ATV

Tag: Ballina

  • 1 vit pa takim mes Kurtit e Vuçiqit – Akti i agresionit ndaj Kosovës, arsyeja kryesore për moszhvillim të takimeve

    1 vit pa takim mes Kurtit e Vuçiqit – Akti i agresionit ndaj Kosovës, arsyeja kryesore për moszhvillim të takimeve

    Përgatiti: Arian Hajdaraj  

    Përpjekjet katër mujore të Bashkimit Evropian, kishin rezultuar me këtë takim të zhvilluar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, më 14 shtator të vitit 2023.

    Që nga kjo datë, në tavolinën e bisedimeve, palët mëasnjëherë nuk u ulën, për 366 ditët në vijim.

    Shkaktari kryesor për moszhvillim të takimeve konsiderohet të jetë vetëm një.

    “Mungesa e takimeve deri tani ka ardhur vetëm për një arsye. Serbia tash një vit përmes grupeve terroriste tentoi ta aneksonte veriun. Me këtëpërpjekje”, tha njohës i çështjeve politike, Dorajet Imeri.

    Me pamundësinë e BE-së që të realizojë takime mes liderëve të dyja shteteve, pasojat në procesin e dialogut veçse janë shkaktuar.

    “Rruga e tërë Ballkanit Perëndimor ka stagnuar. Dhe nëse vazhdohet me një ritëm të tillë, pashmangshëm se ballkani perëndëimor do jetë peng i Serbisë…”, deklaroi politologu Fidan Ukaj.

    Të martën e 17 shtatorit, pritet që në mes Kosovës e Serbisë të zhvillohet takim në nivel kryenegociatorësh.Sipas raportimeve fillestare, prezencën e kanë konfirmuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic nga Serbia.

    Kosova dhe Serbia dialogojnë prej vitit 2011 në Bruksel, nën ndërmjetësim të BE-së. Teksa kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha se shoqëritë në Kosovë dhe Serbi nuk janë gati për normalizim. Sipas tij, marrëveshjet e arritura n Bruksel dhe në Ohër janë valide dhe janë pjesë e procesit të integrimeve evropiane për Serbinë, pavarësisht deklarimeve qëbëjnë palët për konsum të brendshëm politikë.

     Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Qeveria me thirrje për ndërkombëtarët, dënojeni gjuhën armiqësore të Vuçiqit

    Qeveria me thirrje për ndërkombëtarët, dënojeni gjuhën armiqësore të Vuçiqit

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Shtatë kërkesat e presidentit të Serbisë, ngjallën shumë reagime në Kosovë.

    Zëvendëskryeministrja kosovare, i bërë thirrje faktorit ndërkombëtarë që me qëndrime të vendosura ta dënojnë, siç ka shkruar ajo, gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandër Vucicit.

    “Gjatë konferencës së tij teatrale, Vuçiçi na tregoi dje se nuk e ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare. Loja sistematike e Serbisë me serbët në Kosovë, presioni deri në ushtrim të hapur të dhunës përmes strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, keqpërdorimi dhe vjedhja masive e fondeve, të cilat kinse ndahen për ta, pengimi i integrimit në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, serbëve në veri dhe familjeve të tyre ua ka vështirësuar jetën për vite të tëra”, tha ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

    Teksa në rreshtat e parë të reagimit të tij, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dukej se ishte në një linjë me kryediplomaten kosovare, për situatën e krijuar në veri,  kryetari i AAK-së nuk e la pa e fajësuar edhe qeverinë e Kosovës.

    “Për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjësi kryesor është presidenti serb. Ai ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. E dhimbshme, por fatkeqësisht terrenin për këto veprime anti-Kosovë të Serbisë, të mbështetura edhe nga disa qarqe ndërkombëtare, e ka krijuar politika shkurtpamëse e qeverisë Kurti. Ajo ka bërë që politika fashiste e Serbisë ndaj Kosovës, të mos duket edhe aq e keqe. Me Serbinë ka veç një zgjidhje, njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues”, deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Ndërkohë, në deklarimet e presidentit serb të premten, ish-ministri i mbrojtjes, Anton Quni, nuk vërejti ndonjë ndryshim.

    “Është në vazhdën e fjalorit të tyre. Është në vazhdën e deklarimeve, asgjë nuk ndryshon tek mendësia e tyre. Edhe një patrullim të policisë së trafikut ata janë në gjendje të shpallin të një operacioni të njësive speciale dhe të tjera. Çdo shtrirje të sovranitetit e bëjnë propagandën se është një lloj kërcënimi deri te përmasat e sulmit ndaj komunitetit serb. Unë jam i bindur por edhe komuniteti ndërkombëtarë tani ka përvoja me nxjerrjen e realitetit edhe pse në Serbi përdoret ende ky fjalor”, tha Quni.

    Kërcënimet e Aleksandër Vucicit dhe reagimin e kryeministrit Albin Kurti, ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri i ka cilësuar si retorikë boshe.

    Sipas saj, çdo gjë varet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Vucic, në një adresim të paralajmëruar dirtë më parë, mbrëmë ndër të tjera kërkoi zgjedhje të reja në veriun e Kosovës, kthim të policëvem gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në punë dhe themelim të Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe.

    Policët, gjyqtarët dhe prokurorët serbë në veriun e Kosovës kishin braktisur vendet e punës vitin e kaluar.

     Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Gërvalla: Deklaratat e Vuçiqit kundër Kosovës, përpjekje e dëshpëruar për të sabotuar Pavarësinë

    Gërvalla: Deklaratat e Vuçiqit kundër Kosovës, përpjekje e dëshpëruar për të sabotuar Pavarësinë

    Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla i ka quajtur hipokrizi të tejdukshme, veprimet e djeshme të presidentit serb Aleksandar Vuçiqit, duke u bërë thirrje dhe ndërkombëtarëve që ta dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore karshi Kosovës.

    “Gjatë konferencës së tij teatrale, Vuçiqi na tregoi dje se nuk e ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare”, shkruan Gërvalla në Facebook, duke listuar dhe gjërat që i tha ai në konferencë.

    Po ashtu, ministrja nuk la pa përmendur dhe deklaratat e presidentit serb për kinse shpalljen si të paligjshme të te gjitha organeve të institucioneve në Kosovë, e që sipas saj janë përpjekje e dëshpëruar për të sabotuar Pavarësinë e Kosovës.

  • Aprovohet marrëveshja e ndërmjetësimit, hudhet aktakuza për grushtimet në Kuvend

    Aprovohet marrëveshja e ndërmjetësimit, hudhet aktakuza për grushtimet në Kuvend

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar marrëveshjen e lidhur në Qendrën e Ndërmjetësimit në mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mërgim Lushtaku me të dëmtuarin Hekuran Murati, për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës.

    Vendimi është marrë më 2 shtator 2024, përmes së cilit gjykata po ashtu ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Bislimit, Beqës, Lushtakut e Haxhiut dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tyre.

    “HUDHET aktakuza e PTH-së në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, PP.II.nr.4413/23, të dt.24.10.2023 dhe PUSHOHET procedura penale kundër të pandehure B. B., M. L. dhe H. B., për shkak të veprës penale Sulmi nga neni 184 par.1 të KPRK-së, për të pandehurin H. B. edhe për shkak të veprës penale Asgjësimi, apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 par.1 të KPRK-së, ndërsa për të pandehurin B. H., për shkak të veprës penale Lëndim i lehtë truporë nga neni 185 par.1 pika 1.4 të KPRK-së”, thuhet në vendimin e gjykatës, që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

    Tutje, në këtë vendim thuhet se marrëveshja e arritur në mes palëve të lartcekura është aprovuar konform nenit 248 paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit të Procedurës Penale lidhur me nenin 2 paragrafi 2 dhe nenin 15 paragrafi 1 të Ligjit për Ndërmjetësim.

    Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se për aktakuzën e ngritur ndaj Bislimit, Beqës, Lushtakut e Haxhiut, gjykata më 25 maj 2024 ka caktuar dhe mbajtur shqyrtimin fillestar, ku me propozimin e palëve në procedurë është vendosur që kjo lëndë të dërgohet në Qendrën për Ndërmjetësim në Prishtinë, ku dhe në këtë qendër është arritur marrëveshja në mes palëve në procedurë.

    “Andaj gjykata duke vepruar konform dispozitave nga neni 2 par.2 dhe neni 15 par.1 të Ligjit për Ndërmjetësim Nr.06/L-009, më dt.02.09.2024, e aprovoi këtë marrëveshje pasi që të njëjtën e vlerësoi se është lidhur me vullnetin e plotë të palëve në konflikt dhe në pajtim me ligjin në fuqi, konform nenit 8 par.7 të Ligjit të Ndërmjetësimit, me datën e aprovimit nga Gjykata, përkatësisht nga dt.02.09.2024, kjo marrëveshje do ta ketë fuqinë e titullit ekzekutiv”, thuhet tutje në vendimin e gjykatës.

    Ndërsa, shpenzimet e procedurës penale sipas këtij vendimi bien në barrën e mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.

    Se një marrëveshje e tillë ishte arritur mes palëve, më 14 gusht 2024 e kishte konfirmuar edhe avokatja e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtakut, Besjana Ismajli.

    Deri tek kjo marrëveshje ka ardhur pasi në seancën e datës 28 maj 2024 Besnik Bislimi, Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa dhe Bekim Haxhiu ishin pajtuar që kjo çështje të zgjidhet me ndërmjetësim.

    Pajtimi i palëve që lënda të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit, kishte ardhur pasi gjykatësi i rastit Eroll Gashi ua propozoi një gjë të tillë.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Bislimi, avokati Florent Latifaj kishte thënë se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, pajtohen që kjo lëndë të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit.

    Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Hajdar Beqa, avokati Hajzer Salihu kishte thënë se do t’ia japin një shans procedurës së ndërmjetësimit.

    Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Mërgim Lushtaku, avokatja Besjana Ismajli e kishte mbështeti deklarimin e avokatit Salihu, e cila tha se pajtohen që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim.

    Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Haxhiu, avokati Ardian Megjani, ishte pajtuar që lënda të shkojë në ndërmjetësim.

    Po ashtu, që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim ishte pajtuar edhe i dëmtuari, ministri i Financave, Hekuran Murati si dhe prokurorja Nebahate Salihu.

    Për çka akuzohej zëvendëskryeministri Besnik Bislimi?

    Sipas aktakuzës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi akuzohej se gjatë seancës plenare të 13 korrikut 2023, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, pasi ky i fundit i kishte hedhur ujë Bislimit.

    Sipas Prokurorisë, Lushtaku këtë e kishte bërë në shenjë revolte pasi i akuzuari Bislimi paraprakisht e kishte hequr një foto të Kryeministrit Albin Kurtit të paraqitur në formë të “Pinokios”, e vendosur paraprakisht nga disa deputetë. Pasi kishte hedhur ujë Lushaku në drejtim të Kryeministrit dhe më pas të Bislimit, thuhet se Bislimi në shenjë revolte e kishte gjuajtur me shishe Lushtakun, e më pas me dashje e kishte goditur edhe me grushte dore në fytyrë të dëmtuarin Lushtaku, veprime të cilat shihen nga kamerat e sigurisë brenda sallës së Kuvendit.

    Me këtë, Bislimi akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi”, sipas nenit 184 par.1 të Kodit Penal.

    Për çka akuzohej deputeti Mërgim Lushtaku?

    Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi se i pandehuri Mërgim Lushtaku më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit, gjatë mbajtjes së seancës së rregullt plenare, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit Besnik Bislimi. Aty thuhet se pas krijimit të situatës së eskaluar në Kuvend, i pandehuri Lushtaku me dashje e kishte sulmuar fizikisht Bislimin, duke e goditur me shuplakë në fytyrë, veprime të cilat shihen përmes kamerave të sigurisë që gjenden brenda sallës së Kuvendit.

    Me këtë, Lushtaku akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi” sipas nenit 184, patr.1 të Kodit Penal.

    Për çka akuzohej deputeti Hajdar Beqa?

    Kurse, i pandehuri Hajdar Beqa, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thuhet se më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit, gjatë seancës plenare, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit, ministrit të Financave, Hekuran Murati. Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari Murati kishte parë se deputeti Lushtaku kishte hedhur ujë në drejtim të Kryeministrit të Kosovës, i njëjti ishte ngritur në këmbë për të parandaluar ndonjë sulm ndaj Kryeministrit dhe atëherë i pandehuri me dashje e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Murati, duke e goditur me grusht në fytyrë mbi vetull, veprime të cilat shihen përmes kamerave të sigurisë në Kuvend.

    Me këtë, Beqa akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, par.1 të Kodit Penal.

    Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Beqa, më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit gjatë seancës plenare, i revoltuar nga situata e krijuar mes deputetëve të PDK-së dhe disa anëtarëve të kabinetit qeveritar, me dashje që t’i shkaktojë dëm material të dëmtuarit Hekuran Murati, të njëjtit me forcë nga fytyra ia ka tërhequr syzet e tij, e më pas i hedh në tokë, duke ia dëmtuar ato, duke i shkaktuar dëm material në vlerë të pacaktuar.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 321, par.1 të Kodit Penal.

    Për çka akuzohej deputeti Bekim Haxhiu?

    Gjithnjë sipas aktakuzës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, akuzohej se në seancën e Kuvendit, në të njëjtën datë, kishte përdorur forcë fizike, ndaj tani të dëmtuarit Hekuran Murati, kjo pas situatës së krijuar mes deputetit Mërgim Lushtaku dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar. Sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhiu, me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore të dëmtuarit Murati, e ka goditur me grusht në pjesën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar ndrydhje të indeve në nofull, dëmtime të kualifikuara si lëndime të lehta trupore.

    Me këto veprime, Haxhiu akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, sipas nenit 185, par.1, pika 1.4 të Kodit Penal.

    Me këtë aktakuzë, është propozuar që gjatë administrimit të provave të nxjerrën dhe shikohen si prova: një CD me video-incizime nga regjia në Kuvend, CD-ja me video-incizime nga Kuvendi më 13 korrik 2023, një CD me video-incizime të marrë nga DIA lidhur me rastin e Kuvendit, foto-dokumentacioni që gjendet në shkresat e lëndës, deklaratat e të pandehurve dhe të dëmtuarve dhe informacionet e siguruara gjatë procedurës penale, raportin mjekësor, mendimin e ekspertit mjeko-ligjor dr. Naim Uka.

    Përmes aktakuzës së ngritur nga prokurorja Nebahate Salihu, propozohet që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor publik, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas Kodit dhe të njëjtit të obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale.

  • DASh-i reagon lidhur me aktakuzën për Banjskën: Të respektohet procesi gjyqësor

    DASh-i reagon lidhur me aktakuzën për Banjskën: Të respektohet procesi gjyqësor

    Shtetet e Bashkuara tha se inkurajojnë respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit, pasi Kosova ngriti aktakuzë lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

    “Sa i përket aktakuzës së Kosovës, ne inkurajojmë për respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit dhe për durim, teksa ky rast i ndërlikuar procedohet në gjykata. SHBA-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm sundimin e ligjit, drejtësinë e barabartë dhe qeverisjen e mirë në Kosovë”, tha një zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

    Nga DASH-i thanë se presin që Serbia të kërkojë përgjegjësi të plotë për personat e përfshirë në sulmin e shtatorit të vitit të kaluar.

    Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në veri të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Gjatë kësaj jave, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për këtë sulm.
    Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist, ndërsa liderët shtetërorë akuzojnë shtetin e Serbisë për organizim të sulmit.

    Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Ai, në aktakuzë, cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

    Ngritja e aktakuzës për sulmin e armatosur në Banjskë është mirëpritur edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Nga BE-ja thanë se përgjegjësit duhet të përballen me pasoja, pasi gjyqësori i Kosovës të shpallë aktvendimin ndaj tyre, teksa zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, tha se Brukseli vazhdimisht i ka kërkuar Serbisë që të përfshirët në këtë sulm të dalin para drejtësisë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 13 shtator se autoritetet serbe po e hetojnë sulmin në Banjskë.

    Ai tha se ky sulm, për Serbinë, nuk është “terrorist”.

    “Por, nuk dua të zgjerohem më tej dhe të shpjegoj përsëri se kush është fajtor për këtë dhe kush e solli këtë gjendje”, tha Vuçiq gjatë një adresimi.

    Radoiçiq besohet se gjendet në Serbi. Ndërkaq, të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, të gjithë janë në arrati përveç tre personave që gjenden në paraburgim në Kosovë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

  • Qalaj: Policia e Kosovës është sanksionuar nga ShBA-ja, ka vite që askush më nuk shkon në trajnime në FBI

    Qalaj: Policia e Kosovës është sanksionuar nga ShBA-ja, ka vite që askush më nuk shkon në trajnime në FBI

    Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se policia veçse është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Qalaj u shpreh se këtë e thotë për faktin që sipas tij, nuk është duke marr më pjesë në trajnime të FBI-së dhe PK-së i janë ndalur edhe trajnimet në Gjermani.

    “As një parti politike, as kush, as një politikan, pavarësisht a është i pozitës apo i opozitës nuk duhet të ketë tendenca të përzierjes në punët operacionale të policisë. Mund të them që PK-ja veç është sanksionuar nga ShBA-ja me qenë se ka vite që askush më nuk shkon në trajnime në FBI”.

    “Me sa kam informata janë ndalur edhe trajnimet në Gjermani e kështu me radhë, prandaj këto janë masat që janë duke u marr fatkeqësisht ndaj Policisë së Kosovës”, ka thënë Qalaj.

    Ai gjithashtu tha se ka një kohë të gjatë që është duke u diskutuar ndikimi direkt i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe i qeverisë në punët operacionale të Policisë së Kosovës.

    “Ka një kohë bukur të gjatë, ka dy tri-vite që ne jemi duke folur vazhdimisht mbi ndikimin direkt të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë së Kosovës në punët operacionale të Policisë së Kosovës”.

    “Në vazhdimësi e kemi ngritur këtë çështje në qoftë në seancat e Kuvendit, qoftë në mbledhjen e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, mendoj që Policia e Kosovës duhet të punoj e pa varur nga aspekti operacional ashtu që përcakton edhe ligji i policisë dhe po ashtu Policia e Kosovës të mbështet sa më shumë edhe me buxhet por edhe me përkrahje nga qeveria dhe populli i Kosovës”, ka thënë ai./EO

  • Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati listën e dytë me çmime të barnave

    Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati listën e dytë me çmime të barnave

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Pas anulimit të listës së parë për çmimet e barnave, Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati të dytën.

    Por nuk dihet nëse do të jetë e fundit, e barnat do të shiten me çmim të njëjtë në të gjitha barnatoret, meqë fillimisht do të shikohet nëse ka ankesa edhe rreth kësaj liste.

    “Komisioni për përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, në zbatim të Vendimit të Komisionit të ankesave për çmimin e produkteve medicinale, ka përcaktuar çmimet e produkteve medicinale, të regjistruara nga Bartësit e Autorizim-Marketingut, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Lista preliminare është publikuar dhe pasi që është listë preliminare, si e tillë nuk ka fuqi obligative. Gjithashtu, ju informojmë se lista hyn në fuqi pas përfundimit të procedurave të ankimimit”, u përgjigjën për ATV-në nga Ministria e Shëndetësisë.

    Lista e parë, megjithëse e përgatitur rreth 10 muaj pas miratimit të ligjit, ishte anuluar pasi ishte vërejtur rritje e çmimeve për produktet medicinale. Nga Oda e Farmacistëve janë optimistë se janë rregulluar mangësitë.

    “Në listën e parë që është anuluar, ka pasur një rritje në një pjesë të konsiderueshme të barnave, mirëpo te kjo lista e dytë, besoj që është një listë që ka ulje të çmimeve, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt te pacientët, pastaj edhe unifikim për të gjitha barnatoret e licencuara dhe më e mira e mundshme, kthimi i profesionalizmit të farmacistit, duke e ditur që do të kthehet ajo pjesa e konkurrencës profesionale e jo siç është tash”, tha zv.drejtori i Odës së Farmacistëve, Astrit Haxhijaha.

    Për një ish-ministër që udhëhoqi shëndetësinë, rekomandimet e para nuk u morën fare parasysh, andaj pohon se po favorizohen grupet e interesit, e po dëmtohen qytetarët.

    “Ky proces është prolonguar përtej parashikimeve ligjore dhe po shpërfaq interesat e grupeve të caktuara apo individëve, të cilët e kanë mbajtur peng sektorin e shëndetësisë dhe përgjegjësia është mbi atë politike, që nënkupton e ministrit dhe e Qeverisë, sepse janë duke përkrahur interesat e asaj që quhet mafia farmaceutike dhe ky proces duket që është i dështuar në këtë fazë. Edhe lista e re në informacionet paraprake pothuajse i ka vërejtjet e njëjta që nuk janë marrë parasysh”, deklaroi ish-ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj.

    Andaj Zemaj thotë nuk ka gjasë që tani për tani të rregullohet tregu farmaceutik.

    E për aq kohë sa ligji të mos zbatohet plotësisht, qytetarët do të blejnë barna të njëjta me çmime të ndryshme që vendosen vetë nga farmacitë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Rruga Prizren-Tetovë, larg fillimit në tokën maqedonase

    Rruga Prizren-Tetovë, larg fillimit në tokën maqedonase

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    I pranishëm në nisjen e punimeve për rrugën Prizren – Tetovë, rreth një muaj më parë, ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

    Madje, 14 gushtin e kishte cilësuar si ditë të gëzuar, jo vetëm për prizrenasit e tetovarët.

    Por, ndërtimi i autostradës është larg fillimit në tokën maqedonase. Autoritetet atje, as nuk e kanë dizajnuar përfundimisht tunelin që është jetik për ndërtimin e kësaj rruge.

    “Sapo të përfundojmë dizajnin për të cilin kemi ndarë buxhet dhe kemi marrëveshjen me Maqedoninë dhe tash edhe pas ndryshimit të Qeverisë, kemi pasur komunikime dhe besoj që brenda këtij muaji do t’i kemi takimet për ta fillu dizajnin e që ekipin do ta udhëheqë shteti i Maqedonisë. Dhe si ta kemi dizajnin e tunelit do të mund të fillojmë çështjet e financimit dhe ndërtimit të këtij tuneli”, tha ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

    Teksa rruga që do t’i bashkonte shqiptarët e Kosovës me ata të Maqedonisë po mirëpritet nga tetovarët, njohës të rrethanave atje, kanë dyshime nëse autoritetet qendrore maqedonase do ta mbështesin projektin.

    “Këtu nuk ka ende ndonjë veprim konkret. Kam përshtypjen që shqiptarët nuk kanë arritur ende t’i bindin autoritetet qendrore maqedonase që ky projekt duhet të realizohet sa më parë dhe kur jemi te autoritetet maqedonase mendoj që ka një hezitim për projekte të përbashkëta me Kosovën dhe Shqipërinë. Thënë më mirë maqedonasit kanë më shumë dëshirë të ndërtojnë autostrada kah Serbia se kah shqiptarët”, deklaroi Mevaip Abdiu, gazetar në Tetovë.

    Megjithatë, ministri kosovar nuk pret hezitim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

    “Për sa u përket autoriteteve maqedonase nuk kemi pa asnjë hezitim nga takimet që kemi pasur dhe po shpresojmë që do të realizohet”, shtoi tutje ministri Aliu.

    Sidoqoftë, javë më parë, Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikollovski, deklaroi se është e nevojshme të bëhet projektimi për të kuptuar vlerën reale të rrugës dhe a do të mund të realizohet në mënyrën se si është paraparë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Njohësit: Nëse vërtetohet aktakuza për Banjskën, Serbia implikohet si përgjegjëse

    Njohësit: Nëse vërtetohet aktakuza për Banjskën, Serbia implikohet si përgjegjëse

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Plot 116 herë është përmendur Serbia në aktakuzën 158-faqëshe, të cilën e ngriti Prokuroria Speciale për rastin e Banjskës.

    Në faqen 136, hetimet e kanë gjetur këtë shtet si përkrahës të drejtpërdrejtë të Milan Radojicicit, udhëheqësit të grupit terrorist.

    Përveç financave, po në këtë faqe të aktakuzës, konstatohet se Serbia terroristëve u ka ofruar edhe kushte për trajnime ushtarake.

    Nëse këto pika të aktakuzës vërtetohen në gjykimin që do fillojë brenda javësh, njohës të çështjeve juridike konsiderojnë se Serbia medoemos bëhet përgjegjëse për rastin në Banjskë.

    Qëllimi i grupit për aneksim të veriut, sipas avokatit Valdet Hoxha, është arsye tjetër që çon në këtë drejtim.

    Por, meqenëse Serbia si shtet nuk mund të akuzohet, kjo çështje më së shumti, pas përfundimit të gjykimit, mund të përdoret në dialog.

    Në ditën kur u ngrit aktakuza, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaroi se kur gjykata në Kosovë të vendosë kush është fajtor, kush është përgjegjës ose i pafajshëm, atëherë do të jetë koha për kërkim të përgjegjësisë./atvlive.tv/

    Për më shumë videon e mëposhtme:

  • Fëmijët me Sindromën Down, nuk do të mbesin pa libra

    Fëmijët me Sindromën Down, nuk do të mbesin pa libra

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Arti Halilaj është nxënës i klasës së gjashtë në shkollën fillore “Daut Bogujevci”, në komunën e Fushë-Kosovës.

    Ndonëse mësimin e ndjek bashkë me të tjerët, për dallim prej tyre nuk e pati mundësinë e përftimit nga subvencionimi për blerjen e teksteve shkollore.

    Arsye për këtë ishte mosha e tij kalendarike, e cila nuk u përputh me atë klasore.

    “Vitin e kalum kom apliku me emër timin e s’më ka dalë, kom apliku masanej me emër të burrit, na është thënë se mosha nuk përputhet me klasën, është dashtë na me i kry, që Arti mos me shku pa libra në shkollë”, tha Florentina Halilaj, nëna e Artit.

    Megjithatë, ky problem u zgjidh kur dy organizatat, KOMF dhe Down Syndrome, arritën marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, që të dhënat e fëmijëve të dërgohen nga qendra e Down Syndrome Kosova.

    “Masi veç na ka mbështetë DSK-ja, na ka mundësu që me ba listën për paga të librave, por ende nuk kanë dalë. Na i kemi ble se Arti është në shkollë normale dhe ka qef me i pasë librat si krejt fëmija e tjerë”, shtoi tutje Halilaj.

    Sidoqoftë, drejtoresha e shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Beqiri, tha se aplikimet, tashmë janë dorëzuar në Ministri.

    ”Për fmitë me sindromën që kanë rrjedhë, kemi marrë shumë informata nga prindërit, jemi dakordu ku ne do t’i mbledhim të dhënat për me lehtësu procesin. Janë lajmëruar 35 prindër, të dhënat nga ne janë dërguar në ministri tashmë”, deklaroi Sebahate Beqiri, drejtore e DSK-së.

    Megjithatë, Ministria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në se kur do të ekzekutohen mjetet financiare për tekstet shkollore të fëmijëve me sindromë down./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: