ATV

Tag: Ballina

  • Osmani takoi kryeministrin e Lihtenshtajnit: Potencova në veçanti anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Osmani takoi kryeministrin e Lihtenshtajnit: Potencova në veçanti anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Presidentja Vjosa Osmani, ka takuar kryeministrin e Lihtenshtajnit, Daniel Risch.

    Ajo tha se Risch, shfaq gjithmonë gatishmëri për të kuptuar më shumë për Kosovën dhe për të parë mundësitë për të bashkëpunuar më mirë.

    “Në takimin tonë të përbashkët në kuadër të Samitit të EPC-së, i shpreha mirënjohjen për partneritetin dhe mbështetjen, duke ritheksuar rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me ç’rast potencova në veçanti anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha Osmani.

  • Scholz: Të normalizohen marrëdhëniet Kosovë – Serbi dhe të zbatohen marrëveshjet

    Scholz: Të normalizohen marrëdhëniet Kosovë – Serbi dhe të zbatohen marrëveshjet

    Në konferencën e përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mbajtur të shtunën në Beograd, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz tha se me presidentin serb, ka biseduar edhe për temën e Kosovës.

    “Folëm për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe kjo është shumë me rëndësi”, theksoi Scholz.

    “Atje, kemi arritur marrëveshje, jemi pajtuar dhe kemi definuar qëllimet, të cilat duhet t’i zbatojnë palët dhe dëshiroj të potencoj se do të bëjmë gjithçka që mundemi, që secila palë të japë kontributin e saj dhe të përmbushë zotimin e dhënë në mënyrë që perspektiva e përbashkët evropiane, pra e integrimit në Bashkimin Evropiane të arrihet”, ka nënvizuar kancelari gjerman.

    “Edhe njëherë po them se ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur, që kjo të arrihet me një shpejtësi më të madhe, që të ecim përpara”, theksoi Scholz. Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz ka nënvizuar edhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

    “Dëshiroj që vizitën time këtu ta shfrytëzoj për të theksuar edhe një herë qëndrimin e qartë të Gjermanisë për perspektivën evropiane të Ballkanit perëndimor. Është ambicia ime dhe përkushtimi im, të ndihmoj dhe të kujdesem që shtete e Ballkanit Perëndimor, pas premtimit që iu është bërë 20 vite më parë në Samitin e Selanikut për integrim në Bashkimin Evropian, që pas një kohe kaq të gjatë, këto vende të kenë të hapur këtë perspektivë dhe që ky premtim të përmbushet. Pra, mbetet një premtim që duhet të plotësohet dhe ne duam të ndihmojmë që ky premtim të bëhet realitet, pasi integrimi evropian do të qojë përpara mirëqenien, stabilitetin dhe paqen në rajon”, tha ai.

    “Këtë zotim, ka dhjetë vite që Gjermania e shtyn përpara dhe është duke mbështetur përmes të ashtuquajturit Procesi i Berlinit dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tej”, tha tutje Scholz.

    “Në tetor do të mbahet takimi radhës i Procesit të Berlinit ku do të theksoj edhe një herë faktin se perspektiva e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë”, nënvizoi ai.

    Të gjitha këto çështje Scholz tha se i ka biseduar gjatë takimit me presidentin e Serbisë.

    “Për shembull theksova se perspektiva evropiane e shteteve dhe popujve në Ballkanit Perëndimor ndihmohet edhe nga raportet e mira fqinjësore. Për raportet dhe fqinjësinë e mirë mes vendeve në Ballkanin Perëndimor duhet të kontribuojmë së bashku, prandaj shfrytëzova edhe një herë rastin të theksoj nevojën e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Bosnjë e Hercegovinën dhe integritetin e saj territorial dhe shtetëror, që është një projekt i rëndësishëm në rrugën evropiane drejt BE-në”, ka theksuar mes tjerash kancelari gjerman, i cili tha se për nevojën e fqinjësisë së mirë me presidentin serb foli edhe për Kosovën./Radio Kosova

  • Szunyog për masat e BE-së: Ishin reagim ndaj ngjarjeve në Zveçan – 27 vendet duhet të pajtohen që të hiqen

    Szunyog për masat e BE-së: Ishin reagim ndaj ngjarjeve në Zveçan – 27 vendet duhet të pajtohen që të hiqen

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në përfundim të mandatit, ka folur lidhur me masat ndëshkuese që BE ka vendosur ndaj Kosovës. Për heqjen e tyre, ai ka deklaruar se duhet të ketë pajtim nga të 27 shtetet anëtare.

    Szunyog ka thënë se këto masa janë vendosur si reagim ndaj ngjarjeve në Zveçan dhe sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, vitin e kaluar.

    “Një gjë është se këto masa janë marrë si reagim ndaj ngjarjeve në Zveçan më 29 maj (2023) dhe sulmit kundër KFOR-it. Kështu që unë mendoj se është e qartë se kjo ishte një krizë vërtet serioze dhe një situatë serioze dhe ne ndjemë se duhet të reagojmë. Prandaj, në fakt 27 shtete anëtare ranë dakord për deklaratën e 3 qershorit”,ka thënë ai.

    Për heqjen e tyre, ai ka deklaruar se duhet të ketë pajtim nga të 27 shtetet anëtare. Szunyog ka thënë se po zhvillohet një diskutim mes shteteve, duke shtuar se shpreson që së shpejti të ketë marrëveshje.

    “Nuk e di se nga vjen kjo narrativë e votimit dhe mosvotimit, por kjo deklaratë u pajtua qartë nga 27 shtete anëtare. Gjëja e dytë është se padyshim e njëjta gjë vlen edhe për heqjen eventuale të masave. Kjo duhet të miratohet nga 27 shtete anëtare. Po zhvillohet një diskutim midis 27 shteteve anëtare dhe shpresoj se shumë shpejt do të gjeni marrëveshje për këtë. Por përsëri, qëndrimet tona për këtë ishin shumë të qarta dhe është qëndrim i 27 shteteve anëtare që në fillim, dhe ai do të përfundonte me qëndrimin e përbashkët të 27 shteteve anëtare”, ka deklaruar Szunyog në një intervistë për EO.

  • Parashikimi për ulje të temperaturave – MSh-ja njofton se vendimi për kufizimin e orarit të punës përfundon sot

    Parashikimi për ulje të temperaturave – MSh-ja njofton se vendimi për kufizimin e orarit të punës përfundon sot

    Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vendimi për për kufizimin e orarit të punës për disa kategori shoqërore për shkak të temperaturave të larta përfundon sot.

    Në njoftimin e MSH-së thuhet se java e ardhshme do të karakterizohet nga temperatura që nuk paraqesin rrezik për kategoritë e cenueshme të shoqërisë.

    “Pas konsultimeve me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Institutin Hidrometeorologjik, Ministria e Shëndetësisë njofton se vendimi për kufizimin e orarit të punës për disa kategori shoqërore për shkak të temperaturave të larta përfundon sot, më 20 korrik 2024. Sipas parashikimeve, java e ardhshme do të karakterizohet nga temperatura që nuk paraqesin rrezik për kategoritë e cenueshme të shoqërisë. Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të monitorojë situatën klimatike dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, thuhet në vendim.

    Ndryshe, para një jave MSH mori vendim që gratë shtatzëna të lirohen nga puna, qytetarët me sëmundje kronike do të punojnë me orar të shkurtuar deri në katër orë si dhe ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00-17:00.

    Ky vendim erdhi në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave.

  • Nagavci për grevën e paralajmëruar nga SBAShK-u: Të lihet anash adresimi i agjendave politike

    Nagavci për grevën e paralajmëruar nga SBAShK-u: Të lihet anash adresimi i agjendave politike

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, që të bashkëpunojë më të në të mirë të arsimit dhe mësimdhënësve, kjo pas paralajmërimeve të kësaj Sindikatë se do të mbajnë greva në arsim nga 1 shtatori, raporton Ekonomia Online.

    Në një prononcim për EO, ministrja Nagavci ka thënë se duhet që të lihet anash “adresimi i agjendave politike”.

    “Zotit Jashari, kryetarit të SBASHK-ut, i bëj thirrje publike për çështjet që janë në të mirën e arsimit, përfshirë edhe gjithë mbështetjen për mësimdhënësit, na ka partnerë e bashkëpunëtorë pa asnjë dilemë. Për humbje kohe, për adresim të agjendave politike, përkundër që ndoshta mund të merreshim, nuk kemi kohë as vullnet”, ka thënë ministrja Nagavci për Ekonomia Online.

    Deklarata e kreut të SBASHK-ut, në drejtim të ministres për mosbashkëpunim, ministrja Nagavci, i ka quajtur deklarata të pamatura, duke shtuar se është përmbajtur duke mos reaguar për to.

    Ajo ka thënë se arsyet që sindikata ka paraqitur për grevë, jo vetëm se është e pakuptueshme por shpërfaq edhe atë se nga kush po ndikohen, duke përmendur këtu edhe takimin e Jasharit me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

    “Jam përmbajtur nga deklaratat e pamatura të zotit Jashari sepse konsideroj që është e rëndësishme që të gjithë bashkërisht të punojnë në mënyrë që të ofrojmë më të mirën për fëmijët tanë”.

    “Duke filluar prej deklaratave të tij, pas takimit me zotin Haradinaj, ku thotë që mënyra e shpërndarjes, është njëra ndër tekstet ku ai e përmend njëra nga arsyet për grevë është jo vetëm se e pakuptueshme, por në fakt e shpërfaq edhe atë se nga kush po ndikohen, sepse të gjitha raportimet nga shkollat, nga mësimdhënësit, nga drejtorët janë që kjo mënyrë e subvencionimit e teksteve është një lehtësim për shkollat”, ka thënë Nagavci.

    “Ata që kanë humbur mund të jenë ata që kanë përfituar në mënyrën jo të duhur”, ka thënë ajo për EO.

    Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se si pasojë e mungesës së dialogut me Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë në përgjithësi, viti i ri shkollor rrezikon të mos fillojë me 1 shtator, pasi ky sistem mund të futet në grevë.

    Nga kjo sindikatë thuhet së kjo është kërkesë e vazhdueshme e anëtarësisë pasi Ministria e Arsimit dhe Qeveria nuk po i marrin parasysh kërkesat e tyre dhe nuk po u përgjigjen ftesave për dialog.

  • Ardhja e mërgimtarëve – Kjo është gjendja në pikat kufitare

    Ardhja e mërgimtarëve – Kjo është gjendja në pikat kufitare

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka treguar gjendjen nëpër pikëkalimet kufitare, këtë mëngjes.

    Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pritjet për të hyrë në Kosovë janë nga 30-40 minuta, e kolona është 200 metra.

    Në Jarinjë e Merdare, pritjet në hyrje janë 5-10 minuta, derisa në pikëkalimet tjera 3-5 minuta.

     

     

  • Moti për sot, temperaturat vazhdojnë të jenë të larta

    Moti për sot, temperaturat vazhdojnë të jenë të larta

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë veror. Përkundër parashikimeve për uljen e temperaturave ato vazhdojnë të mbesin shumë të larta, meqë i nxehti me origjinë nga Afrika veriore po “reziston” shumë më shumë se që ishte parashikuar më parë. Temperatura maksimale deri në 36 gradë Celsius, ndërsa vazhdon zagushia ekstreme dhe gati e padurueshme.

    Pasdite vonë dhe në mbrëmje parashihen zhvillime të rrebesheve lokale të shiut me vetëtima, bubullimë dhe breshër, por zhvillimet ende mbesin të izoluara dhe jo përmasave të mëdha siç ishin parashikuar më parë, megjithatë mund të ndodhë krijimi i ndonjë shtrëngate të fortë lokale orëve të pasdites dhe mbrëmjes dhe si pasojë freski e shumëpritur.

    Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë veror. Pasdite priten zhvillime të fuqishme në disa pjesë të Maqedonisë së Veriut, veri të Malit të Zi dhe lindje, veri dhe juglindje të Shqipërisë. Shtrëngata të forta mund të zhvillohen sidomos në Maqedoninë e Veriut.

  • KFOR çon mesazh për Urën e Ibrit, publikon një video me ushtarë duke patrulluar rrotull saj

    KFOR çon mesazh për Urën e Ibrit, publikon një video me ushtarë duke patrulluar rrotull saj

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, sot ka publikuar një video nga Ura e Ibrit në Mitrovicë për të treguar se në atë zonë po patrullojnë.

    Në këtë video, KFOR shkruan për njësitë K9, që janë ekipe speciale me qen të trajnuar, të cilët mund të detektojnë eksplozivët dhe të sinjalizojnë ushtarët.

    “Njësitë K9 janë ekipe speciale me qen shumë të trajnuar. Ata rregullisht kryejnë inspektime për të mbajtur sigurinë dhe qetësinë. Ata mund të detektojnë eksplozivët si ato sipërfaqësore si ato nëntokësore. Kur një qen zbulon një eksploziv ai ulet dhe sinjalizon stërvitësin e tij. Lidhja mes qenit dhe pronarit të tij është esenciale për suksesin e ekipit”, thuhet në përshkrimin e videos.

    KFOR bëri deklaratën e zakonshme se vazhdon “të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”.

    Ky mesazh nga KFOR vjen pas deklaratëve të kryeministrit Albin Kurti dje se Qeveria e tij synon hapjen e Urës së Ibrit, i cili shtoi se ky veprim nuk është kundër askujt.

    “Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, tha dje Kurti në një konferencë për media.

    Deklarata e tij në këtë konferencë erdhi pas një takimi që pati me ambasadorët e shteteve të QUINT-it pikërisht për këtë temë.

    “Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, kishte njoftuar ZKM pas këtij takimi.

    Ndërkaq, KFOR, që vazhdimisht është prezent në Urën e Ibrit, kishte dhënë qëndrimin e tij mbi këtë synim të Qeverisë së Kosovës se çdo vendim lidhur me urën të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

    Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    Kjo temë u hap pasi fillimisht u diskutua në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, e cila udhëhiqet nga Erden Atiq i Lëvizjes Vetëvendosje, që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

    Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

  • Kosova i ka dërguar BE-së komentet për rrugën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë

    Kosova i ka dërguar BE-së komentet për rrugën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë

    Qeveria e Kosovës i ka dërguar BE-së komentet për zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Afati për dërgimin e këtyre komenteve ishte dje, më 18 korrik.

    Këshilltari i kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu konfirmoi për Reporteri se Qeveria e Kosovës tashmë i ka dërguar komentet e tyre në Bruksel, rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

    Dy takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe në nivel kryenegociatorësh të të dyja palëve që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.

    Bashkimi Evropian u bëri të qartë palëve se deri më 18 korrik, pret komentet e palëve për të hartuar një propozim të ri mbi këtë proces.

    Me gjithë trysninë perëndimore, marrëveshja e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër ende nuk ka nisur të zbatohet, ndonëse Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimeve evropiane.

    Në takimin e fundit të nivelit të lartë që u mbajt më 26 qershor në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi ta takojë presidentin serb, Vuçiq. Ai paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

    Kurti tha se pa dorëzimin e Milan Radoçiqit dhe grupit paramilitar serb që kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë.

    Shefi i ekzekutivit kosovar, nuk pranoi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq pa u bërë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.

    Pajtim për mënyrën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë, nuk sollën as mbi 7 orë takime bilaterale e trilaterale në nivel kryenegociatorësh një javë më pas në Bruksel.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

  • Osmani takon Macronin: Diskutuam mbi rëndësinë e ecjes përpara drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike

    Osmani takon Macronin: Diskutuam mbi rëndësinë e ecjes përpara drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike

    Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Presidentin e Francës, Emanuel Macron, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian.

    Osmani ka thënë se me Macron ka diskutuar mbi rëndësinë e ecjes përpara drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike, raporton Express.

    “Dje, me Presidentin Macron, diskutuam mbi rëndësinë e ecjes përpara drejt integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike, në partneritet me aleatët tanë dhe në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim. 🇽🇰🇫🇷”, ka shkruar Osmani, derisa ka publikuar edhe disa foto nga takimi.