ATV

Tag: Ballina

  • Rama: Nga 1 janari do të ketë autobusë e linja të reja

    Rama: Nga 1 janari do të ketë autobusë e linja të reja

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se nga 1 janari i vitit 2025 do të ketë autobusë dhe linja të reja të kryeqytet. Por s’e ka treguar numrin e tyre.

    Rama ka thënë se të mërkurën ka nisur reformimi i sistemit të transportit publike.

    “Sot kemi filluar me reformimin e sistemit të transportit publik. Kjo reformë do të sjellë: Flotë të re të autobusëve nga 1 janari 2025, më shumë linja të autobusëve sipas nevojave të qytetarëve, mbulim i më shumë rrugëve me transport publik, një biletë për të gjitha linjat në kryeqytet, pra biletë e integruar dhe sisteme digjitale të pagesës së biletave”, ka shkruar ai në Facebook.

    Sipas Ramës, reforma e transportit publik është bërë në koordinim me operatorët privatë të linjave të autobusë, Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, përfaqësuesit e bankave në Kosovë dhe të tjerë.

    “Kjo reformë do të përfshijë garantimin e kredive për blerjen e autobusëve privat, dhe rrjedhimisht dhënien e linjave të reja për këta operatorë privat”, ka shkruar tutje Rama.

  • Kurti përkujtoi të vrarët në masakrën e Dubravës: Secili prej të burgosurve është dëshmitar i historisë dhe së vërtetës

    Kurti përkujtoi të vrarët në masakrën e Dubravës: Secili prej të burgosurve është dëshmitar i historisë dhe së vërtetës

    Në 25-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi dhe përkujtoi me homazhe të vrarët në mënyrë mizore në masakrën e Dubravës, nga forcat armike serbe.

    Pranverën e majit, nga 19 e deri më 24 maj të vitit 1999, u vranë e u masakruan 116 të burgosur dhe një u zhduk, nga 980 sa ishin grumbulluar në burgun e Dubravës. Prej tyre 771 i mbijetuan kësaj masakre,  ndërsa 185 mbetën të plagosur  nga forcat  serbe.

    Secili prej të burgosurve shqiptarë që ishin në burgun e Dubravës në ato ditë të majit të vitit 1999, është dëshmitar i historisë dhe dëshmitar i së vërtetës së Kosovës, tha kryeministri, teksa theksoi se emrat e skalitur në memorialin e 116 të vrarëve në këtë masakër,  janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës.

    Kryeministri theksoi se i zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes sonë kombëtare Profesor Ukshin Hoti, është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi. Është e vërteta e mijëra të zhdukurve me dhunë nga Serbia, prej të cilëve 1597 janë ende të pagjetur.

    Shteti ynë, Republika e Kosovës, do të gjejë rrugë dhe mënyra, për të dëshmuar sërish e përsëri, sikur sot, sikur vitin e kaluar, sikur që e  kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve, për të vënë drejtësi dhe për të vërtetën aq të rëndësishme të historisë, të sakrificës dhe të  qëndresës së popullit tonë, tha Kryeministri.

    Ndër të tjera, ai përmendi edhe tri gjeneratat që përfshijnë të burgosurit politikë përgjatë tri dekadave, gjatë viteve ’50-të, ’60-të, e të viteve të ’70-të; gjenerata e dytë, e quajtur edhe Brezi ’81, që përfshinë të burgosurit politikë pas demonstratave studentore  të vitit 1981, si dhe gjenerata e tretë e viteve ’90-të, duke përfshirë edhe të burgosurit gjatë luftës. “Këtu bëj pjesë dhe vetë unë, që bashkë me shumë prej jush që jeni sot këtu dhe me shumë të tjerë, u arrestova, u burgosa dhe u mbajta peng lufte, ndërkohë që edhe u gjykova në Nish në një proces politik nga autoritet e regjimit kriminal të Serbisë”,  shtoi kryeministri.

    Të pranishëm në këto homazhe, organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin organizativ të ish të burgosurve politikë të Burgut të Dubravës, ishin  Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, Enver Dugolli, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Nait Hasani, ish i burgosur politik, Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, deputetë të Kuvendit, anëtarë të kabinetit qeveritar, familjarë të të vrarëve, dëshmorëve dhe të mbijetuarve të masakrës së Dubravës.

  • Një tornado e fuqishme shkakton shumë viktima dhe dëme në Ajova

    Një tornado e fuqishme shkakton shumë viktima dhe dëme në Ajova

    Një tornado e fuqishme e ka shkatërruar një qytezë të vogël në Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të martën, duke vrarë shumë njerëz dhe duke lënduar dhjetëra të tjerë, thanë autoritetet të martën.

    Pamjet nga qyteza Greenfield shfaqin rrënimin e madh që ka shkaktuar tornadoja; shtëpi të bëra rrafsh me tokën dhe rrënoja gjithandej.

    Disa turbina të mëdha të erës u rrëzuan gjithashtu.

    “Kjo tornado e ka shkatërruar një pjesë të madhe të kësaj qyteze”, tha Alex Dinkla, zëdhënës i policisë në Ajova.

    “Mund të konfirmojmë se ka shumë viktima nga kjo tornado”, shtoi ai.

    Dinkla nuk tregoi numrin e saktë të viktimave, dhe tha se numri nuk mund të dihet para të mërkurës.

    Së paku dhjetëra njerëz në Greenfield, një qytezë me rreth 2.000 banorë, u lënduan nga stuhia, tha Dinkla.

    Për shkak se spitali i qytezës kishte pësuar dëme nga stuhia, të lënduarit u dërguan në spitalet e qytezave në afërsi për shërim.

    Guvernatorja e Ajovës, Kim Reynolds, tha se do ta vizitojë Greenfieldin të mërkurën.

    “Derisa është shumë herët të dihet ndikimi i stuhisë, përgjigjet do të vijnë orët dhe në ditët në vijim”, tha ajo.

    Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së kishte bërë disa paralajmërime për tornado për shumicën e Ajovës dhe për disa shtete në afërsi të martën./REL/

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në seancën e sotme pritet të dëshmoi dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar Johan Fritsch, i cili ka filluar dëshmonë të martën në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Pyetjet për atë i ka filluar përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja Vega Iodice.

    Dëshmitari ka theksuar dje se pjesët e ditarit të tij i kishte shkruar çdo mbrëmje dhe ishin të vërteta ato se çfarë përmbante ai.

    Dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi që sipas dëshmitarit paraqiteshin lëndimet e personave që ishin gjetur si të ndaluar në godinën e MUP-it e cila ishte nën zotërimin e UÇK-së, disa ishin nga ndërhyrjet në ndërtesën e MUP-it ku ishe gjetur edhe personi i vdekur.

    Ai ka thënë se kishin dokumentuar edhe mjete të torturimit të cilat ishin përdorur nga MUP-i dhe UÇK-ja më pas në këtë ndërtesë.

  • Komercialja refuzoi kërkesën e KEDS-it, kompensimi nis nga 1 qershori

    Komercialja refuzoi kërkesën e KEDS-it, kompensimi nis nga 1 qershori

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Me gjithë rezistencën dhe përpjekjet kundërshtuese, KEDS-i është i detyruar që nga muaji i ardhshëm ta nisë kompensimin e konsumatorëve për faturat e fryra, si mbulesë për katër komunat në veri në periudhën 2012-2017.

    Gjykata Komerciale refuzoi kërkesën e kësaj kompanie për masë të përkohshme ndaj vendimit të ZRRE-së, për zbatim të aktgjykimit të Kushtetueses.

    “Departamenti për Çështje Administrative, më 17.05.2024 me aktvendim e ka refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesën e paditësit Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike Sh.A (KEDS) me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të datës 05.04.2024 deri në marrjen e vendimit gjyqësor përfundimtar me padi”, tuhhet në përgjigjen nga Gjykata Komerciale.

    Aktvendimi i Komerciales mundëson nisjen e procesit të shpagimit.

    “KEDS është i obliguar ta zbatojë vendimin e Bordit të ZRRE-së [V_1929_2024], për kompensimin e konsumatorëve në baza mujore, për periudhën nga 1 Qershori 2024 – 28 Shkurt 2030”, thuhet në përgjigjen nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

    Padinë e Kompanisë për Distribuim të Energjisë, me kërkesë anulimin e vendimit të ZRRE-së për zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, gazetari Zekirja Shabani e vlerësoi absurde dhe me qëllim zvarritjen e procesit.

    Më 11 Mars, Gjykata Kushtetuese konfirmoi aktgjykimin e Supremes, i cili e obligon Rregullatorin të detyrojë KEDS-in t’i kompensojë konsumatorët nga 34 komuna për dëmin në vlerë të përgjithshme 40.8 milionë euro.

    Më 7 Maj, kompania, e cila sipas aktgjykimit të vërtetuar në të gjitha shkallët u pasurua jashtëligjshëm për pesë vjet, parashtroi padi në Gjykatën Komerciale kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji.

  • Kryeministri “përdor” Sekiraqën për sulm ndaj sistemit të drejtësisë

    Kryeministri “përdor” Sekiraqën për sulm ndaj sistemit të drejtësisë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në adresimin e parë nga mbledhja e Qeverisë, pas dështimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kryeministri Albin Kurti cak i pati institucionet e drejtësisë.

    Arratisja e Enver Sekiraqës u bë shkak që kryeministri të mos i përmbahet zotimit në letrën e 22 Marsit, se do të respektojë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit dhe se do të përmbahet nga kritikat.

    “Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor, që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia”, tha Kurti.

    Këshilli i Evropës dhe çështjet aktuale politike nuk u përmendën në fjalimin e kreut të Qeverisë.

    Pa komentuar rastin e Sekiraqës, në Institutin e Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se deklarata e kryeministrit përbën sulm ndaj pushtetit gjyqësor.

    “[Sistemi i drejtësisë] ka vetë mekanizmat e saj, të cilët mund të kërkojnë llogari nga gjyqtarët dhe prokurorët, siç janë KGJK dhe KPK. Jo qeveria, e as legjislativi. Për shkak se këto të fundit mund, që përmes hartimit të politikave, të bëjnë ndryshimet për të mirë apo në një mënyrë të kryejnë edhe vetingun, i cili tashmë është proces i dështuar”, tha Lavdim Makshana, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

    Pasi iu referua letër-zotimit të kryeministrit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe vërejtjeve nga raportet ndërkombëtare, juristi Valdet Hoxha vlerësoi se komentet e tilla nuk i përkasin pushtetit ekzekutiv.

    “Për çdo rast individual mund të ketë dyshime nëse gjithçka është ndërmarrë në pajtim me kodin e procedurës, por ato duhet të verifikohen dhe të ketë një epilog të qartë dhe ligjor. Por, është e papranueshme që të sulmohet në tërësi sistemi i drejtësisë nga Qeveria apo kryeministri, sepse kjo e dëmton rëndë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Pra, një pushtet siç është gjyqësori është i cenueshëm karshi një qeverie që ka një shumicë të cilësuar në parlament”, tha Hoxha.

    Dhjetë muaj nga fundi zyrtar i mandatit, Qeveria ende nuk ka përmbushur zotimin programor për veting në sistemin e drejtësisë.

  • Berisha për Sekiraqën: Nuk është arratisur, po trajtohet në një spital jashtë vendit

    Berisha për Sekiraqën: Nuk është arratisur, po trajtohet në një spital jashtë vendit

    Avokati i Enver Sekiraqës, Besnik Berisha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Enver Sekiraqa nuk është arratisur, por është duke u trajtuar në një institucion shëndetësor.

    “Nuk është arratisë as nata, nuk është arratisë as i maskuar, as i kamufluar, thjesht edhe vetëm si qytetar i lirë i është drejtu institucioneve të shëndetësisë për t’i trajtu problemet e tij të akumuluara me dy dekada”, tha Berisha.

    Ai tha se problemet e tij shëndetësore kanë qenë të evidentuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni ën videon më poshtë:

  • Escobar: Kosova e ShBA-ja kishin raporte më të mira në të kaluarën

    Escobar: Kosova e ShBA-ja kishin raporte më të mira në të kaluarën

    Zyrtarë të lartë amerikan vazhdojnë të theksojnë se Kosova aktualisht nuk i ka raportet në nivelin me të mirë me ShBA-në, raporton Ekonomia Online.

    Emisari i SHBA-së për rajonin dhe për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, në një intervistë për Atlantic Council, ka deklaruar se në të kaluarën, Kosova kishte raporte me të mira me Amerikën në të kaluarën, se sa tani.

    Megjithatë, ai shpreson që këto raporte do të përmirësohen sepse SHBA-ja dhe QUINT-i kanë vullnet për një gjë të tillë.

    “Do të thosha që Kosova ka pasur një raport të mirë me SHBA-në në të kaluarën. Është një raport sfidues. Siç kam thënë më parë, ShBA-ja është e përkushtuar plotësisht për pavarësinë, integritetin territorial, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës, kjo s’do të ndryshojë kurrë. Kemi një raport tepër të thellë me popullin e Kosovës, dhe kjo s’do të ndryshojë kurrë. ShBA-ja mbetet shumë pro-Kosovës. Kudo që udhëtojë unë e kam atë ndjenjën reciproke që ata janë shumë pro-amerikan. Kjo i jep një forcë dhe stabilitet raportit. Por thënë këtë, s’është sekret që kemi pasur sfida në të pasurit një vizion të përbashkët për rajonin dhe se si mund të punojmë bashkë për të avancuar projektin kombëtar të Kosovës. Unë shpresoj që do të vazhdojmë të përmirësojmë këtë raport. Dhe mund të them që ka veçse vullnet të mirë, jo vetëm në ShBA, por në gjithë QUINT-in për të përmirësuar raportin”, ka thënë Escobar.

  • KFOR kërkon që të njoftohet me kohë për aksionet e Policisë apo FSK’së

    KFOR kërkon që të njoftohet me kohë për aksionet e Policisë apo FSK’së

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka lëshuar një komunikatë për aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës që përfundoi me mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit.

    KFOR thotë se ishte informuar pak para se të niste operacioni, ndërsa tha se s’ka pasë personel të përfshirë në aksion. KFOR tha se pret konsultime me kohë nga Policia e Kosovës për aksione të tilla.

    “KFOR-i është njoftuar pak para fillimit të operacioneve të liK-së kundër degëve të Bankës Postanska Stedionica të vendosura në komunat veriore të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potok. Personeli i KFOR-it nuk ishte i përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve. KFOR-i pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”.

    KFOR-i thtoë se vazhdon të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja, duke ofruar kornizën e sigurisë të nevojshme që diplomacia të ecë përpara.

    “Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, përfundon KFOR.

    Aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës e kanë cilësuar veprime të njëanshëm që mund të çojë në tensione edhe SHBA, Bashkimi Evropian dhe Mbrerëria e Bashkuar.

  • KGJK suspendon gjyqtarin që e la të lirë Enver Sekiraqën

    KGJK suspendon gjyqtarin që e la të lirë Enver Sekiraqën

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, ka marrë vendin për suspendim të gjyqtarit Agim Kuqi, pasi ky i fundit kishte lënë të lirë Enver Sekiraqën, raporton ATV.

    Ky vendim i KGJK-së, të cilin e ka siguruar ATV, do të mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër të Këshillit.

    “Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të dy rasteve disiplinore ka themeluar panelet hetimore. Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit. Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetoj në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pa “ndikuar”, thuhet në vendimin e KGJK-së.

    ATV raportoi dje se Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës që Enver Sekiraqa të mbrohet në liri, është duke u analizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe kryetarja e Gjykatës.

    Në një përgjigje me shkrim këto dy institucione i thanë televizionit se për veprimet e ndërmarra do të njoftohemi me kohë, duke e bashkëngjitur edhe vendimin e gjyqtarit Agim Kuqi, i cili, sipas këtij vendimi, ka vlerësuar se kanë pushuar shkaqet për masën e arrestit shtëpiak, meqenëse është arritur sigurimi i tij në procedurë.

    Kuqi, kryetari i trupi gjykues që udhëhoqi gjykimin ndaj tij, e la të lirë Sekiraqën dy herë.

    Në gjykim e dy rigjykime më pas, Enver Sekiraqa për herë të tretë është dënuar për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, kësaj here me 25 vjet burgim.

    Ai po mbahej në arrest shtëpiak, ndërsa nga 3 maji kur u shpall aktgjykim, u la në liri.

    Pas ankesës së Prokurorisë Speciale, Apeli e ndryshoi masën e sigurisë në paraburgim, por Sekiraqa deri tash ka qenë i paarritshëm për Policinë./atvlive.tv