ATV

Tag: Ballina

  • Kushtetuesja publikon aktgjykimin për konstituimin e Kuvendit

    Kushtetuesja publikon aktgjykimin për konstituimin e Kuvendit

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit.

    Më 8 gusht, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

    Me publikimin e aktgjykimit të plotë, nis edhe rrjedhja e afatit 30-ditor, që nënkupton se deputetët nga sot mund të mblidhen për të konstituuar Kuvendin.

    Çështja e trajtuar lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit është ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike. Por, Gjykata tha se kërkesat e lëndëve ndërlidhen edhe me lëndën e dorëzuar paraprakisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Gjykata konstatoi që kryesuesi i seancës konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për kandidatin/en e njëjtë”, u tha në aktgjykim.

    PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar vendimin e 1 majit të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, i cili ndryshoi formën e votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.

    “Gjykata rithekson që në rrethanat e rastit konkret, ushtrimi i funksionit të deputetëve të zgjedhur në pajtim me këtë Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit që rezulton në zgjedhjen e kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës, dhe i shërben ruajtjes së rendit kushtetues dhe garantimit të funksionimit të institucioneve. Si rrjedhojë, Gjykata sërish nënvizon se nuk ka interes më të mirë të Republikës së Kosovës, se sa organi më i lart përfaqësues të jetë i konstituuar dhe të fillojë sa më parë me funksionimin e tij dhe ushtrimin e kompetencave dhe detyrimeve të tij kushtetuese”, tha Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

    “Gjykata sërish vë theksin në përgjegjësinë e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit që veprimet e tyre duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të njëjtit të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin”, u shtua në aktgjykim.

    Në aktgjykim u tha se seanca e nisur më 15 prill nuk është përmbyllur, pasi nuk janë kaluar edhe dy pika: zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, të cilat tani duhet të përmbyllen brenda 30 ditësh.

    Njoftimi për këtë aktgjykim – i publikuar më 8 gusht – ishte mirëpritur nga partitë që më herët ishin në opozitë, por ishte kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila e kishte cilësuar si vendim arbitrar.

    Disa orë para publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqësi i LVV-së, Albin Kurti, tha se gjithmonë i ka respektuar vendimet e Kushtetueses.

    Në aktgjykim nuk përmenden pasojat e mundshme juridike, nëse deputetët nuk e respektojnë aktgjykimin, siç kishin bërë me aktgjykimin paraprak të publikuar më 26 qershor.

    “Gjykata, fillimisht vë në dukje që bazuar në paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, vendimet e saj janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, u tha në aktgjykim.

  • Kurti: Qeveria ka respektuar gjithmonë aktgjykimet e Kushtetueses, nuk është mirë të kemi vonesa

    Kurti: Qeveria ka respektuar gjithmonë aktgjykimet e Kushtetueses, nuk është mirë të kemi vonesa

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e tij gjithmonë ka respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se këtë e ka bërë edhe si udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

    Kurti tha se pyetjet e vazhdueshme nëse do ta respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e bëjnë të mendoj se mos ky aktgjykim do të jetë pazakonshëm apo i padrejtë.

    “Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të cilin Qeveria e Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i LVV-së, nuk e kam respektuar. Por, kur më pyesni sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë i pazakonshëm, i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.

    Kurti kritikoi edhe mënyrën e publikimit të aktgjykimit të fundit, duke thënë se më 8 gusht u bë publik vetëm njoftimi, ndërsa vendimi i plotë ende nuk është dorëzuar.

    “Edhe një herë po e ritheksoj që ne gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, por kësaj radhe për dallim nga 26 qershori e kemi vetëm njoftimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e kemi aktgjykimin e plotë, i cili po vonohet, e të cilin duhet ta lexojmë në tërësinë e tij. Më 26 qershor e kemi pasur në të njëjtën ditë njoftimin edhe aktgjykimin. Tash më 8 gusht e patëm njoftimin, por ja që ende nuk e kemi aktgjykimin. Kur ta lexojmë atë do ta themi vlerësimin tonë meritor. Por nuk është mirë që kemi këtë vonesë, por në bazë të njoftimit, për bindjen time ka mospërputhje mes këtij aktgjykimi në versionin e plotë që jemi duke e pritur dhe atij të 26 qershorit të po kësaj përbërje të Gjykatës Kushtetuese”, tha ndër të tjera Kurti.

    Ndryshe, njoftimi i aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese është bërë më 8 gusht, por ende nuk është bërë publikimi i plotë i aktgjykimit në Gazetën Zyrtare çka po vonon thirrjen e mbledhjes për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

  • Poeti Lulzim Tafa pjesë e ekspozitës ndërkombëtare poetike “Shi Xu” në Shangai të Kinës

    Poeti Lulzim Tafa pjesë e ekspozitës ndërkombëtare poetike “Shi Xu” në Shangai të Kinës

    Poezitë e poetit të mirënjohur kosovar Lulzim Tafa janë përzgjedhur krahas poezive të 100 poetëve botërorë që po marrin pjesë në ekspozitën ndërkombëtare poetike me titull “Shi Xu” (Fije Poetike), e cila po mbahet në qytetin e kulturës, Shangai të Kinës. Ekspozita, e që nisi më 13 gusht, do të qëndrojë e hapur deri më 17 shtator 2025 në Bibliotekën e Qytetit të Shangait, një qytet me mbi 24 milionë banorë, i njohur për pasurinë dhe shumëllojshmërinë kulturore.

    Vargjet e poetit Lulzim Tafa u prezantuan në Shangai krahas figurave më të njohura botërore të letërsisë si Paul Celan, Dylan Thomas, e Rabindranath Tagore, si dhe poetë të tjerë klasik e modernë nga Kina dhe e gjithë bota.

    Si pjesë e Panairit të Librit të Shangait 2025, ekspozita “Shi Xu” është një ndër ngjarjet më të rëndësishme poetike në Shangai dhe ka për qëllim të eksplorojë fuqinë shëruese të poezisë për shpirtin, duke ndërthurur poezi me instalacione artistike dhe interaktive. Kjo iniciativë kulturore fokusohet në mbështetjen e shëndetit mendor, duke u ofruar vizitorëve një eksperiencë e cila kërkon përfshirje të thelluar në poezi dhe ndërtim të forcës së brendshme.

    Biblioteka e Qytetit të Shangait, e njohur edhe si “Kështjella e Vogël e Shangait” me arkitekturën e saj të jashtëzakonshme dhe historinë e pasur, po mirëpret ekspozitën në një ambient që nxit dhe promovon trashëgiminë kulturore dhe inovacionin artistik.

    Ekspozita përmban edhe elemente të veçanta interaktive, siç janë kabinat klasike të telefonit ku vizitorët mund të lexojnë poezi të ndryshme nga poetë nga anembanë bota, duke krijuar kështu një ndjesi të paharruar për lexuesit e poezisë.

    Kjo ngjarje ka një rëndësi të veçantë për letërsinë shqipe, pasi promovon vlerat shpirtërore dhe kulturore të poezisë sonë në një qytet me rëndësi të madhe kulturore, siç është Shangai.

    Lulzim Tafa është njeri prej poeteve më të njohur dhe më të përkthyer të letërsisë shqipe në botë.

  • Arrestohen dy persona në Prishtinë për grabitje me dhunë, konfiskohet motoçikleta dhe paratë e grabitura

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për një rast grabitjeje me kërcënim të ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm në kryeqytet.

    Sipas raportit policor, viktima është kanosur nga dy persona, të cilët më pas i kanë grabitur para të gatshme dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, transmton IndeksOnline.

    Falë reagimit të shpejtë të njësive policore, të dyshuarit janë lokalizuar dhe ndaluar pak kohë më vonë. Gjatë kontrollit ndaj tyre, policia ka gjetur një motoçikletë dhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës, si edhe shumën e parave të grabitura.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet në lidhje me rastin po vazhdojnë.

    Policia apelon për vigjilencë dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët për parandalimin e rasteve të tilla.

  • Arrestohet një person në Vërmicë, në veturë iu gjetën armë e pajisje ushtarake

    Arrestohet një person në Vërmicë, në veturë iu gjetën armë e pajisje ushtarake

    Një person është arrestuar në Vërmicë pasi që gjatë kontrollit të veturës së tij janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, me 3 karikatorë me 68 copa municion, një pistoletë me karikator me 20 fishekë, një pushkë ajrore me 10 fishekë, dy thika, një palë rroba ushtarake pa shenja(emblema), një maskë ushtarake dhe një çantë ushtarake.

    Policia bën të ditur se me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit të veturës së tij janë gjetur dhe sekuestruar një pushke automatike, me 3 karikatorë me 68 copa municion, një pistoletë me karikator me 20 fishekë, një pushke ajrore me 10 fishekë, dy thika, një palë rroba ushtarake pa shenja(emblema), nje maskë ushtarake, një çantë ushtarake. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet ne mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Ndalohet kthimi i autobusëve për në Podujevë nga Xhamia e Llapit në Prishtinë

    Ndalohet kthimi i autobusëve për në Podujevë nga Xhamia e Llapit në Prishtinë

    Inspektorët komunal së bashku me policinë kanë ndërmarr veprime për ndalimin e kthimit të autobusëve për Podujevë nga Xhamia e Llapit.
    Zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti i ka thënë Telegrafit se vetëm kanë asistuar inspektorët.
    “Po asistojmë inspektorët komunal, për detaje kontakto me zyrtarë të Komunës së Prishtinës”, ka thënë shkurt Ahmeti.

    Dje Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se do të nisë zbatimin e marrëveshjes së arritur për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë, përfshirë linjat që vijnë nga Podujeva.
    Marrëveshja, siç thuhet është arritur në bashkëpunim me Komunën e Podujevës, Ministrinë e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor, si dhe Shoqatën e Operatorëve të Transportit, prandaj nuk ka qenë njëanshme.

    “Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve”, thuhej në reagim.
    Lidhur me veprimet e operatorëve që po kthehen në ndalesën e vjetër, komuna i konsideron ato “shkelje të qarta të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë”, duke shtuar se “veprime të tilla nuk do të lejohen”.

  • Vdes një person në Lipjan, u godit aksidentalisht nga traktori

    Vdes një person në Lipjan, u godit aksidentalisht nga traktori

    Një person ka vdekur dje në Lipjan, pasi u godit nga traktori. Sipas raportit të policisë, viktima nga pakujdesia e ka ndezur traktorin në mënyrë të parregullt derisa ishte në shpejtësi, dhe si pasojë, traktori ka lëvizur në mënyrë të pakontrolluar duke e goditur viktimën.
    Vdekja e tij është konstatuar në emergjencën e qytetit, ndërsa ekipet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes.
    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

  • Rritet numri i lindjeve, për gjashtë muaj lindën mbi 13 mijë fëmijë

    Rritet numri i lindjeve, për gjashtë muaj lindën mbi 13 mijë fëmijë

    Nga janari deri në qershor në Kosovë kanë lindur 13 mijë e 250 fëmijë. Të dhëna këto të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Me numër vazhojnë të prijnë meshkujt. Vetëm për gjashtë muaj në Kosovë linden 6 mijë 933 meshkuj dhe 6 mijë e 317 femra.
    Ndërkaq vetëm në muajin qershor të këtij viti janë regjistruar 2 mijë e 544 lindje brenda dhe jashtë Kosovës. Prej këtyre lindjeve të regjistruara 1 mijë e 338 lindje janë meshkuj dhe 1 mijë 206 lindje janë femra.

    Në muajin qershor 2025 ka një rritje të numrit të lindjeve rreth 8% krahasuar me muajin maj 2025.

    “Duke u bazuar në të dhënat administrative për muajin qershor janë regjistruar 2 544 Lindje të ndodhura në Kosovë dhe jashtë Kosovës, prej tyre meshkuj 1 338 dhe femra 1 206. Krahasuar me muajin maj 2025 kemi ngritje të numrit të lindjeve për (8 %)”, thuhet në raportin e ASK-së.

  • Ekspertët e gjuhës së trupit zbulojnë kuptimin e gjestit të Putinit nën hijen e bombarduesve amerikanë

    Ekspertët e gjuhës së trupit zbulojnë kuptimin e gjestit të Putinit nën hijen e bombarduesve amerikanë

    Takimi i shumëpritur mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në Anchorage, Alaska, më 15 gusht, nuk solli marrëveshje konkrete për luftën në Ukrainë. Megjithatë, një detaj gjatë ceremonisë së pritjes tërhoqi vëmendjen: reagimi i Putinit ndaj fluturimit të avionëve luftarakë mbi bazën ushtarake amerikane ku u zhvillua takimi, shkruan Korrespodenti.

    Sipas UNILAD, të dy liderët u takuan në bazën më të madhe ushtarake të Alaskës, Joint Base Elmendorf-Richardson. Pasi zbritën nga avionët e tyre dhe ecnin mbi qilimin e kuq, katër F-35 dhe një bombardues B-2 Spirit kaluan mbi kokat e tyre. B-2, i njohur si simbol i fuqisë amerikane, është i aftë të mbajë armë konvencionale dhe bërthamore. Në ato momente, kamerat regjistruan një gjest të veçantë të Putinit.

    Gjest i formuar nga trajnimi i KGB-së

    Ekspertja e gjuhës së trupit dhe psikikja Inbaal Honigman tha për UNILAD se Putin reagoi menjëherë ndaj zhurmës së avionëve. Ai e drejtoi shikimin lart dhe e forcoi dorën mbi xhep. Sipas saj, ky reagim lidhet me të ashtuquajturën “Gunslinger Gait”, një stil ecjeje i formuar nga trajnimi në KGB, ku njëra dorë qëndron gjithmonë e lirshme, ndërsa tjetra është gati për të vepruar.

    “Edhe pas dekadash karriere diplomatike, ai ende është i gatshëm për aksion. Nuk mbështetet vetëm te rojet e tij. Nëse diçka ndodh, Vladimir do ta përballet vetë sfidën,” theksoi Honigman.

    Teksa kamerat filmuan spektaklin ajror, të dy liderët shfaqën emocione të ndryshme. Sipas Honigman, Trump u duk krenar, duke bashkuar duart dhe duke i ofruar një prekje miqësore Putinit. Nga ana tjetër, presidenti rus nuk e fshehu entuziazmin, duke ndjekur me sy dhe kokë çdo moment të fluturimit.

    “Putin u përkul disa herë me kokë, duke treguar respekt për gjestin e fuqishëm të Trumpit,” shtoi ajo.

    Jo të gjithë e panë këtë moment si akt mikpritjeje. Eksperti tjetër i gjuhës së trupit, Darren Stanton, i tha UNILAD se fluturimi i avionëve ishte gjithashtu një mesazh fuqie nga ana e Trumpit.

    “Sipas shumë kritikëve, kjo nuk ishte thjesht një mirëseardhje, por një mënyrë për të thënë: ‘Unë i kam armët, i kam pajisjet,’” u shpreh Stanton.

  • Presidenti Trump i jep Putinit një letër nga gruaja e tij Melania, zbulohet kërkesa e saj

    Presidenti Trump i jep Putinit një letër nga gruaja e tij Melania, zbulohet kërkesa e saj

    Bashkëshortja e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Melania Trump ngriti çështjen e gjendjes së vështirë të fëmijëve në Ukrainë dhe Rusi në një letër personale drejtuar presidentit rus ,Vladimir Putin, thanë sot dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, sipas “Reuters”.

    Presidenti Trump ia dorëzoi letrën homologut të tij, Putinit – gjatë bisedimeve të tyre në samitin e Alaskë, thanë zyrtarët.

    Melania Trump, e lindur në Slloveni, nuk ishte në udhëtimin e presidentit Trump drejt Alaskës.

    Ekzistenca e letrës nuk ishte raportuar më parë.

    Rrëmbimi i fëmijëve ukrainas nga Rusia ka qenë një çështje thellësisht e ndjeshme për Ukrainën.

    Ukraina i ka quajtur rrëmbimet e dhjetëra mijëra fëmijëve të saj të çuar në Rusi ose në territorin e pushtuar nga Rusia pa pëlqimin e familjes ose kujdestarëve – një krim lufte që përmbush përkufizimin e gjenocidit të traktatit të OKB-së.

    Më herët, Moska tha se i kishte mbrojtur fëmijët e cenueshëm nga një zonë lufte.

    Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut tha se Rusia u ka shkaktuar vuajtje miliona fëmijëve ukrainas dhe ka shkelur të drejtat e tyre – që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

    Trump dhe Putini u takuan për gati tre orë në një bazë ushtarake amerikane, në Anchorage pa arritur një marrëveshje armëpushimi në luftën në Ukrainë.