ATV

Tag: Ballina

  • Punëtorët e KEK-ut nuk duan pagesë obligative për menzën

    Punëtorët e KEK-ut nuk duan pagesë obligative për menzën

    PËRGATITI:DIELLËZA KRASNIQI

    Korporata Energjetike e Kosovës është duke e rinovuar objektin e menzës.

    Por, sindikata e Re e KEK-ut, nuk po dëshiron që punëtorëve t’u imponohet pagesa për ushqim, e cila mund t’u hiqet nga paga.

    Kryesindikalisti Nexhat Llumnica, thotë se punëtorët duhet ta kenë të drejtën e zgjedhjes.

    ‘’Nëse e ka ushqimin e mirë dhe kualitativ atëherë edhe punëtoret jon te interesum për ushqim në menze por jo te ketë shuajtjen e garantume deshti apo nuk deshti puntori kta nuk e tolerojme nëse vendoset në ketë forme ne kemi be thirrje menagjmentit KEK do ta bojkotojmë ushqimin dhe do te ketë protesta greva deri ne realizim te kërkesave tona’’, deklaroi Nexhat Llumnica, kryesindikalist në KEK.

    Edhe pse nuk e dinë si do të jenë kushtet, punëtorët paralajmërojnë bojkot, nëse detyrohen të paguajnë për këtë shërbim.

    Ndërsa ende nuk dihet sa do të jetë shuma që duhet paguar.

    Përmes një kërkese me shkrim, sindikata ka kërkuar nga KEK-u që të kenë rol vendimmarrës edhe për kompaninë që ofron ushqimin në menzë.

    Lidhur me këto çështje, por edhe kontratën për menzën, ATV nuk mori përgjigje gjatë së premtes, nga zyra për informim e KEK-ut./atvlive.tv

  • Partitë opozitare nuk janë njëzëri për koalicion

    Partitë opozitare nuk janë njëzëri për koalicion

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Partia Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit u rendit e dyta me mbi 22% të votave, nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni me partitë e tjera që u renditen pas saj.Nga kjo parti thonë se çfarëdo oferte që eventualisht mund të iu bëhet, janë të hapur për diskutim.

    “ Ne nuk kemi folur ende ne detaje për këtë çështje, oferta ende nuk mund të bëjmë, por nëse ato na vinë ne i shqyrtojmë fillimisht pastaj marrim vendim…”, deklaroi kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk pranuan të flasin para kamerës lidhur me këtë çështje, por prapa saj thanë se nuk kanë qëndrim deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.

    Ndërsa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovë janë të hapur për çfarëdo oferte për koalicion, por përjashtojnë Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Ne jemi për koalicion me opozitën, për të kthyer Kosovën në binaret e duhura dhe Kosova të marr rrugën për në NATO…”, tha Ahmet Isufi, kandidat për deputet nga radhët e AAK-së.

    Isufi renditë disa arsye përse AAK-ja refuzon bashkëpunimin me partinë që doli e para në zgjedhje.

    Bazuar në rezultatet preliminare, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë më së shumti vota, ka siguruar 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për formimin e qeverisë i duhen së paku 61./atvlive.tv/

  • Kurti në Mynih: Marrëveshja e Brukselit po shkelet nga Serbia, duhet ta bëjnë dorëzimin e kryeterroristit Radojiçiq

    Kurti në Mynih: Marrëveshja e Brukselit po shkelet nga Serbia, duhet ta bëjnë dorëzimin e kryeterroristit Radojiçiq

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, takoi Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.

    Në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti uroi Sørensen për pozitën dhe përgjegjësitë e reja.

    Zyra e kryeministrit njofton se Kurti ” veçoi progresin e Kosovës në katër vitet e fundit, me theks te rritja ekonomike mesatare prej 6%, raporti i fundit i BE-së për vendin, që evidenton progres në 36 nga 38 fushat e vlerësimit dhe asnjë fushë me regres, pastaj rishpërndarja sociale, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi i të drejtave politike e lirive civile”.

    Ai tha se Kosova është shembull se si zhvillimi dhe demokracia shkojnë krah për krah.

