ATV

Tag: Ballina

  • Sekuestrohet kokainë në vlerë 300 mijë euro, Policia arreston të dyshuarin në Prizren

    Sekuestrohet kokainë në vlerë 300 mijë euro, Policia arreston të dyshuarin në Prizren

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person H.K (1994) në Prizren për posedim të substancave narkotike, të llojit kokainë, në vlerë 300 mijë euro.

    Në njoftimin për media të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se i arrestuar është shtetas i Kosovës.

    “Më datë 11 gusht 2025, në rrugën ‘Viljam Voker’ në Prizren, është arrestuar i dyshuari me iniciale H.K. (1994) shtetas i Republikës së Kosovës.

    Gjatë kontrollit të realizuar në dy lokacione me urdhër të prokurorit kompetent, në njërën nga lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale: substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë totale 4 kg e 440 gramë”, thuhet në njoftim.

    Policia po ashtu bën të ditur se ka sekuestruar dy peshore elektronike, para në vlerë prej 260 euro, një  pajisje për vakuumim të qeseve plastike, një motoçikletë Piaggio Vespa, një telefon mobil iPhone 15 Pro Max, një skalper dhe sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim.

    Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e substancës narkotike, në tregun ilegal, mund të kapë vlerën deri në treqind mijë euro.

    I dyshuari është shoqëruar në Polici, ku është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.

    Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar nga ana e Njësisë së antidrogës në Prizren në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër narkotikëve dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë, duke raportuar çdo informacion të dyshimtë tek organet e rendit.

  • Vrasje në Hajvali, Policia zbardh detajet e fundit për rastin

    Vrasje në Hajvali, Policia zbardh detajet e fundit për rastin

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se një person është vrarë në mbrëmjen e së hënës në Prishtinë.

    “Sot rreth orës 22:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në Hajvali, ku është vrarë një person. Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti në përgjigje.

    Ajo ka treguar se policia i ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit, edhe është në kërkim të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar.

  • Shqipëria, Kosova dhe Kroacia planifikojnë blerje të përbashkët të armëve amerikane

    Shqipëria, Kosova dhe Kroacia planifikojnë blerje të përbashkët të armëve amerikane

    Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po përgatisin zbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, të nënshkruar më 18 mars në Tiranë. Ministritë e Mbrojtjes së Kosovës dhe Shqipërisë konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se grupe ekspertësh po punojnë për planin e zbatimit.

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha për REL se më 18 korrik në Tiranë “është mbajtur takimi i grupit zbatues për ta zbërthyer planin në nivel operacional”. Nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë thanë se në shtator do t’u paraqitet për miratim tri ministrive udhëzuesi që është drejt finalizimit.

    Deklarata, e nënshkruar nga Maqedonci, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe ai i Kroacisë, Ivan Anushiq, përcakton katër pika: promovimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe industrisë përkatëse; rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; kundërpërgjigjen ndaj kërcënimeve hibride dhe rritjen e qëndrueshmërisë; si dhe mbështetjen për integrimin euroatlantik.

    Pika e parë lidhet me blerjen e përbashkët të armatimit. “Për shembull një sistem [armësh] që jemi të interesuar të tri shtetet ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje… sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushtojnë më lirë dhe vijnë më shpejt”, tha Maqedonci për REL, duke sqaruar se fondet do të jenë kombëtare nga secili shtet.

    Ai shtoi se pret ndihmë nga partnerët për integrimin euroatlantik të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s. Qeveria kroate ka thënë më herët për REL se nismës mund t’i bashkohen edhe vende të tjera dhe se “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake” dhe se “një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”.

    Maqedonci tha se në tetor, në takimin e Kartës SHBA-Adriatik (A5), “do t’u kërkohet partnerëve rajonalë të bashkohen”. Marrëveshja parasheh edhe stërvitje të përbashkëta, bashkëpunim në rekrutim dhe edukim ushtarak, si dhe masa kundër kërcënimeve hibride, përfshirë kërcënimet kibernetike dhe dezinformimin.

    Sipas Maqedoncit, marrëveshja “u mirëprit në Pentagon” dhe nga shumë shtete të NATO-s. Serbia ka kundërshtuar, me presidentin Aleksandar Vuçiq që tha se po shkelet marrëveshja nënrajonale e vitit 1996 për kuotat e armatimit. Pas nënshkrimit, Serbia dhe Hungaria forcuan bashkëpunimin strategjik në mbrojtje, që sipas Vuçiqit “mund të çojë në krijimin e një aleance ushtarake” mes dy vendeve.

  • KKSH: Shqiptarët po përjashtohen nga institucionet publike në Luginë

    KKSH: Shqiptarët po përjashtohen nga institucionet publike në Luginë

    Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës ka reaguar ashpër ndaj vendimit për emërimin e katër personave nga komuniteti serb, përfshirë një nga Vranja, në Administratën tatimore në Bujanoc, komunë ku shqiptarët përbëjnë rreth 63% të popullsisë.

    Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar, Enkel Rexhepi, ky veprim përbën një rast të qartë diskriminimi dhe përjashtimi të shqiptarëve nga jeta publike dhe institucionale.

    Në reagimin e Rexhepit thuhet se vazhdimi i përjashtimit të shqiptarëve nga punësimi dhe përfaqësimi në institucionet publike të nivelit republikan dëshmon se qeveria nuk po respekton Kushtetutën, ligjet dhe marrëveshjet e arritura, përfshirë Marrëveshjen e Konçulit, planin me 7 pika të vitit 2013 dhe Planin e integrimit të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në sektorin publik për periudhën 2023–2026.

    Rexhepi njofton se këtë çështje do ta adresojë edhe para faktorëve ndërkombëtarë, duke e cilësuar si shembull të pastër të diskriminimit ndaj shqiptarëve në Bujanoc.

  • Presidentja Osmani i kërkon Gjermanisë mbështetje për integrimin e plotë ndërkombëtar të vendit

    Presidentja Osmani i kërkon Gjermanisë mbështetje për integrimin e plotë ndërkombëtar të vendit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, e fokus ishin zhvillimet rreth ngërçit politik.

    Sipas njoftimit nga presidenca, Osmani ka kërkuar nga Gjermania mbështetje të vazhdueshme për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht në Këshillin e Evropës.
    “Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e Kancelarit Merz. Më tej, Presidentja Osmani vlerësoi rolin jetik të Gjermanisë në mbrojtjen e vlerave demokratike, unitetit transatlantik dhe sigurisë evropiane. Presidentja Osmani nënvizoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet shtyllë strategjike për Kosovën në ruajtjen e stabilitetit rajonal, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës. Tutje, Presidentja kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për integrimit e plotë ndërkombëtar të Kosovë e në veçanti në Këshillin e Evropës, duke njohur rolin e Gjermanisë në Këshill dhe rëndësinë e këtij procesi për forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

    Bëhet e ditur se në takim, Osmani ka theksuar domosdoshmërinë që Kosova të avancojë drejt anëtarësimit në NATO, ndërsa sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, presidentja ka thënë se duhet qartësi strategjike dhe afate të përcaktuara e objektiva të qarta. Po ashtu tha se normalizimi nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial e rendit kushtetues të Kosovës.

    “Presidentja theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, duke elaboruar qartë kontributin që një e tillë do të kishte në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon e Evropë. Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Presidentja theksoi nevojën për qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva të qarta, duke theksuar se normalizimi nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial e rendit kushtetues të Kosovës. Në takim Presidentja foli edhe për rëndësinë e largimit të plotë të masave të padrejta, duke theksuar që Gjermani mund të luaj rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, ka njoftuar Presidenca.

    Reiffenstuel është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, takim në të cilin, sipas Zyrës së Kryeministrit, është diskutuar për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, sidomos në fushën e ekonomisë dhe investimeve të huaja, situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimet evropiane, si dhe për zhvillimet e fundit në vend dhe aktualitetin politik.

    “Kryeministri veçoi performancën ekonomike pozitive të vendit në gjashtëmujorin e parë të vitit, rezultatet e politikave të punësimit dhe mbarëvajtjen e punës së institucioneve qeveritare dhe të shtetit, përfshirë të drejtat e pakicave dhe mirëqenien e tyre. Ndër të tjera, ai shprehu shqetësimin e tij për rreziqet që paraqesin dhe vështirësitë që shkaktojnë fushatat dezinformuese dhe lajmet e rrejshme në shtrembërimin e të vërtetave dhe krijimin e narrativave të dëmshme për shoqëritë dhe institucionet demokratike”, thuhet në njoftim.

  • Kur mund të thirret seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

    Kur mund të thirret seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

    Ende nuk dihet saktësisht se kur mund të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pas vendimti të Gjykatës Kushtetuese.
    Sidoqë të jetë, kjo seancë konstituive nuk mund të mbahet derisa Kushtetuesja ta publikojë aktgjykimin e plotë. Mund të jetë gjatë kësaj jave, apo më së largu javën e ardhshme, varësisht se kur publikohet aktgjykimi i plotë nga Kushtetuesja.
    Sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, bazuar në praktikat e mëparshme, Kushtetueses i nevojiten një deri në dy javë më së shumti për ta publikuar të plotë aktgjykimin.
    “Ta zëmë nëse aktgjykimi publikohet të mërkurën, atëherë seanca mund të thirret menjëherë të enjten dhe pastaj të vazhdojë cikli 48-orësh”, ka thënë Cakolli për KTV.

    Seanca konstituive e Kuvendit u thirr për herë të parë më 15 prill nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Që atëherë, deputetët kanë mbajtur 54 vazhdime të kësaj seance, të cilat janë udhëhequr nga kryesuesi Avni Dehari, si deputeti më i vjetër i legjislaturës së re.

    Kushtetuesja tha se kryesuesi Dehari nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

    Sipas Rregullores së Kuvendit, për mbarëvajtjen e seancës kujdeset kryesuesi i seancës konstituive dhe Dehari pritet ta thërrasë seancën sapo Kushtetuesja ta publikojë aktgjykimin e plotë në Gazetën Zyrtare.

  • Arrestohen dy gra në Sllatinë, sulmuan dy femra tjera

    Arrestohen dy gra në Sllatinë, sulmuan dy femra tjera

    Dy femra janë arrestuar në Sllatinë pas një konflikti fizik me dy femra tjera.
    Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarat teksa viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, transmeton KosovaPress.
    Pas intervistimit një nga të dyshuarat është dërguar në mbajtje.
    “Fsh. Sllatinë, Fushë Kosovë / 10.08.2025 – 22:10. Janë arrestuar dy të dyshuarat femra kosovare pasi dyshohet se kishin sulmuar fizikisht dy viktimat femra kosovare të cilat si pasojë kanë pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit me vendim të prokurori e dyshuara është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani

    Sot i jepet lamtumira e fundit babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani

    Selami dhe Edmond Hasani, babë e bir, u vranë të dielën në mesditë ne qytetin e Gjilanit.

    Familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit do të zhvillohet sot, duke filluar nga ora 16:40, me kohën e Ikindisë.

    Nga ky rast tragjik, edhe një person tjetër ka humbur jetën ndërsa janë plagosur dy të tjerë.

    Policia është në kërkim të tre personave të dyshuar.

  • Çitaku: Kryesuesi i seancës e ka shkelur Kushtetutën

    Çitaku: Kryesuesi i seancës e ka shkelur Kushtetutën

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratave të ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu për Gjykatën Kushtetuese si dhe për rastin e gjykatësit, Radomir Laban.

    “Sa për qartësi, kryesuesi i seancës e ka shkelur Kushtetutën dhe këtë e kanë konstatuar me unanimitet të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe dy prej të cilëve i keni votuar edhe ju”, ka shkruar Çitaku në Facebook, duke i reaguar deputetes së LVV-së, Albulena Haxhiu.

    Sipas saj çdo përpjekje për të delegjitimuar institucionin, në këtë rast Gjykatën Kushtetuese, është as më shumë e as më pak se thirrje për anarki.

    “Ku ishit ju, të nderuar, para katër, tre, dy, një viti? Kishit pushtet absolut”, ka shkruar Çitaku.

    Tutje ajo ka thënë se siguria kombëtare nuk mbrohet me konferenca për shtyp, por me veprime konkrete.

    “Të mjerë dhe të rrezikshëm njëkohësisht”, ka përfunduar Çitaku.

  • Haxhiu: Gjyqtari Laban dyshohet se është bashkëpunëtor i BIA-s, ka raporte të afërta me Radoiçiqin

    Haxhiu: Gjyqtari Laban dyshohet se është bashkëpunëtor i BIA-s, ka raporte të afërta me Radoiçiqin

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, nga radhët e komunitetit serb, Radomir Laban, dyshohet se është bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA) dhe se ka raporte të afërta me kryeterroristin Milan Radoiçiq.

    Në një konferencë për media të dielën, Haxhiu ka thënë se gjyqtari i Kushtetueses përbën kërcënim për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

    “Serbia asnjëherë s’ka hequr dorë nga përpjekjet për ta destabilizuar Kosovën dhe penguar zhvillimin e saj në të gjitha format e saj. Kohëve të fundit është arritur një sukses i madh i institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, në dokumentimin e aktivitetit të spiunazhit e sabotazhit të Serbisë në Kosovë. Një përfundoi me dënim sepse vetë ai e pranoi fajësinë. Serbia ka përdorur historikisht dhe përdor edhe sot agjenturën me qëllim që të shtrijë ndikimin në çdo vend fqinj, e sidomos në Kosovë. Në mesin e këtyre shembujve është edhe ai i Radomir Labanit”, ka thënë ajo fillimisht.

    Sipas Haxhiut, Labani ishte arrestuar sa ishte zyrtar për inteligjencë në Doganën e Serbisë më 2006 dhe se ishte dënuar me gjashtë vjet heqje lirie. “Ky rast besohet të jetë momenti kur BIA e komprometoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë… si u lirua mbetet enigmatike, por Serbia e ka ende aktive arrestin ndaj tij. Enigmë mbetet edhe emërimi i tij por edhe qëndrimi në pozitën e gjyqtarit”, ka thënë ajo.

    Ministrja në detyrë ka thënë se Labani ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin e rastit të Banjskës, Milan Radoiçiq. Ajo ka thënë se Labani ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve falë këtyre lidhjeve. Haxhiu ka thënë se Labani ende përfiton të ardhura financiare nga Serbia.

    Teksa ka kritikuar zinxhirin e institucioneve për mosveprim në rastin e Labanit, sidomos pas konferencës së presidentes Vjosa Osmani, Haxhiu ka bërë thirrje që Prokuroria të nisë hetimet, apo nëse i ka nisur të tregojë publikisht për këtë. Ajo po ashtu ka ftuar Gjykatën Kushtetuese të nisë procedurën për shkarkimin e Labanit.

    Sa i përket çështjes së Labanit, në Kushtetuese ditë më parë kanë deklaruar se ai e ushtron funksionin e gjyqtarit “pasi u është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretim nga presidenti”.

    Presidentja Vjosa Osmani ditë më parë e tërhoqi kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me pasojat juridike pas dështimit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin brenda 30 ditësh. Ajo u shpreh se këtë e bëri pasi Radomir Laban u caktua gjyqtar raportues. Osmani bëri të ditur se Labani ishte konsideruar si person i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues, sipas raporteve të institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024.