ATV

Tag: Ballina

  • Intensifikohen punimet në rrugën nacionale Prishtinë – Podujevë

    Intensifikohen punimet në rrugën nacionale Prishtinë – Podujevë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë, po vazhdojnë edhe në ditë vikendi.

    Të dielën, ekskavatorët u panë në disa vende.

    38 milionë euro janë ndarë për përfundimin e rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë, projekt i cili pas shumë zvarritjesh, ka përshpejtuar hapat e punimeve.

    Një distancë fare e vogël ndan shtëpinë e Hashim Humollit nga vendpunishtja, ku ekskavatorët ndizen që nga ora 8 e mëngjesit.

    Për këtë, llapjani thotë se nuk mund ta shijojë kafen e mëngjesit në oborr nga pluhuri, andaj ka një kërkesë.

    “S’po them ma shumë po në orën 8 ndizen edhe ju pe shihni sa telashet sa dheu hiqet këtu, gjatë javës mirë por nuk i kanë përfunduar me kohë e tash mundohen edhe vikend edhe natën me i jep punës…le të qesin ujë apo diçka gjatë punës që me u largu pak pluhuri”, tha Humolli.

    Por, njohësit e politikës, projektet në këtë komunë i konsiderojnë marketing nga niveli qendror, në fund të mandatit.

    Ndryshe, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, ky projekt pritet të përfundojë në fund të vitit 2024.

  • “Termokosi” është në fazën finale për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes

    “Termokosi” është në fazën finale për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Temperatura ka filluar të rritet por, ngrohtorja e qytetit “Termokos” për sezonin dimëror janë duke punuar për shtrirje të rrjetit edhe në disa lagje të Prishtinës, të pa përfshira më parë.

    Nga kjo ndërmarrje thuhet se zgjerimi dhe rehabilitimi i rrjeti përfshinë rreth 32 kilometra gyp të instaluar, dhe janë në fazën finale të përmbylljes së projektit.

    “Jemi krejt në fund, po punohet shumë, synimi ynë është që të përfshihen edhe pjesët që nuk kanë qenë më parë, banesat e bardha, hamami i Prishtinës, Sahatkulla, Prishtina e Vjetër, kazerma “Adem Jashari…”, tha kryeshefi ekzekutiv i NP “Termokos”, Fisnik Osmani.

    Përveç kësaj, ngrohtorja ka dorëzuar tashmë edhe një koncept-projekt në komunën e Prishtinës, për të cilin janë në pritje të aprovimit.

    “Natyrisht ne nuk do ndalemi me kaq, ne kemi dorëzuar edhe koncept projekt për zgjerimin e 700 mijë metrave katror të tjera por ende jemi në pritje të përgjegjës nga Komuna…”, tha Osmani.

    Ngritja e kapaciteteve edhe në lagjet tjera po mirëpritet nga njohësit e energjisë.

    Lulzim Syla, thotë se zgjerimi i rrjetit do të bëjë që konsumatorët, të shpenzojnë më pak dhe të ngrohen në mënyrë komode.

    “Shumë e vërtetë që kryeqyteti nuk ka pas rrjet të ngrohjes të përfshirë në të gjitha pjesët sidomos ato të rëndësishme, mirë tash që po bëhet, do të ndikoj pozitivisht te qytetarët që nuk kanë qenë të kyçur më pare, do ta kursejnë gjepin, ngrohja është më e thjesht…”, tha Syla.

    Ndërkaq, prishtinasit që e shfrytëzojnë Termokosin për ngrohje, nga sezoni i ardhshëm, nuk do paguajnë në bazë të hapësirës së banesës, siç ishte deri më tani, por aq sa shpenzojnë.

    Aktualisht, ngrohtorja ka mbi 32 mijë konsumatorë si adresa banimi pasive dhe aktive, kurse mbi 24 mijë prej tyre marrin shërbime.

  • Sekuestrohen 10 kilogramë heroinë në Merdar

    Sekuestrohen 10 kilogramë heroinë në Merdar

    Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë e Kosovës ka zhvilluar një aksion të madh policor që ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie prej 10 kilogramë të drogës të llojit heroinë, transmeton atvlive.tv.

    Operacioni policor është zhvilluar pas hetimit të zhvilluar nga Policia në koordinim me organet e tjera dhe u finalizua me bastisjen e disa lokacioneve.
    Drejtori i njësitit antidrogë, major Reshat Murseli, në konferencën e sotme për media.

    “Sot Policia e Kosovës, duke filluar nga orët e mëngjesit, gjegjësisht njësia e antidrogës, sektori qendror, pas trajtimit të disa informatave nga burime në terren, e mbështetur nga policia kufitare në Merdar, njësitet K9 dhe njësitë tjera ligj zbatuese, siç është Dogana e Kosovës, e kemi zhvilluar një plan taktik të koduar “Tika 2” dhe kemi filluar me kontrolle duke selektuar disa automjete për kontrollë, në vijën e dytë kontrolluese. Në mesin e këtyre automjeteve, gjatë kontrollës, tek një automjet me targa kroate e llojit Reno Megana, të drejtuar nga personi tani më i dyshuar A.L. i vitit të lindjes 1959, shqiptar, shtetas kosovar dhe kroat, i cili ishte në dalje nga territori i Kosovës, hetuesit ishin në indikacione të dyshuara dhe kanë ndërmarrë kontrolle të detajuar, duke u mbështetur nga njësitet e e flotës policore dhe kanë arritur që në pjesën me bagazh të kamufluar në gomën rezervë të automjetit të gjejnë 20 paketime të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë”, tha Murseli.

    Ai në këtë konferencë tregoi se droga e sekuestruar kapë vlerën rreth 250 mijë e euro. Kjo sasi e drogës, thotë ai, ishte e destinuar për në vendet e tjera të Evropës. /atvlive.tv

  • Kurti kujton 7 prillin e vitit 1939 ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste

    Kurti kujton 7 prillin e vitit 1939 ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste

    Në 85 vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste kryeministri i Kosovës, Albin kurti ka thënë se plani për pushtimin e Shqipërisë ishte përgatitur një vit më parë. Kurti ka shkruar se rrethanat dhe zhvillimet që çuan deri te ky pushtim, nga dominimi politik dhe ekonomik i shtetit dhe kapitalit të Italisë në Shqipëri e deri te ndikimi i oficerëve italianë mbi ushtrinë shqiptare, janë sqaruar deri në detaje nga historianët shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

    “Në historinë moderne të shqiptarëve, data 7 prill 1939, është fiksuar si dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Sot u bënë 85 vite nga ajo ditë. Mes zhvillimeve që i paraprinë fillimit të Luftës së Dytë Botërore, pushtimi i Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939, ngjau ndërmjet aneksimit të Austrisë nga Gjermania më 12 e 13 mars 1938, të njohur edhe si Anschluß, dhe sulmit pushtues të Gjermanisë mbi Poloninë më 1 shtator 1939, kur edhe filloi Lufta e Dytë Botërore”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Kryeministri Kurti më tej ka shkruar: “Në ora 05:30 të mëngjesit të 7 prillit të vitit 1939, plot 22,000 ushtarë italianë me anije luftarake dhe transportuese, me avionë dhe me tankse e sulmuan territorin e Mbretërisë së Shqipërisë në katër portet e saj kryesore: në Vlorë, Shëngjin, Durrës dhe Sarandë. E vetmja rezistencë e shënueshme ishte ajo e bërë në Durrës nga xhandarmëria shqiptare e mbështetur nga vullnetarë, të komanduar nga Abaz Kupi dhe oficeri Mujo Ulqinaku. Në mesditë, Durrësi ishte plotësisht në duart e italianëve. Tirana u mor mëngjesin e 8 prillit, kurse brenda tre ditësh trupat italiane arritën edhe në zonat më kufitare të terriorit shqiptar”.

    Mbreti Zogu nuk organizoi rezistencë dhe u largua nga Shqipëria. Plani për pushtimin e Shqipërisë ishte përgatitur një vit më parë. Rrethanat dhe zhvillimet që çuan deri te ky pushtim, nga dominimi politik dhe ekonomik i shtetit dhe kapitalit të Italisë në Shqipëri e deri te ndikimi i oficerëve italianë mbi ushtrinë shqiptare, janë sqaruar deri në detaje nga historianët shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Dy vjet më pas, më 6 prill 1941 kur Gjermania e sulmoi dhe e pushtoi Jugosllavinë, shumica e territorit të Kosovës iu bashkua zonës italiane të pushtimit nën Mbretërinë e Shqipërisë. Historia e shqiptarëve gjatë atyre viteve të Luftës së Dytë Botërore, ka shumë zhvillime specifike që u takojnë historisë dhe historianëve t’i studiojnë dhe përshkruajnë. Ajo që përkujtojmë ne sot në 85-vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, janë viktimat civile dhe dëshmorët shqiptarë të rënë në rezistencë ndaj pushtimit e në luftën antifashiste”, ka shrkuar Kurti në Facebook.

  • Arresohet një person pasi dyshohet për zjarrvënie të qëllshme në një ndërtesë në lagjen e Muhaxherëve

    Arresohet një person pasi dyshohet për zjarrvënie të qëllshme në një ndërtesë në lagjen e Muhaxherëve

    Një person dyshohet se me qëllim ia ka vënë flakën mbeturinave në ballkon, te një ndërtese në lagjen e Muhaxherëve. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar të dyshuarin.

    Për rastin kanë intervenuar edhe zjarrfikësit.

    ATV, kupton se i dyshuari ka probleme mendore dhe ka jetuar i vetëm në njëren nga banesat e kësaj ndërtese.

    Ai ishte duke jetuar me qira, ndërkohë pronari gjendet në Itali. /atvlive.tv

  • Qeveria insiston se Rregullorja e BQK-së s’do të ndryshohet, opozita kërkon koordinim me aleatë

    Qeveria insiston se Rregullorja e BQK-së s’do të ndryshohet, opozita kërkon koordinim me aleatë

    Qeveria e Kosovës vazhdon të insistojë se Rregullorja e Bankës Qendrore(BQK), ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë s’do të ndryshohet.

    Sipas tyre, pajtimi me propozimin e Bashkimit Evropian ka të bëjë vetëm me lehtësimin e zbatimit të saj, në mënyrë që qytetarët serbë në Kosovë të mos dëmtohen. Në anën tjetër, partitë opozitare, kritikojnë ekzekutivin që çështjen e dinarit e ka bërë temë në dialog, por theksojnë se çfarëdo veprimi tutje për zbatimin e saj duhet të bëhet në koordinim me aleatët ndërkombëtar, veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, thotë për KosovaPress se janë të angazhuar që në bashkëpunim me partnerët të gjejnë mënyrat më të mira që lehtësojnë tranzicionin për zbatimin e Rregullores, por pa e prekur të njëjtën.

    Sipas tij, diskutimet në Bruksel janë në funksion të lehtësimit të zbatimit të Rregullores së BQK-së, e jo të ndryshimit të saj.

    Mirëpo, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, thotë për KosovaPress se çdo veprim që është në interes të Kosovës duhet të bëhet në koordinim me aleatët ndërkombëtar.

    Kritike është edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila thotë për KosovaPress se qeveria e bëri dinarin temë në dialog, pa pasur fare nevojë.

    Sipas saj, pas takimit të fundit në Bruksel, zëvendëskryeministri, njëherësh kryenegociatori për dialog, Besnik Bislimi është tërhequr nga vendimi për dinarin.

    Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, megjithëse thotë se vendimi për dinarin është i duhuri, ngre shqetësime se Qeveria e Kosovës do të tërhiqet nga i njëjti.

    Takimi i fundit në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve u mbajt me 4 prill. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se kanë pranuar propozimin e emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, mirëpo pala serbe s’ka qenë e gatshme për kompromis. Takimi i katërt Bislimi-Petkoviq për çështjen e dinarit pritet të zhvillohet pas dy jave në Bruksel.

  • LDK e AAK i konsiderojnë shqetësuese paralajmërimet e SBAShK-ut për grevë, fajtor e shohin Qeverinë

    LDK e AAK i konsiderojnë shqetësuese paralajmërimet e SBAShK-ut për grevë, fajtor e shohin Qeverinë

    Anëtarët e Komisionit për Arsim nga radhët e opozitës, i shohin si shqetësuese paralajmërimet e SBAShK-ut për grevë, ndërsa kërkojnë që si shkak i përplasjes të mos e pësojnë nxënësit, raporton Ekonomia Online.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës i konsiderojnë të drejta kërkesat e sindikatës, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon që situata me arsim të diskutohet në Kuvend.

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi, thotë për Ekonomia Online, se ky paralajmërim vjen si pasojë e mungesës së dialogut ndërmjet Qeverisë dhe Sindikatës.
    Sipas Dumoshit, ekzekutivi po synon t’i fusë nën ombrellën e saj të gjitha sindikatat. Thekson se kërkesat e SBAShK-ut janë të drejta, marrë parasysh inflacionin e lartë.

    “Ky lajm nuk është i mirë për nxënësit për arsimin në përgjithësi por kjo vjen si pasojë e një mos dialogu ndërmjet Qeverisë dhe Sindikatës të Arsimit. Ne e kemi parë që gjithmonë kanë qenë refuzues qeveria dhe mundohet që të gjitha sindikatat me i fut nën ombrellën e tyre andaj edhe problemet pastaj rriten. Kërkesat e SBASHK-ut kanë qenë rritja e pagave, ne e dimë që po kalojmë me një krizë të madhe ku paga e cila është e arsimtareve ose mësuesve për shportën e tyre familjare është e paktë”, thotë Dumoshi.

    Ajo theksoi se si opozitë kanë paraqitur një kërkesë për ndryshimin e ligjit për vitet e 90-ta dhe për të njohur kontributin e mësimdhënësve në atë kohë.

    “Po sigurisht ne kemi edhe kërkesën për ligjin për ndryshimin e ligjit për vitet e 90-ta për të njohur kontributi i profesorëve dhe arsimtareve në atë kohë të cilët ballafaqohen për pjesën e pensionimit ku nuk munden me i përmbush dhe gjithë kontributi i tyre jetësor nuk shpërblehet me një pension adekuat”, u shpreh Dumoshi.

    Kritika për mënyrën e trajtimit të sindikatave nga Qeveria ka edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, veçse kërkon që nxënësit të mos përdoren për
    Ajo thekson se si shkak i situatës aktuale ndërmjet Qeverisë e Sindikatës, ka edhe përçarje ndërmjet mësimdhënësve.

    “Më bie të përsëritëm që asnjëherë nuk duhet të viktimizohet dija dhe mësimnxënia e fëmijëve tanë për të zgjidhur çështje të cilat mund të zgjidhen me dialog dhe mund të zgjidhen duke vënë përgjegjësin tek akterët të cilët duhet të merren me çështje të caktuar të arsimit, prandaj e konsideroj të panevojshme grevën duke i dhënë edhe një bust negativ mësimdhënies, mësimnxënies sepse këtë rast përpos fëmijëve në këtë rast kemi edhe një problem edhe një përçarje të jashtëzakonshme që po ndodh mes mësimdhënësve sepse po krijohen situata të tilla konfuze të cilat përpos humbjes së mësimit po shkaktojnë edhe probleme në kolegjialitetin edhe në bashkëpunimin e bashkërendimin që do duhej të jetë nivelit shumë të lartë kur të flasim me arsimin e në vendit tonë”, thotë Reshitaj.

    E për gjendjen në arsim, Reshitaj kërkon që të diskutohet në Kuvend. Thotë se interesat partiake duhet lihen anash kur flitet për arsimin në Kosovë.

    “Mendoj që ka nevojë të behën shumë ndryshime, ka nevojë të ecet përpara në reformim të sistemit arsimor por asnjëherë duke shfrytëzuar fëmijët dhe mungesën e mësimdhënies. Gjithmonë duhet që Kuvendi të adresojë këtë çështje dhe unë kam kërkuar disa herë edhe seancë të jashtëzakonshme vetëm për arsimin në Republikën e Kosovës, dhe pres që me kolegët tanë të thërrasim një seancë për arsimin dhe të diskutojmë të gjitha çështjet, të gjitha ngecjet dhe të gjitha problemet që i kemi në sistemin arsimor në vendin tonë sepse ne duhet përtej politikave e interesave të partive politike, ta shohim arsimin edhe ngritjen e cilësisë së arsimit në Republikën e Kosovës vetëm kur e tejkalojmë vetveten politikisht ne mund të arrijmë rezultate signifikante në ngritjen e cilësisë së arsimit në Republikën e Kosovës”, u shpreh tutje Reshitaj.

  • Analistët politik i shohin të papranueshme presionin e njëanshëm nga BE-ja

    Analistët politik i shohin të papranueshme presionin e njëanshëm nga BE-ja

    Deklarimet e Bashkimit Evropian se “Kosova rrezikon rrugëtimin evropian nëse s’e themelon Asociacionin”, po konsiderohen si presion i njëanshëm dhe vetëm ndaj Kosovës nga analistët politikë. Ata për Ekonomia Online thonë se presioni duhet të bie edhe ndaj Serbisë.

    Ata kërkojnë që presioni të jetë edhe mbi Serbinë, pasi thonë se ky shtet vazhdimisht shkel marrëveshjen e Brukselit.

    Analisti politik, Arton Demhasaj, thotë për Ekonomia Online se Bashkimi Evropian duhet të përdor mekanizma obligues ndaj palëve dhe se “presioni” duhet të jetë edhe mbi Serbinë.

    Ai thekson se nëse ekziston një presion i tillë edhe ndaj Serbisë, kushti që i është vënë Kosovës do të kishte kuptim.
    Ai thekson se duhet të specifikohet se nëse Serbia nuk i kryen obligimet e dala nga marrëveshja e Brukselit, të mos ketë mundësi të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.

    “Me Bashkimin Evropian duhet me përdor si të themi mekanizma obligues ndaj palëve në dialog për me i bind ose me i obligu në një mënyrë për më i implementu obligimet e tyre që i kanë marrë nga Marrëveshja e Brukselit njëkohësisht edhe Aneksi i Ohrit. Nuk duhet Bashkimi Evropian me qenë parësor që me vendos obligime vetëm ndaj Kosovës ose edhe kërcënime vetëm ndaj Kosovës se nëse ‘Kosova nuk e bën Asociacionin rrezikon rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian’ por duhet ta bëjë edhe ndaj Serbisë, pra që edhe Serbia në rast se nuk i kryen obligimet e saj që janë pjesë e marrëveshjes së Brukselit atëherë edhe Serbia të ndëshkohet dhe të mos ketë mundësi që të anëtarësohet në BE ose thjesht BE ndaj Serbisë duhet të vendos kushtin që pa njohje reciproke me Kosovën Serbia nuk mund të hyjë në BE pra kur BE e vendos një kusht të tillë për Serbinë atëherë normalisht se ka kuptim edhe kushti pra që mund të vendoset ndaj Kosovës se pa Asociacion nuk mund të udhëtojë drejt BE-së”, thotë Demhasaj.

    E Shemsi Jashari thotë për Ekonomia Online se kushtëzime të tilla ka pasur në vazhdimësi, teksa përmend rastin e fundit, bartjen e tokës Manastirit të Deçanit, si kusht për anëtarësim në Këshill të Evropës.

    “Në fakt ajo se çka thotë zëdhënësi i BE-së është një realitet me të cilin Kosova, qeveritë një pas një e tash kjo e fundit është përballë sa herë kemi pas nevojë për Bashkimin Evropian ose për të avancuar në proceset drejt BE-së. I dimë kushtëzimet që janë bë për secilin proces dhe para çdo procesi dhe para çdo hapi të vogël që Kosova e ka bërë drejt BE-së është dashur të kemi koncesione të njëpasnjëshme e të fundit e patëm edhe vendimin ose kërkesën e Qeverisë për ta regjistruar në kadastër pronën e Manastirit të Deçanit për t’i hapur rrugë mandej anëtarësimit të mundshëm në Këshillin e Evropës”, thotë Jashari.
    Jashari thekson se asnjë Qeveri nuk mund t’i ikë obligimeve të mara në dialog.

    “Do të thotë se Kosova është e kushtëzuar se çka do që ka pranuar gjatë dialogut secilën marrëveshje që e ka arritur në Bruksel, aneksit në Ohër dhe të gjitha takimet premtimet që i ka dhënë si Qeveri ka marrë obligime dhe përderisa nuk i implementon mund ta zhegitë procesin por nuk ka mundësi me i ik obligimet kjo Qeveri ose secila Qeveri që ka marrë në raport me BE-në. Përndryshe nuk mund të bëjë asnjë hap drejt BE-së d.m.th ata e kanë ‘shkopin dhe karrocën’ në dorë që qeveritë e Kosovës vetëm mund të ndërrohen por nuk kanë asnjë shans që t’i ikin atyre detyrimeve”, u shpreh Jashari.

    Ndërsa për kushtëzime të tilla, kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, thotë për Ekonomia Online se faji mbetet i Qeverisë Kurti.

    “Po siç e dini, nëse i referohemi marrëveshjes së Ohrit aty është Asociacioni nuk është vetëm asociacioni, është përtej asociacionit do të thotë është autonomi më e madhe dhe në atë marrëveshje është pajtuar kryeministri Kurti tani unë besoj që asociacioni shumë shpejt do të fillojë të implementohet sepse kështu e kanë pranuar atë marrëveshje tash po thonë se e kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese kryeministri Kurti thotë do ta bëjmë një propozim të ri as vetë nuk e dinë se çfarë deklarata është duke dhënë prej dita ditës i ndërron asnjëherë nuk e ka deklaratën e njëjtë”, deklaroi Krasniqi.

  • Masakra e Polacit, Kurti: Shtatë banorë janë ende të pagjetur, teksa autoritetet e Serbisë i refuzojnë

    Masakra e Polacit, Kurti: Shtatë banorë janë ende të pagjetur, teksa autoritetet e Serbisë i refuzojnë

    Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar masakrën e Polacit të Drenasit që ka ndodhur para 25-vjetëve më 7 prill të vitit 1999.

    Ai, me anë të një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se 7 prilli është data kur kujtohen viktimat civile dhe dëshmorët e Polacit të Drenicës.

    “Përpara se të fillonte lufta në Kosovë, në fshatin Polac të komunës së Skënderajt jetonin rreth 450 familje me mbi 4,000 banorë, që të gjithë shqiptarë. Por gjatë ofensivave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në verën e vitit 1998 mbi fshatrat e Drenicës dhe veçanërisht gjatë fushatave kriminale të forcave të armatosura të Serbisë, në Polac u vranë 86 njerëz: 78 viktima civile të paarmatosura dhe 8 dëshmorë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nga të vrarët në Polac, 12 persona ishin nga lagjja Kerolli, 11 nga lagjja Kabashi, 11 nga lagjja Veliu, 11 nga lagjja Xani, 8 nga lagjja Koci, 4 nga lagjja Aliuka, 3 nga lagjja Hoti, si dhe nga lagje të tjera”.

    “Pas fushatave vrastare të kryera mbi shqiptarët e Kosovës, preokupimi më i madh i shtetit të Serbisë ishte fshehja e këtyre krimeve dhe zhdukja e gjurmëve, që kryesisht synohej përmes zhdukjes së trupave të pajetë. Shtatë banorë të Polacit janë ende të pagjetur, teksa autoritetet e Serbisë i refuzojnë dhe i bishtnojnë bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Në kohën e luftës, 20 banorë të Polacit u mbijetuan plagëve”, ka thënë Kurti.

    Kurti ka shtuar: “Shoqëria dhe shteti i Kosovës do të kujdesen për trashëgiminë e luftës së popullit të Kosovës. Nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për viktimat, për krimet e luftës dhe dëmet e luftës në drejtim të kriminelëve dhe në adresë të urdhërdhënësve të tyre”.

  • Kërkohet ndryshimi i Ligjit për hetim parlamentar

    Kërkohet ndryshimi i Ligjit për hetim parlamentar

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Që nga miratimi i Ligjit për hetim parlamentar në vitin 2010, janë formuar mbi 14 komisione hetimore parlamentare.

    Ndërkohë vetëm në legjislaturën e 8 deri më tani janë themeluar 6 komisione hetimore derisa në pritje janë edhe 2 të tjerë.

    “Kjo legjislaturë përbën numrin më të madh të komisioneve të cilat nuk kanë arritur të dëshmojnë ose ta kryejnë mandatin mbi të cilin është themeluar ai komision hetimor. IKD-ja e vlerëson edhe si jo etike e jo kushtetuese”, deklaroi Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    “Shumë shpesh nuk kanë arritur as të përfundojnë çështjet ligjore të fillojnë dhe zhvillojnë hetimet lëre më ta përfundojnë me një raport përfundimtar. Më tepër I kanë përdorur komisionet si platformë për shprehje të opinionit sesa për çështjen që është ngritur”, tha Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

    Opozita po vazhdon të propozojë themelimin e komisioneve hetimore ani pse ata nuk po përkrahen nga pushteti siç ndodhi edhe së fundi me komisionin për rezervat shtetërore, që u themelua por nuk solli rezultat.

    Andaj ligji për hetim parlamentar po vlerësohet se duhet të ketë ndryshime.

    Sipas ligjit, komisionet hetimore themelohen detyrimisht, në seancë plenare nëse parashtrohet kërkesa e nënshkruar nga një e treta e deputetëve, apo 40 deputetë. Në rast se nuk figurojnë 40 nënshkrime në kërkesë, atëherë komisionet mund të ngritën me shumicë të thjeshtë të votave të deputetëve të pranishëm.

    Ndërkohë mandati i Komisionit nuk mund të jetë me i gjatë se 6 muaj./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: