ATV

Tag: Ballina

  • Liga e Kombeve, Kosova fiton tri pikët e para në grup

    Liga e Kombeve, Kosova fiton tri pikët e para në grup

    Dardanët janë kthyer nga Qiproja me fitore bindëse në Ligën e Kombeve.

    Ndeshja në Larnaka në kuadër të Ligës C, grupi 2, ka përfunduar me rezultatin 4:0.

    Në këtë mënyrë Kosova vazhdon fitoret në përballjet e deritanishme ndaj Qipros, pas atyre në vitin 2022 – 5:1 dhe 2:0.

    Serinë e golave në stadiumin “AEK Arena” e nisi Vedat Muriqi në minutën e 8-të nga penalltia dhe atë të 21-të, pas asistimit të Donat Rrudhanit.

    Edhe pjesa e dytë nisi me dominimin e futbollistëve të Franco Foda, me dy gola të shpejtë nga Albion Rrahmani në minutën e 48-të pas asistimit të Milot Rashicës dhe Lumbardh Dellova gjashtë minuta më vonë, pas asistimit tjetër të Rrudhanit.

    Emir Sahiti pati rast të mirë për 5:0 në minutën e 79-të, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

    Fitorja e sotme është e rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës në futboll, në kohën kur ajo ndodhet në krizë pas përjashtimit të tre lojtarëve nga grumbullimi për shkak të shkeljes së rregullave.

    Kosova renditet e dyta në tabelë me tri pikë nga dy ndeshje të zhvilluara në grup, ndërsa prin Rumania me tri pikë, por me gol-diferencë më të mirë dhe një ndeshje më pak më të zhvilluar.

    Qipro renditet e treta me tri pikë nga dy ndeshje të zhvilluara. Lituania, e cila sonte luan si mysafire ndaj Rumanisë në “Steaua” të Bukureshtit, renditet e fundit në grup pa asnjë pikë.

  • Fjala e poetit Lulzim Tafa, me rastin e pranimit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

    Fjala e poetit Lulzim Tafa, me rastin e pranimit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

    Poeti dhe profesori i njohur, Lulzim Tafa, në ceremoninë e 4 shtatorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka bërë pranimin zyrtar si anëtar i jashtëm i kësaj akademie.

    Më poshtë po ju sjellim fjalën e plotë të poetit Lulzim Tafa, me rastin e pranimit të tij në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë:

    I nderuar z. kryetar, z. nënkryetar, z. sekretar dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave,
    Shkëlqesia Juaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri,
    Të nderuar miq,
    Zonja dhe Zotërinj.

    Duke qenë poet me përgatitje profesionale të juristit, gjithmonë kam qenë i intriguar për ta gjetur përkufizimin më të saktë për poezinë. Kam lexuar shumë teoricienë të njohur të letërsisë, të artit në përgjithësi, estetë e filozofë të ndryshëm, dhe, në fund, përgjigja më e mirë që e kam gjetur deri më tani rrjedh pikërisht nga pyetja: “A thua do ta dimë ndonjëherë se çka është poezia?”

    Edhe pse kjo pyetje vazhdon të qëndrojë prej kohësh, misionin që ka poezia, unë e kam kuptuar herët, qysh kur kam filluar të shkruaj, si fëmijë, si nxënës. Pra, atë mision që t’i bëj bashkë fjalët që kurrë më parë nuk kanë qenë pranë njëra-tjetrës dhe me to të thuhen bukur gjërat.

    Pra, jo domosdoshmërisht të thotë vetëm gjëra të bukura, por e rëndësishmja, atë që e thotë, ta thotë bukur. Pra, njësoj si kur flet për jetën, dashurinë e gëzimin, ashtu edhe kur flet për vdekjen, dhimbjen e trishtimin.

    Por, edhe misionin tjetër të letërsisë si një botë paralele, ta bëjë imagjinaren të duket si reale, e realen si imagjinare.

    Që imagjinarja të jetë më e bukur se realja ndodh shpesh, por vetëm në raste të rralla si ky rast, ndodh që realja të jetë më e bukur se imagjinarja.

    Pse e them këtë? Sigurisht jo vetëm për të përçuar një emocion të ngrohtë që unë tani e ndiej, por sepse për ne kosovarët që e kemi jetuar kohën e robërisë e të represionit, vetëm në ëndrrat tona më të bukura kemi mundur të ëndërrojmë që një ditë, të papenguar nga askush, të mund të vijmë në Tiranë, ta shohim Tiranën, ta shohim Shqipërinë, e lëre më që një kosovar apo disa kosovarë (sepse kjo Akademi ka edhe kosovarë të tjerë, të cilët janë pjesë e këtij tempulli) të jenë pjesë e institucionit më të lartë të dijes, shkencës, artit e kulturës së kombit.

    Dhe, e them tani, pa frikën se mund të rrëshqas në patetizëm, pasi e them nga zemra, se për ne shqiptarët e Kosovës, Shqipëria ka qenë dhe mbetet dashuri e madhe.

    Z. kryetar, z. nënkryetar, anëtarë të Akademisë, me mirënjohje dhe respekt, e pranoj këtë nderim.

    Natyrisht, është privilegj i jashtëzakonshëm për mua të jem pjesë e këtij institucioni që përfaqëson arritjet më të larta të shkencës, artit dhe kulturës së kombit tonë.

    Ky nder më bën të reflektoj për përgjegjësinë që ka ky anëtarësim dhe përkushtimin që duhet të tregoj, për të kontribuar në mënyrë domethënëse për avancimet e gjithanshme.

    Do të angazhohem për të qenë në lartësinë e besimit që keni vendosur tek unë dhe për të punuar me pasion e përkushtim, në emër të asaj që kjo akademi përfaqëson.

    Ju falënderoj për këtë nder dhe për mundësinë që më jepni për të bashkëpunuar me ju.

    Me padurim po pres të ndaj idetë dhe përvojat e mia me ju dhe të kontribuoj për të ardhmen e shkencës, artit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, në përputhje me misionin që ka kjo akademi.

    Ju faleminderit!

  • Kosova së shpejti me ambasadë në Kolumbi

    Kosova së shpejti me ambasadë në Kolumbi

    Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, po qëndron për vizitë zyrtare në Kolumbi.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se Gashi u prit në Pallatin San Carlos nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kolumbisë, Jorge Enrique Rojas.

    “Pikë kryesore e takimit ishte hapja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi”, thuhet në postim.

    Gashi falënderoi zëvendësministrin Rojas për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Kolumbia përgjatë proceseve integruese të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    Ndërsa nga ana tjetër zëvendësministri Rojas e falënderoi Gashin për vizitën dhe shprehu gatishmërinë e Kolumbisë që t’i zgjerojë më tej marrëdhëniet e mira mes dy vendeve përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe intensifikimit të shkëmbimeve diplomatike.

  • Lajçaku paralajmëron vizitë në Serbi për përgatitjen e takimit mes kryenegociatorëve në Bruksel

    Lajçaku paralajmëron vizitë në Serbi për përgatitjen e takimit mes kryenegociatorëve në Bruksel

    Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se pas Prishtinës do të vizitojë Beogradin për të përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

    Duke përmbledhur zhvillimet e javës së kaluar, Lajçak në një postim në llogarinë e tij në Facebook dha detaje edhe për takimin që pati në Kosovë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

    “Me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, diskutova për zhvillimet e fundit gjatë verës, agjendën e takimit të ardhshëm të kryenegociatorëve dhe qasjet se si të trajtohen disa nga çështjet aktuale, si dhe hapat e ardhshëm drejt zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt Normalizimit. Më pas do të shkoj në Serbi në përgatitje të takimit të radhës në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

    Mes tjerash, ai, përmendi edhe pjesëmarrjen në Forumin Strategjik të Bledit, ku liderë nga e gjithë Evropa u mblodhën për të diskutuar sfidat urgjente globale.

    “E ardhmja në BE e Ballkanit Perëndimor u shfaq dukshëm në shumë formate të ndryshme – nga hapja deri te panelet e dedikuara dhe një diskutim i organizuar nga Ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon”.

    “Duke u angazhuar në diskutime me politikanë, politikëbërës, diplomatë dhe ekspertë, ne kërkuam mënyra për të forcuar sigurinë, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE në Ballkanin Perëndimor.

  • Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, ky është rendi i ditës

    Kryesia e Kuvendit po rikthehet në obligimet e saj.

    Sot ata për mblidhet për të diskutuar sërë çështjesh me rëndësi.

    Më poshtë gjeni pikat e rendit të ditës, sipas njoftimit të Kuvendit:

    1. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,
    2. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 28 mars 2024:
    3.  Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

    III. Seanca plenare e shtyrë nga data e paraparë që të mbahet më 24 maj 2024:

    1.  Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje.
    2. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:
    3.  Deklarimet jashtë rendit të ditës,
      2.    Pyetjet parlamentare,
      3.    Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit shqiptar,
      4.    Emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,
      5.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e  politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës  e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
      6.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-313 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore,
      7.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-314 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës  dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale,
      8.    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
      9.    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,
      10.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës,
      11.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
      12.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,
      13.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
      14.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,
      15.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-306 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-132 për automjete,
      16.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-311 për menaxhimin e resurseve ujore,
      17.    Shqyrtimi i Projektkodit të sjelljes për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
      18.    Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,
      19.    Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,
      20.    Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
      21.    Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
      22.    Shqyrtimi Projekt-Rezolutës për tërheqjen e tri (3) projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend,
      23.    Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për arratisjen e personave të dënuar – degradimi i institucioneve të sigurisë,
      24.    Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-116,
      25.    Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022,
      26.    Shqyrtimi i Raportit të Performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2022,
      27.    Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
      28.    Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,
      29.     Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,
      30.    Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.
    4. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

    Kryesia do të mblidhet nga ora 11:00.

  • Bien temperaturat në Kosovë, maksimalja sot deri në 28 gradë

    Bien temperaturat në Kosovë, maksimalja sot deri në 28 gradë

    Sot moti në Kosovë parashihet të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, pasditja mund të sjellë shi.

    Ndërkaq, temperaturat mund të arrijnë deri në 28 gradë Celsius.

    “Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat në pjesën e dytë të ditës parashihen që vende -vende të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-28 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi I jugperëndimit e lehtë deri mesatare”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • Opozita e shqetësuar për raportet me aleatët, pushteti e quan të padrejtë qasjen e BE-së dhe ShBA-së

    Opozita e shqetësuar për raportet me aleatët, pushteti e quan të padrejtë qasjen e BE-së dhe ShBA-së

    Reagimet e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës pas vendimit për mbylljen e komunave paralele serbe në veri janë shqetësuese sipas dy partive opozitare LDK dhe AAK. Megjithëse thonë se strukturat ilegale serbe në veri duhet të shuhen, të njëjtit e konsiderojnë të domosdoshëm koordinimin me aleatët perëndimorë. Në anën tjetër, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje deklaratat e ashpra të aleatëve i konsiderojnë të padrejta, derisa theksojnë së shuarja e strukturave ilegale në veri nuk janë provokuese, por respektim i rendit dhe ligjit.

    Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti dhe ministrat e ti janë të izoluar nga aleatët ndërkombëtarë. Sipas saj, masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe mos largimi i tyre janë alarm për prishjen e raporteve me aleatët perëndimorë.

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, deklaron se Kosova si pasojë e veprimeve të gabuara të kryeministrit Kurtit po humb aleatët dhe miqtë perëndimorë.

    Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, megjithëse i konsideron të padrejta reagimet e aleatëve ndërkombëtarë për mbylljen e komunave paralele serbe në veri, deklaron se raportet nuk janë përkeqësuar.

    Pas mbylljes së strukturave paralele në veri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës, duke i kualifikuar si “veprime provokuese dhe të njëanshme.”

  • Në QKUK bëhen gati për ekzaminime të reja të foshnjave

    Në QKUK bëhen gati për ekzaminime të reja të foshnjave

    Brenda pak muajsh, Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të nisë ekzaminime të reja për të sapolindurit, të cilat do të ndihmojnë në diagnostikimin e së paku katër çrregullimeve metabolike.

    Ato përfshijnë sëmundje si hipotiroidizmi kongjenital dhe fenilketonuria, të cilat mund të shkaktojnë dëmtime të konsiderueshme mentale dhe neurologjike, nëse nuk trajtohen në kohë.
    Ekzaminimet e reja do të mund të diagnostikojnë edhe fibrozën cistike, e cila e bën të vështirë për fëmijët e prekur të marrin frymë ose ta tresin ushqimin, si dhe galaktozeminë, e cila nuk e lejon trupin ta përpunojë sheqerin që gjendet në produktet e qumështit.

    Zbulimi i hershëm i këtyre sëmundjeve, sipas profesionistëve shëndetësorë, është vendimtar, pasi ndërhyrja në kohë mund t’i parandalojë pasojat apo vonesat e mëdha në zhvillim.

    Pajisjet për këto ekzaminime – në vlerë prej më shumë se 109 mijë eurosh – i ka blerë Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, i cili ka nën mbikëqyrje QKUK-në dhe spitalet rajonale.

    Tash për tash, ekzaminimet e tilla kryhen vetëm jashtë Kosovës.

    “Jetike për kujdesin shëndetësor”

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Neonatologjisë, Luan Morina, thotë se bazuar në numrin e përgjithshëm të lindjeve, brenda vitit në Kosovë mund të ketë pesë deri në gjashtë raste me sëmundjet e lartpërmendura.

    Sipas tij, ekzaminimet për to do t’i bëhen secilës foshnje në QKUK, brenda pesë ditësh nga lindja.

    “Skriningu [ekzaminimi] neonatal është pjesë jetike e kujdesit shëndetësor dhe qëllimi i tij është zbulimi i hershëm i sëmundjeve kongjenitale. Nëse detektohet herët se fëmija ka sëmundje të tilla, masat e trajtimit dhe mjekimet janë më të lehta”, thotë Morina.

    “Deri më tash, te rastet që kemi dyshuar, ne i kemi kërkuar ekzaminimet e tilla, por ato janë bërë jashtë vendit”, shton ai.

    Morina nuk jep ndonjë afat specifik se kur do të nisin ekzaminimet në fjalë në QKUK, por thotë se brenda pak muajsh – derisa të montohen pajisjet dhe derisa stafi të trajnohet në mënyrë adekuate.

    Mynevere Latifi-Hoxha, pediatre në pension, thotë se shumë sëmundje të padukshme në fillim, mund të zbulohen me ekzaminime adekuate dhe të trajtohen me sukses.

    Latifi-Hoxha, e cila për disa vite ka udhëhequr Klinikën e Neonatologjisë, thotë se edhe në kohën kur ajo ka punuar aty, ka pasur kërkesa për blerjen e aparaturave, por se, veç premtimeve, nuk është realizuar asgjë.

    “Është shumë e rëndësishme që shteti të ofrojë mundësi për bërjen e këtyre analizave, sepse janë disa sëmundje që mund të zbulohen herët, me një pikë gjaku. Dhe, nëse bëhet një laborator i mirë, mund të zbulohen edhe sëmundje të tjera”, thotë Latifi-Hoxha.

    Në QKUK, brenda 24 orësh, lindin rreth 30 foshnja.

    Vitin e kaluar, në Raportin e Progresit të përpiluar nga Komisioni Evropian, është thënë se vdekshmëria e fëmijëve në Kosovë mbetet problem serioz, pasi 16 në 1.000 prej tyre vdesin përpara se t’i mbushin 5 vjet.

    Kjo shifër, sipas atij raporti, është tri herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian.

    Si shkaktare të vdekjeve janë përmendur sëmundjet jongjitëse.

    Po sipas atij raporti, cilësia e kujdesit shëndetësor në Kosovë, përgjithësisht, është shqetësuese, ndërsa përgjegjshmëria institucionale e ofruesve të shëndetit publik, është e ulët.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar disa herë për sfidat që hasen në klinika të ndryshme të QKUK-së, nisur nga mungesa e çarçafëve deri te keqadministrimi i barnave.

    Por, në fillim të kësaj vere ka pasur edhe disa renovime të konsiderueshme në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, të cilat i kanë përmirësuar kushtet si për pacientet, ashtu edhe për të porsalindurit. /REL/

  • Kurti bën thirrje për aplikimin e qytetarëve për Çmimet e Vullnetarizimit

    Kurti bën thirrje për aplikimin e qytetarëve për Çmimet e Vullnetarizimit

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shumë qytetarë angazhohen vullnetarisht për ta avancuar shoqërinë.

    Në një postim në Facebook, ai ka ftuar të gjithë që bëjnë vullnetare të aplikojnë për Çmimet e Vullnetarizmit, e që afati është deri 30 shtator 2024.

    “Këto kontribute e meritojnë të promovohen dhe falënderohen. Çmimet e Vullnetarizmit në Kosovë janë një hap në këtë drejtim”.

    “Ju bëj thirrje të gjithë juve qytetarë të nderuar që të nominoni të rinjtë, komunat, bizneset, përfaqësuesit e diasporës dhe figurat publike që janë angazhuar ose e kanë përkrahur vullnetarizmin në Kosovë”, ka thënë Kurti.

  • Vetëm Kosova pa statusin e vendit kandidat për BE, Von der Leyen: 2030 mund të jetë afat real për zgjerim

    Vetëm Kosova pa statusin e vendit kandidat për BE, Von der Leyen: 2030 mund të jetë afat real për zgjerim

    Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se në ekipin e saj të ri me mandat pesëvjeçar do të ketë një komisionar për zgjerim.

    Ajo e ka thënë këtë për të treguar se procesit të zgjerimit do t’i kushtohet rëndësi dhe kujdes i veçantë.

    Edhe në përbërjet e deritashme të Komisionit Evropian ka pasur komisionar për zgjerim, por ai ka qenë përgjegjës edhe për politikën fqinjësore të BE-së. Me zgjerimin është marrë vetëm pjesërisht, pasi në dikasterin e tij ka pasur përgjegjësi edhe për vendet në fqinjësi të BE-së – nga lindja e Evropës deri te vendet e Afrikës së Veriut.

    Hera e fundit kur Komisioni Evropian ka pasur komisionar vetëm për zgjerim, ka qenë gjatë mandatit të parë të Komisionit Evropian, të udhëhequr nga Jose Manuel Barroso, nga viti 2004 deri në vitin 2009. Atëkohë, këtë rol e ka pasur komisionari Olli Rehn.

    Më pas, për tri mandate radhazi të Komisionit, komisionari për zgjerim ka qenë i angazhuar edhe me politikën ndaj fqinjëve.

    Drejtoria për zgjerim është shndërruar, po ashtu, në drejtori të përgjithshme për fqinjësi dhe zgjerim. Shkurtesë e saj ishte NEAR, që nga anglishtja i bie ‘afër’. Kjo është shpjeguar me faktin se vetëm disa vende kanë qenë në procesin e zgjerimit dhe shumica prej tyre në fazën fillestare.

    Tash, me përfshirjen e tri vendeve të Evropës Lindore në procesin e zgjerimit – Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë – krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës – si dhe Turqisë – numri i vendeve në procesin e zgjerimit është rritur në dhjetë.

    Të gjitha, me përjashtim të Kosovës, kanë edhe formalisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë bllok qysh në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj deri më tash nuk është shqyrtuar.

    Në BE, ndërkohë, është rritur mbështetja për procesin e zgjerimit dhe pritet që ai të përshpejtohet.

    Presidenti në largim i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka përmendur vitin 2030 si afat deri kur edhe BE-ja, edhe vendet kandidate do të duhej të bëheshin gati për zgjerim.

    Edhe udhëheqës të tjerë të BE-së kanë bërë thirrje që të dyja palët, si vendet kandidate, ashtu edhe Bashkimi Evropian, të kryejnë pjesën e tyre të punës, për të mundësuar realizimin e qëllimit të procesit të zgjerimit, përkatësisht pranimin formal të vendeve kandidate në BE.