ATV

Tag: Ballina

  • Apeli ia ul dënimin Salih Mustafës në 15 vjet

    Apeli ia ul dënimin Salih Mustafës në 15 vjet

    Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka vendosur të ulë dënimin e Salih Mustafës nga 22 në 15 vjet burgim.

    Vendimi u mor më 10 shtator 2024, pas shqyrtimit të dënimeve të shqiptuara ndaj Mustafës “për krimet e luftës, përfshirë ndalimin arbitrar, torturën dhe vrasjen e paligjshme”.

    “Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës shqiptoi dënimet individuale ndaj z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vitesh burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim.

    Paneli i Apelit përbëhej nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Paneli nxori vendimin e tij lidhur me përcaktimin e ri të dënimit të z. Mustafa në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores. Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e z. Mustafa për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit”, thuhet në njoftim.

    Fillimisht, më 16 dhjetor 2022, Salih Mustafa u dënua me 26 vjet burgim nga Trupi Gjykues për këto krime lufte. Mustafa gjithashtu u urdhërua të paguajë 207,000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj tetë viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje.

    Mustafa apeloi vendimin, dhe më 14 dhjetor 2023, Gjykata e Apelit e uli dënimin e tij nga 26 në 22 vjet burgim, duke miratuar pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit.

    Pas një kërkese për mbrojtjen e ligjshmërisë para Gjykatës Supreme, më 29 korrik 2024, Paneli i Gjykatës Supreme e miratoi pjesërisht kërkesën e Mustafës dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të Apelit që lidhej me dënimin e tij prej 22 vjetësh. Çështja u rikthye në Apel për rishqyrtim, duke rezultuar në uljen e dënimit të tij në 15 vjet burgim.

    Vendimi mund të gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.

  • “Calit” i ulet dënimi me burgim

    “Calit” i ulet dënimi me burgim

    Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës ia ka ulur dënimin me burgim Salih Mustafës, prej 22 vjet në 15 vjet burgim.

    Ndaj Mustafës janë shqiptuar dënimet individuale për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej 8, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe i është shqiptuar dënimi i njësuar prej 15 vjetësh burgim, duke llogaritur edhe kohën në paraburgim.

    Vendimi është marrë sot.

    “Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës shqiptoi dënimet individuale ndaj z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vitesh burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim”, thuhet në njoftim.

    Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ishte dënuar në dhjetor të vitit 2022 Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Gjykata e Apelit ia kishte zbritur dënimin pastaj në 22 vjet burgim.

    Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

  • Kurti: Ne jemi gati për hapjen e Urës së Ibrit, po presim që QUINT e KFOR të koordinohen

    Kurti: Ne jemi gati për hapjen e Urës së Ibrit, po presim që QUINT e KFOR të koordinohen

    Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Veri të Mitrovicës. Nga aty, kreu i Qeverisë ka folur për Urën e Ibrit, duke thënë se raporti i fizibilitetit që është kryer është gati dhe i njëjti rekomandon që Ura mund të hapet.

    Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës është gatshme për hapje dhe se vetëm po pret QUINT-in dhe KFOR-in që të koordinohen rreth çështjes së Urës.

    Më tej, ai theksoi se Ura e Ibrit duhet të hapet për automjete, sepse sipas tij liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë, raporton teve1.

    “Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik, tashmë kanë kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme, besoj ajo urë duhet të hapet edhe për automjete sepse liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë”, deklaroi Kurti para mediave.

  • Si u ndikua financimi i komunave nga rënia e popullsisë? – Podujeva, Prizreni dhe Peja me të prekurat

    Si u ndikua financimi i komunave nga rënia e popullsisë? – Podujeva, Prizreni dhe Peja me të prekurat

    Podujeva, Prizreni dhe Peja janë tri komunat më të mëdha që u prekën negativisht nga ulja e numrit të popullsisë, dhe si pasojë edhe e financimit, popullsia e tyre ra për 17 mijë banorë dhe që të tria bashkë patën një ulje te financimit prej 1,401,452 euro. Ndërsa, Prishtina, ka parë rritjen me të madhe në financim, si shkak i rritjes për mbi 29 mijë banorë, raporton EO.

    Këto të dhëna u prezantuan të martën nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, nga analiza “Regjistrimi i Popullsisë: Ndikimi në Financimin e Komunave”.

    Kjo analize ka për qëllim të vlerësojë ndikimin e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024 ne shpërndarjen e financimeve komunale në Kosovë, e fokusuar ne tri lloje te granteve kryesore: Granti i Përgjithshëm, Granti Specifik për Arsim dhe Granti Specifik për Shëndetësi.

    Përveç kësaj, është analizuar edhe ndikimi ne numrin e punonjësve komunalë dhe i pagave te tyre, si dhe ndryshimet ne strukturën e anëtarëve të Kuvendeve Komunale.

    “Podujeva, Prizreni Peja dhe Gjakova kanë pasur një rënie të popullsisë prej 17,481 banorësh dhe një ulje të financimit prej 1,401,452 euro. Prishtina ka përjetuar rritjen më te madhe të financimit, me nje rritje prej €8,997.490. Fushe-Kosova gjithashtu ka një rritje të madhe financiare prej €5,930,800. Graganica ka pare një rritje financiare prej €1,768,929”, ka thënë Besnik Muçaj, menaxheri i programeve në KLGI.

    “Një veçori ka te beje me komunat e vogla që nuk janë prekur ndjeshëm ne rënien e numrit të popullsisë si Hani i Elezit, përkatësisht janë rritur si rasti i Mamushes. Ngjashëm, ndikimi është i vogël edhe ne komunat si Lipjani me një rënie te ndjeshme, prej 2,631 dhe Obiliqi ka shënuar një rritje të popullsisë me 1,245 banorë”, ka thënë ai.

    Muçaj ka treguar se shumica e komunave në Kosovë kanë shënuar rënie të numrit të popullsisë, sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Mirëpo u theksua se në katër komunat veriore ka pasur rezistim për regjistrim, andaj edhe të dhënat për këto komuna janë të limituara.

    “Prishtina ka shënuar një rritje prej 28, 257 banoresh, ndërsa Fushë-Kosova ka regjistruar një rritje prej 29,251 banoresh. Graganica ka parë një rritje prej 8,696 banoresh, Obiliqi ka përjetuar një rritje të vogël prej 1,245 banoresh. Nga ana tjetër, Podujeva ka pësuar një rënie prej 17,481 banoresh, Lipjani ka pare një ulje prej 2,631 banoresh dhe Gllogoci ka regjistruar një ulje prej 10,477 banoresh”.

    “Mitrovica e Jugut ka pësuar një rënie prej 7,229 banoresh. Skenderaj ka regjistruar një ulje prej 10,226 banoresh, Vushtrria ka përjetuar një ulje prej 8,377 banoresh. Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin-Potoku dhe Leposaviqi kanë përjetuar ulje te konsiderueshme prej 9,980; 7,046; 5,858 dhe 10,566 banoresh. Është e rëndësishme të theksohet se në këto katër komuna ka pasur refuzim të regjistrimit te popullsisë”, ka thënë ai.

    Tutje, ai ka treguar statistikat për regjionin e Pejës, Prizrenit, Ferizajt, Gjilanit dhe Gjakovës.

    “Peja ka përjetuar një rënie prej 13,790 banoresh, Istogu ka regjistruar një ulje prej 6,219 banoresh, Klina ka pësuar një ulje prej 7,922 banoresh, Deçani ka pare një rënie prej 12,261 banoresh dhe Juniku ka përjetuar një ulje prej 2,132 banoresh”.

    “Prizreni ka përjetuar një rënie të madhe prej 30,353 banoresh, Suhareka ka regjistruar një ulje prej 14,009 banoresh dhe Dragashi ka pësuar një ulje prej 5,089 banoresh. Mamusha ka parë një rritje te vogël prej 107 banoresh. Ferizaj ka regjistruar një rritje të vogël prej 735 banoresh dhe Shtërpca ka përjetuar një rritje prej 3,941 banoresh. Nga ana tjetër, Vitia ka pësuar një rënie prej 11,438 banorësh. Kaçaniku ka regjistruar një ulje prej 5,667 banoresh, Hani i Elezit ka pare një rënie prej 803 banoresh dhe Shtime ka përjetuar një ulje prej 3,004 banorësh. Gjilani ka përjetuar një rënie prej 7,277 banoresh, Kamenica ka pësuar një ulje prej 13,187 banoresh, Novobërda ka regjistruar një ulje prej 2,235 banoresh dhe Ranillugu ka pare një ulje prej 1,384 banoresh. Nga ana tjetër, Kllokoti ka përjetuar një rritje prej 493 banoresh dhe Parteshi ka pare një rritje prej 1,464 banoresh. Gjakova ka përjetuar një rënie prej 15,732 banoresh, Rahoveci ka regjistruar një ulje prej 14,431 banoresh dhe Malisheva ka pare një ulje prej 10,743 banoresh”, u shpreh ai.

  • KFOR-i për patrullimet në veri: Janë rutinore në mbështetje të sigurisë në vend

    KFOR-i për patrullimet në veri: Janë rutinore në mbështetje të sigurisë në vend

    Ushtarët e KFOR-it ditëve të fundit kanë kryer patrullime të shtunën në vijën kufitare Kosovë – Serbi. Sipas njoftimit të KFOR-it, aktivitetet e tilla ndihmojnë në promovimin e sigurisë për të gjitha komunitetet lokale si dhe konsolidimin e stabilitetit rajonal.

    Gjatë ditës së djeshme, ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale të Lindje të misionit KFOR, i cili drejtohet nga NATO, kryen patrullim brenda komunës së Leposaviqit.

    Kjo u bë e ditur nga KFOR-i në një postim të hënën në Facebook.

    Paralajmërimi për vërshime, ekipet emergjente në Prishtinë janë në gatishmëri
    Ky patrullim u tha se është pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, që ka për qëllim garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

  • Sot shpaloset vlerësimi për performancën e Kuvendit gjatë sesionit pranveror

    Sot shpaloset vlerësimi për performancën e Kuvendit gjatë sesionit pranveror

    Raporti për vlerësimin mbi performancën e Kuvendit të Kosovës, gjatë sesionit pranveror janar-korrik 2024, do të shpaloset sot.

    Këtë pritet ta bëjë Instituti Demokratike i Kosovës (KDI).

    Ngjarja pritet të nis nga ora 11:00, në zyrat e KDI-së, rruga Bajram Kelemendi.

  • Fotoreporteri i The New York Times kujton luftën në Kosovë

    Fotoreporteri i The New York Times kujton luftën në Kosovë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Rënkimin e nënës, Sevdies, për djalin e saj Ali Paçarizi, i cili u vra më 27 shtator të vitit 1998, fotoreporteri Alan Chin e bëri të jehojë edhe pas 27 vjetëve.

    Këtë fotografi, ai e shkrepi ditën kur pjesëtari i UÇK-së u vra nga forcat serbe në Dragobil të Malishevës.

    Edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite, ai thotë se sa herë e sheh këtë fotografi i kthehen emocionet dhe kujtimet e luftës në Kosovë.

    “Unë kam ardhur në Kosovë për herë të parë në vitin 1997. Pas kësaj kohe u zhvillu lufta dhe vazhdova të qëndroj për të bërë fotografi. Në mesin e tyre është edhe kjo fotografi e cila ngërthen në vete emocione të përziera”, tha Chin.

    Nëna dhe vëllezërit e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës aktualisht jetojnë në Itali, ndërkaq kontaktet mes tyre dhe fotoreporterit vazhdojnë.

    “Po jemi parë, nëna e tij ka qenë ta shoh edhe për së afërmi fotografinë, ata punojnë dhe veprojnë atje si ndërtues. Aliu është njëri prej 11 djemve të Sevdies”, tha Chin.

    Periudha e luftës, kur kishte ardhur enkas në Kosovë për të shkrepur fotografi, e shtyu atë të vijë edhe më pas. Sipas tij, Kosova është prej vendeve që ka ndryshuar më së shumti nga të gjitha vendet e rajonit që po ashtu përjetuan luftën.

    “Unë kam ardhur edhe më herët, eksperienca që kam pasur në Kosovë, më jep emocione të përziera, ka qenë periudhë e vështirë atëherë, kurse tash është krejtësisht ndryshe”, tha Chin.

    Fotografia e familjarëve duke qëndruar mbi kufomën e Ali Paçarrizit, ishte vetëm njëra nga fotografitë e Alan Chin-it, e cila bëri bujë edhe ndërkombëtarisht.

    Madje, ishte shfaqur edhe në ballinën e gazetës “The New York Times” ku edhe tash Alan Chin vazhdon punën si fotoreporter.

  • Rriten rastet me Ethet e Nilit, ulet numri i të hospitalizuarve me COVID 19 në QKUK

    Rriten rastet me Ethet e Nilit, ulet numri i të hospitalizuarve me COVID 19 në QKUK

    Përgatiti: Sara Shehu

    Katër raste me ethet e Nilit Perëndimor janë regjistruar në Kosovë.

    Personat e infektuar me këtë sëmundje që transmetohet nga mushkonjat, janë nga Fushë-Kosova, Prizreni e Lipjani.

    Rastet fillimisht janë trajtuar në Klinikën Infektive dhe pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, ata janë liruar për shtëpi.

    Ndërkaq, derisa rastet me Ethet e Nilit Perëndimor janë rritur, ato të COVID-19, janë ulur.

    Në Klinikën Infektive vetëm një pacient me koronavirus po trajtohet, nga 13 sa ishin më 20 gusht.

    Sipas drejtorit Arben Vishaj, pacienti është në mjekim intensiv, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

    Ndërkaq, pavarësisht insistimit të televizionit, IKSHPK-ja, në një përgjigje me shkrim, tregon vetëm për numrin e rasteve pozitive në periudhën 7 deri më 20 gusht.

    Sipas këtij institucioni, në këtë periudhë janë regjistruar 661 raste pozitive dhe tri viktima.

    “Nga 661 rastet e raportuara gjatë kësaj periudhe kohore, sipas grup-moshave rezulton se grup-mosha më e prekur janë: 50-59 vjeç me 119 raste dhe grup-mosha 20-29 vjeç me 116 raste, me moshë mesatare prej 49.3 vjeç. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, si dhe muajit paraprak, nga fillimi i muajit gusht 2024, vërehet ngritje e numrit të rasteve të raportuara me COVID-19, veçanërisht në javën e fundit me mesatare 54 raste pozitive të raportuara në baza ditore”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

    Megjithatë, pas kësaj date, IKSHPK-ja thotë se ka raste të reja pozitive, por nuk tregoi as për testimet, e as për rastet pozitive.

    Mospublikimi i të dhënave, sipas infektologut Shemsedin Dreshaj, nuk është vendim i duhur. Ai thotë se qytetarët duhet të jenë të informuar për këtë situatë.

    “Numri i rasteve është rritur me ethet e Nilit, situata me këto dy sëmundje, edhe me Covid-19, duhet të merret seriozisht, të mbrohen qytetarët më shumë, të praktikojnë masat që ofron IKSHPK-ja. Megjithatë, të dhënat duhet të përditësohen më shpesh në mënyrë që populli të jenë në dijeni për rastet dhe situatën nëse është alarmante në mënyrë që të rritet më shumë kujdesi”, tha Dreshaj.

    Më tej, ai tha se ka mundësi të rritet numri i sëmundjeve infektive.

    “Numri i sëmundjeve infektive ka gjasa të rritet e të ketë më shumë pandemi për shkak se po jetojmë në epokën e globalizmit, ka më shumë qarkullim, udhëtime”, tha Dreshaj .

    Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë apel për kujdes të shtuar dhe në rast të shfaqjes së simptomave të konsultohen me mjekët.

  • Monitoruesit e kuvendit, skeptikë se do të përmbushet agjenda legjislative

    Monitoruesit e kuvendit, skeptikë se do të përmbushet agjenda legjislative

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Pas më shumë se një muaji pushim, deputetët të enjten do t’i kthehen punës.

    Sallën e Kuvendit do ta gjejnë më ndryshe sesa që e lanë, meqë renovimet kanë përfunduar e salla është pajisur me mjete të reja teknologjike.

    Në seancën e parë të sesionit vjeshtor, në rend dite janë pika të cilat do të duhej të kryheshin qysh në muajin mars.

    Andaj monitoruesit e Kuvendit shprehen skeptikë se do të mund të përmbushet agjenda e paraparë.

    Megjithatë, opozita thotë se do të angazhohet maksimalisht në këta muaj sa kanë mbetur.

    Madje, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tregojnë se ku do të jetë fokusi i tyre gjatë kësaj kohe.

    Ndër pikat e papërfunduara nga sesioni i kaluar, janë: Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, e Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje.

    Në seancën e së enjtes, për votim në lexim të dytë do të hidhet edhe Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

  • “Dialogu Kosovë-Serbi në qorrsokak”

    “Dialogu Kosovë-Serbi në qorrsokak”

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk u kursye të hënën kur foli për Bashkësinë Ndërkombëtare.

    Sipas tij, ndërmjetësuesit po e mbajnë anën e Serbisë, e nuk po e ndëshkojnë për veprimet, që, sipas tij, nuk janë të pakta.

    Madje, edhe dialogu me Serbinë, derisa nuk ka trajtim të barabartë, duket i pavlefshëm.

    Për këtë kryekuvendari Konjufca tha se dialogu me Serbinë vdiq me rastin e Banjskës, meqë ndërkombëtarët e dinë mirë se shteti serb e financoi këtë sulm, dhe nuk ndërmorën asgjë deri më tash.

    Por për raportet me ndërkombëtarët, opozita fajin po e lë tek autoritetet vendore.

    Sipas Konjufcës, mos-heqja e masave ndaj Kosovës, është një dëshmi shtesë e mbajtjes anë nga bashkësia ndërkombëtare, teksa shtoi se Kosova është e gatshme të vazhdojë përpara, nëse të dyja vendet trajtohen njësoj.