjit të Gjykatës së Lartë të KSK-së garanton prezumimin e pafajësisë për një të pandehur dhe rendit të drejtat e tjera që i ofrohen një të pandehuri gjatë gjithë procesit gjyqësor. Kjo përfshin të drejtën për t’u përfaqësuar nga një avokat i zgjedhur prej jush gjatë gjyqit. Gjykata e Lartë e KSK-së ka një skemë ndihme ligjore nëse një i pandehur nuk ka mundësi të paguajë për mbrojtjen e tij”, thuhet në njoftim.

  • “Sulm qyqar që shpërfaq mendësi banditeske”- Kurti dënon sulmin ndaj Hysni Mehanit

    “Sulm qyqar që shpërfaq mendësi banditeske”- Kurti dënon sulmin ndaj Hysni Mehanit

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti para fillimit të mbledhjes së Qeverisë, komentoi rastin ku kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, dyshohet se ka sulmuar fizikisht Hysni Mehanin nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Kurti u bëri thirrje organeve të rendit e të drejtësisë që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve për këtë sulm.

    “U sulmua me grushte dhe u godit në kokë me gotë, teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon këtë sulm qyqar dhe të papranueshëm, që shpërfaq mendësi banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin dhe nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet. Nga kjo mbledhje u bëjmë thirrje institucioneve dhe organeve të rendit e të drejtësisë që urgjentisht të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve për këtë sulm”, tha Kurti.

  • REL: ShBA-ja i jep dritën e gjelbër armatimit për Kosovën me vlerë prej 14 milionë dollarësh

    REL: ShBA-ja i jep dritën e gjelbër armatimit për Kosovën me vlerë prej 14 milionë dollarësh

    Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë disa burime brenda Kongresit.

    Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.

    I njëjti i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.

    Neni 36(c) kërkon që administrata amerikane ta njoftojë Kongresin për disa shitje apo leje të propozuara të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.

    Në dokumentin e Kongresit nuk jepen hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë leje.

    Kosova edhe në të kaluarën ka blerë pajisje ushtarake nga Uashingtoni.

    Në shkurtin e vitit 2025, Kosova pranoi dronë të blerë nga SHBA-ja. Muaj më vonë, Kosova u furnizua me autoblinda të blera në SHBA.

    Në vitin 2024, Kosova bëri kërkesë për blerjen e 200 raketave kundërtanke “Javelin”.

    Më 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

    Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri. Procesi i transformimit të FSK-së në forca të armatosura nisi më 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

    Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile./REL

  • Sami Lushtaku: Pushteti i Albin Kurtit tentoi të më sulmojë, nuk toleroj dhe reagova!

    Sami Lushtaku: Pushteti i Albin Kurtit tentoi të më sulmojë, nuk toleroj dhe reagova!

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas incidentit me asamblistin e VV-së në këtë komunë, Hysni Mehanin.

    Në postimin e tij, Lushtaku e ka akuzuar pushtetin e Albin Kurtit, që sipas tij, tentoi ta sulmojë sot.

    Sipas tij etiketat si “Sami Serbia”, qytetarët nuk i tolerojnë, prandaj thotë se ata reaguan.

    “Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoi në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si “Sami Serbia” qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”.

    Kryetari i VV-së në Skenderaj thotë se u sulmua nga Sami Lushtaku dhe njerëzit e tij

  • Kamberi prezanton rezolutën që dorëzoi në kuvendin serb për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë

    Kamberi prezanton rezolutën që dorëzoi në kuvendin serb për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë

    Shaip Kamberi ka prezantuar rezolutën që dorëzoi në Kuvendin e Serbisë, bashkë me deputetët e SDA nga Sanxhaku.

    Rezoluta është hartuar për dënimin e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë gjatë viteve 1998–1999, duke u mbështetur në aktgjykimet e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë.

    Në tekstin e rezolutës thuhet se institucionet e Serbisë dhe të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë kanë zbatuar një politikë sistematike diskriminimi, represioni dhe dhune ndaj shqiptarëve të Kosovës, sidomos pas heqjes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989.

    Dokumenti rikujton se gjatë luftës në Kosovë, forcat e ushtrisë jugosllave, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe formacionet paramilitare kanë kryer “një fushatë sistematike dhune” ndaj popullsisë civile shqiptare, përfshirë vrasje, deportime dhe spastrim etnik.

    Rezoluta i referohet drejtpërdrejt aktgjykimeve të Tribunalit të Hagës, ku është konstatuar ekzistimi i një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, me synim ndryshimin me forcë të strukturës etnike të Kosovës përmes terrorit dhe dëbimit masiv të shqiptarëve.

    Në dokument përmenden edhe masakrat e kryera në Reçak, Mejë, Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Izbicë dhe Podujevë, si dhe operacioni për fshehjen e krimeve, i njohur si “asanimi i terrenit”, përmes transportimit të trupave të civilëve shqiptarë në territorin e Serbisë.

    Kjo është rezoluta e plotë:

    PROPOZIM REZOLUTË

    PËR DËNIMIN E KRIMEVE TË REPUBLIKËS SË SERBISË TË KRYERA NË KOSOVË, TË PËRCAKTUARA ME AKTGJYKIMET E TRIBUNALIT NDËRKOMBËTAR PENAL PËR ISH-JUGOSLLAVINË

    I. DISPOZITAT HYRËSE

    Duke u nisur nga fakti se gjatë periudhës 1989–1999 institucionet e Republikës së Serbisë dhe të Republikës Federale të Jugosllavisë zbatuan një politikë sistematike diskriminimi, represioni dhe dhune ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë;

    Duke kujtuar se pas heqjes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989 u vendos një sistem apartheidi institucional, represioni dhe përjashtimi të shqiptarëve nga jeta publike;

    Të vetëdijshëm se gjatë konfliktit të armatosur të viteve 1998–1999 forcat e Ushtrisë Jugosllave, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe formacionet paramilitare zbatuan një fushatë sistematike dhune ndaj popullsisë civile shqiptare;

    Duke pasur parasysh se Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, në disa aktgjykime, ka konstatuar ekzistimin e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale, që kishte për qëllim ndryshimin me dhunë të strukturës etnike të Kosovës përmes deportimeve, vrasjeve, përndjekjeve dhe terrorit ndaj civilëve shqiptarë”;

    Duke konfirmuar se gjatë vitit 1999 qindra mijëra civilë shqiptarë u dëbuan me forcë nga Kosova, ndërsa mijëra civilë u vranë në masakra anembanë Kosovës;

    Duke rikujtuar masakrat në Reçak, Mejë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Suharekë, Izbicë, Podujevë dhe në shumë vende të tjera;

    Duke konfirmuar se trupat e civilëve shqiptarë të vrarë u transportuan fshehurazi në brendësi të Serbisë në kuadër të operacionit për fshehjen e krimeve të njohur si “asanimi i terrenit”;

    Duke theksuar se në Batajnicë, Petrovo Selo, Perućac dhe Kiževak janë zbuluar varreza masive me trupat e civilëve shqiptarë nga Kosova;

    Duke kujtuar se funksionarët më të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë të regjimit të Sllobodan Milosheviq janë dënuar para Tribunalit Ndërkombëtar Penal për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës në Kosovë;

    Të bindur se mohimi i krimeve të luftës dhe glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës paraqet pengesë serioze për zhvillimin demokratik të Serbisë dhe pajtimin në rajon;

    KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SERBISË:

    DËNON krimet sistematike, përndjekjet, vrasjet, deportimet dhe spastrimin etnik të popullsisë shqiptare të Kosovës, të kryera gjatë viteve 1998–1999 nga forcat e Ushtrisë Jugosllave, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe formacionet paramilitare;
    KONSTATON se me aktgjykimet e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë janë vërtetuar krime kundër njerëzimit, përfshirë deportimet, zhvendosjet me forcë, vrasjet, përndjekjet dhe dëbimet e detyruara të civilëve shqiptarë në Kosovë;
    KONSTATON se ka ekzistuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale, që kishte për qëllim ndryshimin me dhunë të strukturës etnike të Kosovës përmes terrorit dhe dëbimit masiv të popullsisë shqiptare;
    DËNON fshehjen e krimeve përmes largimit të fshehtë të trupave të civilëve të vrarë dhe varrosjes së tyre në varreza masive në territorin e Serbisë;
    RIKUJTON se në Batajnicë, Petrovo Selo, Perućac dhe Kiževak janë gjetur varreza masive me trupat e shqiptarëve të Kosovës;
    DËNON çdo mohim të krimeve të luftës, relativizim të aktgjykimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe glorifikim të kriminelëve të dënuar të luftës;
    KËRKON nga organet kompetente shtetërore të Republikës së Serbisë hapjen e plotë të arkivave ushtarake, policore dhe shtetërore relevante për krimet e luftës, zhdukjet me forcë dhe varrezat masive të lidhura me konfliktin në Kosovë;
    KËRKON vazhdimin e hetimeve për të gjitha varrezat masive, gjetjen e mbetjeve mortore të personave të zhdukur dhe zbardhjen e plotë të fatit të civilëve të zhdukur;
    KËRKON që familjeve të viktimave t’u sigurohet e drejta për të vërtetën, drejtësinë dhe njohjen institucionale të vuajtjeve;
    FTON institucionet e Republikës së Serbisë që të distancohen qartë nga politikat e viteve nëntëdhjetë dhe të pranojnë faktet e përcaktuara nga aktgjykimet e gjykatave ndërkombëtare;
    THEKSON se ballafaqimi me të kaluarën paraqet obligim moral, juridik dhe qytetërues të çdo shoqërie demokratike;
    THEKSON se paqja e qëndrueshme dhe pajtimi në rajon nuk janë të mundshme pa njohjen e të gjitha viktimave dhe pa pranimin e së vërtetës për krimet e kryera;
    DËNON dhunën seksuale dhe përdhunimet e luftës të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë konfliktit në Kosovë, duke i njohur ato si shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të dinjitetit të viktimave;
    FTON institucionet kompetente të Republikës së Serbisë për bashkëpunim të plotë me mekanizmat ndërkombëtarë dhe rajonalë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe identifikimin e strukturave dhe individëve përgjegjës;
    FTON për miratimin e masave arsimore, institucionale dhe shoqërore që do të kontribuojnë në parandalimin e mohimit të krimeve, gjuhës së urrejtjes dhe përsëritjes së politikave të dhunës të viteve nëntëdhjetë;
    KONSTATON se pranimi i fakteve të përcaktuara para gjykatave ndërkombëtare paraqet parakusht të rëndësishëm për zhvillimin demokratik, besimin rajonal dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe për paqen e qëndrueshme ndërmjet popullit shqiptar dhe atij serb;
    THEKSON se pranimi dhe dënimi i krimeve nuk paraqet dënim të qytetarëve të Serbisë, por dënim të politikave, strukturave dhe individëve përgjegjës për krimet e përcaktuara nga aktgjykimet e gjykatave ndërkombëtare.

  • Në SHBA riafirmohet mbështetja për Kosovën në NATO – Dështon kushtëzimi i Greqisë për mosnjohje

    Në SHBA riafirmohet mbështetja për Kosovën në NATO – Dështon kushtëzimi i Greqisë për mosnjohje

    Një propozim i kongresistit republikan amerikan, Keith Self, që Shtetet e Bashkuara të ushtrojnë presion ndaj Greqisë për ta rishqyrtuar qëndrimin ndaj Kosovës dhe për të mos i penguar për anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), nuk arriti të merrte mbështetjen e kolegëve të tij në një mbledhje të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit.

    Më 13 maj, Self propozoi ndërprerjen e 1.8 milion dollarëve të paraparë për trajnime ushtarake ndërkombëtare për Greqinë, për shkak të refuzimit të Athinës për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

    Propozimi, në formën e një amendamenti ndaj një projektligji për mbështetje për Greqinë, u kundërshtua nga kongresistët demokratë, Gregory Meeks dhe Dina Titus, si dhe nga kryesuesi republikan i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Brian Mast.

    Meeks tha se projektligji synon riautorizimin e një programi me mbështetje dypartiake për Greqinë, ndërsa Titus tha se çështja e Kosovës duhet të trajtohet veçmas, dhe jo të lidhet me programin e trajnimeve ushtarake për Athinën. Mast, po ashtu, rekomandoi votë kundër amendamentit të Selfit.

    Sipas njoftimit të Komitetit, projektligji për autorizimin e ndihmës për edukim dhe trajnime ushtarake ndërkombëtare për Greqinë – H.R. 8019 – mori aprovimin e tij më 13 maj.

    Self argumentoi se mosnjohja e Kosovës nga Athina po e pengon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

    “Derisa ekzistojnë përpjekje të fuqishme të përbashkëta ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Greqisë, ajo mbetet në listën e shkurtër të katër aleatëve të NATO-s që refuzojnë ta njohin sovranitetin e Kosovës”, tha Self.

    “Këta partnerë të NATO-s i bashkohen Kinës, Rusisë dhe Serbisë në refuzimin për ta njohur pavarësinë e Kosovës — një partnere e ngushtë që kundërshtarët tanë refuzojnë ta njohin, sepse e dinë se Kosova është shtyllë kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Self.

    Spanja, Rumania dhe Sllovakia janë tri shtetet e tjera anëtare të NATO-s që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Për shkak se anëtarësimi në NATO kërkon pajtimin unanim të të gjitha vendeve anëtare, mosnjohja nga këto shtete mbetet pengesë kryesore për Kosovën.

    Self paralajmëroi se rajoni i Ballkanit Perëndimor përballet me paqëndrueshmëri dhe se ndikimi rus në rajon “është i njohur dhe po rritet”.

    Self tha se administrata Trump ka vendosur standardin që paratë e taksapaguesve amerikanë duhet të përdoren në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe se kjo është një çështje themelore sot.

    Sipas tij, Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj qeverisjes demokratike, kontrollit civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesës shumetnike – elemente që, siç tha ai, përbëjnë argument bindës për anëtarësimin e saj në NATO.

    “Përderisa Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia refuzojnë ta njohin aleaten tonë ballkanike, nuk do të ketë rrugë për anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha Self.

    Ai shtoi se anëtarësimi i Kosovës në aleancë do të shërbente si kundërpeshë ndaj kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe do të ndihmonte në parandalimin e një krize tjetër në Ballkan.

    “Derisa e vlerësoj kontributin aktual të Greqisë në [misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë] KFOR, stabiliteti i vërtetë në Ballkan do të forcohej nëse Kosovës do t’i jepej anëtarësimi në NATO”, tha Self.

    Mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për vazhdimin e pranisë amerikane në KFOR ka shprehur edhe kongresisti demokrat, Ritchie Torres.

    “Kongresi shpreson që të shohë anëtarësimin e Kosovës në NATO, mbështetje dypartiake për të mbajtur nivelin e forcave në KFOR, dhe një proces dialogu që nuk e shpërblen Serbinë për lëshime dhe kokëfortësi”, tha Benny Stanislawski, zëdhënës i kongresistit Torres, në një prononcim për korrespondentin e Radios Evropa e Lirë në Uashington, Alex Raufoglu.

    Self, së bashku me Torresin dhe kongresistin republikan Mike Lawler, paraqitën në fund të prillit një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve, përmes së cilës kërkohet që Uashingtoni ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO.

    Ivana Stradner, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Washington, i tha Radios Evropa e Lirë se rezoluta është “sinjal i fortë politik”, sepse e afron Kosovën më shumë me NATO-n në kuptimin strategjik.

    Sipas saj, integrimi i Kosovës në NATO do të mbyllte një “boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë”.

    Rezoluta është mirëpritur nga zyrtarë në Kosovë, por është kundërshtuar nga Serbia.

    Tre kongresistët amerikanë kanë paraqitur edhe një rezolutë tjetër, po më 30 prill, përmes së cilës kërkohet që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë pjesëmarrjen në KFOR, misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

    Kjo rezolutë vjen pas raportimeve dhe diskutimeve në muajt e fundit për mundësinë që Uashingtoni të rishqyrtojë praninë e trupave amerikane në misionet e NATO-s, përfshirë KFOR-in.

    Pentagoni ka thënë më herët se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshim të vendosjes së forcave amerikane.

    Rreth 590 ushtarë amerikanë shërbejnë aktualisht në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s.

    “Pa kapacitetet amerikane, KFOR-i humb shumicën e forcës dhe efikasitetit operacional. Kjo është e qartë në rajon. Sulmi në Banjskë ishte një përkujtues se tani është momenti më i gabuar për SHBA-në që të tërhiqet nga KFOR-i dhe nga skena globale”, tha zëdhënësi i kongresistit Torres.

    Ai shtoi se rezoluta për KFOR-in synon ta mbajë Kosovën në agjendën e Washingtonit, në një kohë kur zhvillimet politike mund ta zhvendosin vëmendjen amerikane në çështje të tjera.

    Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Por, shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj, të shpallur më 2008, vazhdojnë të jenë pengesë në integrimin euroatlantik të Prishtinës.

    Kosova është në proces të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të plotë, proces që pritet të përfundojë në vitin 2028. Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë transformim, ndërsa NATO-ja ka kërkuar që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si reagimi ndaj krizave dhe mbrojtja civile.

    Kosova blen pajisje ushtarake të prodhuara në SHBA dhe është vendi ku ndodhet baza më e madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel./Rel

  • Kurti i shmanget përgjigjes për deklaratat e fundit të Vjosa Osmanit

    Kurti i shmanget përgjigjes për deklaratat e fundit të Vjosa Osmanit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shmangur përgjigjet ndaj deklaratave dhe akuzave të fundit të ish-presidentes Vjosa Osmani.

    I pyetur nga gazetarët lidhur me akuzat që Osmani ia ka adresuar ditëve të fundit, Kurti nuk ka komentuar, duke dhënë vetëm një përgjigje të shkurtër.

    “Duhet të shkojmë me shpejtësi në Ferizaj”, tha ai shkurt.

  • Kurti mbledh qeverinë në detyrë, ky është rendi i ditës

    Kurti mbledh qeverinë në detyrë, ky është rendi i ditës

    Qeveria në detyrë do të mblidhet sot.

    Sipas njoftimit të Kryeministrisë mbledhja do të mbahet në ora 15:00. Në rend dite janë gjithsej 19 pika.

    Ndër të tjera, në rend dite në mbledhjen e sotme pritet të bëhen shqyrtimi i disa kërkesave të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

    Ky është rendi i plotë i ditës i mbledhjes së sotme:

  • Si e parashikon Visar Ymeri rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Si e parashikon Visar Ymeri rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit

    Kosova po hyn në fazën fillestare të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, të cilat pritet të përcaktojnë balancat e reja politike në vend.

    Partitë kryesore kanë intensifikuar aktivitetet dhe përplasjet politike, ndërsa debatet janë fokusuar te sondazhet, raportet mes liderëve dhe rezultatet e mundshme zgjedhore.

    Në qendër të zhvillimeve kanë qenë raportet mes Vjosa Osmani dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe përplasjet politike mes opozitës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

    Lidhur me aktualitetin politik në vend, në një prononcim për “Front Online” ka folur ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili ka vlerësuar se LVV mund të marrë një rezultat më të dobët krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mund të shënojë ngritje relative, derisa LDK-ja nuk dihet ende.

    Ai ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit mbetet i vështirë për t’u parashikuar, duke thënë se zhvillimet e fundit politike kanë ndryshuar dinamikën elektorale në vend.

    Ymeri tha se afrimi i vonshëm politik mes Vjosa Osmanit dhe LDK-së ka ndikuar që kjo parti të jetë në qendër të vëmendjes publike.

    “Është vështirë të thuhet. Për shkak se bashkimi është bërë tash vonë ndërkohë që dinamika e zhvillimeve është e shpejtë. Deri tash Vjosa Osmani dhe LDK kanë qenë lajmi i ditës, dhe kjo është promovim në vete. E kemi edhe një periudhë deri në zgjedhje”, tha Ymeri.

    Sipas Ymerit, çdo rritje e mbështetjes për LDK-në dhe Osmanin do të reflektohet drejtpërdrejt me rënie të votave për LVV-në.

    “Çfarëdo rritje e LDK-së dhe Vjosa Osmanit është rënie për LVV. Nuk mund ta them me përqindje e aq më pak më numër votash mirëpo gjykuar nga ky pozicion i tashëm unë e shoh që LVV do ta ketë një rezultat pak më të dobët se shkurti i vitit 2025”, ka deklaruar Ymeri.

    Ai komentoi edhe pozicionin e PDK-së, duke thënë se kjo parti mund të shënojë rritje relative.

    “PDK mund ta ketë një ngritje relative në raport me dhjetorin, duke e pasur parasysh se PDK ka qenë partia e vetme e madhe më një votë stabile të cilën nuk mund t’ia merr askush”, u shpreh Ymeri

  • MINT publikon çmimet, ja sa do të jetë nafta sot

    MINT publikon çmimet, ja sa do të jetë nafta sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë për datën 14 maj 2026.

    Sipas njoftimit zyrtar, çmimi maksimal i naftës (dizelit) është caktuar në 1.59 euro për litër, ndërsa benzina do të shitet deri në 1.49 euro për litër. Ndërkaq, çmimi maksimal i gazit është përcaktuar në 0.76 euro për litër.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.