ATV

Tag: Ballina

  • ​Zgjedhjet, heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës diskutohen në takimin Kurti-Orav

    ​Zgjedhjet, heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës diskutohen në takimin Kurti-Orav

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

    Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e kryeministrit thuhet se ambasadori Orav e vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit.

    “Gjatë takimit, ambasadori Orav vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit, duke e cilësuar atë si të rregullt dhe pa incidente dhe theksoi se pozitivisht është vlerësuar edhe nga Brukseli. Ambasadori Orav e uroi kryeministrin për fitoren dhe rezultatin në këto zgjedhje. Bashkë, diskutuan për hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Në takimin Kurti-Orav u diskutua edhe për domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe nevojën për shqyrtim sa më të shpejtë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë Aivo Orav, ka vizituar tri subjektet politike Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku temë kryesore e takimeve ishte procesi zgjedhor në Kosovë.

    Subjektet politike treguan se respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.

  • ​Ambasadori Orav zhvillon takime të ndara me opozitën, diskutojnë për zgjedhjet

    ​Ambasadori Orav zhvillon takime të ndara me opozitën, diskutojnë për zgjedhjet

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë Aivo Orav, ka vizituar dy subjektet politike Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku temë kryesore e takimeve ishte procesi zgjedhor në Kosovë.

    Subjektet politike treguan se respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.

    Sipas njoftimit të PDK-së në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë te procesi zgjedhor dhe rëndësia e përmbylljes së tij në përputhje me standardet më të larta demokratike.

    “Për Partinë Demokratike të Kosovës, këto zgjedhje përfaqësojnë një moment të rëndësishëm për demokracinë tonë dhe një dëshmi e qartë e pjekurisë politike të qytetarëve të Kosovës. Në PDK, ne respektojmë dhe njohim vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës. Urojmë që vendi të ketë sa më shpejt një qeveri të re funksionale, e cila do të adresojë sfidat dhe prioritetet shtetërore me përgjegjësi dhe dinjitet”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

    Tutje thuhet se PDK mbetet e përkushtuar ndaj një të ardhmeje më të mirë për Kosovën, pavarësisht pozicionit të saj politik.

    “Ne jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimit dhe një qasjeje konstruktive, vendi ynë do të vijojë rrugën e konsolidimit demokratik dhe integrimit euro-atlantik”, thuhet tutje në njoftimin e PDK-së në rrjetin social Facebook.

    Edhe LDK ka bërë me dije se kryetari Lumir Abdixhiku në Selinë Qendrore ka pritur në takim ambasadorin Orav.

    Gjatë takimit Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin Orav për gjendjen aktuale politike me theks të veçantë lidhur me procesin zgjedhor, si dhe qëndrimet e LDK-së karshi kësaj situate.

    “Kryetari Abdixhiku theksoi se LDK e respekton në plotni vullnetin qytetar të shprehur gjatë këtij procesi zgjedhor dhe po ashtu pret që Komisioni Qendror Zgjedhor të mbyllë sa më shpejt procesin e numërimit dhe certifikimit të rezultateve, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që ky proces të përfundojë në mënyrë demokratike dhe duke shmangur çdo vonesë tjetër. Në fund kryetari Abdixhiku tha se LDK do të angazhohet për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovë me theks të veçantë në përmbylljen e proceseve të integrimit evropian”, përfundon njoftimi i LDK-së në rrjetin social Facebook.

    Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se ambasadori Orav, konfirmoi edhe një herë rëndësinë e partneritetit me BE-në.

    Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj shtoi se me ambasadorin bashkëbiseduam rreth procesit zgjedhor të 9 shkurtit dhe hapave të mëtejshëm drejt integrimit evropian.

    “Kosova ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në rrugëtimin tonë të përbashkët. Vlerësoj angazhimin e BE-së në forcimin e demokracisë dhe institucioneve tona, duke qenë se proceset zgjedhore të besueshme janë tregues i pjekurisë sonë politike dhe aspiratave evropiane”, ka shkruar haradinaj në rrjetin social Facebook.

  • Thaçi nuk merr pjesë në seancë për arsye shëndetësore, Selimi shfaqet me kollare me motive shtetërore

    Thaçi nuk merr pjesë në seancë për arsye shëndetësore, Selimi shfaqet me kollare me motive shtetërore

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën, pasi filloi seanca ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), megjithatë ajo shkoi në pushim për arsye se ish-Presidenti, Hashim Thaçi nuk ishte i pranishëm.

    Si rrjedhojë, Luka Mishetiq- avokat i tij tha se ai është i njoftuar nga sekretarja se Thaçi nuk do të vijë dhe se nuk di asgjë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se i është thënë që nuk është mirë me shëndet dhe se duhej të takohej me një mjek, por që as ai nuk ishte në dijeni që ai nuk do të merrte pjesë.

    “I vetmi komunikim, që nuk ka qenë mirë nga shëndeti dhe duhej të takohej me një mjek”, tha ai.

    Pas kësaj, Mishetiqit iu kërkua që të komunikojë me Thaçin për të kuptuar nëse do të bashkohet apo do të japë leje që seanca të vazhdojë pa praninë e tij.

    Ndryshe, në sallën e gjyqit, Rexhep Selimi u shfaq me një kollare ngjyrë blu, e cila mbante motive shtetërore për nder të përvjetorit të 17-të të pavarësisë së Kosovës, ndërsa Jakup Kransniqi dhe Kadri Veseli mbanin kollare të kuqe.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Mbahet konferenca mbi të ardhmen e raporteve SHBA-Kosovë

    Mbahet konferenca mbi të ardhmen e raporteve SHBA-Kosovë

    Konferenca ndërkombëtare “E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë dhe diplomacisë publike” do tw mbahet sot në Universitetin amerikan të njohur për studime ndërkombëtare dhe diplomatike Elliott School of International Affairs.

    Kjo konferencë synon të sjellë një debat të thelluar mbi marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës, rolin e diplomacisë publike dhe ndikimin e saj në të ardhmen e vendit.

    Kjo konferencë organizohet nga Jeta Abazi Gashi (Universiteti i Prishtinës) në bashkëpunim me profesor Babak Bahador dhe mbështetet nga Instituti për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike Elliott School, dhe mbledh ekspertë të njohur nga fusha e politikës, diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, mediave dhe artit.

    Në panelin e parë Marrëdhëniet SHBA-Kosovë dhe Diplomacia Publike marrin pjesë Elez Biberaj, ish-drejtor i Divizionit të Eurazisë të Zërit të Amerikës, Pëllumb Kelmendi, profesor i asociuar i Shkencave Politike në Universitetin Auburn, Drilona Emrullahu, ekonomiste, Banka Botërore. Aty do të shqyrtohen marrëdhëniet 25-vjeçare mes SHBA-së dhe Kosovës.

    Ilir Dugolli, ambasador i Kosovës në SHBA, Charles Kupchan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Universiteti Georgetown dhe Jeta Abazi-Gashi, hulumtuese dhe bursiste e Fulbright, Universiteti George Washington (nga Universiteti i Prishtinës) janë pjesë e panelit të dytë E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë dhe diplomacisë publike, e cila shqyrton trajektoren e marrëdhënies në një botë gjithnjë e më shumëpolare.

    Paneli i tretë Ndërtimi i Paqes (Art, Media dhe Politikë) shqyrton perspektivat për paqen dhe stabilitetin afatgjatë për Kosovën. Pjesëmarrës të panelit janë Sislej Xhafa, artist kosovar nga Nju Jorku, Elizabeth Hume, drejtoreshë ekzekutive në Aleancën për Ndërtimin e Paqes, Gëzim Visoka, profesor i asociuar, Universiteti i Qytetit të Dublinit (DCU).

  • Presidentja Osmani ndan Dekorata Presidenciale në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Presidentja Osmani ndan Dekorata Presidenciale në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Në kuadër të ceremonive për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani do të zhvillojë sot një ceremoni në orën 12:00.

    Gjatë këtij eventi, ajo do të ndajë Dekorata Presidenciale për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në forcimin dhe avancimin e Kosovës.

    Ceremonia do të mbahet në Sallën e Filarmonisë, e cila ndodhet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

  • Vazhdon sot numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 qendra

    Vazhdon sot numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 qendra

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të martën do të vazhdojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 Qendra Komunale të numërimit.

    Gjatë ditës së djeshme, KQZ ka bërë të ditur se sipas të dhënave të fundit, deri më 16 shkurt janë numëruar 73.23% e vendvotimeve, ose gjithsej 1,855 nga 2,533, në kuadër të procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

    Ndërsa ka theksuar se numërimi ka përfunduar në 19 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Deçan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

    KQZ thotë se vazhdon të sigurojë transparencë dhe korrektësi gjatë procesit të numërimit, i cili pritet të përfundojë së shpejti.

  • Nga Hasan Prishtina te Hashim Thaçi – Kurti kujton figurat historike që çuan në themelimin e shtetit të Kosovës

    Nga Hasan Prishtina te Hashim Thaçi – Kurti kujton figurat historike që çuan në themelimin e shtetit të Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e parakalimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, ka thënë se në historinë moderne të Evropës, krijimi i shtetit të Kosovës është një nga historitë më të fuqishme dhe shembullore.

    Ai ka thënë se Kosova është shembull i përparimit të vetëdijes së një populli për liri dhë këmbënguljes së tij për shtet.

    “Republika e Kosovës njëmend është shteti më i ri në kontinentin e vjetër, por shteti me historinë më të gjatë të përpjekjes së krijimit të tij”, ka thënë Kurti.

    Kurti ka shtuar se ne jemi popull autokton dhe se Republika e Kosovës është rezultat i të gjithë atyre që luftuan e u përpoqën për këtë vend që nga Hasan Prishtina e deri tek rreshteri Afrim Bunjaku, heroi më i ri i Kosovës.

    “Republika e Kosovës është rezultat i protestave të qytetarëve, demonstratave popullore, grevave të punëtorëve e minatorëve, dhjetëra mijëra të burgosurve politikë që nga Adem Demaci e deri te Ukshin Hoti. Është rezultat i të gjithë dëshmorëve që nga Azem Bejta e Shaban Polluzha e deri te Zahir Pajaziti dhe kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari”, tha Kurti.

    Kryeministri përmendi edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova, për të cilin tha se ndonëse nuk e arriti për së gjalli 17 shkurtin e 2008, e thirri dhe e shpresoj atë ditë deri në frymën e fundit.

    Kurti tha se mbi të gjitha Republika e Kosovës është rezultat i UÇK-sëdhe luftës së drejtë të saj, që u ndihmua nga SHBA-të dhe vendet aleate të NATO-s.

    Ai përmendi edhe ish-kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçi.

    “Republika e Kosovës është aktit sipëror të brezit më të ri dhe të zgjedhurve të populli të saj emrat e të cilëve lexohen pas firmave të nënshkruara në deklaratën e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nga 109 deputetë të Kuvendit dhe nga krerët shtetëror të asaj kohe, presidenti Fatmir Sejdiu, kryekuvendai Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi”, tha Kurti.

    Kryeministri në fund tha se e bekuar qoftë rruga e Kosovës krah Shqipërisë bashkë me SHBA-të dhe shtetet tjera evropiane dhe aleate. /Telegrafi/

  • Kurti uron Ditën e Pavarësisë: Republika jonë sot është më e fortë e më vitale se kurrë më parë

    Kurti uron Ditën e Pavarësisë: Republika jonë sot është më e fortë e më vitale se kurrë më parë

    Qeveria e Kosovës, me rastin e shënimit të shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë, ka mbajtur mbledhje festive.

    Kryeministri Kurti hapi dhe mbylli këtë mbledhje, duke uruar ditën e Pavarësisë, me ç’rast tha se Republika e Kosovës kurrë s’ka qenë më e fortë.

    Ai tha se kujton me krenari rrugëtimin e gjatë për liri dhe pavarësi, si dhe ata që sakrifikuan e u flijuan.

    “Urime 17 vjetori i Pavarësisë. Teksa festojmë, kujtojmë me krenari rrugëtimin e gjatë të lirisë e pavarësisë. Kujtojmë të gjithë ata që u sakrifikuan e u flijuan për lirinë tonë, nga heronjtë,  dëshmorët e martirët, te veteranët e UÇK-së, te veprimtarët e mbarë qytetarët që qëndruan të palëkundur përballë sfidave, të gjithëve iu jemi mirënjohës për përkushtimin dhe kontributin e tyte. Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci, e cila mundëson që të dëgjohet zëri i popullit. E demokracisë kërkon institucione të forta. Republika jonë sot është më e fortë e më vitale se kurrë më parë” – tha Kurti.

  • Osmani: Faleminderit arkitektit të pavarësisë Rugova dhe komandantit legjendar Adem Jashari

    Osmani: Faleminderit arkitektit të pavarësisë Rugova dhe komandantit legjendar Adem Jashari

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas ngritjes së Flamurit të Republikës së Kosovës, ka uruar Ditën e Pavarësisë, duke kujtuar sakrificën e popullit për lirinë e vendit, raporton Sinjali.

    Osmani shprehu një falënderim për ata që kanë dhënë gjithçka për këtë ditë, duke filluar nga presidenti historik Ibrahim Rugova, te komandanti legjendar Adem Jashari dhe te të gjithë ata që sakrifikuan.

    “Urime 17 vjetori i Pavarësisë. Është një ditë kur kujtojmë sakrificën shekullore që e ka bërë populli ynë në mënyrë që ta gëzojmë këtë ditë. Është një ditë kur i festojmë sukseset që i ka arritur Republika jonë, duke forcuar sovranitetin, duke forcuar shtetësinë e subjektivitetin ndërkombëtar. Por, është po ashtu një ditë kur iu themi faleminderit nga zemra, një falënderim të përhershëm, për të gjithë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka që ne sot ta festojmë këtë ditë, duke filluar nga arkitekti i pavarësisë, presidenti historik Rugova dhe komandanti legjendar Adem Jashari që udhëhoqi UÇK-në, e deri te secili qytetar i Republikës sonë që sakrifikoi me mund e me gjak në mënyrë që sot të gëzohet kjo ditë. Do të ecim përpara sepse nuk ka asgjë që mund ta ndalë Republikën tonë.” – tha Osmani.

  • Sekretari amerikan i shtetit uron për pavarësi: ShBA-ja me krenari e ka mbështetur rrugëtimin e Kosovës

    Sekretari amerikan i shtetit uron për pavarësi: ShBA-ja me krenari e ka mbështetur rrugëtimin e Kosovës

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar Kosovën me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatshëm.

    “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju shpreh urimet e mia për rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës – një ngjarje për të reflektuar mbi qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një shtet sovran, demokratik, shumëetnik dhe të begatshëm. Paqja, siguria dhe zhvillimi ekonomik rajonal mbeten thelbësorë për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës. Ndërsa festoni pavarësinë tuaj, nderojmë miqësinë dhe vlerat e përbashkëta ndërmjet popujve tanë”, thuhet në urim.

    Edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dje ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces.