ATV

Tag: Ballina

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen dhe varrosjen e Enver Bajraktarit në Lipjan

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen dhe varrosjen e Enver Bajraktarit në Lipjan

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masa e paraburgimit prej një muaji Top Kolshit, i arrestuar për vrasjen e Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    “Është caktuar masa e paraburgimit një muaj ndaj të pandehurit”, tha Gashi.

    Ditë më parë, i dyshuari me inicialet T.K shtë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit.

    Viktima Enver Bajraktari ishte pikërisht personi për të cilin familjarët kishin raportuar më herët si të zhdukur.

  • Mentor Hyseni bëhet drejtor i ATK-së, ishte kandidat i VV-së për deputet

    Mentor Hyseni bëhet drejtor i ATK-së, ishte kandidat i VV-së për deputet

    Mentor Hyseni është emëruar drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, njoftoi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në Facebook.

    “Pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni”.

    Ministria thotë se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë.

    “MFPT ka besim të plotë që Z. Hyseni se do të vazhdojë dhe avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë”.

    Hyseni në vitin 2019 kishte kaluar në Vetëvendosje, për ç’ gjë pati shkruar edhe vetë Albin Kurti.

    “Ardhja e Mentorit në Lëvizje është vlerë e shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Publike në vendin tonë”, kishte shkruar Kurti.

    Hyseni, në vitin 2021 ai ishte emëruar anëtar i bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për t’u bërë dy vite më pas, kryesues i bordit në këtë institucion.

    Hyseni ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e vitit 2019, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme.

  • I dyshuari për vrasjen e Enver Bajraktarit dërgohet në gjykatë

    I dyshuari për vrasjen e Enver Bajraktarit dërgohet në gjykatë

    I dyshuari për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit është dërguar në Gjykatë.

    Ndaj tij do të mbahet sot seanca për caktimin ose jo të paraburgimit.

    Ai e ka pranuar fajësinë.

    T.K., u arrestua të martën, pas kontrolleve të kryera në fshatin ku ndodhi edhe vrasja.

    “Pas ndalimit në Polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale”, u tha në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës.

    Më 4 gusht, Bajraktari ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij. Një ditë më vonë, në Baicë ishte gjetur një trup i pajetë i varrosur në një arë. Më pas u konfirmua se viktima ishte Enver Bajraktari.

  • Hoti reagon pasi Gjykata Komerciale i dha të drejtë ZRRE-së: Kësaj situate, jo vetëm që i vjen era, por kundërmon

    Hoti reagon pasi Gjykata Komerciale i dha të drejtë ZRRE-së: Kësaj situate, jo vetëm që i vjen era, por kundërmon

    Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka miratuar ankesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji duke refuzuar shtyrjen e ekzekutimit të daljes së bizneseve në treg të lirë të energjisë elektrike.

    Rreth këtyre zhvillimeve ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Ai përmes një reagimi në Facebook, ka shkruar se “çfarë entuziazmi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për t’i detyruar bizneset të blejnë energjinë në treg të hapur”.

    “Çfarë entuziazmi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për t’i detyruar bizneset të blejnë energjinë në treg të hapur, ku çmimi është disa herë më i shtrenjtë se çmimi që paguajnë tani?! Çfarë apatie e Qeverisë për këtë situatë të krijuar?! Kësaj situate, jo vetëm që i vjen era, por kundërmon”, ka pohuar Hoti.

    Ndryshe, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) kanë shprehur shqetësim të thellë pas vendimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e cila ndryshoi masën e sigurisë duke lejuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

    OEK, në një njoftim zyrtar thekson se “do të vazhdojë betejën ligjore nëpërmjet mjeteve të tjera ligjore në dispozicion, brenda afateve të përcaktuara, dhe për këtë do të njoftojë me kohë të gjithë anëtarët e Odës Ekonomike të Kosovës”.

    Po ashtu, OEK kërkon nga ZRrE që të mos marrë veprime të tjera që do t’i dëmtonin bizneset, të cilat tashmë janë dëmtuar nga vendimet e ZRrE-së që kanë shkuar në dëm të ekonomisë së vendit dhe kanë ndikuar në shtrenjtimin e jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

  • Valë vdekjeprurëse të të nxehtit dhe zjarre shkatërruese në Mesdhe/ Tre të vdekur dhe mijëra të evakuuar

    Valë vdekjeprurëse të të nxehtit dhe zjarre shkatërruese në Mesdhe/ Tre të vdekur dhe mijëra të evakuuar

    Një valë e nxehti ekstreme që ka përfshirë rajonin e Mesdheut ka shkaktuar të paktën tre viktima dhe ka detyruar mijëra persona të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve që po përhapen me shpejtësi.

    Zjarret po vazhdojnë të përhapen në shumë vende, ndërsa temperaturat kanë kaluar 40°C në disa zona. Në Spanjë, një burrë rumun rreth të pesëdhjetave humbi jetën pasi pësoi djegie në 98% të trupit teksa përpiqej të shpëtonte kuajt nga një stallë që po digjej pranë Madridit, sipas The Guardian.

    Në Itali, një fëmijë 4-vjeçar ndërroi jetë në Romë pasi pësoi dëmtime të parikuperueshme në tru nga goditja e të nxehtit, pasi ishte lënë në makinë në Sardenjë.
    Ndërkohë, në Mal të Zi, një ushtar humbi jetën dhe një tjetër mbeti rëndë i plagosur kur një autobot u përmbys gjatë luftës me flakët në veri të Podgoricës, transmeton Top Channel.

    Shkencëtarët paralajmërojnë se vala e të nxehtit po krijon kushte ideale për përhapjen e zjarreve dhe është një tjetër dëshmi e urgjencës klimatike. “Falë ndryshimeve klimatike, tashmë jetojmë në një botë shumë më të nxehtë”, tha studiuesi Akshay Deoras nga Universiteti i Reading.

    Në Spanjë, zjarri në Tres Cantos, afër Madridit, që u përhap nga erërat prej 70 km/h dhe dogji mbi 1,000 hektarë tokë, ishte ende jashtë kontrollit të martën në mbrëmje. Janë gjetur 150 dele dhe 18 kuaj të ngordhur në zonë. Mbi 3,700 persona janë evakuuar nga 16 bashki në Castilla y León, ku një zjarr tjetër ka dëmtuar një sit të trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Les Médulas.

    Në Galici, një zjarr i madh dogji mbi 3,000 hektarë tokë në provincën Ourense, ndërsa në qytetin jugor Tarifa, 2,000 persona u evakuuan pas një zjarri që shpërtheu të hënën.

    Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez shprehu ngushëllimet për viktimën e zjarrit në Tres Cantos dhe falënderoi shërbimet e emergjencës për përkushtimin e tyre. “Rreziku i zjarreve është ekstrem,” paralajmëroi ai.

    Në Portugali, zjarrfikësit po përballen me tre zjarre të mëdha në veri dhe në qendër të vendit. Ndërkohë, në Greqi, autoritetet kanë kërkuar ndihmë nga BE, pasi erëra të fuqishme kanë përhapur flakët në Peloponezin Perëndimor, duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve.

    Zjarret kanë prekur edhe ishujt turistikë të Jonit, Zakynthos dhe Kefalonia, ku hotelet në zonat Agala dhe Keri janë urdhëruar të mbyllen, duke detyruar turistët të largohen. Në total, dhjetëra zjarrfikës të mbështetur nga avionë dhe helikopterë vazhduan të luftonin flakët deri të martën në mbrëmje.

    “Nevojitet më shumë mbështetje ajrore,” tha kryetari i bashkisë së Zakynthos. Zjarre po raportohen edhe në Epir, rreth Prevezës, dhe në rajonin e Aetolia-Acarnania.

    Në Shqipëri, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, qindra zjarrfikës dhe ushtarë kanë vënë nën kontroll shumicën e 40 zjarreve që shpërthyen në 24 orët e fundit, megjithatë mbi 12 janë ende aktive. Që prej korrikut janë djegur rreth 34,000 hektarë, ndërsa policia ka arrestuar mbi 20 persona për zjarrvënie të qëllimshme.

    Në Kroaci, 150 zjarrfikës punuan gjatë natës për të mbrojtur banesat pranë qytetit portual të Splitit. Ndërsa në Turqi, në provincën Çanakkale, mbi 2,000 persona u evakuuan dhe 77 u trajtuan në spital për shkak të thithjes së tymit. Mbi 760 zjarrfikës dhe mbi 200 mjete janë angazhuar për të përballuar flakët.

    Franca Jugore gjithashtu është prekur, me temperatura rekord të regjistruara në Bordeaux (41.6°C) dhe qytete të tjera, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për vigjilencë të lartë.

  • Haziri: Kosova nuk ka pasur koalicion më popullor e më të dashur se ai LDK-VV

    Haziri: Kosova nuk ka pasur koalicion më popullor e më të dashur se ai LDK-VV

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka vlerësuar se koalicioni mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka qenë më popullori dhe më i dashuri për qytetarët e Kosovës.
    Haziri në Tëvë1 ka thënë se në vitin 2019 të dy partitë ishin shumë pranë krijimit të një liste të përbashkët parazgjedhore.

    “Koalicion më popullor dhe më të dashur se koalicioni LDK-LVV Kosova nuk ka pasur. Por tani kjo është situatë e re politike. Pse po them nuk ka pasur? Sepse i pari dhe i dyti kanë ndërtuar platformë të përbashkët. Ne kemi qenë shumë afër për ta bërë një listë të përbashkët parazgjedhore në 2019″, ka thënë ai.

    Mirëpo, sipas tij, kjo marrëveshje nuk është realizuar për shkak të refuzimit të Albin Kurtit për t’i dhënë pozitën e parë në listë Vjosa Osmanit.
    “Kemi qenë të gatshëm me hy por a e dini kush nuk e ka lejuar të bëhet një listë e vetme? Albin Kurti sepse nuk ia ka dhënë Vjosës numrin një, pra nuk ka pranuar që Vjosa Osmani të dal me numrin 1 në listë se e ka dashur vetë. Kjo ka qenë e gjitha, vetëm problem i numrit asgjë tjetër nuk ka pasur”, ka deklaruar Haziri.

  • Shpërthim në Mitrovicë të Jugut, dëmtohen dy makina

    Shpërthim në Mitrovicë të Jugut, dëmtohen dy makina

    Dy makina janë dëmtuar si pasojë e një shpërthimi që ndodhi të dielën e 10 gushtit, në Mitrovicë të Jugut.
    Sipas policisë, incidenti ndodhi në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.
    Pas hetimeve, policia deklaron se në vendin e ngjarjes u gjet një dorëz e granatës, që u konfiskua si dëshmi materiale.
    “Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kujdestar i cili rastin e ka cilësuar si: “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Rasti mbetet nën hetime” ka bërë të ditur policia.

  • Ngërçi politik, ​Kurti: Duhet ta presim aktgjykimin e plotë të Kushtetueses

    Ngërçi politik, ​Kurti: Duhet ta presim aktgjykimin e plotë të Kushtetueses

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se duhet pritur aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, kur u pyet nëse do ta respektojë vendimin lidhur me konstituimin e Kuvendit.

    Ai këto komente i bëri pas ceremonisë me rastin e 26-vjetorit të Doganës së Kosovës dhe diplomimit të gjeneratës së re të oficerëve doganorë.

    “Duhet ta presim aktgjykimin e plotë”, u përgjigj shkurt Kurti.

    Njoftimin mbi aktgjykimin, Kushtetuesja e publikoi më 8 gusht, përmes së cilit urdhëroi deputetët që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës brenda 30 ditësh.

    Afati fillon të rrjedhë pasi të publikohet aktgjykimi i plotë në Gazetën Zyrtare, por kjo ende nuk ka ndodhur.

    Kushtetuesja tha se kryekuvendari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe se ai mund të votohet vetëm deri në tri herë.

    Ky vendim i Kushtetueses është kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje – parti që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërkaq është mirëpritur nga partitë që deri më tash ishin në opozitë.

    Deputetët e shpërfillën një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses e cila pati kërkuar konstituimin e legjislaturës së nëntë brenda 30 ditësh. Por, gjykata nuk pati treguar se cilat do të jenë pasojat e mos zbatimit të këtij aktgjykimi.

    Kosova është futur në krizë politike pasi nuk ka arritur të formojë institucionet e reja që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

    Procesi ka ngecur te votimi për kryetar të kuvendit, pozitë për të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiun por ajo nuk ka marrë 61 votat e nevojshme. /KP/

  • Vrasja dhe groposja e Enver Bajraktarit në Lipjan, arrestohet një i dyshuar

    Vrasja dhe groposja e Enver Bajraktarit në Lipjan, arrestohet një i dyshuar

    Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Sipas saj, i dyshuari është me inicialet T.K shtetas i Kosovës.

    “Si rrjedhojë e angazhimeve intensive hetimore, sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme – Prishtinë, është arrestuar një person i dyshuar: T. K, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, për rastin vrasje që ka ndodhur në fshatin Baicë të Lipjanit”, ka thënë Ahmeti.

    Zëdhënësja po ashtu tha se aktualisht hetuesit po kryejnë procedurat e nevojshme policore, në koordinim me prokurorinë.

    Ndryshe, ditë më parë një ngjarje e rëndë kishte ndodhur në fshatin Baicë të Lipjanit, ku një person u gjet i vdekur dhe i varrosur në një arë të këtij fshati.

    Viktima Enver Bajraktari ishte pikërisht personi për të cilin familjarët kishin raportuar më herët si të zhdukur.

  • Vrasja në Hajvali, Policia në kërkim të të dyshuarit

    Vrasja në Hajvali, Policia në kërkim të të dyshuarit

    Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje të rastit në Hajvali, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka vdekur.

    Policia njofton se rasti ka ndodhur në ora 21:46 në Hajvali të Prishtinës.

    “Një i dyshuar mashkull kosovar, dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim viktimës mashkull kosovar. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale është gjetur një gëzhojë e armës së zjarrit.

    I dyshuari pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes dhe i njëjti është në kërkim policor.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente, ndërkaq, me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi.

    Ndryshe, brenda dy ditëve vendi u trondit nga vrasja e katër personave.

    Përveç vrasjes në Hajvali, të dielën e 10 gushtit tre persona u vranë në Gjilan.