ATV

Tag: Ballina

  • Barbano: Situata e sigurisë në veri të Kosovës është stabile dhe paqësore, por ende e brishtë

    Barbano: Situata e sigurisë në veri të Kosovës është stabile dhe paqësore, por ende e brishtë

    Gjendja aktuale e sigurisë në veri të Kosovës është stabile dhe paqësore, por mbetet e brishtë, tha kreu i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, duke theksuar se prioritet i misionit që ai drejton është siguria e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

    “Në përputhje me rolin që kemi, ne mbetemi vigjilentë dhe monitorojmë nga afër situatën e sigurisë në Kosovë”, tha Barbano, duke kujtuar se EULEX-i ka kapacitetin ekzekutiv si “përgjigje e dytë e sigurisë” në Kosovë, në përputhje me një mekanizëm tre nivelesh sipas të cilit e para është Policia e Kosovës dhe e treta është KFOR-i.

    Ai ka deklaruar se, me qëllim të vetëdijesimit të situatës dhe monitorimit të vazhdueshëm të çdo zhvillimi të sigurisë, njësia policore dhe njësia policore rezervë e EULEX-it po kryejnë patrullime mobile 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.

    “Ne po punojmë në koordinim të ngushtë me aktorë të tjerë të sigurisë në terren për të qenë të gatshëm të ndërhyjmë, nëse është e nevojshme, për të kontribuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në rastet e trazirave civile,” tha Barbano.

    I pyetur për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc vitin e kaluar dhe rastin Banjska në vitin 2023, Barbano u përgjigj se EULEX-i dhe bashkësia ndërkombëtare i marrin jashtëzakonisht seriozisht incidentet dhe hetimet përkatëse.

    “Dëshiroj të kujtoj se BE-ja ka dënuar vazhdimisht sulmet në termat më të ashpër dhe ka shprehur nevojën që hetimet të përfundojnë shpejt dhe të gjithë autorët të mbahen përgjegjës. Megjithatë, që nga rregullimi i mandatit tonë në vitin 2018, EULEX-i nuk ka kryer asnjë hetim penal. Roli ynë është i fokusuar kryesisht në monitorimin e fortë të trajtimit të rasteve nga autoritetet e Kosovës në zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale,” tha Barbano.

  • Të dhënat e fundit nga KQZ: Kurti afër 300 mijë votave, Hamza shkon në mbi 160 mijë, Abdixhiku nën 130 mijë

    Të dhënat e fundit nga KQZ: Kurti afër 300 mijë votave, Hamza shkon në mbi 160 mijë, Abdixhiku nën 130 mijë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar 99.96% të votave të kandidatëve për deputetë, përmes një përditësimi të vonë natën mbrëma.

    Nga përditësimi i ri, janë rritur numrat e votave të liderëve kryesorë dhe kandidatëve për kryeministër të të gjitha partive.

    I pari i VV-së, Albin Kurti deri me tani ka marrë 290,729 vota.

    Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratikë të Kosovës, Bedri Hamza, ka marrë 164368 vota.

    Ndërsa kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, deri më tani ka 93206 vota.

    I pari i LDK-së, dhe njëherësh kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, deri tash ka 126280 vota.

    Kurse, kandidati i AAK-së, Ramush Haradinaj, në përditësimin e fundit të bërë nga KQZ, ka 42658 vota.

    Për të parë numrin e votave për të gjithë kandidatë për deputetë nga të gjitha partitë, klikoni në linkun KËTU.

    Më herët, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë të ditur se sot ka përfunduar numërimi i votave të kandidateve për deputetë dhe verifikimi i votave të subjekteve politike për zgjedhjet e 9 shkurtit.

  • Plagosja në Prishtinë, dy të dyshuarit mbeten në arrati

    Plagosja në Prishtinë, dy të dyshuarit mbeten në arrati

    Një incident i rëndë u shënua orët e mbrëmjes e së premtes në lagjen Dardania në Prishtinë, ku pas disa të shtënave me armë, një person mbeti i plagosur. I njëjti u dërgua në QKUK për tretman mjekësor, ku po vazhdon trajtimin e tij.