    “Sa i përket raporteve me Serbinë, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj. Në të njëjtën kohë, ai tha se kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja”, thuhet në komunikatë.

    Tutje, theksohet se për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës.

    Kryeministri Kurti tha se është absurde që Presidenti i Serbisë ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, por nuk e dorëzon Radoiçiqin./Telegrafi/

  • Presidentja Osmani takon përfaqësuesin e ri të BE-së për dialog: Do të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë

    Presidentja Osmani takon përfaqësuesin e ri të BE-së për dialog: Do të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani po vazhdon takimet me liderë të botërorë në kuadër të konferencës së sigurisë në Mynih, ndërsa sot ka takuar edhe përfaqësuesin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Osmani në një postim në Facebook shkruan se në takimin tim të parë me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen, diskutuan mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.

    “Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, shkruan Osmani.

    Presidentja gjatë ditës në Mynih ka takuar edhe anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, shkruan Telegrafi.

    “Në Mynih, u takuam me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq. Diskutuam për situatën e sigurisë në rajon, thellimin e bashkëpunimit tonë për të ardhmen euro-atlantike të shteteve tona dhe rëndësinë që Kosova dhe Bosnje e Hercegovina të përparojnë tutje në këtë rrugëtim”, tha e para e shtetit të Kosovës.

  • Konferenca e Sigurisë në Mynih, marrin pjesë presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti

    Konferenca e Sigurisë në Mynih, marrin pjesë presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti

    Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih (MSC) do të mbahet nga sot deri më 16, në Mynih të Gjermanisë.

    Përveç Presidentes Vjosa Osmani, në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Sot, programi kryesor i konferencës do të fillojë me një fokus në sfidat e sigurisë globale, duke përfshirë qeverisjen globale, rezistencën demokratike, sigurinë klimatike dhe shumë tema të tjera.

  • KQZ-ja pa përditësim që nga 12 shkurti, çfarë po ndodh me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare

    KQZ-ja pa përditësim që nga 12 shkurti, çfarë po ndodh me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare

    Tashmë kanë kaluar pesë ditë që nga dita e zgjedhjeve në Kosovë. Pasi përfundoi ky proces, u mendua se për pak kohë merr fund gjithçka. Por, që nga ajo ditë e deri më sot në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk u përmbyll procesi dhe publikimi i rezultateve finale nga numërimi i votave nëpër komunat e Kosovës.

    Hera e fundit kur u rifreskuan të dhënat në këtë faqe ishte para dy ditësh, më 12 shkurt.

    Asgjë më nuk ka lëvizur, derisa përqindja e numërimit të votave mbetet e njëjtë. 99.72 përqind.

    Rënia e serverit dhe e ueb-faqes zyrtare të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë, telashet me blerjen e kamerave dhe mostrajnimi i duhur i stafit, janë vetëm disa prej problemeve që kanë dalë gjatë rrugës, të cilat, siç thonë disa, ia kanë zbehur besueshmërinë gjithë procesit.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka kërkuar nga KQZ-ja marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale.

    Vetë KQZ-ja ka thënë më 12 shkurt se i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për të ofruar mbështetje teknike, teksa ka siguruar se, pavarësisht gjithë kësaj situate, integriteti i votës nuk është cenuar dhe se rezultatet do të jenë të sakta.

  • I vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj tjerë të dyshuarit për manipulim me prova në rastin e vrasjes në Aktash

    I vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj tjerë të dyshuarit për manipulim me prova në rastin e vrasjes në Aktash

    Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit Vesel Bunjakut, i dyshuar për manipulim me prova në rastin e vrasjes që ndodhi më 1 shtator 2024 në lagjen “Aktash” në Prishtinë.

    Këtë e konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.B., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 10.02.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PTHP-në, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit V.B. iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigje.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, ekziston dyshimi i arsyeshëm se më 1 shtator 2024, sipas orës së kamerave 21:42:16, e cila ka dallim me kohën reale, pas përfundimit të gjuajtjeve mes dy grupeve, me qëllim të fshehjes dhe manipulimit me prova, i pandehuri Vesel Bunjaku merr dy armë të cilat dyshohet se njëra është e të pandehurit Salih Sekiraqa dhe tjetra e të pandehurit Fatos Abazi.

    Më tej, në kërkesën e Prokurorisë thuhet se i pandehuri Bunjaku shkon në tarracën e lokalit në drejtim të banakut, ku nga kamerat e lokalit vërehet se në dorë mban armë, pastaj del nga pjesa e prapme e lokalit i fsheh armët dhe kthehet në lokal sipas kohës së kamerave 21:42:36, ku në duar nuk ka më asgjë.

    Me këtë, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, par.1 të Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në posedim të paautorizuar armët e zjarrit, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, të cilat armë janë përdorë si mjete për kryerjen e veprave penale.

    Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

    Ndryshe për vrasjen e ndodhur në lagjen Aktash në Prishtinë nën masën e paraburgimit gjenden edhe Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi, të dyshuar për rastin e vrasjes së Premtim Gashit.

  • Zjarri në diskotekën ‘Gate’, Policia nis hetimin për të zbuluar motivin dhe rrethanat e rastit

    Zjarri në diskotekën ‘Gate’, Policia nis hetimin për të zbuluar motivin dhe rrethanat e rastit

    Një zjarr i madh ka përfshirë objektin e diskotekës ‘Gate Club’ në orët e para të mëngjesit. Shkaqet e incidentit akoma s’dihen, por zjarrfikësit bashkë me njësitë përkatëse kanë intervenuar dhe ndodhen në vendin e ngjarjes.

    Sinjali raportoi se dëmet janë të mëdha, ndërsa tashmë rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.

    Policia ka njoftuar se në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e rastit.

    “Rreth orës 05:15, është pranuar informata se në rrugën “Epiri” në Prishtinë, një lokal është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit.

    Deri më tani nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale.

    Zjarri ka prekur edhe një objekt në afërsi të objektit që po digjej, ndërkaq për shkaqe sigurie janë larguar disa automjete përreth vendit të ngjarjes.

    Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.”

     

  • Një grua gjendet e vdekur në banesën e saj

    Një grua gjendet e vdekur në banesën e saj

    Një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj në Suharekë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, si dhe emergjenca, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Rasti është raportuar dje pasdite dhe sipas mjekut trupi i pajetë nuk ka shenja të dhunës, dyshohet se vdekja ishte natyrore.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Përfundon dëshminë Selimi, Specialja pushon hetimet ndaj tij

    Përfundon dëshminë Selimi, Specialja pushon hetimet ndaj tij

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në ditën e katër të dëshmisë së tij në Hagë, ish-komandanti Sylejman Selimi, u pyet rreth urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm dhe për komandantin Adem Jashari.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit, Selimi tha se nuk i din kontaktet direkte të Adem Jasharit derisa nga trupi gjykues u insistua të dihej se a ka pasur Jashari kontakte me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.

    “Prapë po them të njëjtën gjë edhe tash edhe atëherë kur kam deklaru. Adem Jashari ka pasur kontakte me të gjithë. Unë nuk kam ditur ku ka qenë Shtabi dhe a ka ekzistu në atë kohë por ai ka pasur kontakte edhe me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm edhe me njerëz të tjerë”, tha Selimi.

    Derisa kishte insistim në këtë drejtim Selimi u tregua më i prerë duke thënë se Jashari ishte kryesori dhe se ai nuk mori urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.

    “Adem Jashari s’ka marrë urdhra por ka jep urdhra. Adem Jashari ka qenë komandant kryesor. Pa Adem Jasharin s’kishte me pas as UÇK”, tha Selimi.

    Po ashtu, Selimi Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, mohoi se ka pasur kompetenca, udhëzime apo rregullore që të arrestojë civilë. Të njëjtën gjë, Selimi e konfirmoi edhe për avokatin e Veselit Rodney Dixon. Ai rikonfirmoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk e ka ofruar mbështetjen e duhur për zonat operative.

    Pas kësaj, Selimi përfundoi edhe dëshminë e tij në këtë proces dhe nëpërmjet një deklarate Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës tha se të gjitha procedurat hetimore ndaj tij kanë pushuar.

    Ndërkaq në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, dhe Fadil Fazliut në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: