ATV

Tag: Ballina

  • Sot përurohen dy shkolla në Podujevë, marrin pjesë Kurti e Nagavci

    Sot përurohen dy shkolla në Podujevë, marrin pjesë Kurti e Nagavci

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin do të marrin pjesë sot në ceremoninë e përurimit të dy objekteve të reja shkollore në komunën e Podujevës.

    Sipas njoftimit, ceremonia në shkollën në fshatin Dumosh do të mbahet sot në orën 09:30, ndërkohë ajo në objektin e shkollës në Obrançë nis në orën 10:30.

    Pos Kurtit e Nagavcit, në ceremoni marrin pjesë edhe zyrtarë të tjerë qeveritarë dhe deputetë.

  • ​Përfundon seanca dëgjimore ndaj pesë të dyshuarve për vrasjen në Prishtinë

    ​Përfundon seanca dëgjimore ndaj pesë të dyshuarve për vrasjen në Prishtinë

    Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj pesë të dyshuarve për vrasjen që ndodhi të dielën mbrëma, me c’rast mbeti i vrarë një person në lagjen Aktash të kryeqytetit.

    Jo siç ndodhë zakonisht, ndaj të dyshuarve u mbajt seancë dëgjimore brenda Klinikës së Ortopedisë dhe asaj së Kirurgjisë Abdominale pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, aty ku të dyshuarit po trajtohen.

    Të pranishëm ishin prokurorë, gjyqtarë dhe avokatë, porse pavarësisht insistimit të mediave, ata nuk pranuan të prononcohen rreth kësaj.

    Gjatë kohës kur po mbahej seanca dëgjimore pati forca të shtuara të Policisë së Kosovës, derisa edhe pas përfundimit të tyre, disa prestarë të PK-së po vëzhgojnë situatën brenda këtyre hapësirave.

    Në seancë pritet që të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.

    Ndryshe, përleshja mes dy grupeve ‘Capat dhe Sekiraqët’ që ndodhi të dielën në mbrëmje, e nga e cila mbeti i vdekur Premtim Gashi.

  • Kurti: Investimet e Huaja Direkte, dyfish më shumë sesa e gjithë qeverive të kaluara

    Kurti: Investimet e Huaja Direkte, dyfish më shumë sesa e gjithë qeverive të kaluara

    Kryeministri i Kosovës, Albin kurti ka thënë se mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje është 705.6 milionë euro, sipas tij, 2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara.

    Në një postim në Facebook, ai ka pohuar se mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte nga viti 2017 deri para Qeverisë Kurti ishte 299.8 milionë euro.

    “Qeverisja e mirë dhe e ndershme, me besueshmëri dhe kënaqshmëri të lartë qytetare, sundimi i ligjit, përparimi demokratik, stabiliteti institucional, reformat ekonomike, përgjegjshmëria fiskale, politikat tatimore të përshtatshme, mbështetja e investimeve përmes garantimit të kredive, fuqia punëtore e kualifikuar, e me skemat e punësimit të subvencionuara nga qeveria po e bëjmë shtetit tonë një destinacion përherë e më shumë tërheqës për investime dhe opsion gjithnjë e më të favorshëm për investitorë të huaj”, ka thënë Kurti.

  • MAShT-i hap konkurs për 100 bursa për drejtimet deficitare dhe drejtimet teknike

    MAShT-i hap konkurs për 100 bursa për drejtimet deficitare dhe drejtimet teknike

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se me qëllim të mbështetjes së nxënësve në profile të rëndësishme për tregun e punës kanë hapur konkursin për ndarjen e 100 bursave për nxënësit e regjistruar në klasën e 10-të në Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (shkolla profesionale) për vitin shkollor 2024-2025.

    Ministrja Nagavci ka bërë të ditur se nxënësit përfitojnë bursë për tri vite të shkollimit nëse vijojnë me sukses mësimet në IAAP.

    “Me këtë rast, do të ndajmë 60 bursa për drejtimet deficitare dhe 40 për drejtimet teknike për vajza. Vlera e bursës është 50 euro në muaj, përkatësisht 500 euro për një vit shkollor. Nxënësit përfitojnë bursë për tri vite të shkollimit nëse vijojnë me sukses mësimet në IAAP”, ka theksuar ajo.

  • Kupchan nuk përjashton përshkallëzim të tensioneve në veri

    Kupchan nuk përjashton përshkallëzim të tensioneve në veri

    Ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan nuk ka përjashtuar shpërthime dhune pas veprimeve të fundit nga Qeveria e Kosovës në veri.

    Dje, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai tha se KFOR-i tashmë ka rritur nivelin e forcave, duke iu referuar trupave që qëndrojnë mes Urës së Ibrit.

    “Ne kemi parë tashmë shpërthime dhune. Nuk besoj se po shkojmë drejt një dhune të madhe, por nuk përjashtohet. Kemi parë që edhe KFOR-i e ka rritur nivelin e forcave. Ditëve të fundit, kam parë fotografi të trupave që qëndrojnë mes urës së Ibrit. Supozoj se mund të jenë shqetësuar për kalimin e mundshëm të aktivistëve, që do të përpiqeshin të nxisnin telashe. Është një moment i tensionuar dhe për mua kjo është një nga arsyet përse komuniteti ndërkombëtar e ka ngritur nivelin e vigjilencës”, tha ai.

  • ​Ish-zëvendësministri: Pagat nuk mund të rriten vetëm për sektorin e arsimit

    ​Ish-zëvendësministri: Pagat nuk mund të rriten vetëm për sektorin e arsimit

    Paralajmërimi që mësimdhënësit mund të hyjnë prapë në grevë dhe kundërshtimi që këta të fundit të testohen nga ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci po konsiderohen si çështje që SBASHK-u po i shfrytëzon për interesa të veta.

    Në një intervistë për KosovaPress, Popovci thotë se rritja e pagave nuk mund të bëhet vetëm për një sektor, siç është ai i arsimit, arsye kjo që edhe po thirren grevat.

    Sa i përket dështimit të qeverisë aktuale për ndërtimin e 160 çerdheve, ish-zëvendësministri Popovci refuzoi të komentojë, duke theksuar se kjo çështje mund të gjykohet nga të tjerë, por jo nga ai, pasi ishte pjesë e qeverisë kur premtimi ishte bërë.

    I pyetur nëse Kosova ka nevojë për ndërtimin e më shumë çerdheve, Popovci potencon se duhet të bërë një balancim mes ndërtimeve të reja dhe subvencionimit të regjistrimit në sektorin privat, që sipas tij, mund të jetë më fleksibil sesa ai publik.

    “Gjatë këtij mandati të kësaj qeverie është premtuar që do të ndërtohen 160 çerdhe, porështë vënë themeli dhe janë ndërtuar pak prej tyre, si e shihni këtë? Thënë të drejtën këtë pyetje nuk isha përgjigjur, sepse unë kam qenë vetë pjesë e kësaj qeverie siç e dini, mendoj se për këtë duhet të gjykojnë njerëzit të cilët kanë qenë jashtë kësaj strukture…A ka nevojë Kosova për ndërtimin e më shumë çerdheve? Ne kemi një pjesëmarrje të ulët në edukimin parashkollor në përgjithësi dhe duhet pasur parasysh se kjo është në njërën anë rezultat i mungesës së kapaciteteve në sektorin publik dhe në anën tjetër është mungesë e mjeteve financiare për t’i financuar qëndrimin e fëmijëve në sektorin privat. Duke marrë parasysh edhe rrënjën e vazhdueshme demografike që e kemi në Kosovë, duhet të ndërtohet një balancë mes ndërtimeve të reja dhe subvencionimit të regjistrimit në sektorin privat i cili mund të jetë pak më fleksibil sesa sektori publik”, potencon Popovci.

    Eksperti i arsimit, Dukagjin Popovci flet edhe për mundësinë e hyrjes në grevë të mësimdhënësve, për shkak të pagave jo të kënqshme, ashtu siç është paralajmëruar nga SBASHK-u.

    Ai thekson se rritja e pagave nuk mund të bëhet vetëm në sektorin e arsimit, porse shtoi se duhet të ketë dialog mes qeverisë dhe SBASHK-ut, në mënyrë që të shmanget greva.

    “Ata po i nxjerrin si arsye mungesën e dialogut dhe po i nxjerrin si arsye lartësinë e pagave. Sa i përket kësaj të dytës, lartësisë së pagave, kur të ndryshon paga në Kosovë në sektorin publik, ajo ndryshon për të gjithë, nuk mund të ndryshojë vetëm për një kategori…Nuk mund të lëvizen ato vetëm për punëtorët e arsimit siç ka ndodhur përpara kur nuk ka ekzistuar kur nuk ka ekzistuar ky ligj…Edhe qeveria edhe SBASHK-u gjithnjë duhet të bëjnë përpjekje që përmes dialogut social t’i shmangin këto situata kur dikush për shembull bie në pozitë që të ftojë për grevë ose për aktivitete të ndryshme sindikale”, thotë Popovci.

    Përvec kësaj, Popovci shtoi se testimi i mësimdhënësve është një temë e vetë nxjerrë nga SBASHK-u për të arritur qëllimet e veta.

    “Mendoj se SBASHK-u këtë temë po e nxjerrë thjeshtë për qëllimet e veta, sepse nuk ekziston asnjë legjislacion i cili parasheh testim të mësimdhënësve. Testimi i mësimdhënësve parashihet nëse ata dëshirojnë të kalojnë prej një niveli të licencës në një tjetër. Pra, janë dy nivele të licencës me legjislacionin e ri. Niveli i parë fitohet pa test, nëse dëshiron të kalosh në nivelin e dytë, njëherë duhet të hysh në test, që të filtrohesh, a mund të vazhdosh më tutje nivelin e dytë apo jo. Kjo është diçka shumë normale…Po e shoh që SBASHK-u po shfrytëzon disi”, shprehet Popovci.

    Ndër të tjera, Popovci jep mendimin e tij edhe për metodën e subvencionimit të MASHT-it për blerjen e librave shkollor, derisa përmend si problem vështirësinë e disa prindërve për çasje në platformën E-Kosova.

    Si shkak i kësaj, ai thotë se nuk përjashtohet mundësia që disa nxënës të mbesin pa libra./kp

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sot dëshmon dëshmitari i radhës

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sot dëshmon dëshmitari i radhës

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Dje në këtë proces e ka përfunduar dëshminë e tij, Imer Imeri.

    Gjatë dëshmisë së tij, ai i është përgjigjur pyetjeve të prokurorise, mbrojtjes dhe gjyqtarëve.

    Përpara se te mbyllet seanca, kryegjyqtari ua tërhoqi vërejtjen ekipeve mbrojtëse, pasi kishin kërkuar shtatë orë për këtë dëshmitar, ndërsa kundërpyetjet e tyre i përfunduan për një orë.

    Gjykimi sot do të vazhdojë me dëshminë e dëshmitarit tjetër të ZPS-së.

    Ish-drejtuesit e UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij , sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

  • Lajçak e Gërvalla në Bled, BE-ja “dëshiron takim kryenegociatorësh sa më shpejtë”

    Lajçak e Gërvalla në Bled, BE-ja “dëshiron takim kryenegociatorësh sa më shpejtë”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Caktimi i takimit të radhës në nivel kryenegociatorësh, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, është pjesë e misionit të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak, në vizitën e paralajmëruar në Prishtinë, këtë javë.

    Pa dhënë një datë, lehtësuesit e procesit të dialogut këmbëngulin që Besnik Bislimi e Petar Petkovic t’i kthehen diskutimeve në Bruksel sa më shpejtë.

    “Sigurisht, qëllimi ynë është që të kemi një takim kryenegociatorësh sa më parë të jetë e mundur, ka shumë gjëra në tavolinë, të cilat duhet të zgjidhen”, tha zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Zëdhënësi i bllokut 27-anëtarësh përsëriti qëndrimin për mbylljen e pesë zyrave paralele ilegale serbe, në katër komunat në veri të Kosovës.

    “E konsiderojmë si shumë të pashëndetshëm, edhe një hap i njëanshëm dhe i pa bashkërenduar që ka kapacitet për të rritur tensionet dhe çuar në esklaim, në një situatë veçse të brishtë në terren. Ne po u përcjellim autoriteteve të Kosovës qëndrimet tona lidhur këtë sekuencë veprimesh të njëanshme dhe të pa bashkërenduara. Mund të theksoj se kemi konkluzionet e shteteve anëtare, nga viti i kaluar, të cilat saktësojnë se dështimi për deeskalim, do të ketë pasoja”, tha Stano.

    Të martën pasdite, Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialog, Miroslav Lajcak, do të ketë mundësi diskutimi me Ministren për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë.

    Kryediplomatja kosovare dhe emisari evropian do të jenë pjesë e panelit me temë “Evropa e plotë dhe e lirë: zgjerimi si projekt strategjik për pajtim”.

    Në të njëjtin panel figurojnë edhe ambasadori i SHBA-së në Serbi, Chris Hill, si dhe ministrja për Integrim Evropian e Serbisë, Tanja Miscevic.

    Pas Bledit, në kuadër të përpjekjeve për caktimin e një takimi të ri Bislimi-Petkovic, ndalesa e radhës për Lajcak do të jetë Prishtina.

  • ”Capat- Sekiraqët”, tensione mes dy grupeve kishte edhe në ambientet e QKUK-së

    ”Capat- Sekiraqët”, tensione mes dy grupeve kishte edhe në ambientet e QKUK-së

    Përgatiti: Sara Shehu

    Një i vrarë dhe pesë të tjerë të plagosur është bilanci i përleshjes me armë zjarri, të dielën rreth orës 22:00 në Aktash të Prishtinës.

    Pas intervenimit mjekësor, gjendja shëndetësore e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetë, derisa dy nga ta janë duke u trajtuar në klinikën kirurgjike, tjetri në kardiokirurgji dhe dy të tjerë në Ortopedi.

    Tensionet mes dy grupeve, Capa dhe Sekiraqa kanë vazhduar edhe në ambientet e QKUK-së.

    Sipas burimeve të ATV-së, disa anëtarë të familjes Capa kanë tentuar të hynë brenda Emergjencës, tek të plagosurit e Sekiraqëve, mirëpo ata u ndaluan nga policia, dhe si pasojë e kësaj klinika e Emergjencës për disa orë ka qenë e bllokuar.

    Ndërkaq, derisa Prokuroria Themelore e Prishtinës, është deklaruar lidhur me rastin e përleshjes Capat-Sekiraqa duke thënë se përleshje ka ndodhur si shkak i një mosmarrëveshje të mëhershme mes dyja familjeve, ky organ i akuzës njofton se ndaj pesë të plagosurve, të cilët janë tashmë të dyshuar për rastin është lëshuar urdhri për ndalim.

    Po ashtu, Prokuroria ka njoftuar se po zhvillohen hetime për t’i zbuluar edhe personat e tjerë të përfshirë në rast.

    Përveç kësaj, gjatë të hënës në vend të ngjarjes është gjetur edhe një revole tjetër.

  • Një shkollë në Prishtinë e një në Fushë kosovë, e shtyen mësimin për një javë

    Një shkollë në Prishtinë e një në Fushë kosovë, e shtyen mësimin për një javë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Deri në shkollë erdhën por brenda nuk hynë dot.

    Viti i ri shkollor për nxënësit e shkollës “Pavarësia” në kryeqytet, nuk nisi të hënën.

    Ata nuk do të nisin mësimin deri në javën e ardhshme, pasi që punimet në objekt nuk kanë përfunduar në kohë.

    Sipas Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle, punimet do të duhej të përfundonin javën e kaluar.

    Njëjtë si prindërit, as televizioni nuk ka arritur gjatë të hënës të merr një përgjigje nga Komuna, në lidhje me vonesën për t’i përfunduar punimet në kohë.

    E rreth 2mijë nxënës të kësaj shkolle, nuk do t’iu kthehen bankave shkollore derisa punimet të kryhen.

    Ndërkaq mësimi nuk filloi siç u parapa as në aneksin e ri të shkollë fillore “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë. Megjithatë, nga drejtoria e arsimit në këtë komunë thanë se orët e humbura do të zëvendësohen.