    Policia rastin e ka cilësuar si “Vrasje në tentativë”, teksa ka bërë të ditur se të dyshuarit janë dy persona të panjohur të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

    Ndërkohë për rastin, dhanë detaje edhe nga Klinika Emergjente e QKUK-së, ku është bërë e ditur se personi i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

    Sipas mjekut kujdestar, Agron Çitaku, atij i janë pastruar katër plaga që ka marrë nga arma dhe më pas është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Ortopedisë, në QKUK.

  • Përfundon procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, KQZ-ja del me njoftim

    Përfundon procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, KQZ-ja del me njoftim

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i numërimit të votave është përmbyllur në të gjitha qendrat e numërimit.

    Në njoftim thuhet se KQZ ka deklaruar se është ofruar transparencë të plotë të procesit të numërimit duke prezantuar në ekrane punën e çdo ekipi të numërimit, përfshirë pamjen e fletëvotimeve të plotësuara në vendvotime nga votuesit dhe krijimin e formularëve digjital.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se të premtën në mbrëmje, më 21 shkurt 2025, është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime më 9 shkurt 2025. Në 38 Qendrat Komunale të Numërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ofruar transparencë të plotë të procesit të numërimit duke prezantuar në ekrane punën e çdo ekipi të numërimit, përfshirë pamjen e fletëvotimeve të plotësuara në vendvotime nga votuesit dhe krijimin e formularëve digjital. Gjatë kësaj periudhe, numri i vendvotimeve të rregullta që janë numëruar është 2,533, në të cilat më 9 shkurt 2025 janë mbajtur Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    Gjatë kësaj kohe, KQZ ka bërë të ditur se të bëjë edhe përditësimin në faqen e tyre zyrtare https://rezultatet2025.net/
  • Vrasja e Triumf Rizës, i akuzuari Rrahim Abdullahu deklarohet i pafajshëm

    Vrasja e Triumf Rizës, i akuzuari Rrahim Abdullahu deklarohet i pafajshëm

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, këtë të premte, i akuzuari Rrahim Abdullahu është deklaruar i pafajshëm për akuzën se në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun, Enver Sekiraqën dhe Ilir Abdullahun, kanë vrarë ish-policin Triumf Riza.

    Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri pas njoftimit të kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Valon Kurtaj, i cili njoftoi se është bërë bashkimi i procedurës për të njëjtin me arsyetimin e ekonomizimit të procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Tutje, seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse, nga palët në këtë procedurë.

    Prokurorja e rastit Arberesha Raça – Shala, deklaroi se Prokuroria Speciale konsideron dhe është fuqishëm e bindur se me provat që do administrohen në procedurë penale do të vërtetohet në tërësi ashtu siç është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës gjendja faktike dhe gjendja juridike, përkatësisht përcaktimi ligjor i veprës penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.

    “Andaj, konsideroj që pas mbajtjes së seancave të shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të dëshmitarëve dhe administrimit të provave materiale, gjykata do merr vendim me të cilin të pandehurit do t’i shqiptoj sanksionin penal të parashikuar në Kodin Penal”, tha prokurorja Shala.

    Edhe babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza, në fjalën hyrëse theksoi se dy të akuzuarit ishin persona recidivist dhe sipas tij e kishin përcjellë djalin e tij, tani të ndjerin Trium Riza.

    Fjalën hyrëse para trupit gjykues e paraqiti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Abdullahu, avokati Ramë Dreshaj, i cili ndër të tjera theksoi se konsideron se me administrim të provave të propozuara nga prokuroria, kur të analizohen nga trupi gjykues do të sjellin një vendim jo tjetër por lirues, nga fakti se aktakuza sipas tij është në ‘këmbët e qelqit’.

    “Mund të deklaroj lirshëm se kjo aktakuzë është e përpiluar në bazë të thashethemeve”, tha ai

    Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Rrahim Abdullahu, avokati Xhemajl Ademi deklaroi se aktakuza nuk ka mbështetje në prova të ligjshme dhe se e njëjta sipas tij është e ndërtuar mbi bazën e deklaratave të dëshmitarëve që disa herë i kanë ndryshuar.

    Ndërsa, vetë i akuzuari Rrahim Abdullahu deklaroi se pajtohet me deklarimet e mbrojtësit të tij, duke shtuar ndër të tjera se me tani të ndjerin Triumf Rizën nuk kishe pasur punë asnjëherë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza”.

    Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurin Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.

