ATV

Tag: Ballina

  • Hovenier: Kosovën e ndihmuam të dalë nga tmerret e spastrimit etnik të regjimit fashist të Millosheviqit

    Hovenier: Kosovën e ndihmuam të dalë nga tmerret e spastrimit etnik të regjimit fashist të Millosheviqit

    USAID përmbyll misionin e saj historik pas gjashtë dekadash shërbimi global, ndërsa ish-ambasadori i SHBA-së në Prishtinë e cilëson Kosovën si një shembull të suksesit të agjencisë amerikane, veçanërisht pas luftës së vitit 1998-1999.

    Pasi Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) njoftoi se ka përmbyllur aktivitetet e saj, ish-ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, reagoi duke shprehur mirënjohjen e tij për kontributin e rëndësishëm që USAID ka pasur në zhvillimin dhe ngritjen e Kosovës pas luftës.

    “Dua të shpreh solidaritetin dhe mirënjohjen time për të gjithë kolegët, veçanërisht ata nga USAID-i, për gjithçka që kanë bërë për këtë komb, sidomos në një vend si Kosova, popullin e të cilit e kemi ndihmuar të dalë nga tmerret e spastrimit etnik të regjimit të ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviqit, dhe për të ndërtuar një shoqëri funksionale, demokratike dhe të suksesshme,” ka deklaruar Hovenier.

    Po ashtu, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka njoftuar se USAID-i ka përmbyllur zyrtarisht aktivitetet e saj, duke shënuar një fund historik për agjencinë e ndihmës së jashtme të SHBA-së pas më shumë se gjashtë dekadash shërbimi global.

    USAID-i ka luajtur një rol kyç në Kosovë, dhe që nga paslufta ka investuar mbi 1 miliard dollarë në vend, duke financuar një sërë aktivitetesh, përfshirë mbështetjen e forcimit të sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe demokracisë, krahas përmirësimit të arsimit, gjithpërfshirjes e llogaridhënies, si dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

  • Ngërçi politik në Kuvend, Presidentja Osmani takohet me Kurtin

    Ngërçi politik në Kuvend, Presidentja Osmani takohet me Kurtin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës.

    Ky është takimi i dytë që presidentja po zhvillon me subjektet politike, pas konsultimeve të para që ishin mbajtur në një format të përbashkët me të gjithë liderët partiakë. Ndryshe nga hera e kaluar, kësaj radhe takimet po mbahen ndaras me secilin lider.

    Pas takimit me kryetarin Kurti, presidentja Osmani pritet të zhvillojë takime të ndara edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

  • Polici bën apel: Shmangni ndezjen e zjarreve në këto temperatura të larta

    Polici bën apel: Shmangni ndezjen e zjarreve në këto temperatura të larta

    Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, Policia e Kosovës ka lëshuar një apel për kujdes të shtuar nga rreziku i zjarreve, të cilat çdo vit shkaktojnë pasoja serioze në jetë njerëzish, mjedis dhe pronë.

    Autoritetet kërkojnë nga qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies në mënyrë të menjëhershme.

    Policia paralajmëron se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj kujtdo që, me qëllim apo nga pakujdesia, shkakton rrezik për jetën ose pronën publike dhe private.

    Policia e rajonit të Pejës bën thirrje për kujdes maksimal në çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarr.

    “Duke iu referuar temperaturave të larta, dhe përvojave nga vitet e kaluara, zjarret shkaktojnë rrezikim të përgjithshëm dhe pasoja të rënda kudo që shfaqen. Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë apo lajmërojnë autoritetet për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të tilla të zjarrvënieve. Policia e Kosovës do të ndërmerr masa ligjore ndaj të gjithë atyre individëve që në një formë apo tjetër rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht apo përmes pakujdesisë së shfaqur në çfarëdo forme”, thuhte në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • Osmani kujton 2 Korrikun e vitit 1990: Dita kur u hodhën themelet e Republikës së Kosovës

    Osmani kujton 2 Korrikun e vitit 1990: Dita kur u hodhën themelet e Republikës së Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot 2 Korrikun e vitit 1990 si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetndërtimit të Kosovës.

    Përmes një postimi nga Presidenca në Facebook, Osmani ka vlerësuar lart rëndësinë e Deklaratës Kushtetuese, e cila u shpall 34 vite më parë nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, në rrethana të jashtëzakonshme, para dyerve të mbyllura me forcë nga regjimi i atëhershëm serb.

    “Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë.”

    Postimi i plotë:

    Presidentja: 2 Korriku i vitit 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës

    2 Korriku i vitit 1990, dita kur u hodhën themelet e Republikës

    Sot kujtojmë me krenari Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës para dyerve të këtij institucioni të mbyllura dhunshëm nga regjimi kriminal i Serbisë.

    Me këtë akt historik, i cili i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator, gra e burra, sfiduan regjimin dhe i dhanë zë vullnetit të popullit për Kosovën Republikë, duke e hapur rrugën drejt pavarësisë dhe lirisë.

    Kjo ditë guximi dhe vizioni mbetet themel i shtetësisë sonë.

    Nderim i përhershëm për delegatët e 2 Korrikut, trasuesit e ëndrrës për Kosovën e lirë dhe sovrane.

  • Sot vendosen gurthemelët për dy ura mbi lumin Ibër, pjesëmarrës edhe Kurti

    Sot vendosen gurthemelët për dy ura mbi lumin Ibër, pjesëmarrës edhe Kurti

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pritet të vendosë sot gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, në Mitrovicë. Ai do të shoqërohet nga ministra të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut.

    Ceremonia nis në orën 17:00 me vendosjen e gurthemelit për urën e automjeteve në pjesën veriore, për të vijuar me ecjen e përbashkët drejt lokacionit të urës për këmbësorë, pranë kopshtit “Gëzimi ynë” në jug. Urat janë pjesë e një marrëveshjeje mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe dy komunave.

    Ndërkohë, Bashkimi Evropian, në një përgjigje për ATV-në, ka konfirmuar se është duke kryer një vlerësim teknik të urës kryesore mbi Ibër, duke theksuar se çdo vendim duhet të bazohet në të dhëna të sakta dhe në marrëveshjet e dialogut me Serbinë.

    BE-ja ka paralajmëruar qeverinë që të shmangë veprimet e njëanshme në veri, përfshirë edhe ndërtimin e këtyre dy urave.

  • Konstituimi i Kuvendit dështon për herë të 40-të

    Konstituimi i Kuvendit dështon për herë të 40-të

    Për herë të 40-të me radhë ka dështuar konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

    Në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë, por mungesa e kuorumit për votimin e komisionit që mundëson votimin e fshehtë e bëri të pamundur vazhdimin e seancës.

    Kryesuesi Avni Dehari u kërkoi partive politike të propozojnë emrat për përbërjen e komisionit, por diskutimi u shoqërua me tensione në sallë. Mikrofonët iu ndërprenë disa deputetëve që kërkuan fjalën jashtë pikës së rendit të ditës.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i bëri thirrje Deharit të respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kolegu i saj nga LDK, Armend Zemaj, përsëriti të njëjtën kërkesë.

    Në mbështetje të tyre reagoi edhe deputetja Sala Jashari, e cila kundërshtoi ndërprerjen e fjalës së kolegëve.

    Në fund, deputetja Time Kadrijaj njoftoi se AAK ka ndryshuar qëndrim dhe propozon Albin Kurtin si anëtar të komisionit.

    Pavarësisht 51 votave pro, komisioni nuk mori mbështetjen e nevojshme. Seanca u ndërpre, ndërsa Dehari njoftoi se Kuvendi do të mblidhet sërish më 3 korrik në orën 11:00, në përputhje me afatin 30-ditor të vendosur nga Kushtetuesja.

  • Ngërçi politik në Kuvend – Osmani i fton sërish në takim liderët e partive politike

    Ngërçi politik në Kuvend – Osmani i fton sërish në takim liderët e partive politike

    Në mungesë të një marrëveshjeje politike mes partive, presidentja Vjosa Osmani ka ftuar sërish në një takim konsultativ liderët e partive kryesore në vend, për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit.

    Takimi pritet të mbahet më 3 korrik.

    Ndryshe gjatë ditës së djeshme këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, tha se Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditës. Ndërsa shtoi se presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë, nëse ka nevojë.

    Takimi i parë i ftuar nga Osmani për të njëjtën çështje, u mbajt para gjashtë javësh.

  • Vendoset gurthemeli për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok

    Vendoset gurthemeli për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok

    Është vendosur gur-themeli i stacionit të ri policor në Zubin Potok, në një ceremoni ku morën pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri në detyrë për Administrim të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Sipas Sveçlës, objekti do të shërbejë si infrastrukturë moderne për policinë dhe si adresë raportimi për qytetarët. Ai ka deklaruar se për këtë projekt janë ndarë 1.1 milionë euro dhe se punimet kanë nisur më shpejt se sa ishte paraparë.

    “Sigurisë më të lartë po ia shtojmë edhe infrastrukturën më të mirë. Mbetemi të përkushtuar në ruajtjen e qetësisë publike dhe integritetit territorial”, ka shkruar Sveçla në facebook.

  • Kurti dhe Vuçiq bashkë në panel në Shkup, diskutohet Plani për Rritje dhe bashkëpunim ekonomik

    Kurti dhe Vuçiq bashkë në panel në Shkup, diskutohet Plani për Rritje dhe bashkëpunim ekonomik

    Në Shkup po vazhdon samiti dyditor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, ku po diskutohet zbatimi i Planit për Rritje në rajon.

    Sipas agjendës së ditës së sotme, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jenë në mesin e folësve kryesorë në panelet e sotme.

    Fokusi i takimit është në vlerësimin e planit, nismat e reja për zhvillim dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të Ballkanit. Mbrëmë, liderët u pritën në një darkë formale nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hiristijan Mickoski, së bashku me zyrtarët evropianë.

    Në samit marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiq dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, si dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Botërore dhe organizata rajonale.

  • Dështon edhe përpjekja e 39-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

    Dështon edhe përpjekja e 39-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

    Ka zgjatur vetëm rreth dy minuta seanca e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës, duke prodhuar edhe një tjetër dështim në përpjekjen për konstituimin e legjislaturës së re.

    Deputetët nuk votuan as këtë herë për themelimin e komisionit për votim të fshehtë, i cili është kusht për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Ky është dështimi i 39-të me radhë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.

    Sipas rezultateve zyrtare të votimit, vetëm 54 deputetë votuan pro themelimit të këtij komisioni – numër që nuk mjafton për ta çuar procesin përpara.

    Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, nuk ka arritur ende të sigurojë shumicën parlamentare për të zgjedhur Albulena Haxhiun si kryeparlamentare. Edhe propozimi për komisionin e fshehtë është refuzuar vazhdimisht nga partitë që ishin në opozitë në legjislaturën e kaluar.

    Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit është caktuar të mbahet të martën, me fillim nga ora 11:00.