ATV

Tag: Ballina

  • Dështimi i radhës, edhe pas propozimit për votim të fshehtë

    Dështimi i radhës, edhe pas propozimit për votim të fshehtë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    As ardhja e Nezir Krakit në seancë, pas mungesës së dy ditëve më parë, nuk i mjaftoi Lëvizjes Vetëvendosje ta arrijë maksimumin e deritashëm prej 57 votave, në tentimet për konstituim të Kuvendit.

    Madje këto vota, gjithësesi të pamjaftueshme, nuk qenë fare për Albulena Haxhiu, kandidaten e vetme të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.

    Të enjten u tentua ndryshimi i mënyrës së shprehjes së vullnetit të të zgjedhurve të popullit, nga ngritja e dorës, në votim të mbyllur. Për këtë duhej të zgjidhej fillimisht një komision.

    Propozimit iu përgjigj Lëvizja Vetëvendosje dhe komunitetet pakicë joserbe.

    Por jo edhe partitë tjera që, megjithëse nuk lejohet debat në seancën konstituive, përdorën foltoren për mesazhe politike.

    Kundërshtoi edhe Lista Serbe, që i bëri deputetët e Vetëvendosjes të reagojnë edhe ndaj partive shqiptare për bashkërendim. Por Time Kadrijaj e Aleancës pati përgjigje.

    Seanca u shty për të shtunën e 3 prillit, e që tashmë ka numër dyshifror të përpjejkes për konstituim, e dhjeta me radhë.

  • Takimi Kurti Krasniqi, pa ndonjë marrëveshje

    Takimi Kurti Krasniqi, pa ndonjë marrëveshje

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Me nguti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ngjiti shkallët e kuvendit, pasi në katin e dytë kishte të organizuar një takim, mëngjesin e së enjtes.

    Në sallën N-204, u ulë përballë me kryetarin e Partisë Demokratike, Memli Krasniqin. Ky iu përgjigj ftesës së Kurtit, për dallim nga Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike, që e refuzoi atë, një ditë më parë.

    Të dy, sy më sy, qëndruan e biseduan për afro një orë, rreth mundësive për zgjidhje të ngërçit në Kuvend. Por as kaq kohë nuk mjaftoi për të arritur ndonjë marrëveshje.

    “I kërkova me ndrru kandidaturën për Kryetar të Kuvendit. Nuk mora sinjale që do ta bëjë. Nuk mund të interpretoj diçka që nuk mora”, tha Krasniqi.

    Meqenëse për kryetaren e kuvendit nuk u morën vesh, Krasniqi tha se me Kurtin folën fare shkurt edhe për çështjen e zgjedhjeve eventuale.

    Për Krasniqin kjo nuk është hera e parë që i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit. Me të ishte takuar edhe në maj të vitit 2024, për të diskutuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por që shpërndarja e Kuvendit nuk ishte përkrahur nga partitë tjera.

  • Refuzohet votimi i fshehtë për kryeparlamentar, Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e nëntë

    Refuzohet votimi i fshehtë për kryeparlamentar, Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e nëntë

    Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka arritur të konstituohet as në tentimin e nëntë që nga 15 prilli, kjo pasi nuk kaloi propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.

    Ndryshe nga herët e kaluara, nuk u propozua kandidati për kryetar të Kuvendit nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

    Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, bëri të ditur se seanca do të vazhdojë të shtunën, më 3 maj në orën 10:00.

  • Sot shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës

    Sot shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës

    Dita e parë e muajit maj është njohur ndërkombëtarisht si Dita e Punëtorëve, një ditë e dedikuar për nderimin e sakrificave dhe kërkesave të punëtorëve për kushte më të mira pune.

    Çdo vit, më 1 maj, punëtorët nga të gjitha anët e globit dalin në rrugë për të shprehur solidaritetin e tyre dhe për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, përfshirë orar të arsyeshëm pune, paga të drejta dhe siguri në vendin e punës.

    Kjo ditë ka origjinën nga protestat e vitit 1885 në Australi, ku punëtorët kërkuan një orar pune prej 8 orësh, një kërkesë që do të bëhej simboli i të drejtave të punëtorëve. Motori i këtij protestimi ishte: “8 orë punë, 8 orë pushim, 8 orë gjumë”, një moto që vazhdon të jetë e rëndësishme edhe sot e kësaj dite. Pjesë e historisë së kësaj lëvizjeje është edhe revolta e Haymarket në Chicago në vitin 1886, ku punëtorët kërkuan të drejtat e tyre dhe protestuan për kushte më të mira pune. Protesta u shndërrua në tragjedi kur, në kulmin e saj, humbën jetën 11 persona pas një masakre të përgjakshme.

    Në Evropë, 1 Maji ishte fillimisht i lidhur me festat tradicionale rurale të fermerëve, por më vonë, kjo ditë mori një dimension të ri, duke u bërë simbol i lëvizjes moderne të punës. Vendimi për të shpallur 1 maj si Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve u mor në vitin 1891 në Bruksel, dhe që atëherë, është njohur në të gjithë botën.

    Në shumë shtete, 1 maji është shpallur ditë pushimi zyrtare dhe është një mundësi për punëtorët të bashkohen, të shprehin kërkesat e tyre dhe të festojnë arritjet e lëvizjes sindikale për më shumë të drejta dhe mundësi të barabarta pune. Dita e Punëtorëve është një kujtesë e vazhdueshme e forcës së bashkimit dhe e nevojës për përmirësimin e kushteve të punës në mbarë botën.

  • Tentimi i nëntë për konstituimin e Kuvendit – Kurti fton në takim Krasniqin dhe Abdixhikun

    Tentimi i nëntë për konstituimin e Kuvendit – Kurti fton në takim Krasniqin dhe Abdixhikun

    Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka ftuar kryetarin e LDK-së dhe të PDK-së për takim më 1 maj lidhur me krijimin e institucioneve të reja, përkatësisht zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Kurti takimin me dy liderët e ka ftuar të enjten në orën 08:30.

    Kjo ftesë e Kurtit për dy liderët e partive politika ka ardhur pasi ka dështuar për gjashtë herë radhazi ta zgjedh Albulena Haxhiun kandidate për kryetare të Kuvendit.

    “Duke u bazuar ne Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, ka shkruar Kurti në letër.

    Pritet të shihet nëse Krasniqi e Abdixhiku do ta pranojnë këtë ftesë për takim nga kreu i LVV-së.

  • Kuvendi lëshon njoftim për seancën konstituive që do të vazhdojë nesër

    Kuvendi lëshon njoftim për seancën konstituive që do të vazhdojë nesër

    Kuvendi i Kosovës ka lëshuar njoftim për vazhdimin e seancës konstituive që do të mbahet nesër nga ora 10:00.

    Kjo do të jetë hera e nëntë që deputetët e zgjedhur do të mblidhen për të konstituuar legjislaturën e nëntë.

    Pas miratimit të raportit të komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, procesi i konstituimit ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit. VV për disa herë me radhë e ka propozuar Albulena Haxhiun, mirëpo ajo s’ka arritur t’i marrë 61 votat e nevojshme.

    Partitë opozitare kanë kërkuar nga VV ta ndërrojë kandidaten, duke thënë se Haxhiu është figurë përçarëse.

  • Ministri në detyrë Vitia viziton QKUK-në, pas dëmtimit të veturës së u.d. të drejtorit

    Ministri në detyrë Vitia viziton QKUK-në, pas dëmtimit të veturës së u.d. të drejtorit

    Ministri në detyrë Vitia viziton QKUK-në, pas dëmtimit të veturës së u.d. të drejtorit Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia vizitoi QKUK-në, pas dëmtimit të veturës së u.d. të drejtorit të këtij institucioni, që ndodhi sot orës 10:00, raporton Ekonomia Online.

    Automjeti i tij ishte i parkuar në hapësirat zyrtare të administratës në momentin e ngjarjes.

    Ndërsa, në vendin e ngjarjes tashmë ka arritur edhe njësiti për deminimin e mjeteve shpërthyese nga Policia e Kosovës. Policia e Kosovës njoftoi se nuk ka pasur të lënduar.

  • Kur bëhen prishtinalitë nervoz?

    Kur bëhen prishtinalitë nervoz?

    Kur e kanë një kryetar folirant? S është e vërtetë, kurrë mos e harroni që prishtinalitë dy herë e kanë zgjedhë Shpend Ahmetin Kryetar, e mandej Përparim Ramën – prishtinalitë i duan folirantat.

    Kur humbë Prishtina futboll? S është e vërtetë, në pikë të njëjta me Llapin janë dhe nëse nuk e fitojnë Kupën i bie që i kanë gjujtë 1 milionë Euro në bunar për me përfundu në tabelë pas Malishevës.

    Kur shtrenjtohet kafja? – e qitu ju pritsha!

    Sot, nuk ke pasë mundësi fizike me scrollitë ma shumë se 6 postime, pa dalë një prishtinali që ankohej pse është kafja 2 Euro.

    I gjeta edhe disa që u ankuan pse u shtenjtu buka, njëir dorën n zemër ankoheje pse u shtrnejtu bureku – ama kafja, me ua shtrenjtu kafen, makiaton – prishtinalitë nuk ta falin – reagojnë në facebook ashpër pak shqip, pak anglisht, you know the drill!

    Të ju kallëzoj dicka – kafja ka shku në 2 Euro dhe do të shtrenjtohet edhe më shumë, u shtrenjtua rryma dhe do të shtrenjtohet edhe parkingu, çmimet nëpër restornate janë tash të njëjta si disa vende në Evropë, çmimet në pompa të benzinës janë më të shtrenjta se në disa vende në Evropë dhe kjo do të vazhdojë.

    Qysh po e di? Qe njeri:

    Kështu po pohon Jusuf Azemi nga Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Sektorit Privat. Sipas tij, vetëm sivjet kanë vdekur 9 veta në vend punee, kurse që nga liberalizimi vendin e kanë lëshaur 160 mijë, 160000 kosovarë.

    Tash, meqë profesorët e historisë në Kosovës, zor që i merr gjermani për profesorë të historisë në punë, po supozoj që shumica që kanë migraur janë nga ndërtimtaria dhe kafet, apo qysh kanë qejf ata ti thonë vetes gastronomia.

    Kjo mandej është cikël! Tregu do të imponojë rrethana të reja – rritje të pagave ose ardhje të punëtorëve nga vendet aziatike dhe afrikane në Kosovë. Pra, s’ka veç kosovarët me shku në lindje të mesme me e ba namin atje! Vinë edhe ata te ne pak, punojnë çka ka qëllu!

    Kuptohet, rreth kësaj teme nuk flasin deputetët, pse të flasin – njerëzit fjalëpërfjalshëm paguhen me pare tonat, me pi kafe në byfe të Kuvendit, me të lirë, për me dalë cdo dy ditë në senca pak minutëshe me e përulë pak Albulenën dhe me dalë në studio televizive me shpjegu pse po e mmajnë shtetin peng.

    Pse është problem i tyre që u shtrenjtu kafja, ose cilido produkt tjetër. Nuk është hic! Kush nga deputetët e ka telashe çmimin e kafes, rrymës, ujit, bukës, ose cilit do artikull elementar!

    Kush që telashja nuk është veç te ta. Ky shtet ka edhe inspektorat të tregut, ka edhe autoritet të konkurrencës, ka edhe inspektorate tjera në nivel komunal e qendror, ka edhe ministri të tregtisë, ka edhe inspektorat shëndetësor, të cilët po të kryenin punën e tyre do të dihej a vendosen çmimet në formë të karteleve, a ka monopole ose oligopole në Kosovë, në vendet ku shitet kafja 2 Euro, nuk kishin lejuar edhe të tymoset cigarja, nëse janë shkelë të drejtat e konsumatorit të mbrojtura me ligj, kishin marrë masa etj etj.

    Pra, pasi ta festoni një majin dhe ti harxhoni krejt rrogat para të 15-tit, bëhuni gati për shtrenjtim të gjithçkaje dhe ndryshim të stilit të jetesës, eh me këtë dua ta përfundoj.

    Nga këta talentat e fb, ka edhe aso që thonë që kafja në kafene është luks dhe mundesh me e mmushe një termos kafe në banesë, të cilën e ke ble me kredi dhe me shku me termos në punë, me trotinet elektrik, e shokët me i taku në park, ku shkon këmbë.

    Cilin park o bir zeza, cilin park – ajri i ndotur, qentë endacakë gjithandej, bërllogu po ashtu, qendra e bllokuaar me bagera, pra as shtrenjtimin, as degradimin s’ka kush me e ndalë!!!

    Pra, gjërat po shtrenjtohen po nuk përmirësohet as ambienti, as shërbimi e as nuk po rriten pagat! Kosovë, he vend i mundësive!

  • Çmimi i rrymës për bizneset pritet të rritet deri në 30 për qind

    Çmimi i rrymës për bizneset pritet të rritet deri në 30 për qind

    Deri në 30 për qind pritet të shtrenjtohet çmimi i energjisë për bizneset e mëdha, paralajmërojnë përfaqësues të disa kompanive të licencuara për furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

    Këto kompani aktualisht kanë shtuar përpjekjet për sigurimin e energjisë, në prag të nisjes së procesit të liberalizimit të tregut të energjisë.

    Çfarë do të thotë liberalizimi i tregut të energjisë?

    Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian ka filluar në fund të viteve ‘90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët. Ndërsa, në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim.

    Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

    Tashmë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha – konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – të kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Sipas ZRRE-së, numri i tyre është mbi 1.000.

    Aktualisht, këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji (KESCO), si furnizuesi kryesor i licencuar për energji me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.

    Ndërsa nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

    Aktualisht, në tregun e lirë të Kosovës janë të licencuara 18 kompani që ofrojnë furnizim me energji elektrike, shumica prej të cilave janë nga Kosova, por ka edhe kompani nga rajoni.

    Disa prej tyre kanë nisur negociatat me prodhues të energjisë në rajon për të siguruar kapacitetet e nevojshme për furnizimin e klientëve të rinj.

    Ndërkohë, disa biznese, si Frutex në Suharekë, po kërkojnë kompani vendore për të negociuar çmimin për rrymën.

    Bizneset përballë zgjedhjes së furnizuesve të rinj

    Drilon Brahimi, drejtor i përgjithshëm i kompanisë Tredint Group L.L.C, e cila u licencua për furnizim me energji elektrike në fund të vitit të kaluar, thotë se janë në fazën e hulumtimit të tregut për të siguruar çmime më të volitshme, por ende nuk kanë nënshkruar asnjë kontratë me kompani prodhuese nga rajoni.

    “Shumë kompani vendore, konkretisht ato prodhuese, kanë filluar të na dërgojnë profilin vjetor të konsumit energjetik dhe po kërkojnë informacione rreth çmimit. Ne jemi në fazën e përgatitjes së ofertave. Përgjigjja konkrete për secilën pritet t’iu dërgohet në fillim të majit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Megjithatë, Brahimi thekson se çmimi për muajt e parë pritet të jetë deri në 30 për qind më i lartë se tarifat aktuale të energjisë.

    Aktualisht, për konsumatorët e amvisërisë dhe ata komercialë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 13.29 centësh.

    Nga 1 maji hyjnë në fuqi tarifat e reja, me një rritje prej 16.1 për qind, por ato nuk do të zbatohen për bizneset me mbi 50 punëtorë.

    Rritjen prej 30 për qind për kompanitë e mëdha e paralajmëron edhe Diamant Dalladaku nga kompania Enerco LLC.

    Edhe ai thotë se ende nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë me kompani të huaja dhe se janë në proces të hulumtimit të tregut.

    “Liberalizimi i tregut të energjisë është një proces i ri dhe gjatë zbatimit po paraqiten sfida. Si problem në kohën e përgatitjes është mungesa e informacioneve për energjinë që shpenzojnë bizneset, të cilat po dalin në tregun e hapur”, thotë Dalladaku për Radion Evropa e Lirë.

    Në raportin vjetor të ZRRE-së thuhet se vitin e kaluar mbi 5.400 gigavatë në orë (GWh) ka qenë sasia e përgjithshme e energjisë së shitur te të gjithë konsumatorët në Kosovë. Nga kjo sasi, 3.156 GWh apo 58.4 për qind janë shpenzuar nga konsumatorët familjarë, kurse pjesa tjetër, 2.041 apo mbi 37 për qind, është shpenzuar nga konsumatorët jofamiljarë dhe në këtë kategori përfshihen të gjitha bizneset.

    Palushi: Ende nuk kemi oferta konkrete për energjinë

    Kompania për prodhimin e lëngjeve Frutex në Suharekë është një nga kompanitë që nga qershori do gjejë vetë kompaninë furnizuese për rrymë.

    Pronari i saj, Shaqir Palushi, thotë se kanë dërguar kërkesë për takim në të gjitha kompanitë e licencuara për furnizim me energji, në mënyrë që të negociojnë për çmimin. Megjithatë, Palushi ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje nga to.

    “Po pres në ditët në vazhdim… por, nuk besoj se ato janë të përgatitura për këtë proces, sidomos në kushtet e turbulencës që kanë mbizotëruar vitet e fundit lidhur me çmimet e energjisë elektrike”, thekson ai.

    Palushi tregon se për një muaj shpenzon energji në vlerë deri në 40 mijë euro. Në rast të rritjes së çmimit për 30 për qind, për sasinë e njëjtë të shpenzuar ai do të paguante mbi 52 mijë euro.

    “Sigurisht se kjo do të rrisë shpenzimet operative, por ne do të bëjmë përpjekje që fillimisht të ketë ndikim në uljen e profitit të kompanisë dhe jo të rrisim çmimet”, thotë ai.

    Kompanitë e licencuara, të papërgatitura?

    Odat ekonomike në Kosovë kanë kërkuar shtyrjen e këtij vendimi, pasi sipas tyre, edhe pse kompanitë janë të licencuara, shumica prej tyre nuk kanë pasur klientë fundorë dhe kanë ekzistuar vetëm “në letër”, pa veprimtari reale tregtare.

    Ky tranzicion, sipas tyre, do të destabilizojë furnizimin dhe do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera.

    Për këtë arsye, më 21 mars, Oda Ekonomike e Kosovës kërkoi nga Avokati i Popullit që të iniciojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojë pezullimin e vendimit për të paktën një vit.

    Avokati i Popullit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar ankesën e Odës Ekonomike të Kosovës dhe është duke e shqyrtuar.

    “Për Avokatin e Popullit kjo është një situatë komplekse për faktin se këto zhvillime janë bërë në kohën kur institucionet kryesore janë në krijim e sipër”, thuhet në përgjigje, ku shtohet se shtrenjtimi i tarifave të rrymës do të ketë pasoja në të drejtat socio-ekonomike për qytetarët.

    Megjithatë, ZRRE-ja përsëriti se kapacitetet ekzistuese janë të mjaftueshme për t’i furnizuar bizneset me energji pas liberalizimit të tregut.

    “Shumica e furnizuesve janë duke bërë përgatitjet e nevojshme teknike dhe administrative për të qenë funksionalë në treg”, thuhet në një përgjigje që ZRRE-ja i dërgoi Radios Evropa e Lirë.

    ZRRE-ja thotë se është duke zhvilluar takime të rregullta dhe informuese me të gjithë furnizuesit e licencuar me qëllim që të informohen në mënyrë sa më të qartë rreth hapave dhe mundësive që ofron liberalizimi i tregut. /REL/

  • Dështon për herë të tetë seanca për konstituimin e Kuvendit, Haxhiu s’i merr votat e mjaftueshme për kryeparlamentare

    Dështon për herë të tetë seanca për konstituimin e Kuvendit, Haxhiu s’i merr votat e mjaftueshme për kryeparlamentare

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, as në seancën e së martës nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për kryetare të Kuvendit.

    Me 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenime, Haxhiu nuk mori votat e duhura për pozitën e kryetares, andaj edhe kjo seancë u ndërpre.

    Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, bëri të ditur se seanca do të vazhdojë të enjten.

    “Konstatoj se deputetja e propozuar për deputete nuk i ka marrë votat e mjaftueshme, e ndërprejmë seancën. Shihemi më 1 maj në orën 10:00”, tha Dehari.