ATV

Tag: Ballina

  • Dështon sërish zgjedhja e kryeparlamentarit, Haxhiu dhe Gërvalla nuk sigurojnë votat e nevojshme

    Dështon sërish zgjedhja e kryeparlamentarit, Haxhiu dhe Gërvalla nuk sigurojnë votat e nevojshme

    Në Kuvendin e Kosovës ka dështuar zgjedhja e Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit. Në të dy rastet, në votim morën pjesë 116 deputetë, prej të cilëve 57 votuan pro, 56 kundër dhe tre abstenuan.

    Seanca e sotme u mbajt pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që përcakton zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit përmes votimit të hapur. Vendimi thekson se një kandidat mund të propozohet vetëm tri herë në këtë proces dhe pjesëmarrja e deputetëve në votim është e detyrueshme.

  • Mediat gjermane: Autobusi nga Kosova përplaset me një kamion në një autostradë të Gjermanisë, 30 të lënduar

    Mediat gjermane: Autobusi nga Kosova përplaset me një kamion në një autostradë të Gjermanisë, 30 të lënduar

    Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në autostradën Salzburg–Mynih, në afërsi të daljes Irschenberg.

    Sipas mediave gjermane, një autobus udhëtarësh nga Kosova është përplasur pak pas mesnate me një kamion me rimorkio që po udhëtonte përpara tij.

    Siç raportohet më tej, nga 41 pasagjerët që ndodheshin në autobus, 30 kanë mbetur të lënduar, dy prej tyre më rëndë.

    Katër persona u dërguan në spitalet më të afërta për kontrolle mjekësore.

    Kamioni, i cili ishte i ngarkuar me perime, humbi një pjesë të ngarkesës për shkak të përplasjes.

    Për pasojë, autostrada në drejtim të Mynihut u bllokua për disa orë për pastrimin dhe heqjen e mjetëve, duke u rihapur rreth orës 03:00 të mëngjesit.

    Autobusi i dëmtuar rëndë u desh të tërhiqej nga vendi i ngjarjes.

    Sipas të dhënave paraprake të policisë, shoferi i autobusit e kishte vënë re me vonesë kamionin me rimorkio dhe, ndonëse u përpoq të devijonte në të majtë, u përplas me pjesën e pasme të rimorkios.

    Nga goditja, pjesa e përparme e autobusit “mbeti e ngjitur” pas rimorkios dhe u dëmtua rëndë, transmeton Insajderi.

  • Presidentja Osmani: Konstituimi i Kuvendit urgjencë shtetërore!

    Presidentja Osmani: Konstituimi i Kuvendit urgjencë shtetërore!

    Presidenca e Kosovës e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit

    “Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, thuhet nga Presidenca për RTKlive.

    Sipas presidencës, zvarritja e deritanishme ka dëmtuar jo vetëm kredibilitetin e institucioneve e zhvillimin e vendit, por edhe përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

    “Presidenca apelon tek të gjithë deputetët që të veprojnë me përgjegjësi të plotë, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëbesimit, në mënyrë që shteti të ecë përpara i konsoliduar dhe t’i përmbushë me sukses proceset e rëndësishme që e presin Kosovën në forcimin e pozitës së saj si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”.

  • Seanca konstituive mbahet të mërkurën

    Seanca konstituive mbahet të mërkurën

    Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është caktuar që të nisë të mërkurën prej orës 11:00, me vetëm dy pika të rendit të ditës – zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

    Të hënën u publikua aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstituive dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit. Kushtetuesja ka dhënë arsyetimet se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve, afat që nis të rrjedhë nga e marta.

    Sipas aktgjykimit, kalimi në votim të fshehtë për të cilin insistonte Lëvizja Vetëvendosje nuk është mbështetur edhe nga subjektet tjera, rrjedhimisht kryesuesi është urdhëruar që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës – procedimi i votimit të kryeparlamentarit.

    Kushtetuesja në Aktgjykim nuk i përmend pasojat e mundshme juridike, nëse deputetët nuk e konstatojnë Kuvendin brenda afatit të përcaktuar.

  • Specialja merr vendim, 11 personave u ndalohen vizitat te Thaçi

    Specialja merr vendim, 11 personave u ndalohen vizitat te Thaçi

    Gjykata Speciale në Hagë ka ndaluar vizitat e 11 personave tek Hashim Thaçi, në kuadër të çështjes për pengim të drejtësisë. Mes tyre janë Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati dhe katër persona me emra të redaktuar.

    Prokuroria kishte kërkuar ndalim vizitash edhe për tre vëllezërit e Thaçit, por gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, e refuzoi këtë, duke theksuar se kontakti me familjen është e drejtë thelbësore, sidomos pas ndarjes nga jeta të babait të Thaçit.

    Sipas Prokurorisë, disa vizitorë kanë marrë udhëzime nga Thaçi për t’i përcjellë te dëshmitarët, ndërsa gjykata konstatoi se ekzistojnë tregues të besueshëm për shpërndarje të informacioneve konfidenciale. Kufizimet vlejnë vetëm për individët tek të cilët janë identifikuar këto rrethana.

    Ndërkohë, kërkesa e Prokurorisë për të kufizuar bisedat e Thaçit gjatë vizitave u hodh poshtë si e panevojshme dhe joproporcionale. Vendimi do të rishikohet çdo tre muaj.

    Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë prej vitit 2020 dhe po gjykohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe pengim të drejtësisë, së bashku me ish-krerë të tjerë të UÇK-së.

  • Specialja rifillon punën, sot konferenca për rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Specialja rifillon punën, sot konferenca për rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Pas pushimit veror, Gjykata Speciale ka rifilluar punën. Sot mbahet konferenca përgatitore për rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Për këtë proces, në shtator janë parashikuar 10 seanca dhe në tetor dy të tjera.

    Avokati Skënder Musa pret që dëshmitarët të ndryshojnë rrjedhën e gjykimit:
    “Këta dëshmitarë pres që të shkatërrojnë të gjitha pretendimet dhe provat e falsifikuara nga Serbia, sepse nuk mund të krahasohen diplomatët evropianë e amerikanë me dëshmitarë që kanë folur për humbje lopësh apo pasurie gjatë luftës”, tha ai për RTK, transmeton Klan Kosova.

    Monitoruesi Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare e ka quajtur procesin të stërzgjatur dhe të mbyllur për publikun. Sipas tij, pas dëgjimit të dëshmitarëve të prokurorisë, nuk ka më arsye për paraburgimin e të akuzuarve.

    Javën e kaluar, Apeli refuzoi kërkesën për lirim të përkohshëm të Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ndërsa prokuroria kërkoi ndalimin e vizitave familjare për Thaçin, me arsyetimin se po informohet për situatën politike në vend.

    Pushimi veror i DHSK-së zgjati nga 28 korriku deri më 15 gusht.

  • “Takimi Putin-Zelenski, brenda dy javëve”, Merz: Presidenti rus ra dakord pas telefonatës me Trump

    “Takimi Putin-Zelenski, brenda dy javëve”, Merz: Presidenti rus ra dakord pas telefonatës me Trump

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka rënë dakord të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski brenda dy javëve të ardhshme gjatë një telefonate me Presidentin amerikan Donald Trump, tha kancelari gjerman Friedrich Merz.

    Vendi i zhvillimit të takimit ende nuk është përcaktuar, u tha Merz gazetarëve të hënën në mbrëmje.

    Ai theksoi se një samit i tillë duhet të përgatitet mirë, por shtoi se nuk e di nëse Putini “do të ketë guximin” të marrë pjesë në një samit të tillë.

  • Skandal në futbollin rus: Mirlind Daku sulmohet nga tifozët e Zenit, Federata nis menjëherë hetimin ndaj klubit të njohur

    Skandal në futbollin rus: Mirlind Daku sulmohet nga tifozët e Zenit, Federata nis menjëherë hetimin ndaj klubit të njohur

    Sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe i Rubin Kazanit, Mirlind Daku, është bërë objekt i thirrjeve fyese nga tifozët e Zenitit të St. Petersburgut gjatë ndeshjes së zhvilluar më 12 gusht, në raundin e dytë të fazës së grupeve të Kupës së Rusisë.

    Takimi, i fituar 3-0 nga Zeniti, u shoqërua me tensione në tribuna, ku një pjesë e tifozëve vendas ofenduan 27-vjeçarin shqiptar.

    “Komiteti i Kontrollit dhe Disiplinës i RFU-së do të shqyrtojë episodin me thirrje ofenduese nga tifozët e Zenitit të Shën Petersburgut, drejtuar sulmuesit të Rubin Kazanit, Mirlind Daku”, deklaroi kreu i komitetit, Artur Grigoryants, për agjencinë ruse RIA Novosti. Ai shtoi se mbledhja disiplinore do të zhvillohet më 20 gusht.

    Në atë përballje, Daku arriti të shënojë një gol, i cili u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.

    Ironikisht, gjatë kësaj vere sulmuesi ishte shumë pranë transferimit te Zeniti i St. Petersburgut, por në fund vendosi të qëndrojë te Rubini, që i rinovoi kontratën.

    Komiteti i RFU-së pritet të vendosë nëse Zeniti do të ndëshkohet për sjelljen e tifozëve të tij, ndërkohë që rasti ka marrë vëmendje në mediat ruse, duke rikthyer në fokus marrëdhënien mes klubit dhe lojtarit shqiptar.

  • Pikat kryesore nga diskutimi i Trumpit me Zelenskyn dhe liderët evropianë

    Pikat kryesore nga diskutimi i Trumpit me Zelenskyn dhe liderët evropianë

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka pritur në Shtëpinë e Bardhë, presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe disa liderë të tjerë evropianë në kuadër të bisedimeve të reja që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.

    Më poshtë mund të gjeni disa prej pikave kyç të këtij samiti shumëpalësh, të formuluara nga mediumi britanik BBC.

    Një takim Putin-Zelensky në horizont?

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se e kishte telefonuar Vladimir Putinin për të organizuar bisedime dypalëshe midis liderit rus dhe Zelenskyt. Pas kësaj, do të kishte edhe një takim trepalësh që do të përfshinte vetë Trumpin.

    Trump dhe evropianët nuk bien dakord për armëpushimin

    Trump duket se e ka minimizuar rëndësinë e armëpushimit përpara negociatave të mëtejshme për t’i dhënë fund luftës, që u kundërshtua nga liderët evropianë. “Nuk mund ta imagjinoj që takimi i ardhshëm të ndodhë pa një armëpushim”, ka thënë kancelari gjerman Friedrich Merz. “Pra, le të punojmë për këtë dhe të përpiqemi të ushtrojmë presion ndaj Rusisë”.

    Trump jep sinjale për garanci sigurie
    Trumpi ka thënë se SHBA-ja do të ndihmonte në garantimin e sigurisë së Ukrainës. Kjo është deklarata më vendimtare që ka bërë ndonjëherë për këtë çështje, e cila është njëkohësisht shqetësim kyç për Ukrainën. Nuk është ende e qartë se çfarë forme do të merrnin këto garanci, teksa mundësitë përfshijnë: trupa të huaja në terren, patrullime të përbashkëta detare dhe ajrore, ndarje të inteligjencës apo mbështetje logjistike.

    Zelensky nis ofensivën e tij të hijshme

    Në një ndryshim të dukshëm nga vizita e tij e mëparshme e tensionuar në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky është treguar më i qetë dhe i sjellshëm të hënën, i veshur me kostum, me një letër personale nga bashkëshortja e tij dhe disa “falënderime” të njëpasnjëshme në minutat e para të takimit.

  • Aksidenti me fatalitet në Llapushnik, viktimat janë një çift bashkëshortor nga Drenasi

    Aksidenti me fatalitet në Llapushnik, viktimat janë një çift bashkëshortor nga Drenasi

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të hënën në mbrëmje në rrugën Prishtinë – Pejë, më saktësisht në Llapushnik. Në aksident kanë mbetur të vdekur të vdekur një çift bashkëshortor, ndërsa i lënduar ka mbetur djali i tyre, 19 vjeçar.
    Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

    Viktimat janë identifikuar me inicialet Sh.G. (i lindur më 1979) dhe A.G. (i lindur më 1979).
    Nga përplasja ka mbetur i lënduar rëndë edhe një person tjetër me inicialet F.G. (e lindur më 2006), i cili është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

    “Fsh. Llapushnik / Rr. Nacionale Prishtinë-Pejë, 18.08.2025 – 20:50. Ka ndodhur aksident në trafik në të cilin kanë qenë të përfshira dy vetura udhëtarësh njëra me targa vendore dhe tjetra me targa të huaja, me drejtues meshkuj kosovarë. Si pasojë e aksidentit, lëndime vdekjeprurëse kanë pësuar dy viktimat dhe një ka pësuar lëndime. Me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa i lënduari është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raportin e policisë.

    Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një telegrami ngushëllimi i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimave.

    Ndryshe, numri i aksidenteve në komunikacion është rritur kohëve të fundit.