ATV

Tag: Ballina

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të enjten do të ketë ulje të lehtë të temperaturave.

    IHMK-ja ka bërë të ditur se gjatë ditës vranësirat do të intensifikohen dhe do të ketë riga shiu dhe shkarkime rrufesh, ndërsa në zonat e kufizuara ekziston rrezik për breshër.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-34gradë Celsius.

    “Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë ditës do të intensifikohen duke krijuar kushte për riga shiu dhe shkarkime rrufesh, ndërsa në zonat e kufizuara ekziston rrezik për breshër. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-34gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-8m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • “E ka marrë armën dhe e ka drejtu në drejtim të kokës…”, dosja e prokurorisë ndaj policit të dyshuar për plagosjen e 16-vjeçarit

    “E ka marrë armën dhe e ka drejtu në drejtim të kokës…”, dosja e prokurorisë ndaj policit të dyshuar për plagosjen e 16-vjeçarit

    Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë caktimin e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit policor Fatjon Hoti, nën dyshimin për “Vrasje të rëndë në tentativë” të familjarit të tij 16-vjeçar.

    Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Inspektorati Policor i Kosovës ka parashtruar kallëzim penal më 16 korrik 2024 kundër Fatjon Hotit nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje”, e mbetur në tentativë.

    Në Dosje thuhet se pas analizimit të kallëzimit penal në fjalë dhe shkresave të bashkëngjitura, Prokuroria ka ardhur në përfundim se në veprimet e të pandehurit në fjalë formohen të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë, pasi që ka të bëjë me viktimën e mitur të moshës 16-vjeçare.

    Në kërkesë thuhet se sipas raportit të oficerit, të datës 16 korrik, rezulton se më 15 korrik rreth orës 23:35 kanë pranuar informatën se polici i gjeneratës së fundit Fatjon Hoti, me armë zjarri ka plagosur një person në shtëpinë e vet, e më pas policia kanë shkuar në vendngjarje dhe janë ndërmarrë veprimet.

    Më tej, thuhet se sipas procesverbalit të marrjes në pyetje për dëshmitarin (i mitur) në Polici, ai në prezencë të përfaqësuesit ligjor ka deklaruar se “…unë e pashë armën e Fatjonit që e ka të punës duke e mbajt në dorë G,. Unë sa e kom pa G., asnjëherë nuk e ka raportirat por e ka nxjerrë karikatorin dhe ka fillu mi hek plumbat prej tij, plumbat G., i gjuajke në kauq, më duket se i ka hjek të gjitha plumbat prej karikatorit, pas kësaj e ka marrë Fatjoni armën dhe ka raportirat dhe e ka drejtu në drejtim të kokës së G., dhe kam dëgjuar që ka kërsit arma, unë nuk e kam dëgjuar asnjë fjalë që e ka dhënë Fatjoni”.

    Aty thuhet se dëshmitari ka deklaruar se distanca mes të dyshuarit dhe viktimës ka qenë afërsisht 2 metra.

    Gjithnjë sipas kërkesës, i dyshuari është ekzaminuar dhe është konstatuar se gjendja e përgjithshme shëndetësore e tij është e mirë.

    Andaj, sipas Prokurorisë, nëse i dyshuari mbrohet në liri mund të ndikojë në dëshmitarë dhe të ndikojë në sigurimin e provave materiale të cilat priten të sigurohen në fazat e mëtutjeshme të procedurës penale.

    Gjithashtu, Prokuroria thekson se kërkesa për paraburgim bëhet edhe duke marrë parasysh peshën, mënyrat dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, më pastaj se i dyshuari Fatjon Hoti, duke qenë polic i gjeneratës së 59-të, i njëjti ishte në uniformë zyrtare, armë dhe pajisje për të filluar orarin e punës, kishte shtënë me armë ndaj të miturit në prezencën e vëllait të tij dhe vëllait të tani viktimës në dhomën e gjumit të të pandehurit, e që me gjetjen e tij në liri apo ndonjë masë tjetër të butë, ekziston rreziku se mund të përserisë veprën penalë të njëjtë apo të ngjashme.

    Prokuroria ka ardhë në përfundim se masat e tjera për sigurinë e të pandehurit në procedure nuk janë të mjaftueshme. /BetimipërDrejtësi

  • Serwer: Qëllimi i dialogut është gjetja e zgjidhjes së përhershme, por Kosova e Serbia ende s’janë gati

    Serwer: Qëllimi i dialogut është gjetja e zgjidhjes së përhershme, por Kosova e Serbia ende s’janë gati

    Daniel Serwer, profesor amerikan në universitetin Johns Hopkins, ka folur për dinamikën e zhvillimeve politike që lidhen mes Kosovës dhe Serbisë.

    Serwr duke komentuar dinamikën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, tha se orientimi në tij do të duhej të ishte drejt çështjeve më praktike.

    “Ka shumë çështje praktike që duhet të gjinden zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë. Besoj që dialogu teknik, ai që ishte para vitit 2013 ishte qartësisht shumë më i suksesshëm se sa dialogu politik që ka zënë vend që prej atëherë”.

    “Pra nuk besoj që duhet të kufizohemi tek çështjet teknike apo ekonomike, por që ka çështje të shumta praktike që edhe ato do të ishin teknike e ekonomike që do të mund të gjenin zgjidhje”, tha Serwer.

    Ai theksoi se është shumë e qartë që Serbia dhe Kosova nuk janë të interesuar për normalizimin e marrëdhënieve të dy shteteve.

    “Mendoj që është krejt e qartë që as autoritetet e Serbisë e as autoritetet e Kosovës nuk janë të gatshme për normalizim të marrëdhënieve. Qëllimi i dialogut do të duhej të ishte një zgjidhje e përhershme ligjore mes Kosovës dhe Serbisë. Por që është e qartë se ende nuk jemi të gatshëm për një gjë të tillë”.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Seanca e sotme është njoftuar të nisë në ora 09:00, teksa është seanca e parafundit e këtij sesioni, përpara se trupi gjykues të shkojë në pushim veror.

    Edhe sot, trupi gjykues pritet të vazhdojë me paraqitjen e dëshmive dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

    Gjatë ditës së djeshme, po i njëjti trup gjykues e shpalli aktgjykimin ndaj Pjetër Shalës, të cilin e dënoi me 18 vjet burgim.

    Shala u shpall fajtor për tri akuzat që u ngritën ndaj tij: paraburgim arbitrar, tortura dhe vrasje.

    Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet:

    Krimet e z. Shala u kryen rreth 17 maj 1999 dhe 5 qershor 1999 kundër personave të ndaluar në Fabrikën e Metaleve në Kukёs, Shqipëri.

    Në aktgjykimin e tij, Trupi Gjykues vendosi se së paku 18 persona u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe degraduese dhe iu nënshtruan abuzimit psikologjik dhe fizik, dhe një viktimë u vra.

    Ndër provat e pranuara gjatë gjykimit ishin deklaratat në të cilat z. Shala pranoi praninë e tij në Kombinatin e Metalit të Kukësit në periudhën e aktakuzës dhe keqtrajtimin e të arrestuarve.

  • Drejtori i AKI-së raporton sot në komisionin mbikëqyrës

    Drejtori i AKI-së raporton sot në komisionin mbikëqyrës

    Sot me fillim në ora 09:00 do të mblidhet Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

    Në këtë mbledhje do të raportojë drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.

    Raportimi i tij vjen pas shqetësimeve të ngritura nga drejtuesit e institucioneve për situatën e sigurisë.

  • 18 vjet burg për Pjetër Shalën

    18 vjet burg për Pjetër Shalën

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Tri vjet pas arrestimit, Pjetër Shala dëgjoi aktgjykimin e trupit gjykues të Dhomave të Specializuara.

    Vendimi për ish-pjesëtarin e UÇK-së doli të jetë dënues, meqë ai u shpall fajtor për tri nga katër pikat e aktakuzës, përfshirë atë për vrasje.

    “Ju shpall fajtor për veprat penale në vijim: ndalim arbitrar si krim lufte… si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale në formën e saj bazë. Për pikën 3 të aktakuzës për torturë si krim lufte, si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale në formën bazë të saj dhe pika 4 – vrasje e paligjshme si krim lufte, si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale në formën bazë të saj”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia.

    “Keni ndaluar 18 persona duke i rrahur me shkopinj gome, njëri nga ta ka vdekur pasi ishte plagosur me armë zjarri”, tha më tej Veldt-Foglia.

    Për këto krime, që sipas aktakuzës u kryen mes 17 majit dhe 5 qershorit të vitit 1999, Shala u dënua me katër dekada burgim, por trupi gjykues shpalli vendim unik, duke ia përgjysmuar kohën e qëndrimit prapa grilave.

    “Për pikën 1 të akuzës, Shala u dënua me 6 vjet burgim, me 16 vjet burgim për pikën tre dhe 18 për pikën 4. Andaj, ndaj tij u shpall dënim unik me 18 vjet burgim. Në dënimin me burgim, Shalës do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, tha Veldt-Foglia.

    Me këtë rast, Shala pati diçka për të thënë, por, sipas kryetares, nuk ishte momenti.

    Pjetër Shala ishte arrestuar në vitin 2021 në Belgjikë, si i dyshuar për krime lufte. Ndaj tij gjykimi filloi në fillim të vitit 2023 dhe u dëgjuan gjithsej 12 dëshmitarë.

  • Lansohet dritarja për investime të diasporës

    Lansohet dritarja për investime të diasporës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Shteti synon t’ua lehtësojë mërgimtarëve biznesmenë investimin në Kosovë.

    “Dritarja për Investime të Diasporës”, që u lansua të martën, do t’u mundësojë ndërmarrësve mërgimtarë, marrjen e kredive në bankat vendore, për të investuar në atdhe.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se me funksionalizimin e projektit financiar, investitorët mërgimtarë do të kenë garanci në përfitimin e kredive.

    “Kur kanë ardhur këtu dhe kanë tentuar të qasen në financa në një bankë lokale, problematika ka qenë se si biznes i diasporës nuk kanë pasur historik kreditor në Kosovë, dhe janë trajtuar si biznese start up-e, pa historik… Ideja ka qenë që të krijohet një instrument, një dritare e re, përmes së cilës Fondi për Garanci Kreditore, me kapital shtesë edhe nga Qeveria të mundësojë garantimin e këtyre kredive”, tha Murati.

    Nisma inovative parasheh krijimin e një fondi kreditimi deri në 100 milionë euro.

    Deri në tre milionë euro kredi, është vlera për të cilën investitorët do të mund të aplikojnë. Pjesëmarrja e tyre në kapital, do të duhet të jetë së paku 20% e vlerës.

    Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të japë garanci kreditore deri në dy milionë euro, nëse investitori i përmbush kriteret.

    Kryeministri Albin Kurti thekson se “Dritarja për Investime të Diasporës”, do ta orientojë potencialin e mërgimtarëve në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në një linjë më direkte.

    “Po krijojmë mundësi që ta shndërrojmë mërgatën tonë nga investitorë pasivë, në instrumente financiare dhe tërthorazi të mbështetet zhvillimi i vendit, në investitorë aktivë që investojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Kurti.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia shtrin Kosovës dorën e mbështetjes edhe në këtë projekt.

    Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është krenare që ka ndihmuar në themelimin e kësaj dritare të re investuese përmes mbështetjes financiare dhe teknike nga USAID, sepse ne e kuptojmë atë që kryeministri Kurti tha: mundësinë e radhë që bizneset nga diaspora prezantojnë”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Mërgata e Kosovës, ndër vite ka investuar kryesisht në sektorin e patundshmërisë.

  • 1 milion euro import i rrymës për çdo ditë

    1 milion euro import i rrymës për çdo ditë

    Përgatiti: Haris Ademi

    Temperaturat e larta të ditëve të fundit, e kanë rritur konsumin e energjisë elektrike në Kosovë për 13%.

    Meqë blloku B1 është në remont vjetor, KESCO-ja thotë se prodhimi vendor nuk po e mbulon kërkesën, prandaj është dashur import i rrymës, në shifra milionëshe.

    “Konsumatorët po i përdorin kondicionerët për ftohje të ambientit. Për çdo ditë jemi duke importuar nga 1 milion euro”, tha zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti.

    Sipas njohësit të sektorit, Lulzim Syla, janë disa faktorë pse gjatë verës rritet konsumi i rrymës.

    “Rritet konsumi gjatë verës shkaku i sezonit turistik në gjithë regjionin, prandaj është rritë çmimi. Rritja shtesë e konsumit të energjisë vjen si rezultat i ardhjes së diasporës”, tha Syla.

    Kohë pas kohe, KESCO-ja thotë se blen rrymë edhe në bursën shqiptare të energjisë “ALPEX”. Megjithatë, në disa raste, çmimet këtu janë më të larta se në bursat e tjera rajonale. Për shembull, më 15 korrik, çmimi më i lartë në ALPEX ishte 843 euro në orën 22, ndërsa në bursën hungareze “HUPX”, 700 euro në orën 21.

    Por ka raste kur çmimi në bursën shqiptare është më i lirë.

    Megjithatë, kjo situatë, sipas njohësit Azmer Duleviç, nuk alarmon për krizë gjatë dimrit.

    “Shkëmbimin e energjisë elektrike, kur ka nevojë Kosova, do ta marrë nga Shqipëria dhe anasjelltas. Kjo marrëveshje siguron stabilitet energjetik, për sigurim me energji elektrike”, tha Duleviç.

    Tregtia mes Kosovës dhe Shqipërisë në bursën ALPEX nisi më 31 janar të këtij viti.

  • Temperaturat e larta, komuna e Suharekës me vetëm dy zjarrfikës në ndërrim

    Temperaturat e larta, komuna e Suharekës me vetëm dy zjarrfikës në ndërrim

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Zjarri në këtë zonë perëndimore të Suharekës u shua në mëngjesin e së martës, falë intervenimit të zjarrfikëseve.

    Në fakt, zjarri te “Malet e Cerit” që njihet ndryshe, në trekëndëshin Rahovec – Suharekë – Malishevë, ishte më seriozi me të cilin u përballën zjarrfikësit.

    “Aty ekipi ynë i zjarrfikësve u përball prej dje gjer më sot në mëngjes, që kemi arritur ta shuajmë. Aty ka qenë zjarri më seriozi me të cilën jemi sfiduar kohëve të fundit. Por duhet theksuar se siç duket qytetarët janë vetëdijesuar dhe më nuk ka zjarre aq të mëdha, duke marrë parasysh temperaturat e larta”, tha komandanti i Njësisë Shpëtuese dhe Zjarrfikëse, Vehbi Krasniqi.

    Por, zjarrfikësit suharekas nuk dihet sa do t’ia dalin nëse komuna përballet me një situatë kritike sikurse para 3 vjetëve kur në të njëjtën kohë ishin aktive 5 vatra zjarri.

    “Jemi një staf shumë i vogël, faktikisht kemi 11 zjarrfikës dhe neve aktualisht jemi vetëm 2 zjarrfikës në ndërrim, vetëm 2 pra”, tha Krasniqi.

    Teksa apeloi qytetarët që në këto temperatura të larta të kenë kujdes të shtuar, kryetari Bali Muharremaj tha se shtimi i numrit të zjarrfikësve nuk është në kompetencën e tij.

    “Ju e dini që zjarrfikësit janë kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë disa vende vakante edhe është e pamundur me i plotësua. Neve në aspektin ligjor nuk kemi bazë ligjore me shpallë konkurse presim prej tyre. Janë 4 vende të lira me u plotësua”, tha Muharremaj.

    Ndërkaq, komandanti i zjarrfikësve e ka një propozim tjetër.

    “Vite më parë kemi marrë punëtor sezonal dhe na kanë ofruar një ndihmë të mirë”, tha Krasniqi.

    Megjithatë, as kjo mundësi nuk ekziston, sipas kryetarit Bali Muharremaj.

    “Më herët kemi marrë punëtorë çdo verë ka 10 por, tash me disa rregullore të reja nuk na e mundëson ligji”, tha Muharremaj.

    Derisa, stafi i zjarrfikësve me gjasë nuk do të shtohet, Komuna e Suharekës nga java tjetër për intervenime në objekte të larta do ta ketë në shërbim edhe një kamion.

  • Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim për krime lufte

    Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim për krime lufte

    Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, pseudonimi i të cilit ishte komandant “Ujku”, është dënuar të martën nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me dënim unik prej 18 vitesh, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Në vendimin për secilën akuzë, Shala u dënua me gjashtë vjet burgim për ndalim arbitrar, 16 për torturë dhe 18 për përfshirje në një vrasje. Dënimi i njësuar ishte 18 vjet burgim.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

    Ndryshe, Shala është arrestuar më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe është transferuar në objektin e Gjykatës Speciale, në Hagë të Holandës, më 15 prill 2021.

    Shala ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të, duke i konsideruar akuzat ndaj tij si “të fabrikuara”.