ATV

Tag: Ballina

  • Oda Amerikane në Kosovë kërkon pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë

    Oda Amerikane në Kosovë kërkon pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë

    Pas reagimit të Odës Ekonomike të Kosovës, edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të ndalojë menjëherë zbatimin e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë, duke u mbështetur në aktvendimet e fundit gjyqësore që kanë pezulluar ekzekutimin e vendimeve të ZRRE-së.

    “Oda Ekonomike Amerikane përsërit shqetësimet e saj të thella përkitazi me zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë, në dritën e aktvendimeve të fundit gjyqësore që pezullojnë ekzekutimin e vendimeve të lëshuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Në të paktën dy raste të ndara, Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur në favor të kompanive individuale që kontestojnë vendimet e ZRRE-së, duke pezulluar kështu zbatimin e tyre deri në dhënien e një vendimi përfundimtar”, thuhet në komunikatën e OEAK-ut.

    Organizata thekson se ajo që e bën këtë situatë edhe më domethënëse është përputhja e qëndrimeve të dy gjyqtarëve të ndryshëm, në raste të ndara, që të dy kanë vendosur për pezullimin e vendimeve të ZRRE-së.

    “Kjo qasje e qëndrueshme gjyqësore reflekton shqetësimet në lidhje me ndikimin potencial të këtyre vendimeve në treg, dhe si e tillë nuk mund të injorohet si rastësore ose specifike për një a dy raste. Edhe pse këto aktvendime aktualisht zbatohen vetëm për një numër të kufizuar kompanish, implikimet e tyre shtrihen shumë më tej. Vazhdimi i zbatimit të masave të liberalizimit nga ana e ZRRE-së, derisa dy kompani aktualisht përfitojnë nga pezullimet e urdhëruara nga gjykata e të tjerat mbeten në pritje të aktvendimeve gjyqësore ose nisjes së procedurave ligjore, krijon një mjedis të pasigurisë juridike dhe të diskriminimit ekonomik”, thuhet tutje.

    Sipas OEAK-ut, reformat në sektorin e energjisë duhet të udhëhiqen nga parimet e drejtësisë, transparencës dhe trajtimit të barabartë për të gjitha kompanitë.

    “Në këto rrethana, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të pezullojë menjëherë zbatimin e masave të kontestuara të liberalizimit derisa gjyqësori të japë qartësi përmes vendimeve përfundimtare mbi të gjitha ankesat përkatëse. Vetëm një treg i drejtë, transparent dhe plotësisht funksional mund të ofrojë një rrugë të qëndrueshme përpara, e ku të gjitha kompanitë, pavarësisht nga madhësia ose kapaciteti ligjor, veprojnë në kushte të barabarta”, përfundon reagimi.

  • Dështon edhe përpjekja e 37-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

    Dështon edhe përpjekja e 37-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

    Ka zgjatur vetëm rreth dy minuta seanca e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës, duke prodhuar edhe një tjetër dështim në përpjekjen për konstituimin e legjislaturës së re.

    Deputetët nuk votuan as këtë herë për themelimin e komisionit për votim të fshehtë, i cili është kusht për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Ky është dështimi i 37-të me radhë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas rezultateve zyrtare të votimit, vetëm 52 deputetë votuan pro themelimit të këtij komisioni – numër që nuk mjafton për ta çuar procesin përpara.

    Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, nuk ka arritur ende të sigurojë shumicën parlamentare për të zgjedhur Albulena Haxhiun si kryeparlamentare. Edhe propozimi për komisionin e fshehtë është refuzuar vazhdimisht nga partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar.

    Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit është caktuar të mbahet të premten, më 28 qershor, me fillim nga ora 11:00.

  • Kuvendi sërish në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit – sot tentativa e 37-të

    Kuvendi sërish në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit – sot tentativa e 37-të

    Ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës po vazhdon tash e më shumë se disa muaj, ndërsa deputetët do të mblidhen sot për herë të 37-të, në një tjetër tentativë për ta konstituuar Kuvendin dhe për të zgjedhur kryetarin e tij.

    Seanca është thirrur të fillojë në ora 11:00, por mbetet të shihet nëse do të ketë zhvillime konkrete apo një tjetër dështim.

    Në seancën e kaluar, deputetët nuk arritën ta formojnë Komisionin për organizimin e votimit të fshehtë, i cili është i domosdoshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Ky bllokim po ndodh për shkak të refuzimit të partive opozitare për të propozuar anëtarë në komision, duke pamundësuar krijimin e tij.

    Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje po insiston vazhdimisht në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht faktit se ajo nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme në asnjë nga seancat e deritashme.

    Që nga 15 prilli, kur u mbajt seanca e parë konstituive pas zgjedhjeve të parakohshme, Kuvendi ka dështuar plot 36 herë në tentativat për zgjedhjen e kryetarit dhe për konstituimin e tij të plotë.

  • Ekipi i Bashkimit Evropian po kryen testime të urës së Ibrit

    Ekipi i Bashkimit Evropian po kryen testime të urës së Ibrit

    Një ekip i ekspertëve të Bashkimit Evropian, po kryejnë testime dhe inspektime  të urës së Ibrit në Mitrovicë.

    Këtë ata po e bëjnë për të parë nëse ura është mjaftueshëm stabile, në çdo aspekt, përfshirë përballjen me ujëra të shtuara e të rrëmbyera.

    Megjithatë, ky inspektim jo domosdoshmërisht nënkupton që ura mund të hapet edhe për kalim të automjeteve.

    Matje e inspektime këtu janë bërë edhe vitin e kaluar, nga autoritetet e qeverisë shtetërore në Kosovë.

    Ato u kryen në kohën kur ishin shtuar pretendimet për një hapje të mundshme të urës, edhe për automjete. Pavarësisht kësaj, ajo nuk u hap.

  • Pezullohet vendimi i ZRrE-së për treg të hapur deri në vendim të Gjykatës

    Pezullohet vendimi i ZRrE-së për treg të hapur deri në vendim të Gjykatës

    Oda Ekonomike e Kosovës njoftoi se Gjykata Komerciale ka marrë vendim për pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

    Në njoftim thuhet se OEK-ja ka kërkuar nga ZRRE-ja që të ndalë veprimet “që mund të ndikojë negativisht në funksionimin e bizneseve”.

    “OEK fton ZRrE-për bashkëpunim të ngushtë për të hartuar së bashku një fazë tranzitore të drejtë dhe të zbatueshme, duke theksuar se OEK nuk është kundër daljes në tregun e lirë, por ka kërkuar vazhdimisht që ky proces të realizohet me një plan të qartë tranzicioni, që siguron stabilitet për bizneset dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • ​Përmbyllet afati për deklarimin e koalicioneve në zgjedhjet lokale

    ​Përmbyllet afati për deklarimin e koalicioneve në zgjedhjet lokale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të hënën në mesnatë është përmbyllur afati për partitë politike për të njoftuar se do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje përmes koalicionit në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor.

    Sipas KQZ-së, gjatë periudhës 15 ditore,9 qershor – 23 qershor, në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike janë paraqitur dy koalicione.

    Ato janë Koalicioni Vakat, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, si dhe Koaliconi “SDU-NASHA, i përbërë nga partitë politike Socijaldemokratska Unija dhe Nasha Inicijativa, i formuar vetëm për komunën e Prizrenit.

  • Lushaku-Sadriu kritikon Ministrinë e Arsimit për menaxhimin e Testit të Maturës: Proces i turpshëm

    Lushaku-Sadriu kritikon Ministrinë e Arsimit për menaxhimin e Testit të Maturës: Proces i turpshëm

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka kundërshtuar formën aktuale të mbajtjes së Testit të Maturës.

    Ajo ka thënë se ky test ka humbur kuptimin tash e disa vite për shkak të menaxhimit të dobët nga Ministria e Arsimit, Teknologjisë e Inovacionit.

    Sipas saj, Manipulimi dhe kopjimi po e bëjnë të pavlefshëm rezultatin e këtij Testi! “Ministrja e Arsimit në detyrë duhet të jep përgjegjësi! Nën udhëheqjen e saj ky Test është kthyer në një proces të turpshëm, ku mbizotëron kaosi dhe mashtrimi. Ajo dhe stafi i saj duhet të tregojnë se pse nuk janë marrë masa për menaxhim të sigurt teknik?”, ka shkruar Lushaku në Facebook.

    Rreth 20 mijë maturantë iu nënshtruan këtij testi, të shtunën.

  • Trump: Izraeli dhe Irani u pajtuan për armëpushim

    Trump: Izraeli dhe Irani u pajtuan për armëpushim

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Izraeli dhe Irani janë pajtuar për një armëpushim “të kompletuar”.

    Përmes një postimi në rrjete sociale, Trump ka thënë se armëpushimi do të nisë “përafërsisht gjashtë orë prej tani”, pasi secili shtet t’i ketë kryer operacionet ushtarake.

    Në njoftimin e Trumpit janë përmendur disa afate kohore për dhënie fund të armiqësive, por që “brenda 24 orësh” lufta zyrtarisht do të ketë përfunduar.

    Postimi i Trumpit është bërë në mesnatë – sipas orës lokale të Kosovës.

    Izraeli dhe Irani nuk e kanë komentuar ende armëpushimin, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Presidenti e ka quajtur konfliktin mes dy vendeve si “Lufta 12-ditore”.

    “Kjo është luftë që do të mund të vazhdonte për vite dhe do të shkatërronte Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë kurrë ashtu”, ka thënë Trump mes tjerash në postimin e tij.

    Më herët, Trump ka thënë se do ta inkurajonte Izraelin që të drejtohej kah paqja, pasi e ka konsideruar sulmin e Iranit në bazën ajrore amerikane në Katar si “shumë të dobët”, dhe e ka falënderuar Teheranin për njoftimin paraprak.

    Presidenti amerikan ka thënë se askush nuk është lënduar në sulm dhe dëmet janë krejt të vogla.

    Katari ka thënë se raketat janë rrëzuar dhe se situata është stabile.

    Ekspertët e kanë përshkruar sulmin si tejet simbolik – të kalibruar për të dërguar mesazh vendosmërie, por edhe për të shmangur një konflikt më të gjerë dhe shkatërrues.

    Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor. Izraeli konsideron se Iraninuk mund të ketë armë bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën, ndonëse Teherani pretendon se programin bërthamor e ka vetëm për qëllime paqësore.

    Irani është hakmarrë me sulme raketore në Izrael dhe në shkëmbim e sipër të raketave janë vrarë dhe plagosur banorë të të dyja shteteve./REL

  • Edhe një dështim i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, i 36-ti me radhë

    Edhe një dështim i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, i 36-ti me radhë

    Seanca për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës ka dështuar përsëri, pasi nuk u arrit kuorumi i nevojshëm.

    Ky ishte tentimi i 36-të me radhë që dështoi për shkak të mungesës së kuorumit për votimin e Komisionit që do të mbikëqyrte procesin e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
    Të pranishëm në seancë ishin 99 deputetë, pro formimit të komisionit votuan 53 deputetë, një votë ishte kundër dhe asnjë abstenim.

    Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën me fillim nga ora 11:00.

  • Pasojat e luftës Izrael-Iran, njohësit e sigurisë shohin rrezik të shtuar në Ballkan dhe Kosovë

    Pasojat e luftës Izrael-Iran, njohësit e sigurisë shohin rrezik të shtuar në Ballkan dhe Kosovë

    Përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit po shihet nga ekspertët e sigurisë si një rrezik i shtuar për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

    Në një kohë kur vëmendja e fuqive të mëdha ndërkombëtare është përqendruar në Lindjen e Mesme, ka shqetësime serioze se Serbia mund ta shfrytëzojë këtë situatë për të avancuar agjendat e saj në veriun e Kosovës.

    Profesori universitar i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, në intervistë për Ekonomia Online, tha se përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme dhe përfshirja e shteteve të tjera, përfshirë Iranin, mund të shkaktojë pasoja serioze në rajon.

    “Uroj që të mos përshkallëzohet më tepër dhe të mos implikohen edhe shtete të tjera. Në qoftë se implikohet ndonjë shtet tjetër i regjionit, atëherë sinqerisht është për t’u shqetësuar seriozisht, meqë bëhet fjalë për një zonë të ndjeshme dhe përfshirjet e shteteve problematike, siç është Irani dhe interferimet dhe ndikimi i kësaj lufte në pjesë të tjera të regjionit dhe më gjerë do të jetë evident”, tha ai.

    Çollaku tha se përqendrimi i SHBA-së dhe aleatëve të saj në Lindjen e Mesme do të shkaktonte zbehje të vëmendjes ndaj Ballkanit Perëndimor, duke e bërë më të ekspozuar Kosovën ndaj rreziqeve të mundshme nga Serbia.

    “Ballkani Perëndimor në veçanti është një zonë po ashtu e ndjeshme, ku zgjerimi i konfliktit atje domosdoshmërisht do të ketë ndikim, jo vetëm në aspektin ekonomik. Tashmë kanë filluar shenjat e para, por edhe në spektrin ushtarak dhe gjeopolitik për faktin që vëmendja e shtuar e SHBA-së të interesit madhor strategjik do të pakësojë vëmendjen dhe fokusin në këtë pjesë të Ballkanit… Prandaj, preokupimi i SHBA-së dhe miqve të tjerë, përkatësisht aleatëve të tjerë të SHBA-së me Izraelin dhe Lindjen e Mesme, me parandalimin e zgjerimit të konfliktit nga aspekti i implikimit të shteteve arabe dhe të tjera, të cilat mund të përfshihen kundër Izraelit, do të kishte për pasojë një përshkallëzim të situatës te ne dhe uroj që kjo të mos ndodhë”, tha Çollaku.

    Ai shtoi se Serbia mund ta shfrytëzojë një gjendje të tillë globale për të ndërmarrë një ofensivë të shpejtë ushtarake në veri të Kosovës.

    “Nëse zgjat lufta në Lindjen e Mesme, Serbia do ta ketë pak më lehtë dhe Vuçiq mund të ndodhë, megjithse paralajmërimet mund të jenë edhe luftë psikologjike dhe një propagandë e ashpër, që edhe mund të jetësohet në praktikë si një operacion po ashtu i fuqishëm dhe i shpejtë i Serbisë në veriun e Kosovës për të aneksuar veriun e Kosovës. Kosova nuk disponon as sistem raketor, as mjete të tjera mbrojtëse nga sulmet eventuale raketore që mund të vijnë nga Serbia”, tha ai.

    Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala tha për Ekonomia Online se konfrontimi në rritje mes Iranit dhe Izraelit pritet të ketë ndikime serioze edhe në territorin evropian, përfshirë Ballkanin.

    “Tani fakti që lufta në Lindjen e Mesme është duke u formësuar në kuptimin e një konfrontimi të hapur mes shtetit të Izraelit dhe Iranit, do të kemi një ndryshim epokal politik në pjesën e Teheranit. Njëkohësisht impaktet janë të larta, sepse tanimë prapaskenat e Iranit mund të veprojnë, duke krijuar veprime terroriste në kontinentin evropian, ku edhe Kosova dhe Ballkani Perëndimor nuk mund të jenë imun”, tha ai.

    Shala tha se pretendimet e Serbisë për të shfrytëzuar situatat globale për qëllime të veta gjeostrategjike janë të lidhura me zhvillimet në Lindjen e Mesme.

    “Çështja e pretendimeve të qarqeve të shtetit të Serbisë për të krijuar rikthimin e tyre në një etapë të ndryshimeve gjeopolitike në favorin e Serbisë, mendoj se çështja veriore dhe çështjet e tjera që cenojnë sigurinë kolektive të Ballkanit Perëndimor janë të varura në një zhvillim sekondar të atyre që janë duke ndodhur në Lindjen e Mesme”, tha ai.

    Sipas Shalës, pavarësisht nga tensionet, Irani pritet ta humbasë përballjen me Izraelin dhe ndikimet në Ballkan do të jenë më shumë të karakterit indirekt ekonomik dhe politik.

    “Por, assesi nuk mund të ketë ndonjë kuti të Pandorës, sepse është e konstatuar fakti që Irani do ta humbasë këtë konflikt me Izraelin dhe minimalisht do të mund të ndikojë ky konflikt në kontekstin e zhvillimeve politike, ekonomike dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, tha për EO, Shala.