ATV

Tag: Ballina

  • 25 Vjet Pas Intervenimit të NATO-s: Roli i KFOR-it në Kosovë

    25 Vjet Pas Intervenimit të NATO-s: Roli i KFOR-it në Kosovë

    Më shumë se dy dekada më parë, NATO-ja intervenoi në Kosovë me qëllim që të ndalë terrorin që po shkaktohej nga forcat serbe, në luftën e viteve 1998/99.

    Për 78 ditë zhvilloi bombardime mbi caqet e ushtrisë së atëhershme serbe, deri në Marrëveshjen e Kumanovës e cila shënoi kapitullimin e Serbisë me largimin e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe shënoi fundin e bombardimeve, shkruan KosovaPress.

    Marrëveshja ishte negociuar në mes të KFOR-it dhe zyrtarëve ushtarakë ish-jugosllavë. Ky veprim dërgoi në krijimin e një force paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë të udhëhequr nga NATO-ja.

    KFOR-i, nën udhëheqjen e NATO-s, zbarkoi në Kosovë në qershor të vitit 1999 – misioni i tij është garantimi i sigurisë dhe lëvizjes së lirë për të gjitha komunitetet.

    Prezenca ushtarake ndërkombëtare në Kosovë u autorizua përmes rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ishte misioni më i madh paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, me rreth 50.000 trupa.

    Sot, rreth 4.600 trupa të KFOR-it e vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë. Ata vijnë nga 27 shtete të botës.

    Ushtarakët ndërkombëtarë u zvogëluan në numër nga viti në vit, pas përmirësimit të situatës në vend. Por, rëndësia e pranisë së tyre u theksua edhe njëherë në vitin 2023 pas tensioneve në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – ku shefi i atëhershëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi për shtim të trupave.

    KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në vend, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, shkruan KosovaPress.

    Në vitin 2023 Serbia – përmes gupeve kriminale – sulmoi Policinë e Kosovës dhe la të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Një vit më vonë, sulmoi edhe infrastrukturën kritike të shtetit.

    Këto zhvillime vetëm sa rritën thirrjet e autoriteteve të Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO. Por, janë disa shtete anëtare që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 – pengesë kjo në rrugën drejt aleancës më të madhe ushtarake.

    Ushtarët e KFOR-it vazhdojnë të patrullojnë pranë vijës kufitare me Serbinë dhe prania e tyre në Kosovë konsiderohet të jetë e domosdoshme.

    Qëndrimi i NATO-s për prezencën ushtarake në Kosovë sigurisht do të dëgjohet edhe njëherë të martën në Prishtinë nga vetë shefi i aleancës, Mark Rutte i cili po qëndron sot në Kosovë, transmeton KosovaPress.

    Rutte do të takojë krerët e shtetit dhe do të flas para gazetarëve në një konferencë për media me presidenten Vjosa Osmani.

  • Ndryshim i motit, sot priten riga e rrebeshe shiu

    Ndryshim i motit, sot priten riga e rrebeshe shiu

    Sot në Kosovë do të kemi ndryshim të motit ku përpos intervaleve kohore me diell, parashihen edhe vranësira dhe riga ose rrebeshe lokale shiu. Rrebeshet do të jenë të karakterit lokal.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të lehta, për shkak të vranësirave dhe rrebesheve lokale të shiut, por mbetet ngrohtë për këtë periudhë kohore me rrymime të fuqishme ajrore nga jugu dhe jugperëndimi.

    Në Shqipëri nesër pasdite destabilizim i fuqishëm i motit. Priten zhvillime të fuqishme konvektive me rrebeshe afatshkurtra, por të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Stuhitë do të jenë të karakterit lokal.

    Rrebeshe më të pakta lokale nesër priten në disa vise në Maqedoninë Veriore dhe Luginë të Preshevës, ndërsa në Mal të Zi priten rrebeshe intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë.

    E Mërkura pritet mot me intervale kohore me diell dhe vranësira të cilat nganjëherë në disa rajone pritet të kushtëzojnë ndonjë rrebesh lokal shiu. Intensifikim i reshjeve gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të së Enjtes. Vende-vende priten rrebeshe intensive me vetëtima dhe bubullimë.

    Të Premten dhe të Shtunën rritje të ndjeshme të temperaturave, me mundësi për reshje lokale në veri të Shqipërisë dhe Mal të Zi. Të dielën reshje lokale në tërë rajonin./MeteoBallkan

  • Shefi i NATO-s viziton sot Kosovën, takohet me Osmanin dhe Kurtin

    Shefi i NATO-s viziton sot Kosovën, takohet me Osmanin dhe Kurtin

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sot do të vizitojë Kosovën, së bashku me ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut.

    Shefi i NATO-s, gjatë vizitës në Kosovë do të takohet në takime të ndara me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

    Pas takimit, Osmani dhe Rutte do të mbajnë konferencë për media.

    Kjo është vizita e tij e parë në Kosovë që kur mori drejtimin e NATO-s në tetor të vitit të kaluar.

    Po ashtu, ai do të takojë përfaqësuesit e trupave ndërkombëtare në Kosovë.

  • Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mbërrin në Sarajevë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mbërrin në Sarajevë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në Presidencën e Bosnjë dhe Hercegovinës, Sarajevë, 10 mars 2025.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në Presidencën e Bosnjë dhe Hercegovinës, Sarajevë, 10 mars 2025.

    Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Mark Rutte, mbërriti të hënën, për një vizitë zyrtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku do të takohet me drejtuesit më të lartë politikë, në një moment kur autoritetet e Republikës Sërpska, duke kërcënuar me shkëputje, kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.

    Aktualisht, po zhvillohet takimi me anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës – Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, pas të cilit është planifikuar një konferencë për media.

    Pas këtij takimi, Rutte do të zhvillojë një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krishto.

    Pasdite pritet që Rutte t’u drejtohet studentëve të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka mbërritur në Bosnjë dhe Hercegovinë pas miratimit të ligjeve antikushtetuese në entitetin Republika Sërpska të Bosnje dhe Hercegovinës.

    Më herët, Kuvendi i RS-së ka miratuar një ligj për ndalimin e veprimtarisë së Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) të BeH-së, Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, i cili është përgjegjës për emërimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.

    Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës ka marrë një masë të përkohshme dhe ka pezulluar zbatimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi Popullor i RS-së më 27 shkurt, një ditë pasi presidenti i RS-së, Millorad Dodik, u dënua nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksionit. Ky është dënim i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të ankohet.

    Ai u shpall fajtor për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që Schmidt i kishte anuluar më herët, me të cilat ishte synuar pengimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe përfaqësuesit të Lartë në territorin e RS-së.

    NATO-ja ka përsëritur disa herë se kjo organizatë ushtarako-politike mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe se nuk do të lejojë një vakum sigurie apo rrezikim të paqes së fituar me vështirësi.

    Forcat e Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnje dhe Hercegovinë njoftuan më 7 mars se do të rrisin përkohësisht numrin e trupave të tyre si një masë parandaluese, pas rritjes së tensioneve në vend. /REL

  • ​KQZ vendos të rinumërohen 50 vendvotime

    ​KQZ vendos të rinumërohen 50 vendvotime

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendosi të hënën që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të rinumërohen votat për subjektet politike të 50 vendvotimeve, 15 prej të cilave i takojnë komunave të ndryshme, ndërkaq 35 të tjera vetëm të komunës së Vushtrrisë.

    Ky vendim erdhi pasi që në 15 vendvotime është hasur mospërputhje e numërimit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve dhe numrin e fletëvotimeve brenda në kuti të votimit.

    Ndërkaq, për 35 vendvotime të tjera që i takojnë vetëm komunës së Vushtrrisë, KQZ-ja mori vendim pasi që “vërehet diferenca e votave të kandidatëve”.

  • ​Kurti: Mbështetja ndaj grave, fokus i qeverisë

    ​Kurti: Mbështetja ndaj grave, fokus i qeverisë

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të hënën se mbështetja ndaj grave dhe adresimi i pabarazisë gjinore ka qenë fokus i Qeverisë së Kosovës, raporton KP.

    Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku u prezantua rrjeti i grave në pozita vendimmarrëse në administratë publike dhe institucione te pavarura, Albin Kurti tha se prej vitit 2021 – kur e kanë marrë drejtimin e qeverisë, “51 për qind e pozitave vendimmarrëse në ndërmarrje publiken janë gra”.

    Albin Kurti theksoi nevojën edhe të forcimit sindikal të grave.

    Pjesë e këtij organizimi ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili tha se është bërë progres për avancimin e pozitës së gruas në Kosovë, mirëpo sipas tij, ende ka shumë punë për të bërë.

  • ​Agjenda e Rutte në Kosovë, policia njofton për riorientim të trafikut

    ​Agjenda e Rutte në Kosovë, policia njofton për riorientim të trafikut

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se më datën 10 dhe 11 mars 2025, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë delegacion i lartë i NATO-s i kryesuar nga sekretari Gjeneral i saj, Mark Rutte.

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë kësaj vizite, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Republikën e Kosovës.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

  • ​Moti gjatë kësaj jave

    ​Moti gjatë kësaj jave

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj jave parashihet të jetë një mot i ndryshueshëm, ndërsa temperaturat do të mbeten pothuajse të njëjta me ato të javës që lamë pas.

    Sipas institutit, gjatë ditëve të mërkurë dhe të enjte pritet të ketë reshje të lehta shiu në disa zona, raporton KosovaPress.

    “Kushtet biometeorologjike do të jenë të favorshme, duke mos paraqitur ndikime të theksuara për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Po ashtu, kushtet agrometeorologjike do të jenë të përshtatshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Reshjet e parashikuara do të jenë të mirëseardhura për bujqësinë, duke ndihmuar në rritjen e lagështisë së tokës. Kjo periudhë është e përshtatshme për fermerët që të shpërndajnë plehun artificial në parcelat e tyre, sidomos për kulturat e grurit dhe ato pranverore”, thuhet në njoftim.

    E Hënë, 10. Mars 2025

    Moti do të jetë me diell dhe pjeserisht i vranët.Temperaturat minimale do të lëvizin nga -3C deri në -1°C, ndërsa ato maksimale nga 16°C deri në 21°C. Do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1-4 m/s.

    E Martë, 11. Mars 2025

    Parashikohet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të zbresin nga 0°C deri në 4°C, ndërsa maksimalet nga 15°C deri në 20°C. Era do të jetë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperendimit.

    E Mërkurë, 12. Mars 2025

    Do të mbajë mot i vranët dhe me kushte per riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 °C deri në 6°C, ndërsa maksimalet nga 14°C deri në 17°C. Do të fryjë erë e lehtë nga jugperendimi me shpejtësi 1-5m/s.

    E Enjte, 13. Mars 2025

    Moti parashikohet i vranët dhe me intervale me diell . Vende-vende p.arashihen kushte për riga shiu.Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3°C deri në 6°C, ndërsa ato maksimale nga 15°C deri në 20°C. Era do të fryjë nga jugperendimi me shpejtësi 1-4 m/s.

    E Premte, 14. Mars 2025

    Moti do të jetë me diell dhe vranesira të pjesëshme. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4°C deri në 7C, ndërsa maksimalet nga -17°C deri në 21°C. Era do të fryjë e lehtë nga jugperendimi me shpejtësi 1-3 m/s.

  • ATK për dy muaj i mbledh mbi 184 milionë euro

    ATK për dy muaj i mbledh mbi 184 milionë euro

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se në periudhën dy mujore janar-shkurt kanë arritur t’i mbledhin 184.3 milionë euro.

    Në njoftimin e ATK-së thuhet se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë 7.2 për qind më shumë, apo 12.3 milionë euro.

    “Viti i kaluar ishte një vit i jashtëzakonshëm për ATK-në, në aspektin e realizimit të objektivave, por edhe i vlerësimeve nga institucionet ndërkombëtare. Në vitin 2024 janë mbledhur të hyra rekorde, duke tejkaluar parashikimet dhe duke konfirmuar angazhimin e menaxhmentit dhe stafit të ATK-së për një sistem tatimor efikas, të drejtë dhe transparent”, thuhet në njoftim.

    “ATK në muajt në vijim sigurisht që do të vazhdoj me intensifikimin e angazhimit për të lehtësuar përmbushjen vullnetare të tatimeve, për të rritur mbikëqyrjen dhe për të përmirësuar mekanizmat e institucionit. Do të vazhdohet gjithashtu me implementimin e projekteve dhe reformave të reja, që synojnë rritjen e disiplinës tatimore dhe përmirësimin e ambientit të të bërit biznes”, theksohet në komunikatën për media të ATK-së.

  • Kosova asnjë, Serbia me pesë kontrata lobimi në Uashington

    Kosova asnjë, Serbia me pesë kontrata lobimi në Uashington

    Kosova, aktualisht, nuk ka asnjë lobues të kontraktuar në SHBA. Derisa Serbia vazhdon të forcojë prezencën e saj në Uashington përmes pesë kontratave të lobimit, Kosova mbetet pa një mekanizëm të tillë ndikimi. Marrëveshjet e mëparshme të lobimit skaduan pikërisht pak para ndryshimeve në administratën amerikane me ardhjen në pushtet të Donald Trumpit, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Si rrallëherë në historinë e pasluftës, Kosova nuk ka asnjë kontratë lobimi aktive në SHBA. Që nga viti 1992 Kosova ka përdorur lobimin për të përforcuar pozicionin e vendit në Uashington. Kjo ka ndihmuar në shpalljen e pavarësisë, mbështetjen ushtarake dhe partneritetet strategike. Sot asnjë kontratë nuk figuron në regjistrin e lobuesve në SHBA. MPJD kishte dy kontrata lobimi deri vitin e kaluar, por tani ato kanë skaduar.

    Për dallim nga kontratat e së kaluarës me kompani të njohura lobimi, këtë herë MPJD kishte angazhuar dy shqiptarë që shumicën e shpenzimeve i kishin deklaruar për dreka e darka punë dhe udhëtime.

    Në të njëjtën kohë, institucionet e Serbisë kanë pesë kontrata aktive lobimi në SHBA, për të cilat paguajnë kompani amerikane mbi 250 mijë dollarë në muaj.

    Republika Srpska i ka lidhur të gjashtë kontratat e lobimi nga Bosnjë e Hercegovina, ndërsa institucionet e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut nuk kanë asnjë lobues të kontraktuar.

    Pak pasi Kosova mbeti pa asnjë kontratë lobimi në SHBA, atje u ndërrua administrata, me ardhjen në pushtet të presidentit republikan, Donald Trump.

    Komunikimi i vetëm zyrtar i tij drejt Kosovës deri më tani ka qenë një letër urimi për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ajo letër pasoi disa kritika që i dërguari i Trumpit për misione të veçanta, Richard Grenell, i bëri ndaj Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, kur tha se SHBA’së i duhet partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa ajo e Kurtit nuk është e tillë.

    Ai gjithashtu tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve nuk kanë qenë kurrë në pikë më ë ulët.