ATV

Tag: Ballina

  • Dështon për të 47-n herë seanca për konstituimin e Kuvendit

    Dështon për të 47-n herë seanca për konstituimin e Kuvendit

    Për të 47-ën herë me radhë, përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa sukses më 15 korrik.

    Edhe kësaj radhe, mbledhja e deputetëve të zgjedhur nuk solli ndonjë ndryshim në ngërçin politik që po zgjat tash e tre muaj.

    Partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

    Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.

    Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.

    Në seancën e 15 korrikut, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AK-së, të cilët nisën të adresonin problemin e ngërçit, në vend që të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

    Seanca u ndërpre, për të vazhduar më 17 korrik.

  • Arrestohet një 30-vjeçar në Gjakovë, i dyshuar për shpërndarje të substancave narkotike

    Arrestohet një 30-vjeçar në Gjakovë, i dyshuar për shpërndarje të substancave narkotike

    Policia e Kosovës ka arrestuar një 30-vjeçar në Gjakovë, i dyshuar për shpërndarje të substancave narkotike. Ai është ndaluar në rrugën “Anton Çetta”.

    Gjatë kontrollit, policia i ka gjetur 4 qese me marihuanë, ndërsa pas bastisjes në lokacionin e tij, janë sekuestruar edhe 19 qese me marihuanë dhe 8 qese me kokainë, me peshë të përgjithshme rreth 25 gramë.

    Sipas vlerësimeve, lënda narkotike kap vlerën tregu prej 600 eurosh dhe ishte e destinuar për shitje.

    I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”.

  • Vdes një grua nga Restelica e Dragashit, rasti po hetohet si “vdekje e dyshimtë”

    Vdes një grua nga Restelica e Dragashit, rasti po hetohet si “vdekje e dyshimtë”

    Një grua 53-vjeçare nga fshati Restelicë i Dragashit ka ndërruar jetë në rrethana të paqarta.

    Ajo është dërguar me autoambulancë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, ku është konstatuar se kishte ardhur pa shenja jete.

    Rastin e ka konfirmuar Policia, ndërsa hetues rajonalë dhe njësitë e Forenzikës kanë dalë në vendin e ngjarjes për të mbledhur prova. Viktima është identifikuar me inicialet U.H..

    Prokurori i rastit ka urdhëruar trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti të trajtohet si “Vdekje e dyshimtë”.

  • Agjencia e Kosovës për Akreditim pranohet anëtare me të drejta të plota në EQAR

    Agjencia e Kosovës për Akreditim pranohet anëtare me të drejta të plota në EQAR

    Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), duke shënuar një nga arritjet më të rëndësishme për arsimin e lartë në vend. Lajmi është konfirmuar përmes një letre zyrtare nga presidenti i EQAR-it, Stéphane Lauwick, drejtuar drejtorit të AKA-së, Naim Gashi.

    Sipas një letre zyrtare, Lauwick thekson se aplikimi i AKA për anëtarësim në EQAR është aprovuar dhe se ky status do të vlejë deri më 31 dhjetor 2029.

    “Ju lutem pranoni urimet e mia për aplikimin tuaj të suksesshëm dhe përgëzimet e mia të përzemërta për punën tuaj në emër të të gjithë anëtarëve të Komitetit të Regjistrit”, thuhet në letrën zyrtare të presidentit të EQAR-it, Stéphane Lauwick.

    Drejtori i AKA-së, Naim Gashi, këtë pranim e cilësoi si arritjen më të madhe të tij profesionale dhe një nga arritjet më të mëdha për arsimin e lartë në Kosovë.

    Në një video-mesazh të publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë, ai deklaroi se ky është rezultati i një procesi të gjatë dhe një pune të përkushtuar që nisi në vitin 2020, me synimin për ta vendosur arsimin e lartë të Kosovës në nivelin evropian të cilësisë.

    “Diplomat e studentëve tanë tashmë janë më të besueshme në Evropë dhe më tej. Ata do të kenë më shumë mundësi për mobilitet, bursa dhe bashkëpunim akademik ndërkombëtar. Institucionet tona të arsimit të lartë do të kenë qasje të plotë në programet e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Gashi në këtë video-mesazh.

    Për këtë arritje historike për arsimin e lartë në Kosovë, Gashi shprehu mirënjohje të veçantë për të gjithë ata që kontribuan në këtë proces të gjatë dhe të suksesshëm.

    Ai falënderoi Bordin e Agjencisë, stafin profesional ministren e arsimit, qeverinë, kuvendin, shoqërinë civile, donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë, me veçanti homologët nga Kroacia, Austria dhe Gjermania.

    EQAR është organizata më e rëndësishme evropiane që njeh agjencitë e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë, të cilat përmbushin standardet e Bashkimit Evropian.

  • Kuvendi për herë të 47-të tenton konstituimin e legjislaturës së nëntë

    Kuvendi për herë të 47-të tenton konstituimin e legjislaturës së nëntë

    Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për herë të 47-të në një përpjekje tjetër për ta konstituuar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.

    Seanca fillon në orën 11:00.

    Të dielën ka dështuar edhe përpjekja e 46-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ka kërkuar nga subjektet politike që nuk kanë propozuar emër për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit që ta bëjnë një gjë të tillë, por si zakonisht ata kanë refuzuar.

    Në vend të propozimit, ata në foltore kanë kërkuar nga kryesuesi që t’i kthehet pikës së rendit të ditës, por fjalimet e tyre janë ndërperë nga regjia me kërkesë të kryesuesit, pasi në seancën konstituive nuk lejohet debati.

    Në votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë nga 85 deputetë të pranishëm, për votuan 43 deputetë, derisa nuk pati as vota kundër e as abstenim, pasi pjesa tjetër e deputetëve si zakonisht deri më tash, nuk morën pjesë në votim.

    Procesi i konstituimit po vazhdon të mbetet i bllokuar në pikën kyçe të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, çka ka pamundësuar vazhdimin e rregullt të punës së këtij institucioni për më shumë se katër muaj.

    Ky ngërç politik ka ndikuar drejtpërdrejt në paralizimin e punës së institucionit legjislativ, ndërsa qytetarët dhe shoqëria civile kanë shprehur shqetësim për mungesën e vullnetit politik për të gjetur zgjidhje.

  • Osmani e thotë sërish: Trumpi e ka parandaluar eskalimin e Serbisë në kufirin me Kosovën

    Osmani e thotë sërish: Trumpi e ka parandaluar eskalimin e Serbisë në kufirin me Kosovën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikujtuar rolin e presidentit amerikan, Donald Trump, në parandalimin e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Gjatë një diskutimi në Hudson Institute në SHBA, Osmani deklaroi sërishe ishte vetë Trump ai që u përfshi personalisht për të ndalur tensionet në atë kohë, duke treguar angazhimin e tij për paqen në rajon.

    “Siç e ka thënë Presidenti Trump, ai e ka parandaluar një tension, e ka parandaluar një eskalim, atë që Serbia po përpiqej ta bënte në kufirin me Kosovën. Por, ishte angazhimi i tij personal dhe roli i tij që e parandaloi, që është një lidership i vërtetë në ruajtjen e paqes”, ka thënë Osmani.

    Në të njëjtin diskutim, ajo theksoi rëndësinë jetike të rolit të Shteteve të Bashkuara në ruajtjen e paqes globale, duke përmendur shembullin e luftës në Ukrainë si një dëshmi për nevojën e një angazhimi të vazhdueshëm ndërkombëtar.

    “Sepse paqja, siç e dimë të gjithë nga lufta në Ukrainë, nuk duhet të merret kurrë si e mirëqenë. Është diçka që duhet mbrojtur vazhdimisht, duhet kultivuar vazhdimisht. Dhe roli i Shteteve të Bashkuara në këtë përpjekje është thelbësor. Është i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm”, është shprehur Osmani.

  • Osmani: Pas tri dekadash, zëri i Nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë

    Osmani: Pas tri dekadash, zëri i Nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë

    Shefja e shtetit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, duke theksuar se Kosova e ndjen thellësisht dhimbjen dhe e ndan angazhimin për drejtësi me viktimat dhe të mbijetuarit e kësaj tragjedie.

    Në një postim në rrjetet sociale, Osmani kujtoi mizoritë që ndodhën në korrik të vitit 1995, kur forcat serbe masakruan mbi 8 mijë burra e djem boshnjakë.

    “8 mijë djem e burra boshnjakë u vranë brutalisht nga regjimi i Millosheviqit. Pas tri dekadash, zëri i Nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë. Kosova qëndron përkrah tyre, sepse ne e dimë çfarë do të thotë dhimbja e humbja, por dhe angazhimi i palodhur për drejtësi”, ka shkruar Osmani.

    Në fund të mesazhit të saj, presidentja shton: “Le të mos harrojmë kurrë, le të mos heshtim kurrë.”

  • Dështon edhe përpjekja e 45-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështon edhe përpjekja e 45-të për konstituimin e Kuvendit

    Ka dështuar edhe përpjekja e 45-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Seanca e mbajtur të premten zgjati vetëm pak minuta, ndërsa deputetët nisën punimet me një minutë heshtje për viktimat e Masakrës së Srebrenicës, derisa në sallë nuk ishte e pranishme Lista Serbe.

    Kryesuesi i seancës Avni Dehari ua ndërpreu fjalën përfaqësuesve të ish-opozitës. Në sallë ishin të pranishëm 93 deputetë, ndërsa propozimi i Lëvizjes Vetëvendosjes për krijimin e një komisioni që do të mundësonte zhdehjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë, mori vetëm 49 vota.

    Seanca u ndërpre, ndërsa tentimi i radhës është caktuar të mbahet të dielën më 13 korrik.

    Pas ndërprerjes së seancës nga kryesuesi, partitë e ish-opozitës vazhduan qëndrimin në sallën e Kuvendit, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për refuzimin e zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

  • Përfundon ekzaminimi psikiatrik për Naim Murselin, konstatohet se ai nuk ka çrregullim apo sëmundje mendore

    Përfundon ekzaminimi psikiatrik për Naim Murselin, konstatohet se ai nuk ka çrregullim apo sëmundje mendore

    Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, të akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

    Sipas ekspertizës mjekësore, tek Murseli nuk është konstatuar asnjë çrregullim mendor apo ndonjë gjendje që do të ndikonte në aftësinë e tij për të kuptuar veprën apo për ta kontrolluar sjelljen.

    Raporti vlerëson se ai është plotësisht i përgjegjshëm për veprimet e tij dhe i aftë të marrë pjesë në procesin gjyqësor.

    Murseli ishte dërguar për ekzaminim katër javë më parë, me kërkesë të mbrojtjes.

    Ai është deklaruar i pafajshëm në gjykatë, ndërsa sipas aktakuzës, dyshohet se e organizoi vrasjen për hakmarrje dhe përfitim financiar nga sigurimi jetësor. Vrasja e Liridona Ademajt ndodhi më 29 nëntor të vitit 2023 në Prishtinë dhe fillimisht ishte paraqitur si një grabitje e inskenuar.

  • Kurti udhëton në Bosnjë për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës

    Kurti udhëton në Bosnjë për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Bosnje dhe Hercegovinë, ku sot do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Ceremonia do të mbahet në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari.

    Kryeministri Kurti po udhëheq delegacionin zyrtar të Kosovës, i cili përfshin zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministren e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak në Kosovë, bën të ditur Kryeministria përmes një njoftimi.

    Vitin e kaluar, Qeveria e Republikës së Kosovës datën 11 korrik e ka shpallur ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës.