ATV

Tag: Ballina

  • Raportuesi i PE-së për Serbinë fajëson Vuçiqin për mosrealizimin e takimeve

    Raportuesi i PE-së për Serbinë fajëson Vuçiqin për mosrealizimin e takimeve

    Raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, pas vizitës së tij në Beograd, gjatë së cilës nuk u takua me zyrtarët më të lartë shtetërore, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte planifikuar një gjë të tillë.

    “Vendimin që kontaktet e drejtpërdrejta me mua, në emër të pushtetit, të reduktohen ekskluzivisht në bisedime në Kuvendin Popullor dhe në Ministrinë për Integrime Evropiane e mori, natyrisht, presidenti Vuçiç, pasi vetëm ai vendos për lëvizje të tilla,” konfirmoi Picula për Radio Evropa e Lirë.

    Picula shkoi në Beograd pasi që më 20 shkurt, në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, u prezantua draft-raporti, i cili u përball me kritika nga autoritetet serbe.

    Takimin me raportuesin për Serbinë e refuzoi Vuçiqi, i cili e quajti Piculën “gënjeshtar”. Përveç Vuçiqit, takimin e refuzoi edhe kreu i grupit parlamentar “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk duhet të ndalet” në Kuvendin e Serbisë, Milenko Jovanov.

    Picula pretendon se qëndrimi negativ i qeverisë ndaj draft-raportit për situatën në vend ishte promovuar që para mbërritjes së tij.

    “Nga ana tjetër, nuk do të ishte e drejtë të reduktohej kuptimi dhe rezultatet e qëndrimit tim në Serbi vetëm në takimet që nuk pata me presidentin e shtetit, kryeministren në detyrë dhe ministrin e Punëve të Jashtme”, tha Tonino Picula.

    Gjatë qëndrimit të tij në Serbi, ndodhi gjithashtu një aksion policor në ambientet e disa organizatave joqeveritare në Beograd.

    Picula konfirmon se edhe ky element, së bashku me të gjitha përshtypjet nga vizita, do të përfshihen në vijimin e punës për raportin mbi gjendjen në Serbi.

    Ai vlerësoi se misioni katërditor në kapacitetin e raportuesit të përhershëm të Parlamentit Evropian për Serbinë ka treguar se nuk do të jetë e mundur të kapërcehen lehtësisht dallimet në vlerësimet për situatën në vend mes tij dhe përfaqësuesve të pushtetit me të cilët nuk pati mundësinë të bisedojë.

    “Ngjarjet më të rëndësishme në Serbi prej muajsh janë protestat masive të udhëhequra nga studentët, të cilët po bllokojnë institucionet arsimore. Protestat janë përhapur pothuajse në të gjithë vendin. Sipas mendimit tim, bëhet fjalë për një presion të përgjithshëm shoqëror mbi politikën, me qëllim çlirimin e institucioneve të shtetit nga gjithçka që i ka bllokuar për vite me radhë”, thekson Picula.

    Sipas tij, zhvillimet e ardhshme do të varen nga marrëdhëniet mes katër faktorëve që ai i konsideron më me ndikim: pushtetit, i cili nuk po arrin t’i shpërndajë protestat; opozitës institucionale, e cila nuk i drejton zhvillimet; komunitetit ndërkombëtar, që kryesisht po mban distancë; dhe studentëve, të cilët kanë një bazë të gjerë legjitimiteti, por ende nuk kanë zgjeruar listën e kërkesave përtej atyre fillestare.

    Studentët, të cilët nga fundi i nëntorit kanë bllokuar më shumë se 60 fakultete në të gjithë vendin, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad, ku më 1 nëntor 2024 u rrëzua çatia e Stacionit Hekurudhor, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave.

    Studentët kërkojnë gjithashtu ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmet ndaj tyre dhe qytetarëve të tjerë gjatë protestave.

    Pushteti, i udhëhequr nga presidenti Vuçiq, pretendon se në Serbi po tentohet një “revolucion me ngjyra” dhe këmbëngul se kërkesat e studentëve janë plotësuar. Studentët dhe opinioni akademik i hedhin poshtë këto pretendime.

  • ​Përplasje për një votë mes Kurteshit dhe një koordinatori të vëzhguesve të AAK-së

    ​Përplasje për një votë mes Kurteshit dhe një koordinatori të vëzhguesve të AAK-së

    Vlefshmëria e një vote të prerë poshtë, kishte shkaktuar sherr mes anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje Sami Kurteshi dhe një komisioneri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Anëtari i KQZ-së Sami Kurteshi, gjatë numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë është akuzuar nga koordinatori i vëzhguesve të AAK-së, se ka tentuar për të ndikuar në shpalljen e vlefshmërisë së një vote ani pse ajo kishte qenë e prerë poshtë raporton KosovaPress.

    Kjo është mohuar nga ana e Sami Kurteshit i cili tha para mediave se nuk e vendos askush përpos komisionerëve për votën në fjalë dhe se nuk po u bënë presion komisionerëve.

    E sipas tij, komisionerët po kryejnë punën me nderë, e nuk kanë nevojë të frikësohen nga anëtarët e KQZ-së, derisa iu ka drejtuar komisionerit në fjalë se mund të ankohet në PZAP.

    “Ai thotë është e pavlefshme, por nuk vendos as ti as ai, vendosin ata. Nëse ty ta merr mendja që të është bë e padrejtë, e ke të drejtën e ankesës në PZAP. Llogaritjet nuk mundem me i pa, se ti llogaritë ndryshe unë ndryshe, por prej pozitës të vëzhguesit, nuk vendosi dhe nuk është presion. Kurrkush nuk po iu thotë juve me u ndalë dhe mos me i këqyrë. Unë e kam ndikimin në zyre të KQZ-së, atje e ngriti dorën. Një person që kryen punën me nderë, hiç nuk ka nevojë me u tut prej askujt, ka kaluar ajo kohë”, tha Kurteshi.

    Ndërsa, koordinatori i vëzhguesve të AAK-së, Lavdim Mehani shtoi se të njëjtën votë të prerë poshtë të AAK-së në Deçan, para tre ditësh vëzhguesit e LVV-së kanë insistuar ta shpallin të pavlefshme.

    Lavdim Mehani këtë e llogaritë tentim për të ndikuar në votë dhe se do të ankohet në PZAP, njofton KosovaPress.

    “Para tre dite, vëzhguesit e LVV-së, kanë insistuar me e shpallë një votë të AAK-së në Deçan të pavlefshme, për shkak se e ka prerjen, ka ndodhur, është shpallur e pavlefshme edhe e kanë krijuar atë standard me atë prerje. Sipas informacioneve Samia ka ardhur te një tavolinë dhe i ka thënë komisionerit shpalle këtë të vlefshme, derisa ka qenë e njëjta votë, e prerë poshtë. E llogarisim si ushtrim ndikimi ose tentim për të ndikuar për ta shpallur të vlefshme apo pavlefshme”, shtoi ai.

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është duke vazhduar numërimi i votave me postë.

    Sipas përditësimit të fundit në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më 3 mars ora 00:54 janë numëruar 124 kuti të votimit nga 187 sa janë apo 66.31 për qind.

  • Ngrirja e fondeve të USAID, Reuters me një shkrim për ndikimin në Kosovë

    Ngrirja e fondeve të USAID, Reuters me një shkrim për ndikimin në Kosovë

    Kenan Gashi merr kukullat nëpër dyqane në Kosovë dhe i hedh në makineritë e dhuruara nga qeveria amerikane që copëtojnë dhe pastrojnë plastikën në mënyrë që të shitet për ripërdorim.

    Bëhet e ditur se biznesi i riciklimit të Gashit në Fushë Kosovë u transformua kur mori pajisjet nga agjencia amerikane e ndihmës ndërkombëtare (USAID) dy vjet më parë, duke e shtyrë atë të hartonte plane për të punësuar më shumë punëtorë.

    Por Gashi tani është i shqetësuar.

