ATV

Tag: Ballina

  • Osmani sot në Departamentin amerikan të Shtetit

    Osmani sot në Departamentin amerikan të Shtetit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të takohet sot me një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) në Shtetet e Bashkuara.

    DASH-i njoftoi në uebsajtin e vet se Osmani do të takohet me Louis L. Bonon, zyrtarin e lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

    Presidenca e Kosovës nuk ka njoftuar për ndonjë takim të tillë.

    Bono e mori detyrën më 20 janar, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e filloi zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe Osmani do të jetë udhëheqësja e parë kosovare që takohet me një zyrtar të administratës Trump.

    Bono është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm dhe së fundmi ka shërbyer si këshilltar i lartë për Negociatat në Kaukaz.

    Ai ka punuar edhe në Ambasadën amerikane në Berlin, si dhe ka qenë zëvendëspërfaqësues i përhershëm në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë dhe në Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

    Osmani, e cila e kishte uruar Trumpin për fitimin e zgjedhjeve në nëntor, në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës në fund të vitit të kaluar bëri thirrje para deputetëve për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.

    Ajo tha asokohe se aleanca e Kosovës me vendet e tjera është “më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.

    Osmani i bëri ato thirrje në një kohë kur Qeveria e Kosovës po kritikohej nga bashkësia ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe, të cilat lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.

    Vizita e Osmanit në DASH vjen dy ditë pasi i dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

    Grenell – ish-ambasador amerikan në Berlin – i bëri këto kritika në rrjetin social X, më pak se një javë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 9 shkurt.

    Radio Evropa e Lirë kontaktoi kabinetin e kryeministrit Kurti, në lidhje me këto komente, por nuk mori përgjigje.

    Kurti i ka justifikuar ato veprimet si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

    James O’Brien, i cili në administratën e paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit, ka thënë se Kurti, me veprime të tilla, ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

    Edhe pas kësaj deklarate, Kurti ka këmbëngulur se SHBA-ja mbetet partnerja më e rëndësishme e Kosovës.

  • ​Mbi 200 mijë euro gjoba për vendosje të posterëve, prin LDK-ja

    ​Mbi 200 mijë euro gjoba për vendosje të posterëve, prin LDK-ja

    Rreth 210 mijë euro është vlera e gjobave të shqiptuara për partitë politike për shkelje të Kodit të Mirësjelljes. Që nga fillimi i fushatës zgjedhore, PZAP ka marrë mbi 50 vendime dënuese mbi vendosjen e materialit zgjedhor në kundërshtim me ligjin në fuqi. Organizatat që monitorojnë fushatën zgjedhore thonë se Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e cila prin me numrin më të madh të rasteve ku ka përdorur hapësirat publike për të vendosur banera dhe postera të partisë.

    Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku thotë se ka raste kur janë shfrytëzuar edhe hapësirat private pa lejen e pronarëve për të vendosur postera.

    “Që nga fillimi i fushatës zgjedhore, data 11 janar 2025, është hasur një numër i madh i banerëve apo i posterëve të vendosura nëpër hapësira publike nga ana e subjekteve politike në Kosovë. Aktualisht prin Lidhja Demokratike e Kosovës, është si parti që më së shpeshti i ka përdorur këto hapësira publike për të vendosur banera dhe postera të partisë dhe kandidatëve të tyre në zgjedhjet e datës 9 shkurt. Megjithatë, me gjithë këto vendosje të posterëve, jo vetëm LDK por gjithë subjektet tjera konsideroj që kanë bërë shkelje të rregullave dhe Kodit të Mirësjelljes së fushatës zgjedhore për faktin sepse i kanë shfrytëzuar hapësirat publike në kundërshtim me ligjin dhe madje në disa raste kanë shfrytëzuar hapësirat private pa lejen e pronarëve ku kanë vendosur postera nëpër ndërtesa private”, deklaron Bugaqku.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, siç shton ai, ka nxjerrë mbi 50 vendime dënuese për shkelje të ligjit në fuqi.

    “PZAP që nga fillimi i fushatës zgjedhore ka nxjerrë mbi 50 vendime dënuese mbi vendosjen e materialit zgjedhor në kundërshtim me ligjin në fuqi. Ku janë shqiptuar rreth 210 mijë euro gjobë për gjitha subjektet politike të cilat kanë kundërshtuar ligjin apo Kodin e Mirësjelljes”, shton ai.

    Viona Bunjaku nga “Lëvizja Fol” thotë se shfrytëzimi i hapësirave publike për të bërë fushatë është shndërruar në “traditë të zgjedhjeve”.

    “Shfrytëzimi i hapësirave publike nga partitë politike pothuajse është shndërruar në një traditë të zgjedhjeve dhe të partive politike. Sepse ato vazhdimisht e përsëritin të njëjtin gabim në çdo fushatë zgjedhore. Pra, sa herë që kemi zgjedhje ne shohim billborde dhe të tjera shfrytëzime të hapësirës publike…Tashmë kemi parë që billbordet po vendosen edhe në stacione të autobusëve ku njerëzit presin, normalisht që ajo është një strategji e partisë për ta shfrytëzuar atë pjesë ku e frekuentojnë më shumë qytetarët. Mirëpo, kjo është në kundërshtim me rregullat që vendos edhe Paneli Zgjedhor për Ankesa edhe me dispozitat ligjore që shfrytëzimi i hapësirave publike dhe resurseve publike nuk mund të bëhet gjatë fushatës zgjedhore”, përfundon Bunjaku.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur me 12 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës për shkak të vendosjes së posterëve të disa kandidatëve në stacionet për pritje të autobusëve.

    Gjatë kësaj jave, PZAP ka shqiptuar gjobë edhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje prej 35 mijë euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike.

  • ​Ndalja e ndihmave të SHBA-së, GAP: Ndikoi në rreth 18 projekte të USAID në Kosovë

    ​Ndalja e ndihmave të SHBA-së, GAP: Ndikoi në rreth 18 projekte të USAID në Kosovë

    Instituti GAP ka njoftuar se urdhri i Presidentit të SHBA 🇺🇸 për ndalimin e përkohshëm të ndihmës së huaj për 90 ditë, në Kosovë i ndikon rreth 18 projekte aktive të financuara nga USAID që japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit.

    “Disa prej tyre kanë filluar që para pandemisë dhe shumica prej tyre zbatohen nga kompani amerikane e disa më të vogla nga organizata vendore”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, përfituesit kryesorë përfshijnë institucione publike si komunat, ministritë, agjencitë e pavarura, universitetet, gjykatat, e po ashtu mediat, sektorin privat dhe organizatat e shoqërisë civile.

    Lidhur me ndihmën e USAID-it në Ballkanin Perëndimor, ka reaguar edhe Richard Grenell, i cili sot zyrtarisht ka marrë detyrën e emisarit për misione të posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është ndal edhe një herë të shpenzimet që bën USAID, në Ballkanin Perëndimor, për të cilat kanë thënë se janë alarmante.

    Ai ka shkruar në X, se amerikanët e palodhur paguajnë taksa, kurse politikanët në Uashington DC i shpenzojnë ato para në mënyrë të pamatur.

    Sipas tij, miliarda dollarë u janë dhënë OJQ-ve të krahut të majtë për të nxitur politika radikale në vende të tjera. Ja një fragment nga USAID.

    “Shpenzimet e USAID-it në Ballkanin Perëndimor (2020-24). Kosovë: 537 milionë dollarë, Bosnja: 402 milionë dollarë, Maqedonia veriore: 290 milionë dollarë, Serbia: 209 milionë dollarë, Shqipëria: 189 milionë dollarë, Mali i Zi: 77 milionë dollarë. Totali i ËB6: 1.7 miliardë dollarë.

    Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio njoftoi se ka marrë postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

    Rubio tha se “funksionet e USAID-it” duhet të përputhen me politikën e jashtme të SHBA-së dhe se ajo është “një agjenci krejtësisht e papërgjegjshme”, raporton CNN.

    Rubio tha se “ia ka deleguar autoritetin” dikujt tjetër me të cilin është në komunikim.

    Ai pohoi se shumë funksione të USAID-it do të vazhdojnë por të njëjtat, theksoi ai, duhet të jenë në linjë me politikën e jashtme amerikane.

    Mediat e huaja kanë raportuar më herët se presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar mbylljen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila është themeluar në vitin 1961 gjatë administratës së Presidentit John F. Kennedy dhe ka shërbyer si krahu humanitar i qeverisë amerikane.

    Lexo po ashtuPDK kërkon drejtësi për çlirimtarët, siguri për Kosovën dhe mobilizim për fitoreNë Uashington, selia e USAID u mbyll ditën e hënë, me punonjësit që morën një email ku u njoftuan të qëndronin në shtëpi.

    Rreth 60 punonjës të lartë të USAID u vendosën në pushim javën e kaluar nën akuzat se po tentonin të shmangnin një urdhër ekzekutiv të Trumpit që pezullon ndihmën e huaj për 90 ditë, duke çuar në konfuzion të gjerë dhe mbyllje të disa programeve të agjencisë.

    Ky zhvillim vjen pas një urdhri ekzekutiv të Trump, i cili nisi pezullimin e të gjithë ndihmës së huaj për 90 ditë menjëherë pas betimit të tij muajin e kaluar.

    Kjo ka shkaktuar një valë reagimesh dhe ndërprerje të punës për shumë punonjës të USAID.

  • Specialja dënon me burgim Shalën, Januzin dhe Bahtijarin

    Specialja dënon me burgim Shalën, Januzin dhe Bahtijarin

    Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë shpallur fajtorë dhe kanë dënuar Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë. Kështu trupi gjykues pranoi marrëveshjen e fajësisë që të akuzuarit arritën më herët me Prokurorinë e Specializuar.

    Shala u dënua me tre vjet burgim, ndërkaq Bahtijari dhe Januzi me dy vjet burgim.

    Në nisje të seancës, tre të akuzuarit u deklaruan se janë pajtuar që të paguajnë në total 500 euro për zhdëmtimin e viktimës në këtë rast, të identifikuar vetëm si “viktima 01”. Sipas marrëveshjes, 400 euro do t’i paguajë Shala, 100 Januzi, ndërkaq Bahtijari nuk do të paguajë për zhdëmtim. Kjo shumë duhet t’i paguhet viktimës deri më 19 shkurt.

    Shala, Januzi dhe Bahtijari e pranuan fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe për pengim të drejtësisë, pasi arritën marrëveshje me Prokurorinë e Specializuar për pranim të fajësisë në fund të dhjetorit 2024.

    Në marrëveshjen e tyre me Prokurorinë lidhur me pranimin e fajësisë, Shala u pajtua me një dënim deri në tri vjet burgim, Januzi me një dënim nga 24 deri në 30 muaj, ndërsa Bahtijari u pajtua se, në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apeli ndaj vendimit.

    Që të tre akuzoheshin se kishin bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar të mos dëshmonte para Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

    Nuk është bërë e ditur se për cilin dëshmitar bëhej fjalë, e as në cilin rast parashihej të dëshmonte ai.

    Bahtijari dhe Januzi u arrestuan në tetor 2023, ndërsa Shala në dhjetor 2023. Koha e kaluar në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë prej atëherë, do t’iu llogaritet në vuajtjen e dënimit, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Aktakuza e konfirmuar për tre të akuzuarit më 10 korrik të vitit 2023, thotë se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023 Haxhi Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, kontaktuan një dëshmitar.

    Më saktësisht, sipas aktakuzës, Ismet Bahtijari i bëri një vizitë dëshmitarit në shtëpinë e tij më 5 prill ndërsa Sabit Jonuzi bëri një vizitë më 12 prill.

    Tutje në aktakuzë thuhet se dëshmitarit iu kërkua tërheqja e dëshmisë dhe iu ofruan benefite në këmbim.

    Vepra në grup, sipas Prokurorisë, u krye nën direktivën e Haxhi Shalës.

    Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

    Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

    Ndërkaq, më 6 dhjetor 2024 Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

    Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

    Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL

  • Gjendet një raketahedhës në kufiri me Serbinë, Elshani: Deri tani nuk ka të dyshimtë dhe as të arrestuar

    Gjendet një raketahedhës në kufiri me Serbinë, Elshani: Deri tani nuk ka të dyshimtë dhe as të arrestuar

    Policia e Kosovës gjatë patrullimit në zonën kufitare me Serbinë kanë hasur në një raketahedhës M80 e kalibrit 64 milimetra.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës në veri, Veton Elshani, ka konfirmuar se fillimisht autoritetet e rendit kishin hasur në një qese najloni për të vërejtur më pas se kishte të bënte me një raketahedhës.

    “Rasti ka ndodhur dje rreth orës 16.00 derisa policët ishin në patrullim në zonën kufitare të Zubin Potokut në afërsi të fshatit Kleqkë. Pasi ka arrit në vend ngjarje edhe forenzika rajonale kemi vërejt se kemi të bëjmë me një raketahedhës”, tha Elshani.

    Sipas tij deri më tani, nuk ka të dyshimtë dhe as të arrestuar por zona ku është gjendur mjeti është shumë afër kufirit me Serbinë.

  • Afati për regjistrimin e personave me nevoja të veçanta për votim, mbyllet më 5 shkurt

    Afati për regjistrimin e personave me nevoja të veçanta për votim, mbyllet më 5 shkurt

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se afati për regjistrim për votim të personave me nevoja të veçanta është deri më 5 shkurt 2025 në ora 16:00.

    Sipas njoftimit nga KQZ regjistrimi duhet të bëhet përmes platformës elektronike në uebfaqe www.kqz-ks.org duke klikuar butonin “Regjistrimi i Personave me Nevoja të Veçanta” ose përmes zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën tuaj.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju mundëson pjesëmarrjen në zgjedhje personave që, për arsye të ndryshme nuk mund të shkojnë në vendvotim. Këta persona mund të regjistrohen për të votuar në shtëpi ose në vendet e tjera ku gjenden, siç janë spitalet, shtëpitë e moshuarve, apo edhe për ata që janë në arrest shtëpiak”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

  • Katër raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve

    Katër raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve

    Policia e Kosovës ka bërë njoftuar për katër raste të dhunës në familje për 24 orët e fundit, raporton Ekonomia Online.

    Njëri rast është paraqitur si dhunë në mes dy meshkujve, derisa në tri rastet tjera dhuna është ushtruar ndaj femrave

    Rastet e raportuara kanë ndodhur në Prishtinë, Lipjan dhe Prizren.

    Prishtinë / 03.02.2025 – 13:00. Pas një mosmarrëveshje mes dy të dyshuarve meshkuj kosovarë, lëndime trupore kanë pësuar dy të dyshuarit dhe viktima mashkull kosovar dhe si pasojë kanë pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Prishtinë / 01.02.2025 – 18:45. Më 03.02.2025 është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka shkuar tek familja e saj ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

    Lipjan / 03.02.2025 – 14:50. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti në procedurë hetimore.

    Prizren / 03.02.2025 – 09:35. Është arrestuar i dyshuari shtetas turk për shkak se i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Kina: Tarifat e SHBA shkelin seriozisht rregullat e OBT-së

    Kina: Tarifat e SHBA shkelin seriozisht rregullat e OBT-së

    Në një deklaratë që njoftonte tarifat hakmarrëse, Ministria e Financave e Kinës akuzoi administratën Trump për shkeljen e rregullave të tregtisë ndërkombëtare.

    Njoftimi i Kinës sinjalizon gatishmërinë e Pekinit për të miratuar një përgjigje të vogël ndaj tarifave amerikane, duke habitur disa vëzhgues, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    “Vendosja e njëanshme e tarifave nga SHBA-ja shkel seriozisht rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ajo jo vetëm që nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve të veta, por gjithashtu minon bashkëpunimin normal ekonomik dhe tregtar midis Kinës dhe SHBA-së.”

    Megjithatë, ndryshe nga tarifat e vendosura nga SHBA, të cilat synojnë të gjitha mallrat kineze, taksat e importit të Kinës do të synojnë vetëm disa lloje të produkteve.

  • Osmani kërkon drejtësi për qytetarët e vrarë para 25 vjetësh në Mitrovicë

    Osmani kërkon drejtësi për qytetarët e vrarë para 25 vjetësh në Mitrovicë

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka kujtuar dy netët e tmerrit që përjetuan qytetarët në pjesën veriore të Mitrovicës, më 3 dhe 4 shkurt 2000. Në këtë ngjarje të tmerrshme u vranë 10 njerëz të pafajshëm.

    “Në përvjetorin e 25-të, kujtojmë dy netët e tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës, nderojmë me respekt të thellë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, në mesin e të cilëve pleq, gra dhe fëmijë – që u vranë mizorisht nga bandat kriminale të nxitura nga Serbia. Në këtë sulm brutal u plagosën edhe 24 qytetarë, të cilët janë dëshmi e barbarisë së atyre dy netëve”, ka shkruar Osmani.

    Ajo ka thënë se dëshmi e dhimbshme janë edhe 1,564 familje, me gjithsej 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre, duke dëshmuar qartë përpjekjet për spastrim etnik në këtë pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale.

    “Këto ditë janë një kujtesë e fuqishme e rezistencës dhe përpjekjes për të qëndruar në vatrat e tyre, por edhe e nevojës për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë. Drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i autorëve të këtyre krimeve mbeten një domosdoshmëri për paqen e qëndrueshme. Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët e vrarë me 3-4 shkurt!”, thotë Osmani.

  • Aksident i rëndë te rruga ‘B’ në Prishtinë, 7 automjete të përfshira – 5 persona të lënduar

    Aksident i rëndë te rruga ‘B’ në Prishtinë, 7 automjete të përfshira – 5 persona të lënduar

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në rrugën ‘B’ në Prishtinë, ku të përfshira kanë qenë shtatë automjete.

    Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, ku zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti dha më shumë detaje.

    Si pasojë e këtij aksidenti, bazuar në të dhënat fillestare, pesë persona janë lënduar.

    “Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘B’ në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira shtatë automjete (4 prej tyre në lëvizje ndërsa 3 të parkuara). Bazuar në të dhënat fillestare, si pasojë e aksidentit janë lënduar pesë persona”, tha Ahmeti.