ATV

Tag: Ballina

  • Lajçak: Është iluzion të mendosh se me Kallas do të ketë proces të ri dhe marrëveshje të re Kosovë-Serbi

    Lajçak: Është iluzion të mendosh se me Kallas do të ketë proces të ri dhe marrëveshje të re Kosovë-Serbi

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se nuk beson se do të ketë marrëveshje të re në dialogun Kosovë-Serbi gjatë udhëheqësisë së re të Bashkimit Evropian. Ai tha se është iluzion të besohet se me përfaqësuesin e ri të Lartë të BE-së, papritur do të ketë një proces të ri.

    Lajçak tha se në marrëveshjen e Ohrit, kanë punuar mendjet më të ndritura dhe se mbështetet plotësisht nga të 25 vendet antarë.

    Ai tha se palët duhet të zbatojnë për atë që kanë rënë dakord dhe se sa ma shpejt ta kuptojnë këtë, aq më mirë.

    “Dhe përsëri, nuk mendoj që do të ketë një marrëveshje të re. Sepse nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë, dikush do ta kishte propozuar. Janë mendjet më të ndritura që kanë punuar për këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje mbështetet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara, nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në veçanti nga Gjermania, Franca dhe Italia. Pra, është përsëri një iluzion të besosh se me përfaqësuesin e ri të Lartë [të BE-së], papritur do të ketë një proces të ri. Parametrat kryesorë nuk do të ndryshojnë. Dhe për këtë arsye, pacta sunt servanda – ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet – është parimi bazë. Dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mire”, ka deklaruar Lajçak në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

    Lajçak tha se parametrat bazw të këtij procesi nuk do të ndryshojnë.

    “Shiko, parametrat bazë nuk do të ndryshojnë. Parametrat bazë të këtij procesi janë të njohura mirë. Dhe natyrisht, këtu përfshihet fakti që komuniteti serb në Kosovë duhet të jetë në gjendje ta ruajë identitetin e vet, të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur, të ketë marrëdhënie institucionale me Serbinë në përputhje me standardet evropiane dhe brenda kornizës ligjore të Kosovës. Le të jemi shumë të qartë për këtë. Dhe, në këmbim, Serbia duhet t’i përmbushë të gjitha elementet e normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Lajçak.

  • A Radio arrin 4 milionë dëgjime në platformën Shkabaj

    A Radio arrin 4 milionë dëgjime në platformën Shkabaj

    Brenda një kohe relativisht të shkurtër, A Radio ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm duke regjistruar 4 milionë dëgjime vetëm në platformën Shkabaj, duke mos përfshirë platformat e tjera dhe valët e saj që mbulojnë një pjesë të madhe të Kosovës.

    Kjo arritje shënon një moment të rëndësishëm për radion, duke tërhequr një audiencë të gjerë dhe duke e bërë A Radion një nga radiostacionet më të dëgjuara mbarë kombëtare.

    A Radio, e cila është pjesë e grupit mediatik “Media Invest”, filloi transmetimin më 21 shkurt 2021 dhe që atëherë ka arritur të bëhet një nga stacionet më të preferuara të dëgjuesve shqiptarë.

    Grupi mediatik “Media Invest”, pjesë e së cilës janë ATV dhe A Radio, funksionon mbi themelet e Kolegjit AAB, i cili nëpërmjet Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë̈, për me shumë se dy dekada me radhë, u ka dhënë mediave në Kosovë profesionistë të spikatur dhe të përkushtuar.

    Për tri vite e gjysmë që nga themelimi, ATV vazhdon te jetë televizioni më i shikuar në Kosovë, ndërsa A Radio, një nga radiostacionet më të dëgjuara mbarë shqiptare.

  • “Aty është e vërteta” – Kurti kërkon trysni nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave serbe

    “Aty është e vërteta” – Kurti kërkon trysni nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave serbe

    Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur të Kosovës., kryeministri Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci e kryediplomaten Donika Gërvalla, kanë bërë homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se që nga mbarimi i luftës, ka munguar vullneti i palës serbe për të lejuar gërmime në lokacione ku dyshohet se ka varreza masive. Andaj, ai ka kërkuar trysni nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave serbe, sepse “aty është e vërteta”.

    Kurti ka thënë se shumica dërmuese e atyre që u zhvarrosen dhe u kthyen si kufoma në Kosovë, ka qenë në muajt e fundit të vitit 2000 dhe 2001, pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit. Ndërsa, në Kosovë ai ka thënë se janë bërë më shumë se dy mijë gërmime në këto 25 vite.

    “Shumica dërmuese ose mbi 94 për qind të atyre që u zhvarrosen dhe u kthyen si kufoma në Kosovë, kjo ndodhi në muajt e fundit të vitit 2000 dhe 2001, pra pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit në Serbi në varrezat masive në Batajnicë e Peruqac. Nga këto varreza masive janë nxjerrë gjithsej 900 shqiptarë, gra, fëmijë e pleq, pastaj nuk ka pasur gërmime dhe në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2021, në dy varrezat masive janë nxjerrë edhe 61 shqiptarë të tjerë. Pra pjesa dërrmuese janë në muajt e parë të rrëzimit të Millosheviqit, më pastaj nuk ka pasur vullnet për gërmime të mëtutjeshme në Serbi, ndërsa në Kosovë i kemi 2800 gërmime në këto 25 vite”.

    “Andaj i bëjmë thirrje edhe njëherë faktorit ndërkombëtar që të bëjnë trysni mbi Serbinë, siç ka bërë trysni mbi Serbinë për gërmime në Sanxhak, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të merret një vendim i ri, që të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave dhe të hapet. Aty është e vërteta”, deklaroi Kurti, raporton EO.

    Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, ka thënë se edhe sot e 25 vite pas lufte nuk e din fatin e të pagjeturve. Ai ka thënë se si familjarë janë të pa kënaqur si me punën e ndërkombëtarëve dhe institucioneve vendore sa i përket kësaj çështje.

    “Miliona njerëz sot lëshojnë lot dhe presin çka është duke ndodhur, ku edhe sot e kësaj dite ka të pagjetur. Kur them fëmijë, 133 nëna sot qesin më shumë lot se sot një vit. Sa kemi bërë për zbardhjen e fateve të pagjetur ne si familjarë jemi shumë të zhgënjyer. Jemi jo të kënaqur me institucionet vendore e ndërkombëtare, se fajin e ka Brukseli ku ndërkombëtaret nuk japin urdhër që ata që dinë të na tregojnë ku janë më të dashurit tonë. Nuk e dimë si munden që të mos gjej gjuhë të përbashkët 25 vite për të pagjeturit”, ka thënë ai.

    Krahas liderëve institucional, homazhe kanë bërë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, udhëheqës e përfaqësues të shoqatave të familjarëve të personave të zhdukur me dhunë.

  • Goffus: Shtimi i trupave të KFOR-it s’është zgjidhje për stabilitet afatgjatë

    Goffus: Shtimi i trupave të KFOR-it s’është zgjidhje për stabilitet afatgjatë

    Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, të enjten ka qëndruar në Kosovë, e një ditë më parë edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Nga të dyja vendet ai ka përsëritur angazhimin e NATO-s për paqe dhe stabilitet në rajonin “me rëndësi strategjike për Aleancën”.

    Goffus ka përmendur rritjen e numrit të trupave në Kosovë nga viti i kaluar pas tensioneve në veri, por ka deklaruar se kjo nuk është zgjidhje për stabilitet afatgjatë.

    “Gjatë vitit të kaluar, kemi rritur numrin e trupave në Kosovë, në mënyrë që të menaxhonim, për fat të keq, një mjedis më sfidues të sigurisë dhe tensione të vazhdueshme. Kjo tregon, edhe një herë, përkushtimin e palëkundur politik të aleatëve të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në gjithë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Edhe pse fatkeqësisht është e nevojshme për momentin, më shumë trupa nuk janë zgjidhja për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë”, ka thënë Goffus, njoftoi NATO përmes një deklarate për media të premten.

    Më tej, ka shtuar se zgjidhja për situatën është politike, duke përmendur këtu dialogun Kosovë-Serbi. Ka bërë thirrje për zbatim të marrëveshjeve ekzistuese.

    “Veprimet e papritura dhe të pakoordinuara, veçanërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, që minon sigurinë e njerëzve në Kosovë dhe rrit rrezikun me të cilin përballen trupat e KFOR-it. Kjo rrit shqetësimin e aleatëve të NATO-s për stabilitetin e rajonit, sigurinë e Kosovës dhe sigurinë e trupave të tyre”, ka theksuar ai.

    Goffus e ka quajtur “jetike” koordinimin në kohë dhe efektiv me NATO-n e komunitetin ndërkombëtar – ndërsa ka përmendur këtu çështjen e Urës së Ibrit.

    Ndërsa ka kërkuar përgjegjësi për ngjarjet e dhunshme në Zveçan e Banjskë të vitit të kaluar, ai ka thënë se “veprimet e pakoordinuara bashkë me retorikën përçarëse, nxisin tensione që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë”.

    “Ekziston një mundësi dhe një nevojë për të ndërmarrë hapa pozitivë drejt depërshkallëzimit dhe uljes së presionit, përmes dialogut konstruktiv për zgjidhje të qëndrueshme”, ka deklaruar Goffus.

  • Presidentja Osmani dekreton 31 gjyqtarë me mandat fillestar

    Presidentja Osmani dekreton 31 gjyqtarë me mandat fillestar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka dekretuar sot 31 gjyqtarë me mandat fillestar, pothuajse gjysma prej tyre gra.

    Në njoftim thuhet se në ceremoninë e betimit para presidentes Osmani, gjyqtarët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale, si dhe do të kryejnë me besnikëri në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme detyrat e tyre”.

    “Presidentja Osmani ka potencuar se integriteti, pavarësia, paanshmëria dhe profesionalizmi i gjyqtarëve janë elemente thelbësore për një sistem të drejtësisë që garanton barazi për të gjithë dhe besim qytetar”, thuhet në komunikatë.

  • Për herë të parë, KQZ cakton në 22 shtete ambasadat dhe konsullatat për votimin e diasporës

    Për herë të parë, KQZ cakton në 22 shtete ambasadat dhe konsullatat për votimin e diasporës

    Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar përfaqësitë diplomatike (ambasadat dhe konsullatat) ku do të mund të votojnë të gjithë shtetasit e Kosovës që do të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Gjithashtu, KQZ ka caktuar edhe numrin e votuesve që do të lejohet të regjistrohen për të votuar në përfaqësitë diplomatike, i cili në total është rreth 50 mijë votues.

    Sipas vendimit të KQZ-së do të votohet në 22 shtete, respektivisht në ambientet e 35 ambasadave/konsullatave me gjithsej 47 vendvotime.

    Vendimi është marrë në mbledhjen e KQZ-së dhe lista do të publikohet së shpejti nga KQZ.

    Përveç regjistrimit për votim në përfaqësi diplomatike, votuesit mund të kërkojnë të regjistrohen për të dërguar pakon me fletëvotim në fah postar të KQZ-së në Kosovë apo në fah postar të KQZ-së jashtë Kosovës.

  • Presidentja Osmani pret në takim lamtumirës shefin e misionit të OSBE-së

    Presidentja Osmani pret në takim lamtumirës shefin e misionit të OSBE-së

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport.

    Në takim, Presidentja Osmani ka vlerësuar angazhimin e ambasadorit Davenport në krye të OSBE-së në mbështetje të përpjekjeve për forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, për të cilat Kosova po tregon progres të vazhdueshëm.

    Me rastin e përfundimit të mandatit të tij, Presidentja e falënderoi ambasadorin për punën e deritanishme në Kosovë dhe në të njëjtën kohë i ka uruar sukses në angazhimet e tij të mëtejshme.

  • Dy ministra të Qeverisë së Kosovës shihen te Ura e Ibrit, nuk flasin për hapje

    Dy ministra të Qeverisë së Kosovës shihen te Ura e Ibrit, nuk flasin për hapje

    Pas hapjes së postës në veri, dy ministra të Qeverisë së Kosovës, Elbert Krasniqi dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli janë parë duke kaluar tek Ura e Ibrit. Të dy ministrat nuk janë deklaruar për KosovaPress.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje ka thënë se hapja e Urës mbi lumin Ibër është liri e lëvizjes dhe liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Kosovë e po ashtu edhe në Bashkimin Evropian. Derisa institucionet e Kosovës po kërkojnë që e njëjta të hapet, bashkësia ndërkombëtare po thotë se hapja e Urës së Ibrit duhet të jetë pjesë e dialogut.
    Kurti ka treguar se në këtë javë e po ashtu edhe në javën e ardhshme do të kenë vizita nga delegacioni i NATOS-, delegacioni danez e po ashtu edhe ministra të jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s.

    Ura kryesore mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

  • ​Emisari gjerman vjen sot për vizitë zyrtare në Kosovë

    ​Emisari gjerman vjen sot për vizitë zyrtare në Kosovë

    Përfaqësuesi i Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin sot do të qëndroj për vizitë zyrtare në Prishtinë.

    Ambasada Gjermane në Kosovë njofton se emisari nga Gjermania, Sarrazin do të ketë takime zyrtare, ndonëse nuk ka sqarime se me kë do të takohet.

    “Manuel Sarrazin, përfaqësuesi special i Qeverisë Federale për vendet e Ballkanit Perëndimor do të vizitojë Kosovën nesër, më 29.08.2024. Pas takimeve zyrtare, Sarrazin do të mbajë një konferencë për media para nisjes”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane të publikuar të mërkurën.

    Më tej thuhet se konferenca e tij për media do të mbahet në orën 18:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

  • Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës(IHMK) ka njoftuar se sot mbi vendin tonë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, më të fokusuara rreth relievit malor, ku atje mund të ketë edhe ndonjë rigë e izoluar shiu.

    Sipas IHMK-se, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4m/s.