ATV

Tag: Ballina

  • Osmani: Roli i SHBA-së ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, paqen, lirinë e shtetndërtimin

    Osmani: Roli i SHBA-së ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, paqen, lirinë e shtetndërtimin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të stafit të Kongresit Amerikan, në një vizitë të organizuar nga Atlantic Council.

    Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, për marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

    Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe bipartizane nga Kongresi Amerikan, duke theksuar rëndësinë që kanë të dy dhomat e Kongresit në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

    Në njoftim thuhet më tej se Osmani ka theksuar se roli i SHBA-ve ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, për paqen, lirinë dhe procesin e shtetndërtimit.

    “Ajo nënvizoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe si dhe për anëtarësimin në NATO dhe BE, duke e cilësuar integrimin euro-atlantik si një hap kyç për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, në rajon si dhe në të gjithë kontinentin evropian”, përfundon njoftimi.

  • Dështon konstituimi i Kuvendit edhe për herën e 24-të

    Dështon konstituimi i Kuvendit edhe për herën e 24-të

    As gjatë seancës së sotme nuk u arrit të konstituohej Kuvendi i Kosovës, pasi propozimi për formimin e komisionit zgjedhor, i cili do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, dështoi sërish.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje subjekteve politike që të propozojnë përfaqësuesit për komisionin zgjedhor, por, pavarësisht kërkesës, propozimi nuk mori mbështetje dhe dështoi për të 24-tën herë.

    Ky komision, që do të mundësonte votimin e fshehtë për Albulena Haxhiun të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka kandiduar për kryetare të Kuvendit, tani mbetet i bllokuar, duke e shtyrë edhe një herë formimin e institucioneve të reja.

    Në seancë ishin 96 deputetë. Votuan 53 pro, 1 kundër dhe nuk pati abstenime.

    Pas këtij dështimi, seanca u ndërpre dhe është caktuar të vazhdojë pas 48 orësh.

  • Alarmi për përhapjen e fruthit shtyn prindërit të dërgojnë fëmijët për vaksinim

    Alarmi për përhapjen e fruthit shtyn prindërit të dërgojnë fëmijët për vaksinim

    Alarmi për përhapjen e fruthit në Kosovë ka bërë që shumë prindër të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e fëmijëve të tyre, duke i vaksinuar me MMR – vaksinë kundër fruthit, shytave dhe rubeolës.

    Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), deri tani janë regjistruar 23 raste me fruth. Shumica e të prekurve janë fëmijë të pavaksinuar, të moshës nga 1 deri në 2 vjeç.

    Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tha se tashmë këto raste shumica janë shëruar e disa janë në trajtim.

    Ai shtoi se rastet e fëmijëve me fruth janë të identifikuara në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Lipjan, Fushë-Kosovë e Prishtinë.

    Por, sipas Hotit të IKSHPK-së, ngritja e alarmit për këto raste ka vetëdijesuar prindërit dhe tashmë interesimi për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, është rritur.

    Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik siguron prindërit që vaksina MRM është vaksinë e sigurt dhe nuk prodhon efekte anësore tek fëmijët.

    Ai bënë thirrje për imunizim të fëmijëve kundër fruthit, pasi siç shtoi Hoti infeksioni me fruth mund të sjell edhe fatalitet.  

    Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse infektive, e shkaktuar nga virusi i fruthit. Kjo sëmundje përhapet lehtësisht nga personi në person përmes pikosave të ajrit që lëshohen kur një i infektuar kollitet, teshtin apo flet.

    Simptomat kryesore të fruthit përfshijnë: temperaturë e lartë, kollë e thatë, rrjedhje të hundëve, sytë e skuqur dhe të ndjeshëm ndaj dritës, skuqje në lëkurë që fillon zakonisht nga fytyra dhe përhapet në gjithë trupin dhe njolla të bardha në gojë. Viteve të fundit ka një shpeshtim të rasteve të fruthit në gjithë vendin. Kjo ka ardhur si rezultat edhe i mos vaksinimit me vaksinën MMR edhe gjatë periudhës së COVID-19.

  • Sot tentativa e 24-të për konstituimin e Kuvendit

    Sot tentativa e 24-të për konstituimin e Kuvendit

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një tentativë tjetër, e 24-ta me radhë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit.

    Kjo seancë mbahet nga ora 10:30, saktësisht 48 orë pas asaj të 29 majit.

    Të  enjten, u regjistrua dështimi i 23-të me radhë i deputetëve për ta bërë një gjë të tillë.

    Komisioni për votim të fshehtë për kryeparlamentarin nuk kaloi më 29 maj.

    Kujtojmë se tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare.

  • Policia e Kosovës me plan operativ për ndalimin e ngacmimeve seksuale në veri

    Policia e Kosovës me plan operativ për ndalimin e ngacmimeve seksuale në veri

    Policia e Kosovës ka nisur një plan tre mujor për të parandaluar ngacmimet seksuale ndaj grave në veri të vendit.

    Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se tashmë janë vendosur ekipe me kamera në pesë rrugë të Mitrovicës së Veriut.

    Ai shtoi se gjatë natës do të patrullojnë hetues civilë, ndërsa do të ndalohen automjetet me xhama të errët dhe personat e dyshimtë

    Sipas Elshanit, plani synon të rrisë sigurinë dhe besimin e grave për të raportuar rastet e ngacmimeve, të cilat shpesh nuk janë denoncuar nga mungesa e besimit në institucione.

  • Ambasadori britanik kërkon formimin urgjent të qeverisë së Kosovës dhe thekson nevojën për stabilitet dhe drejtësi

    Ambasadori britanik kërkon formimin urgjent të qeverisë së Kosovës dhe thekson nevojën për stabilitet dhe drejtësi

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Neil Holland, ka shprehur shqetësim për mbylljen e ndërtesave dhe institucioneve në veri të Kosovës, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.

    Sipas një njoftimi të publikuar në ueb-faqen e Qeverisë britanike lidhur me raportin e shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë për gjashtë muajt e fundit, Holland po ashtu tha se është urgjente që Kosova të formojë Qeverinë e re, pas zgjedhjeve të shkurtit që tha se u mbajtën në mënyrë paqësore.

    Ambasadori britanik po ashtu kërkoi që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë obligimet, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • Vendimi i ZRrE-së, PDK nisë zyrtarisht betejën për anulimin e tregut të lirë të energjisë

    Vendimi i ZRrE-së, PDK nisë zyrtarisht betejën për anulimin e tregut të lirë të energjisë

    Partia Demokratike e Kosovës  ka dorëzuar sot zyrtarisht kundërshtimin ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e bizneseve në tregun e lirë, duke e cilësuar këtë vendim si të paligjshëm dhe të papërballueshëm për qytetarët.

    Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, bëri të ditur se partia ka ndërmarrë hapa ligjorë për ta sfiduar këtë vendim brenda afateve të përcaktuara.

    “Ngritja e çmimit e ka bërë të pamundur përballimin e kësaj kostoje të lartë nga rritja e çmimeve që do të pasojë nga vendimet e paligjshme të ZRRE-së. Ne sot, duke ndjekur hapat ligjorë, e kemi dorëzuar kundërshtimin tonë administratës në ZRRE. Jemi të bindur që qëndrimet e tyre do të jenë të njëjta. Ne do të presim 15 ditë për ta anuluar këtë. Nëse brenda 15 ditëve ata nuk e anulojnë, ne do ta procedojmë në departament,” tha Tahiri.

  • Jon Hoti dënohet me 24 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e të rinjve Albison dhe Rexhep Shlivova

    Jon Hoti dënohet me 24 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e të rinjve Albison dhe Rexhep Shlivova

    Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar Jon Hotin me 24 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Albison dhe Rexhep Shlivovës në Klinë, më 13 nëntor 2024.

    Ai kishte qëlluar me armë zjarri dy viktimat brenda një lokali, pas një takimi të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale.

    Sipas aktakuzës, Hoti veproi me dashje dhe vuri në rrezik edhe jetën e personave të tjerë të pranishëm në lokal.

    Përveç vrasjes së dyfishtë, ai u shpall fajtor edhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

  • Mocion për rastin Thaçi dhe të tjerët, avokatët kërkojnë rrëzimin e disa pikave të aktakuzës

    Mocion për rastin Thaçi dhe të tjerët, avokatët kërkojnë rrëzimin e disa pikave të aktakuzës

    Avokatët e Hashim Thaçit dhe të tjerëve pritet që më 2 qershor të dorëzojnë një mocionin për rrëzimin e disa pikave të aktakuzës.

    Pas dorëzimit, Prokuroria e Specializuar ka një muaj kohë për t’iu përgjigjur mocionit.

    Ndërkohë, deklarata e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, se protesta e veteranëve dëshmon pse gjykimi mbahet jashtë Kosovës, ka shkaktuar reagime.

    Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi, u shpreh se këto komente janë të pavërteta dhe dashakeqe. Edhe avokati Ardian Bajraktari deklaroi se Kosova ka dëshmuar siguri dhe ka pranuar gjykime ndërkombëtare për vite më radhë.

    Ndërkohë, në aplikimet për statusin e viktimës, është përmendur edhe një person që pretendon se UÇK-ja e ka hipnotizuar dhe i ka bërë magji të zezë.

    Sipas Prokurorisë së Specializuar, ky aplikim është refuzuar nga Gjykata.

  • Dështon edhe përpjekja e 23-të për ta konstituuar Kuvendin

    Dështon edhe përpjekja e 23-të për ta konstituuar Kuvendin

    Konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit ka dështuar edhe në tentativë e 23-të.

    As në seancën e së enjtes nuk u arrit të formohet Komisioni për votim të fshehtë, i cili është parakusht për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Nga 111 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 55 votuan për, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Kësisoj, Komisioni nuk mori shumicën e nevojshme të votave.

    Ky është hera e 15-të me radhë që propozimi për këtë komision dështoi të kalojë në Kuvend.

    Seanca e radhës është caktuar të mbahet të premten, më 31 maj, në orën 10:30.