    Më shumë se një e treta e pajisjeve të premtuara me vlerë 130,000 dollarë ende nuk ka mbërritur.

    Dhe tani administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka ngrirë fondet e USAID-it dhe ka kërkuar të zvogëlojë në mënyrë drastike agjencinë e ndihmës dhe të gjithë ndihmën e huaj të SHBA-së nën agjendën e tij “America First”.

    Javën e kaluar, në një deklaratë për shtypin, Trump përmendi donacionin në Kosovë si një shembull të llojit të shpenzimeve qeveritare që ai dëshiron të shkurtojë.

    “Ne presim që të mbërrijnë makineritë e tjera dhe kemi planifikuar ta rrisim fuqinë punëtore nga pesë në 20, por gjithçka është e pasigurt tani”, tha Gashi.

    Raportohet se SHBA-ja ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës që kur vendi i vogël ballkanik pa dalje në det u pavarësua.

    Sipas shifrave të qeverisë amerikane, SHBA i ka ofruar Kosovës 1.1 miliardë dollarë ndihmë që nga viti 2001, përcjell Telegrafi.

    Think tanku GAP me qendër në Prishtinë tha se USAID-i aktualisht po menaxhonte 17 projekte me vlerë më shumë se 156 milionë dollarë, por nuk është e qartë se sa nga këto janë disbursuar në të vërtetë.

    Banorët në Kosovë thonë se vendi i tyre ka nevojë për ndihmën e aleatëve si SHBA-ja.

    Kjo pasi ajo është dëmtuar nga tensionet e vazhdueshme etnike ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në veri.

    Madje, Reuters zbuloi se më shumë se një duzinë projekte ndihme me vlerë të paktën 150 milionë euro janë anuluar nga Bashkimi Evropian si rezultat i rolit të autoriteteve të Kosovës në atë grindje.

    “Njerëzit nuk do të vdesin për shkak të fondeve të ngrira të USAID-it”, tha Burim Ejupi nga think tank Indep me qendër në Prishtinë.

    “Megjithatë, çdo dollar apo euro i marrë është i rëndësishëm për një vend që ka shumë nevojë për to”, shtoi Ejupi.

    Ndryshe, në rrezik janë fondet që janë krijuar për të forcuar institucionet demokratike të Kosovës, për të përshpejtuar kalimin nga thëngjilli me ndotje të lartë në energjinë e rinovueshme dhe për të mbrojtur grupet e margjinalizuara.

    Ata që kanë marrë fondet thonë se kjo ka një ndryshim për ta dhe komunitetin e tyre.

    Një tjetër banor, Qazim Grashtica, 38 vjeç, fshin koshat e plehrave çdo ditë në Prishtinë në kërkim të plastikës.

    USAID-i i siguroi atij traktorin dhe një makinë që shtyp plastikën.

    Ndihma ka rritur të ardhurat e tij nga pesë euro në ditë në 20 euro në ditë.

    “Para ndihmës së amerikanëve kishte raste kur 10 anëtarë të familjes flinim pa darkë. Ne nuk kishim asgjë për të ngrënë”, tha Grashtica.

    “Unë do t’i them Trumpit se ti je njeri i mirë, duhet të ndihmosh njerëzit, veçanërisht ata në Kosovë”, përfundoi ai. /Telegrafi/

  • Numërohen 66,31 për qind e votave përmes postës

    Numërohen 66,31 për qind e votave përmes postës

    Ka nisur edhe një tjetër javë, e treta pas procesit zgjedhor të 9 shkurtit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ende po bëhet numërimi i votave.

    Aktualisht në këtë qendër po vazhdon procesi i numërimit nga votimi me postë. Deri të hënën në mesnatë, sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, nga 187 vendvotime, janë numëruar 124 prej tyre, apo përkthyer në përqindje 66.31 për qind.

    Lëvizja Vetëvendosje, është e para me 52.72 për qind të votave apo 21 mijë e 234, e dyta është renditur LDK-ja me 29.80 për qind, apo 12 mijë e 003 vota, e treta PDK-ja me 7.98 për qind, apo 3 mijë e 213 vota, ndërsa e katërta, bazuar në numërimin e votave nga votimi përmes postës, është renditur AAK-ja me 3. 32 për qind apo 1338 vota.

    Numërimi i votave nga diaspora erdhi pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike.

    Pasi të përfundojë edhe ky proces, radha do të jetë për numërimin e votave me kusht e atyre të personave me nevoja të veçanta.

    Vetëm kur të përmbyllet numërimi i secilës votë, KQZ-së i hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare.

    Gjatë javës së shkuar kishin thënë se sipas planit, shpallja e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët është planifikuar të bëhet deri më 5 mars, ndërkaq, certifikimi i tyre, që ndodh pasi të përfundojnë ankesat eventuale në PZAP dhe Gjykatë Supreme, është planifikuar të bëhet deri më 18 mars.

  • “Anora” triumfon në “Oscars 2025”, merr pesë çmime

    “Anora” triumfon në “Oscars 2025”, merr pesë çmime

    “Anora”, një film i pavarur i shkruar dhe drejtuar nga Sean Baker, është filmi i cili ka fituar pesë çmime “Oscar”, duke përfshirë edhe çmimin prestigjioz për filmin më të mirë të vitit.

    Përveç filmit më të mirë, Sean Baker fitoi çmimet për regjisorin më të mirë, skenarin origjinal dhe montazhin, duke barazuar rekordin për numrin më të madh të Oscarëve të fituar nga një individ në një vit të vetëm me Walt Disneyn, i cili kishte fituar për katër filma të ndryshëm në vitin 1954.

    Ceremonia e 97-të e Çmimeve të Akademisë, e organizuar nga Conan O’Brien, u transmetua drejtpërdrejt në ABC dhe Hulu të dielën, më 2 mars, nga Teatri Dolby në Ovation Hollywood në Los Angeles.

    Adrien Brody mori trofeun e tij të dytë për aktorin më të mirë, këtë herë për “The Brutalist”,.

    Madison fitoi garën kundër Demi Moore, e cila ishte favoritja për çmimin e aktores më të mirë për rolin e saj në “The Substance”.

    “Unë u rrita në Los Anxhelos, por Hollywoodi gjithmonë më dukej kaq larg”, tha Madison në skenë. “Të jem këtu sot është vërtet e pabesueshme”.

    Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen dhe mbështetjen e saj për komunitetin e punëtoreve të seksit, duke thënë “unë do të vazhdoj të jem një aleate”.

    “Anora”, e shpërndarë nga kompania e pavarur Neon, ka gjeneruar 40 milionë dollarë në arkat kinematografike globale. “Wicked” ka arkëtuar 728 milionë dollarë.

    Adrien Brody fitoi Oscarin e tij të dytë për aktorin më të mirë për rolin e një arkitekti emigranti hebre që ndjek ëndrrën amerikane në “The Brutalist”. Aktori 51-vjeçar nga Nju Jorku kishte fituar më parë për “The Pianist”, kur në moshën 29-vjeçare u bë fituesi më i ri ndonjëherë i këtij çmimi.

    “Aktrimi është një profesion shumë i brishtë”, tha Brody. “Nuk ka rëndësi ku ndodhesh në karrierën tënde, gjithçka mund të zhduket. Mendoj se kjo e bën këtë moment edhe më të veçantë”.

    Zoe Saldana u shpall aktorja më e mirë në rol dytësor për rolin e saj si ndërmjetësja e një bosi të drogës meksikan në “Emilia Perez”, një film në gjuhën spanjolle i shpërndarë nga Netflix.

    Filmi, i cili fitoi gjithashtu çmimin për këngën më të mirë origjinale me “El Mal”, ishte një nga favoritët për filmin më të mirë në fillim të vitit. Por, shanset e tij u zvogëluan kur dolën në dritë postime të papërshtatshme në rrjete sociale nga aktorja kryesore, Karla Sofia Gascon.

    Kieran Culkin mori çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor për interpretimin e njërit prej dy kushërinjve që udhëtojnë në Poloni për të studiuar rrënjët e familjes së tyre në filmin “A Real Pain”.

    Culkin falënderoi bashkëshorten e tij dhe nënën e dy fëmijëve të tij, Jazz Charton, dhe tha se së fundmi i kishte thënë asaj se dëshironte gjithsej katër fëmijë. Charton kishte bërë shaka duke i thënë se do të pranonte nëse ai fitonte një Oscar.

    “Le të fillojmë punën për ata fëmijë!”, tha Culkin nga skena, duke iu drejtuar bashkëshortes së tij.

    Fituesit e statujave të arta të Oscarit zgjidhen nga rreth 11.000 aktorë, producentë, regjisorë dhe profesionistë të tjerë të industrisë që përbëjnë Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Filmit.

    “No Other Land”, një film mbi zhvendosjen e një komuniteti palestinez nga Izraeli, fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë dokumentar. Regjisorët e tij apeluan ndaj botës për t’i dhënë fund konfliktit, duke akuzuar SHBA-në për bllokimin e një zgjidhjeje.

    Bashkëregjisorët e filmit, aktivisti palestinez Basel Adra dhe gazetari izraelit Yuval Abraham, kaluan pesë vjet duke e realizuar këtë dokumentar, që tregon ushtarët izraelitë duke shkatërruar shtëpi dhe duke dëbuar banorët për të krijuar një zonë stërvitjeje ushtarake, si dhe zgjerimin e vendbanimeve hebraike në komunitetin palestinez.

    Dokumentari nxjerr në pah realitetet paralele në të cilat jetojnë dy miqtë – Abraham me targat e tij të verdha izraelite që ia lejojnë të udhëtojë kudo, ndërsa Adra mbetet i izoluar në një territor që vetëm sa tkurret për palestinezët.

    “’No Other Land’ pasqyron realitetin e ashpër që kemi duruar për dekada dhe të cilit ende i rezistojmë, teksa u bëjmë thirrje vendeve të botës të marrin masa serioze për t’i dhënë fund padrejtësisë dhe spastrimit etnik të popullit palestinez”, tha Adra kur mori çmimin në skenë.

    Duke qëndruar pranë bashkëregjisorit të tij, Abraham shtoi: “Ne e realizuam këtë film, palestinezë dhe izraelitë bashkë, sepse zërat tanë janë më të fortë kur jemi së bashku. Ne e shohim njëri-tjetrin, shkatërrimin e tmerrshëm të Gazës dhe popullit të saj, që duhet të ndalet, pengjet izraelite të marra brutalisht në krimin e 7 tetorit, të cilat duhet të lirohen.

    “Kur e shoh Baselin, shoh vëllain tim, por ne nuk jemi të barabartë. Ne jetojmë në një regjim ku unë jam i lirë nën ligjin civil, ndërsa Basel është nën ligjin ushtarak që ia shkatërron jetën dhe ai nuk ka kontroll mbi të”, tha Abraham.

    “Ka një rrugë tjetër. Një zgjidhje politike pa supremaci etnike, me të drejta kombëtare për të dy popujt tanë. Dhe duhet ta them sa jam këtu, politika e jashtme e këtij vendi po ndihmon në bllokimin e kësaj rruge”, shtoi ai.

    Thirrja e presidentit amerikan, Donald Trump, muajin e kaluar që palestinezët të emigrojnë nga Gaza, përfshirë në Egjipt dhe Jordani, është dënuar gjerësisht në Lindjen e Mesme dhe më gjerë si destabilizuese.

    Ministri izraelit i Kulturës, Miki Zohar, e quajti fitoren e filmit një “moment të trishtë për kinemanë”, pasi, sipas tij, ai paraqet një pamje të shtrembëruar të Izraelit, që ende po përjeton pasojat e sulmit të Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor 2023.

    “Liria e shprehjes është një vlerë e rëndësishme, por përdorimi i shpifjeve ndaj Izraelit si një mjet promovimi ndërkombëtar e dëmton shtetin e Izraelit, dhe pas masakrës së 7 tetorit dhe luftës së vazhdueshme, kjo është dyfish më e dhimbshme”, shkroi Zohar në X.

    Pavarësisht se ka fituar çmime të rëndësishme në Evropë dhe SHBA, filmi ende nuk ka arritur një marrëveshje për shpërndarje në kinematë amerikane, tha Abraham për Deadline muajin e kaluar.

    I pyetur pse mendon se shpërndarësit amerikanë nuk e kanë marrë filmin, Abraham u përgjigj: “Besoj se është e qartë që arsyeja është politike. Shpresoj që kjo të ndryshojë.” Ai tha se vendosën të mos prisnin një publikim tradicional në kinema dhe e shfaqën atë në gati 100 kinema në mënyrë të pavarur.

    Ndërkohë, çmimi për filmin më të mirë të animuar shkoi për filmin e pavarur “Flow”, filmi i parë nga Letonia që fiton një Oscar. Filmi brazilian “I’m Still Here” fitoi çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar.

    Të nominuarat, Ariana Grande dhe Cynthia Erivo, hapën ceremoninë e Oscarit me një disa performanca muzikore me tematikën e “Wizard of Oz”, përfshirë këngën “Defying Gravity” nga filmi “Wicked”./KultPlus.com

  • Numërohen mbi 66% e votave me postë: VV e para me 52.72%, LDK e dyta me 29.74%, PDK e treta me 7.98%

    Numërohen mbi 66% e votave me postë: VV e para me 52.72%, LDK e dyta me 29.74%, PDK e treta me 7.98%

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës.

    Deri të hënën në mesnatë, në orën 00:54, janë numëruar 124 nga gjithsej 187 kuti të votimit (66.31%) që i përkasin votuesve nga komuna të ndryshme.

    Vetëvendosje dhe LDK kanë një rritje krahasauar me përditësimin e fundit që ishte bërë dje në ora 15:34, kurse kanë rënie PDK dhe koalicioni AAK-NISMA

    Vetëvendosje renditet e para me 52.72% në përditësimin e ri, pasi në përditësimin e djeshëm kishte 51.34 për qind.

    Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 29.80%, kurse në përditësimin e djeshëm kishte 29.74%.

    Partia Demokratike e Kosovës renditet e treta me 7.98% dhe ka rënie me krasuar përditësimin e djeshëm që kishte 8.12%.

    AAK-NISMA ka pësuar rënie pasi nga 4.15 sa ishte dje, në përditësimin e ri ka 3.32%.

    Përditësimi i ri i bërë në mbrëmë pas mesante në ora 00:54.

  • Mot pranveror këtë javë

    Mot pranveror këtë javë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës përmes një njoftimi bën të ditur se kjo javë në vend parashihet të ketë kushte të qëndrueshme meteorologjike.

    Vetëm dita e hënë dhe e premte pritet të kenë vranësira të pakta, ndërsa ditët e tjera do të jenë kryesisht me diell.

    Gjatë pjesës së parë të javës ( të marten dhe të mërkurën), priten ngrica në viset e larta dhe mesatare, si dhe mjegull, sidomos në mëngjes.

    Moti i plotë për pesë ditë:

    E hënë- Mot me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7-11 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.

    E martë- Mot me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme e lehtë deri mesatare.

    E mërkurë – Mot me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9-14gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i juglindjes.

    E enjte- Mot me diell.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-16 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperendimit e lehtë deri mesatare.

  • Përfundon samiti i liderëve evropianë në Londër

    Përfundon samiti i liderëve evropianë në Londër

    Ka përfunduar Samiti i organizuar nga britanik kryeministrit Keir Starmer me disa nga homologët e tij evropianë – pas rreth dy orësh diskutime.

    Tani liderët janë duke e lënë rezidencën e Lancasterit, aty ku u mbajt takimi – e ku pjesë ishin liderët më të rëndësishëm evropainë.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tani pritet të shkojë në Sandringham për t’u takuar me Mbretin Charles III.

    Ndryshe, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i rrethuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron i Francës, ai i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe liderë të vendeve të tjera të Evropës ka thënë në hapjen e samitit për sigurinë, se ky është një moment historik për sigurinë e Evropës.

  • Pesë shqiptarë garojnë në zgjedhjet e Hamburgut, Kurti: Sukses për diasporën

    Pesë shqiptarë garojnë në zgjedhjet e Hamburgut, Kurti: Sukses për diasporën

    Kryeministri Albin Kurti, ka përshëndetur pjesëmarrjen e pesë kandidatëve me prejardhje shqiptare në zgjedhjet që po mbahen sot, më 2 mars 2025, në landin e Hamburgut, Gjermani.

    Kurti e cilësuar këtë si një tregues të fuqishëm të integrimit dhe kontributit të diasporës shqiptare në shoqërinë dhe demokracinë gjermane

    “E diela e 2 marsit 2025 është ajo e zgjedhjeve në landin e Hamburgut në Gjermani, ku sot garojnë pesë kandidatë me prejardhje shqiptare, një tregues i fuqishëm i integrimit dhe kontributit të diasporës sonë në shoqërinë dhe demokracinë gjermane. Pavarësisht partive të ndryshme që përfaqësojnë, fakti që ka kaq shumë kandidatë shqiptarë në një qytet si Hamburgu flet shumë për rrugën që kemi bërë si komunitet”, ka shkruar Kurti.

    Pesë kandidatët me prejardhje shqiptare që garojnë në zgjedhjet e sotme janë:

    Dafina Berisha (SPD)

    Kushtrim Lulaj (CDU)

    Muhamet Idrizi (CDU)

    Nikola Tunici (CDU)

    Sami Musa (FDP)

    Kurti ka vlerësuar rëndësinë e pjesëmarrjes së bashkatdhetarëve në proceset demokratike dhe u ka uruar kandidatëve shqiptarë sukses në rrugëtimin e tyre politik dhe qytetar.

  • A pritet të përfundojë këtë vit gjykimi i madh në Hagë?

    A pritet të përfundojë këtë vit gjykimi i madh në Hagë?

    Fundi i këtij viti ose fillimi i 2026-ës mund të shënojë përfundimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon për krime të pretenduara të luftës, vlerësojnë njohës të drejtësisë. Por sipas tyre, është vështirë të jepet një afat kohor se kur mund ta marrë vendimin trupi gjykues, pasi thonë se kjo varet nga sasia e materialit provues.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë – qyteti holandez ku Gjykata Speciale e ka selinë – që prej nëntorit të vitit 2020.

    Ndërkaq, gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

    E deri në prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar pritet të përfundojë dëgjimin e dëshmitarëve që i ka propozuar.

    Numri i dëshmitarëve të prokurorisë në atë që njihet si gjykimi i madh, ka mbërritur në 123.

    Avokati i akredituar në Speciale, Artan Çerkini thotë për KosovaPress se pas përfundimit të fazës së dëgjimit të dëshmitarëve të ZPS-së, avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së mund të kërkojnë hedhjen e plotë apo të pjesshme të akuzave.

    Bazuar në këtë, ai beson se para muajit shtator, mbrojtja nuk do të mund të fillojë me dëgjimin e dëshmitarëve të saj.

    Sipas avokatit, procesi gjyqësor – përfshirë edhe fjalën përfundimtare nga palët – në rastin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, mund të përfundojë brenda këtij viti.

    Por, sipas tij, fundi i vitit 2025 nuk pritet të jetë edhe koha kur trupi gjykues do ta ketë vendimin përfundimtar për këtë rast.

    Edhe monitoruesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Blendina Veliqi thekson për KosovaPress, se vjeshta mund të jetë si një afat kohor kur mund të përfundojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
    Por, siç shprehet ajo, në rast të një vendimi, palët mund të bëjnë ankesa edhe në shkallë tjera gjyqësore.

    Një pjesë e madhe e këtij procesi gjyqësor ka kaluar në seanca të mbyllura për publikun dhe me dëshmitarë të mbrojtur.

    Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po përballen me një proces të tejzgjatur gjyqësor.

    Ata ndodhen në paraburgim në Hagë prej vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.