ATV

Tag: Ballina

  • Voton presidentja Vjosa Osmani: Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajon

    Voton presidentja Vjosa Osmani: Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajon

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, kanë votuar në zgjedhjet e rregullta parlamentare, në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik.

    Pas hedhjes së votës, Osmani tha sot është ditë e rëndësishme për vendin tonë.

    Osmani ftoi të gjithë qytetarët që të dalin të votojnë.

    “Kjo ditë është jashtëzakonisht e rëndësishme për demokracinë e vendit tonë. Siç e dini Kosova është demokracia më e zhvilluar dhe duhet ta mbajmë të tillë duhet ta zhvillojmë më tej. Sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të japin kontribut në këtë drejtim duke marrë pjesë në momentin më të rëndësishëm në të cilin determinohet pjesa e Parlamentit pastaj edhe institucionet e tjera. Shpresoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës anë e mbanë botës, moti është i mirë dhe me diell kështu që është më lehtë për të votuar”, ka thënë Osmani.

    Sipas saj, nga sot determinohet parlamentit dhe institucionet e tjera.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • KQZ: Deri në orën 11:00, pjesëmarrja në votime arrin 8.6%

    KQZ: Deri në orën 11:00, pjesëmarrja në votime arrin 8.6%

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka raportuar se deri në orën 11:00 të ditës së sotme, pjesëmarrja në votime ka arritur në 8.58%, që përkthehet në 169,032 votues nga 1,970,944 qytetarë me të drejtë vote, raporton ATV.

    Sipas kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, këto të dhëna janë mbledhur nga 2,343 vendvotime nga gjithsej 2,533 në mbarë vendin.

    Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kur deri në këtë orë kishin votuar 8.30% ose 145,650 qytetarë, pjesëmarrja është pak më e lartë.

    Për më shumë detaje mbi numrin e votuesve në çdo komunë dhe qendër votimi, qytetarët mund t’i referohen uebfaqes së KQZ-së, ku të dhënat përditësohen në kohë reale. /ATVLIVE.TV

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Special të ATV-së për Zgjedhjet Parlamentare 2025, në videon më poshtë:

  • DnV: 9 për qind e vendvotimeve hapen me vonesë – Arsyeja kryesore, mungesa e komisionerëve

    DnV: 9 për qind e vendvotimeve hapen me vonesë – Arsyeja kryesore, mungesa e komisionerëve

    Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 500 vëzhgues statikë, të cilët janë prezentë në 500 vendvotime, të përcaktuara në bazë të mostrës përfaqësuese të rastësishme, raporton EO.

    Ismet Kryeziu nga DNV-ja tha se vëzhguesit e këtij koalicioni gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit dhe deri tek përfundimi i procesit të numërimit të votave të subjekteve politike.

    Të drejtë vote për zgjedhjet brenda Kosovës kanë 1,970,944 votues, prej të cilëve 125,852 janë votues që do të votojnë për herë të parë.

    “Pas procesit të votimit që u zhvillua dje në 19 misionet diplomatike të Kosovës, ku votuesit që jetojnë jashtë kishin për herë të parë mundësinë të votojnë fizikisht nëpër misionet diplomatike, DnV beson se një atmosferë e njëjtë demokratike do të përcillet edhe në zgjedhjet që po mbahen sot në Kosovë. Hapja e vendvotimeve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë gjithsej 2,589 vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 9% e vendvotimeve. Është raportuar se shkaku i vonesave në hapjen e vendvotimeve ka qenë mungesa e komisionerëve, dhe kjo ka ndodhur në 6% të vendvotimeve. Aranzhimi i vendvotimeve është bërë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga KQZ-ja,” tha ai.

    Kryeziu shtoi se nuk është raportuar asnjë rast kur kabinat e votimit nuk janë vendosur në këndet e vendvotimeve, që mund të cenonin fshehtësinë e votës. Po ashtu, ai theksoi se nuk është raportuar për raste të vendosjes së kamerave në një mënyrë që mund ta cënonte fshehtësinë e votës.

    “Ambienti dhe siguria rreth Qendrave të Votimit, edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100 metra të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në 3% të Qendrave të Votimit. Policia është duke u kujdesur për sigurinë e procesit të votimit, në përputhje me përcaktimet ligjore. Nuk është raportuar asnjë rast kur kanë munguar forcat policore. E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje, si e drejtë universale, duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Personat me aftësi të kufizuara duhet të kenë mundësi të barabarta për të marrë pjesë në jetën publike dhe politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 20% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate (pjerrina) që u mundëson personave me aftësi të kufizuara qasje në objekt,” tha Kryeziu.

    Në lidhje me informimin e votuesve për të votuar saktë, ai theksoi se me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në 2023, kanë ndryshuar edhe disa elemente të votimit, siç është vota preferenciale.

    “ në këto zgjedhje, votuesit do të mund të votojnë deri në 10 kandidatë, nga 5 sa ka qenë e lejuar në zgjedhjet parlamentare paraprake. Rrjedhimisht, secila Qendër e Votimit duhet të ketë vendosur në hyrje instruksione të qarta për të gjitha rregullat e votimit. Sidoqoftë, vëzhguesit tanë kanë raportuar se posterët informues kanë munguar në 15% të Qendrave të Votimit.”

    Pjesëmarrja e grave në Këshillat e Vendvotimeve, prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për pjesëmarrje të barabartë. Është raportuar se në të paktën 73% të vendvotimeve ka prani të komisionereve gra. Rikujtojmë se pjesëmarrja e grave në cilësinë e komisionereve në vendvotime në zgjedhjet e kaluara ishte rreth 31%,” tha ai.

    Kryeziu shtoi se janë raportuar dy incidente në hapjen e vendvotimeve, kur vëzhguesve të DnV-së në komunën e Prizrenit u është mohuar qasja në informata nga kryesuesit e vendvotimeve, përkatësisht në Qendrën e Votimit Abdyl Frashëri 2002/05 dhe Motrat Qirazi 2003/07.

  • Votimi në një qendër në Malishevë fillon pa vëzhgimin e kamerave

    Votimi në një qendër në Malishevë fillon pa vëzhgimin e kamerave

    Procesi zgjedhor ka nisur sot në Kosovë, por në një qendër votimi në Malishevë, konkretisht në Gjimnazin “Hande Berisha”, votimi ka filluar pa vëzhgimin e kamerave për shkak të mungesës së energjisë elektrike për pajisjet e tyre, raporton ATV.

    Menaxheri i qendrës, Izet Hoti, ka sqaruar se arsyeja lidhet me mungesën e kabllove vazhduese, të cilat ende nuk kanë mbërritur.

    Ndërkohë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se vendosja e kamerave në vendvotime nuk cenon fshehtësinë e votës, pasi ato nuk regjistrojnë procesin e votimit të qytetarëve, por vetëm sigurojnë rregullsinë e procesit. /atvlive.tv

  • Përfundon procesi zgjedhor në Washington dhe New York

    Përfundon procesi zgjedhor në Washington dhe New York

    Ambasada e Kosovës në Washington dhe Konsullata në New York, janë të fundit në të cilat ka përfunduar procesi zgjedhor.

    Bashkatdhetarët patën të drejt të votojnë në 43 vendvotime në Ambasada dhe Konsullata të Kosovës në botë, një ditë para zgjedhjeve.

    Por, për shkak të dallimit të kohës lokale, ato në SHBA u hapen të fundit, për t’u mbyllur kësisoj të fundit.

    “Falënderojmë të gjithë që votuan sot si dhe ata që kanë zgjedhur votimin përmes postës, ndërkaq mirënjohje të thellë për të gjithë kolegët e përfshirë për bashkëpunimin, punën e palodhshme dhe profesionale duke mundësuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, në Ambasadën në Washington të drejt vote patën 78 shtetas të Republikës së Kosovës, ndërkaq në Konsullatën në New-York, të drejt vote patën 619 bashkatdhetarë.

    Kjo është hera e parë, që qytetarëve të Kosovës, iu lejohet të ushtrojnë të drejtën e votës në një objekt diplomatik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në të dhënat e fundit të KQZ-së, 71.16 përqind e votuesve të regjistruar për votim (14 mijë e 463) në Ambasada/Konsullata kanë ushtruar të drejtën e votës, pa llogaritur ata në ShBA.

    Po ashtu edhe mijëra mërgimtarë kanë votuar edhe përmes postës, në ditët e kaluara.

  • Kryetari i KQZ-së voton i pari

    Kryetari i KQZ-së voton i pari

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka shfrytëzuar të drejtën e tij për votë.

    Ai ka votuar në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Pejë.

    Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka votuar sot në orën 07:00 të mëngjesit në Pejë, atëherë edhe kur u hap qendra e votimit, gjersa ka thënë se gjithçka është sot gati në ditën e zgjedhjeve.

    Radoniqi në një deklaratë për media tha se beson që të gjitha qendrat e vendvotimeve janë hapur në komuna, megjithatë informata të sakta tha se do të jepen më vonë.

    “Ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote të votojnë për përfaqësuesit e tyre… Ftoj të gjithë qytetarët dhe akterët që në këtë ditë zgjedhore të respektojnë ligjet dhe rregullat zgjedhore për një proces zgjedhor të qetë e demokratik”, tha ai

    I pari i KQZ foli edhe për procesin zgjedhor në diasporë, i cili proces tha se ka shkuar për së mbari dhe pa asnjë problem.

    Ai njoftoi se diku mbi 15 mijë persona kanë votuar në diasporë, pa i numëruar votat përmes postës.

  • ​Radoniqi bën thirrje për proces zgjedhor të qetë dhe demokratik

    ​Radoniqi bën thirrje për proces zgjedhor të qetë dhe demokratik

    Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka ushtruar të drejtën e tij për votë në zgjedhjet parlamentare që po mbahen në Kosovë.

    Radoniqi është personi i parë i cili voton dhe hap këtë proces zgjedhor, të parin të rregullt që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.

    Derisa, Radoniqi ka votuar në Qendrën e Votimit “Lidhja e Prizrenit” në Pejë bëri thirrje për proces zgjedhor të qetë dhe demokratik.

    Teksa ftoi qytetarët të votojnë kryesuesi i KQZ-së u shpreh se i gjithë materiali sensitiv dhe jo sensitiv është shpërndarë me kohë në të gjitha Qendrat e Votimit.

  • ​Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës

    ​Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës

    Të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës janë hapur me kohë për zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në vendin tonë.

    Janë gjithsej gjashtë qendra me 24 vendvotime, ndërsa 18 mijë e 781 qytetarë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

    Në kohën kur po raportojmë, në njërën prej qendrave të votimit që është shkolla e mesme teknike ‘Mihajlo Petroviq-Alas’, numri i qytetarëve të interesuar për të marrë pjesë në këtë proces është i vogël.

    Ndryshe, në katër komunat veriore të vendit, Leposaviq, Zvecan, Zubin Potok dhe Mitrovicë Veriore, janë gjithsej 44 qendra të votimit me 74 vendvotime, ku do të mund të votojnë 46 mijë e 703 qytetarë./kp

  • Kosova voton

    Kosova voton

    Qytetarët e Republikës së Kosovës sot ushtrojnë të drejtën e votës – në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.

    Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

    Për herë të parë votojnë mbi 125 mijë të rinj, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit, është 104 mijë e 924.

    Për herë të parë, diaspora votoi nëpër përfaqësi diplomatike. Votimi përmes postës ka nisur nga 9 janari.

    Në garë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë 28 subjekte politike me gjithsej 1280 kandidatë për deputetë. Për kryeministër garojnë 4 kandidatë.

    Për dallim nga zgjedhjet ë mëparshme, heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit – 7:00 të mëngjesit deri 19:00 në mbrëmje.

    Janë 941 qendra të votimit, prej të cilave 903 për votim të rregullt – me 2 mijë e 533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit me kusht (nga një për çdo komunë) me 56 vendvotime.

    Sipas Ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, në ditën e zgjedhjeve në vendvotime do të numërohet pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike, ndërkaq një ditë pas, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit – votat për kandidatë për deputetë.

    Për herë të parë, qytetarët do të kenë mundësi të votojnë dhjetë kandidatë për deputetë.

    Zgjedhjet parlamentare do të monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian.

    KosovaPress do t’i mbulojë drejtpërdrejt zgjedhjet parlamentare në vendin tonë. Ekipi ynë në teren do të sjell në kohë reale të gjitha zhvillimet që lidhen me procesin zgjedhor, deri në orë të vona të natës./KP

  • Zgjedhjet 2025 – Mërgimtarët në Gjermani e Danimarkë presin në radhë për të votuar

    Zgjedhjet 2025 – Mërgimtarët në Gjermani e Danimarkë presin në radhë për të votuar

    Për herë të parë në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës po mbahet procesi i votimit për diasporën.

    Për zgjedhjet e 9 shkurtit, diaspora nisi sot votimin nga ora 07:00, sipas kohës lokale.

    Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka publikuar fotografi të bashkatdhetarëve, të cilët i janë drejtuar vendvotimeve në misionet diplomatike dhe konsullore.

    “Ditë historike – Votimi për herë të parë në misionet tona diplomatike dhe konsullore në Gjermani dhe Danimarkë! Sot, për herë të parë në historinë e shtetit tonë, qytetarët e Republikës së Kosovës po ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në misionet tona diplomatike dhe konsullore në Berlin, Düsseldorf, Frankfurt, Hamburg, Kopenhagë, München dhe Stuttgart”, ka shkruar ai në Facebook.