    Më tej, thuhet se për arrestimin dhe rrahjen e tij në Ferizaj më 22 maj 2006 nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së, Sekiraqa kishte akuzuar tani të ndjerin Triumf Riza se janë të shtyrë nga ana e tij, andaj janë marrë vesh që tani të ndjerin ta privojnë nga jeta.

    Në aktakuzë thuhet se një kohë kanë përcjellë me vetura lëvizjet e Rizës dhe më 30 gusht 2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa”, tani i dënuari Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Abdullahu me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin Grand.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe i pandehuri Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.

    Më pas, thuhet se i pandehuri Rrahim Abdullahu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.

    Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Riza nuk ka pritur kurrfarë sulmi, me shpinë të kthyer nga ai, nga një distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafale të shkurtra, duke e goditur me 2 plumba në shpinë, ku plumbat, për shkak të veprimit dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një plumb është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.

    Me këtë veprim, i akuzuari Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë’, nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

    Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

    Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.

  • Mbyllen katër Qendra serbe për punë sociale në veri, dyshohet se “shkelën vullnetin e votuesve”

    Mbyllen katër Qendra serbe për punë sociale në veri, dyshohet se “shkelën vullnetin e votuesve”

    Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion ku i ka mbyllur objektet e Qendrës për punë sociale në Mitrovicën e Veriut, të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb. Kjo ka ardhur për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

    Policia ka thënë përmes një njoftimi se është duke kontrolluar objektet e kësaj Qendre në tri komuna me shumicë serbe në veri – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – pasi ka dyshime për “veprime të kundërligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në këtë aksion nuk është arrestuar askush dhe se është duke u zhvilluar një intervistë informative me drejtorin përgjegjës të Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan.

    “Dyshohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”, ka thënë Elshani.

    Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.

    Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.

  • Mbyllen tri struktura paralele në veri, dyshohet se përmes tyre qytetarët u kushtëzuan të votonin një parti politike

    Mbyllen tri struktura paralele në veri, dyshohet se përmes tyre qytetarët u kushtëzuan të votonin një parti politike

    Policia e Kosovës sot është duke zhvilluar një aksion në disa qendra në veri të Mitrovicës, në lidhje me kërcënimet nga Qendra për Punë Sociale ndaj disa qytetarëve një ditë para zgjedhjeve të 9 shkurtit, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas informacioneve të para, kontrolli po kryhet me leje urdhër të Gjykatës, pasi një ditë para zgjedhjeve, disa zyrtarë të qendrës për punë sociale dyshohet se përmes telefonit i kanë kërcënuar disa qytetarë, duke iu treguar se kë të votojnë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    “Me 08 shkurt 2025 një dite para zgjedhjeve Parlamentare ne Kosove, ne kishim arrestuar 4 persona (zyrtar te Qendrës për Pune Sociale ne Zubin Potok) ne lidhje me veprën cenim i përcaktuesve te votuesve

    Ne fakt këta zyrtar te qendrës për pune sociale e cila ishte ne strukture paralele/ilegale dyshohej se kane thirre qytetar te ndryshëm ne telefon dhe nen formën e kërcënimit i kane detyru apo udhezu se si te votojnë duke i kushtezu ndihmat sociale me votën e tyre ne favor te një partie te caktuar politike e cila ishte ne gare për zgjedhjet parlamentare ne Kosove.

    Lidhur me punën tone hetimore ne e kemi njoftu Prokurorin Themelore ne Mitrovice nga te cilët kemi kerku qe te na lejohet kontrolli i këtyre qendrave me qellim te zbulimit te provave me te cilat do te vërtetohet saktë mënyra e veprimit te këtij aktiviteti te kundërligjshëm e qe cilësohet si falsifikim i dokumenteve.

    Prokuroria Themelore ne Mitrovice e ka aprovu kërkesën tone dhe e ka dergu mandej kërkesën e vet për urdhër te kontrollit ne Gjykate gjë te cilën edhe e ka marr dhe tani jemi ne kontroll te këtyre qendrave me urdhër te Gjykatës”, ka potencuar ai.

  • Vazhdon numërimi i votave në tri komuna

    Vazhdon numërimi i votave në tri komuna

    Pas përmbylljes së numërimit të votave në 35 komuna të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se kanë mbetur për t`u numëruar votat në tri komuna, Prishtina, Peja dhe Leposaviqi, të cilat pritet të përfundojnë sot, raporton Ekonomia Online.

    Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, ka thënë për Ekonomia Online se është përmbyllur numërimi i votave në 35 komuna të Kosovës. Mirëpo, ka njoftuar se numërimi i votave do të vazhdoj dhe sot.

    “Janë numëruar 94.31% apo 2,389 nga 2,533 vendvotime. Pra, kanë mbetur edhe 144 vendvotime që i takojnë këtyre komunave tri komunave”, tha Elezi.

    Ai theksoi se gjatë procesit të numërimit, i zhvilluar në 38 Qendra Komunale të Numërimit, përveç numërimit të votave për kandidatët për deputetë, është realizuar edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.

    “Ky është një proces sigurie që çdo votë të jetë e evidentuar me saktësi”, ka thënë ai.

    Elezi po ashtu tha se KQZ ka publikuar platformën elektronike ku janë shfaqur të dhënat për votat e kandidatëve për deputetë dhe të dhënat për rezultatin e subjekteve politike.

    Pas numërimit të votave në komuna fillon numërimi fillimisht i votave nga diaspora, votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

  • Raportuesi Terras kërkon heqjen e masave të BE së ndaj Kosovës

    Raportuesi Terras kërkon heqjen e masave të BE së ndaj Kosovës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që tema kyçe në seancën e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

    Teksa raportuesi për Kosovën, Riho Terras prezantoi raportin, para deputetëve kërkoi që rruga e Kosovës drejtë BE-së të përshpejtohet.

    “U bëj thirrje vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën të rishqyrtojnë pozicionin e tyre për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në BE. Dua t’ju siguroj se populli i Kosovës është shumë optimist sa i përket anëtarësimit në BE. Mbështetja publike është shumë e lartë. Po ashtu, edhe mbështetja nga të gjitha partitë kryesore politike”, tha Terras.

    Teksa vendi vazhdon të jetë nën masa nga Bashkimi Evropian, euro-deputeti kërkoi edhe heqjen e menjëhershme të tyre duke përmendur përparimet e shënuara.

    “BE-ja duhet të heqë masat e vendosura ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta. Këto masa duhet të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur. Ka disa çështje ku është bërë përparim krahasuar me raportet e mëparshme”, tha Terras.

    Pasi tha se fjalimi i estonezit ishte pozitiv për nga përmbajta, hulumtuesi për politikë të jashtme në GLPS, Besar Gërgi, tha se ky është më shumë mesazh simbolik, pasi s‘ka peshë në vendimmarrjeje.

    Qartësimi i procesit të integrimit të Kosovës në BE- u kërkua edhe nga deputetët e tjerë të Parlamentit Evropian që morën pjesë në seancë.

  • Numërohen të gjitha vendvotimet

    Numërohen të gjitha vendvotimet

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar rezultatet preliminare të partive politike në zgjedhjet e 9 shkurtit nga numërimi i të gjitha vendvotimeve.

    Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.80 për qind votash, Partia Demokratike, 22.03 për qind, Lidhja Demokratike ka marrë 17.63 për qind dhe koalicioni AAK – Nisma ka marrë 7.46 për qind.

    Në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje do t’I ketë 47 deputetë, PDK-ja, 25 deputetë, LDK-ja 20 deputetë dhe AAK-NISMA, 8 deputetë.

    Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar më së shumti vota tha se do ta formojë Qeverinë e re, ndonëse me rezultatet aktuale, ajo nuk i ka 61 deputetë për miratim të kabinetit të ri qeveritar.

    Megjithatë rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.

    Ndërkaq sipas rezultateve në mesin e liderëve të partive kryesore që garuan për pozitën e kryeministrit më së shumti vota ka marrë Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje– 259.532 vota. Pas tij renditet Bedri Hamza, nga PDK-ja me 150.294 vota. Në listën e më të votuarve është edhe Memli Krasniqi, lider i Partisë Demokratike të Kosovës me 85.293 vota.

    Pas tij renditen Lumir Abdixhiku, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidat për kryeministër – 109.202 vota dhe Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 37.752 vota.

    Dalja në zgjedhjet e sivjetme ishte 40 për qind – rreth 8 për qind më e vogël sesa në zgjedhjet e 2021-tës. /atvlive.tv