ATV

Tag: Ballina

  • Sot diplomon gjenerata e 62-të e Policisë së Kosovës

    Sot diplomon gjenerata e 62-të e Policisë së Kosovës

    Sot, në sallën e sportit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 62-të të Policisë së Republikës së Kosovës.

    Ngjarja pritet të nisë në ora 10:00, ndërsa në këtë ceremoni do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, eprorë të lartë të Policisë, si dhe familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë.

    Policia e Kosovës ka ftuar mediat që të marrin pjesë dhe ta përcjellin nga afër këtë ngjarje me rëndësi për institucionin dhe për të diplomuarit.

  • Presidentja Osmani: Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë në “javët e fundit”

    Presidentja Osmani: Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë në “javët e fundit”

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka luajtur një rol kyç në parandalimin e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia ndaj Kosovës, këtë vit.

    Duke folur në një ligjëratë në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Osmani tha se ky veprim ka ndodhur “së voni”, por pa dhënë më shumë detaje për momentin apo natyrën e ndërhyrjes.

    “Sipas informacioneve të sigurisë që marr çdo ditë, kemi kuptuar se presidenti Trump ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës – nëse mund ta quaj kështu – kohëve të fundit. Nuk po flasim për vitin 2023, nuk po flasim për vitin 2020, po flasim për zhvillime shumë, shumë të vona”, tha Osmani.

    Ajo përmendi gjithashtu edhe sulmin e shtatorit të vitit 2023 në Banjskë, të cilin e cilësoi si një “akt agresioni” të organizuar nga Serbia, ku një grup i armatosur serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    “Ndaj, nuk duhet ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë”, tha Osmani, duke e lidhur këtë me rrezikun e përsëritjes së akteve të tilla.

    Sipas saj, parandalimi dhe frenimi i këtyre kërcënimeve nuk mund të mbështetet vetëm në praninë ushtarake, por kërkon udhëheqje të fortë politike dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

    “Meqenëse ka ndodhur edhe më parë, parandalimi dhe frenimi janë thelbësorë. Dhe, ndonjëherë, parandalimi dhe frenimi kërkojnë më shumë sesa vetëm praninë e ushtrisë. Kërkojnë edhe udhëheqje politike. Duhet një telefonatë, një paralajmërim, dhe kjo është pikërisht ajo që ndodh kur Amerika merr një rol udhëheqës”, u shpreh presidentja.

  • Rasti i vdekjes së 27-vjeçarit, komandanti i Policisë në Lipjan jep dorëheqje

    Rasti i vdekjes së 27-vjeçarit, komandanti i Policisë në Lipjan jep dorëheqje

    Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Argjend Gashi, ka dhënë dorëheqje morale pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në duart e policisë më 7 korrik.

    Ai tha se dorëheqja nuk është shkarkim dhe ende nuk është zyrtarizuar, pasi nuk ka vendim për pozicion tjetër.

    Lidhur më këtë rast, pesë zyrtarë policorë janë arrestuar nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia dhe ndaj tyre është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

    Ndërkohë, Oda e Mjekëve ka nisur hetime ndaj mjekes që dyshohet se nuk i dha ndihmën e parë të ndjerit në vendngjarje.

    Rasti ka nxitur reagime pas publikimit të pamjeve ku dyshohet përdorim i tepruar force.

  • Të hyrat në ATK për 10.8% më të larta, për 6 muaj u mblodhën mbi 524 milionë euro tatime

    Të hyrat në ATK për 10.8% më të larta, për 6 muaj u mblodhën mbi 524 milionë euro tatime

    Administrata Tatimore e Kosovës ka arkëtuar mbi 524 milionë euro në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, ka njoftuar drejtori Ilir Murtezaj në një konferencë për media të enjten në Prishtinë.

    Kjo paraqet një rritje prej 50.9 milionë euro apo rreth 11 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    “Gjatë këtyre gjashtë muajve, ATK-ja ka vazhduar me përkushtim të zbatojë prioritetet strategjike si rritjen e mbledhjes së të hyrave, luftimin e ekonomisë joformale, zgjerimin apo rritjen e përdorimit të teknologjisë në shërbim ndaj tatimpaguesve dhe përmirësimin e kulturës së përgjithshme tatimore në vend. Administrata Tatimore e Kosovës edhe në këtë periudhë raportuese, sikurse edhe në katër vitet e fundit, vazhdoi me ngritje të performancës pothuajse në të gjithë indikatorët matës. Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2025 kemi inkasim të të hyrave tatimore mbi 524.1 milionë euro, që do të thotë se kemi rritur të hyrat mbi 51 milionë euro apo 11%, në raport me vitin paraprak”, tha Murtezaj.

    Murtezaj tha se vlera e kontributeve pensionale për këtë periudhë ka arritur në 170 milionë euro.

    Sipas tij, shuma e përgjithshme e tatimeve dhe kontributeve të mbledhura kap vlerën totale prej 693 milionë euro.

  • Hapet rruga për në Maqedoninë e Veriut, qarkullimi lejohet për të gjitha automjetet, përfshirë kamionët

    Hapet rruga për në Maqedoninë e Veriut, qarkullimi lejohet për të gjitha automjetet, përfshirë kamionët

    Rruga në drejtim të Maqedonisë së Veriut është liruar për qarkullimin e të gjitha automjeteve, përfshirë kamionët, njoftoi Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

    Mbrëmë vonë ishte rihapur kufiri në Pikën Kufitare Hani i Elezit për hyrje-dalje të automjeteve, por vazhdoi të mbetej e mbyllur bartja e mallrave përmes Terminalit Doganor.

    Tashmë është konfirmuar se qarkullimi është normalizuar plotësisht.

     

  • Rreth 300 vatra zjarresh në 5 ditët e fundit, AME: Situata nën kontroll, por rreziku mbetet i lartë

    Rreth 300 vatra zjarresh në 5 ditët e fundit, AME: Situata nën kontroll, por rreziku mbetet i lartë

    Temperaturat e larta që kanë përfshirë Kosovën gjatë ditëve të fundit kanë ndikuar në rritjen alarmante të rasteve me zjarre në të gjithë vendin. Vetëm në pesë ditët e fundit, ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë në 295 raste.

    Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Genc Metaj, në një konferencë për media, deklaroi se dita më e rënduar ishte 7 korriku, ku janë regjistruar gjithsej 66 raste zjarresh, 57 prej tyre vetëm gjatë orëve të pasdites.

    “Situata është menaxhuar me sukses deri më tani, por rreziku mbetet i lartë për shkak të kushteve të motit”, tha Metaj, duke shtuar se ekziston dyshimi që disa nga këto zjarrëvënie janë të qëllimshme.

    Ai sqaroi se shumica e rasteve kanë ndodhur në toka bujqësore dhe më pas janë përhapur në zona malore.

    Sipas tij, ndonëse numri i zjarrfikësve është “i kënaqshëm”, nevojitet rritje e kapaciteteve për të përballuar situata të ngjashme.

    Aktualisht, Metaj tha se janë aktive tri vatra zjarri: një në Pejë dhe dy të tjera në Skënderaj.

    AME u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë, për të parandaluar përhapjen dhe pasojat e mundshme.

  • Ngërçi vazhdon – dështon për herë të 44-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

    Ngërçi vazhdon – dështon për herë të 44-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

    As pas 44 përpjekjeve, deputetët nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

    Ngërçi vijoi edhe të mërkurën, kur dështoi sërish votimi për formimin e komisionit të fshehtë, i cili do të duhej të merrej me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Në sallë ishin të pranishëm 101 deputetë, prej të cilëve 55 votuan pro – numër i pamjaftueshëm për ta kaluar vendimin.

    Seanca e radhës është caktuar të mbahet të premten, më 12 korrik, nga ora 11:00.

    Përpara se të dështonte seanca, pati disa reagime nga deputetët e opozitës. Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, mori fjalën në momentin kur kryesuesi Avni Dehari ftoi partinë më të madhe opozitare që të propozojë një anëtar për komisionin. Megjithatë, Behrami përdori fjalën për të kërkuar kthimin në votim të hapur:

    “Të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses dhe të kthehet në votim të hapur,” tha ai, por fjala e tij u ndërpre menjëherë.

    Edhe deputeti i LDK-së, Paris Guri, tentoi të marrë fjalën, por pati ndërhyrje nga deputetë të VV-së. Ai iu drejtua Fitore Pacollit me akuza:
    “T’i kthejë 200 mijë euro që i ka vjedhur,” u shpreh Guri në sallë.

    Ndërkohë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, i bëri thirrje kryeministrit në detyrë që të marrë përgjegjësi për zhbllokimin e situatës.

  • Kurti kërkon hetim të thellë për 27-vjeçarin në Lipjan: Abuzuesit s’do të kenë strehë në institucione

    Kurti kërkon hetim të thellë për 27-vjeçarin në Lipjan: Abuzuesit s’do të kenë strehë në institucione

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në fillim të mbledhjes së Qeverisë, ka kërkuar hetim të thellë për vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan.

    “Fllimisht, dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zenjullahu për humbjen e më të dashurit të tyre. Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve. Shumëçka është bërë publike, edhe falë incizimeve të dëshmitarëve.

    Por për të kuptuar plotësisht gjithçka që ka ndodhur, nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës — Policisë, Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë. Pesë zyrtarë tashmë janë suspenduar. Kërkoj dhe pres një hetim të thellë që të vendoset drejtësia.

    Nuk do të ketë strehë në institucione për askënd që ka tejkaluar kompetencat apo ka abuzuar me detyrën zyrtare. Tendenca për të nisur një fushatë kundër Policisë nuk është e dobishme. Thirrjet për drejtësi janë të drejta dhe duhet të dëgjohen”, tha Kurti.

     

  • Qeveria në detyrë mblidhet pak para seancës së Kuvendit

    Qeveria në detyrë mblidhet pak para seancës së Kuvendit

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës pritet të mblidhet sot.

    Kështu thuhet përmes një njoftimi zyrtar nga Zyra e Kryeministrit (ZKM).

    Në rend dite të mbledhjes së Qeverisë në detyrë janë gjashtë pika.

    Ndër pikat kryesore pritet të shqyrtohet propozim-vendimi për mbështetje financiare në bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e shkollës së muzikës dhe muzeut të Preshevës.

    Gjithashtu, do të shqyrtohet propozim-vendimi për aprovimin e rialokimit të mjeteve buxhetore në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR) për realizimin e 10 projekteve kapitale.

    Në mbledhje është përfshirë edhe shqyrtimi i nismës për lidhjen e marrëveshjes së grantit me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, ndër të tjera.

    Ndryshe, sot janë bërë pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare, të zhvilluara më 9 shkurt 2025, ndërkohë që Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar – çështje që ka bllokuar formimin e qeverisë së re.

    Kujtojmë se sot mbahet seanca e 44-të në tenativë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

  • Kuvendi në tentativën e 44-të për konstituim

    Kuvendi në tentativën e 44-të për konstituim

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot mblidhen sërish nga ora 11:00, në përpjekjen e 44-të për konstituimin e legjislaturës së 9-të.

    Edhe pas aktgjykimit që nxori Gjykata Kushtetuese, në Kuvend sërish vazhdoi skenari i njëjtë meqë partitë politike po e lexojnë ndryshe aktgjykimin.

    Lëvizja Vetëvendosje po insiston se votimi i fshehtë, përmes të cilit synon që kandidatja e tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, e cila dështoi të merrte votat e nevojshme në votim të hapur, nuk është antikushtetues.

    Për partitë tjera kjo s’është e pranueshme meqë thonë se aktgjykimi i fundit i Kushtetueses e bën të qartë se kryeparlamentari duhet të zgjidhet sipas praktikave të deritanishme parlamentare, me votim të hapur.