ATV

Tag: Ballina

  • KFOR-i: Policia e Kosovës s’ka nevojë të na njoftojë për të gjitha lëvizjet

    KFOR-i: Policia e Kosovës s’ka nevojë të na njoftojë për të gjitha lëvizjet

    Pas aksionit të fundit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, KFOR-i ka theksuar nevojën për konsultim dhe koordinim të çdo veprimi që mund të ndikojë në sigurinë rajonale.

    Megjithatë, KFOR-i ka thënë se Policisë së Kosovës nuk e ka për detyrë t’i njoftojë ata për të gjitha lëvizjet e tyre nëpër vend.

    Në një përgjigje për Dukagjinin, KFOR-i teksa ka cituar edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të qartë se çdo lëvizje apo dislokim i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit kërkon miratimin e tyre.

    “Qëndrimi i NATO-s është i qartë dhe konsistent. Policia e Kosovës nuk ka nevojë të njoftojë komandantin e KFOR-it për të gjitha lëvizjet e saj nëpër Kosovë. Por siç e bëri të qartë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në vizitën e tij në Kosovë nëntorin e kaluar:

    “Stabiliteti në rajon varet nga të gjitha palët që zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës dhe nga respektimi i angazhimeve ekzistuese. Çdo dislokim i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pajtimin e KFOR-it; dhe presim konsultime me kohë për çdo veprim të Forcës së Sigurisë së Kosovës apo Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

    Sipas njoftimit zyrtar të Policisë në ditën e aksionit, thuhet se përpos mbylljes së gjashtë njësive ilegale të “Bankës Postare Kursimore”, u konfiskuan edhe prova të ndryshme materiale, duke përfshirë rreth 74 milionë dinar, rreth 1 milion e 600 mijë euro, 19 mijë e 500 franga, e rreth 13 mijë e 800 dollar amerikane.

    Aksioni i i policisë së Kosovës erdhi një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

  • Policia shpall në kërkim të dyshuarin për plagosjen në Pejë

    Policia shpall në kërkim të dyshuarin për plagosjen në Pejë

    Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim të dyshuarin për plagosjen e trefishtë në mbrëmjen e së mërkurës në Pejë.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari kërkohet për veprën penale vrasje në tentaitvë.

    “Personi i kërkuar është:

    • Agron (Mentor) GASHI i lindur me 19.11.2002 nё Pejë.
      I pandehuri është i kërkuar për veprën penale:
      -“ Vrasje e rёndё nё tentativё” e cila ka ndodhur me datё 22.05.2024 rreth orёs 21:25, nё rrugën Bekim Berisha, nё Pejё, i dyshuari ёshtё recidivist i veprave penale.
      Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.
      Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës:
      – 192 dhe 080019999 (pa pagesë)
      – 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë
      – E-mail adresa: [email protected]”, thuhet në njoftimin policor.

  • Sot mblidhet Kuvendi i Kosovës

    Sot mblidhet Kuvendi i Kosovës

    Kuvendi i Kosovës sot do të mblidhet për dy seanca.

    Njëra është vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme, e në rend të ditës janë ratifikimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare, duke filluar nga ora 10:00.

    Ndërkaq duke filluar nga ora 10:30, Kuvendi do të mbajë seancë plenare, ku në rend të ditës ka 23 pika për shqyrtim dhe miratim.

  • Pamje nga plagosja me armë zjarri në Pejë

    Pamje nga plagosja me armë zjarri në Pejë

    Një përleshje fizike ka ndodhur këtë të mërkurë në rrugën “Bekim Berisha-Abeja” në Pejë, e cila më pas ka eskaluar duke u përdorur edhe arma e zjarrit.

    Në një video që është shpërndarë në rrjetet sociale shihen teksa rrihen mes vete, ndërsa më pas dëgjohen të shtëna armësh.

    Siç shihet në video, dy persona mbesin në mes të rrugës të plagosur, ndërsa i treti ikën nga vendi i ngjarjes.

    Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    “Rreth orës 21:25, në rrugën Bekim Berisha në Pejë, të furra Ahmeti ka pasur të shtëna me që rast tre persona janë lënduar nga arma e zjarrit dhe janë dërguar në spitalin e përgjithshëm në Pejë. Ende nuk ka informacione më të detajuara”, ka deklaruar Gashi.

    Ndërsa Njësitet e Policisë dhe Prokurori i Shtetit ndodhen në vendin e ngjarjes, dhe po bëhen të gjitha hetimet e nevojshme të rastit.

  • Tre të plagosur nga gjuajtja me armë zjarri në Pejë

    Tre të plagosur nga gjuajtja me armë zjarri në Pejë

    Tre persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Pejë.

    Zëdhënësi i Policisë Fadil Gashi ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur sonte rreth orës 21:15 minuta, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri, kanë mbetur të plagosur tre persona.

    “Ngjarja ka ndodhur sonte rreth orës 21: 25 minuta në rrugën “Bekim Berisha” afer furrës Ahmeti, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Tre persona janë plagosur me armë zjarri. Të plagosurit  janë dërguar në emergjencë të spitalit të Pejës për trajtim”, ka thënë ai.

  • “Arratisja e Sekiraqës” vë në pah problemet e institucioneve

    “Arratisja e Sekiraqës” vë në pah problemet e institucioneve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Institucionet ende nuk i kanë konfirmuar e as hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes së Enver Sekiraqës, se ai ka dalë jashtë vendit në mënyrë të rregullt nëpërmjet njërës nga pikat kufitare, në kohën sa ndaj tij nuk kishte masë sigurie.

    Nuk ka sqarime përtej kumtesës fillestare të Policisë, javën e kaluar, se i dënuari në shkallën e parë, nuk ishte gjetur në shtëpi për t’u dërguar në paraburgim dhe se njoftimi për ndalimin e tij i është përcjellë zyrave rajonale dhe kufitare.

    Konfuzioni i krijuar për vendndodhjen dhe rrethanat, sipas ekspertit të sigurisë Drizan Shala, do të eliminohej nëse do të kishte komunikim brenda dhe ndër-institucional, në kohë reale.

    “Data-bazat nuk janë të sinkronizuara, kërkesat mbesin në sirtarët dhe çështjet administrative nuk kalojnë fare në pjesën e ekzekutimit dhe mbikëqyrjes së tyre nga mekanizmat e tjerë relevant, që janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Pra, janë çështje shumë teknike, të cilat nuk do të duhej të përbënin shqetësim, por që në Kosovë po ndikojnë dhe po krijojnë momente të pa-lakmueshme”, tha Shala.

    Pasi tha deklarimet e mbrojtjes duhet të shihen me rezerva, juristi Arbër Jashari përmendi nevojën që institucionet të dalin me informacione të konfirmuara.
    “Do të duhej të ketë transparencë në trajtimin e këtij rasti, të mos lihen shumë mjegull që pastaj i hapin mundësi njerëzve të manipulojnë dhe të japin versione të ndryshme. Policia, Prokuroria, Gjykata, secila nga këndi i vet është dashur të jenë transparente dhe të japin informata lidhur me atë që ka ndodhur, në mënyrë që t’u mbyllet dera spekulimeve”, tha Arbër Jashari, jurist.

    Zbardhja e rrethanave, sipas Jasharit, është domosdoshmëri.

    “Është një situatë që është dashur të sqarohet. Ajo që mund të themi me bindje të plotë është që, pavarësisht se si mund të emërohet apo titullohet: ikje, arratisje, ndoshta më e mira është të thuhet ai nuk është paraqitur ose lajmëruar për ta mbajtur paraburgimin… Pastaj, mënyra se si ka dalë, a ka dalë në mënyrë të ligjshme? A ka dalë në mënyrë të rregullt? Ku ka shkuar? Ku ka qëndruar?, është çështje që institucionet që duhet të hetojnë dhe pastaj të arrijnë në konukluzione”, tha Jashari.

    Më 3 Maj, Gjykata Themelore e dënoi Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës, por i ndërpreu masën e arrestit shtëpiak, duke e lënë të lirë deri në konfirmimin e plotfuqishmërisë së vendimit.

  • Dështon të nisë gjykimi në rastin “Transportuesi”, aktakuza u ngrit në 2016

    Dështon të nisë gjykimi në rastin “Transportuesi”, aktakuza u ngrit në 2016

    Përgatiti: Nora Luta

    Për aktakuzën e ngritur në vitin 2016 për kontrabandimin e rreth 650 mijë litrave naftë e vajra të ndryshëm para dhjetë vjetësh në veri të vendit nuk ka ende një epilog.

    Një nga rastet e mëdha të krimit të organizuar i njohur si “Transportuesi”, që u hetua nga prokurorët e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, mbeti pa u trajtuar nga Gjykata e Mitrovicës.

    Tek në vitin 2024, rasti u bart për gjykim në atë të Prishtinës, megjithatë as këtë të mërkurë nuk filloi gjykimi, në mungesë të një të akuzuari nga 18 sa janë gjithsej.

    Ata akuzohen se si grup kriminal kontrabanduan 650 mijë litrave naftë e vajra të ndryshëm nga Serbia në pjesë të tjera të Kosovës, gjatë periudhës qershor-dhjetor 2014.

    Sipas aktakuzës Milan Radisavjeviq dhe Aleksandër Rakiqeviq, të cilët gjenden në arrati janë personat të cilët kanë siguruar derivatet e naftës nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut, dhe kanë qenë kryesor të grupit bashkë me Besim dhe Ismet Zeqirin.

    “Përmes rrugëve anësore, kamionë, cisterna e mjete të tjera, në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme nga Serbia dhe nga Mitrovica e Veriut, Zveçani e Zubin-Potoku, kanë sjellë në mënyrë ilegale dhe në vazhdimësi mallrat e kontrabanduara si: derivate të naftës, vajra motorikë e të tjera. Ky grup kriminal më pastaj i shpërndan nëpër qytete të ndryshme, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore apo tarifave të tjera, duke e bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, që tejkalon shumën prej 30 mijë eurosh”, thuhet në aktakuzë.

    Aktakuza thotë se në atë kohë, të pandehurit veprimet kriminale i kryenin lehtësisht pasi kishin bashkëpunim me pjesëtarë të Policisë.

    “Shumë mirë i njohin policët edhe nga Stacioni Policor në Veri të Mitrovicës si dhe të Jugut. Andaj me të vërejtur policët në rrugë, të pandehurit e dinë shumë mirë se a kanë gjasa të kalojnë rrugën apo jo, duke iu dhënë ryshfet. Këto vetura kalojnë. Nga veriu në jug, kryesisht përmes urës lindore (Lagja e boshnjakëve) dhe atë kryesisht në kohën kur në detyrë, në pikën statike të urës lindore, gjenden pjesëtarët e policisë, të cilët kanë lidhje me të pandehurit”, thuhet më tej në aktakuzë.

    Fillimisht në këtë rast akuzoheshin 21 persona, për kryerjen e veprave penale: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Kontrabandim i mallrave” dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, por ndaj treve është veçuar procedura.

  • PDK-ja kërkon shpërndarjen e kuvendit, LDK-ja dhe AAK-ja kundërshtojnë

    PDK-ja kërkon shpërndarjen e kuvendit, LDK-ja dhe AAK-ja kundërshtojnë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Zgjedhje të parakohshme po duan të gjitha partitë opozitare, por për mënyrën e shkuarjes deri te to, nuk janë të një mendimi.

    Partia Demokratike e Kosovës insiston se për zgjedhje të parakohshme duhet të shpërndahet Kuvendi, përmes mocionit.

    “Kemi kërkuar votat nga partitë opozitare që të jemi të gjitha bashkë, drejt, pra, votës për shpërndarjen e Kuvendit. Duke marrë parasysh faktin që dy partitë opozitare me qëndrimet e tyre LDK-ja dhe AAK-ja janë kundër një vendimi të tillë, atëherë nuk jam e sigurt se a i kemi votat, sepse e dimë që kërkohen 80 vota që të bëhet shpërndarja e Kuvendit”, tha deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi.

    Mirëpo, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë kundër këtij propozimi. Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti duhet të japë dorëheqje, e më pas të organizohen zgjedhjet.

    “Nuk e përkrahim mocionin. LDK-ja nuk ndryshon qëndrim, ne vazhdojmë të kemi të njëjtin mendim, që Kurti duhet të japë dorëheqje”, tha deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

    “AAK nuk e mbështet shpërbërjen, kërkon shkarkimin ose dorëheqjen e kryeministrit. AAK nuk e bën këtë se kjo është një taktikë me shku në zgjedhje në mes të korrikut, kur mendon se e ka diasporën këtu dhe kur mendon të ikë nga përgjegjësia e dështimit që e ka bërë. Ai duhet të ballafaqohet me të gjitha grupet parlamentare për të gjitha dështimet që i ka pasë”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.

    Ndërkaq nga partia në pushtet, thonë se do të ndihmojnë opozitën që të shpërndahet Kuvendi, nëse ajo koordinohet për një datë të caktuar.

    “Është opozita ajo që po kërkon zgjedhje dhe nëse opozita po kërkon zgjedhje të reja, ne jemi në gatshëm të shkojmë në zgjedhje të reja e nëse ata dështojnë të koordinohen për një datë të caktuar, ne jemi të gatshëm të shkojmë deri në fund të mandatit”, tha deputetja e LV-së, Fitore Pacolli.

    Ndërkaq, deputetët do të mbajnë seancë të enjten ku në rend dite janë votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe projektligjeve, derisa të premten do të ketë seancë për Shqyrtimin e Projekt-Rezolutës të AAK-së për tri vjet qeverisje.

  • Poetit Agim Vinca i ndahet çmimi “Profesor Honoris Causa”

    Poetit Agim Vinca i ndahet çmimi “Profesor Honoris Causa”

    Përgatiti: Armand Hoti

    Himni i Universiteteve ngriti në këmbë të gjithë në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB.

    Për poetin Agim Vinca, i cili të mërkurën mbushi 77 vjet, Kolegji AAB vendosi ta ndajë çmimin “Profesor Honoris Causa”.

    Para ceremonisë, u recituan poezi të autorit.

    Rektori i kolegjit AAB, Blerim Olluri, tregon se profesori Vinca është ndër të rrallët që Akademia e Arteve të Bukura, e kurorëzoi me çmimin “Profesor Honoris Causa”.

    Shoku e kolegu i Vincës, poeti Lulzim Tafa, tregon se si i ndikoi ai në karrierë.

    “Ai këtu e 31 vite më parë, u bë recensent i librit tim të parë, i gëzimit tim të parë, ishte lexuesi profesionist i parë, i vargjeve të mia. Tani më lejoni ta përgëzoj edhe veten për guximin tim në atë kohë që me një tubë poezisë të shkruara me makina shkrimi, t’i drejtohem studiuesit më të njohur të poezisë”, tha Tafa.

    Në fund të ceremonisë, erdhi momenti që Agim Vinca ta marrë çmimin e madh.

    Vetë shkrimtari përgëzon Kolegjin AAB për punën e bërë për më shumë se dy dekada. Madje, ai tregon se ka hise në themelimin e gjigantit universitar.

    “Realiteti i ri në Kosovë e shtonte si nevojë një profil të tillë kuadrosh, dhe atë Iliri e Bekimi e kishin hetuar këtë me intuitë. Kërkuan nga unë ndihmën time dhe unë natyrisht iu gjeta pranë”, tha Vinca.

    Agim Vinca është autor i më shumë se 40 veprave origjinale, përfshirë poezi, ese, kritikë, studime dhe monografi historiko-letrare.

  • Aksioni i fundit në veri, Franca: Autoritetet kosovare të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm

    Aksioni i fundit në veri, Franca: Autoritetet kosovare të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm

    Pas SHBA-së dhe BE-së ka reaguar edhe Franca lidhur me veprimet e fundit të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës.

    Parisi në një komunikatë për media ka bërë të ditur se janë të shqetësuar për veprimet e fundit që çuan në mbylljen e zyrave të bankave postare serbe në Veri të Kosovës.

    Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës “këto veprime të reja të njëanshme kontribuojnë në përshkallëzimin e tensioneve dhe rrezikojnë diskutimet e vazhdueshme, nën patronazhin e Bashkimit Evropian, që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për personat e prekur nga zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”.

    Më tej në reagim thuhet se veprimet e Kosovës ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë dhe shkojnë kundër përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, parakusht për realizimin e perspektivës evropiane të dy vendeve.

    “Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm. Inkurajon të dyja palët të kthehen në tryezën e negociatave dhe të punojnë në propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga ndërmjetësimi evropian, e vetmja bazë realiste për arritjen e një marrëveshjeje që lejon përfituesit e kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”, përfundon njoftimi.

    https://www.diplomatie.gouv.fr/fr/dossiers-pays/serbie/evenements/article/kosovo-operations-de-la-police-kosovare-21-04-24