ATV

Tag: Ballina

  • Nagavci: Mbi 300 mijë fëmijë filluan vitin e ri shkollor, nuk ka shqetësime nga asnjë komunë

    Nagavci: Mbi 300 mijë fëmijë filluan vitin e ri shkollor, nuk ka shqetësime nga asnjë komunë

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024/2025, ka vizituar shkollën “Iliria” në Prishtinë, ku bëri të ditur se më shumë se 300 mijë fëmijë kanë filluar mësimin sot, raporton EO.

    Nagavci ka thënë se përgatitjet për vitin e ri shkollor dhe furnizimi me tekste shkollore kanë shkuar mirë, e se nuk ka pasur asnjë shqetësim nga komunat.

    Ajo ka theksuar se për herë të parë, mësimi parashkollor është bërë obligativ në tërë Kosovën.

    “Më shumë se 300 mijë fëmijë sot do të fillojnë vitin e ri shkollor 2024/2025 me besimin e plotë për motivim, angazhim dhe me përkushtim të mësimdhënësve. Uroj që të kenë shëndet dhe mbarësi në këtë fillim të vitit shkollor”.

    “Sivjet në të gjitha shkollat, në të gjitha komunat , për herë të parë është bërë i obligueshëm mësimi për fëmijët nga mosha pesë deri në gjashtë vjet, pra për parashkollorët. Ishim sot këtu në vizitën e parë, në klasën e parashkollorëve që të shohim se a kanë arritur suksesshëm që të bëhen përgatitjet”.

    Tutje, ministrja ka thënë se janë në kontakt me komunat, nga të cilat presin ditëve në vijim edhe raportet për fillimin e vitit të ri shkollor.

    Ajo ka thënë se sipas informatave që kanë, edhe furnizimi me tekste shkollore ka shkuar mirë, pa ankesa nga asnjë komunë, ndërsa ato të prindërve janë duke u shqyrtuar.

    “Jemi në kontakt me komunat. Deri më tani nuk kemi ndonjë kërkesë apo shqetësim nga komunat. Gjatë ditëve në vijim, presim raportet nga komunat për gjithçka, për furnizimin me tekste, për fillimin e vitit shkollor, numrin e nxënësve e kështu me radhë”.

    “Furnizimi me tekste shkollore kanë shkuar shumë mirë, sipas informatave. Nga asnjë komunë nuk kemi asnjë shqetësim. Kërkesat që janë paraqitur nga prindërit apo kujdestarët ligjorë janë duke u shqyrtuar”, ka thënë Nagavci, raporton EO.

  • Presidentja Osmani uron nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor

    Presidentja Osmani uron nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar fëmijët për fillimin e vitit të ri shkollor.

    Në urimin e saj, ajo thotë se aty ku arsimi cilësor dhe përkushtimi janë prioritet, aty rriten gjeneratat që do të ndërtojnë të ardhmen e shëndoshë e përparimtare të shtetit tonë.

    Më tej, presidentja tha se shkolla mbetet investimi më i rëndësishëm për çdo shoqëri që e do përparimin dhe zhvillimin.

    Lexoni më poshtë urimin e plotë të shefes së shtetit:

    Fillimi i vitit të ri shkollor është ditë e veçantë për nxënësit, por po kaq shumë edhe për prindërit dhe mësuesit. Është dita kur oborret e shkollave gumëzhijnë nga zërat e gëzuar të nxënësve që kthehen nga pushimet verore, nga përqafimet mes shokëve dhe shoqeve që nuk janë parë për një kohë të gjatë, dhe nga sytë plot kuriozitet të atyre që hyjnë për herë të parë në tempullin e dijes. Ky gëzim, ky entuziazëm dhe kjo energji që ndihet në çdo kënd të shkollës na rikujton edhe një herë se shkolla është vendi ku formësohen ëndrrat, zhvillohen talentet dhe ngriten themelet për një të ardhme më të mirë.

    Por, përtej simbolikës së ditës së parë të shkollës, suksesi i arsimit varet nga angazhimi ynë i përbashkët për të krijuar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për nxënësit dhe mësimdhënësit tanë. Shkolla mbetet investimi më i rëndësishëm për çdo shoqëri që e do përparimin dhe zhvillimin. Aty ku arsimi cilësor dhe përkushtimi janë prioritet, aty rriten gjeneratat që do të ndërtojnë të ardhmen e shëndoshë e përparimtare të shtetit tonë.

    Të dashur nxënës, sot nisë një kapitull i ri plot me mundësi dhe ëndrra për t’i realizuar. Të nderuar mësimdhënës, vazhdoni t’i frymëzoni zemrat dhe mendjet e reja me pasion dhe përkushtim.

    Urime për fillimin e vitit të ri shkollor! Qoftë ky vit një udhëtim i mbushur me suksese të panumërta, si dhe mësime të vlefshme që do t’ju udhëheqin gjatë gjithë jetës!

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Të enjten e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 82-të, ka bërë të ditur përmes një njoftimi DhSK-ja pasi ka mbaruar seanca e cila u mbajt e mbyllur.

    Ndryshe, sa ishte seanca e hapur, mbrojtja e Veselit përmes avokatit Geoffrey Roberts e ngriti një çështje lidhur me kalendarin gjykatës për vitin e ardhshëm.

    “Kalendari i gjykatës për vitin që vjen është deri në maj të vitit që vjen dhe megjithatë që kuptoj unë synohet që data e përfundimit të çështjes nga Prokuroria është… ose ajo që keni thënë me datë 15 shkurt 2023 ka qenë 1 prilli 2025, të paktën kjo është përcaktuar me urdhrin me gojë. Nuk e di në qoftë se ky është rasti megjithatë ne e kuptojmë që ndërsa flasim koha për përfundimin e çështjes nga prokuroria është në prill”, ka theksuar Roberts.

    Ndërsa, kryetari i turpit gjykues njoftoi se nuk ka ndryshime në data por që i është dhënë pak hapësirë ZPS-së pas afatit të përcaktuar për mbarimin e çështjes së saj.

    Për këtë javë, Matt Halling ka theksuar se kanë vetëm dy dëshmitarë të cilët mbajnë kodin Ë04735 dhe Ë0511, të cilët pritet të dëshmojnë. Ai ka thënë se aktualisht nuk kanë dëshmitarë tjetër rezerve, por që do të shikojnë se çfarë mund të bëjnë.

    Ndërsa prokurori Halling ka thënë se dëshmitarët që synohet të thirren për bllokun e ardhshëm janë 04737, 04600 dhe 01129. Kurse kryegjyqtari ka thënë se do të ishte mirë që ta kenë dikë rezervë për shkak se sipas tij këta dëshmitar nuk zgjasin gjithë javën.

    Pas kësaj, pati një çështje për të diskutuar edhe avokati Eric Tully por që sapo e mori fjalën, seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar për t’u mos u hapur më deri sa në ekran u njoftua se nuk ka transmetim.

  • Konflikti që përfundoi me vrasje mbrëmë në Aktash, çka dihet deri tani

    Konflikti që përfundoi me vrasje mbrëmë në Aktash, çka dihet deri tani

    Familjet Sekiraqa dhe Capat, të njohura edhe si grupe që janë në konflikt qe një kohë vazhduan ‘betejën’ të dielën mbrëma që përfundoi tragjikisht. Një konflikt me armë mes tyre në lagjen Aktash në Prishtinë la të vdekur një person dhe pesë të tjerë u plagosën.

    Policia akoma s’ka dalë me një konfirmim zyrtar, ndërsa Sinjali sjellë të gjitha detajet që dihen deri më tani.

    Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se personi që mbeti i vrarë, bazuar në informacionet që posedojnë organet e rendit dyshohet se është Premtim Gashi. Konfirmimi i identitetit nuk është bërë mbrëmë menjëherë në vendin e ngjarjes për shkak se i vrari nuk kishte dokumente identifikuese me vete.

    Sinjali raportoi ekskluzivisht se trupi i të vrarit mbeti mbi një kallashnikov, të cilin dyshohet se e posedonte viktima, i cili nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve që mori nga shkrepja e armës.

    Gjithë konflikti dyshohet se lidhet me problemet që familja e Sekiraqës ka pasur në vazhdimësi me familjen Capat në Prishtinë – të cilëve iu plagos një familjar para disa muajsh.

    Nga familja Sekiraqa, mbeti i plagosur personi më me ndikim në grupin e tyre, Salih Sekiraqa, 47-vjeçar.

    Bashkë me Sekiraqën, nga arma e zjarrit u lënduan edhe Korab Gashi (vëllai i Premtimit), Robert Llumnica (29-vjeçar), Fatos Abazi (35-vjeçar) dhe Valdrin Ademi (21-vjeçar), raporton Sinjali.

    Gjendjen më të rëndë shëndetësore e kanë të plagosurit Llumnica dhe Ademi.

    Kryeqyteti mbrëmë u mbush me policë, me ç’rast Policia ka aktivizuar Unazën e Çeliktë, ku si rezultat janë shtuar pika kontrolli në lokacione të ndryshme.

    Të gjitha informacionet që kanë dalë pritet të konfirmohen më tutje pasi të ndërmerren veprimet e nevojshme nga Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

  • Sot fillon viti i ri shkollor

    Sot fillon viti i ri shkollor

    Sot në gjithë Kosovën nis viti i ri shkollor 2024/2025. Derisa Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se në koordinim me komunat, janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, nuk ka njoftuar për numrin e nxënësve që do të vijojnë mësimin në institucione publike e private, e as për numrin e fëmijëve që nisin mësimin në klasën e parë.

    Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, në orën 10:00, do të vizitojë shkollën “Iliria”. Kurse, në orën 11:00, shkollën “Elena Gjika”, në Prishtinë.

    Më 14 gusht është hapur aplikimi për subvencionim me tekste dhe materiale shkollore në platformën e-Kosova, e sipas ministres Nagavci, shihet se proceduralisht këtë vit ka qenë shumë më e lehtë sepse prindërit i kanë pasur llogaritë aktive.

    Deri tani dihet se kanë aplikuar gjithsej 203.407 prindër ose kujdestarë ligjor për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Ndërkaq, janë subvencionuar gjithsej 201,120 aplikues. Procesi i transferimit të mjeteve është duke vazhduar, po ashtu platforma për aplikim po qëndron e hapur.

    Ndërkohë, gjatë dy ditëve të vikendit është parë një interesim i madh i prindërve për t’i blerë tekstet shkollore. Ndërsa, kishte prindër që blenë tekste të vjetra shkollore, për t’i kursyer disa para nga subvencionimi.

    Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, MASHTI ka publikuar edhe udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2024-2025.

    Ky UA përcakton fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor 2024/2025 në të gjitha institucionet publike dhe private, respektivisht të vitit mësimor sipas niveleve, pushimin vjeshtor, pushimin dimëror, pushimin pranveror, festat publike për nxënësit e shkollave fillore, klasave parafillore, shkollave të mesme të ulëta, shkollave të mesme të larta, institucionet parashkollore dhe qendrat burimore për mësim dhe këshillim.

    Kurse, me vendim të Komunës së Prishtinës, mësimi gjithë-ditor do të zhvillohet për herë të parë për nxënësit e klasave nga e para deri në të pestën, e për të cilët është siguruar edhe shujta e ngrohët. Megjithatë, procesi mësimor nëpër fshatrat e kësaj komune vazhdon sikur vitet e mëhershme.

    Shkollat ku do të nisë ky projekt, janë: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli”.

  • Vrasja dhe plagosja e disa personave në Aktash, dyshohet se në rast janë përfshirë Sekiraqët dhe Capat

    Vrasja dhe plagosja e disa personave në Aktash, dyshohet se në rast janë përfshirë Sekiraqët dhe Capat

    Disa të shtëna me armë janë dëgjuar sonte në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen “Aktash” në Prishtinë. Në këtë rast siç mëson ATV dyshohet se janë përfshirë Sekiraqët dhe Capat, si shkak i telasheve që kanë pasur edhe më herët.

    Siç mëson ATV si pasojë e të shtënave një person ka vdekur.

    Dyshohet se edhe tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

    Dyshohet se janë përfshirë Sekiraqët dhe Capat, si shkak i telasheve që kanë pasur edhe më herët.
    Ndërsa, për rastin që ndodhi sonte në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet policore, derisa ende s’ka njoftim zyrtar mbi këtë rast.

  • Të shtëna me armë në lagjen Aktash në Prishtinë, dyshohet për një të vdekur

    Të shtëna me armë në lagjen Aktash në Prishtinë, dyshohet për një të vdekur

    Disa të shtëna me armë janë dëgjuar sonte në rrugën “Gazmend Zajmi” në lagjen “Aktash” në Prishtinë.

    Siç mëson ATV, si pasojë e të shtënave një person ka vdekur.

    Dyshohet se edhe tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet policore, derisa ende s’ka njoftim zyrtar mbi këtë rast.

  • Lajçak paralajmëron vizitë në Kosovë për ta përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel

    Lajçak paralajmëron vizitë në Kosovë për ta përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel

    I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë për ta përgatitur takimin e radhës të nivelit të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut në Bruksel.

    Emisari Lajçak ka thënë se këtë do ta bëjë pasi të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

    “Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të shkoj në Bled në Forumin Strategjik të Bledit këtë vit dhe në Prishtinë për të përgatitur takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”, ka shkruar Lajçak.

    Ai ka bërë një përmbledhje të pjesëmarrjes së tij në Forumin Evropian të Alpbachut dhe në Forumin GLOBSEC në Pragë.

    Ai ka veçuar takimin me zëvendësndihmësekretarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanov në kuadër të forumit global të sigurisë “GLOBSEC 2024”.

    Ai ka përmendur edhe takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq me të cilin ka diskutuar për hapat e radhës në dialog.

    “Pas pushimeve verore, kanë qenë ditë të ngarkuara me agjendë të ngjeshur në Forumin Evropian Alpbach dhe Forumin GLOBSEC në Pragë, të cilat më lanë me mbresa, frymëzime dhe ide të reja. Këto konferenca shënojnë fillimin e sezonit të vjeshtës dhe ofruan shumë mundësi për t’u lidhur me të rinjtë nga Ballkani Perëndimor, Evropa Qendrore dhe më gjerë, për të marrë pjesë në panele diskutimesh të hollësishme mbi zgjerimin e BE-së, të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe sfidat e mbetura dhe të zhvilloj takime të rëndësishme me partnerët e mi nga rajoni, praktikues dhe ekspertë të politikës së jashtme, si dhe miq të dashur. Një moment kryesor ishte takimi me Alexander Kasanof në margjinat e GLOBSEC dhe rikonfirmimi i partneritetit tonë të shkëlqyer. Po aq të rëndësishme ishin takimet e mia me presidentin Vuçiq për hapat e ardhshëm në Dialog”, ka shkruar Lajçak.

  • Osmani për dialogun Kosovë-Serbi: Është koha që barazia të kthehet në tavolinën e negociatave

    Osmani për dialogun Kosovë-Serbi: Është koha që barazia të kthehet në tavolinën e negociatave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se duhet të kthehet barazia në tavolinë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Osmani në rrjetin social “X” ka shpërndarë diskutimin në konferencën Globsec të shtunën në Pragë, ku ajo u shpreh e sigurt se me ardhjen e Kaja Kallas në detyrën e shefes së diplomacisë së Bashkimit Europian “barazia do të kthehet në tryezë”.

    “Në negociata, tavolina duhet të jetë në nivel. Tani për tani, tabela në dialogun Kosovë-Serbi është kthyer në kokë. Është koha që barazia të kthehet në tryezë. Ky është parakushti i suksesit.” – ka shkruar ajo në këtë video.

  • Sesioni vjeshtor i Kuvendit, a pritet që deputetët të shtyjnë përpara agjendën legjislative?

    Sesioni vjeshtor i Kuvendit, a pritet që deputetët të shtyjnë përpara agjendën legjislative?

    Kuvendi i Kosovës pritet t’i rikthehet punës në mesin e muajit shtator. Deputetët pas pushimeve verore do t’i përvishen punës në sesionin vjeshtor.

    Megjithëse në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje thonë se do të shtyjnë përpara agjendën legjislative, monitorues të Kuvendit shprehen skeptik për një gjë të tillë. Sipas tyre, këta muaj deri në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, partitë parlamentare do të shfrytëzojnë legjislativin si një skenë për prezantimin e platformave zgjedhore.

    Monitoruesi i punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), Arbër Thaçi thotë për KosovaPress se partitë do të përdorin seancat plenare por edhe komisionet parlamentare, qoftë ato hetimore për fushatë zgjedhore.

    Mirëpo, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh, kryetari i Komisionit parlamentar për Legjislacion, Adnan Rrustemi, thotë se përkundër caktimit të datës së zgjedhjeve, mazhoranca do të jetë e fokusuar në miratimin e agjendës legjislative.

    Ai thekson se prioritet do të jetë miratimi i reformës në drejtësi, duke përfshirë projektligjin për byronë, i cili më parë është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Krahas kësaj, ai shton se fokus do të jetë edhe sigurimet shëndetësore dhe buxheti për vitin 2025.

    Por, Thaçi nga KDI thekson se reforma të thella siç është ajo në drejtësi duhet të evitohen në sesionin vjeshtor të Kuvendit duke marrë parasysh afatet e ngushta kohore dhe zgjedhjet në fillim viti e ardhshëm.

    Sipas tij, deputetët në sesionin vjeshtor duhet të miratojnë Kodin Civil.

    Deputetët kanë shkuar në pushim në fund të muajit korrik. Kuvendi gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka miratuar 36 Projektligje.