ATV

Tag: Ballina

  • Shkodra Elektronike përformon për herë të parë në Kosovë pas suksesit në Eurovision

    Shkodra Elektronike përformon për herë të parë në Kosovë pas suksesit në Eurovision

    Pas përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë në Eurovision 2025 me këngën “Zjerm”, Shkodra Elektronike do të ngjitet për herë të parë në një skenë në Kosovë, në një koncert që pritet me padurim nga publiku vendas.

    E përbërë nga dy artistë shqiptarë të rritur në Itali — producenti dhe kantautori Kolë Laca dhe kantautorja Beatriçe Gjergji — kjo dyshe ka krijuar një stil unik që ata e quajnë “Pop Post-Imigrant.”

    Muzika e tyre është një përplasje e bukur mes këngëve tradicionale të Shkodrës dhe tingujve elektronikë modernë, duke krijuar një përvojë të thellë shpirtërore për publikun, sidomos për ata që jetojnë larg vendlindjes.

    Koncerti do të mbahet më 16 qershor 2025, e hënë, nga ora 20:00 deri në 22:00, në ambientet e AMC Hall, Obiliq — një ngjarje që premton emocion dhe energji të papërmbajtshme nga një produksion i plotë prej 10 personazh nga Italia duke përfshirë edhe Korin Polifonik.

    E për herë të parë në një studio televizive në Kosovë, Shkodra Elektronike vjen në emisionin e pasdites ne ATV “Studio A” me Blerona Zeqiri, të martën nga ora 17:15, ku do të flasin për rrugëtimin e tyre muzikor, emocionet pas Eurovisionit dhe pritshmëritë nga performanca e tyre në Kosovë.

  • Përurohet pllaka përkujtimore në vendin ku për herë të parë u hap zyra informative e SHBA-së

    Përurohet pllaka përkujtimore në vendin ku për herë të parë u hap zyra informative e SHBA-së

    Në vendin ku 29 vjet më parë u hap zyra e Parë Informative e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, sot u përurua një pllakë përkujtimore.

    Në këtë hapësirë që dikur mblidhte rrëfime dhimbjeje dhe kërkesa për ndihmë, sot operon kompania e sigurimeve PRISIG një ndërmarrje që përmes përurimit të kësaj pllake, vendosi të ndërthurë të kaluarën me të ardhmen.

    “Ky flamur ngritët sërish si simbol i miqësisë së përhershme, lirisë dhe përkushtimit,” tha CEO i PRISIG, Besart Blakaj.

    “Me këtë pllakë ne jo vetëm që nderojmë të kaluarën, por edhe afirmojmë vlerat që vazhdojnë të na lidhin – respektin, bashkëpunimin dhe përkushtimin për një Kosovë të lirë.” tha mes tjerash ai.

    Në ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë, përfshirë edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili me fjalët e tij solli një reflektim të thellë:

    “Ishte një shenjë jete, një sinjal se në përpjekjen tonë ne nuk ishim vetëm. Kur hapësira e lirisë na ishte ngushtuar, këtu na u ndez një dritë shprese – e para dritare nga e cila bota nisi të na shihte me sytë tanë.”

    Pas fjalimeve, u zbulua pllakë përkujtimore nga Lulzim Tafa, kryetari i Kuvendit të Aksionarëve të PRISIG – një gjurmë fizike që do të qëndrojë aty sa të jetë historia.

  • Konjufca: Edhe bllokadat janë pjesë e shtetndërtimit, nuk lodhemi nga procesi

    Konjufca: Edhe bllokadat janë pjesë e shtetndërtimit, nuk lodhemi nga procesi

    Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Vetëvendosje është e vendosur të vazhdojë përpjekjet për konstituimin e Kuvendit dhe nuk e përjashton mundësinë që kjo të ndodhë shumë shpejt.

    Sipas tij, më mirë është që Kuvendi të konstituohet në fund të qershorit sesa vendi të shkojë në zgjedhje të reja që do ta vononin gjithçka deri në dhjetor.

    “Nuk e përjashtoj që javën tjetër, ose për dy javë mund të zgjidhet kjo. A është më mirë që ta kemi në mes qershorit ose në fund të qershorit prapë një konstituim të Kuvendit, apo të shkojmë në zgjedhje, të cilat nuk do të mund të ishin para fundit të gushtit apo fillimit të shtatorit dhe të mos kemi konstituim të Kuvendit prapë në dhjetor”, tha Konjufca.

    Ai tha se kriza aktuale duhet parë si mundësi për përmirësimin e sistemit kushtetues dhe forcimin e demokracisë.

    “Ndoshta kjo është edhe një krizë, të cilën po e përjetojmë me na shty me mendu se qysh do të ishin pastaj zgjidhjet e ardhshme për me evitu skenarin ma të keq të mundshëm apo bllokada të llojit të tillë. Tekefundit edhe kjo është pjesë e shtetndërtimit… edhe nuk e konsideroj të parëndësishme”, u shpreh Konjufca.

    Deklaratën e plotë të Glauk Konjufcës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Konjufca: Vetëvendosje ka sjell një standard të ri, Qeveria nuk duhet t’i mbivendoset Kuvendit

    Konjufca: Vetëvendosje ka sjell një standard të ri, Qeveria nuk duhet t’i mbivendoset Kuvendit

    Ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet të vendosë një praktikë të re ku Qeveria nuk i mbivendoset Kuvendit.

    Sipas tij, konstituimi i Kuvendit është hapi i parë që pasqyron vullnetin e qytetarëve dhe nuk duhet të kushtëzohet me krijimin e Qeverisë.

    “Lëvizja Vetëvendosje, marrë me ajo që gjithmonë ka sjellë risi e të mira në shoqërinë tonë, e kjo risi është që Qeveria mos me iu mbivendosë Kuvendit… me qenë faza e parë konstituimi i Kuvendit, në të cilin nuk do të kishte arsye objektive kurrkush me pasë kundërshtime”, tha Konjufca.

    Ai kritikoi partitë e tjera për bllokimin e procesit dhe tha se ky veprim dëmton vetë demokracinë.

    “Nëse ti don që Kuvendin me e nxom peng edhe me ia mbivendosë zgjedhjen e Qeverisë, atëherë veprohet kështu siç po veprojnë sot partitë politike, po kjo absolutisht nuk mendoj që e ndihmon demokracinë”, u shpreh Konjufca.

    Deklaratën e plotë të Glauk Konjufcës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Konjufca: Opozita po e sakrifikon konstituimin e Kuvendit për një emër

    Konjufca: Opozita po e sakrifikon konstituimin e Kuvendit për një emër

    Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se subjektet opozitare po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit për shkak të një kandidati të Vetëvendosjes.

    Sipas Konjufcës, sjellja e opozitës dëshmon për një përçarje të thellë politike që ka zvarritur procesin e konstituimit për gati dy muaj.

    “Veprimet nëse i analizojmë në sallën e Kuvendit, të cilat janë duke ndodhë që gati dy muaj, tregojnë për një divergjencë të forcave politike, Vetëvendosja që e propozon, ashtu siç i takon Kryetarin e Kuvendit dhe partitë tjera opozitare, të cilat në emër të asaj që Vetëvendosja e ka propozu një kandidat të papërshtatshëm, ata e bllokojnë edhe në emër të kësaj, e sakrifikojnë edhe konstituimin e Kuvendit si të tillë”, tha Konjufca.

    Ai tha se Kushtetuta nuk parashikon domosdoshmëri konsultimi me partitë tjera për kandidatin për kryetar të Kuvendit.

    “Natyrisht, Lëvizja Vetëvendosje është në të drejtën e saj, sepse po qe se do të ishte e kodifikuar kjo që ne t’i pyesnim edhe të tjerët se kë ta vendosnim, me siguri që Kushtetuta e Kosovës do të ishte aq e mençur e e kujdesshme sa ta përfshinte një fjali ku do të thoshte në konsultim me partitë tjera”, u shpreh Konjufca.

    Deklaratën e plotë të Glauk Konjufcës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Protesta kundër ZRRE-së, bizneset kërkojnë shtyrjen e vendimit për kalimin në tregun e lirë të energjisë

    Protesta kundër ZRRE-së, bizneset kërkojnë shtyrjen e vendimit për kalimin në tregun e lirë të energjisë

    Ka përfunduar protesta e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për kalimin në tregun e lirë.

    Bizneset kërkuan shtyrjen e vendimit që ka hyrë në fuqi më 1 qershor, duke theksuar se mungesa e përgatitjes dhe informimit të duhur po i vë në vështirësi serioze financiare. /atvlive.tv

  • Zgjedhjet lokale mbahen më 12 tetor

    Zgjedhjet lokale mbahen më 12 tetor

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 12 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vend. Vendimi është marrë pas analizës së propozimeve nga subjektet politike dhe në përputhje me afatet kushtetuese e ligjore.

    Në njoftimin e Presidencës thuhet se kjo datë u jep kohë të mjaftueshme institucioneve përgjegjëse që të përgatiten për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës dhe sipas standardeve më të larta.

    Sipas Osmanit, data e caktuar mundëson organizimin teknik dhe logjistik të zgjedhjeve, përfshirë edhe procedurat e votimit brenda dhe jashtë vendit.

    Ajo u ka bërë thirrje subjekteve politike dhe shoqërisë civile që t’i qasen këtij procesi me përgjegjësi të plotë, për të garantuar një garë të drejtë dhe demokratike. /atvlive.tv