ATV

Tag: Ballina

  • Kosova miraton nismën për një marrëveshje në fushën e mbrojtjes me SHBA-në

    Kosova miraton nismën për një marrëveshje në fushën e mbrojtjes me SHBA-në

    Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim nismën për lidhjen e një marrëveshjeje kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

    Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, tha se me këtë marrëveshje, Kosova dhe SHBA-ja angazhohen për avancimin e bashkëpunimit “në fushën e mbrojtjes si: planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike si dhe ngritje e kapaciteteve strategjike ushtarake”.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se kjo nismë është në përputhje me qëllimet e Kosovës për integrimin në të madh euroatlantik.

    “Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, thellimit të kërcënimeve për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Maqedonci gjatë mbledhjes së Qeverisë.

    Ekzekutivi nuk dha detaje të tjera lidhur me nismën për lidhjen e kësaj marrëveshjeje mes Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës dhe Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

    Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje të vazhdueshme për strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës, duke ofruar trajnime për pjesëtarët e strukturave të sigurisë, kanë mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, por edhe kanë dhuruar pajisjeve të ndryshme ushtarake.

    Në të kaluarën, Kosova ka arritur marrëveshje me SHBA-në, por edhe me shtete të tjera, për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

    Po ashtu, janarin e vitit të kaluar SHBA-ja njoftoi se Kosova kishte bërë kërkesë për blerjen e mbi 200 sistemeve kundërajrore,Javelin, që prodhohen në SHBA.

    Për shitjen e këtyre sistemeve, të cilat pritet t’i kushtojnë Kosovës 75 milionë dollarë, Uashingtoni ende nuk ka marr vendim. /REL

  • Kurti: Prej sot shtetasit e Kosovës në Gjermani nuk do të regjistrohen më si shtetas të Serbisë

    Kurti: Prej sot shtetasit e Kosovës në Gjermani nuk do të regjistrohen më si shtetas të Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga sot e tutje, shtetasit e Kosovës në Gjermani nuk do të regjistrohen më si shtetas të Serbisë, raporton EO.

    “Shumë prej jush padrejtësisht jeni detyruar të regjistroheni si shtetas të Serbisë në dokumentacionin gjerman, gjë që nga sot nuk do të përsëritet më. Dua të shpreh mirënjohjen për MPJD-në për punën e palodhur për të mundësuar këtë ndryshim të rëndësishëm e aq të nevojshëm. Falë angazhimit të tyre me kancelarinë gjermane dhe ministrinë përkatëse, tani është miratuar një udhëzim që mundëson të gjithë qytetarëve të Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të Republikës së Kosovës dhe ky vendim ka hyrë në fuqi në të gjitha landet e Gjermanisë”, u shpreh Kurti.

  • Orav: Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, e vetmja rrugë drejt stabilitetit të qëndrueshëm

    Orav: Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, e vetmja rrugë drejt stabilitetit të qëndrueshëm

    Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian mbetet e vetmja rrugë drejt stabilitetit të qëndrueshëm, tha ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, përcjellë KP.

    Ai njoftoi se e ka takuar të martën sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

    “Përballë sfidave gjeopolitike, qëndrimi në rrugën drejt BE-së është vendimtar”, shkroi Orav në X.

    Gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 11 mars, Mark Rutte tha se do të vazhdojnë të mbështesin procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton KosovaPress.

    “Për ta shtyrë përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise. Kjo kërkon vendime të vështira, normalizomi sjell stabilitet më të madh dhe siguri me afatgjatë për gjithë rajonin. Ky është mesazhi që unë do të vazhdojë te theksojë para të gjitha palëve në rajon”, tha Rutte të martën në konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Ai shtoi se zgjidhja për një paqe afatgjatë është politike.

    “Prania sot këtu është një demonstrim i qartë i përkushtimit për siguri afatgjatë në Kosovë. NATO ka mbështetur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ekipet e ndërlidhjes së KFOR-it vazhdojnë të mbështesin institucionet e tjera të sigurisë. Një rajon më i sigurt nënkupton më shumë siguri për zonën e NATO-s. NATO do të vazhdojë të luaj rolin e vet, këtë e bëjmë në bashkërendim me Policinë dhe Eulexin”, tha ai, transmeton KosovaPress.

  • Moti sot: I vranët dhe me riga shiu

    Moti sot: I vranët dhe me riga shiu

    Sot po parashihet të mbajë mot kryesisht me vransira, por me më pak gjasa për të reshura.

    Aty këtu mund të shfaqen kushte për riga lokale shiu, më shumë në perëndim të vendit përreth viseve malore. Frynë erëra mesatare nga jugu e jugperëndimi 4-10m/s. Temperaturat mbesin ende të larta, minimalet zbresin vetëm në 7C e 9C, e maksimalet shkojnë deri në 18C e 20C.

    Reshje shiu përfshinë vendin orëve të hershme të mëngjesit ditën e enjte, derisa gjatë ditës do të fryjë erë më e fuqishme jugperëndimore me hove deri në 20m/s (70km/h) apo edhe më shumë në pjesë të Dukagjinit, deri në 90km/h. Të premten do të ketë më shumë intervale me diell, e të shtunën sërish vranësirat fillojnë të shtohen, derisa të dielën paraqiten reshje shiu, që mund të jenë më të vazhdueshme në pjesë të vendit. Temperaturat shënojnë rritje deri në 20C e 22C ditën e premte dhe shtune, e të dielën zbresin në 15C e 17C. Minimalet mbesin të larta, e luhaten ndërmjet 5C e 9C, njofton Mendimi për Motin.

  • Berisha: Kosova duhet të jetë pjesë e sistemit evropian të mbrojtjes

    Berisha: Kosova duhet të jetë pjesë e sistemit evropian të mbrojtjes

    Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova duhet të synojë integrimin në sistemin evropian të mbrojtjes, duke pasur parasysh ndryshimet në politikën e sigurisë në Evropë.

    Sipas tij, reformat e nisura nga ish-presidenti Trump dhe rritja e buxhetit për industrinë e mbrojtjes në Evropë krijojnë mundësi për përfshirjen e Kosovës në këtë sistem.

    “Evropa duhet të mendojë ta plotësojë boshllëkun e krijuar nëse SHBA-të reduktojnë mbështetjen ushtarake. Kosova duhet të shohë ku t’i integrojë kapacitetet e saj në këtë sistem mbrojtës. Duhet të jemi pjesë e tij në nivel evropian, pasi NATO ka qenë forca kryesore që ka mbuluar Evropën për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Berisha.

    Deklaratën e plotë të Hisen Berishës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: NATO e ka parasysh se Serbia është destabilizuese e Ballkanit

    Gashi: NATO e ka parasysh se Serbia është destabilizuese e Ballkanit

    Ish-nënkryetari i Kuvendit, Ibrahim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se NATO-ja e ka të qartë se Serbia ka qenë destabilizuese e Ballkanit për më shumë se një shekull.

    Sipas tij, politika ekspanzioniste e Serbisë ka shkaktuar konflikte të përgjakshme, duke detyruar NATO-n të ndërhyjë në Bosnje dhe Kosovë.

    “NATO-ja e ka për arsyesh që destabilizuesi i Ballkanit ka qenë Serbia me pretendimet e saj ekspanzioniste ndaj tokave jo serbe. Slogani i Milosheviqit ‘aty ku është një serb është Serbi’ e çoi në luftëra të përgjakshme gjatë viteve të ’90-ta, gjë që detyroi NATO-n të ndërhynte në Bosnje dhe më pas drejtpërdrejt në Kosovë për ta ndalur politikën hegjemoniste të Serbisë”, tha Gashi.

    Ai tha se NATO ka nxjerrë mësime nga ndërhyrjet e saj të mëparshme dhe po rrit nivelin e angazhimit për sigurinë në Evropë.

    “NATO-ja mori leksione nga ky impenjim i vazhdueshëm dhe tani, me ndryshimet në gjeopolitikën botërore, po rrit aktivitetet dhe angazhimin e saj për çështjet e sigurisë në kontinent”, tha Gashi.

    Deklaratën e plotë të Ibrahim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Miku jonë me thika mbi harta

    Miku jonë me thika mbi harta

    Qe një temë e mirë – Donald J. Trump – sipas Presidentes është mik i madh i Kosovës.

    Sipas Kryeministrit është njeri që mban thika mbi harta.

    Eh tash, që diplomacinë e kemi llom, kjo dihet. Që fuqinë lobuese në Shtetet e Bashkuara e kemi humbë, kjo u konstatua disa herë, që
    marrëdhëniet Kosovë – SHBA kanë degraduar dhe janë në nivelin më të ulët të kohëve të fundit – po ashtu e thënë nga disa burime!

    Por, meqë Trumpin e paskemi mik të madh – hajde të merremi me një temë, me të vetmin dokument lidhur me Kosovën të nënshkruar nga Donald J. Trump, dora vetë!

    Ai dokument u nënshkrua me Washington – sipas ish Kryeministrit është marrëveshja e Washingtonit.

    Sipas Kryeministrit aktual është tryezë suedeze!

    Tash, temë e mirë kish qenë nëse në këtë tavolinë suedeze, merren thikat për filetim, e kah fundi, pas dezertit shtrohen hartat e bëhen copë copë…

    Aq temë e mirë, sa që i kam humbë 20 minuta tu tentu me ia shpjegu AI-së, qysh duken thikat mbi harta në zyrën ovale dhe ja çka shkarraviti në fund.

    Vazhdojmë – në dokumentin e Washingtonit thuhet:

    Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjet për hekurudhë dhe autostradë që lidhin këto vende – në Kosovë nuk u marrë kush me këtë sport!
    Për këtë punë Amerika jep pare – prape nuk jemi marrë me këtë sport!

    Të dyja palët do të angazhohen për pikë kalim të përbashkët në Merdare – pikë kalimet, më shumë ka qenë temë e problemeve dhe tensioneve sesa promovuese të lëvizjes së lirë

    Të dyja palët do ti bashkëngjiten Mini Shengenit Ballkanik – i ka vdekë nana kësaj pune.

    Të dyja palët do të angazhohen për menaxhim të Ujmanit – harroje numrin tim nuk u marrë kush me këtë llaf.

    Të dyja palët do të ndalojnë pajisjet 5G nga furnizuesit jo kredibilë , 5G ka veç ne fb të ministrave, kurse pikërisht nga Kina janë blerë shumë kamera dhe pajisje tjera për monitorim edhe të objekteve qeveritare etj etj.

    Pjesë e marrëveshjes ka qenë diversifikimi i burimeve energjetike – këtu e kemi një marrëveshje të nënshkruar për bateri, por nuk kemi bateri edhe kush nuk e din as kur do ti kemi, e ndërkohë nuk do të kemi rrymë të prodhuar që ta ruajmë në bateri.

    Me fjalë tjera, pak e hiç nga ajo që është nënshkruar ëhstë kah zbatohet edhe për ëtë punë ka edhe mungesë vullneti edhe mungesë llogaridhënieje.

    Edhe a dini çka? Ky dokumenti i Washingtonit është një dokument. Nëj tjetër është lista e zotimeve që e kanë nënshkruar Presidentja, Kryekuvendari dhe Kryeministri. Një tjetër është që e ka nënshkruar Ministrja e Jashtme. Një tjetër është i vendosur në Bruksel që na futë nën masa ndëshkuese etj etj.

    Vizita e Sekretarit të NATO-s është saktë e kallëzoi çka NATO pret nga Kosova – që është saktë ajo që Kosova nuk e ka bërë tash e sa vjet – zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve ndërkombëtare.

    Kuptohet, në Kosovë nuk kemi pse merremi me këtë temë – duhet të numërohen votat nga Wiesbadeni e Wuppertali dhe të rinumërohen votat nëpër do katunde të Vushtrrisë.

    Sado e dëmshme të jetë hajnia brenda llojit në LDK, sado e rëndësishme të jetë që PZAP-ja dhe organet tjera përkatëse ta konstatojnë këtë hajni e më pas hajnat e votës të dënohen, zvarritjet në proces kanë me kushtu me zvarritje në projekte dhe tema që na e përcaktojnë të ardhmen.

    Jemi në gjysmë të marsit, që i bie që Kuvendi sivjet s’ka me punu më shumë se 5 muaj në total, meqë ka pushim të verës dhe hallakamë të fushatës së zgjedhjeve lokale.

    Nëse nuk ka Kuvend, s ka jetë as përafërsisht normale politike, kurse duke mos pasë Qeveri të re, s’ka potencial të shtyhet asnjë projekt i rëndësishëm.

    Pra, ajo që dihet është se tremujorin e parë e kemi të humbur, tremujorin e tretë e kemi pushim edhe tremujorin e fundit kemi zgjedhje.

    Për shkak të mosdifqave në KQZ dhe hajnave të votave – rrezikojmë ta humbim edhe tre mujorin e dytë dhe të na shkojë krejt viti kot!

  • Rutte: Prania ime këtu demonstron përkushtimin e NATO-s për siguri afatgjate në Kosovë

    Rutte: Prania ime këtu demonstron përkushtimin e NATO-s për siguri afatgjate në Kosovë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Kosova e Serbia duhet të bëjnë “kompromise të duhura” në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, raporton EO.

    Sipas tij, “të dyja palët duhet të fokusohen në dobitë afatgjate”.

    “NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, udhëhequr nga BE-ja. Është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të ofruar të ardhme stabile dhe që të mbrohen të gjitha komunitetet. Për ta shtyrë përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet, të bëjnë kompromise të duhura dhe të fokusohen në dobitë afatgjate. E kuptoj plotësisht që kjo kërkon vendime të vështira, por duhet të shohim pamje më të gjerë. Normalizimi sjell stabilitet më të madh, më shumë mundësi investimi dhe më pas siguri më afatgjatë për të gjithë rajonin në dobi të të gjithëve. Ky është mesazhi që do të vazhdoj ta përsëris”, tha ai në konferencën e përbashkët me presidenten Osmani.

    Rutte është zotuar po ashtu se përkushtimi i NATO-s për stabilitet e paqe në Kosovë dhe rajon mbetet i qëndrueshëm.

    “Prania ime është demonstrim i qartë i përkushtimit të NATO për siguri afatgjate në Kosovë. Këtu dhe në rajon NATO ka mbështetur sigurinë për Ballkanin perëndimor për më shumë se 30 vite. Ekipet e KFOR-it vazhdojnë të mbështesin institucionet e sigurisë. Vlen të përmendet se siguria në rajon ndërlidhet edhe me dialogun, andaj të dyja shtetet duhet të fokusohen dhe të bëjnë kompromise të duhura”.

    “Trupat tanë punojnë pa pushim për të siguruar ambient me rend dhe siguri në përputhje me mandatin e KFOR-it. Një rajon më i sigurt nënkupton më shumë siguri për të gjithë zonën e NATO-s”, ka thënë ai.

    “Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çfarëdo zhvillimi të sigurisë. Dhe në këtë kuptim shpresojmë të shohim bashkëpunim edhe më të thellë në mes të institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it. NATO-ja do të vazhdojë të luajë rolin e vet në mandatin e vet për sigurinë e të gjithëve. Këtë e bëjmë në bashkërendim të afërt me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe rolet tona përkatëse”, u shpreh ai.

  • ​Shefi i NATO-s mbërrin për takim me Osmanin

    ​Shefi i NATO-s mbërrin për takim me Osmanin

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka mbërritur për takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Ai është pritur të martën me ceremoni shtetërore në Presidencë, raporton KP.

    Pas takimit, Rutte dhe Osmani do të mbajnë konferencë për media.

    Vizita e tij në Kosovë vjen pas asaj që shefi i NATO-s e ka zhvilluar në Bosnje e Hercegovinë.

  • Çfarë plani ka Trump për Ballkanin Perëndimor?

    Çfarë plani ka Trump për Ballkanin Perëndimor?

    Javët e fundit kanë treguar, se sa shpejt mund të ndryshojnë situatat nën Presidentin e SHBA Donald Trump. Çfarë mund të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor?

    Tri luftërat e Jugosllavisë të viteve 1990 – në Kroaci (1991-95), Bosnjë – Hercegovinë (1992-95) dhe Kosovë (1999) – morën fund përfundimisht nën udhëheqjen e SHBA. Që atëherë dy misione ushtarake të drejtuara nga BE dhe NATO garantojnë paqen në këto ish-zona lufte. Por që prej më shumë se dy vjetësh situata në Ballkanin Perëndimor acarohet vazhdimisht.

    Spiralja e dhunës filloi në dhjetor 2022. Pasi përfaqësuesit e pakicës serbe në Republikën e Kosovës nën orientimin e kryeqytetit të Serbisë, Beogradit, u larguan nga institucionet e shtetit kosovar – gjyqësori, policia dhe administrata – presidenti serb Aleksandar Vuçiç filloi një grumbullim të trupave në kufirin verior të vendit fqinj.

    Ish-diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger akuzoi Vuçiçin se dëshironte të “luante rolin e një Putini të vogël”. “Më duket e paimagjinueshme, se si Vuçiç dhe udhëheqja serbe po nxisin telashe këtu. Fajin për këtë shkallëzim ia jap ekskluzivisht Beogradit.”

    Vuçiç nga ana tjetër theksoi, se ushtria e Serbisë do të mbronte pakicën serbe në “krahinën jugore” të Serbisë – siç e quan ende udhëheqja në Beograd Kosovën, e cila nuk ka qenë nën kontrollin serb që nga viti 1999. Gjatë vitit 2023 situata u përshkallëzua: Në trazirat në maj serbë të dhunshëm goditën dhe plagosën 90 ushtarë të NATO-s nga trupa e paqes në Kosovë, KFOR.

    Situata në Kosovë për pak sa nuk përshkallëzoi

    Në shtator të vitit 2023 pranë manastirit ortodoks serb Banjska në veri të Kosovës pati luftime mes paraushtarakëve serbë dhe policisë kosovare. Katër vetë humbën jetën dhe dhjetëra paraushtarakë serbë të udhëhequr nga një i besuar i Vuçiçit arritën të arratiseshin në Serbi. Ata lanë pas një arsenal ushtarak modern me vlerë milionash nga rezervat e ushtrisë serbe, që mund të kishte pajisur më shumë se 100 luftëtarë.

    Këtu me sa duket ishte planifikuar një operacion më i madh ushtarak – ndoshta me qëllim pushtimin e katër komunave veriore të Kosovës, ku minoriteti serb përbën shumicën e popullsisë në vendin e banuar kryesisht nga shqiptarët. Në tetor 2023 Vuçiçi urdhëroi pastaj tanket të drejtoheshin drejt Kosovës, të cilat u ndaluan vetëm nga ndërhyrjet diplomatike nga Uashingtoni dhe NATO.

    Në prill 2024 gjenerali amerikan Christopher Cavoli, Komandanti Suprem i NATO-s për Evropën, paralajmëroi Kongresin e SHBA për synimet e Beogradit, duke thënë se rritja e trupave serbe pas sulmit në Banjska ishte “kërcënimi më i madh i dhunës ndërshtetërore” prej 25 vjetësh.

    Kërcënime kundër Bosnjës

    Ndërkohë zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vulin kërcënoi një vend tjetër fqinj gjatë një vizite në kryeqytetin rus Moskë: “Bosnja nuk ka qenë kurrë kaq afër fundit të saj”. Pak më parë Milorad Dodik, presidenti separatist i “entitetit” të dominuar nga serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, Republika Srpska (RS), u dënua nga Gjykata e Lartë e Bosnjës me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim ushtrimi të detyrës.

    Vetëm pak ditë më parë Dodik pati kërcënuar se një vendim fajësimi ndaj tij mund t’i jepte një “goditje fatale” Bosnjës. Presidenti i RS u akuzua për shpërfillje të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt. Përfaqësuesi i Lartë është institucioni më i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, që siguron paqen në vend që nga fundi i luftës 1992-95. Pas dënimit të tij Dodik shkoi më tej dhe inicioi miratimin e ligjeve në Parlamentin e RS, të cilat janë në fuqi fletoren zyrtare të sigurisë shtetërore.

    “Serbë tradhëtarë”

    Pas dënimit të tij Dodik ndërmori nismën në Parlamentin e Republika Srpska (RS) për miratimin e një sërë ligjesh, që ndalojnë organet boshnjake të sigurisë dhe drejtësisë të veprojnë në RS. Këto ligje hynë në fuqi të premten (6.03.2025) – por nuk janë zbatuar nga të gjtiha autoritetet. Punonjësit në kuartierin qendror të Bosnjes autoritetit policor të shtetit të Bosnjes, Agjencia shtetërore e Hetimit dhe Sigurisë (SIPA), vazhdojnë punën, kolegët e tyre në përfaqësië rajonale në kryeqytetin e RS, Banja Luka, në të kundërt janë larguar nga vendet e tyre të punës.

    Presidenti i RS-së Dodik pati paralajmëruar: Të gjithë, që qendrojnë në institucionet e shtetit boshnjak, do të trajtohen si “serbë tradhëtarë”. Gjatë një takimi me presidentin e Serbisë Vuçiç në Beograd më 6 mars Dodik madje pretendoi, “se boshnjakët nga Sarajeva duan një konflikt të armatosur në Bosnje”, për “t’u hakmarrë ndaj serbëve”.

    Schmidt: “Është tejkaluar vija e kuqe”

    Përfaqësuesi i lartë Schmidt reagoi më 8 mars. Në radion kombëtare gjermane Deutschlandfunk ai tha, se me “sulmin e Dodikut ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës” është “tejkaluar vija e kuqe”. Schmidt i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare, që t’i përkushtohet më fort krizës në Bosnje.

    Për herë të parë Përfaqësuesi i Lartë kritikoi krahas Dodikut në mënyrë eksplicite edhe qeverinë serbe, së cilës “duhet t’i tregohen qartë kufijtë”.

    Diplomati Christian Schmidt me syze dhe dorën ngriturDiplomati Christian Schmidt me syze dhe dorën ngritur

    Përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare, që t’i përkushtohet më fort krizës në Bosnje.Fotografi: Elvis Barukcic/AFP/Getty Images

    Për të mbrojtur nga sulmet e mundshme memorialin e gjenocidt në Srebrenicë, trupa e paqes e BE-së, EUFOR, ka vendosur njësitë në këtë qytet në lindje të Bosnjes. Në Srebrenicë në gusht 1995 serbët e armatosur të Bosnjes vranë mbi 8000 myslimanë boshnjake.

    Paralajmërimi nga SHBA

    Paraljamërimi i ministrit të Jashtëm të SHBA-së Marco Rubiomë 8 mars në platformën X në adresë të Dodikut, është një sinjal pozitiv, ai shkruan: “Veprimet e presidentit të RS, Milorad Dodik minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin…. Ne u bëjmë thirrje partenëve në rajon, që të bashkohen me ne për të vepruar kundër këtij qëndrimi të rrezikshëm dhe destablizues.”

    Kongresmenia republikane Ann Wagner nga Missouri e quajti në platformën X Dodikun një “kriminel brutal”, që duhet ndaluar. “Unë jam në kontakt me Ministrinë e Jashtme të SHBA.së dhe me kolegët e mi në Kongres, për të shqyrtuar, se si mund t’u kundërvihemi përpjekjeve flagrante të qeverisë së Dodikut për të minuar paqen në rajon”, shprehet Wagner.

    Vuçiç gjithnjë e më autokrat

    OJQ-ja Human Rights Watch jep një pamje të zymtë të peizazhit të medias dhe lirisë së shtypit në Serbi. Grupet e monitorimit të zgjedhjeve i kritikuan zgjedhjet e dhjetorit 2023 si as të drejta dhe as të lira. Opozitës iu dha pak kohë transmetimi nga media, e cila është rreth 90 për qind e kontrolluar nga qeveria. Vuçiçit iu dhanë mbi 300 orë transmetim televiziv atë vit. Pra, ai ishte dhe është i kudongjendur.

    Në indeksin për lirinë e shtypit të organizatës Reporterë pa Kufij për vitin 2024 vendi ra nga pozicioni i 91-të në të 98-in, pas Tanzanisë. Amnesty International zbuloi se qeveria serbe përdor ilegalisht spyware, për të spiunuar opozitarët. Por pavarësisht politikave të tij gjithnjë e më represive, presioni ndaj Vuçiçit po rritet.

    Protestat në Serbi bëhen gjithnjë e më të mëdha

    Për herë të tretë, në fund të janarit një makinë u fut në një tubim proteste në Beograd kundër korrupsionit endemik në Serbi, i cili sipas protestuesve është përgjegjës ndër të tjera për rrëzimin e një tende gjoja të saporinovuar në stacionin hekurudhor në qytetin verior serb Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 15 persona.

    Në sulmin me makinë në protestën e janarit u plagosën rëndë dy mjeke. Pas një amoku të parë të tillë me makinë në nëntor 2024 Vuçiç u tall në televizion me viktimën: “Duhet të arrestojmë shoferin tani? Dikë që nuk ka shkelur asnjë ligj, që ka vozitur në rrugën e tij? A jeni në rregull?”

    Pensionistët kundër Vuçiçit

    Ndërkohë protestat e studentëve, që filluan pas aksidentit në Novi Sad, vazhdojnë prej gati katër muajsh e gjysëm. Ata janë bërë një lëvizje masive, që përfaqëson të gjitha shtresat e popullsisë serbe. Kjo u bë e dukshme në demonstratën e 1 marsit 2025 në qytetin jugor serb të Nishit, ku mijëra studentë, që kishin marshuar atje nga të gjitha pjesët e Serbisë, u pritën me entuziazëm, duke u gostitur nga dhjetëra mijëra banorë dhe çiklistë, që edhe ata kishin vajtur posaçërisht atje.

    Demonstrata në Nish nuk ishte më e madhja e muajve të fundit – por gjithsesi imazhet duhet të kenë qenë kërcënuese për Vuçiçin, sepse edhe një nga grupet e tij kryesore mbështetëse, pensionistët, u përfaqësuan në numër të madh. Mbetet për t’u parë, se si do të zhvillohet më tej kjo lëvizje, e cila nuk ka lidership qendror dhe kundërshton rreptësisht çdo lloj përvetësimi politik. Protesta masive e radhës është paralajmëruar për 15 mars, në Beograd.

    Çfarë do të bëjë SHBA?

    Planet politike të presidentit Trump për Ballkanin Perëndimor janë ende të panjohura. Ekonomikisht si individ privat ai është aktiv përmes kompanive të tij në Serbi dhe Shqipëri. Rrethi i Trumpit nuk e fsheh se Beogradi, i lidhur me Moskën, është i preferuari i presidentit në Evropën Juglindore.

    Që nga fundi i luftërave në Jugosllavi në vitet 1990 SHBA kanë qenë gjithmonë ato, që në fund kanë zgjidhur shumë konflikte të vogla brenda dhe ndërmjet shteteve pasardhëse. Tani jo vetëm vëzhguesit, por edhe shumë njerëz në vendet e Ballkanit Perëndimor, pyesin veten: Çfarë do të ndodhë, nëse Uashingtoni nuk do ta bënte më këtë?

    Nëse Presidenti Trump braktis Ukrainën, një nga aleatët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, me aq lehtësi siç po bën tani, si do t’i trajtonte shtetet e vogla si Bosnja apo Kosova? BE duhet të jetë e përgatitur për të gjitha eventualitetet në Evropën Juglindore. (DW)