ATV

Tag: Ballina

  • Bislimi: Petkoviq kushtëzoi agjendën e takimit trilateral me kërkesa të papranueshme për Kosovën

    Bislimi: Petkoviq kushtëzoi agjendën e takimit trilateral me kërkesa të papranueshme për Kosovën

    Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës në dialogun Kosovë, ka thënë se takimi trepalësh me Petar Petkoviqin, kryenegociatorin serb, dhe Miroslav Lajçak, emisarin e BE-së, dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

    Ai nuk shpjegoi se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.

    “Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, tha Bislimi./REL/

  • ​Përfundon rundi i ri i bisedimeve në Bruksel pa takim trepalësh

    ​Përfundon rundi i ri i bisedimeve në Bruksel pa takim trepalësh

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk kanë zhvilluar takim trepalësh me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën në Bruksel.

    Bislimi u takua dy herë me Lajçakun dhe tha se takimi trepalësh me Petkoviqin dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

    Për herë të fundit, ata janë takuar në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.

    Bislimi e ka akuzuar atëkohë palën serbe se dëshiron vetëm zbatim të pjesshëm të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Petkoviq ka thënë se pala kosovare nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Marrëveshja Bazë, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e këtij asociacioni, është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk ka gjetur zbatim.

    Sipas burimeve në BE, në takimet e sotme pritet të diskutohen hapat për zbatimin e saj.

    Këtyre takimeve u kanë paraprirë udhëtimet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe në Beograd.

    Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

    Përveçse në nivel kryenegociatorësh, bisedimet zhvillohen edhe në nivel politik.

    Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar qysh në shtator të vitit të kaluar dhe të dy kanë akuzuar njëri-tjetrin për qasje jokonstruktive.

    BE-ja, në anën tjetër, përsërit se dialogu është e vetmja mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve.

    Ajo e ka kushtëzuar integrimin evropian të të dyja vendeve me përparimin në dialog./REL/

  • Nuk ka takim trepalësh, Bislimi e Petkoviq përfundojnë takimet me Lajçakun

    Nuk ka takim trepalësh, Bislimi e Petkoviq përfundojnë takimet me Lajçakun

    Kanë përfunduar takimet bilaterale të Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ndaras me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, pa një takim trilateral.

    Kështu konfirmoi për ATV-në, shefi i kabinetit të Bislimit, Klisman Kadiu.

    “Kanë përfunduar takimet, kemi patur vetëm takim bilateral me Lajçakun dhe jo takim trilateral. Te komunikata do të sqarojmë më gjatë”, tha Kadiu.

    Një ditë më parë, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian kishte paralajmëruar se në rundin e radhës do të diskutohen mënyrat si të shkohet tutje me zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër në mars të vitit 2023, si dhe të gjitha çështjet tjera të cilat sipas Stanos, po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

  • ​Narrativat serbe për Kosovën, Schneeberger: Po i përhap Vuçiq dhe “kukullat” e tij në veri

    ​Narrativat serbe për Kosovën, Schneeberger: Po i përhap Vuçiq dhe “kukullat” e tij në veri

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger ka reaguar karshi dezinformatave që udhëheqësit në Serbi po bëjnë për Kosovën, duke thënë se kjo narrativë është përhapur jo vetëm nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por edhe nga “kukullat e tij vendase”, duke aluduar në politikanin Aleksandër Arsenijeviq.

    Derisa zyrtarët serbë po përhapin dezinformata duke pretendtuar se gjoja po ndodh “spastrim etnik” apo edhe “gjenocid” ndaj serbëve në veri të vendit, Schneeberger ka thënë se realisht serbët në Kosovë janë nën presion nga Serbia.

    “Narrativa e ‘gjenocidit’ ndaj serbëve në Republikën e Kosovës është përhapur jo vetëm nga vetë Vuçiq, por edhe nga kukullat e tij vendase. Por çfarë i kërcënon në të vërtetë serbët e Kosovës – një dyqan ushqimesh të shpejta, një bilbil apo ndikimi nga Serbia?”, ka shkruar ajo në X derisa ka shpërndarë edhe disa fotografi ku shihet edhe Aleksandër Arsenijeviq.

    Arsenijeviq njihet për provokime, për cka edhe është arrestuar disa herë nga Policia e Kosovës. Së fundi janë publikuar disa fotografi ku ai shihet i rrethuar nga pjesëtarë të maskuar të të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” në Zveçan, kur janë sulmuar trupat paqeruajtëse të KFOR-it.

  • DASH: Vazhdojmë të mbështesim fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi

    DASH: Vazhdojmë të mbështesim fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi

    Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti se e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në institucionet e Bashkimit Evropian dhe se dialogu mes tyre, i ndërmjetësuar nga BE-ja, është “e vetmja rrugë përpara”.

    I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë për të komentuar kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se SHBA-ja “vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve”.

    Gjatë një adresimi në fund të javës së kaluar, Vuçiq kërkoi riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë kthimin e tyre në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dje ka dëshmuar dëshmitari i 85-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Ky dëshmitar ka dëshmuar me masa mbrojtëse dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, Matt Halling, ai është ish-ushtar i UÇK-së.

    “Dëshmitari 04737 është një ish-anëtar i UÇK-së nga Zona Operative e Pashtrikut. Ai do të jep dëshmi lidhur me veprimtaritë gjatë luftës dhe strukturës së komandës në këtë brigadë”, ka theksuar prokurori Halling.

    Ish-drejtuesit e UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij , sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

  • ​Dialogu Kosovë-Serbi, kryenegociatorët sot në Bruksel

    ​Dialogu Kosovë-Serbi, kryenegociatorët sot në Bruksel

    Sot në Bruksel do të mbahet takimi i ardhshëm në mes kryenegociatorëve të dialogut Kosovë- Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Fokusi i takimit pritet të jetë implementimi i marrëveshjeve të arritura, derisa kryenegociatorët pritet të kenë takime vec e vec me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, por pritshmëritë janë që nuk do të ketë takim në mes Bislimi dhe Petkoviq..

    Para takimit ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak vizitoi Prishtinën e Beogradin për të caktuat datën dhe agjendën e takimit të sotëm. Ndërkohë, pati deklarime se takimi i planifikuar ishte refuzuar nga pala serbe.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi më 13 shtator deklaroi se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.

    Ndërkohë, dje Qeveria e Kosovës njoftoi se zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në takimet e radhës të parapara në kuadër të procesit të dialogut.

    Përndryshe, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dje ka ripërsëritur se dialogu ka vdekur për këtë vit. Edhe analistët nuk presin që do të ketë ndonjë hap konkret sa i përket dialogut, duke pas parasysh se në Kosovë tanimë është caktuar data e zgjedhjeve nacionale, të cilat do të mbahen në muajin shkurt.

  • Joseph: SHBA të ndryshojë qëndrimin ndaj Beogradit, pastaj kemi shans me Prishtinën

    Joseph: SHBA të ndryshojë qëndrimin ndaj Beogradit, pastaj kemi shans me Prishtinën

    Situata mes Kosovës dhe Serbisë si dhe qëndrimet që po mbahen karshi të dyja palëve nga liderët e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për analistin amerikan për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Edward Joseph, janë të gabuara.

    “Çfarë po ndodh në Kosovë nuk është situatë e re, e kemi pare prej vitesh tashmë dhe arsyeja është se SHBA, si lider kryesorë, bashkë dhe me BE nuk po e tregojnë forcën që ata kanë, që janë të parët që luajnë kartat dhe nuk lëviz asgjë Vuçiqi dhe sigurisht as Kurti. Dhe në vend qe të tregojnë forcën të dyja, si SHBA ashtu edhe BE, ata kanë përkrahur Vuçiqin dhe kjo është parë nga Kurti i cili i druhet aksioneve në Kosovë. Mesazhi im është shumë i qartë, dobësia sjell dobësinë, kështu që ne kemi qenë të dobët me Vuçiqin, edhe pse e dimë aleancën e tij të fortë me Rusinë dhe me Kinën ne të gjithë e kemi para Vullin të takohet me Putin dhe Vuçiqi që priti Shi Xhin Ping, gjithashtu ato kanë marrëdhënie të ngushta me Iranin. Kjo është gjendja dhe Kurti thotë unë e shoh sa të dobëte po tregoheni dhe unë po përfitoj dhe ndërkohë tregohet provokativ me serbet e Kosovës dhe ky është një problem i madh”, ka thënë Joseph.

    Ndërkohë, profesor Joseph thekson se zgjidhja mbetet tek hapat e menjëhershëm që fuqitë e mëdha duhet të ndërmarrin duke ndërruar me shpejtësi të gjithë politikën e tyre në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

    “SHBA duhet menjëherë të ndryshojë qëndrimin kundrejt Beogradit dhe pastaj mund të kemi një shans me Prishtinën. Momentalisht SHBA dhe BE po e mbajnë fokusin tek Prishtina dhe çfarë mund t’i bëjnë më shume Kurtit, edhe pse për mendimin tim ajo çfarë po bën Kurti është problematike, por nga ana tjetër liderët nuk po bëjnë asgjë për Vuçiqin, pasi duan përkrahjen e Serbisë për Ukrainën si dhe duan litiumin e këtij vendi. Duhet të jetë e kundërta, sa më shumë presion t’i ushtrojë SHBA dhe BE Vuçiqit, aq më e madhe do të jete përkrahja e tij për Ukrainën dhe do të kemi më shumë shanse të bindim popullin serb që gërmimi për litium nuk dëmton ambientin. Nëse ne do të vazhdojmë të përkrahim Vuçiqin, ne do të humbasim popullin serb pasi ata nuk do të na besojnë për litiumin dhe gjithashtu do të humbasin edhe Albin Kurtin i cili nuk do të na besojë më.”, deklaroi analisti amerikan.

    Marrëdhëniet e liderëve europianë si Macron dhe Scholz me presidentin serb, Vuçiq, për analistin amerikan për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Edward Joseph, janë në ndjekje të politikës se SHBA-së.

    “Macron dhe Scholz po ndjekin pas vijën politike amerikane. Ata mendojnë se t’i shesësh arme Vuçiqit ai do të rrisë përkrahjen për ta, por është e kundërta Vuçiq po përfiton dhe do të vazhdojë politikën e tij destabilizuese në rajon, duke tërhequr pas vetes edhe Kurtin i cili do të vijojë të jetë provokativ me serbet e Kosovës”, theksoi Joseph./RTSH

  • BE mirëpret thirrjet e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në Kosovë

    BE mirëpret thirrjet e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në Kosovë

    Bashkimi Evropian, duke iu referuar masave dhe thirrjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për serbët në Kosovë, u kërkoi të dyja vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

    “Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Ai i bëri komentet në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar disa kërkesa dhe masa të Vuçiqit, që parashtroi javën e kaluar.

    Mes tjerash, ato përfshijnë shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale, të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, si dhe kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre.

    Komunat në veri, aktualisht, udhëhiqen nga shqiptarë, pasi banorët lokalë serbë i bojkotuan zgjedhjet në atë zonë.

    Kryetarët serbë, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të komunitetit dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022, kur tensionet ishin të larta për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

    Stano tha se BE-ja, vazhdimisht, i ka bërë thirrje Beogradit që të inkurajojë riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe Prishtinës që ta mundësojë atë.

    “Marrëveshjet e dialogut i parashikojnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, në përputhje dhe duke respektuar kornizën ligjore të Kosovës”, tha Stano.

    “Në këtë kontekst, impelementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai, duke iu referuar, po ashtu, kërkesës së Vuçiqit për themelimin e këtij asociacioni në Kosovë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka komentuar deri më tash kërkesat e Vuçiqit.

    Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Qeverinë e tij që nga e premtja e kaluar, por nuk ka marrë përgjigje.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Vuçiq po tenton të ruajë në Kosovë “atë që nuk e ka më”.

    “Ai [Vuçiq], faktikisht, po e kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcenim, i cili, ta them të drejtën, nuk na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi, sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë… Është shans i humbur i qytetarëve që kanë mendime të tjera për të marrë pjesë në procesin politik edhe për të qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik. Pas kësaj që ka ndodhur, vendi e ka marrë një drejtim të ri”, tha Konjufca.

    Stano përsëriti thirrjet për shmangien nga retorika nxitëse dhe, siç tha, hapat e njëanshëm.

    “Retorika nxitëse dhe mashtruese, si dhe veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara shkojnë kundër dialogut. Ato vënë në rrezik normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe sigurinë e qytetarëve të tyre”, tha Stano.

    “Rruga përpara për të dyja palët është konfirmimi i angazhimit të tyre konstruktiv në procesin e normalizimit. Rasti i parë për këtë është takimi i kryenegociatorëve më 17 shtator në Bruksel”, tha zëdhënësi i BE-së.

    Radio Evropa e Lirë mori vesh nga burime të besueshme në BE se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, e kanë konfirmuar shkuarjen në Bruksel.

    Nuk është ende e qartë nëse do të kenë takim të përbashkët, apo vetëm veç e veç me zyrtarët e BE-së.

  • ​Përfitimet e inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor diskutohen në Kuvend

    ​Përfitimet e inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor diskutohen në Kuvend

    Në shënimin e Ditës së Demokracisë sot është mbajtur tryeza e diskutimit në Kuvend, “Zgjedhjet dhe teknologjia: Ndikimi në demokracinë moderne”, organizuar nga D4D dhe NDI. Aty u tha se teknologjia është esenciale në organizmin e zgjedhjeve pasi përmirëson dhe lehtëson shërbimet që ndërlidhen drejtpërdrejtë me votuesit, subjektet politike dhe me vëzhguesit e zgjedhjeve.

    Ish drejtori i NDI në Kosovë, Carlo Binda tregoi përfitimet e përdorimit të inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor, mirëpo shtoi se për të siguruar që ai nuk minon bazat e demokracisë duhet të vendosen kornizat adekuate ligjore.

    “Ka disa përfitime nga përdorimi i inteligjencës artificiale në zgjedhje, pavarësisht nëse jeni një komision zgjedhor që përdor inteligjencën artificiale gjeneruese, për shembull, për të zhvilluar materiale për edukimin e votuesve, kjo ju lejon shpejtë të prodhoni materiale të dobishme trajnimi për qendrat e votimit dhe punëtorët që mund të keni dhe dëshironi të punësoni. Ka raste në Shtetet e Bashkuara ku disa nga shtetet janë bashkuar përmes një konsorciumi për të punuar me inteligjencën artificiale për të qenë në gjendje të bëjnë një kontroll të regjistrimit të votuesve dhe ta bëjnë atë proces shumë më efikas, ku zakonisht do të mbështeteshit në qeniet njerëzore dhe analizat njerëzore, tani mund të mbështeteni në inteligjencën artificiale. Por kornizat, kornizat ligjore duhet të jenë të vendosura për të siguruar që përdorimi i inteligjencës artificiale nuk po minon bazat e shprehjes demokratike dhe në Shtetet e Bashkuara, MB, ata tashmë kanë filluar të trajtojnë legjislacionin dhe politikat rreth përdorimit të AI, veçanërisht në procesin demokratik”, tha ai.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se megjithëse digjitalizimi ndihmon procesin zgjedhor, kjo e fundit nuk guxon tërësisht të varet nga teknologjia.

    “Teknologjia është esenciale në kuptimin e organizimit të zgjedhjeve, madje edhe qenësore përtej dëshirës sonë. Në masë të madhe imponohet në kuptimin e zhvillimeve të gjithmbarshme dhe ambientimi që ndodh shoqërisë dhe vet qytetarëve me teknologjinë. Teknologjia sikurse çdo aspekt tjetër i procesit zgjedhor i ka përparësitë dhe mangësitë….Në raport me zgjedhjet teknologjia është e dobishme sidomos në regjistrimin e votuesve, ndarjen e zonave zgjedhore, trajnimin e zyrtarëve të administrimit të zgjedhjeve dhe veçmas për partitë politike në kuptimin e mesazhit elektoral. Kosova është përpjekur të ecë në drejtimin e përfshirjes së teknologjisë në procesin e administrimit të zgjedhjeve, duke synuar të lehtësojë administrimin e zgjedhjeve, por natyrisht me një qasje të kujdesshme në kuptimin që garanton gjithëpërfshirës dhe siguri të procesit zgjedhor”, tha ai.

    Ndërkaq, shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Ableard Tahiri, tha se digjitalizimin e administrimit zgjedhor e kanë pasur prioritet në reformën e miratuar zgjedhore.

    “(Në kuadër të reformës zgjedhor) Kemi arrit me i adresu shumë të meta që kanë qenë në ligjin e kuar dhe që kanë qenë gjithmonë duke u rritur më shumë, pikërisht në ballafaqimin me të rejat e fundit që kanë sjell edhe rrjetet sociale dhe digjitalizimi. Digjitalizimi dhe IA janë një hap përpara dhe ne si shoqëri duhet ta ndjekim me legjislacion dhe rregulla, pasi ligji që ka qenë në fuqi ka pasur kuptim në vitin 2010 por në vitin 2024-2025 nuk ka kuptim. Ajo çka ofron teknologjia, mënyrën e regjistrimit, mënyrën e votimit, numërimit të votave është shumë me avancuar sesa ka qenë para 1 dekade”, theksoi Tahiri.

    Pjesëmarrës në këtë tryezë ishte edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, i cili tha se ky institucion ka arritur t’i digjitalizojë shumë nga operacionet zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Tashmë është e ditur se teknologjia informative po bëhet çdo ditë e më shumë pjesë e pazëvendësueshme e proceseve zgjedhore në vende të ndryshme të botës dhe natyrisht edhe në Kosovë. Teknologjia informative ofron mundësi të shumta që i ndihmojnë institucioneve të menaxhimit të zgjedhjeve, siç është KQZ-ja, që të përmirësojnë efikasitetin e zgjedhjeve, transparencën dhe rrjedhimisht besueshmërinë e qytetarëve dhe të akterëve të tjerë në procesin zgjedhor…Në javën e parë pas shpalljes të datës së zgjedhjeve, KQZ ka pranuar softuerin e zhvilluar me ndihmën e Misionit të OSBE-së në Kosovë, përmes së cilit digjitalizohen shumë nga operacionet zgjedhore, avancohen disa prej shërbimeve që ekzistonin më herët dhe përmbushen kërkesat e reja që dalin nga Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme. Përgjithësisht, përmes softuerit, KQZ do të përmirësojë dhe lehtësojë shërbimet që ndërlidhen drejtpërdrejtë me votuesit, subjektet politike dhe me vëzhguesit e zgjedhjeve”, tha ai./KP/