ATV

Tag: Ballina

  • Kryeministri i Maqedonisë së Veriut: Humbja e kaq shumë jetëve është e pariparueshme

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut: Humbja e kaq shumë jetëve është e pariparueshme

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickosk ka shprehur “trishtimin e thellë” për tragjedinë si pasojë e zjarrit në një klub të natës në orët e para të së dielës.

    Ai ka thënë se humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve është “e pariparueshme” dhe ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen dhe miqtë e atyre që u vranë nga flakët.

    “U bëj thirrje të gjitha institucioneve kompetente, shërbimeve shëndetësore, policisë, autoriteteve lokale, që të marrin masa urgjente për të ndihmuar të lënduarit dhe për të mbështetur familjet e prekura”, ka thënë ai në një deklaratë të postuar në Facebook.

    “Gjatë ditës, pas shqyrtimit të rrethanave nga institucionet kompetente, do t’i drejtohem publikut me më shumë informacion për hapat e ndërmarrë”, ka shtuar ai.

  • Kurti ngushëllon popullin maqedons, pas tragjedisë në Koçan: Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë

    Kurti ngushëllon popullin maqedons, pas tragjedisë në Koçan: Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime, pas tragjedisë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Koçan të Maqedonisë së Veriut, raporton Ekonomia Online.

    Ai iu dëshiroi shërim të shpejt të gjithë atyre që u lënduan nga ky incident tragjik.

    “Me pikëllim të thellë mësova për humbjen shkatërruese të 51 jetëve në Koçan të Maqedonisë së Veriut, si pasojë e një shpërthimi tragjik zjarri në një klub nate. Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet që humbën më të dashurit e tyre, si dhe për liderët dhe qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë vendit në këtë kohë pikëllimi. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, shkroi Kurti.

    Raportohet se të paktën 50 persona kanë vdekur si pasojë e zjarrit të rënë në një klub nate, ku po mbahej një koncert.

  • Tragjedia në RMV, Osmani ngushëllon familjarët dhe gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut

    Tragjedia në RMV, Osmani ngushëllon familjarët dhe gjithë popullin e Maqedonisë së Veriut

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe gjithë popullit të Maqedonisë së Veriut për vdekjen tragjike të mbi 50 personave si pasojë e një zjarri në një klub nate në Koçan, raporton Ekonomia Online.

    “Lajm shkatërrues nga Koçani, Maqedonia e Veriut. Humbja e kaq shumë jetëve të reja është një tragjedi që nuk mund të përshkruhet me fjalë”, shkroi ajo në X.

    “Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe qëndrojmë pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë popullit të Maqedonisë së Veriut në këtë kohë të vështirë. Ju jeni në mendimet dhe lutjet tona”, shtoi Osmani.

  • Moti sot, parashihet rënie e temperaturave

    Moti sot, parashihet rënie e temperaturave

    Sot në Kosovë pritet të ketë ulje të lehta të temperaturave. Parashihen intervale kohore me diell dhe vranësira të cilat në disa zona do të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Erërat do të vazhdojnë të fryjnë nga jugperëndimi, ndërsa temperatura maksimale parashihet 21 gradë Celsius.

    Në Shqipëri sot pritet të mbajë mot me vranësira e intervale kohore me diell si dhe me zhvillime të rrebesheve lokale të shiut me vetëtima dhe bubullimë. Vende-vende mund të ketë ndonjë shtrëngatë të fuqishme me breshër.

    Intervale kohore me diell priten edhe në Maqedoninë Veriore, por parashihen zhvillime të disa stuhive të izoluara me vetëtima dhe bubullimë, ngjashëm sikur në Luginën e Preshevës. Temperaturat do të pësojnë ulje kryesisht të lehta në të gjitha viset tona.

    Të Hënën ndryshim drastik i motit, me vranësira të dendura, erëra veriore-verilindore, reshje e rrebeshe më të shpeshta dhe më të përhapura të shiut, lokalisht edhe me ndonjë bubullimë. Në disa zona mund të ketë reshje paska më intensive, ndërkaq në viset kodrinore-malore priten reshje shqote e bore. Temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme, të vazhdueshme, ku të martën pritet që reshje bore të ketë edhe në shumë zona të ulëta të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së veriut, megjithatë reshjet e borës nuk pritet të zgjasin shumë. Reshje bore të Martën priten edhe në shumë zona në veri, verilindje, lindje dhe juglindje të Shqipërisë.

    Po ashtu do të kemi depërtimin e ajrit mjaft të ftohtë dhe me kthjellimin e motit gjatë natës dhe mëngjesit të hershëm priten ngrica apo acar deri në – 6 gradë Celsius, madje në viset malore edhe më ftohtë.

    Pas të mërkurës stabilizim i motit, zbutje e acarit dhe rritje graduale e temperaturave./MeteoBallkan

  • Asnjë përparim drejt qasjes në platformën “PayPal”, BQK-ja thotë se problemi qëndron tek mungesa e kodit shtetëror

    Asnjë përparim drejt qasjes në platformën “PayPal”, BQK-ja thotë se problemi qëndron tek mungesa e kodit shtetëror

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Asnjë hap para nuk është bërë drejt pranimit të Kosovës në platformën globale për pagesa dhe transfere të parave në internet, PayPal.

    Njëra prej arsyeve kryesore e pamundësisë së përfshirjes së Kosovës në këtë platformë ndërkombëtare është mungesa e Kodit Shtetëror që duhet lëshuar nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim e Kombeve të Bashkuara.

    Banka Qendrore e Kosovës, në një përgjigje për ATV-në, tha se pavarësisht përpjekjeve, mungesa e kodit shtetëror e pengon atë të ndërmarrë veprime konkrete.

    “Janë ndërmarrë hapa për të sensibilizuar këtë çështje por shkaqet janë jashtë kompetencave BQK-së. Një ndër arsyet kryesore është edhe mungesa e Kodit Shtetëror ISO, që ende nuk është lëshuar për Kosovën nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim e Kombeve të Bashkuara”, thonë nga BQK-ja për ATV-në.

    Por njohës të procesit vlerësojnë se mungesën e kodit BQK-ja e përdor si arsyetim për të mbuluar mungesën e veprimeve të saj.

    “Mungesa e Kodit Shtetëror nuk është aspak pengesë, pse mos anëtarësim në OKB nuk po na pengon në procese tjera që lidhen me teknologji. Nëse BQK-ja është duke punuar e duke i mbajtur takime pse nuk po i publikon, sepse nuk ka”, tha Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

    Kushtrim Ahmeti, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thotë se dëmet që ju shkaktohen qytetarëve nga tarifat që detyrohen të paguhen nëpër banka janë të mëdha.

    “ Tarifat e bankave janë shumë të larta, që qytetarëve kjo ju shkaktohen dëme në veçanti personave që punojnë me kompani të jashtme. Më pas as të gjitha bankat e kryen këtë shërbim dhe qytetari duhet të shëtitet prej një banke në tjetrën”, shtoi tutje Ahmeti.

    Kosova vazhdon të mbetet edhe jashtë Zonës së Pagesave Vetëm me Euro njohur si SEPA, që aplikohet në Bashkimin Evropian.

  • Kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës, ekonomistët thonë se do jetë goditje për qytetarët

    Kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës, ekonomistët thonë se do jetë goditje për qytetarët

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Nga muaji i ardhshëm qytetarët mund të paguajnë për rreth 15% më shtrenjtë për tarifat e energjisë elektrike.

    Këtë ngritje të çmimit e ka propozuar Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike, e cila erdhi pas kërkesës së kompanive të sektorit të energjisë.

    Të arsyeshme shtrenjtimin e çmimit të rrymës nuk e vlerëson ish-drejtori i bordit të KEK-ut, Izet Ibrahimi.

    “Asnjëherë nuk i raportojnë statistikat si ASK po gjithmonë e promovojnë që është rrit konsumi. Bllok tarifat kur i kanë vendos kanë dhënë për me ul konsumin. Bllok tarifat përveç që e ka rrit shportën por edhe faturën njëjtën kohë e ka rrit edhe konsumin.”, tha Ibrahimi.

    Në rast se përqindja aprovohet, ekonomistët thonë se do jetë goditje për qytetarët e veçanti bizneset.

    Tarifat e reja të rrymës u kundërshtuan edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e cila kërkoi ndërhyrjen e qeverisë me arsyetimin se rritja e çmimit të rrymës ka ndikuar vetëm negativisht.

    ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

    Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

  • Maqedonci: Kosova po ndërton ushtri me standarde të NATO-s

    Maqedonci: Kosova po ndërton ushtri me standarde të NATO-s

    Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri me kapacitete të plota është duke u bërë më shpejt seç ka qenë e planifikuar, sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Ministri konfirmon se numri i pjesëtarëve të FSK-së tashmë ka kaluar 4.300 dhe se, brenda vitit të ardhshëm, pritet të arrijë mbi 5.000.

    FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri që nga viti 2018.

    Në fund të tranzicionit, më 2028, ajo parashihet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë – prej tyre 5.000 aktivë, të tjerët rezervistë.

    “Objektivat tona po realizohen më shpejt seç ka qenë e planifikuar fillimisht – gjë që tregon përkushtimin tonë ndaj zhvillimit të FSK-së”, thotë Maqedonci për Radio Evropa e Lirë.

    Sipas tij, forca ushtarake është duke u ngritur sipas standardeve të NATO-s – aleancës 32-anëtarëshe, ku Kosova mëton të anëtarësohet.

    Ai thotë se pjesëtarët e saj janë duke u trajnuar në akademitë ushtarake të NATO-s dhe duke zbatuar doktrinën e saj.

    Për më tepër, shton Maqedonci, “të gjitha blerjet tona ushtarake realizohen nga vendet anëtare të NATO-s”.

    “Ky është një standard, i cili garanton pajisje cilësore dhe përputhshmëri të plotë me sistemet e aleancës”, thekson ai.

    Sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, ministri vlerëson se Kosova ka kapacitete shumë më të avancuara, krahasuar me disa vite më parë.

    Për shkak të ndjeshmërisë së informacionit, ai nuk jep detaje se çka prej armatimit posedon vendi, por, mes tjerash, përmend “një flotë të dronëve Bayraktar” dhe “sisteme të tjera të fluturakeve pa pilotë”.

    “Ne kemi prokuruar sisteme të ndryshme nga vende të ndryshme dhe disa prej tyre janë të përafërta me Javelin-in”, thotë Maqedonci, duke iu referuar sistemit kundërajror amerikan, i cili ka aftësi të avancuara kundër mjeteve të blinduara.

    Vitin e kaluar, Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e 200 kundërajrorëve të tillë dhe Maqedonci thotë se, aktualisht, është duke u bërë pagesa e tyre.

    “Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së i ka zbatuar të gjitha procedurat e prokurimit dhe ne jemi tashmë në fazën e ekzekutimit të pagesave. Gjatë këtij viti, pritet të arrijë një sasi e konsiderueshme e këtyre raketave”, thotë ministri Maqedonci.

    Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi transformimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila insiston që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

    Në këtë organizatë, ku vendimet merren në mënyrë unanime, janë katër vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania.

    Por, Maqedonci thotë se “shumica e vendeve anëtare të NATO-s e njohin FSK-në me mandatin e saj ushtarak”.

    “Ne po punojmë që në të ardhmen e afërt, NATO-ja t’i njohë ndryshimet tona ligjore – çfarë do të mundësonte edhe një përfshirje më të madhe të FSK-së në operacionet e përbashkëta të NATO-s”, thotë ai.

    “Për ne është thelbësore që SHBA-ja – si partneri ynë kryesor strategjik – së bashku me vendet kryesore të NATO-s, të kontribuojnë në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse”, shton ministri kosovar i Mbrojtjes.

    Praninë e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Kosovë, ai e përshkruan si një faktor kyç në “zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit”.

    “Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe t’i bashkërendojmë veprimet tona me KFOR-in dhe NATO-n për të siguruar zhvillimin e duhur të sektorit të mbrojtjes”, thekson ai.

    Në vazhdën e zhvillimeve të fundit gjeopolitike, ministri thotë se për katër vjetët e ardhshëm, parashikohet një buxhet prej mbi 1 miliard eurosh për mbrojtjen e Kosovës.

    Edhe në katër vjetët e kaluar, buxheti për këtë sektor ka shkuar duke u rritur – nga 67.3 milionë euro në vitin 2021, në 207.8 milionë euro këtë vit.

  • Nis fushata kundër shtrenjtimit të rrymës: Nuk mund të përballohet rritja e çmimeve

    Nis fushata kundër shtrenjtimit të rrymës: Nuk mund të përballohet rritja e çmimeve

    Pak orë pasi ZRRE-ja njoftoi se ka propozuar shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind duke filluar nga muaji prill, ka nisur një fushatë kundër këtij propozimi.

    “Asnjecentmeshume” është slogani i kësaj fushate që do të nisë për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.

    Iniciatori i kësaj fushate është Luan Hasanaj, i cili tha se shumica e qytetarëve nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve.

    “Miq, po e nisim një fushatë #ascnjecentmeshume për të e kundërshtuar propopzimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Arsyet janë të bollshme, secili prej nesh i dinë. Shumica e qytetarëve të Kosovës nuk mund të e përballojnë rritjen e çmimeve”, ka thënë Hasanaj.

    Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

    Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

    Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

  • Sot shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

    Sot shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që sot t’i shpall rezultatet përfundimtare, pasi deri sot ato ishin preliminare.

    Gjykata Supreme ka marrë vendimin për ankesën e fundit të parashtruar nga Partia Demokratike e Ashkalinjëve (PDAK)-LPB.

    Supremja ka refuzuar ankesën e PDAK-së lidhur me manipulimet e votave me postë, duke e quajtur edhe si të “pathemeltë”.

    Pas që kjo ishte ankesa e fundit në Supreme, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, iu hap rruga për t’i shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

    Në një njoftim të lëshuar nga KQZ, u bë e ditur se sot do ta bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    “Mund t’iu konfirmoj se të shtunën, më 15 mars 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 9 shkurt 2025” – ka thënë ai.

  • Përmes kërkesave të vazhdueshme për falje, 22 të burgosur në Kosovë kanë kërkuar amnisti nga presidentja

    Përmes kërkesave të vazhdueshme për falje, 22 të burgosur në Kosovë kanë kërkuar amnisti nga presidentja

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Lirinë e privuar e kërkojnë me falje.
    22 të burgosur që vuajnë dënimet në burgjet e Kosovës, kanë kërkuar amnisti nga presidentja që nga janari e deri tash.

    Ani pse presidentja Vjosa Osmani, e shfrytëzoi fare pak këtë të drejtë kushtetuese deri tash, nga Shërbimi Korrektuese, presin që presidenca të jetë më aktive, për shumë arsye.

    “Po presim që të ketë rezultate pozitive sepse në rastet kur personat kanë sjellje pozitive, kanë marrë pjesë në programe rehabilituese, janë shfrytëzues të vikendit, janë barrë për shërbimin korrektues”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i ShKK-së, Ismail Dibrani.

    Hezitimin e presidentes për t’i falë disa të burgosur, thonë se nuk po kuptojnë, as nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

    “Nuk e shoh të logjikshme që e themelon vetë komisionin, komisioni ia dërgon propozimet, ndërkaq nuk i beson vlerësimit të komisionit. Në anën tjetër është e drejtë e të burgosurve që të presin mëshirë nga shteti”, tha Behxhet Shala nga KMDLNj.

    Aktualisht në të gjitha burgjet apo qendrat korrektuese dënimin e vuajnë 1720 persona por nga KMDLNj-ja thonë se shumica prej tyre meritojnë lirimin.

    Sidoqoftë për një të burgosur shteti paguan mbi 800 euro në baza mujore, teksa për një vit, të burgosurit shtetit i kushtojnë afër 1.4 milion euro.