ATV

Tag: Ballina

  • Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë me dije se javën e ardhshme pritet të mbajë mot relativisht i ngrohtë për këtë periudhë të vitit.

    Temperaturat minimale sipas institutit do të lëvizin ndërmjet -2°C dhe 3°C, ndërsa ato maksimale parashihen të arrijnë nga 7°C deri në 14°C.

    “Kjo situatë meteorologjike është rezultat i ndikimit të disa qendrave të presionit të ulët, të cilat kanë përfshirë disa rajone të Evropës. Gjatë pesë ditëve të ardhshme, moti do të jetë kryesisht i vranët, me intervale të herëpashershme me diell, të cilat do të ndikojnë në rritjen e temperaturave gjatë mesditës”, thuhet në njoftim.
    Përveç kësaj, instituti njofton se në periudha të kufizuara, parashihen edhe riga lokale shiu.

  • Nis samiti i Britanisë së Madhe për Ukrainën – këta janë të gjithë pjesëmarrësit

    Nis samiti i Britanisë së Madhe për Ukrainën – këta janë të gjithë pjesëmarrësit

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka arritur tani në Lancaster House, ku u prit nga kryeministri Keir Starmer para samitit me liderët e tjerë evropianë.

    Kujtojmë që Starmer dha qëndrim tejet mbështetës ndaj Zelenskyt, mbi situatën e krijuar pas të premtes.

    Poashtu edhe liderët evropianë kanë mbërritur në Lancaster House në qendër të Londrës, ku kryeministri britanik, Keir Starmer, po pret një samit ndërkombëtar për sigurinë.

    Në mesin e tyre janë edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri i Polonisë Donald Tusk.

    Menjëherë pas tyre mbërriti edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

    U panë gjithashtu kryeministri suedez Ulf Kristersson, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store, Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, kryeministri i Republikës Çeke Petr Fiala dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

    Më pas kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kryeministri holandez Dick Schoof dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

    Të pranishmit përfshijnë gjithashtu presidentin e Finlandës Alexander Stubb, presidentin e përkohshëm të Rumanisë Ilie Bolojan, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa.

    I fundit që mbërriti ishte kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

    Në vijim gjeni emrat e të gjithë pjesëmarrësve: kryeministri i Britanisë së Madhe Keir Starmer, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri polak Donald Tusk, kryeministri suedez Ulf Kristersson, kryeministri i Republikës Çeke Petr Fiala, Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store, kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri kanadez Justin Trudeau, kryeministri holandez Dick Schoof, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri finlandez Alexander Stubb, presidenti i Këshillit të BE-së Antonio Costa, presidenti i përkohshëm i Rumanisë Ilie Bolojan dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

  • Rama: Nuk ka shanse marrëveshjeje me Serbinë për të ardhmen e Kosovës

    Rama: Nuk ka shanse marrëveshjeje me Serbinë për të ardhmen e Kosovës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk ka shanse që të bien dakord me Serbinë se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës, transmeton Anadolu.

    Në një intervistë për një televizion grek, Rama ka folur për disa çështje, përfshirë marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, marrëdhëniet me Serbinë, luftën Rusi-Ukrainë, Bashkimin Evropian (BE) dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

    “Serbia është këtu, është në rajon dhe ka lidhje me vëllezërit tanë në Kosovë dhe është e rëndësishme për marrëdhënien tonë. Pas 68 vjetësh unë vizitova Beogradin. Ne e kemi këtë mosmarrëveshje. Nuk ka shans që ne të biem dakord se cila është e ardhmja e Kosovës, por nga ana tjetër kjo nuk duhet të jetë arsye për të bërë shumë gjëra të tjera”, tha Rama.

    Duke folur për marrëdhëniet shqiptaro-greke, Rama tha se sfida është ta shohësh historinë me sytë e të ardhmes dhe jo të ardhmen me sytë e historisë.

    “Marrëdhëniet (Shqipëri-Greqi) tani janë mirë, gjithmonë mund të jenë shumë më mirë. Për një farë kohe ishin keq, për një çështje që ishte shumë shumë e rëndësishme për palën greke, ndërsa për ne ishte thjeshtë një mes shumë çështjesh, por jemi në rregull tani”, tha Rama, duke iu referuar çështjes së Alfred Belerit, i cili aktualisht është anëtar i Parlamentit Evropian si përfaqësues i Greqisë dhe që u dënua në Shqipëri për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

    Rama theksoi se përcaktimi i zonave detare me Greqinë është një çështje tjetër që duhet të zgjidhin.

    “Donim që të ecnim përpara me disa çështje të mbetura pezull. Për ne është shumë e rëndësishme t’i jepet fund ligjit absurd të luftës. Ligjërisht jemi në luftë. Jo nuk është shfuqizuar dhe duhet të shfuqizohet. Ajo çfarë ka ndodhur është se kemi nënshkruar një traktat miqësie, por ligji është në fuqi”, tha Rama.

    Kujtojmë se disa vite më parë Shqipëria dhe Greqia u dakorduan që t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve.

    “Unë drejtoj një qeveri që në programin e vet që kur ishim në opozitë e ka shprehur qartë që politika jonë e jashtme, një prej shtyllave të saj është trekëndëshi i partneritetit strategjik me Italinë, Türkiyen dhe Greqinë. Greqia është partner strategjik, duam të jemi shumë pranë e të bëjmë shumë më tepër”, tha ndër të tjera Rama.

    Rama tha se Evropa është projekti më i mrekullueshëm i njerëzimit kur vjen fjala për mënyrën se si njerëzit mund të organizohen dhe se si përmes politikës mund të ndërtohet diçka e jashtëzakonshme.

    “Por kështu siç është, Evropa ngjan me një pacient me 27 mjekë. Nëse nuk ndryshon situata mund të bëhet më e vështirë për Evropën”, shtoi ai.

    I pyetur se cili është qëndrimi i tij rreth bisedimeve SHBA-Rusi për luftën në Ukrainë, pa pjesëmarrjen e Ukrainës dhe BE-së, Rama tha se, “Mendoj se jetojmë në kohëra revolucionare. Ajo që po ndodh ka tiparet e një revolucioni. Ne duhet të jetojmë me të, të reagojmë ndaj kësaj, të mos ankohemi e të mos mendojmë se ‘status quo’-ja me të cilën jemi mësuar mund të na ndihmojë”.

  • Kurti: Jemi në proces të marrëveshjes për njohjen e patentë shoferëve edhe me Kanadanë dhe Turqinë

    Kurti: Jemi në proces të marrëveshjes për njohjen e patentë shoferëve edhe me Kanadanë dhe Turqinë

    Kosova është në fazën e përfundimit të një marrëveshjeje që do të mundësojë njohjen e patentë shoferëve të Kosovës edhe në Kanada dhe Turqi.

    Kështu bëri të ditur kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës.

    Ai tha se MPJD-ja dhe MPB-ja ka punuar vazhdimisht për të lehtësuar jetën e bashkatdhetarëve duke përfshirë marrëveshjet për njohjen e patentë shoferëve në shtete të ndryshme si Gjermania, Italia, dhe së fundmi edhe në Austri.

    “Të pandashëm nga mërgata jonë kemi qenë dhe ne gjatë gjithë qeverisje sonë. MPJD dhe MPB janë angazhuar vazhdimisht në shtimin, digjitalizimin e shërbimeve për bashkatdhetarët. “Një nga lehtësimet më të mëdha është dhe njohja e patentë shoferëve, siç është Gjermania. Muajin e kaluar ka hyrë në fuqi marrëveshja me Italinë dhe tash fillon edhe me Austrinë. Pas këtyre në proces të finalizimit të njohjes së patentë shoferëve jemi edhe me Kanadanë dhe me Turqinë”, tha Kurti.

  • Kurti kërkon nga KQZ-ja më shumë angazhim për përfundimin e numërimit të votave

    Kurti kërkon nga KQZ-ja më shumë angazhim për përfundimin e numërimit të votave

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret nga KQZ-ja më shumë angazhim për përfundimin e numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtje të vullnetit të votuesve.

    “Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimet për formimin e institucioneve në legjislaturën e ardhshme. Nga ju kabinet qeveritar pres që të vazhdoni punët e mira me të njëjtën ritëm. Ndërkaq krejt presim nga KQZ edhe më shumë angazhim për përfundimin e numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtje të vullnetit të votuesve, duke përmbyllur një proces të drejtë, të ndershëm e demokratik me pjesëmarrje masive të qytetarëve”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.

    Ai ka folur dhe pjesëmarrjen e lartë të diasporës në zgjedhje.

    “Pjesëmarrje të lartë pati edhe diaspora jonë e cila për herë të parë votoi përmes postës, pati mundësi të votojë edhe në Ambasada e Konsullata tona”, tha Kurti.

  • Gjykata e Bosnjës shpall sot vendimin për Dodikun

    Gjykata e Bosnjës shpall sot vendimin për Dodikun

    Gjykata e Bosnje-Hercegovinës do të shpallë të mërkurën, më 26 shkurt, aktgjykimin për presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, të cilët akuzohen për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

    Pas një procesi gjyqësor, që ka zgjatur më shumë se një vit, Gjykata e Bosnjës do të shpallë aktgjykimin e shkallës së parë, ndaj të cilit Prokuroria e Bosnjës dhe mbrojtja do të kenë të drejtë ankese.

    Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.

    Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike.

    Në fjalën përfundimtare, më 19 shkurt, Prokuroria e Bosnjës kërkoi nga Gjykata të shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim për Dodikun dhe t’i ndalojë veprimtarinë politike për dhjetë vjet. Po të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Llukiqin.

    Dodik, në fjalën e tij përfundimtare, tha se “të gjithë bashkë duhet të luftojmë që Bosnje-Hercegovina të mos jetë më një protektorat, por të rikthejë sovranitetin e saj”, duke përsëritur pretendimet e vjetra se Schmidt nuk ka legjitimitet, pasi emërimi i tij nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, siç ka ndodhur me përfaqësuesit e mëparshëm të Lartë.

    Presione mbi Gjykatën dhe tubime mbështetëse

    Gjyqi ndaj Dodikut dhe Llukiqit filloi më 5 shkurt 2024 dhe është shoqëruar me akuza nga mbrojtja ndaj Gjykatës së Bosnjës, gjyqtarëve dhe prokurorëve për anshmëri, si dhe kërkesa për zhvendosjen e procesit gjyqësor në një gjykatë në Banjallukë.

    Çdo seancë është ndjekur nga dhjetëra mbështetës të Dodikut nga e gjithë Bosnja, të cilët pretendonin se kishin ardhur me vullnetin e tyre përpara ndërtesës së Gjykatës në Sarajevë.

    Ndërsa pritet vendimi i këtij gjyqi njëvjeçar, presionet mbi Gjykatën janë shtuar. Kështu, udhëheqësia e Republikës Sërpska ka kërcënuar me “vendime radikale” dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnje-Hercegovinës, nëse Dodik dënohet.

    Një ditë para shpalljes së aktgjykimit, në Banjallukë u mbajt një tubim mbështetjeje për institucionet e Republikës Sërpska, ndërsa një tubim tjetër është planifikuar për të mërkurën.

    Më 24 shkurt, Qeveria e Republikës Sërpska miratoi një dokument të titulluar “Informacion mbi rrëzimin e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës, masat dhe detyrat për mbrojtjen e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës”, të cilin e dërgoi në Kuvendin e këtij entiteti.

    Në dokument thuhet, ndër të tjera, se Republika Sërpska do të ndërmarrë masa përmes mjeteve politike dhe ligjore “nëse dhuna ligjore ndaj Republikës Sërpska nuk ndalet dhe nëse nuk ka vullnet politik dhe mbështetje ndërkombëtare për ta kthyer Bosnjën në bazat e saj dhe për ta transformuar në një shtet ku respektohen ligjet dhe Kushtetuta e Dejtonit”.

    Mesazhet e EUFOR-it, NATO-s…

    Një ditë para shpalljes së aktgjykimit, ambasadorët e Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) u bënë thirrje politikanëve në Bosnje-Hercegovinë që të përmbahen nga presionet dhe kërcënimet politike, si dhe të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit.

    Në një seancë të jashtëzakonshme në Sarajevë, Bordi Drejtues i PIC-it konfirmoi përkushtimin ndaj integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës, si një shtet unik dhe sovran, i përbërë nga dy entitete, dhe Distriktit Bërçko si një njësi administrative e veçantë, tha për gazetarët Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt.

    Schmidt u dërgoi një mesazh qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës se bashkësia ndërkombëtare mbetet e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke theksuar se “për Bosnje-Hercegovinën nuk ka negociata, dhe se ajo do të vazhdojë të ecë përpara në rrugën evropiane”.

    Ai, gjithashtu, tha se e kupton shqetësimin e shumë qytetarëve për zhvillimet e fundit.

    “Jini të sigurt se bashkësia ndërkombëtare mbetet vigjilente dhe e kujdesshme. Marrëveshja e Dejtonit dhe institucionet shtetërore vazhdojnë të jenë të mbrojtura dhe duhet të respektohen”, tha Schmidt pas seancës së Bordit Drejtues të PIC-it, i cili përbëhet nga ambasadorë të vendeve perëndimore, të Organizatës së Konferencës Islamike dhe të Rusisë, e cila nuk merr më pjesë në punimet e këtij organi.

    Përndryshe, PIC siguron udhëzime politike për Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje-Hercegovinë.

    Takimi i ambasadorëve evropianë dhe qëndrimi i BE-së

    Njëkohësisht, të martën u mbajt një takim i ambasadorëve evropianë me kryesuesen e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës (BeH), Zhelka Cvijanoviq.

    Në këtë takim u theksua se veprimet që thellojnë ndarjet dhe rrisin tensionet janë të papranueshme për Bashkimin Evropian.

    Takimit i priu edhe Përfaqësuesi special i BE-së në Bosnje, Luigi Soreca.

    Soreca shkroi në rrjetin social X se, ndër të tjera, u theksua që liderët politikë duhet të respektojnë rendin kushtetues të Bosnje-Hercegovinës, të punojnë për dialog dhe kompromis, si dhe të respektojnë sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

    Përfaqësuesi special i BE-së në Bosnje shtoi, gjithashtu, se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Bosnje – Hercegovinës.

    “BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të vendit si një shtet unik dhe i bashkuar. BeH ka një mundësi historike për të hapur negociatat për anëtarësim në BE”, theksoi Soreca në rrjetin social X.

    Reagimet nga Serbia dhe Hungaria

    Gjykimi ndaj Dodikut dhe Llukiqit ka ngjallur reagime edhe nga përfaqësuesit e qeverive të Serbisë dhe Hungarisë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 17 shkurt në Budapest se shpreson që “në Bosnje nuk do të merren vendime gjyqësore që mund të rrezikojnë stabilitetin”.

    Dy ditë para seancës së fundit, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bëri thirrje për “ndalimin e ndëshkimit të Dodikut”, i cili, së bashku me të gjithë udhëheqësinë e Republikës Sërpska, është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për korrupsion dhe minimin e Bosnjës.

    Si erdhi deri te procesi gjyqësor?

    Në seancat e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska, në qershor të 2023, u miratuan ligje jokushtetuese, sipas të cilave aktet juridike të Përfaqësuesit të Lartë nuk do të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska, ndërsa vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, të cilat janë përfundimtare dhe detyruese, sipas Kushtetutës së vendit, nuk do të zbatoheshin në territorin e këtij entiteti.

    Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, shfuqizoi më 1 korrik 2023 kompetencat e Bonit, dy ligjet e entitetit dhe bëri ndryshime në Kodin Penal të Bosnjës, duke e bërë refuzimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë një vepër penale.

    Më 7 korrik 2023, Dodik nënshkroi dekretet që shpallnin këto ligje të vlefshme, dhe ato u publikuan në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska. Prokuroria e Bosnjës ngriti aktakuzë kundër Dodikut dhe Llukiqit më 11 gusht, dhe gjykata e konfirmoi atë më 11 shtator.

    Dodik më parë ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në shpalljen e aktgjykimit, por u ka bërë thirrje qytetarëve – që për më shumë se një vit janë mbledhur para Gjykatës së Bosnjës për ta mbështetur – të marrin pjesë në mitingun e planifikuar të mërkurën në Banjallukë.

    Pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, dhe pas paraqitjes së ankesave, Këshilli i Apelit i Gjykatës së Bonjës pritet të marrë vendimin përfundimtar brenda rreth tre muajsh e gjysmë.

    Ky është procesi i parë gjyqësor në Bosnje-Hercegovinë për veprën penale të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë. /REL

  • Jashari: Gati çdo vit do të ketë rritje të çmimit të energjisë

    Jashari: Gati çdo vit do të ketë rritje të çmimit të energjisë

    Gazetari Fatlum Jashari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se derisa Kosova nuk i shton kapacitetet prodhuese të energjisë, rritja e tarifave do të vazhdojë pothuajse çdo vit.

    Sipas Jasharit, rritja e konsumit të energjisë, për shkak të ndërtimeve të reja dhe nevojave sezonale, po ndodh ndërsa kapaciteti prodhues ka mbetur i njëjtë për dekada.

    “Një konsumator mesatar duhet ta kuptojë se problemi qëndron te mungesa e prodhimit. Derisa nuk i shtojmë kapacitetet prodhuese, jo vetëm këtë vit, por çdo vit do të kemi ose pritet të kemi rritje të tarifave të energjisë elektrike”, tha Jashari.

    Ai tha se numri i konsumatorëve të rinj po rritet vazhdimisht, ndërkohë që prodhimi nga dy termocentralet kryesore të vendit ka mbetur i njëjtë për 30-40 vjet, madje duke shënuar rënie.

    “Fakti se po shkojmë gjithmonë e më shumë drejt rritjes mesatare të konsumit vjetor, qoftë edhe ditor, tregon se kemi nevojë për kapacitete të reja. Ndërkohë, kapaciteti prodhues i dy termocentraleve që përbëjnë burimin kryesor të energjisë elektrike në Kosovë ka mbetur ai që ka qenë para 20-30 a 40 vjetëve, madje ka shkuar duke rënë”, u shpreh Jashari.

    Deklaratën e plotë të Fatlum Jasharit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Rrahmani: Jam i kënaqur me rezultatin, do ta formojmë një parti konservative

    Rrahmani: Jam i kënaqur me rezultatin, do ta formojmë një parti konservative

    Eman Rrahmani nga Koalicioni për Familjen, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se rezultati i zgjedhjeve është një bazë e mirë për të vazhduar me krijimin e një partie politike konservative në Kosovë.

    Sipas Rrahmanit, fushata dy mujore ka treguar se ekziston potencial për një parti të tillë dhe beson se kjo ide do të mirëpritet nga qytetarët.

    “E rëndësishme është se besoj që është një rezultat i kënaqshëm për të vazhduar një projekt të ri politik në Kosovë. Në bazë të aktivitetit dhe fushatës dy mujore që kemi pasur, është dëshmuar se ekziston një potencial për krijimin e një partie konservative në vend, të cilën besoj se do ta mirëpresin qytetarët”, tha Rrahmani.

    Ai tha se, ndonëse koha për përgatitje ka qenë e shkurtër, rezultati pasqyron angazhimin e bërë gjatë kësaj periudhe.

    “Ka qenë kohë e shkurtër, ku për sukses në zgjedhje duhen strukturë, njerëz dhe angazhim. Por unë për vete jam i kënaqur edhe me këtë rezultat, sepse është vlerësim i punës që kemi bërë gjatë dy muajve të angazhimit në këtë projekt,” u shpreh Rrahmani.

    Deklaratën e plotë të Eman Rrahmanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Themelohet Këshilli Shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

    Themelohet Këshilli Shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

    Qeveria e Kosovës ka njoftuar se dje ka mbajtur mbledhje elektronike, ku ka miratuar themelimin e Këshillit Shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Ky këshill ka si qëllim organizimin e aktiviteteve dhe ngjarjeve për të nderuar kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në çlirimin e vendit.

    Këshilli do të drejtohet nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si Kryesues, ndërsa bashkëkryesues do të jetë Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

    Anëtarë të tjerë të Këshillit janë: Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku; Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi; Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe përfaqësues të organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së.

    Përmes këtij vendimi, Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës janë ftuar të dërgojnë përfaqësues të tyre në Këshill.

  • Ambasadori Hargreaves: Britania i qëndron pranë dëshirës për të punuar me Kosovën për anëtarësim në NATO

    Ambasadori Hargreaves: Britania i qëndron pranë dëshirës për të punuar me Kosovën për anëtarësim në NATO

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka thënë se Mbretëria e Bashkuar mbetet e angazhuar për të punuar me Kosovën drejt anëtarësimit në NATO.

    Këtë qëndrim ai e dha në një opinion të publikuar në Koha, ndërsa flet për sfidat e sigurisë në Europë.

    ”NATO ka bërë zotim afatgjatë ndaj Ukrainës se është në rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit, siç është rënë dakord nga aleatët në Samitin e Uashingtonit vitin që shkoi”.

    ”Ne qëndrojmë pranë këtij zotimi, ashtu siç qëndrojmë pranë dëshirës sonë për të punuar me Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit eventual në NATO”, thekson ai ndër tjera.

    Tutje ai ka vlerësuar lartë edhe angazhimet e Kosovës, në mbështetjen e rezistencës së Ukrainës nga lufta ruse.

    ”Ne jemi krenarë që po bashkëpunojmë me Kosovën për të mbështetur rezistencën e Ukrainës”.

    ”Kontingjenti më i fundit i instruktorëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u nis për në Mbretërinë e Bashkuar muajin që shkoi, për t’u bërë pjesë e programit për trajnimin e ushtarëve ukrainas”.

    ”Shumë po bëjnë shumë, por të gjithë ne duhet të bëjmë më shumë.

    ”Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova ndajnë një neveri të thellë ndaj pushtimit të Ukrainës, një kuptim të përbashkët të implikimeve të mosveprimit, si dhe vendosmërinë për të siguruar që Putin të mos fitojë”.