ATV

Tag: Ballina

  • ​Qeveria mirëpret kërkesën e PE-së për largimin e menjëhershëm të masave

    ​Qeveria mirëpret kërkesën e PE-së për largimin e menjëhershëm të masave

    Kërkesa e Parlamentit Evropian ndaj vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës po mirëpritet në Qeverinë e Kosovës.

    Sipas ekzekutivit kosovar, kjo kërkesë tashmë i shtohet edhe rekomandimit të ish- përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell për largimin e masave në verën e vitit 2024.

    Megjithatë, njohës të integrimeve evropiane thonë se përkundër vullnetit të parlamentarëve evropianë, vendimmarrja kryesore për heqjen e masave i takon vendeve të unionit.

    Në anën tjetër, Brukseli zyrtar nuk ka kthyer përgjigje për KosovaPress mbi kërkesën e Parlamentit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Të enjten, në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së, raportuesi për Kosovën Riho Terras paraqiti draft-raportin e tij vjetor për situatën në Kosovë dhe përparimin e saj drejt BE-së, ku mes tjerash u kërkua nga blloku evropian të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Në lidhje me këtë, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se masat janë vendosur padrejtësisht dhe po vazhdojnë të mbahen padrejtësisht, andaj të njëjtat duhet të hiqen sa më parë.

    “Ne e mirëpresim draft raportin e raportuesit për Kosovë në Parlamentin Evropian, Riho Terras në të cilën kërkohet largimi i menjëhershëm i masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Kjo kërkesë tash i shtohet edhe rekomandimit të ish-Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell për largimin e tyre. Me këtë rast, ritheksojmë gjithashtu kërkesën tonë për largimin e masave ndaj Kosovës të cilat u vendosën padrejtësisht, dhe po vazhdojnë të mbahen padrejtësisht”, thekson ai.

    Kërkesën e PE-së ndaj vendeve të BE-së po e konsideron pozitive edhe analisti politik, Arbnor Sadiku. Megjithatë, sipas tij, për shkak të kompleksitetit të vendimmarrjes së Bashkimit Evropian është vështirë të besohet se masat ndaj Kosovës do të hiqen shpejt.

    Ai kërkon nga Qeveria e Kosovës që të jetë më aktive dhe t’i bind vendet skeptike të BE-së për nevojën e heqjes së masave ndëshkuese.

    “Është një lloj trysnie pozitive në kuptimin që Kosovës t’i largohen masat. Sa kemi pa në të kaluarën shtetet anëtare e kanë rolin kryesor në unionin evropian. Ato bazohen në bazën dy gjërave kur marrin vendime të tilla. E para është interesat e shteteve anëtare dhe gjeopolitika e BE-së… Lehtë është me ia vendos masat BE-ja një shteti, mirëpo është shumë vështirë me ia largu pasi vendimet janë koncensuale dhe bukur të komplikuara. Pasi nëse vetëm një anëtare e unionit është kundër atëherë bie poshtë… (Angazhimi i Qeverisë së Kosovës për largimin e masave) Sigurisht ndoshta është tentuar një formë ose tjetër, por ata që kemi pa publikisht ka qenë vendime në kundërshtim në kërkesat e BE-së dhe SHBA-së në raport me veriun. Ata kanë kërkuar që përmes dialogut të zbatohet sovraniteti atje por qeveria ka shkaktuar në mënyrë unilaterale dhe kjo ka shkaktuar probleme”, deklaron Sadiku.

    Në takimin e ministrave të Bashkimit Evropian në fund të vitit 2024 është thënë se masat do të hiqen paralelisht me hapat që duhet të ndërmarrë Kosova për t’i ulur tensionet në veri.

    BE ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, për shkak të rritjes së tensioneve në veri të vendit. Përderisa masat ndëshkuese janë në fuqi përgjatë 1 viti e gjysmë, dëmi është konsideruar rreth 500 milionë euro, ku përfshihen ngrirja e disa fondeve të BE-së ndaj Kosovës. /KP

  • Sot diskutohet draftraporti i BE-së, Parlamenti Evropian kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës

    Sot diskutohet draftraporti i BE-së, Parlamenti Evropian kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës

    Në draft-raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën kërkohet heqja e masave të Bashkimit Evropian të vendosura në qershor të vitit 2023.

    “Ftojmë për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe përshtatjen me politikat e BE-së” thuhet në draft.

    Në draft gjithashtu vlerësohet përkushtimi i Kosovës për integrim në BE, ndërsa nënvizohet se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe përpjekjet për ta nxjerrë Kosovën nga një zonë gri është në interes edhe të Kosovës edhe të BE-së.

    Në këtë draft raport mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian dhe ftohen vendet anëtare të cilat nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë pa vonesa të reja.

  • Osmani pranon urime nga Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë: Mbështesim rrugën evropiane të Kosovës

    Osmani pranon urime nga Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë: Mbështesim rrugën evropiane të Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Mary May Simon, me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit, raporton Ekonomia Online.

    Në mesazhin e saj, Guvernatorja e Përgjithshme ka theksuar lidhjet e ngushta ndërmjet dy vendeve, të cilat bazohen në vlerat dhe qëllimet e përbashkëta, përfshirë angazhimin për paqe, stabilitet rajonal dhe demokraci. Ajo ka ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për rrugën evropiane dhe transatlantike të Kosovës dhe ka vlerësuar përparimin e bërë në këtë drejtim.

    Sipas Guvernatores së Përgjithshme, mërgata kosovare në Kanada përfaqëson një komunitet të gjallë dhe të angazhuar që kontribuon ndjeshëm në shoqërinë kanadeze përmes trashëgimisë kulturore, angazhimit akademik dhe pjesëmarrjes në jetën sociale dhe ekonomike.

    Në përfundim të urimit, Guvernatorja e Përgjithshme ka shprehur dëshirën për të vazhduar forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe bashkëpunimit në forume ndërkombëtare, duke uruar Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për shëndet, lumturi dhe prosperitet në vitin e ardhshëm.

  • Kjo rrugë në Prishtinë që ishte njëkahore, prej sot do të bëhet dykahore

    Kjo rrugë në Prishtinë që ishte njëkahore, prej sot do të bëhet dykahore

    Komuna e Prishtinës ka dalë me një njoftim për të gjithë ata që banojnë në lagjen Dardania në Prishtinë. Sipas këtij njoftimi, bëhet e ditur se një rrugë aty, që ka qenë njëkahore, tashmë është vendosur të bëhet dykahore.

    “Kryeqyteti ka miratuar ndryshime në qarkullimin e mjeteve motorike në lagjen Dardania për të lehtësuar lëvizjen në këtë zonë. Rruga që ka qenë njëkahore nga kryqëzimi në rrugën Sali Çeku deri te rruga Ymer Elshani do të bëhet dykahore”.

    Sipas këtij njoftimi, lëvizja do të zhvillohet nga kryqëzimi me rrugën Isë Boletini, në drejtim të rrugës 28 Nëntori, deri te kryqëzimi me rrugën Sali Çeku, që lidhet me rrugën Ilaz Kodra dhe përfundon te rruga Ymer Elshani.

    “Ndryshimi do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e punimeve dhe rregullimet e ardhshme infrastrukturore”.

  • Përfshihen nga zjarri disa lokale te ‘Tregu i Gjelbër’ në Prishtinë, Policia jep detaje

    Përfshihen nga zjarri disa lokale te ‘Tregu i Gjelbër’ në Prishtinë, Policia jep detaje

    Disa lokale të vogla janë përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm.

    Incidenti ka ndodhur në rrugën ‘Ilaz Agushi’ në Prishtinë. Rastin e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

    Ahmeti tha se në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët janë duke u marrë me rastin.

    Si dhe sipas Policisë nuk raportohet për persona të lënduar

    “Sot rreth orës 05:40, kemi pranuar informatën për një zjarr që ka përfshirë disa lokale në rrugën ‘Ilaz Agushi’ në Prishtinë. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfiksit dhe policia të cilët janë duke u marrë me rastin. Nuk raportohet për persona të lënduar”.

  • “Rasti Thaçi e të tjerët”, ZPS: Pas 4 prillit, nuk do të ftohen dëshmitarët

    “Rasti Thaçi e të tjerët”, ZPS: Pas 4 prillit, nuk do të ftohen dëshmitarët

    Përgatiti: Armand Hoti

    Pas datës katër prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, nuk do të ftojë asnjë dëshmitar, në gjykimin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kështu konfirmoi të mërkurën prokurori i specializuar, Matt Halling, gjatë konferencës që e mbajti në lidhje me ecurinë e këtij procesi.

    “4 prill është data e fundit e parashikuar. Nuk do thërrasim asnjë dëshmitar pas kësaj date. Brenda 15 prillit do të dorëzojmë mocionet e fundit me shkrim, provat jogojore. Kjo është data që planifikojmë. Nuk do kemi dëshmitarë tjerë pas datës 4 prill”, deklaroi Halling.

    Ndërkaq, derisa njoftoi se seancat e të enjtes dhe të premtes janë anuluar, Prokurori James Pace, tregoi se për javën e ardhshme janë paraprë të dëshmojnë dy dëshmitarë.

    “Për javën tjetër do të kemi dy dëshmtarë, për mars kemi një dëshmitar dhe t’u japim përditësime për dëshmitarë të tjerë që janë planifikuar për mars, sapo ta kemi këtë përditësim”, deklaroi Pace.

    Derisa tre të akuzuarit, Veseli, Krasniqi e Selimi ishin prezent nëpërmjet video-lidhjes, Hashim Thaci mungoi njëjtë si të martën për arsye shëndetësore.

    Për gjendjen shëndetësore të Thaçit ka kërkuar raport të detajuar Organizata e Veteranëve të Luftës.

    “Kërkojmë nga Gjykata Speciale që të japë një raport të qartë dhe zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të ish-presidentit Thaçi dhe bashkëluftëtarëve tanë që po mbahen padrejtësisht në paraburgim që mbi katër vite”, thuhet kë kërkesën e OVL-UÇK-së.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u konfirmua në tetor të vitit 2020.

    Ata ngarkohen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

  • Numërohen 83 për qind e vendvotimeve

    Numërohen 83 për qind e vendvotimeve

    Përgatiti: Ardiana Jashari

    83% e vendvotimeve apo më shumë se 2,100 vendvotime nga 2,533 sa janë në total janë numëruar deri në mesditën e së mërkurës në Qendrat Komunale të Numërimit.

    Këtë e ka konfirmuar për ATV-në, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

    Por vonesat në numërimin e votave të kandidatëve për deputet po i shohin me shqetësim në Instituti Demokratik i Kosovës.

    “Fatkeqësisht që nga përmbyllja e ditës së votimit dhe procesit të votimit pra në ora 19:00 të gjitha hapat tjerë janë karakterizuar me hapa me vonesa të cilat e kanë cenuar besimin në lidhje direkte në rezultatet e zgjedhjeve në përgjithësi”, tha Eugen Cakolli nga KDI.

    Sipas Cakollit KQZ-ja nuk ka qenë në nivel të duhur të përgatitjes.

    “Për vet faktin që gati edhe një javë pas përmbylljes së ditës së votimit tek atëherë ka filluar procesi i numërimit në të gjitha qendrat komunale dhe ndër arsyet që janë përmend janë mungesa e sviqave për ta lidhur një televizor me një kamerë ka qenë aq sa apsurde aq edhe përshkruese e një niveli të mos përgjegjësisë nga ana e stafit të KQZ”, tha Cakolli.

    Cakolli shtoi se për të gjitha parregullsitë gjatë procesit zgjedhor duhet të këtë llogaridhënie brenda KQZ-së.

    Vetë Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kreshnik Radoniqi, javën e kaluar kishte thënë se procesi i numërimit i të gjitha votave për kandidatë për deputetë, do të mund të zgjasë deri në dy javë.

  • Gjykata pranon kërkesën e PSRK-së, për paraqitje të Kurtit për intervistim

    Gjykata pranon kërkesën e PSRK-së, për paraqitje të Kurtit për intervistim

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    “Kam kërkuar që të vijnë në kryeministri sepse edhe ma herët kanë ardhë”.

    Kjo ishte përgjigja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj dy ftesave të prokurorisë speciale, për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit në rastin e rezervave shtetërore.

    Mirëpo, prokurorët e PSRK-së nuk shkuan ta intervistojnë Kurtin në zyrën e tij, por kërkuan nga Gjykata Themelore e Prishtinës, që të urdhërojë kryeministrin të paraqitet brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.

    “Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, thuhet nw pwrgjigjen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    Nëse edhe këtë herë, Kurti nuk paraqitet për intervistim, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se parashihen disa masa të tjera ligjore.

    “Mund të gjobitet me 250 euro ose të dërgohet në mbajtje për një muaj”, tha Gzim Shala nga IKD.

    Ndërkaq, avokati Anton Nrecaj thotë se kryeministri Albin Kurti do të duhej të ishte shembull për qytetarët se si duhet të respektohen institucionet e drejtësisë, e jo t’i shmanget paraqitjes për intervistim.

    “Ai do duhet të ishte i pari që respekton këto ftesa, meqë gjithmonë është zotuar se do ta luftoj korrupsionin, dhe çështja për të cilën është thirrur ka të bëjë me këtë”, tha Nrecaj.

    Çështja e rezervave shtetërore përfshin si të dyshuar afaristin Ridvan Muharremi dhe zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.

  • Fillon gjykimi për vdekjen e tre personave në gara me vetura në autostradën e Prizrenit

    Fillon gjykimi për vdekjen e tre personave në gara me vetura në autostradën e Prizrenit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Me fotografinë e vëllait të vdekur, Melos Deliaj, e motra erdhi në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për shkaktimin e aksidentit, në të cilin vdiqën edhe Nue Bibaj e Lordon Syla.

    Të pandehurit, Arlind Syla dhe Irfan Hoti, prokuroria i akuzon se mbrëmjen e 16 shkurtit të vitit 2023, kryen veprën e rrezikimit të trafikut, duke zhvilluar garë me vetura në autostradën ‘Ibrahim Rugova”.

    “Arlind Syla e Irfan Hoti zhvillojnë garë me vetura të huaja. Duke shkelur ligjin për komunikacionin, zhvillojnë shpejtësi 173 kilometra në orë. Kur I pandehuri humbet kontrollin, godet me veturë viktimat e rastit dhe tre persona tjerë të dëmtuar”, tha prokurori Genc Nixha.

    Përballë akuzës, Arlind Syla, u deklarua fajtor.

    “E pranoj fajësinë…”, deklaroi Arlind Syla, i akuzuar.

    Ndërsa, Irfan Hoti, nuk e pranoi fajësinë.

    “Më vjen keq për rastin, por jam I pafajshëm…”, deklaroi Irfan Hoti, i akuzuar.

    Pas deklarimit, prokurori I shtetit dhe avokatët e viktimave, kërkuan dënim për të pandehurit.

    “Bazuar në provat e propozuara, do vërtetohet pa dyshim se të njëjtit janë fajtorë”, tha prokurori Nixha.

    Kështu, seanca vazhdoi me deklarimin e dëshmitarit Ellmando Pali, i cili ishte duke përcjellë garën, e madje u godit nga vetura.

    Në pyetjet e prokurorit dhe avokatëve të viktimave, ky e pranoi se atë natë, të pandehurit Arlind Syla, ia dha veturën me të cilën u shkaktua aksidenti.

    Veturën time e ka vozitë Arlindi. Ka pasë me ba garë me veturën e Nue Bibës, të cilën e ka vozitur Irfn Krasniqi”, tha Pali.

    Në fakt, gjykimi në këtë procedurë filloi vetëm pasi ishte ndërruar trupi gjykues. Në seancat e radhës, do të dëshmojnë edhe persona të tjerë që ishin të pranishëm në natën kritike.

  • ​Qasja e Trump ndaj Ukrainës, a mund të vendoset Kosova para aktit të kryer në raport me dialogun me Serbinë?

    ​Qasja e Trump ndaj Ukrainës, a mund të vendoset Kosova para aktit të kryer në raport me dialogun me Serbinë?

    Kosova mund të ballafaqohet me qasje të re nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, thonë ish diplomatë kosovarë.

    Sipas tyre, Kosova mund të vendoset para aktit të kryer më një vendim të Shtëpisë së Bardhë, që s’le shumë hapësirë për negocim e kundërshtim, njëjte siç është vepruar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn, në raport me agresionin ushtarak të Rusisë në shtetin e tij.

    Delegacionet të nivelit të lartë të SHBA-së dhe Rusisë janë takuar më 18 shkurt në Riad të Arabisë Saudite për të diskutuar lidhur me luftën në Ukrainë, pa përfshirjen e Kievit zyrtar.

    Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, thotë për KosovaPress se administrata Trump mund të ndjekë një politikë të bazuar në rezultate pragmatike dhe marrëveshje të suksesshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi në vitin 2011, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë vetëm mbështetës të këtij procesi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Gjatës administratës së parë të presidentit Donald Trump, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizim ekonomik në Uashington, në vitin 2020.

    Ish-diplomatja deklaron se Kosova ka humbur shumë shanse gjatë këtyre viteve për një zgjidhje në raport me Serbinë, andaj nga presidenti Trump mund të ketë një marrëveshje “merre ose lere”.

    “Kjo çfarë po ndodh me Ukrainën në mënyrën sesi po i qaset zgjidhjen e problemit zotëri Trump, unë mendoj se gjithçka është e hapur. Duke pasur parasysh këto zhvillime që ShBA-ja po bën marrëveshje me Rusinë dhe po e rikthehen atë në arenën ndërkombëtare duke ndryshuar plotësisht politikën që kanë ndjek ShBA-ja në raport me Rusinë dhe konfliktin në Ukrainë. Çështja është se Kosova nuk është në gjendjen që është Ukraina pasi ajo është në luftë dhe presidenti Trump kërkon të ndalë luftën, por mënyra sesi po kërkon të ndalë duket se është e kritikueshme duke pas parasysh deklaratat që kemi dëgjuar deri tani. Kosova s’është në luftë ka një konflikt të pazgjidhur me Serbinë që kërkon një marrëveshje. A mund të ketë një marrëveshje merre ose lerë? Mendoj se kjo është mundur jo vetëm për presidencën e Trump, por edhe të tjera. Kosova ka humbur shumë shanse gjatë këtyre viteve për një zgjidhje në raport me Serbinë”, thekson Lama.

    Në anën tjetër, ish-diplomati Blerim Canaj, deklaron se presidenti Trump është një politikan jo-konvencional dhe i paparashikueshëm, andaj mund të insistojë në një marrëveshje të shpejtë dhe pragmatike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas tij, anashkalimi i Ukrainës në bisedimet e SHBA-së dhe Rusisë për përfundimin e luftës tregon mënyrën e funksionimit të ndërmjetësimit amerikan.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës si zakonisht nën qeverisjen e Donald Trump e shohin veten si forcë në Evropë. Në anën tjetër e dina se prioritet tani për tani për SHBA-në është Ukraina dhe e pamë sesi po funksionon ndërmjetësimi amerikan në raport me Ukrainën. Nuk duhet ta harrojmë një fakt se për ShBA-në, Kosova është një shtet dhe aty përfundon. Neve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës na njohin si shtet dhe pastaj shtetet krijojnë raportet bilaterale mes veti. Njëkohësisht flet për prioritetet që i kanë shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk duhet ta harrojmë faktin se Donald Trump është një politikan jo-konvencional dhe i paparashikueshëm, por në anën tjetër kur e kam parasysh edhe Richard Grenell, i cili po e ka fokus Kosovën, pres që të ketë lëvizje edhe në raport me dialogun me Serbinë”, tha Canaj.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, së fundmi uroi Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku u theksua thellim i bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, por për dallim nga e kaluara nuk u theksua nevoja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimin e obligimeve të marra në këtë proces.

    Në lidhje me këtë, ish-diplomatja Alma Lama, thotë se urimi i Trump ishte më shumë i fokusuar në bashkëpunim ekonomik sesa te dialogu Kosovë-Serbi.

    “Urimi ishte më shumë sa i përket bashkëpunimit ekonomik më shumë që lidhet me mënyrën sesi po e bën politikën e jashtme presidenti Trump jo vetëm me Kosovën, por krejt botën. Është e vërtet se nuk ishte një kërkesë për njohje nga ana e Serbisë edhe në letrën që iu dërgua Serbisë. Nuk u përmend dialogu, por përmendeshin raportet trans-atlantike. Çështja është se këto raporte transatlantike janë në pikën e tyre më të vështirë”, tha ajo.

    Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur Marrëveshjen Bazë në Bruksel dhe aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023, por që zbatimi i saj ende nuk ka filluar./kp