ATV

Tag: Ballina

  • Hovenier: ShBA e shqetësuar me disa zgjidhje politike që bëri Qeveria Kurti

    Hovenier: ShBA e shqetësuar me disa zgjidhje politike që bëri Qeveria Kurti

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier deklaroi se pas miratimit të Ligjit për KPK-në dhe KPM-në, ka biseduar me zyrtarët e qeverisë. Ai tha se qeveria duhet të sigurohet që legjislacionet të jenë në përputhje me normat evropiane.

    I pyetur lidhur me raportet me qeverinë, ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë me popullin e Kosovës.

    Sipas tij, ShBA-të por edhe partnerët tjerë kanë shqetësime lidhur me disa zgjidhje politike që i ka bërë Qeveria Kurti dhe se pamundësojnë arritje .

    “Nganjëherë ndjej se të gjithë dëshironi të jeni psikiatër…Kurgjo më e re se që e kam thënë. Përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës është i fuqishëm dhe i hekurtë si gjithmonë. Edhe kjo është arsyeja pse jam këtu dhe po takohem me përfaqësues të komuniteteve për të mundësuar se çka mund të bëjë qeveria më shumë. Kemi qenë me popullin e Kosovë, jemi me popullin e Kosovës dhe do të jemi me popullin e Kosovës”, deklaroi ai.

    Në konferencë për media, pas vizitës në Gjakovë, Hovenier deklaroi se pas miratimit të Ligjit për KPK-në dhe KPM-në, ka biseduar me zyrtarët e qeverisë. Ai tha se qeveria duhet të sigurohet që legjislacionet të jenë në përputhje me normat evropiane.

    “Unë kam pasur rastin që të bisedojë me zyrtarët e qeverisë. Kuptoj që ka ndjenja të fuqishme nëse janë ligjet në përputhje me normat evropiane apo jo. Këshilla është që të sigurohen që çdo legjislacion që të jetë në përputhje me normat evropian, sepse ne natyrisht mendojmë që Kosova të jetë anëtarë e BE-së, NATO-s, prandaj mendojmë që nuk është edhe shumë e mençur që ato organizata evropiane e kanë thënë që këto projektligje nuk janë në përputhje me normat evropiane”, shtoi Hovenier.

  • Trump zotohet se do t’i bashkojë amerikanët

    Trump zotohet se do t’i bashkojë amerikanët

    Pas përpjekjes për ta vrarë, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha se e ka rishkruar krejtësisht fjalimin që do ta mbajë në Konventën e Partisë Republikane.

    Në vend se ta kritikojë presidentin aktual, Joe Biden, ai tha se do të përçojë mesazhe uniteti.

    “Do të jetë një fjalim krejt ndryshe. Kjo është një mundësi për ta bashkuar vendin. Mua më është dhënë kjo mundësi”, tha Trump për gazetën Washington Examiner.

    Trump arriti në shtetin e Uiskonsinit, ku, nga sot deri më 18 korrik, zhvillon punimet Konventa e Partisë Republikane.

    Në këtë ngjarje, Trumpit pritet t’i konfirmohet nominimi i partisë si kandidat presidencial në zgjedhjet e 5 nëntorit.

    Ai do ta mbajë fjalimin të enjten. Pritet, po ashtu, të bëjë të ditur se kush do të jetë kandidati për zëvendës të tij.

    Trump, 78 vjeç, u qëllua në vesh në një tubim në Pensilvani, të shtunën.

    Sulmuesi i dyshuar i tij, Thomas Crooks, 20 vjeç, u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret, por motivi i tij mbetet i paqartë.

    Nga të shtënat u vra një spektator, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë.

    Duke folur për gazetën Washington Examiner, Trump tha se provat për atë që ndodhi në Pensilvani, janë duke u mbledhur.

    “Energjia që vinte nga njerëzit atje, në atë moment… Është e vështirë ta përshkruash se si ndihej, por e dija se bota po shikonte. E dija që historia do ta gjykojë këtë dhe e dija se duhej t’ua bëja me dije se jam mirë”, tha Trump.

    Në zgjedhjet e nëntorit, Trump pritet të garojë kundër presidentit aktual, Joe Biden.

    Biden, në një fjalim nga Zyra Ovale të dielën mbrëma, bëri po ashtu thirrje për unitet kombëtar.

    “Në Amerikë, ne i zgjidhim mosmarrëveshjet në kutitë e votimit, e jo me plumba”, tha Biden, duke shtuar se “urrejtja nuk duhet të ketë port të sigurt”. /rel

  • Spanja shkruan histori, bëhet kombëtarja e vetme me katër trofe evropianë

    Spanja shkruan histori, bëhet kombëtarja e vetme me katër trofe evropianë

    Spanja ka bërë histori me triumfin në Euro 2024, pasi mposhti Anglinë me rezultat 2-1, për t’u bërë kombëtarja e vetme që ka katër trofe evropian, shkruan Telegrafi.

    Ndeshja filloi me ritëm të qetë, me dy kombëtaret që studionin nga afër lojën e njëra-tjetrës.

    Por, Spanja filloi të dominonte – duke shfaqur më shumë nga loja, ndërsa anglezët prisnin nga kundërsulmet.

    Kishte edhe nga ato momentet kur lojtarët debatonin, siç ishte rasti në minutën e 24-të mes Bukayo Sakas dhe Dani Carvajal, me këtë të fundit që i bëri me gjeste që të luante dhe të mos vajtonte.

    Anglia luante shumë e ngjeshur në mbrojtje dhe kishte vështirësi që të dilte përpara.

    Në anë tjetër Spanja duk ia doli ta thyente mbrojtjen e Tre Luanëve, ndërsa këta të fundit regjistruan rastin e parë serioz në minutën e 45+1-të.

    Pjesa e dytë nisi më i mirë për Spanjën, që ia dolën të shënonin golin e epërsisë me anë të Nico Williams (47’), që u asistua prej Lamine Yamal.

    Por, Tre Luanët u aktivizuan më shumë në sulm, madje edhe trajneri Southgate e dinte se duhej të reagonte me zëvendësime.

    Nga këto ndryshime, Cole Palmer që zëvendësoi Kobbie Mainoon, realizoi super gol nga distanca në minutën e 73-të me një asistim të Jude Bellingham.

    Por, Spanja ishte sërish më dominuese, duke ia dalë që të shënojnë golin e fitores.

    Marc Cucurella e gjeti në mënyrë perfekte Mikel Oyarzabalin, që ia doli të rikthente epërsinë në 2-1 në minutën e 86-të.

    Anglia pati goditje të njëpasnjëshme në fund, por që mbrojta e Furisë e Kuqe nuk u thye dhe ia doli të fitojë Kampionatin Evropian.

  • Moshimi i popullsisë, alarm për të ardhmen

    Moshimi i popullsisë, alarm për të ardhmen

    Përgatiti: Armand Hoti

    Popullsia në Kosovë, u vjetërsua për thuajse pesë vjet, krahasuar me vitin 2011.

    Të dhënat e preliminare të Regjistrimit të Popullsisë, tregojnë se 13 vite më parë, mosha mesatare e popullsisë në Kosovë, ishte 29.75 vjet.

    Ndërsa sivjet, mosha mesatare e kosovarëve është 34.82 vjet.

    “Mosha mesatare është 34.82 vjeç (rritje për 4.85 vjet), krahasuar me vitin 2011, ku mosha mesatare e popullsisë ishte 29.97 vjeç”, thuhet njoftimin e ASK.

    Demografi Sami Behrami thotë se moshënimi i popullsisë përbën indikator negativ për të ardhmen.

    “Tregon lëvizje shumë të pavaforshme të kësaj komponete demografike. Duke filluar nga moshnimi i kontigjentit të punës, deri të zvoglimi i nxënsve në nivelin e arsimit, e deri te rritja e shpenzimeve në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale”, tha Behrami.

    Mirëpo, Kosova ende prinë si shteti me popullin më të ri në rajon.

    Demografi Behrami përmend rënien e natalitetit si shkak kryesor i rritjes së moshës mesatare të popullsisë në Kosovë. Por e ndërlidhë edhe me emigrimin e moshave të reja me kapacitete riprodhuese.

    “Faktori i parë është zogëlimi i kontigjentit të lindjeve të grupmoshave të reja, favorizon rritjen e grupmoshave të vjetra. Gjithashtu një faktor shumë i rëndësishëm që ka ndikuar në këtë trend të moshnimit demografik në Kosovë është edhe emigrimi i popullsisë”, tha Behrami.

    Ndërkohë, sociologu Avdyl Gashi e vëzhgon me shqetësim rritjen e moshës mesatare të popullsisë.

    “Pasojat e plakjes së popullsisë, përfshinë kërkesën gjithnjë e më të madhe ekonomike dhe sociale të sistemit, pastaj uljen e fuqisë punëtor, uljen e inovacionit dhe produktivitetit kur dihet që kjo grup-moshë e popullsisë është më invovativja më produktivja”, tha Gashi.

    Sociologu Gashi thotë se shteti duhet të aplikojë politika, që do t’i mbanin të rinjtë në Kosovë.

  • Prokuroria në Mitrovicë të Veriut, në kushte të papërshtatshme pune

    Prokuroria në Mitrovicë të Veriut, në kushte të papërshtatshme pune

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ky objekt në Lagjen e Boshnjakëve, iu dha në shfrytëzim Prokurorisë Themelore të Mitrovicës së Veriut, gati një dekadë më parë.

    Në hapësirat e ndërtesës me sipërfaqe vetëm 1500 metra katrorë, prokurorët dhe pjesa tjetër e stafit vazhdojnë angazhimin, duke u detyruar që një pjesë të madhe të dokumenteve t’i vendosin kudo.

    Sipas zyrtarëve që punojnë këtu, objekti nuk i plotëson as për së afërmi kushtet për punë.

    “Momentalisht nuk i plotëson kushtet për punë, sepse ai ka qenë objekt privat, por që është kthyer në prokurori”, tha zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë të Veriut, Valon Preteni.

    Për shkak të kushteve të papërshtatshme dhe qirasë së lartë prej mbi 10 mijë eurosh në muaj, Këshilli Prokurorial kishte planifikuar zhvendosjen në një objekt tjetër, por në terren ende nuk ka ndryshuar gjë.

    “Ne shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet, sepse është prioritet i Këshillit Prokurorial, jemi me shpresë që të gjendet një zgjidhje”, tha Preteni.

    Pyetjeve të televizionit për një afat kohor se kur do të mund të gjendet një zgjidhje, nuk i janë përgjigjur zyrtarët e Këshillit Prokurorial e as ata të Ministrisë së Drejtësisë apo Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

  • Me ardhjen e vizitorëve, u ngritën çmimet në lokalet e gastronomisë

    Me ardhjen e vizitorëve, u ngritën çmimet në lokalet e gastronomisë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Së bashku me babanë dhe fëmijët e tij, Antonio Cardilio, nga Italia bën një shëtitje përgjatë sheshit të kryeqytetit.

    Cardilio viziton Kosovën për herë të dytë, mirëpo këtë vit ai mbeti i habitur me çmimet e larta në lokalet e gastronomisë.

    “Kosova na pëlqen, vijmë shpesh këtu por nuk e di pse po e shfrytëzojnë këtë sezon për ngritje çmimesh, nuk është mirë, secilin vit po shtrenjtohen produktet më shumë”, tha Cardilio.

    Nga 80 centë apo 1 euro sa ishte më parë, aktualisht një kafe kushton deri në 1 euro e 50 centë.

    Ky çmim po duket marramendës për vendasit, të cilët druajnë se çmimet do të mbesin të larta edhe pas sezonit veror.

    “Katastrofë bre, një kafe e ki 70 centë n’deti a këtu 1.50, janë tranu, na nuk mujmë me ia dalë, jo veç lokalet, po krejt senet i kanë shtrenjtua, po pësojmë ne këtu”, tha Ismet Gashi, qytetar.

    Rritja e çmimeve nëpër lokalet e gastronomisë po arsyetohet me konkurrencë.

    Ndërkaq, ekonomisti Safet Gërxhaliu, thotë se rritja e çmimeve pikërisht kur vendi po mbushet me vizitorë, nuk e vendos në pozitë të mirë Kosovën.

    “E prishë imazhin, ne e dimë që nuk jemi popull shumë i pasur, mund të përfitojnë lokalet edhe me çmimet që kanë aktualisht…”, tha Gërxhaliu.

    Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në hotele numri i vizitorëve gjatë muajit maj 2024 krahasuar me vitin paraprak, është rritur për 6.1 për qind.

  • PDK e LDK e quajnë populiste dhe për efekt elektoral, thirrjen e Kurtit për anëtarësim në NATO

    PDK e LDK e quajnë populiste dhe për efekt elektoral, thirrjen e Kurtit për anëtarësim në NATO

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, me pretekstin se ka dështuar ta avancojë Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, me theks të veçantë anëtarësimin në NATO, raporton EO.

    Thirrjen e kryeministrit Albin Kurti që anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i shërbente paqes dhe sigurisë së rajonit dhe Evropës, PDK e LDK e konsiderojnë populiste dhe për efekt elektoral, andaj e konsiderojnë si proces të vështirë këtë kohë.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për anëtarësim në NATO e organizata tjera, e sheh si konsum të brendshëm politik pasi sipas tij nuk ka veprime konkrete në këtë drejtim.

    Sipas tij, dëm të madh po i shkakton edhe mungesa e koordinimit me aleatët ndërkombëtar.

    “Sa po punohet dhe sa po ruhet partneriteti me njerëzit që janë shtete partnere, mbi të gjitha e dertiminojnë anëtarësimin tonë në aleancën veri-atlantike, dhe që të ketë paqe të vazhdueshme në rajon, në interesat që ne i kemi si anëtarësim të Kosovës ose synim prioritar nga presidenti Rugova deri më sot. Mënyra se si Qeveria i ka trajtuar partnerët kjo ka lënë shije të keqe shpeshherë edhe me dallime të mëdha por ne insistojmë që të ruhet miqësia, partneriteti dhe të fuqizohet pjesa e strukturës së sigurisë në Kosovë, sidomos ushtria dhe të jemi pjesë e kësaj aleance. Ne punojmë për paqe Kosova është dëshmuar që është vend paqësor edhe pse lufta na është imponuar për liri dhe pavarësi dhe kjo nuk ka qenë asnjëherë në dyshim të askujt”.

    “Ndoshta ka pasur nuanca që zotri Kurti shpeshherë për konsum të brendshëm jo atë që ka qenë reale duke përmendur tendenca të luftës ose të rrezikshmërisë, të cilat kanë ngritur shqetësime tek qytetarët. Pavarësisht kësaj ne duhet të sigurohemi që të kemi institucione stabile dhe kredibile, të kemi të fuqishme pa imponime politike pa fasadë. Të investojmë në strukturat tona të sigurisë dhe të jemi me ata konkurrente me të cilët po dëshirojmë që të bëhemi partner dhe pjesë. Përderisa është NATO këtu dhe KFOR-it, atëherë kjo është edhe një siguri shtesë që Kosova ka mbështetjen e aleatëve. Kështu duhet bëjë rrugëtimin e saj drejtë Integrimit Evropian dhe Euroatlantike. Dialogu nuk ka pasur ndonjë strategji nuk është dëgjuar pjesa e mirë ose alternativa që kanë dhënë opozita. Është hequr dorë nga disa çështje që kanë qenë tepër të rëndësishëm që të jenë pjesë e dialogut dhe përfundimit të saj me njohjen reciproke”.

    Deputeti i LDK-së, ka kërkuar dorëheqjen e shefit të ekzekutivit për siç ka thënë dështimet në qeverisje. Ka thënë se skandalet i ka shumë të mëdha e aferat e mëdha korruptive.

    “Kurti është dashur që të jap dorëheqje për dështimet që ka pasur në qeverisje dhe në paaftësinë për me udhëhequr me institucionet e Republikës së Kosovës, ndoshta i duhet edhe pak kohë në opozitë edhe të strukturoret në aspektin ideologjik të brendshëm për të pasur një qasje apo udhëheqje të mirëfilltë. Skandalet i ka shumë të mëdha mos të flasim për aferat e mëdha korruptive dhe dëmtimit të buxhetit. Për mënyrën se si ka qeverisur Kurti nuk ka pasur një progres dhe pritshmëritë kanë qenë shumë më të mëdha nga ata që i kanë besuar. Tashmë jemi në fazën ku na presin edhe zgjedhjet e parakohshme ose zgjedhje e rregullta por po e shohim se nuk është në aspektin moral ai njeri i cili ofro dorëheqje dhe krijon mundësi për zgjedhje të lira”, ka deklaruar Zemaj.

    Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, deklaratat e kryeministrit Albin Kurti që “asgjë nuk i shërben paqes më shumë se anëtarësimi i Kosovës në BE dhe NATO”, janë populiste dhe për efekt elektoral.

    “Kjo deklaratë çfarë kuptimi ka tash në aspektin populist në prag të zgjedhjeve për efekt elektoral deklaratë shumë e mençur kjo është objektivi i Kosovës për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian edhe për integrime Euroatlantike në përgjithësi edhe NATO-së. Mirëpo si mund të ketë kuptim një deklaratë e tillë nëse me marrëveshjen e 27 shkurtit të vitit 2023 vet kryeministri në tavolinën e bisedimeve ka pranuar që Serbisë t’i hiqet kushtëzimi për 10 vite për njohje të Kosovës dhe për ndryshim të Kushtetutës, çfarë logjike ka kjo deklaratë, çfarë efekti pse thuhet kjo. Thjesht për efektet populiste sepse jemi afër zgjedhjeve dhe duhet me formuluar sa më shumë kauza, deklarata që prodhojnë kauza në një hap tutje për t’i mashtruar edhe një herë qytetarët”, ka thënë Berisha.

    Procesin e anëtarësimit të Kosovës në këto organizata ndërkombëtare, Berisha e quan objektiv të kahershëm shtetëror. Andaj, thekson se Qeveria Kurti nuk ka bërë mjaftueshëm për ta arritur këtë objektiv. Kritika ka edhe për dhënien e tokës hektarëshe Manastirit të Deçanit.

    “Të gjithë punët e bëra Kosova që nga pavarësia e këtej janë në shërbim të integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe për të pasur ulëse edhe në Kombet e Bashkuara pra ky është objektiv shtetëror. Sa ka kontribuar në këtë periudhë qeverisje për afrimin e Kosovës nga këto integrimet tregojnë realitetin në terren. Ju e patë që vetëm në Këshillin e Evropës, vetëm për ta quar raportin e Dora Bakoyanis implemetojë një vendim që është dhe vet e ka quajtur dhe është zotuar që nuk do ta zbatojë kurrë të periudhën së Milosheviqit për pronat publike që iu dhanë Manastirit të Deçanit. Sikur t’i pranoheshin kushtëzimet e tjera këto kanë dërguar një letër me tre nënshkrime tre lider, se janë në gjendje të përmbushin çdo detyrim. Po mundohen të mbulojnë dështimin ekonomik social, politikë, dialog, infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi në të gjitha fushat me tema të mëdha të cilat janë jashtë domenit të vendimmarrjes vetëm të Kosovës pa koordinimin me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Berisha.

  • Elvis Rexhbeçaj i bashkohet Kosovës, Agim Ademi: Është profili i një futbollisti që më së shumti i ka munguar Kosovës

    Elvis Rexhbeçaj i bashkohet Kosovës, Agim Ademi: Është profili i një futbollisti që më së shumti i ka munguar Kosovës

    Elvis Rexhbeçaj pjesë e skuadrës së Augsburg-ut në Bundesligë të Gjermanisë, përfundimisht ka vendosur t’i bashkohet “Dardanëve.

    Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi, i cili në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A PLAY në ATV, tha se Elvis Rexhbeçaj është profili i një futbollisti që më së shumti i ka munguar Kosovës.

    “Jo vetëm Elvisi i cili në të vërtetë është një profil i futbollistit që na u është dashtë neve dhe i është dashur kombëtares tonë, gjithsesi më Elvisin dhe gjithë të tjerët, ekipet tona flasin vazhdimisht dhe e kemi një numër jashtëzakonisht të madh të futbollistëve, sidomos në Gjermani dhe në Zvicër, po flas që nga Ekipi A dhe grupet U15, sigurisht ekipet tona të cilat janë për atë punë, punojnë aktivisht dhe në çdo ditë mund të them që kanë kontakte të tilla më shumë njerëz. Elvisi është njëri prej futbollistëve, i cili më së shumti ka bërë ndeshje në Bundesligën gjermane, i ka rreth 160-170 ndeshje që i ka luajtur te Bundesliga dhe sigurisht është profili që na ka munguar deri tani në ekipin nacional, ndoshta është pak me vonesë, por gjithsesi Elvisi bashkërisht me familjen e tij, kemi qenë në kontakt me babën e tij dhe të gjithë njerëzit e tij që ata kanë pasur probleme për shkak të ligjeve në fuqi që kanë qenë të Gjermanisë për punën e pasaportës dhe shtetësisë, sigurisht kemi qenë të kujdesshëm që mos të bëjmë ndonjë pengesë ligjore që atyre t’iu pamundësohet të jenë në Gjermani ose t’iu rrezikohet pozicioni i tyre atje. Në momentin që iu është aprovuar ligji, nuk ka hezituar asnjë minutë më shumë dhe ai është ardhë të Kosova”, tha Ademi. /atvlive.tv

  • Donald Trump është liruar nga spitali

    Donald Trump është liruar nga spitali

    Ish-presidenti amerikan, Donald Trump është liruar nga spitali në të cilin ishte dërguar fillimisht, pas sulmit ndaj tij që u qëllua në vesh.

    Kështu kanë bërë të ditur burime të BBC-së, të cilat thanë se ende nuk është e qartë se ku ka shkuar ish-presidenti.

    Ndryshe, Trump ka reaguar pas atentatit ndaj tij, duke thënë se është qëlluar me një plumb që sipas tij, i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë.

  • Kurti e dënon tentim atentatin ndaj Trump: Mosmarrëveshjet politike në demokraci duhet të shprehen përmes formave paqësore

    Kurti e dënon tentim atentatin ndaj Trump: Mosmarrëveshjet politike në demokraci duhet të shprehen përmes formave paqësore

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dënuar tentim antentatin ndaj ish presidentit amerikan, Donald Trump.

    Ai i ka uruar shërim të shpejtë atij dhe të plagosurve tjerë, ndërsa i ka shprehur ngushëllimë familjes së spektatorit që u vra.

    Kurti ka thënë se mosmarrëveshjet politike në demokraci duhet të shprehen përmes formave paqësore dhe të zgjidhen me zgjedhje të lira dhe të ndershme.

    “I bashkohem liderëve të tjerë botërorë në dënimin e atentatit të tmerrshëm kundër ish-presidentit të SHBA’së, Donald Trump. I uroj shërim të plotë dhe të shpejtë atij dhe të tjerëve të plagosur dhe i dërgoj ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së spektatorit të vrarë.

    Mosmarrëveshjet politike në një demokraci duhet të shprehen gjithmonë përmes formave paqësore të fjalës dhe protestës dhe të zgjidhen me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa përjashtime.”