ATV

Tag: Ballina

  • Gjykimi për autostradën e Gjilanit, i akuzuari Betim Reçica thotë se nuk pati asnjë shkelje ligjore në tender

    Gjykimi për autostradën e Gjilanit, i akuzuari Betim Reçica thotë se nuk pati asnjë shkelje ligjore në tender

    Përgatiti: Nora Luta

    Procesi gjyqësor rreth akuzave të Prokurorisë Speciale për keqpërdorime në tenderin për ndërtimin e autostradës së Gjilanit është pothuajse në përfundim.

    Të hënën gjatë fazës së mbrojtjes, ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, tha se operatori “Gjoka Construktion”, i ka përmbushur kriteret për të fituar tenderin, sipas tij, me një çmim të ulët.

    Prokuroria Speciale në aktakuzë pretendon se Reçica si ushtrues i detyrës së drejtorit të prokurimit publik në MI, ushtroi ndikim me qëllim të përfitimit financiar për këtë kompani.

    Aktakuza thotë se presioni nga Reçica që rivlerësimin e tenderit ta kryejnë për 10 ditë ishte mbi tre të akuzuarit tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të komisionit. Por, afati, sipas tij, ishte caktuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

    Reçica ka mohuar edhe tjetrën pikë të aktakuzës që flet rreth blerjes së një veture.

    Tre të akuzuarit e tjerë në këtë rast kanë shfrytëzuar të drejtën të mbrohen në heshtje.

    Sipas aktakuzës, Reçica sa ishte në MI vendosi që 14 zyrtarë të kësaj Ministrie të paguhen shtesë, por ai gjatë mbrojtjes mohoi se pati veprime të kundërligjshme.

    Sipas PSRK-së, Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e komisionit që të shkojnë në takim me ish-ministrin Pal Lekaj, e më pas ta shpallin fitues kompaninë “Gjoka Konstruktion”.

    Komisioni Rivlerësues, sipas aktakuzës, kishte rekomanduar kompaninë “Papenburg Adriani”.

    Reçicës në shkurt të këtij viti i është konfirmuar edhe aktakuza në një rast tjetër, për keqpërdorim të detyrës zyrtare në projektin e rrugës Prizren – Prevallë.

  • Komunat kërkojnë nga qeveria paratë e veta

    Komunat kërkojnë nga qeveria paratë e veta

    Përgatiti: Armand Hoti

    Komuna e Rahovecit synon të realizojë projekte të reja gjatë vitit aktual.

    Por mjetet për t’i paguar punëkryesit mungojnë, meqë Ministria e Financave, akoma nuk ia ka bartur të hyrat vetjake komunës.

    “Ne i kemi paraparë edhe disa projekte, sepse ligji na e lejon, nëse vonohen me këtë vendim, atëherë problemet janë sepse këto projekte iu janë nënshtruar procedurave të prokurimit dhe kontrata nuk mundë të lidhet pa i pasur mjetet në dispozicion. Problemi tjetër ne kemi parapa që një pjesë e mjeteve të bartet në mallra shërbime, sepse kemi deficit në këtë kategori”, tha drejtori për buxhet dhe financa në Komunën e Rahovecit, Afrim Limani.

    Komuna e Rahovecit ka edhe fatura për të paguar në kohë të limituar. Kështu që bartja e të hyrave vetjake kërkohet me urgjencë nga drejtori për Financa në Rahovec.

    “Ne i kemi dy fatura që janë në pritje dhe sipas ligjeve që janë në fuqi, operatori në momentin kur fatura nuk ekzekutohet brenda 60 ditëve, atëherë ka të drejtë të iniciojë procedura përmbarimore. Realisht kemi hapësirë edhe diku dhjetë ditë, shpresoj që brenda kësaj kohe të na alokohen mjetet. Vlera e faturave është 435 mijë euro”, tha Limani.

    Në pritje të bartjes së të hyrave vetjake, janë edhe komunat e tjera të Kosovës.

