ATV

Tag: Ballina

  • Sot pritet të mblidhen gjashtë komisione parlamentare

    Sot pritet të mblidhen gjashtë komisione parlamentare

    Në Kuvendin e Kosovës këtë të martë do të mbahen mbledhjet e gjashtë komisioneve parlamentare.

    Mbledhja e parë fillon në orën 09:30 me Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, ku do të intervistohen kandidatët.

    Ndërsa, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes fillon mbledhjen në orën 10:00, ku do të shqyrtohet projekt-rezoluta lidhur me Raportin e Punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022.

    Po ashtu, në orën 10:00 do të fillojë edhe mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

    Në orën 11:00 do të mbahen dy mbledhje të tjera nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, si dhe Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, i cili do të shqyrtojë shpalljen e konkursit për zgjedhjen e “Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit”.

    Gjithashtu, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike fillon takimin në orën 10:00, ku ndër të tjera do të diskutohet lidhur me rekomandimet e raporteve të shqyrtuara në komision.

  • BE-ja kërkon që Ballkani perëndimor t’i bashkohet në politikën e jashtme

    BE-ja kërkon që Ballkani perëndimor t’i bashkohet në politikën e jashtme

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Rreshtimi me politikën e jashtme, të sigurisë dhe atë të mbrojtjes së Bashkimit Evropian, si kushte në rrugën e integrimin, ishin tema në takimin e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare me gjashtë homologët nga Ballkani Perëndimor.

    Para diskutimit jo-zyrtar në Luksemburg, ministrja Donika Gërvalla foli për rëndësinë e integrimit të rajonit në bllokun evropian, bazuar në vlera e parime.

    “Duke e parë integrimin e të gjithë Evropës, e atyre shteteve që i qëndrojnë vlerave evropiane, që mbështesin parimet evropiane, nuk janë vetëm çështje politike, por janë çështje e më shumë sigurie në Evropë në kohët kur, në Evropë, po përballemi me agresionin rus ndaj Ukrainës, dhe kur një Bashkim Evropian më i fortë është përgjigje më e mirë për të reaguar ndaj sfidave të sotme dhe të së ardhmes”, tha Gërvalla.

    Krahas fokusit te përmbushja e reformave të brendshme, ministri për punë të jashtme shtetit të fundit që iu bashkua BE-së, këshilloi homologët e tij nga rajoni për ndërtimin e fqinjësisë së mirë.

    “Ballkani Perëndimor duhet të shërojë plagët e vjetra, në vend se t’i hapë ato apo të krijojë të reja. Vetëm duke zgjidhur gjërat në një mënyrë që krijon stabilitet politik dhe siguri brenda dhe jashtë, mund ndodh transformimi i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm. Ky është investimi dhe garancia më ë mirë për stabilitet afat-gjatë në rajon”, tha ministri për Punë të Jashtme i Kroacisë, Gordan Grlic-Radman.

    Ndarja e rrugëve me Rusinë, në vlerësimin e krye-diplomates rumune është diçka që shtetet ballkanike duhet të bëjnë, për t’u anëtarësuar në BE.

    “Ritheksojmë mbështetjen për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Por, duke pasur parasysh rritjen e aktivitetin malinje të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, është e rëndësishme që partnerët tanë atje të rreshtohen plotësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, tha ministrja për Punë të Jashtme e Rumanisë, Luminita Odobescu.

    Në dhjetor të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por që tutje nuk pati lëvizje konkrete e as avancim.

    Për Kosovën dhe Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre, është kusht kyç në rrugën drejt anëtarësimit në bllokun evropian.

  • Shqipëria ‘lufton’ deri në fund, por eliminohet nga Euro 2024

    Shqipëria ‘lufton’ deri në fund, por eliminohet nga Euro 2024

    Kombëtarja e Spanjës ka arritur fitore me rezultat minimal 1-0 ndaj Shqipërisë duke i dhënë fund aventurës së “Kuqezinjve” në Kampionatin Evropian 2024.

    Shqipëria e nisi mirë këtë takim duke ushtruar presion në zonën e spanjollëve dhe duke mbyllur hapësirat, por duke mos arritur që të krijojë ndonjë rast shënimi.

    Rasti i parë serioz në këtë ndeshje i takoi Spanjës, të cilët në minutën e 12-të iu afruan golit me anë të Mikel Merinos por Strakosha ia mohoi golin.

    Vetëm një minutë pas këtij rasti, “Furia e Kuqe” arriti ta gjejë golin e epërsisë në përballjen ndaj Shqipërisë.

    Ishte Ferran Torres ai i cili në minutën e 13-të realizoi për 1-0 pas asistimit të mençur nga Dani Olmo.

    Shqipëria tregoi forcën e saj në minutën e 44-të me anë të Kristjan Asllanit i cili me një super goditje nga jashtë zonës e testoi seriozisht portën e David Rayas, por pa arritur të shënojë.

    Në pjesën e dytë Shqipëria rrezikoi seriozisht në disa raste portën e Spanjës, por duke mos arritur që ta gjejë golin.

    Fillimisht Joselu pati një mundësi të mirë shënimi për Spanjën pasi në minutën e 47-të tentoi ta gjejë golin me një goditje akrobatike por pa sukses.

    “Kuqezinjtë” rastin më të mirë në këtë ndeshje e pati me Armando Brojën i cili në minutën e 64-të u mundua ta zë ne befasi David Rayan por ky i fundit reagoi mirë.

    Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit Shqipëria pati edhe disa dalje të rrezikshme në sulm, megjithatë nuk ia doli ta gjejë golin.

    Të besuarit e Sylvinhos kështu e përfunduan aventurën në Euro 2024 me vetëm një pikë të fituar, por na dëshmuan se këta futbollistë kanë potencial të madh për të vazhduar të na bëjnë krenar në të ardhmen./Telegrafi/

  • Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për takim të përbashkët në prani të Borell, BE del me njoftim se çka pritet të mërkurën

    Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për takim të përbashkët në prani të Borell, BE del me njoftim se çka pritet të mërkurën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen të mërkurën në Bruksel.

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell do t’i presë fillimisht ata, siç thuhet në një njoftim të BE-së.

    “Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me liderët nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh”, thuhet në njoftim.

    BE thotë se në takime do të analizohet ajo që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Borrell dhe “do të fokusohen në rrugën përpara”.

    “Do të ketë deklarata për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë përpara dhe në fund të takimeve në ndërtesën e EEAS”, thuhet në njoftim.

  • Bëhet fotografia e përbashkët e ministrave të Ballkanit Perëndimor me Borrell

    Bëhet fotografia e përbashkët e ministrave të Ballkanit Perëndimor me Borrell

    Ministrat e Ballkanit Perëndimor e kanë realizuar fotografinë e e përbashkët para takimit me Ministrat e Jashtëm të BE-së që është duke u mbajtur sot në Luksemburg.

    Kosova në këtë takim përfaqësohet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

    Fotografinë në fjalë me ministrat e Ballkanit e realizoi shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

    Gërvalla para mediave në takim është shprehur se temë e diskutimit të sotëm beson se do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian, dhe anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor.

    “Ne erdhëm këtu në Luksemburg për të biseduar dhe diskutuar për integrimin më tutje të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin e Evropian, dhe jo vetëm të Ballkanit Perëndimor”.

    “Besoj se kjo është tema kryesore të shohësh integrimin e gjithë Evropës e atyre vendeve që qëndrojnë me vlerat e Bashkimit Evropian, që mbështesin parimet evropiane të cilat nuk janë vetëm çështje politike, por ato janë edhe në aspektin e rritjes së sigurisë në Evropë në kohërat kur jemi duke u ballafaquar me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës”.

  • ​Takimi Kurti-Vuçiq, Muja: Kosova ta definojë nëse ka marrëveshje

    ​Takimi Kurti-Vuçiq, Muja: Kosova ta definojë nëse ka marrëveshje

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se iniciativa për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media ka ardhur vet nga KPM-ja, e që bazohet në Europian Media Act dhe që i njëjti është tentuar të interpretohet edhe në Kosovë.

    Ai tha Qeveria nuk ka pasur përfshirje në këtë projektligj dhe se i njëjti duhet të diskutohet.

    Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Muja tha se komuniteti i gazetarëve dhe ekspertët e fushës e dinë se cilat janë praktikat e mira dhe se ato të duhet të krahasohen me ato të BE-së.

    “Iniciativa për një ligj të tillë ka ardhur nga vet Komisioni i Pavarur për Media bazuar në Europian Media Act që e ka miratuar Komisioni Evropian me praktika të ngjashme sa i përket pronësisë. Është tentuar të interpretohet edhe në Kosovë, besoj që nuk ka pasur ndonjë involvim nga qeveria dhe i njëjti duhet të diskutohet mund të hedhet në Kuvend dhe pastaj të merr versionin përfundimtarë. Komuniteti i gazetarëve, ekspertët e fushës i dinë se cilat janë praktikat e mira ato duhet të krahasohen me Bashkimin Evropian dhe besoj që ajo është destinacioni jonë final, qoftë nga praktikat e demokracisë ashtu edhe nga praktika e mediave”, ka thënë Muja.

    Ndërkaq, duke folur për takimin e paralajmëruar mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Muja tha se aty duhet të diskutohet nëse ka vërtet marrëveshje mes dy vendeve, pasi sipas tij, Serbia po shkel marrëveshjet e arritura.

    Për këtë, Muja përmendi rastet si fushata Serbisë për penguar prezencën e Kosvoës në organizatat ndërkombëtare, bojkotin e zgjedhjeve në veri e sulmin e Banjskës.

    “Kosova është një moment të definimit nëse vërtet ka marrëveshje sepse më 28 shkurt të vitit 2023 kemi pas një marrëveshje në Bruksel pasuar nga një aneks në Ohër dhe pastaj vit pas viti, masë pas mase Serbia ka paraqitur rolin e vet destruktiv dhe kjo ka ardhur në formë të disa veprimeve. E para është përpjekja të izolohet Kosova në prezencën e saj në arenën ndërkombëtare në kundërshtim me zotimet e asaj marrëveshje. E dyta është ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës që nga kontrolli i Listës Serbe, bojkoti i zgjedhjeve dhe e treta ishte Banjska. Unë mendoj që kemi një rast të agresionit të hapur ndaj Kosovës dhe e katërta ishte kur ata formalisht u tërhoqën në dhjetor. Kryeministrja e Serbisë i dërgoi letër ndërmjetësit duke thënë se dy pika të marrëveshjes nuk vlejnë… Ajo çfarë ne duhet të përcaktojmë është në rast se kemi ndonjë marrëveshje”, tha ai.

    Sa i përket masave të BE-së, Muja tha se pret që masat tani të largohen pas deeskalimit në veri./kp

  • ​Kosova, nikoqire e konferencës së Gjykatave Supreme të Evropës

    ​Kosova, nikoqire e konferencës së Gjykatave Supreme të Evropës

    Gjykata Supreme e Kosovës sot ka mirëpritur konferencën e 14-të kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila u organizua së bashku me Institutin CEEELI dhe me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe USAD-it.

    Në fjalën e tij, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se kjo konferencë është mundësi e mirë për shkëmbim të ideve dhe bashkëpunim në mes niveleve më të larta gjyqësore mes atyre vendore dhe ndërkombëtare.

    “Kjo konferencë po organizohet për herë të parë në Kosovë, me ç’rast Gjykata Supreme e Kosovës ka nderin të jetë nikoqire e konferencës, e cila organizohet së bashku me Institutin CEELI dhe me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, USAID-it. Kjo konferencë është një mundësi unike për diskutim, bashkëpunim dhe shkëmbim idesh mes niveleve më të larta gjyqësor vendor dhe ndërkombëtar, ku mund të reflektojmë mbi sukseset, dështimeve të sistemeve tona të drejtësisë, të ndajmë praktikat tona më të mira dhe të përcaktojmë një rrugë drejt një të ardhme më të mirë ku vazhdimisht forcohet dhe mbrohet rendi dhe ligji. Ku respektohen të drejtat e njeriut dhe dinjiteti i çdo individi”, u shpreh Rexhepi.

    Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, Rexhepi tha një gjë e tillë është bazamenti i një demokracie funksionale.

    Ai bëri thirrje që të punohet për ta mbrojtur këtë pavarësi, pasi sipas tij, kjo nuk duhet të merret si e mirëqenë.

    Më tej, Fejzullahu shtoi ekzistojnë disa raste të ndërhyrjes pushtetit, siç janë ulja e pagave për gjyqtarët e deklarimet e qeveritarëve mbi çështjet që janë në shqyrtim nëpër gjykata, për të cilat tha se paraqesin presion të papranueshëm në raport me punën e gjyqësorit.

    “Pavarësia e gjyqësorit është pa dyshim gur themeli i një demokracie funksionale, është baza dhe çatia e të gjithë shtetit të së drejtës, pa të cilin parim gjyqësori nuk do ta kishte asnjë kuptim. Ky parim garanton që gjyqësori të mbetet i lirë nga çfarë do ndikimi, mirëpo garancitë që kushtetuta dhe legjislacioni i jep gjyqësorit nuk duhet marrë gjithmonë si të mirëqena. Ne duhet të punojmë pa reshtur për ta forcuar e të qëndrojmë vigjilent për ta mbrojtur këtë pavarësi nga kushdo qoftë. Është evidente që pushtetet tjera jo gjithherë pajtohen me gjyqësorin e pavarur dhe jo pak raste kemi tentativa për të ndërhyrë, qoftë me nisma për ndryshime kushtetuese ligjore, me ulje të pagave për gjyqtarët, qoftë me deklarime publike të qeveritarëve e të tjerëve për çështje në shqyrtim në Gjykata, që përfaqëson cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit dhe paraqet presion të papranueshëm në raport me punën e gjyqtarit. Pa këtë pavarësi vet themelet e shoqërive tona demokratike janë të paqëndrueshme dhe rrezikojnë të ardhmen e vetë shoqërisë”, deklaroi kryetari i Gjykatës Supreme.

    Edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani tha se pavarësia e gjyqësorit është baza e sundimit të ligjit.

    “Më lejoni të vë theks në dy pika parësore, rëndësinë e dialogut gjyqësor dhe nevojën që përtej shkëmbimit të përvojave ky dialog të përçoj një mesazh esencial, ata të rëndësisë së pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Në kontekst të dialogut gjyqësor do të vë theks në fjalët e kryetarit Rexhepi përgjatë ceremonisë tuaj në mbrëmjen e djeshme dhe të cilët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe mësimeve të mësuara dhe përderisa kontekstet tona kulturore, historike dhe politike kanë nuancat e tyre të veçanta, kushdo dhe kudo në botën demokratike që vesh tokë gjyqësore priret nga parimet dhe vlerat e njëjta dhe të përbashkëta përfshirë përkushtimin e palëkundur për të avancuar dialogun gjyqësor në mbështetje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor”, tha ajo.

    Themeluesi i Institutit CEELI, Homer E. Moyer theksoi se forcimi i sundimit të ligjit është i rëndësishëm për vendin.

    Duke lavdëruar arritjet e vendeve të rajonit në fushën e sundimit të ligjit, Moyer tha se para 35 viteve rajoni i Ballkanit ka qenë nën qeveritë autoritare, por që tani 2/3 e shteteve tani rangohen në pjesën e epërme të indeksit mbarë global të sundimit të ligjit.

    “Instituti CEELI zhvillon programe të ndryshme për gjyqtarët dhe gjykatat të niveleve të ndryshme dhe në shumë aspekte kjo është më e rëndësishme që kryetarët e Gjykatave Supreme të kenë biseda private për sundimin e ligjit, për gjykatat e tyre dhe forcimi i sundimit të ligjit është po ashtu i rëndësishëm dhe po aq me një grup unik të rëndësishëm të juristëve. Më lejoni ta përmbyll duke ju lavdëruar të gjithë juve, para 35 vitesh çdo shtet në këtë rajon ka qenë nën qeveritë autoritare në të cilat sundimi i ligjit nuk është respektuar, ndërsa sot 2/3 e shteteve tuaja rangohen në pjesën e epërme të indeksit mbarë global të sundimit të ligjit që prodhohet çdo vit nga projekti i drejtësisë në botë”, theksoi ai.

    E gjyqtari i lartë i qarkut, John Wolker tha se në diskutimin e sotëm bazuar në pesë tema të zgjedhura, pret që pjesëmarrësit të diskutojnë për sfidat e sistemit gjyqësor në vend. /KP

  • ​Gërvalla merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së

    ​Gërvalla merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së

    Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është nisur për Luksemburg, për të marrë pjesë në takimin e rregullt të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet për sfidat e përbashkëta të politikës së jashtme dhe sigurisë gjatë viteve të ardhshme.

    Sipas komunikatës së lëshuar nga ministria, në këtë takim Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth procesit të integrimeve evropiane, sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, si dhe nevojës së ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Gjatë kësaj vizite zyrtare në Luksemburg, Gërvalla, do të marrë pjesë në shënim e Ditës Kombëtare të Luksemburgut, me ftesë të Dukës së Madh.

    Sot në Luksemburg do të mbahet takimi i ministrave të jashtëm të BE-së, ku në agjendën e tij është edhe takimi me kryediplomatët nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

  • Parlamenti spanjoll nesër debaton propozimin për njohjen e Kosovës

    Parlamenti spanjoll nesër debaton propozimin për njohjen e Kosovës

    Grupi parlamentar i partisë katalunase ‘Junts’ ka paraqitur një nismë për t’i propozuar qeverisë spanjolle njohjen e Kosovës si shtet sovran.

    Kjo nismë e cila do të debatohet dhe votohet nesër në parlament, argumenton se Kosova është një shtet ligjor dhe demokratik me 1.7 milion banorë, i njohur nga mbi 100 vende, përfshirë 22 anëtarë të BE-së.

    Sipas Europapress.es, në këtë nismë Junts kujton vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga viti 2010, që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Refuzimi i Spanjës për njohjen e Kosovës, sipas Junts, pengon përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE dhe destabilizon rajonin në një kohë të tensionuar për shkak të luftës në Ukrainë.

    Junts thekson se është e papranueshme që Spanja ndjek të njëjtën strategji si Rusia, Kina dhe Bjellorusia me mosnjohjen e Kosovës. Ata vënë në dukje se Spanja tashmë ka marrëdhënie indirekte me Kosovën dhe njeh pasaportat kosovare që nga janari.

    Propozimi i Junts kërkon që parlamenti të nxisë Qeverinë spanjolle të njohë menjëherë Republikën e Kosovës si shtet sovran.

  • Ministrat e BE-së takohen sot në Luksemburg me kryediplomatët e gjashtëshes ballkanike

    Ministrat e BE-së takohen sot në Luksemburg me kryediplomatët e gjashtëshes ballkanike

    Sot në Luksemburg do të mbahet takimi i ministrave të jashtëm të BE-së, ku në agjendën e tij është edhe takimi me kryediplomatët nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Në agjendën e Këshillit të Punëve të Jashtme të publikuar ditë më parë thuhet se kryediplomatët e vendeve evropiane takohen nga ora 08:30 dhe se takimi do të drejtohet nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

    “Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të diskutojnë agresionin rus kundër Ukrainës, pas një shkëmbimi jozyrtar të pikëpamjeve me ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës ,Dmytro Kuleba, nëpërmjet videokonferencës”.

    “Këshilli do të ketë më pas një diskutim mbi situatën në Lindjen e Mesme, në dritën e zhvillimeve të fundit”, thuhet në agjendën e KiE-së.

    “Takimi do të vazhdojë me një shkëmbim mendimesh për Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë”.