ATV

Tag: Ballina

  • Sylejman Selimi vazhdon dëshminë në Speciale

    Sylejman Selimi vazhdon dëshminë në Speciale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit po vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Edhe sot po vazhdon dëshminë ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, i cili është dëshmitari i 121 i Prokurorisë speciale.

    Selimi është thirrur për të dëshmuar nga ZPS-ja, ndërsa është caktuar një avokat për të ndihmuar dëshmitarin, duke siguruar se ai mund të kërkojë udhëzime në lidhje me aspekte të vetinkriminimit të mundshëm.

    Në përgjigje ndaj kërkesës së dëshmitarit, Trupi Gjykues, në përputhje me rregullën 151, e siguroi dëshmitarin se dëshmia e tij nuk do të përdorej kundër tij në ndjekje penale të mëvonshme para Dhomave të Specializuara.

    I pyetur nga Trupi Gjykues, Selimi bëri të ditur se dëshiron që dëshmia të kryhet në seancë të hapur.

  • Osmani në Samitin për inteligjencë artificiale: Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim

    Osmani në Samitin për inteligjencë artificiale: Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin ndërkombëtar për veprim mbi inteligjencën artificiale.

    Ajo ishte e ftuar në darkën e organizuar nga ana e presidentit të Francës, Emanuel Macron. Pos Osmanit në këtë evet kanë qenë edhe drejtues e liderë tjerë.

    Lidhur me këtë Osmani është shprehur se momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim.

    ‘’Momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim. Së bashku me Presidentin Macron, Zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, Kryeministrin indian Narendra Modi, atë kanadez Justin Trudeau, e shumë liderë të tjerë botëror, si dhe liderë të disa prej kompanive më të mëdha botërore si Google, Open AI, Alibaba, etj, kishim mundësi të diskutojmë tema të rëndësishme në interes të qytetarëve që përfaqësojmë’’, është shprehur Osmani.

  • PDK-ja e AAK-ja refuzojnë koalicionin me LVV-në, LDK-ja ende pa qëndrim: A po futet Kosova në pasiguri pasgjedhore?

    PDK-ja e AAK-ja refuzojnë koalicionin me LVV-në, LDK-ja ende pa qëndrim: A po futet Kosova në pasiguri pasgjedhore?

    Dy parti opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e hodhën poshtë mundësinë e lidhjes së ndonjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Bedri Hamza, i cili ishte kandidat i PDK-së për kryeministër, tha se kjo parti nuk do të hyjë në asnjë koalicion që përfshin partinë e kryeministrit Albin Kurti.

    “Kemi dallime të mëdha”, tha Hamza në një konferencë për gazetarët, të hënën në Prishtinë.

    “Ata [Vetëvendosje] duan pushtet absolut dhe nuk kanë program. Gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi edhe në debate televizive. I ofenduan kundërshtarët politikë dhe qytetarët. Nxitën urrejtje, kurse ne bashkim dhe bashkëpunim”, shtoi Hamza.

    Me mbi 99 për qind të votave të numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me rreth 41 për qind, PDK-ja me mbi 22%, LDK-ja me mbi  17% dhe AAK-Nisma me mbi 7.5 %.

    Por, për të pasur shumicën në Kuvend, një partie i duhen së paku 61 deputetë nga 120 sa ka ky institucion gjithsej.

    Dje, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e përjashtoi mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se preferon krijimin e një qeverie nga partitë opozitare.

    “Me kënaqësi do të kishim bashkëpunuar me subjektet politike opozitare shqiptare, për të krijuar shumicën që realisht është e mundur”, tha Haradinaj, kandidat i AAK-së për kryeministër, në një konferencë për gazetarë.

    “Është në nderin tim që ta ndihmoj një qeveri të opozitës – assesi me Vetëvendosjen”, theksoi ai.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se LDK-ja pret numërimin e plotë të votave përpara se të dalë me qëndrimet e saj politike.

    “Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura, sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK-ja do t’i ofrojë qëndrimet e veta politike”, tha Abdixhiku.

    Ai nuk e komentoi thirrjen e Haradinajt për një qeveri të opozitës. Ngjashëm edhe zyrtarë të PDK-së, që folën për REL-in, thanë se nuk e kanë komentuar idenë e tij në parti.

    Duke iu drejtuar mbështetësve një natë më herët, Kurti, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2021, tha se partia e tij do të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm, por pa dhënë detaje se si apo në aleancë me kë.

    Përkundër fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje pësoi humbje të mbështetjes për gati 10%, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

    Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kurti nuk është shumë i interesuar për ta bërë qeverinë e re.

    “Kurti ka qenë i interesuar për ta ruajtur rezultatin që ka pasur, por me më shumë se 100 mijë vota të humbura, vështirë se do t’i qaset bërjes së qeverisë. Unë mendoj se edhe opozita nuk ka unitet për ta bërë qeverinë”, thotë Paçarizi

    Ai shton se vendi, “fatkeqësisht, mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, përmes disa akrobacioneve kushtetuese dhe ligjore, duke e vonuar deri në maksimum konstituimin e Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve”.

    Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ishin të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

    Pjesëmarrja e qytetarëve në to ishte pak mbi 40 për qind.

    Bashkimi Evropian e mirëpriti organizimin e zgjedhjeve në, siç tha, atmosferë të qetë./Radion Evropa e Lirë

  • Misioni nga BE-ja sot me deklaratë rreth zgjedhjeve në Kosovë

    Misioni nga BE-ja sot me deklaratë rreth zgjedhjeve në Kosovë

    Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, njëherësh deputete e Parlamentit Evropian, sot do të prezantojë deklaratën preliminare të misionit rreth zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të dielën në Kosovë.

    Ndryshe Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian që është përbërë mbi 100 persona kanë qenë në terren në mbarë Kosovën.

    Përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian, Kaja Kallas kishte vendosur të dërgojë në Kosovë këtë Mision të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare.

    Sipas BE-së, prania e misionit në terren synon të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, duke i lejuar votuesit e Kosovës të shprehin qartë zgjedhjet e tyre.

  • Numërohen mbi 92% e votave, ky është rezultati zyrtar

    Numërohen mbi 92% e votave, ky është rezultati zyrtar

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forcë e parë politike në zgjedhjet e fundit në Kosovë, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Me 92.18% të vendvotimeve të numëruara, LVV ka siguruar 318,286 vota ose 40.94% të totalit.

    Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 174,639 vota (22.46%), e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 137,302 vota (17.66%). Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate kanë arritur të grumbullojnë 58,470 vota (7.52%).

    Lista Serbe ka siguruar 30,477 vota (3.92%), ndërsa Koalicioni për Familje ka marrë 17,833 vota (2.29%).

    Këto rezultate ende nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato të diasporës, të cilat mund të ndikojnë në përbërjen përfundimtare të Kuvendit.

    Procesi zgjedhor është vlerësuar kryesisht i qetë dhe demokratik, ndërsa partitë politike janë në pritje të rezultateve përfundimtare për të formuar koalicionet e mundshme për qeverisjen e ardhshme të vendit.

  • Sylejman Selimi nis dëshminë në Hagë, i jepen garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij

    Sylejman Selimi nis dëshminë në Hagë, i jepen garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij

    Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit 120-të me kodin W00542, në Hagë ka filluar dëshminë Sylejman Selimi i cili mban kodin 04290 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqt.

    Ky dëshmitar pohoi se është djali i axhës së Rexhep Selimit dhe sot në Hagë është duke u përfaqësuar nga avokati Artan Qerkini  i cili kërkoi garanci për klientin e tij sipas Rregullës 151 të procedurës dhe provaveraporton “Betimi për Drejtësi”. 

    “Keni garancitë që parashikohen. Do të thotë që nuk do te ndiqeni penalisht. Në qoftë se do të jepni dëshmi, këtë dëshmi do ta keni rastin siç e kemi tani që dëshminë do ta jepni në publik në kuptimin që ju mund të ndiqeni përtej gjykate. Megjithatë, ju e keni të drejtën që dëshminë tuaj ta jepni me dyer të mbyllura që do me thënë do të ulën perdet dhe që askush të mos iu dëgjojë”, tha kryegjyqtari.

    Prokurori Matt Halling nuk pati kundërshtime sa i takon garancive që iu ofruan dëshmitarit.

    “Mbrojtja që iu jepet përmes garancive është që kjo gjykatë nuk do të iu ndjekë penalisht apo nuk do të nxjerrë asnjë informacion që na e jepni ne për palë të tjera. Megjithatë kur jepni dëshmi në publik, ky informacion që do jepni i takon që i dëgjon i gjithë publiku”, tha kryegjyqtari.

    I pyetur se në çfarë forme do të dëshmojë, dëshmitari tha se dëshiron që të dëshmojë në seancë publike.

    Më pas, kryegjyqtari e njoftoi atë se pasi iu janë dhënë garancitë dhe në rast që dëshmitari refuzon të dëshmojë kjo do të sanksionohet me vendosjen e një gjobe. Si rrjedhojë, garancitë u miratuan për dëshmitarin.

    Sipas kryegjyqtarit, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth katër ditë. Prokuroria ka vlerësuar se i duhen pesë orë për pyetje. Ndërsa, ekipet e mbrojtjes i duhen 14 deri në 16 orë për kundërpyetje.

  • ​Prokuroria e Shtetit nuk ka nisur hetime ndaj KQZ-së

    ​Prokuroria e Shtetit nuk ka nisur hetime ndaj KQZ-së

    Prokuroria e Shtetit nuk ka dhënë urdhër për nisjen e hetimeve kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si pasojë e problemeve nga ky institucion që u paraqitën gjatë publikimit të të dhënave nga numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Kështu ka konfirmuar për KosovaPress, Liridonë Kozmaqi Hajdaraj, udhëheqëse e Zyrës për Komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit e cila mohoi raportime se Prokuroria ka nisur hetimet për organin kompetentë për organizimin e zgjedhjeve.

    “Ju informoj se Prokurori i Shtetit, duke e përfshirë edhe Prokurorinë Speciale, nuk ka dhënë urdhër për nisjen e hetimeve kundër KQZ-së”, ka thënë ajo.

    Tutje lidhur me procesin e djeshëm zgjedhor Kozmaqi-Hajdari tha se Prokuroria e Shtetit ka hapur katër raste, kundër tetë personave.

    “Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit të tyre deri në mbyllje të procesit të votimit, janë hapur katër raste, kundër tetë personave, kurse informatat tjera janë duke u trajtuar”, thuhej në përgjigjen e zëdhënëses së Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporton KP.

    Udhëheqësja e Zyrës për Komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Liridonë Kozmaqi Hajdaraj dha detaje për secilin rast të iniciuar.

    “Prokuroria Themelore në Mitrovicë pas informatave të pranuara nga qytetarët, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit. Në rastin e parë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, nga neni 402 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar dy persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: ‘Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar’, nga neni 209 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kanë deklaruar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Pas mbylljes së qendrave të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pasur telashe me platformën e saj online.

  • Përditësimi i fundit nga KQZ – këto janë rezultatet pas 90% të numërimit të fletëvotimeve

    Përditësimi i fundit nga KQZ – këto janë rezultatet pas 90% të numërimit të fletëvotimeve

    Të dhënat për rezultatet preliminare të zgjedhjeve janë përditësuar sërish në webfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi janë numëruar 90.13% e fletëvotimeve.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) vazhdon të kryesojë me 41% të votave, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 22.37%. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është renditur e treta me 17.57%, e pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.56%. Koalicioni për Familjen ka marrë 2.30% të votave.

    Në këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, ato të personave me nevoja të kufizuara dhe votat e diasporës, të cilat mund të ndikojnë në përfundimin e rezultatit të zgjedhjeve.

  • Presidentja Osmani udhëton për në Paris me ftesë të presidentit Macron

    Presidentja Osmani udhëton për në Paris me ftesë të presidentit Macron

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Paris me ftesë të Presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron.

    Gjatë qëndrimit në Francë, Osmani do të marrë pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale, përkrah Presidentit Macron,

    Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, James David Vance, Kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, si dhe liderëve të tjerë botërorë, ka njoftuar Presidenca.

    “Në kuadër të vizitës, Presidentja Osmani do të jetë e pranishme në darkën zyrtare në Pallatin Élysée, në pritjen zyrtare të organizuar nga delegacioni amerikan, si dhe në seancën plenare të bashkëkryesuar nga Presidenti Macron dhe Kryeministri Modi”, thuhet në njoftim.

  • Bojkoti në numra që iu bë procesit zgjedhor në komunat më të mëdha të Kosovës

    Bojkoti në numra që iu bë procesit zgjedhor në komunat më të mëdha të Kosovës

    Në komunat kryesore të Kosovës, më shumë se gjysma e qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote nuk shfrytëzuan të drejtën e tyre kushtetuese drejt zgjedhjes së qeverisë së re për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Nga komunat e mëdha të Kosovës, përqindjen më të ulët të pjesëmarrësve në zgjedhjet parlamentare ka Gjakova. Pra, 34,68 për qind. Nga 119,237 e qytetarëve me të drejtë vote, veç 41,354 kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar. Pra, 77,883 e kanë bojkotuar procesin zgjedhor

    Pas Gjakovës vjen Peja, ku 35,45 për qind e pejanëve morën pjesë në procesin zgjedhor. Pra, nga 115,679 e pejanëve, 41,009 nga ta shfrytëzuan të drejtën e votës. 74,670 e bojkotuan procesin zgjedhor në këtë komunë.

    Prej 182,939 prizrenasve, 68,999 votuan. Pra, 37,72 për qind e tyre. Gjegjësisht, 113,940 prizrenas nuk shfrytëzuan të drejtën kushtetuese për të dalë në zgjedhje.

    Lista e komunave të mëdha sipas pjesëmarrjes në zgjedhje:

    Gjakova: 119,237 të drejtë vote – 41,354 dolën në votim– 34,68 për qind pjesëmarrës. 77,883 bojkotuan procesin zgjedhor.

    Mitrovica: 81,482 të drejtë vote – 34,103 dolën në votim – 41,85 per qind pjesëmarrës. 47,379 bojkotuan procesin zgjedhor.

    Pejë: 115,679 të drejtë vote, 41,009 dolën në votim – 35,45 për qind pjesëmarrës. 74,670 bojkotuan procesin zgjedhor.

    Podujevë: 84,023 të drejtë vote, 38,612 dolën në votim – 45,95 për qind pjesëmarrës. 45,411 bojkotuan procesin zgjedhor.

    Prishtinë: 212,515 të drejtë vote, 118,321 dolën në votim – 55,68 për qind pjesëmarrës. 94,194 bojkotuan procesin zgjedhor.

    Prizren: 182,939 të drejtë vote, 68,999 dolën në votim – 37,72 për qind për qind pjesëmarrës. 113,940 bojkotuan procesin zgjedhor.

    Skenderaj: 53,329 të drejtë vote, 20,336 dolën në votim – 38,13 për qind pjesëmarrës. 32,993 bojkotuan procesin zgjedhor.

    Ferizaj: 118,288 të drejtë vote, 55,961 dolën në votim – 47,31 për qind pjesëmarrës. 62,327 bojkotuan procesin zgjedhor.