    “Janë në pyetje dhjetëra miliona euro, nuk po flasim për një apo dy milion euro, por dhjetëra miliona euro, dhe gjitha këto mjete përkthehen në investime kapitale, shumica absolute e tyre janë për investime kapitale, por ka edhe për subvencionime e tjera dhe gjithçka është duke u vonuar… kërkojmë nga niveli qendror që sa më parë këto mjete financiare t’i bartë në komuna, sepse ato janë të komunave”, tha drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

    Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se vonesa e bartjes së të hyrave vetjake, prodhon dëme zinxhirore për komunat.

    “Nëse një projekt ka mbaruar dhe komuna nuk mundë ta kryejë pagesën, atëherë operatori ekonomik e ka të drejtën ligjore t’i kërkojë ato mjete përmes përmbaruesit, dhe tash kostoja e përmbaruesit rritet dhe kjo kosto nuk është e paraparë me buxhetin komunal dhe komunat duhet t’i marrin nga një vijë tjetër buxhetore, pastaj mundë të lejë moszbatim të një projekti tjetër i cili është i paraparë… Atëherë raportet e auditimit të komunave nuk dalin pozitive”, tha Ibrahimi.

    Lidhur me shqetësimet e komunave, Ministria e Financave nuk ktheu përgjigje të hënën.

    Vonesa në bartjen e të hyrave vetjake të komunave nga niveli qendror, ka pasur edhe vitin e kaluar.

  • Ngecje në liberalizimin e tregut energjetik, plus dy vjet “Monopol” i KESCO-s

    Ngecje në liberalizimin e tregut energjetik, plus dy vjet “Monopol” i KESCO-s

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Të paktën edhe për dy vjet kompania private KESCO do të vazhdojë monopolin në furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

    Javën e kaluar, pas prezantimit të raportit, i cili konstaton se ka përqendrim të lartë të tregut dhe mungesë likuiditeti, Zyra e Rregullatorit për Energji vendosi që kompania turke të vijojë të jetë furnizues i shërbimit universal, që është i barasvlershëm me obligimin e shërbimit publik me kushte të rregulluara.

    Ky obligim vendoset kur ka dominim të tregut nga një kompani, që në rastin e Kosovës mundësohet nga marrëveshja për furnizim me shumicë KEK-KESCO, si pjesë e procesit të privatizimit.

    Marrëveshja vijon të mbetet e paprekur, përkundër se Bashkimi Evropian e vlerëson atë si pengesë kyçe në raport me liberalizimin e tregut.

    “Kosova ende nuk ka bërë progres në ristrukturimin e marrëveshjes ekzistuese për furnizim me shumicë ndërmjet Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Largimi nga marrëveshja e furnizimit me shumicë do të kontribuonte në zhbllokimin e konkurrencës dhe likuiditetit në treg, për të mirën e konsumatorëve të energjisë në Kosovë”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

    Teksa shprehen të pafuqishëm për veprim, me arsyetimin se gjatë privatizimit janë përjashtuar nga marrëveshja, në ZRRE shpresojnë në hapje të tregut.

    “ZRRE-ja e ka përkrahë edhe krijimin e bursës shqiptare (ALPEX), bashkimin e tregut me Shqipërinë. Dhe si e tillë, ky është një parakusht dhe një lehtësim për sjelljen e konkurrencës në vend dhe shpresojmë që në vitet në vazhdim do të kemi konkurrencë të mjaftueshme dhe të kemi mundësi që edhe ne, konsumatorët, të zgjedhin në mënyrë vullnetare të shkojnë të zgjedhin furnizuesit komercialë. Të mos ketë nevojë që ZRRE-ja në të ardhmen të përcaktojë tarifat”, tha kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

    Megjithatë, gjendja faktike e dominimit të plotë, sipas ekspertit të energjisë Naim Bujupi, nuk jep shpresë për liberalizim të tregut së shpejti.

    “KESCO-ja, e cila mbulon 99% të tregut me pakicë, dhe kjo tregon që në një të ardhme të afërt do ta kemi të pamundur të ndërtojmë një treg likuid. Shto faktin se ekziston marrëveshja mes KEK-ut dhe furnizuesit publik për shitblerje të energjisë për rreth 30 euro për megavat orë, që një çmim tejet i ulët krahasuar me çmimin e tregut dhe kjo i pengon që të futen furnizuesit e rinj në tregun elektroenergjetik të Kosovës”, tha Bujupi.

    Marrëveshja për furnizim me shumicë, në kuadër të procesit të privatizimit, e obligon KEK-un energjinë e prodhuar t’ia shesë ekskluzivisht KESCO-s, për një çmim të rregulluar prej 29.5 euro për megavat orë – përveç tepricave, të cilat mund t’i shesë në treg ose t’i shkëmbejë, si rasti me Shqipërinë.

  • Bojkoti i shkarkimit të kryetarëve nga Lista Serbe, Rohde: Rast i qartë i presionit ndaj qytetarëve në veri

    Bojkoti i shkarkimit të kryetarëve nga Lista Serbe, Rohde: Rast i qartë i presionit ndaj qytetarëve në veri

    Vendimi i Listës Serbe për mospjesëmarrje në votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore, ka shtyrë për reagim ambasadorin gjerman Jorn Rohde.

    Në një prononcim Rohde ka thënë se është shqetësuese kjo qasje e këtij subjekti.

    “Më 21 prill, organet zgjedhore kosovare do të mbajnë votimin për tërheqjen e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe më duhet të them shqetësuese që Lista Serbe ka vendosur sërish që të mos marrë pjesë në votim. Është një rast i qartë këtu që qytetarëve në veri janë përsëri duke u bërë presion që të mos marrin pjesë në proceset demokratike”, u shpreh ambasadori.

    Politikën e këtij subjekti Rohde e ka quajtur “bojkot dhe dorëheqje”, duke e cilësuar edhe si një tjetër autogol nga Lista Serbe.

    “Për mua, politika e Listës Serbe në 18 muajt e fundit mund të përmblidhet fare sinqerisht në dy fjalë: ‘bojkot dhe dorëheqje’. Kjo është katastrofike, një dëmtim për të gjithë qytetarët e komunave veriore dhe një tjetër autogol nga Lista Serbe, sigurisht që kjo nuk ndihmon për të siguruar që ne do të kemi në veri kryetarë që përfaqësojnë plotësisht elektoratin të cilit i shërbejnë”, tha ai.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës vendosi që votimi të mbahet më 21, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Sipas udhëzimit, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

  • Mbi 7 mijë intervista në terren, ASK njofton për progresin e sfidat lidhur me regjistrimin e popullsisë

    Mbi 7 mijë intervista në terren, ASK njofton për progresin e sfidat lidhur me regjistrimin e popullsisë

    U.d kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati ka deklaruar se deri më tani janë përfunduar 7 mijë e 643 intervista sa i përket procesit të regjistrimit të popullsisë. Sipas tij, çdo gjë është duke shkuar sipas planifikimeve, porse sfidë mbetet komuniteti serb në disa pjesë të vendit, pasi siç tha ai, ende nuk kanë filluar në atë pjesë.

    Kastrati në një konferencë për media të hënën derisa ka njoftuar lidhur me ecurinë e punës në terren për regjistrimin e popullsisë, Ekonomive Familjare, dhe Banesave në Kosovë, ka theksuar se në veri për shkak të disa trajnimeve ende nuk ka filluar ky proces në atë pjesë të Kosovës.

    “Gjatë këtyre ditëve në terren kemi angazhuar regjistrues, mbikëqyrës dhe një numër të madh të institucioneve tjera mbështetëse. Procesi është duke shkuar sipas planifikimit që kemi bërë më herët… Aktualisht kemi 98 për qind të regjistrueseve që kemi paraparë, ndërsa aktiv në terren janë rreth 90 për qind. Kemi disa sfida në angazhimin e regjistruesve të komunitetit serb në disa pjesë, jo në gjithë Kosovën dhe presim të tejkalohen… Ishim në pjesën veriore dhe presim që ditëve në vijim edhe ata do të angazhohen në regjistrim. Të gjitha aktivitetet kemi hyrë në fazën e grumbullimit të të dhënave në terren, pajisjet janë funksionale, njëkohësisht sistemi është duke funksionuar pasi ka qenë sfidë. Gjitha aktivitetet e parapara deri më tani janë në linjë me planin”, tha Kastrati.

    Ai ka shtuar se nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë.

    Derisa ka njoftuar që ka qenë në vizitë në pjesën veriore të vendit, ai ka thënë se përfaqësuesit nga komunitetet serb kanë shprehur gatishmëri të popullsisë të regjistrohen.

    “Që nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë, kanë pas për detyrë të shpërndajnë disa materiale informuese dhe që nga tani do të zhvillohen intervistat e plota sipas planit dhe rekomandimeve… Gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë në regjistrim dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Kemi edhe institucione tjera ndërkombëtare që do ta monitorojnë procesin e regjistrimit… 5:04 Vet isha në pjesën veriore, dhe jemi takuar me përfaqësues të komunitetit serb dhe ka një gatishmëri edhe të popullsia të regjistrohen, kanë kërkuar disa dite afat qe te trajnohen dhe ne jemi dakord. Shpresojmë se do jenë në terren të grumbullojnë të dhëna. Popullsia është sfidë edhe për ata vet dhe presim të grumbullojmë të dhëna edhe për atë pjesë”, tha Kastrati.

    I pyetur për thirrjen për bojkot nga Lista Serbe, ai ka thënë përveç ASK-së janë gjitha institucionet e përfshira, sidomos të sigurisë dhe gjyqësor. Poashtu është thënë se është angazhuar edhe juristi Mazllum Baraliu.

    Ndërsa, për këtë profesori, Mazllum Baraliu ka thënë se është çështje e KQZ-së ta vlerësojë dhe të ndërmarrë hapat e duhur.

    “Është çështje ligjore, dhe ka procedurë, procedurat e ligjit për vetëqeverisje lokale parashohin atë, dhe është çështje e KQZ-së që ta vlerësojë dhe pastaj të ndërmarrë hapat e duhur”, tha Baraliu.

    Ndërkaq, Burim Limolli shef i IT-së në ASK, derisa ka treguar të dhënat, ka njoftuar se gjitha etnitetet janë duke marrë pjesë në këtë proces dhe sipas tij çdo gjë është nën kontroll nga sistemi i IT-së. I njëjti ka shtuar se kanë kërkuar që dy intervista të bëhen në ditë.

    Ndryshe, Kastrati ka thënë se aplikacioni është në katër gjuhë, shqip, anglisht, turqisht dhe serbisht./kp

  • Petritsch: Marrëveshja Kurti – Vuçiq ka validitet ndërkombëtar

    Petritsch: Marrëveshja Kurti – Vuçiq ka validitet ndërkombëtar

    Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, kanë validitet ndërkombëtar, sepse fjala e dhënë e një presidenti apo e një kryeministri para ndërmjetësve ndërkombëtarë, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi.

    Kështu tha për Radio Kosovën, diplomati austriak Wolfgang Petritsch, ish përfaqësues i BE-së në bisedimet në Rambuje.

    “Është praktikë evropiane, që në rastet kur dy politikanë të lartë, krerë të dy shteteve pajtohen dhe marrin zotime para dëshmitarëve ndërkombëtarë, që në këtë rast është Bashkimi Evropian, pra, kur ata japin një pëlqimin verbal për një çështje të caktuar para ndërmjetësve ndërkombëtarë, atëherë kjo marrëveshje është e vlefshme, pra, ka vlefshmëri ndërkombëtare. Këto marrëveshje, kjo në Bruksel dhe Ohër, ashtu si më parë, janë të vlefshme, dhe unë besoj se Brukseli do të zhvillojë takime të tjera me Beogradin, që ta detyrojë të njohë marrëveshjet dhe zotimet që ka marrë përsipër. Kjo marrëveshje tashmë është pranuar, sepse fjala e një presidenti apo një kryeministri, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi i tij”.

    Për Marrëveshjen e Rambujesë të vitit 1999, ai thotë se ka një vlerë historike, transmeton Klankosova.tv.

    “Do të thosha se kjo marrëveshje ka një rëndësi të vërtetë historike. Në radhë të parë për Kosovën, sepse ky ishte hapi i parë i njohjes së saj ndërkombëtare dhe hapi parë i fillimit të shkëputjes nga Beogradi. Siç e dini, në Rambuje, fillimisht kemi negociuar rikthimin e një autonomie të lartë të Kosovës. Por, në paragrafët e fundit të marrëveshjes patëm gjetur një formulë shumë të komplikuar, ku kishim përcaktuar për më vonë mbajtjen e një konference ndërkombëtare, ku do të merrnin pjesë të gjitha palët: Kosova, Serbia, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, pra përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe Rusinë, për të diskutuar statusin përfundimtar të Kosovës dhe fatin e saj për të ardhmen. Në marrëveshje, kishim përcaktuar, që pas tre vitesh të respektohej vullneti i popullit të Kosovës përmes organizimit të një referendumi në një anë, dhe në anën tjetër, të merreshin në konsideratë parimet e OSBE-së. Kjo ka qenë pika më e rëndësishme të cilës i përmbahemi edhe sot e 25 vjet më pas, sepse në sfond marrëveshja kishte qëllim heqjen e sovranitet të Serbisë mbi Kosovën”.

  • ASK prezanton planet për regjistrimin e popullsisë, 3 mijë e 500 regjistrues dhe 900 mbikëqyrës të angazhuar

    ASK prezanton planet për regjistrimin e popullsisë, 3 mijë e 500 regjistrues dhe 900 mbikëqyrës të angazhuar

    Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë (ReKos 2024) ka filluar nga data 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2024.

    Për javën e parë të këtij procesi, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në një konferencë për media do të prezantojë ecurinë e punës në terren për Regjistrimin e Popullsisë.

    Për procesin e regjistrimit të popullsisë në terren, do të flasë U.d Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati.

    “Regjistrimi i Popullsisë është një proces tejet voluminoz dhe kompleks që kërkon mbështetjen dhe përfshirjen e të gjithëve. Kjo konferencë mbledhë të gjithat palët e përfshira, si dhe palët e interesit që mund të kontribuojnë në këtë proces për ta lehtësuar punën në terren të Regjistrimit të Popullsisë”, njofton ASK.

    Konferenca mbahet në ambientet e ASK-së, duke filluar prej orës 10:00.

    Në Projektin e Regjistrimit të Popullsisë (ReKos 2024) janë angazhuar rreth 3500 regjistrues dhe rreth 900 mbikëqyrës. Numri i mbikëqyrësve dhe regjistruesve në secilën komunë përcaktohet në varësi të numrit të popullsisë dhe shtrirjes hapësinore të Zonave Regjistruese (ZR).

    ASK u ka dërguar edhe mesazhe telefonike qytetarëve për t’i njoftuar lidhur me këtë proces.

    ASK-ja do të dalë me rezultate preliminare pas tre muajsh. Gjatë këtij procesi do të aktivizohet edhe një lojë shpërblyese. Cilido qytetar që qëllon më së afërmi numrin e popullsisë do të fitojë 10 mijë euro.

    Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.

  • Rikthehet kushtëzimi, vetura nuk regjistrohet pa u paguar dënimi

    Rikthehet kushtëzimi, vetura nuk regjistrohet pa u paguar dënimi

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dënimet që i marrin për shkelje të rregullave në trafik, qytetarët mund t’i paguajnë përgjysmë më lirë, nëse këtë e bëjnë brenda 15 ditëve.

    Por ata që refuzojnë t’i paguajnë dënimet do të hasin në kufizime nga shteti.

    Ata nuk do të mund t’i regjistrojnë veturat për aq kohë sa kanë dënime të pashlyera.

    Megjithëse, ky kushtëzim u largua së fundmi, ai është kthyer përsëri, tash me ligjin e ri për trafikun rrugor.

    Kjo thuhet të jetë bërë me shkas, meqë qytetarët në shumë raste nuk i kanë paguar dënimet e që rrjedhimisht ato edhe janë shlyer.

    “Nëse ka kaluar afati prej 2 viteve nga shqiptimi i gjobës, atëherë kemi pasur parashkrim të këtyre dënimeve dhe siç e dini të gjitha kushtëzimet e mundshme kanë qenë të hequra”, tha Valdet Hoxha, avokat.

    Me ligjin e ri që hyri në fuqi nga dita e djeshme, ndër të tjera, gjobat për shkelje të rregullave në trafik janë shumë më të larta sesa që ishin më herët.

  • Priten ndryshime nga regjistrimi i popullsisë

    Priten ndryshime nga regjistrimi i popullsisë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Procesi i regjistrimit të popullsisë pritet t’i ndryshojë shumë të dhëna, nëpër komunat e Kosovës.

    Një nga to mund të jetë Fushë Kosova, që është shumëfishuar për nga numri i rezidentëve dhe banesave, qysh prej regjistrimit të fundit, më 2011.

    Meqë vendimet e institucioneve merren në bazë të këtyre statistikave, nga Drejtoria për Arsim e kësaj komune, pret që në vitet në vazhdim të shtohet numri i shkollave dhe mësimdhënësve.

    Por jo të gjitha komunat mendohet se do ta kenë të njëjtën gjendje. Sipas Kenan Gashit nga rrjeti i OJQ-ve “AVONET”, migrimi i qytetarëve do të bëjë që në disa qytete të regjistrohen më pak banorë.

    “Ne e shohim se do të ketë numër më të vogël të regjistrimit të popullatës sepse qytetarët kanë ikur në Evropë apo edhe qytete të tjera. Ferizaj dhe disa nga komunat mund të kenë ndryshime te popullatës sepse banorë nga qytet e tjera kanë ardhur për banim në këtë qytet”, tha Gashi.

    Regjistrimi i popullsisë pritet të zgjat deri më 17 maj.

    Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për qytetarët që bojkotojnë këtë proces, gjobat nisin nga 30 euro e deri 2 mijë euro.

  • PDK kërkon të vërtetën për zhdukjen dhe gjetjen e monstrave të Deharit

    PDK kërkon të vërtetën për zhdukjen dhe gjetjen e monstrave të Deharit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Partia Demokratike e Kosovës, i ka bërë thirrje prokurorisë, të angazhohet për të gjetur përgjegjësit për zhdukjen dhe kthimin e pjesshëm apo të plotë të monstrave, të Astrit Deharit.

    Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, me Kurtin në pushtet, zbardhja e vrasjes së Deharit vetëm sa po bëhet më e komplikuar.

    “Më 29 mars 2024 opinioni publik u informua për gjejten e mostrave të Astrit Deharit, vdekja dhe fatkeqësia e të cilit në rrugën e zbardhjes së saj, këto tri vitet e fundit, nën pushtetit e Albin Kurtit, u vështirësia dhe u mjegullua padrejtësisht dhe në mënyrë misterioze. Zhdukja e mostrave, gjetja e pjesëshme apo e plotë e tyre për secilin rast është përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe nuk mund të tejkalohet me lehtësi sikur nuk ka ndodhur asgjë”, tha Tahiri.

    Tahiri pati edhe disa pyetje për pushtetarët.

    “Nëse kryetari i Kuvendit dhe kryeministri kanë pasur dijeni për zhdukjen e këtyre mostrave në pranverën e vitit 2022 si ndodhi që ministrja e Drejtësisë të njoftoj qytetarët e Kosovës me gjashtë muaj vonesë, në një konferencë për media në dhjetor të atij viti? A ishte rastësi gjetja e një pjesë të mostrave të Astrit Deharit në mars të vitit 2023 dhe zjarri i parë po ashtu në mars i zyreve të IML-së? A ishte rastësi zjarri i dytë i zyreve të IML-së përmes të cilit ishte shkatrruar sistemi i kamerave dhe për katër ditë me rradhë nuk kishte fare vëzhgim të dhomës së dëshmive, pra të dhomës ku mbahen mostrat e rasteve që i trajton ky institucion?”, tha ai.

    Tahiri paralajmëroi se që nga java tjetër do filloj mbledhja e nënshkrimeve për themelimin e një komisioni hetimor që do trajtoj zhdukjen dhe gjetjen e monstrave të Deharit.